ATV

Author: ATVLive

  • IPK arreston dhe suspendon zyrtarin policor të dyshuar për kanosje

    IPK arreston dhe suspendon zyrtarin policor të dyshuar për kanosje

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar dje një zyrtar policor në Prizren me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “kanosje”.

    Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar dje pas orës 17:00 nga Policia e Kosovës në Prizren se një zyrtar policor është i përfshirë si i dyshuar në një rast të kanosjes.

    Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore.

    Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje”.

    Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

  • Çfarë ndodh me dhjamin kur dobësoheni?

    Çfarë ndodh me dhjamin kur dobësoheni?

    Për disa persona rënia në peshë është një objektiv i pamundur, pavarësisht aplikimit të shumë dietave dhe aktiviteteve fizike.

    Gjithsesi, të paktë janë ata që e dinë se çfarë ndodhë me yndyrat e akumuluara dhe të djegura gjatë aktiviteteve fizike. Deri më tani shumë njerëz kanë besuar se dhjami i akumuluar ose yndyrat e djegura transformohen në energji, mirëpo kjo teori është e gabuar.

    Disa teori thonë se yndyrat e djegura kthehen në masë muskulore, gjë e cila është e pamundur.

    Përgjigja e saktë e kësaj pyetje është se dhjami konvertohet në dioksid karboni dhe ujë. Njeriu e nxjerr dioksidin e karbonit përmes frymëmarrjes, ndërsa ujin përmes lëngjeve trupore apo djersës.

    Nëse humbisni 4 kilogramë, 3 kilogramë yndyra humbasin përmes mushkërive përkatësisht përmes dioksidit të karbonit, ndërsa 1 kilogram del përmes lëngjeve të trupit.

    Natyrshëm lind pyetja nëse mund të humbisni peshë vetëm duke marrë frymë? Për fat të keq, nuk funksionon kështu. E vetmja mënyrë për të rritur sasinë e dioskidit të karbonit është duke lëvizur muskujt.

    Për shembull, qëndrimi në këmbë ose thjesht procesi i të veshurit dyfishon ritmin dhe aktivitetin metabolik.

    Këtë ritëm mund ta shpejtoni edhe duke ecur, vrapuar, gatuar apo pastruar.

  • Sulm masiv me dronë në Rusi, Moska akuzon Kievin/ Në shënjestër rafineritë dhe infrastrukturat e energjisë

    Sulm masiv me dronë në Rusi, Moska akuzon Kievin/ Në shënjestër rafineritë dhe infrastrukturat e energjisë

    Zyrtarët rusë thanë se Ukraina ka kryer sulme me dronë në orët e para të 1 shtatorit, duke shënjestruar disa rajone të shtetit, përfshirë edhe rafineri dhe infrastrukturë të energjisë në rajonet e Moskës dhe Tverit.

    Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, tha se 158 dronë janë shkatërruar nga sistemi i mbrojtjes ajrore. Kjo ministri shkroi në Telegram se numri më i madh i dronëve – 122 gjithsej – u rrëzuan mbi rajonet e Kurskut, Brianskut, Voronezhit dhe Belgorodit, që gjenden në kufi me Ukrainën.

    Këto pretendime të Rusisë nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur, ndërkaq Ukraina nuk ka komentuar për këtë çështje.

    Kjo breshëri sulmesh me dronë vjen disa ditë pasi infrastruktura e energjisë së Ukrainës u shënjestrua me mbi 200 dronë rusë dhe raketa, në një prej sulmeve më të mëdha të këtij lloji.

    Po ashtu vjen një muaj që kur Ukraina nisi ofensivën e saj në rajonin rus të Kurskut, edhe pse trupat ruse raportohet se po bëjnë përparim në lindje të Ukrainës, veçmas në rajonin e Donjeckut.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e dëgjon guvernatorin në detyrë të rajonit Kursk, Governor Alexei Smirnov, gjatë një videokonference në rezidencën shtetërore të Putinit pranë Moskës, më 8 gusht, dy ditë pasi forcat ukrainase e nisën inkursionin në Rusi.

    Kievi po i bën thirrje Uashingtonit që të heqë kufizimet në mënyrë që të përdorë armët që ka pranuar nga aleatët për të sulmuar thellë brenda territorit të Rusisë. Kievi argumenton se sulme të tilla do të pengonin aftësinë e Moskës që të kryejë sulme ndaj Ukrainës.

    Po ashtu, më herët gjatë 1 shtatorit u raportua për shpërthime të fuqishme në stacionin e energjisë Konakovo në rajonin Tver. Ky stacion është një prej prodhuesve më të mëdhenj të energjisë në rajon, sipas kanalit Baza në Telegram, që ka lidhje me shërbimet ruse të sigurisë.

    Pesë dronë u shkatërruan mbi rajonin Tver, tha guvernatori rajonal, Igor Rudenya, i cili nuk përmendi dëme nga kjo ngjarje.

    Kryetari i Moskës, Segei Sobyanin, tha se një dron i lëshuar nga Ukraina u shkatërrua afër rafinerisë së naftës të Moskës. Ai tha se nuk raportohet për dëme në këtë rafineri.

    Kjo rafineri është në pronësi të Gazprom Neft, që është pjesë e gjigantit rus të gazit, Gazprom.

    Sipas kreut të qytetit Kashira, Mikhail Shuvalov, Ukraina po ashtu ka tentuar të sulmojë me dronë centralin e energjisë Kashira.

    Të paktën nën dronë u shkatërruan në Moskë dhe rajonin përreth, tha kreu i kryeqytetit rus.

    Rreth 26 dronë të lëshuar nga Ukraina u shkatërruan në rajonin kufitar të Brianskut, tha guvernatori rajonal, Aleksandr Bogomaz. Ndërkaq, më shumë se dhjetë dronë u shkatërruan mbi rajonin Boronezh dhe disa të tjerë mbi Kursk, Lipetsk, Riazan dhe Tula, thanë guvernatorët e këtyre rajoneve ruse.

    Zyrtarët rusë nuk kanë raportuar për viktima e as dëme nga këto sulme që pretendojnë se janë kryer nga Ukraina./ REL

  • Bëri historinë me klubin, Qëndrim Kida zbulon arsyet e largimit nga Malisheva

    Bëri historinë me klubin, Qëndrim Kida zbulon arsyet e largimit nga Malisheva

    Edhe pse bëri sensacion duke e kualifikuar Malishevën për herë të parë në histori në garat evropiane, drejtuesit e klubit malishevas nuk e vazhduan bashkëpunimin me trajnerin Qëndrim Kida.

    Kida në një intervistë për KosovaPress ka zbuluar për herë të parë arsyet e largimit të tij nga skuadra e Malishevës.

    Ai pranon se kishte interesim për të vazhduar punën e tij si trajner i Malishevës, por jo edhe nga drejtuesit e klubit.

    Për të ardhmen, ish-trajneri i Malishevës thotë është në kontakte me disa klube, duke mos përmendur emra konkretë.

    Nën urdhrat e tij shpërtheu edhe talenti Drilon Hazrollaj për të cilin Kida rekomandon që ai të transferohet në ndonjë klub jashtë Kosovës për të dëshmuar vlerat e tij.

    Ndryshe, vendin e Kidës te Malisheva e ka marrë trajneri Bekim Isufi i cili e ka nisur sezonin e ri me një fitore dhe një barazim.

  • Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, Rama: Mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës

    Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, Rama: Mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës

    Mali i Dajtit, vetëm 22.4 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, 1 613 metra mbi nivelin e detit, është një tjetër atraksion i mrekullueshëm për turistët e huaj që vendosin të vizitojnë vendin tonë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, ‘një mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës duke ofruar mundësi për aktivitete të llojllojshme dhe peizazhe të jashtëzakonshme’.

    “…dhe me Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit, një mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës duke ofruar mundësi për aktivitete të llojllojshme dhe peizazhe të jashtëzakonshme, ju uroj një të diel të qetë”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

    Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.

    Me rreth 26 lloje drurësh dhe shkurresh pyjore, të cilat mbulojnë rreth 80 % të territorit, bimësh e barishtore, kafshët dhe shpendët e egra, dy majat dominuese, “ballkonet”, që qëndrojnë mbi shkëmbinjtë e pjerrët, kjo zonë është kthyer në një atraksion për turistët e huaj, që pëlqejnë natyrën dhe aventurën.

    Vizitorët mund të shijojnë edhe pamjet spektakolare të perëndimit të diellit që në mbi 1000 metra lartësi ofrojnë një spektakël të mahnitshëm, duke u shoqëruar dhe nga një pafundësi dritash vezulluese të Tiranës.

  • Kosova ende pa Kryeprokuror – Miftaraj: KPK mund të vazhdojë në pafundësi me shkelje të obligimit kushtetues pa pasoja

    Kosova ende pa Kryeprokuror – Miftaraj: KPK mund të vazhdojë në pafundësi me shkelje të obligimit kushtetues pa pasoja

    Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se përkundër kërkesave të shumta, brenda dhe jashtë vendit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk po shpreh vullnet politik për të hapur konkursin për Kryeprokurorin e Shtetit.

    Fatkeqësia më e madhe, siç ka thënë Miftaraj në një intervistë për Ekonomia Online, qëndron se kjo situatë mund të vazhdojë me vite të tëra, sepse të gjitha kompetencat i ka vetë KPK-ja, e cila nuk ka filluar ende as me procedurat e para për zgjedhjen e Kyreprokurorit.

    Ai ka theksuar se ligjet e Kosovës i japin një pavarësi aq të madhe KPK-së, “e cila ka vendosur që të mos jetë llogaridhënëse as ndaj Kushtetutës, as ndaj ligjit, as ndaj publikut”, andaj, Këshilli mund të vazhdojë në pafundësi me shkelje të këtij obligimi kushtetues dhe ligjor pa pasoja.

    Miftaraj ka thënë se është shumë e rëndësishme që të dëshmohet integriteti i këtij institucioni dhe vullneti i tij që kjo pozitë të plotësohet me një person i cili i ka të gjitha kompetencat, siç e parasheh edhe Kushtetuta.

    “Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka potencuar së paku në vitin e fundit që KPK-ja pas kthimit të procesit në pikën zero do të duhej që menjëherë të fillonte me procedurat e plotësim-ndryshimit të rregullave të brendshme dhe me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Kjo kërkesë është po ashtu e bërë edhe në raportin e fundit të progresit për Kosovën dhe ka pasur kërkesa nga të gjithë akterët relevante ndërkombëtare si ambasadat e zyrat e BE-së që KPK-ja të procedojë me konkursin. Fatkeqësisht nuk ka vullnet politik nga ana e KPK-së që ky proces të vazhdojë me tutje dhe kemi ardhur në një situatë ku jemi me ushtrues detyre të Kryeprokurorit për një kohë jashtëzakonisht shumë të gjatë”.

    Miftaraj ka shtuar se i mbetet KPK-së në dorë që t’i ndryshojë aktet nënligjore për shpalljen e konkursit, pasiqë as Zyra e Presidentes nuk ka asnjë kompetencë për këtë proces “të kthyer në pikën zero”.

    Sa më shpejt që kjo të bëhet, është më mirë për shtetin, ka theksuar ai.

    “Tani nuk ka as një kompetencë në dorë Zyra e Presidentes për këtë proces sepse procesi është kthyer në pikën zero. Kështu që i mbetet KPK-së për të ndryshuar aktet nënligjore për të shpallur konkursin. Kur mungon ky vullnet nga ana e KPK-së, atëherë mund të mbesim në këtë gjendje edhe me vite të tjera”,

    “Ne e kemi të qartë se Kryeprokurori i Shtetit nuk është që ka kompetenca shumë të mëdha në Sistemin Prokurorial. Por për shtetin, për Republikën, për institucionet është e rëndësishme të dëshmohet integriteti i KPK-së, vullneti i tyre që kjo pozitë të plotësohet me një person i cili i ka të gjitha kompetencat e autorizimet në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Ndaj, sa më shpejt që kjo bëhet, është më mirë për sundimin e ligjit në Kosovë. Ligjet e Kosovës i japin një pavarësi aq të madhe KPK-së, të cilët do të thotë kanë vendosur që të mos janë llogaridhënës as ndaj Kushtetutës, as ndaj ligjit, as ndaj publikut. Andaj, mund të vazhdojnë në pafundësi me shkelje të këtij obligimi Kushtetues dhe ligjor dhe të mos kenë pasojë. Vetë qasja e kulturës së pandëshkueshmerisë në këtë sistem ka ndërtuar një sistem i cili nuk i raporton pothuajse askujt dhe kështu që kemi mbetur në një situatë që varet nga ata nëse duan që ta përmbushin këtë obligim ose jo”,

    Njëjtë është shprehur edhe avokati Xhevdet Smakiqi, i cili ka thënë se është hera e parë prej pavarësisë së Kosovës që kandidati i propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk dekretohet për këtë pozitë.

    Siç ka thënë Smakiqi për Ekonomia Online, ky është një rast i “paprecedentë” që e dëmton rëndë sistemin prokurorial të Kosovës.

    Ai ka shtuar se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit nuk i ka kompetencat e plota siç do t’i kishte Kryeprokurori.

    “Fatkeqësia është që për herë të parë, prej që është shpallur pavarësia e Kosovës asnjë qeveri dhe asnjë president nuk ka refuzuar që ta dekretojë kandidatin të cilin është duke e propozuar Këshilli Prokurorial i Kosovës që është organ kushtetues. Sipas Kushtetutës së Kosovës edhe Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit ruan dhe i garantohet pavarësia. Është një rast i paprecedentë dhe kjo në sytë e ndërkombëtareve edhe të monitoruesve siç janë nga BE-ja, nga organizatat e tjera ndërkombëtare shihet si një dështim dhe dobësim i sistemit prokurorial të Kosovës. Sepse nuk kemi kompetenca të plota si me një ushtrues detyre, si me një kandidat të cilin veç e ka propozuar KPK-ja”.

    Smakiqi ka thënë se do të kishte suksese më të mëdha sikur të mos ishte kjo krizë institucionale, siç e ka quajtur ai.

    “Siç e keni parë edhe në këtë refuzim Blerim Isufaj, si kandidat i ka rezistuar presionit politik dhe ka pasur shumë suksese edhe sa i përket edhe arrestimit të anëtareve të bandës së Rajdoqicit, të cilët tashmë pritet që të ju ngritet aktakuza. Të gjitha këto sikur të ishte kandidat i përzgjedhur nga presidentja. Ju e dini edhe kryeministri në Kuvendin e Kosovës ka thënë se sa të jem unë kryeministër nuk do të zgjedhet. Kjo e dobëson krejt sistemin edhe juridik edhe politik edhe është fatkeqësi sepse do të kishte suksese me të mëdha sikur të mos ishte kjo krizë institucionale”, ka thënë avokati për EO.

  • Premtimet e projektet ekonomike, Hoti akuzon për dështime Qeverinë Kurti

    Premtimet e projektet ekonomike, Hoti akuzon për dështime Qeverinë Kurti

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti kritikon qeverinë aktuale se ka dështuar në implementimin e projekteve të mëdha ekonomike dhe mos përmbushjen e angazhimeve në arsim dhe shëndetësi.

    Në një intervistë për KosovaPress, Hoti thotë se veprimet e Qeverisë Kurti kanë qenë të pakta dhe larg çdo standardi për përmirësimin e kushteve në sektorët kyç.

    Ai po ashtu thotë se as projektet që janë lënë në gjysmë nga qeveritë kaluara nuk kanë shkuar përpara. Ish-kryeministri Avdullah Hoti tha se të ardhurat për kokë banori kanë rënë rreth 67 për qind krahasuar me vitet e kaluara kur kanë qenë rreth 74 për qind.

    Ndërsa sa i përket ligjit të punës, Hoti gjithashtu kritikon mungesën e dialogut social dhe thotë se kjo barrë financiare duhet t’i ngarkohet buxhetit të shtetit.

    Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti shprehet se Kosova është shndërruar në një vend me probleme të sigurisë, duke përmendur sanksionet e BE-së dhe mungesën e investitorëve të jashtëm.

  • Suharekë, humb aksidentalisht jetën një fëmijë

    Suharekë, humb aksidentalisht jetën një fëmijë

    Një fëmijë ka vdekur aksidentalisht pasditen e djeshme në Suharekë.

    Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

    Viktima ishte dërguar në emergjencë, por mjeku kujdestar kishte konstatuar vdekjen e saj dhe me vendim të prokurorit i ishte dorëzuar familjarëve.

    Njoftimi i policisë:

    VDEKJE AKSIDENTALE

    Suharekë / 31.08.2024-19:45. Viktima femër kosovare fëmijë, ka humbur jetën aksidentalisht. Viktima është dërguar në emergjencë, por mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë. Në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë u dorëzohet familjarëve.

  • Sesioni vjeshtor i Kuvendit, a pritet që deputetët të shtyjnë përpara agjendën legjislative?

    Sesioni vjeshtor i Kuvendit, a pritet që deputetët të shtyjnë përpara agjendën legjislative?

    Kuvendi i Kosovës pritet t’i rikthehet punës në mesin e muajit shtator. Deputetët pas pushimeve verore do t’i përvishen punës në sesionin vjeshtor.

    Megjithëse në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje thonë se do të shtyjnë përpara agjendën legjislative, monitorues të Kuvendit shprehen skeptik për një gjë të tillë. Sipas tyre, këta muaj deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, partitë parlamentare do të shfrytëzojnë legjislativin si një skenë për prezantimin e platformave zgjedhore.

    Monitoruesi i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), Arbër Thaçi thotë për KosovaPress se partitë do të përdorin seancat plenare por edhe komisionet parlamentare, qoftë ato hetimore për fushatë zgjedhore.

    Mirëpo, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh, kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi, thotë se përkundër caktimit të datës së zgjedhjeve, mazhoranca do të jetë e fokusuar në miratimin e agjendës legjislative.

    Ai thekson se prioritet do të jetë miratimi i reformës në drejtësi, duke përfshirë projektligjin për byronë, i cili më parë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Krahas kësaj, ai shton se fokus do të jetë edhe sigurimet shëndetësore dhe buxheti për vitin 2025.

    Por, Thaçi nga KDI thekson se reforma të thella siç është ajo në drejtësi duhet të evitohen në sesionin vjeshtor të Kuvendit duke marrë parasysh afatet e ngushta kohore dhe zgjedhjet në fillim viti e ardhshëm.

    Sipas tij, deputetët në sesionin vjeshtor duhet të miratojnë Kodin Civil.

    Deputetët kanë shkuar në pushim në fund të muajit korrik. Kuvendi gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka miratuar 36 Projektligje.

  • Ekspertët e sigurisë: Hapja e Urës pa pëlqimin e aleatëve është aventurë e rrezikshme, çdo gjë mund të kthehet 15 vjet mbrapa

    Ekspertët e sigurisë: Hapja e Urës pa pëlqimin e aleatëve është aventurë e rrezikshme, çdo gjë mund të kthehet 15 vjet mbrapa

    Hapja e Urës së Ibrit pa një konsultim paraprak me aleatët, rrezikon raportet me ndërkombëtarët dhe rrezikon të rikthejë situatën 15 vjet mbrapa duke barrikaduar në tërësi Urën e Ibrit nga KFOR-i. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve të sigurisë.

    Profesori universitar, Fatmir Çollaku, ka thënë për Ekonomia Online se është një “aventurë e rrezikshme”, insistimi i qeveritarëve për hapjen e Urës së Ibrit pa pëlqimin e aleatëve ndërkombëtar.

    Ai konsideron se situata mund të kthehet në vitin 2004 – që forcat e KFOR-it ta barrikadojnë pjesën që ndanë Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

    “Është aventurë e rrezikshme hapja e Urës pa pëlqimin dhe dakordimin e miqve ndërkombëtar, patjetër duhet të ketë dakordim me SHBA-në dhe NATO-n, sepse në të kundërtën është kundër efekt hapja e Urës së Ibrit një anshëm, duhet patjetër të ketë koordinim dhe bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë, posaçërisht SHBA-në dhe NATO-n. Nuk ka rrezik fare por ka hapa mbrapa sepse KFOR-i shumë lehtë, brenda një kohe shumë të shkurtër një orë apo dy, mund ta barrikadojë, përkatësisht mund ta bllokojë urën me autoblinda ose tela gjemborë dhe çdo gjë kthehet 15 vjet mbrapa”, ka thënë ai.

    Por të kundërtën e mendon eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Ai mendon se hapja e urës nuk ka rrezik për eskalim të situatës. Sipas tij, liderët institucional duhet të marrin vendime në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

    “Mendoj që ky status ka gjasa të ndërpritet dhe Ura do të hapet, nuk ka asnjë rrezik për një eskalim të situatës por duhet që liderët mos të marrin vendim të njëanshëm por çdoherë në bashkëpunim edhe me partnerë strategjik në raport me SHBA-në për të cilët u dha vërejtja se do të shkoni në përmes takimeve të Brukselit, si marrëveshje e Brukselit e cila në vitin 2017 ka pasur një formë me planin e veprimit por mendoj që edhe këto nuk do të sjellin rezultate por gjithsesi, lidershipi jonë duhet të zbatojë këto sugjerime apo udhëzime të partnerëve tonë ngase vendimet e një anshme mund të sjellin situatën, për shkak të tensioneve rajonale që mjafton diku të shkrepë dhe ajo në formë zingjirore të përhapet edhe mundësia e konfliktit, dhe andaj duhet të jenë të kujdesshëm të kenë në bashkë rëndim dhe bashkë veprim me prezencën ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Ibishi.

    Eksperti i sigurisë e konsideron situatë të rrezikshme nëse Kosova nuk bashkëpunon me ShBA-në dhe aleatët tjerë.

    “Mendoj që është e rrezikshme sepse i bie sikur Serbia ka lobuar shumë duke ngritur çështjen edhe pse ajo nuk është një pasiguri hapja e Urës përkundër asaj që i lidh komunitetet në të dy anët, është punë që integron atë çka pretendojnë qeveritarët tanë por tendencat serbe janë për t’u nda veriu me jugun për t’u bërë një sistem deskrutiv i veprimit por që lidershipi serbë kanë mbërri në qendër e vendosjes për me krijuar një opinion se ajo mundë të ketë një rrezikshmëri të lartë , dhe mendoj që shumë më mirë është që kjo të shkoj në koordinim dhe bashkë veprim me ndërkombëtarët dhe jo të merret një veprim i një anshëm i pakoordinuar dhe ajo mundë të ketë pasoja, ngase ndërkombëtarë të kanë sugjeruar në mënyrë të prekët por edhe vizita e fundit e zotit Burns”, shtoi ai.

    Kryeministri Albin Kurti gjatë javës ka thënë se për hapjen e urës Lumin Ibër në Mitrovicë, janë duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si trajtimin e draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull.

    “Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti me 28 gusht në mbledhjen e qeverisë.