ATV

Author: ATVLive

  • Serbët në Mitrovicë të Veriut kërkojnë të kthehen në punë në komunën paralele

    Serbët në Mitrovicë të Veriut kërkojnë të kthehen në punë në komunën paralele

    Afër 300 qytetarë serbë u tubuan para një objekti që ishte përdorur nga komuna paralele serbe në Mitrovicë të Veriut më 2 shtator, duke thënë se po përpiqen që të kthehen në punë.

    Personat që protestuan të hënën ishin punonjës të administratës të komunës paralele serbe në këtë komunë.

    Tubimi vjen disa ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës, duke thënë se këto institucione po punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

    Aksioni i 30 gushtit, i kryer nga institucionet e Kosovës u cilësua si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu u kundërshtua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve lokalë në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dhe nga zyrtarët në Serbi.

    Shefi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Petrit Fejza, tha për Radion Evropa e Lirë se mbyllën këtë objekt më 30 gusht, pas dyshimeve se në të kishte dokumente false.

    Punëtorët, që thanë se tubimi i tyre i së hënës nuk është protestë, deklaruan se në këtë objekt për vite të tëra kanë ofruar shërbime për qytetarët.

    Por, Fejza tha se ata nuk do të lejohen të hyjnë brenda objektit derisa autoritetet të kryejnë hetime.

    Në afërsi të vendit ku serbët u mblodhën mëngjesin e së hënës u panë edhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, si dhe dy automjete të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

    Ky tubim në Mitrovicë të Veriut u zhvillua një ditë pasi në objektet që ishin përdorur nga institucionet paralele serbe u vendosën pllaka të ministrive të Qeverisë së Kosovës.

    Përveç pesë institucioneve të mbyllura të premten e kaluar, në prill autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë të tjera të Kosovës.

    Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

    Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

    Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht. /REL

  • SPAK: Qeveria është vonuar me rritjen e pagës minimale, 350 euro i kemi kërkuar qysh në vitin 2022

    SPAK: Qeveria është vonuar me rritjen e pagës minimale, 350 euro i kemi kërkuar qysh në vitin 2022

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës (SPAK), Ali Gashi, ka thënë për Ekonomia Online se Qeveria e Kosovës është vonuar me vendimin për rritjen e pagës minimale.

    Ai ka thënë se propozimi i Sindikatës që paga minimale të jetë 350 euro ka qenë qysh në vitin 2022 e se tani kjo pagë, marrë parasysh situatën ekonomike në vend, nuk ka ndonjë efekt në përmirësimin e jetës së punëtorëve.

    Gashi ka thënë se kanë kërkuar që paga minimale të mos jetë më e vogël se 450 euro, marrë parasysh inflacionin dhe situatën e të punësuarve në Kosovë.

    “Ne e vlerësojmë këtë veprim nga ana e Qeverisë, edhe pse është jashtëzakonisht shumë i vonë për arsye se ne me kohë si sindikatë kemi kërkuar fillimisht që të shihet mundësia që të jetë 350, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo që e kemi propozuar ka qenë në vitin 2022 dhe tani jemi në 2024, nuk e di se sa ka efekt. Qëndrimi jonë si federatë sindikale dhe shkresat e dërguara në adresën e Qeverisë, është që paga minimale të mos të jetë më e vogël se 450 euro, duke marrë parasysh edhe inflacionin edhe trendin e zhvillimit ekonomik dhe situatës në të cilën gjendet një i punësuar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gashi.

    Tutje, kryetari i SPAK-ut ka thënë se nuk janë ftuar fare për të diskutuar rreth këtij vendimi, gjë e cila përcaktohet edhe me ligj.

    “Ligji për përcaktimin e pagës minimale dhe Ligji për Këshillin Ekonomiko-Social thotë që kjo pagë bëhet në dakordancë edhe me sindikata, prandaj edhe kjo pa marrë parasysh që vlerësohet si lëvizje nuk është e ndershme për arsye se të paktën është dashur të ftohen sindikatat dhe përmes sindikatave të bisedohet dhe të dihet për këtë vendim”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se si Sindikatë janë të shokuar me mosveprimin e Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e pagave.

    Siç është shprehur ai për EO, Qeveria duhet të veprojë urgjentisht dhe të bëjë rritjen e vlerës së koeficientit jo më pak se 35 për qind e vlerës së tanishme.

    “Jemi të shokuar për mosveprimin nga ana e Qeverisë dhe e Parlamentit për mos zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e Pagave, e cila në mënyrë decidive ka kërkuar që brenda gjashtë muajve të bëjë plotësim ndryshimi të këtij ligji. Edhe pse ky afat ka kaluar Qeveria nuk ka vepruar. Prandaj ne kërkojmë që urgjentisht të veprojë Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe kur ta bëjë rritjen e vlerës së koeficientit jo më pak se 35 për qind e vlerës së tanishme, që i bie të kalkulohet 35 për qind e 110 euroshit aktual. Në të njëjtën kohë kemi kërkuar që të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, pasi që pothuajse jemi vendi i vetëm në rajon që nuk kemi një marrëveshje kolektive e cila do të rregullonte në njëfarë forme shumë të drejta thelbësore të të punësuarve në Republikën e Kosovën në sektorin privat dhe publik”.

    “Një kërkesë tjetër shumë e rëndësishme për ne është edhe mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social, një mekanizëm që ligji na ka dhënë si mundësi për të diskutuar të gjitha temat dhe të gjitha problemet dhe shqetësimet të cilat i preokupojnë punëtorët e sektorit privat dhe publik”, ka thënë ai për EO.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Të enjten e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 82-të, ka bërë të ditur përmes një njoftimi DhSK-ja pasi ka mbaruar seanca e cila u mbajt e mbyllur.

    Ndryshe, sa ishte seanca e hapur, mbrojtja e Veselit përmes avokatit Geoffrey Roberts e ngriti një çështje lidhur me kalendarin gjykatës për vitin e ardhshëm.

    “Kalendari i gjykatës për vitin që vjen është deri në maj të vitit që vjen dhe megjithatë që kuptoj unë synohet që data e përfundimit të çështjes nga Prokuroria është… ose ajo që keni thënë me datë 15 shkurt 2023 ka qenë 1 prilli 2025, të paktën kjo është përcaktuar me urdhrin me gojë. Nuk e di në qoftë se ky është rasti megjithatë ne e kuptojmë që ndërsa flasim koha për përfundimin e çështjes nga prokuroria është në prill”, ka theksuar Roberts.

    Ndërsa, kryetari i turpit gjykues njoftoi se nuk ka ndryshime në data por që i është dhënë pak hapësirë ZPS-së pas afatit të përcaktuar për mbarimin e çështjes së saj.

    Për këtë javë, Matt Halling ka theksuar se kanë vetëm dy dëshmitarë të cilët mbajnë kodin Ë04735 dhe Ë0511, të cilët pritet të dëshmojnë. Ai ka thënë se aktualisht nuk kanë dëshmitarë tjetër rezerve, por që do të shikojnë se çfarë mund të bëjnë.

    Ndërsa prokurori Halling ka thënë se dëshmitarët që synohet të thirren për bllokun e ardhshëm janë 04737, 04600 dhe 01129. Kurse kryegjyqtari ka thënë se do të ishte mirë që ta kenë dikë rezervë për shkak se sipas tij këta dëshmitar nuk zgjasin gjithë javën.

    Pas kësaj, pati një çështje për të diskutuar edhe avokati Eric Tully por që sapo e mori fjalën, seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar për t’u mos u hapur më deri sa në ekran u njoftua se nuk ka transmetim.

  • Konflikti që përfundoi me vrasje mbrëmë në Aktash, çka dihet deri tani

    Konflikti që përfundoi me vrasje mbrëmë në Aktash, çka dihet deri tani

    Familjet Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt qe një kohë vazhduan ‘betejën’ të dielën mbrëma që përfundoi tragjikisht. Një konflikt me armë mes tyre në lagjen Aktash në Prishtinë la të vdekur një person dhe pesë të tjerë u plagosën.

    Policia akoma s’ka dalë me një konfirmim zyrtar, ndërsa Sinjali sjellë të gjitha detajet që dihen deri më tani.

    Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se personi që mbeti i vrarë, bazuar në informacionet që posedojnë organet e rendit dyshohet se është Premtim Gashi. Konfirmimi i identitetit nuk është bërë mbrëmë menjëherë në vendin e ngjarjes për shkak se i vrari nuk kishte dokumente identifikuese me vete.

    Sinjali raportoi ekskluzivisht se trupi i të vrarit mbeti mbi një kallashnikov, të cilin dyshohet se e posedonte viktima, i cili nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve që mori nga shkrepja e armës.

    Gjithë konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqës ka pasur në vazhdimësi me familjen Capat në Prishtinë – të cilëve iu plagos një familjar para disa muajsh.

    Nga familja Sekiraqa, mbeti i plagosur personi më me ndikim në grupin e tyre, Salih Sekiraqa, 47-vjeçar.

    Bashkë me Sekiraqën, nga arma e zjarrit u lënduan edhe Korab Gashi (vëllai i Premtimit), Robert Llumnica (29-vjeçar), Fatos Abazi (35-vjeçar) dhe Valdrin Ademi (21-vjeçar), raporton Sinjali.

    Gjendjen më të rëndë shëndetësore e kanë të plagosurit Llumnica dhe Ademi.

    Kryeqyteti mbrëmë u mbush me policë, me ç’rast Policia ka aktivizuar Unazën e Çeliktë, ku si rezultat janë shtuar pika kontrolli në lokacione të ndryshme.

    Të gjitha informacionet që kanë dalë pritet të konfirmohen më tutje pasi të ndërmerren veprimet e nevojshme nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

  • ​Kosova kthehet me medalje nga Botërori i Kickbox-it

    ​Kosova kthehet me medalje nga Botërori i Kickbox-it

    Ka përfunduar të shtunën Kampionati Botërore i Kickbox-it për junior që u mbajt në Budapest të Hungarisë Në këtë kampionat garuesit kosovarë patën një paraqitje shumë të mirë dhe dinjitoze ku Rron Kasumi e siguroi medaljen e bronztë.

    Gjithashtu edhe dy garuesit tjerë, Gent Hyseni dhe Nart Mehmeti siguruan vendet e pesta në kategoritë e tyre.

    Lajm tjetër i mirë nga ky kampionat është fanti se u licencua edhe gjyqtari Albin Musa me licencën gjyqtar ndërkombëtar ku u mbajt seminari dhe iu nënshtrua edhe testit teorik dhe praktik.

    Shumë i kënaqur me paraqitjen e kickboksierëve kosovarë është shprehur kryetari i Federatës së Kickbox-it të Kosovës Fatmir Makolli.

    “Unë jam shumë i kënaqur me rezultatet dhe kemi mundur shu lehtë të kthehemi me tri medalje ,por nganjëherë për nuancë shumë të vogël mbetesh pa medalje. Unë fillimisht para se të fillojë kampionati isha edhe në Asamblenë e Punës të Federatës Botërore dhe shumë gjëra u folën r avancimin e kick boksit dhe në të ardhmen ndoshta premtuan që do të bëhemi edhe sport olimpik”, ka thënë Makolli.

  • ​Trajneri i Kosovës flet sot para mediave

    ​Trajneri i Kosovës flet sot para mediave

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, do të mbajë sot konferencë për media në kuadër të grumbullimit për dy ndeshjet e edicionit të ri të Ligës së Kombeve, kundër Rumanisë dhe kundër Qipros.

    “Dardanët” nisin rrugëtimin në edicionin e ri të Ligës së Kombeve më 6 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” me ballafaqimin kundër Rumanisë dhe pastaj sfidohen nga Qipro në udhëtim tri ditë më vonë, raporton KP.

  • ​9 vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushi

    ​9 vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushi

    Sot mbushen nëntë vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushi, njeriu i cili tërë jetën ia kushtoi arsimit, edukimit, dijës dhe shkencës, por edhe çështjes kombëtare.

    Ai me të drejtë është vlerësuar ‘Simboli i dijes dhe paqes’, ’profesori i respektuar’, ‘pedagogu ynë’, ‘mendjendrituri’, e me emërtime të tjera.

    Akademik Pajazit Nushi ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, ndërsa ishte rektor i kolegjit universitar “Iliria”.

    I lindur në Gjakovë, më 8 janar 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, prof. dr. Pajazit Nushi, pas mësimit në Shkollën Normale të Gjakovës, i ndoqi mësimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku u diplomua në degën e Psikologjisë më 1955.

    Më 1958 ka dhënë provimin shtetëror për profesor të psikologjisë dhe psikologjisë pedagogjike pranë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë dhe me këtë rast u shpall profesor i rendit I. Studimet e larta i kurorëzoi me mbrojtjen e tezës së disertacionit të doktoratës “Zhvillimi i terminologjisë psikologjike dhe baza semantike e përcaktimit të saj në gjuhën shqipe”.

    Nga 1956-1995 punoi si profesor i psikologjisë në Shkollën Normale të Prishtinës, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës dhe profesor i psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

    Krahas mësimdhënies ka punuar në këto funksione administrative-profesionale: drejtor i Entit Krahinor për Përparimin e Arsimit dhe të Edukimit, ndihmës kryetar i Këshillit Federativ për Arsim e Kulturë të ish- Federatës së Jugosllavisë; nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriu dhe redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë.

    Ka mbajtur leksione nga psikologjia e përgjithshme në Universitetin e Tetovës në Maqedoni. Ka qenë anëtar i grupit hulumtues të RSFJ në konceptimin e projektit “Televizioni edukativ” dhe lidhur me këtë ka qenë kryesues i këtij grupi i angazhuar në udhëtimin studimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit maj – qershor 1972. Ka marrë pjesë në konceptimin e shkollës fillore unike për RSFJ-në dhe ka studiuar zhvillimin e arsimit institucional të nivelit fillor në Norvegji.

    Në vitin 2000 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e zgjodhi anëtar të rregullt. Ka qenë sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-së në periudhën dhjetor 2008 – 2011.

    Ka botuar këto vepra nga fusha e psikologjisë: “Bazat psikologjike të kulturës së të folurit të nxënësve të shkollës fillore” 1964,”Fjalor i psikologjisë”, “Sistemi i grafisë së tingujve të shqipes dhe vetitë perceptive e përmasat e lexueshmërisë së shkronjave të alfabetit të shqipës”1987, ”Të nxënit e lëndëve mësimore dhe zotërimi i tyre” 1997, ”Orientimi profesional dhe individualiteti psikofiziologjik i zgjedhësit të profesionit 2004, ”Inteligjenca dhe masat e zhvillimit të saj ndër shqiptarët e moshës madhore” 2006, “Çështja shqiptare dhe integrimet politike ekonomike (Kërkimet teorike-empirike)” 2003, “Kujtesa dhe trajtimi i saj në literaturën shqipe nomotike” 2008, “Psikanaliza dhe mendimi psikologjik shqiptar” 2006 dhe “Fjalor shpjegues i psikanalizës” 2010.

    Është autori i tekstit shkollor të psikologjisë “Psikologjia” për klasën e dytë gjimnaz – fitues i çmimit “Naim Frashëri” si libri më i mirë shkollor në vitin 1996, koautor i disa botimeve të librit “Psikologjia” për gjimnaz dhe shkolla profesionale.

    Ka botuar këto tekste universitare: “Psikologjia e përgjithshme – Kaptina të zgjedhura” 1995, “Psikologjia e përgjithshme 1” 2002 dhe “Psikologjia e përgjithshme II – Njeriu dhe personaliteti i tij në psikologji”, 1999.

    Ka përkthyer nga serbokroatishtja në gjuhën shqipe tekstet shkollore “Logjika” 1967 dhe “Të mësuemit dhe kujtesa”, 1964.

    Aktiviteti profesional dhe shkencor i tij është shtrirë në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikologjisë. Lista e punimeve studimore, e kumtimeve shkencore dhe e artikujve nga fusha e psikologjisë arrin në 142. Përmbajtja e këtyre punimeve ka qenë e lidhur kryesisht me paraqitjen e rezultateve të hulumtimeve empirike, të cilat janë preokupim kryesor i tij.

    Më 23 shtator 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Teksas me vendim të guvernatorit të këtij shteti, ndërsa më 10 tetor 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Nebraska me vendim të guvernatorit të këtij shteti federal amerikan.

    Më 2005 u zgjodh anëtar nderi i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Më 14 qershor 2011 është shpallur “Nderi i Qytetit të Gjakovës” me vendim të kryetarit të Komunës së Gjakovës. Në marsin e vitit 2011 u zgjodh këshilltar i lartë shkencor në Institutin e Hulumtimeve të Krimeve të luftës në Kosovë.

    Më 1957 u shpall fitues i Çmimit të Dhjetorit – çmimit më të lartë për të arritura arsimore e shkencore në KSAK. Është bartës i disa dekoratave – dekorata e fundit është dekorata e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e akorduar nga presidenti i Republikës së Kosovës në vitin 2001.

  • Sot nis mësimi gjithë-ditor në pesë shkolla të Prishtinës

    Sot nis mësimi gjithë-ditor në pesë shkolla të Prishtinës

    Në pesë shkolla të Kryeqytetit do të nisë sot mësimi gjithë-ditor. Me vendim të Komunës së Prishtinës, mësimi gjithë-ditor do të zhvillohet për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën, raporton EO.

    Mësimi nuk do të kufizohet vetëm në libra dhe në teori. Do të ketë aktivitete praktike, lojëra edukative, rekreacion e kulturë.

    Shkollat ku do të nisë ky projekt, janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.

  • Dita kur u hoq stema e Kosovës në fletëvotime

    Dita kur u hoq stema e Kosovës në fletëvotime

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë 11 vjet më parë vendosi që në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të nëntorit 2013, të jetë logoja e KQZ-së.

    Deri në atë kohë, në fletëvotime ishte e vendosur stema e Republikës së Kosovës.

    Autoritetet në Beograd patën kërkuar që në fletëvotimet e 3 nëntorit të mos ketë shenja të shtetësisë së Kosovës, pasi në të kundërtën, nuk do t’iu bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

    Vendimi i KQZ-së ishte mirëpritur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

    Atifete Jahjaga, e cila atë kohë mbante postin e presidentes së Kosovës, pati inkurajuar KQZ-në që në përputhje me mandatin të gjejë zgjidhje që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit. /kp/

  • ​115 vjet më parë u mblodh Kongresi i Elbasanit

    ​115 vjet më parë u mblodh Kongresi i Elbasanit

    115 vjet më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar.

    Midis delegatëve të kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Ahmet Dakli, Refit Toptani, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Andrea Konomi, Idhomen Kosturi, Kahreman Vrioni, etj.Programi kulturor e arsimor që hartoi Kongresi i Elbasanit parashtronte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në të gjithë sistemin ekzistues arsimor dhe përhapjen e mëtejshme të arsimit në gjuhën shqipe. Kongresi parashtroi edhe nevojën e krijimit të një shkolle të mesme në Elbasan.

    Kongresi i Elbasanit, në rrugë demokratike zgjodhi kryetar Dervish Biçakçiun, si dhe nënkryetar Mit’hat Frashërin. Ndërsa shkronjës të Kongresit u caktuan Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima.Kongresi i Elbasanit mori një sërë vendimesh të pasqyruara në Aktin e Vendimeve të Kongresit, prej 15-të pikash si dhe miratoi dhe rregulloren e klubeve dhe shoqërive patriotike. Në vendimet e këtij kongresi theksohet se Shoqëria “Përparimi”, që do të krijohej në Korçë, kishte për detyrë të financonte mbajtjen e Shkollës Normale (e hapur më 1 dhjetor të 1909), me ndihmat që do të grumbulloheshin, do t’u jepte ndihmë shkollave shqipe ekzistuese, do të orientonte çeljen e shkollave të rejave në shumë vise të vendit, si dhe futjen e mësimit shqip në të gjitha shkollat e huaja që ekzistonin. Jo rastësisht për mbajtjen e kongresit të arsimit u zgjodh qyteti i Elbasanit.

    Ishin traditat e shkëlqyera patriotike, arsimore e kulturore dhe figurat e spikatura të Rilindjes Kombëtare të këtij qyteti që ndikuan në zgjedhjen e tij. “Njerëzia e Elbasanit jo vetëm tani, por edhe në kohët despotike, ishin quar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe”, shkruante Mit’hat Frashëri në ditarin e tij.

    Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe për arsimin kombëtar në përgjithësi. Të mbështetur në vendimet e tij, atdhetarët shqiptarë ngritën në Korçë, më 20 shtator 1909, Shoqërinë qendrore shkollore “Përparimi”, në kryesinë e së cilës u zgjodhën atdhetarët e njohur Orhan Pojani (kryetar), Stavri Karoli, Idhomenë Kosturi e Mihal Gramenoja.

    Shkolla shqipe u hapën në këtë periudhë pas Kongresit të Elbasanit edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Në fund të shtatorit u bë në Korçë përurimi i shkollës së riorganizuar të djemve (i mësonjëtores së parë shqipe të vitit 1887), çelur qysh në pranverën e vitit 1909, e cila ishte një nga shkollat më të plota me pesë klasa dhe pesë mësues. Në tetor u hapën shkolla shqipe në Progër, në Cukaj të Martaneshit, në Verlen të Bilishtit, në Margëllëç, ndërsa në muajin dhjetor u çel shkolla shqipe në Negovan (nën drejtimin e Petro Nini Luarasit) dhe në fshatin Koshtan të Tepelenës.

    Jehona e Kongresit të Elbasanit

    Punimet e Kongresit të Elbasanit patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Kalendari “Korça”, në titullin “Kongresi i Elbasanit”, shkruante se “ky kongres është më i shënuari nga të gjithë kongreset. Me vendimet që mori e la emrin e tij të pa vdekur nëpër faqet e historisë sonë”. Ndërsa e përkohshmja “Italia për të huajt” (L’Italia al estero) do të theksonte se “në Elbasan u mbajt një kongres i madh, ku morën pjesë shqiptarë të shkëlqyer, me qëllim që të vënë në udhë të gjitha ato që janë të nevojshme për përparimin dhe paqen e Shqipërisë”.

    Punimet dhe vendimet në rrafshin kombëtar të Kongresit të Elbasanit, përbëjnë vlerë dhe kontribut në drejtim të përhapjes së arsimit, gjuhës amtare e kulturës kombëtare.