ATV

Author: ATVLive

  • Dyshimet për varrezë masive në Kozhle të Serbisë

    Dyshimet për varrezë masive në Kozhle të Serbisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në fshati Kozhle të Serbisë në afërsi të një deponie mbeturinash mund të fillojnë gërmimet për viktimat e zhdukura nga lufta e fundit e Kosovës.

    Në lokacionin të cilin e kishte përmendur nga pala serbe në takimin e zhvilluar në muajin korrik, Zyrtarë të Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, kanë filluar përgatitjet e raportit fillestar.

    Lokacioni konsiderohet si i papërshtatshëm për gërmime.

    Andaj, Komisioni Qeveritar ka kërkuar qasje në arkivat shtetëror të Serbisë për të kuptuar nëse është një lokacion konkret.

    Krahas punës në Kozhle, pritet që të rikthehen për të gërmuar edhe në Batajnicë pas më shumë se dy dekadave.

  • Lajçak e Gërvalla në Bled, BE-ja “dëshiron takim kryenegociatorësh sa më shpejtë”

    Lajçak e Gërvalla në Bled, BE-ja “dëshiron takim kryenegociatorësh sa më shpejtë”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Caktimi i takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është pjesë e misionit të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, në vizitën e paralajmëruar në Prishtinë, këtë javë.

    Pa dhënë një datë, lehtësuesit e procesit të dialogut këmbëngulin që Besnik Bislimi e Petar Petkovic t’i kthehen diskutimeve në Bruksel sa më shpejtë.

    “Sigurisht, qëllimi ynë është që të kemi një takim kryenegociatorësh sa më parë të jetë e mundur, ka shumë gjëra në tavolinë, të cilat duhet të zgjidhen”, tha zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Zëdhënësi i bllokut 27-anëtarësh përsëriti qëndrimin për mbylljen e pesë zyrave paralele ilegale serbe, në katër komunat në veri të Kosovës.

    “E konsiderojmë si shumë të pashëndetshëm, edhe një hap i njëanshëm dhe i pa bashkërenduar që ka kapacitet për të rritur tensionet dhe çuar në esklaim, në një situatë veçse të brishtë në terren. Ne po u përcjellim autoriteteve të Kosovës qëndrimet tona lidhur këtë sekuencë veprimesh të njëanshme dhe të pa bashkërenduara. Mund të theksoj se kemi konkluzionet e shteteve anëtare, nga viti i kaluar, të cilat saktësojnë se dështimi për deeskalim, do të ketë pasoja”, tha Stano.

    Të martën pasdite, Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajcak, do të ketë mundësi diskutimi me Ministren për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë.

    Kryediplomatja kosovare dhe emisari evropian do të jenë pjesë e panelit me temë “Evropa e plotë dhe e lirë: zgjerimi si projekt strategjik për pajtim”.

    Në të njëjtin panel figurojnë edhe ambasadori i SHBA-së në Serbi, Chris Hill, si dhe ministrja për Integrim Evropian e Serbisë, Tanja Miscevic.

    Pas Bledit, në kuadër të përpjekjeve për caktimin e një takimi të ri Bislimi-Petkovic, ndalesa e radhës për Lajcak do të jetë Prishtina.

  • Nis viti i ri shkollor, në disa shkolla fillon mësimi gjithëditor

    Nis viti i ri shkollor, në disa shkolla fillon mësimi gjithëditor

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Nga një shenjë identifikuese për mësuesen po e marrin në hyrje të oborrit të shkollës.

    Me këta lapsa me ngjyra, do të identifikohen nxënësit e klasave të para nga mësueset e tyre.

    Me klasën nuk u ambientuan shumë ngase për fëmijët stafi i BSK-së, përgatiti edhe aktivitete të tjera me personazhet e filmave të animuar.

    Kjo është edhe njëra nga arsyet, pse prindërit zgjodhën BSK-në për fëmijët e tyre.

    Drejtori i shkollës thotë se interesimi për regjistrim filloi që nga muaji Korrik.

    Mësimi filloi edhe në shumë shkolla të Prishtinës, veç se në disa prej tyre këtë vit procesin mësimor do ta kenë më ndryshe.

    Që u përgatitën gjatë për këtë vit shkollor e thotë edhe Liridon Maliqi, Drejtori i shkollës Model, e cila qe nismëtare mësimit gjithëditorë.

    Mësimi gjithëditor filloi edhe në shkollën “Xhemajl Mustafa”, “Faik Konica”, “Nazim Gafurri”, “si dhe në Shkollën e Gjelbër.

    Ndërkaq, sipas Ministres së Arsimit, Arberie Nagavci, mësimi ka filluar për mbi 300 mijë nxënës.

    “Më shumë se 300 mijë fëmijë sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2024/2025 me besimin e plotë për motivim dhe angazhim të mësimdhënësve. Uroj që të kenë shëndet dhe mbarësi në këtë fillim të vitit shkollor”, tha Nagavci.

    Nagavci, po ashtu tregoi se këtë vit në të gjitha shkollat dhe komunat për herë të parë është bërë i obligueshëm mësimi për fëmijët nga moshat pesë në gjashtë vjet, për parashkollorët.

    Gjithashtu, edhe këtë vit librat janë blerë nga prindërit, e më pas ata janë subvencionuar. Sa i përket kësaj cështjeje, ministrja tha se deri të hënën nuk ka marrë ndonjë ankesë nga drejtoritë komunale.

  • ”Capat- Sekiraqët”, tensione mes dy grupeve kishte edhe në ambientet e QKUK-së

    ”Capat- Sekiraqët”, tensione mes dy grupeve kishte edhe në ambientet e QKUK-së

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një i vrarë dhe pesë të tjerë të plagosur është bilanci i përleshjes me armë zjarri, të dielën rreth orës 22:00 në Aktash të Prishtinës.

    Pas intervenimit mjekësor, gjendja shëndetësore e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë, derisa dy nga ta janë duke u trajtuar në klinikën kirurgjike, tjetri në kardiokirurgji dhe dy të tjerë në Ortopedi.

    Tensionet mes dy grupeve, Capa dhe Sekiraqa kanë vazhduar edhe në ambientet e QKUK-së.

    Sipas burimeve të ATV-së, disa anëtarë të familjes Capa kanë tentuar të hynë brenda Emergjencës, tek të plagosurit e Sekiraqëve, mirëpo ata u ndaluan nga policia, dhe si pasojë e kësaj klinika e Emergjencës për disa orë ka qenë e bllokuar.

    Ndërkaq, derisa Prokuroria Themelore e Prishtinës, është deklaruar lidhur me rastin e përleshjes Capat-Sekiraqa duke thënë se përleshje ka ndodhur si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme mes dyja familjeve, ky organ i akuzës njofton se ndaj pesë të plagosurve, të cilët janë tashmë të dyshuar për rastin është lëshuar urdhri për ndalim.

    Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se po zhvillohen hetime për t’i zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në rast.

    Përveç kësaj, gjatë të hënës në vend të ngjarjes është gjetur edhe një revole tjetër.

  • Një shkollë në Prishtinë e një në Fushë kosovë, e shtyen mësimin për një javë

    Një shkollë në Prishtinë e një në Fushë kosovë, e shtyen mësimin për një javë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Deri në shkollë erdhën por brenda nuk hynë dot.

    Viti i ri shkollor për nxënësit e shkollës “Pavarësia” në kryeqytet, nuk nisi të hënën.

    Ata nuk do të nisin mësimin deri në javën e ardhshme, pasi që punimet në objekt nuk kanë përfunduar në kohë.

    Sipas Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, punimet do të duhej të përfundonin javën e kaluar.

    Njëjtë si prindërit, as televizioni nuk ka arritur gjatë të hënës të merr një përgjigje nga Komuna, në lidhje me vonesën për t’i përfunduar punimet në kohë.

    E rreth 2mijë nxënës të kësaj shkolle, nuk do t’iu kthehen bankave shkollore derisa punimet të kryhen.

    Ndërkaq mësimi nuk filloi siç u parapa as në aneksin e ri të shkollë fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë. Megjithatë, nga drejtoria e arsimit në këtë komunë thanë se orët e humbura do të zëvendësohen.

  • PZAP është duke shqyrtuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje

    PZAP është duke shqyrtuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në lëvizjen vetëvendosje ende janë në pritje të shqytrimit të ankesës që dorëzuan në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kufizim të votuesve në ambasada dhe konsulata.

    Këta, shprehen të bindur se KQZ-ja bëri shkelje kur e kufizoi numrin e votuesve në 47 mijë, meqë presin të dalin shumë më shumë.

    “KQZ e ka kufizuar numrin e votuesve në 47 mijë, ndërsa sipas MPJD-së mund të votojnë mbi 300.000. Psh në Cyrih I ka caktuar 2000, sipas MPJD-së, mund të votojnë deri në 30 mijë”, tha Alim Rama, sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.

    Megjithatë, PZAP-së ende i duhet kohë që të vendosë.

    “Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa/PZAP, ka pranuar ankesën e subjektit politik LVV lidhur me vendimin e KQZ-së për Miratimin e Listes së Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, Numrin e vendvotimeve dhe numrin maksimal te votuesve. PZAP-i brenda afatit ligjor të paraparë me Ligjin Nr. 08/L-228 Për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, do të shqyrtojë dhe vendosë lidhur me ankesën e parashtruar nga LVV”, thuhet në përgjigjen e PZAP.

    Sipas sekretarit organizativ të lëvizjes vetëvendosje, caktimi I numrit të votuesve duhet të bëhet pas përfundimit të regjistrimit të votuesve.

    Televizioni merr vesh se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në raport me ankesën e lëvizjes vetëvendosje do merret më së largu të enjten.

  • Vetëm 1782 personave iu njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

    Vetëm 1782 personave iu njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Vetëm 1782 personave iu është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nga fillimi i këtij procesi, në shkurt të vitit 2018.

    2 mijë 107 persona kanë aplikuar deri më tani, por komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale ua refuzoi 325 personave kërkesën për të fituar këtë të drejtë, 282 grave dhe 43 burrave.

    Në shumicën e rasteve, arsyeja e refuzimit është mungesa e dokumentacioneve.

    “Ne kemi kërkuar që posedimi i dokumentacioneve të jetë vetëm një plus për viktimën, por jo t’i refuzohet kërkesa pse nuk i ka dokumentacionet…”, tha Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

    Haliti thotë se vazhdimisht ka persona të cilët aplikojnë për marrje të këtij statusi, por deri në maj të vitit të ardhshëm zor se mund të arrihet numri i kënaqshëm i aplikimeve.

    “Ka vazhdimisht gra por edhe burra që ne i identifikojmë e marrim, bisedojmë me ta dhe e i bindemi që të aplikojnë, por deri në maj nuk mund të kryhen, komisionit i përfundon mandati atëherë, por është me mundësi shtyrje edhe për 2 vite”, tha Haliti.

    Andaj atyre që ishin viktimë e përdhunimit gjatë luftës, po iu bëhet thirrje për aplikim.

    “Nëse kalojnë shumë vite nga lufta, rrëfimi mund të harrohet dhe mund të mos jetë bindës për komisionin, andaj edhe nuk ishte dashur të ketë kufizim të kohës…”, tha Behxhet Shala nga KMDLNJ.

    Afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfundon më 15 maj 2025. Ndërkaq, pas njohjes së statusit, viktima merr pension në vlerë 230 euro.

    Sipas vlerësimeve të organizatave, besohet se në Kosovë rreth 20 mijë gra dhe burra kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së vitit 1998-1999.

  • Zhegrova me fjalë motivuese pas ndeshjes me PSG

    Zhegrova me fjalë motivuese pas ndeshjes me PSG

    Edon Zhegrova ishte edhe një herë protagonist tek ekipi i tij, Lille.

    Por, për fatin e tij të keq, këtë radhë skuadrës së tij nuk i mjaftoi goli i shkëlqyeshëm që e realizoi ndaj Paris Saint-Germainit.
    Lille u mposht me rezultat 1:3 në ndeshjen ku ylli kosovar e realizoi golin e parë sezonal në Ligue 1.

    E sot, “Messi i Kosovës” e bëri një postim në rrjetet sociale duke e shprehur dëshpërimin për rezultatin, por ndërkohë duke i motivuar shokët e skuadrës për ta mbajtur kokën lartë për vazhdimin e sezonit.

    “Nuk ishte rezultati që e donim. Por, ky ekip është special. Ne do të ‘luftojmë’ deri në fund për objektivat tanë. Faleminderit tifozëve”, shkroi Zhegrova në Instagram.

    Ylli kosovar ishte i jashtëzakonshëm ndaj kampionëve të Francës dhe i pandalshëm për kundërshtarët.

    Ai e ka nisur sezonin e ri në mënyrë impresionuese duke i shënuar tre gola në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, për ta dërguar Lillen në elitën e futbollit evropian.

  • ​Protestuesit izraelitë kërkojnë marrëveshje për lirimin e pengjeve

    ​Protestuesit izraelitë kërkojnë marrëveshje për lirimin e pengjeve

    Qindra protestues izraelit filluan të bllokojnë trafikun të hënën në mëngjes, duke nisur një grevë të përgjithshme mbarëkombëtare për të kërkuar që qeveria të bjerë dakord për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin.

    Sektorë të gjerë të ekonomisë izraelite pritet të mbyllen ose të ndërpriten gjatë ditës, duke përfshirë transportin publik dhe aeroportin Ben-Gurion pasi Histadrut, sindikata më e madhe e punës dhe e tregtisë në Izrael, e quajti grevën njëditore. Spitalet, farmacitë dhe shërbimet e tjera thelbësore pritet të mbeten të hapura.

    Ndërkohë, qeveria paraqiti një urdhër në Gjykatën Kombëtare të Punës të hënën në mëngjes kundër grevës së përgjithshme.

    Të dielën në mbrëmje, rreth 30 mijë persona protestuan në Tel Aviv. Pas protestës, qindra persona qëndruan për të bllokuar trafikun dhe ndezur zjarret në autostradën Ayalon, autostradën kryesore të qytetit. Policia bëri 29 arrestime.

    Zbulimi i gjashtë trupave nga një tunel në Rafah ka bërë që familjet e rreth 100 robërve Izraelit të zemërohen ashpër me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Autopsitë zbuluan se Hersh Goldberg-Polin, Eden Yerushalmi, Almog Sarusi, Alex Labonov, Ori Danino dhe Carmel Gat ishin vrarë rreth 48 orë përpara se të gjendeshin nga ushtarët.

    “Një marrëveshje për kthimin e të rrëmbyerve ka qenë në tryezë për më shumë se dy muaj”, tha Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura të dielën. “Nëse nuk do të ishte për prishjen [e marrëveshjes] dhe justifikimet, të rrëmbyerit, vdekjet e të cilëve mësuam këtë mëngjes, ndoshta do të ishin gjallë.”

    Greva ka mbështetjen e Forumit të Biznesit të Izraelit, i cili përfaqëson punonjësit e sektorit privat në 200 nga kompanitë më të mëdha të Izraelit.

    Netanyahu tha: “Ndërsa Izraeli po kryen negociata intensive me ndërmjetësit në një përpjekje supreme për të arritur një marrëveshje, Hamasi vazhdon të refuzojë me vendosmëri çdo ofertë”.

    Të paktën 1200 njerëz u vranë dhe 252 izraelitë dhe të huaj u morën peng në sulmet e Hamasit ndaj komuniteteve izraelite pranë kufirit të Gazës më 7 tetor. Nga 97 pengjet e mbetura, më shumë se 30 janë shpallur të vdekur. Hamasi gjithashtu ka mbajtur robër dy civilë izraelitë që nga viti 2014 dhe 2015, dhe trupat e dy ushtarëve të vrarë në vitin 2014. /TPS

  • Si ndikojnë në trurin tonë lajmet politike, këshillat e ekspertëve

    Si ndikojnë në trurin tonë lajmet politike, këshillat e ekspertëve

    Lajmet e ditës në vendin tonë janë të mbushura me politikë. Çdo edicion lajmesh nis me një ose shumë politikanë që herë flasin qartë e herë mes rreshtave, për probleme që i takojnë ose jo qyetarit të thjeshtë.

    Një studim i publikuar në revistën “Plus One”, ka analizuar pasojat fizike dhe emocionale të angazhimit qytetar në politikë nëpërmjet lajmeve.

    Sipas studimit, njerëzit po humbasin gjumin dhe janë në ankth për shkak të politikës.

    Si ndikohet organizmi?

    Kevin Smith nga Universiteti i Nebraskës, i cili ka kryer studimin, thotë se politika ka një ndikim të fortë dhe negativ në mirëqenien mendore të njeriut. Pas intervistave të 800 njerëzve që u përfshinë në studim, analistët zbuluan se 40 për qind e tyre ishin të stresuar prej politikës.

    Studimi tregoi se në 20 për qind të rasteve, mosmarrëveshjet politike ishin shkaku i prishjes së shumë miqësive. 4 për qind e njerëzve të intervistuar pranuan se kishin ndjenja që i nxisnin drejt vetëvrasjes për shkak të politikës.

    11.5 për qind e tyre thonë se kishin probleme shëndetësore prej saj. 31.8 për qind pranuan se televizionet, politika editoriale e të cilave binte ndesh me pikëpamjet e tyre politike, i bënte të ndiheshin si të çmendur.

    “Politika ka një ndikim shumë negativ në jetët e njeriut. Mënyra se si njerëzit e perceptojnë politikën ndikon në jetët e tyre në një mënyrë shumë domethënëse dhe të fortë”,- tha Smith.

    Stresi është ulur këmbëkryq në jetët e njerëzve dhe ka një ndikim tejet të keq në jetët e tyre.

    Nëse politika kontribuon në nivelet e stresit, atëherë, pa dyshim, pasojat e saj do të shtrihen përtej aspektit mendor dhe do të rrezikojnë seriozisht shëndetin.

    Cilat janë organet kryesore që preken më fort nga stresi

    Kur ndihemi të stresuar, nivelet e kortizolit rriten dhe mund të kompromentojnë funksionet e shumë sistemeve dhe organeve në trup.

    Zemra

    Ndikimi emocional i stresit çrregullon rrahjet e zemrës dhe përbën rrezik për individët që përjetojnë aritmi.

    Truri

    Kur jemi të stresuar, nuk i shpëtojmë dot migrenës ose dhimbjeve të kokës. Stresi afatgjatë, ankthi dhe depresioni mund të shkaktojnë sklerozë ose sëmundjen e Alzheimerit.

    Lëkura

    Stresi mund të shkaktojë probleme madhore në lëkurë, duke nisur nga aknet, puçrat, psoriaza dhe pezmatim të lëkurës.

    Stomaku

    Stomaku është një organ shumë i ndjeshëm ndaj stresit. Nëse përpiqeni ta ‘hani stresin me bukë’ ushqyesit e produkteve në pjatën tuaj nuk do të përputhen siç duhet.

    Kur stresi godet, zorrët nuk përthithin ushqyesit. Ato nuk përcjellin oksigjen dhe gjaku qarkullon 4 herë më pak në pjesët e aparatit tretës.

    Sistemi imunitar

    Siç e dimë, sistemi imunitar e mbron organizmin nga trupat e huaj siç janë bakteret, viruset dhe qelizat e dëmshme.

    Kur jemi të stresuar, numri i limfociteve që gjenden në gjak ulet ndjeshëm. Rrjedhimisht na bëjnë një shënjestër më të lehtë ndaj infeksioneve.