ATV

Author: ATVLive

  • Arrihet marrëveshja me ShSKUK-në – Sigurimi fizik i QKUK-së anulon grevën, nga tetori i marrin pagat me rritje

    Arrihet marrëveshja me ShSKUK-në – Sigurimi fizik i QKUK-së anulon grevën, nga tetori i marrin pagat me rritje

    Sigurimi fizik i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka pezulluar grevën e paralajmëruar për sot pasi të njëjtit kanë arritur një marrëveshje me ShSKUK-në që pagat të dalin me rritje, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se pagat me rritje do të dalin nga tetori, në të kundërtën do ta mbajnë grevën.

    “Ka qene një greve e përgjithshme që është paraparë falë bisedimeve që i ka bërë kryetari i shoqatës me drejtorin e SHSKUK-së (Elvir Azizi), fal asaj që me datën 17 të këtij muaji do të jetë hapja dhe definimi i saktë i cilës kompani do të jetë. Ne edhe me komunën e Prishtinës kemi dhënë afat që të presim për rritje, dhe këtu ne bëjmë thirrje që të presim për rritje për 13 ditë. Paga e tetorit do të jetë pagë me rritje. Është pezulluar greva, nëse kjo nuk funksionon do t’i aktivizojmë”.

    “Ndihemi mirë që së paku kanë filluar institucionet të shohin se pa sindikatë nuk bënë. Kanë premtuar dhe do ta realizojnë gjithçka që thotë Ligji i Punës, marrëveshja kolektive dhe gjitha ligjet tjera. Dua ta jap edhe një sinjal të mirë për të gjithë punëtoret që kanë bërë ankesa për Covid-19, se Gjykata e Apelit kërkesën tonë e ka aprovuar si të arsyeshme, gjithë këta punëtore do të kenë një procedurë, do ta gëzojnë të drejtën e pagës shtesë ne momentin e pandemisë që kjo Qeveri nuk e ka pagur. Ne Gjakovë veç kanë filluar që t’i marrin pagat. Par pagën jemi marr vesh me Ministrisë e Shëndetësisë, paga ka qenë 405 euro, ajo pagë është. Për ne është me rëndësi fillimi i implementimit të pagës”, ka thënë Azemi.

    Hajriz Qeriqi, punëtor i sigurimit fizik në QKUK ka thënë se po i kërkojnë vetëm të drejtat e tyre. Punën që e bën në këtë institucion shëndetësor e konsideron të rrezikshëm për shkak sulmeve të shpeshta.

    “Unë që 25 vite, prej 99-ës kam hyrë në QKUK, kemi qenë me shtet duke punuar, na kanë privatizuar neve. Jam luftëtar i UÇK-së e invalid i luftës. Na kanë privatizuar neve edhe unë rrafsh për 26 vite kam mbetur me këtë pagë. Një herë e kemi pasur 150 euro, 6 muaj kemi qenë pa pagesë. Edhe tash e pasi na kanë privatizuar edhe ne kemi qenë gjithë të shkelur jemi duke lypur të drejtat tona. Jemi takuar nuk kemi ka të shkojmë. Paga është me kujdestari, ata që kujdestarojnë ditën 270-290 euro i marrin, ne që kujdestarojmë natën i marrim 300. Kërkesa jonë është që të bëhet se paku 450 deri 500 euro. Me së shumti ne kemi problem tek dera si sigurim. Mua me kanë rrahur, nuk e di as kush më kanë rrahur 5 veta, as rrezikshmëri nuk na paguajnë, 2 euro kujdestaria na paguhet”, ka thënë ai.

  • Gërvalla takon homologen sllovene, në fokus forcimi i Partneritetit Strategjik midis Kosovës dhe Sllovenisë

    Gërvalla takon homologen sllovene, në fokus forcimi i Partneritetit Strategjik midis Kosovës dhe Sllovenisë

    Në margjinat e Forumit të Bledit, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, të cilën e falënderoi për ftesën dhe organizimin e shkëlqyer të Forumit të Bledit, duke theksuar se ky forum po luan një rol të madh në avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Në qendër të diskutimeve ishte roli i Sllovenisë gjatë kryesimit të Këshillit të Sigurimit gjatë muajit shtator, i cili përkon me debatin e Asamblesë së Përgjithshme të shtatorit, kur liderët botërorë do të mblidhen në Nju Jork.

    Ministrja Gërvalla dhe homologia e saj sllovene diskutuan gjithashtu për marrëveshjet ndërshtetërore, njohjen reciproke të patentave të shoferëve, zgjerimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike, si dhe mbështetjen e Sllovenisë në rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës.

  • ​Ten Hag ka mbështetjen e plotë të drejtuesve të Man. United

    ​Ten Hag ka mbështetjen e plotë të drejtuesve të Man. United

    Shefi ekzekutiv i Manchester United, Omar Berrada thotë se trajneri Erik ten Hag ka mbështetjen e plotë të klubit dhe është optimist se bazat janë duke u vendosur për suksesin afatgjatë të ekipit brenda dhe në Evropë.

    United përfundoi i teti në Premier Ligë sezonin e kaluar dhe humbja 3-0 e së dielës nga Liverpooli bëri dy humbje nga tre ndeshje në sezonin aktual, duke i lënë ata në vendin e 14-të.

    “Erik ka mbështetjen tonë të plotë. Ne mendojmë se ai është trajneri i duhur për ne,” u tha Berrada gazetarëve përpara ndeshjes me Liverpoolin, përcjellë KosovaPress.

    “Ne kemi punuar shumë ngushtë së bashku në këtë dritare transferimi dhe do të vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me të për të ndihmuar në marrjen e rezultateve më të mira nga ekipi”.

    I fundit nga 20 titujt e Ligës angleze të United erdhi në sezonin 2012-13 në sezonin e fundit të Alex Ferguson në krye dhe ndërsa fitimi i Premier Ligës është objektivi kryesor Berrada tha se duhej të kishte një pikëpamje afatgjatë.

    “Ne nuk duam të fitojmë vetëm një Premier Ligë dhe të jemi të kënaqur”, shtoi ai. “Ne duam të krijojmë një ekip që është i aftë të konkurrojë për Ligën e Kampionëve, për Ligën Premier dhe për kupat vendase në një bazë të qëndrueshme”.

  • Kupchan nuk përjashton përshkallëzim të tensioneve në veri

    Kupchan nuk përjashton përshkallëzim të tensioneve në veri

    Ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan nuk ka përjashtuar shpërthime dhune pas veprimeve të fundit nga Qeveria e Kosovës në veri.

    Dje, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai tha se KFOR-i tashmë ka rritur nivelin e forcave, duke iu referuar trupave që qëndrojnë mes Urës së Ibrit.

    “Ne kemi parë tashmë shpërthime dhune. Nuk besoj se po shkojmë drejt një dhune të madhe, por nuk përjashtohet. Kemi parë që edhe KFOR-i e ka rritur nivelin e forcave. Ditëve të fundit, kam parë fotografi të trupave që qëndrojnë mes urës së Ibrit. Supozoj se mund të jenë shqetësuar për kalimin e mundshëm të aktivistëve, që do të përpiqeshin të nxisnin telashe. Është një moment i tensionuar dhe për mua kjo është një nga arsyet përse komuniteti ndërkombëtar e ka ngritur nivelin e vigjilencës”, tha ai.

  • Edhe sot serbët janë tubuar para ndërtesës komunale të Mitrovicës së Veriu

    Edhe sot serbët janë tubuar para ndërtesës komunale të Mitrovicës së Veriu

    Punëtorët e organeve paralele të Serbisë në Mitrovicën e Veriut sot përsëri janë mbledhur para ndërtesës së komunës, me kërkesën që “të kthehen në punë”.

    Pas mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës të premten, punëtorët e këtyre institucioneve kanë tentuar të hënën të hyjnë në ndërtesë me pretekst se “kanë ardhur në vendet e tyre të punës”, por janë ndaluar në hyrje, transmeton Paparaci.

    Ata edhe sot janë mbledhur para objektit komunal në Mitrovicën e Veriut, ku ishte vendosur Sigurimi Pensional i Serbisë, dhe thonë se “nuk do të largohen”.

    Ata kanë pretenduar se “vendet e punës janë burim jete për ta dhe familjet e tyre dhe se situata aktuale ua vështirëson edhe më shumë mbijetesën dhe qëndrimin në Kosovë”.

  • ​Ish-zëvendësministri: Pagat nuk mund të rriten vetëm për sektorin e arsimit

    ​Ish-zëvendësministri: Pagat nuk mund të rriten vetëm për sektorin e arsimit

    Paralajmërimi që mësimdhënësit mund të hyjnë prapë në grevë dhe kundërshtimi që këta të fundit të testohen nga ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci po konsiderohen si çështje që SBASHK-u po i shfrytëzon për interesa të veta.

    Në një intervistë për KosovaPress, Popovci thotë se rritja e pagave nuk mund të bëhet vetëm për një sektor, siç është ai i arsimit, arsye kjo që edhe po thirren grevat.

    Sa i përket dështimit të qeverisë aktuale për ndërtimin e 160 çerdheve, ish-zëvendësministri Popovci refuzoi të komentojë, duke theksuar se kjo çështje mund të gjykohet nga të tjerë, por jo nga ai, pasi ishte pjesë e qeverisë kur premtimi ishte bërë.

    I pyetur nëse Kosova ka nevojë për ndërtimin e më shumë çerdheve, Popovci potencon se duhet të bërë një balancim mes ndërtimeve të reja dhe subvencionimit të regjistrimit në sektorin privat, që sipas tij, mund të jetë më fleksibil sesa ai publik.

    “Gjatë këtij mandati të kësaj qeverie është premtuar që do të ndërtohen 160 çerdhe, porështë vënë themeli dhe janë ndërtuar pak prej tyre, si e shihni këtë? Thënë të drejtën këtë pyetje nuk isha përgjigjur, sepse unë kam qenë vetë pjesë e kësaj qeverie siç e dini, mendoj se për këtë duhet të gjykojnë njerëzit të cilët kanë qenë jashtë kësaj strukture…A ka nevojë Kosova për ndërtimin e më shumë çerdheve? Ne kemi një pjesëmarrje të ulët në edukimin parashkollor në përgjithësi dhe duhet pasur parasysh se kjo është në njërën anë rezultat i mungesës së kapaciteteve në sektorin publik dhe në anën tjetër është mungesë e mjeteve financiare për t’i financuar qëndrimin e fëmijëve në sektorin privat. Duke marrë parasysh edhe rrënjën e vazhdueshme demografike që e kemi në Kosovë, duhet të ndërtohet një balancë mes ndërtimeve të reja dhe subvencionimit të regjistrimit në sektorin privat i cili mund të jetë pak më fleksibil sesa sektori publik”, potencon Popovci.

    Eksperti i arsimit, Dukagjin Popovci flet edhe për mundësinë e hyrjes në grevë të mësimdhënësve, për shkak të pagave jo të kënqshme, ashtu siç është paralajmëruar nga SBASHK-u.

    Ai thekson se rritja e pagave nuk mund të bëhet vetëm në sektorin e arsimit, porse shtoi se duhet të ketë dialog mes qeverisë dhe SBASHK-ut, në mënyrë që të shmanget greva.

    “Ata po i nxjerrin si arsye mungesën e dialogut dhe po i nxjerrin si arsye lartësinë e pagave. Sa i përket kësaj të dytës, lartësisë së pagave, kur të ndryshon paga në Kosovë në sektorin publik, ajo ndryshon për të gjithë, nuk mund të ndryshojë vetëm për një kategori…Nuk mund të lëvizen ato vetëm për punëtorët e arsimit siç ka ndodhur përpara kur nuk ka ekzistuar kur nuk ka ekzistuar ky ligj…Edhe qeveria edhe SBASHK-u gjithnjë duhet të bëjnë përpjekje që përmes dialogut social t’i shmangin këto situata kur dikush për shembull bie në pozitë që të ftojë për grevë ose për aktivitete të ndryshme sindikale”, thotë Popovci.

    Përvec kësaj, Popovci shtoi se testimi i mësimdhënësve është një temë e vetë nxjerrë nga SBASHK-u për të arritur qëllimet e veta.

    “Mendoj se SBASHK-u këtë temë po e nxjerrë thjeshtë për qëllimet e veta, sepse nuk ekziston asnjë legjislacion i cili parasheh testim të mësimdhënësve. Testimi i mësimdhënësve parashihet nëse ata dëshirojnë të kalojnë prej një niveli të licencës në një tjetër. Pra, janë dy nivele të licencës me legjislacionin e ri. Niveli i parë fitohet pa test, nëse dëshiron të kalosh në nivelin e dytë, njëherë duhet të hysh në test, që të filtrohesh, a mund të vazhdosh më tutje nivelin e dytë apo jo. Kjo është diçka shumë normale…Po e shoh që SBASHK-u po shfrytëzon disi”, shprehet Popovci.

    Ndër të tjera, Popovci jep mendimin e tij edhe për metodën e subvencionimit të MASHT-it për blerjen e librave shkollor, derisa përmend si problem vështirësinë e disa prindërve për çasje në platformën E-Kosova.

    Si shkak i kësaj, ai thotë se nuk përjashtohet mundësia që disa nxënës të mbesin pa libra./kp

  • ​Sfida me Rumaninë, Kosova zhvillon sot stërvitjen e radhës

    ​Sfida me Rumaninë, Kosova zhvillon sot stërvitjen e radhës

    Të premten do të nis rrugëtimi i Kosovës në edicionin e ri të Ligës së Kombeve dhe përgatitjet e “Dardanëve” kanë filluar që nga dita e hënë.

    Trajneri Franco Foda theksoi në konferencë për media se objektivi është vetëm fitorja ndaj Rumanisë në “Fadil Vokrri”, e për më tepër edhe synimi për të qenë të parët në këtë grup, raporton KosovaPress.

    Pas stërvitjes së djeshme, “Dardanët” do të punojnë edhe sot në Kampin Nacional në Hajvali. Stërvitja do të fillojë nga ora 11:00, ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës.

  • ​Autobusi i shkollës përplaset me turmën në Kinën lindore duke vrarë 11 persona

    ​Autobusi i shkollës përplaset me turmën në Kinën lindore duke vrarë 11 persona

    Një autobus shkolle përplasi këmbësorët jashtë një shkolle të mesme në Kinën lindore të martën, duke vrarë të paktën 11 persona, përfshirë pesë studentë, njoftuan mediat shtetërore.

    Ngjarja ka ndodhur në qytetin Tai’an në provincën Shandong.

    Gjashtë prindër janë në mesin e të vdekurve, ndërsa 13 të tjerë u plagosën. (AA)

  • ​Ukraina dhe Britania e Madhe rrisin bashkëpunimin në tregtinë dixhitale

    ​Ukraina dhe Britania e Madhe rrisin bashkëpunimin në tregtinë dixhitale

    Tanimë ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Tregtisë Dixhitale midis Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ukraina u bë vendi i dytë pas Singaporit që nënshkroi një marrëveshje të tillë me Mbretërinë e Bashkuar.

    Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Ekonomisë e Ukrainës , raporton korrespondenti i Ukrinform.

    “Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të thellojë përfshirjen e Ukrainës në zinxhirët e furnizimit global, do të promovojë zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, do të ruajë aksesin e lirë për kompanitë ukrainase të IT në tregjet dixhitale në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të ofrojë mbështetje për ekonominë tonë gjatë luftës dhe pas- rindërtimi i luftës”, vuri në dukje zëvendëskryeministrja e Ukrainës, ministrja e Ekonomisë, Yuliia Svyrydenko.

    Sipas ministrisë, dokumenti i mësipërm do të ulë kostot administrative dhe do të forcojë sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave.

  • “Punonjësit” e strukturave ilegale serbe mblidhen para zyrave të mbylllura

    “Punonjësit” e strukturave ilegale serbe mblidhen para zyrave të mbylllura

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Mëngjesin e së hënës, grupe “punonjësish” të strukturave paralele-ilegale serbe në Mitrovicë të Veriut, u mblodhën para dy objekteve të mbyllura nga institucionet e Kosovës javën e kaluar.

    Teksa thanë se u paraqitën për të punuar e jo protestuar, pas rreth një orë qëndrimit para zyrave, ata u larguan.

    Policia konfirmoi se situata u sqarua dhe se gjithçka shkoi qetë.

    “Kanë ardhur punëtorët të cilët kanë punuar në strukturat paralele për t’u paraqitur në punë. Në mesin e tyre ka pas edhe qytetarë të cilët janë bashkëngjite, kanë qenë diku 70-80 persona. Protesta ka qenë, në fakt kanë tentuar të hynë brenda për të punuar, ne i kemi treguar që kjo ndërtesë është duke u hetuar nga prokurori në Mitrovicë dhe si i tillë është i blinduar dhe as ne si polici nuk mund të hymë brenda”, tha zëvëndesdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Elshani njoftoi se në objektet e mbyllura po vijojnë punët hetimore.

    “Rasti lidhet me falsifikim të dokumentacioneve të punës së strukturës paralele, çështje të tjera, ndërsa dihet se kjo ndërtesë është pronë e Komunës së Mitrovicës, e cila iu është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Infrastrukturës e që për qëllime në fund ka hapjen e qendrës për trajnim të patentë shoferëve”, tha Elshani.

    Mbylljen e këtyre zyrave paralele, opinionisti Branislav Krstic e sheh në dy pikë vështrime krejt të ndryshme – politik dhe atë të komunitetit serb.

    Krahas vlerësimit se, siç u shpreh, kryeministri Albin Kurti po lëvizë nga ‘status quo’-ja tek e cila sheh edhe përfitime, ai beson se të gjitha veprimet dhe reagimet janë pjesë e një loje politike.

    “Ata protestues kanë qenë veç aktorë të një skenografie të organizuar nga Beogradi zyrtar. Çka na shpjegon kjo? Më duket që shefi jonë ka implementuar nenet e aneksit të Ohrit, Planit Franko-Gjerman, marrëveshjes së Brukselit. Ndërkombëtarët insistojnë se ishte njëanshëm, por edhe ajo ishte skenografi”, tha Branislav Krstic, opinionist.

    Nga siç u shpreh “lëkura e komunitetit serb”, ai tha se konsiderohet se ka shkelje të së drejtave të tyre.

    “Por, ne ende jemi në pozitën në të cilën kryeministria insiston, një shtet – një polici, një shtet – një pushtet, por në fund as shtet as pushtet, sepse jemi në një moment kur më duket se implementimi i shtetit nuk shkon me zor”, tha Krstic.

    Pasditen e së premtes, institucionet e Kosovës mbyllën pesë zyra paralele ilegale serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    BE-ja dhe SHBA-ja reaguan ndaj aksionit, duke e vlerësuar si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar.