ATV

Author: ATVLive

  • Zyra e BE-së në Kosovë nga sot ka një shef të ri

    Zyra e BE-së në Kosovë nga sot ka një shef të ri

    Diplomati estonez, Aivo Orav, do të jetë shef i ri i Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Ai mori detyrën nga Tomasz Szunyog, i cili shërbeu deri më tani në këtë detyrë.

    Orav njoftimin e bëri përmes platformës X, ku tha se këtë po e bën duke ndjerë përgjegjësi të thellë ndaj pozitës që do ta ushtroi.

    Estonezi theksoi se do të punojë ngushtë për ta mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së.

    “Me kënaqësi të madhe dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë po e marr postin e Shefit të Zyrës së BE-së/Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, një partner i rëndësishëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor. Zotohem se do të punoj krah për krah me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të BE-së në Kosovë për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike, për ta konsoliduar pozitën e BE-së si investitor, partner tregtar dhe donator më i madh i Kosovës dhe për ta mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe reformat në lidhje me BE-në”, tha ai.

    Aivo Orav, ka një karrierë të gjatë për mbi 30 vjet në diplomaci.

    Ai më parë ka shërbyer si Përfaqësues i Përhershëm i Estonisë në BE dhe si shef i delegacioneve të BE-së në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut.

  • Foda: Objektivi i Kosovës është vendi i parë në grup

    Foda: Objektivi i Kosovës është vendi i parë në grup

    Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka thënë se në ndeshjen e parë kundër Rumanisë, në kuadër të Ligës së Kombeve në Prishtinë, Kosova do të futet në fushë vetëm për fitore.

    Ai ka theksuar se forma e mirë e sulmuesve si Muriqi, Zhegrova e Albion Rrahamani e bënë edhe më të lehtë që Kosova të synojë fitore dhe se përzgjedhja për formacionin më të mirë kësaj radhe do të jetë më e vështirë, raporton KP.

    Përtej përballjes me Rumanin, Foda ka theksuar gjithashtu se kësaj radhe “Dardanët” hyjnë me objektiv të qartë për ta rrëmbyer pozitën e parë duke triumfuar ndaj kundërshtarëve ndeshje pas ndeshjes.

    Kosova përballet me Rumaninë më 6 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pastaj luan kundër Qipros tri ditë më vonë.

  • Shpaloset kategoria kryesore garuese e edicionit 16 të PriFest

    Shpaloset kategoria kryesore garuese e edicionit 16 të PriFest

    PriFest prezanton kategorinë kryesore garuese, ate të filmave të gjatë artistik nga Ballkani. Gjashtë produksione të reja nga rajoni ku tregohen histori të fuqishme dhe emocionale. Nga gjashtë filmat, një është premierë botërore, një premierë ndërkombëtare dhe të gjithë filmat janë premiera vendore.

    Një tjetër karakteristijë e këtij seleksioni është se nga gjashtë filmat, katër janë produksion apo koproduksion me Kosovën.

    Dhe filmat janë:

    OKARINA nga Jeton ZOGJANI, Kosovë/ Premierë kosovare (92min).

    Një tregim për problemet familjare që dalin në pah për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës pas zhvendosjes në një vend të ri, të motivuar nga dëshira e fortë për të përmirësuar kushtet e jetesës. Shaqa dhe Selvia sfidojnë ndjenjën e tyre të “moralit” për të arritur një të ardhme më të mirë. Ndërkohë, përfshirja e pavetëdijshme e Giovannit i drejton ata në një rrugë të papritur. Megjithatë, udhëtimi i tyre nuk përfundon siç e kishin parashikuar.

    EXCURSION nga Una GUNJAK, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, Franca, Norvegjia dhe Katari/ Premierë kosovare (93min).

    Në Sarajevë, një adoleshente që kërkon vëmendje pretendon se ka kryer marrëdhënie për herë të parë gjatë një loje «e vërtetë apo guxim» mes nxënësve të shkollës së mesme. E ngatërruar në gënjeshtrën e saj, shpik një shtatzëni dhe bëhet qendra e një skandali që del jashtë kontrollit.

    STORK nga Isa QOSJA, Mali i Zi, Kosova/ Premierë botërore (97min).

    Një fshat i përgjumur në Mal të Zi, ku shumica e banorëve kanë emigruar në SHBA, është skena e një tregimi për tri gra që luftojnë për pavarësinë e tyre. Suta refuzon të martohet me vëllain autik të burrit të ndjerë, Vezire dhe Drane duhet të bashkëjetojnë ndërsa burri i tyre planifikon të largohet, Fize përpiqet të gjejë një nuse për djalin e saj. Një lejlek që arrin shqetëson banorët supersticiozë.

    M nga Vardan TOZIJA, Maqedonia, Kroacia, Kosova, Franca, Luksemburgu/ Premierë kosovare (96min).

    Në një pyll të izoluar, i riu Marko jeton nën mbikëqyrjen e kujdesshme dhe misterioze të babait të tij mbrojtës. Kjo jetë e mbyllur është e vetmja që njeh. Marko gjen ngushëllim në librin e tij të dashur me ilustrime, duke kërkuar përgjigje në faqet e tij. Një ditë, takimi me një djalë të pafajshëm dhe të mirë zemre, të quajtur Miko, sjell një shkëndijë ngrohtësie në botën e izoluar të Markos. Kurioziteti i tij rritet dhe Marko dëshiron të zbulojë sekretet përtej kufijve të pyllit. Një kthesë e hidhur e ngjarjeve i jep atij mundësinë më shpejt se sa e priste. Një udhëtim i errët e pret, i mbushur me rreziqe të panjohura dhe një pamje të një bote që ka ndryshuar përgjithmonë.

    THIS IS NOT A LOVE SONG nga Nevio MARASOVIC, Kroaci/ Premierë ndërkombëtare (72min).

    Një regjisor i famshëm në krizë të moshës së mesme fton ish-të dashurën e tij fatale në një hotel pranë liqenit për ta ndihmuar të shkruajë një skenar bazuar në marrëdhënien e tyre.

    SILENCE OF SIRENS nga Gazmend Nela, Kosovë, Zvicër, Maqedoni e Veriut, Shqipëri/ Premierë Kosovare (90min).

    Avniu është një polic trafiku në një qytet të vogël në Kosovë, një njeri i zakonshëm dhe familjar, as shumë i ndershëm as shumë i guximshëm. Ai dhe partneri i tij Gëzimi marrin ryshfete të vogla nga shoferët që kapin për shpejtësi. Një natë, ata shoqërojnë në stacion një prokuror ndërkombëtar që po ngiste i dehur me një çantë plot para në makinë, duke menduar se po bëjnë gjënë e duhur. Shpejt, të dy do të përfshihen në një rast korrupsioni që i tejkalon ata.

    Oraret e shfaqjes së gjithë filmave do të publikohen së shpejti.

    Edicioni 16-të mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata, Prishtinë.

  • Kryeministri Kurti: Uroj që viti i ri shkollor të jetë i suksesshëm për të gjithë

    Kryeministri Kurti: Uroj që viti i ri shkollor të jetë i suksesshëm për të gjithë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor 2024/2045.

    Përmes një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka thënë se shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes.

    “Edhe këtë vit, po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve”.

    “Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë!”, ka thënë Kurti.

  • SBASHK uron për vitin e ri shkollor, paralajmëron mundësinë e veprimeve sindikale

    SBASHK uron për vitin e ri shkollor, paralajmëron mundësinë e veprimeve sindikale

    Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë uruar mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.

    Në një njoftim për media, SBASHK ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit për të përballuar sfidat e vitit të ri akademik, duke nënvizuar angazhimin për arritje të reja në fushën e arsimit.

    “Edhe në këtë vit shkollor do të përballemi me shumë sfida, por bashkërisht mund t’i tejkalojmë më lehtë”, thuhet në njoftim.

    SBASHK po ashtu ka bërë të ditur se do të vazhdojë përpjekjet për zgjidhjen e kërkesave legjitime të anëtarëve të saj përmes dialogut me qeverinë dhe institucionet përkatëse.

    Megjithatë, sindikata ka paralajmëruar se nëse dialogu nuk jep rezultat, mund të ndërmerren veprime sindikale sipas vullnetit të anëtarësisë.

    “Ne do të vazhdojmë me aktivitetet dhe me komunikimin me institucionet dhe palët tjera me qëllim që të realizojmë gjithë kërkesat e anëtarësisë, por nëse dialogu nuk jep asnjë rezultat, atëherë ne do të respektojmë vullnetin tuaj edhe për veprime sindikale për të cilat vendosin përfaqësuesit tuaj që nga çerdhet e deri në universitete në Këshillin Drejtues të SBASHK-ut”, thuhet tutje në njoftim.

  • Nagavci tha se s’ka pranuar asnjë ankesë për librat, nga Komuna e Vushtrrisë e thonë të kundërtën

    Nagavci tha se s’ka pranuar asnjë ankesë për librat, nga Komuna e Vushtrrisë e thonë të kundërtën

    Përkundër deklarimeve të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur pa shqetësime, ndryshe kanë thënë nga Komuna e Vushtrrisë.

    Drejtori i Arsimit të kësaj komune, Albanez Tahiraj, ka thënë për Ekonomia Online se i kanë paraqitur shqetësimet e tyre tek Ministria e Arsimit, pasi që një numër i madh i nxënësve kanë mbetur pa libra.

    Siç ka thënë ai, përveç kësaj, shumë prindër kanë pasur probleme edhe në aplikim e se për këtë është dashur të asistojë Drejtoria Komunale e Arsimit të Vushtrrisë.

    “Kemi pasur takime të rregullt edhe me ministren e Arsimit, i kemi paraqitur shqetësimet tona si nivel komunal, si DKA-në për mënyrën e furnizimit, subvencionimin e prindërve me libra pasi që ka shumë raste që prindërit kanë ardhur në DKA dhe na është dashur që ne të asistojmë në aplikim. Një prej problemeve më të mëdha që dihet është se jo secili prind e ka kapacitetin për tu kyçur në platformë, prandaj ne jemi shndërruar në asistent të prindërve me qëllimin më të mirë që me ardhë deri te subvencionimi dhe furnizimi me libra. Sfida tjetër është që për këtë periudhe të shkurtër kohore kur ka filluar transferimi i mjeteve është e pamundur që të furnizohen të gjithë me libra shkollorë, kështu që edhe sot që ka filluar viti shkollor zyrtarisht shumë nxënës akoma nuk janë furnizuar me libra”, ka thënë ai.

    Ndryshe nga Tahiraj, deklaroi të hënën ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila gjatë një vizite në shkollën “Iliria” në Prishtinë, tha se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë apo shqetësim nga asnjë komunë.

    “Jemi në kontakt me komunat. Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat. Gjatë ditëve në vijim, presim raportet nga komunat për gjithçka, për furnizimin me tekste, për fillimin e vitit shkollor, numrin e nxënësve e kështu me radhë. Furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar shumë mirë, sipas informatave. Nga asnjë komunë nuk kemi asnjë shqetësim”, deklaroi Nagavci të hënën gjatë vizitës së saj.

  • Nis afati për certifikimin e partive dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

    Nis afati për certifikimin e partive dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzim të listës të kandidatëve për deputetë.

    Në një njoftim për media, KQZ-ja ka thënë se deri më 11 shtator, kërkesat për certifikim duhet të dorëzohen në këtë institucion.

    “Gjatë periudhës 102 ditore (1 shtator – 11 dhjetor 2024), kërkesat për certifikim nga subjektet politike duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë”, thuhet në komunikatë.

    Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt.

  • Çitaku: Bandat kriminale kanë marrë zemër, Qeveria është dorëzuar

    Çitaku: Bandat kriminale kanë marrë zemër, Qeveria është dorëzuar

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas incidentit të fundit të ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku pas shumë të shtënave me armë zjarri, mbeti i vrarë një person dhe pesë të tjerë u plagosën.

    Çitaku ka theksuar se në vend janë forcuar bandat kriminale dhe ka pyetur se ku janë ministri i Brendshëm dhe ajo e Drejtësisë, duke shtuar se kjo është dorëzim.

    Sipas saj, Qeverisja e tyre është reduktuar në propagandë.

    “Bandat kriminale kanë marrë zemër. Terror, vrasje, plaçkitje, ikje nga burgjet. Ku është dora e shtetit? Ku është Ministri i Punëve të Brendshme? Ku është Ministrja e Drejtësisë? Kjo është dorëzim. Qeverisje e reduktuar në propagandë”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.

  • Prokuroria: Përleshja Capat-Sekiraqa ndodhi për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme

    Prokuroria: Përleshja Capat-Sekiraqa ndodhi për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, është deklaruar lidhur me rastin e përleshjes Capat-Sekiraqa që ndodhi mbrëmë në rrugën “Gazmend Zajmi” në kryeqytet.

    Si pasojë një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur.

    Sipas organit të akuzës, përleshje ka ndodhur si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme mes dyja familjeve.

    Në vendin e ngjarjes kishte dalur edhe kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Në njoftimin e prokurorisë thuhet lidhur me rastin janë ndaluar pesë persona.

    “Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë (5) persona, si dhe janë duke u zhvilluar veprime hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast pasi që dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

    Muaj më parë dyshohet se Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, e kishte plagosur një anëtar të familjes së Capave, pas një mosmarrëveshje që kishin.

  • Dëshmitari Imeri: Nuk jam kundër UÇK-së, por mjerisht veprat e disa individëve me kanë sjell këtu

    Dëshmitari Imeri: Nuk jam kundër UÇK-së, por mjerisht veprat e disa individëve me kanë sjell këtu

    Dëshmitari Imer Imeri gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se po i drejtohet popullit të tij për t’i treguar se nuk është kundër Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK) por veprat e disa individëve e kanë sjell sot në gjykatë.

    “Unë dua t’i drejtohem popullit tim se nuk jam këtu kundër UÇK-së se në UÇK isha vetë i shtati. UÇK-ja është e artë për popullin e Kosovës dhe populli i Kosovës ishte i tëri UÇK, por mjerisht individët e caktuar, veprat e tyre me kanë sjell sot këtu”, tha Imeri.

    Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi ku në njërën prej tyre tha se ishte vendi ku ishte mbajtur i burgosur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Në këtë vend isha i burgosur prej 12 prillit 1999 deri me 20-22 qershor 1999. Ky vend quhet Cahan i Krumes. Këtu përpara si duket është një derë e vogël, e dyta është dera e hyrjes. Mbi derë të hyrjes ishte dritarja ku kam ndejt unë prej 12 prill deri me 20-22 qershor, tha dëshmitari i cili shënjoi me ‘1’ godinën ku pretendohet se është mbajtur i ndaluar.

    Më pas, dëshmitari sërish vazhdoi me shënjime të këtyre godinave në fotografinë sipas pyetjeve të prokurores.