ATV

Vetëm 1782 personave iu njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

Written by

in

Përgatiti: Krenare Mulliqi

Vetëm 1782 personave iu është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nga fillimi i këtij procesi, në shkurt të vitit 2018.

2 mijë 107 persona kanë aplikuar deri më tani, por komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale ua refuzoi 325 personave kërkesën për të fituar këtë të drejtë, 282 grave dhe 43 burrave.

Në shumicën e rasteve, arsyeja e refuzimit është mungesa e dokumentacioneve.

“Ne kemi kërkuar që posedimi i dokumentacioneve të jetë vetëm një plus për viktimën, por jo t’i refuzohet kërkesa pse nuk i ka dokumentacionet…”, tha Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Haliti thotë se vazhdimisht ka persona të cilët aplikojnë për marrje të këtij statusi, por deri në maj të vitit të ardhshëm zor se mund të arrihet numri i kënaqshëm i aplikimeve.

“Ka vazhdimisht gra por edhe burra që ne i identifikojmë e marrim, bisedojmë me ta dhe e i bindemi që të aplikojnë, por deri në maj nuk mund të kryhen, komisionit i përfundon mandati atëherë, por është me mundësi shtyrje edhe për 2 vite”, tha Haliti.

Andaj atyre që ishin viktimë e përdhunimit gjatë luftës, po iu bëhet thirrje për aplikim.

“Nëse kalojnë shumë vite nga lufta, rrëfimi mund të harrohet dhe mund të mos jetë bindës për komisionin, andaj edhe nuk ishte dashur të ketë kufizim të kohës…”, tha Behxhet Shala nga KMDLNJ.

Afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfundon më 15 maj 2025. Ndërkaq, pas njohjes së statusit, viktima merr pension në vlerë 230 euro.

Sipas vlerësimeve të organizatave, besohet se në Kosovë rreth 20 mijë gra dhe burra kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *