Përgatiti: Fatlum Jashari
Mëngjesin e së hënës, grupe “punonjësish” të strukturave paralele-ilegale serbe në Mitrovicë të Veriut, u mblodhën para dy objekteve të mbyllura nga institucionet e Kosovës javën e kaluar.
Teksa thanë se u paraqitën për të punuar e jo protestuar, pas rreth një orë qëndrimit para zyrave, ata u larguan.
Policia konfirmoi se situata u sqarua dhe se gjithçka shkoi qetë.
“Kanë ardhur punëtorët të cilët kanë punuar në strukturat paralele për t’u paraqitur në punë. Në mesin e tyre ka pas edhe qytetarë të cilët janë bashkëngjite, kanë qenë diku 70-80 persona. Protesta ka qenë, në fakt kanë tentuar të hynë brenda për të punuar, ne i kemi treguar që kjo ndërtesë është duke u hetuar nga prokurori në Mitrovicë dhe si i tillë është i blinduar dhe as ne si polici nuk mund të hymë brenda”, tha zëvëndesdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani njoftoi se në objektet e mbyllura po vijojnë punët hetimore.
“Rasti lidhet me falsifikim të dokumentacioneve të punës së strukturës paralele, çështje të tjera, ndërsa dihet se kjo ndërtesë është pronë e Komunës së Mitrovicës, e cila iu është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Infrastrukturës e që për qëllime në fund ka hapjen e qendrës për trajnim të patentë shoferëve”, tha Elshani.
Mbylljen e këtyre zyrave paralele, opinionisti Branislav Krstic e sheh në dy pikë vështrime krejt të ndryshme – politik dhe atë të komunitetit serb.
Krahas vlerësimit se, siç u shpreh, kryeministri Albin Kurti po lëvizë nga ‘status quo’-ja tek e cila sheh edhe përfitime, ai beson se të gjitha veprimet dhe reagimet janë pjesë e një loje politike.
“Ata protestues kanë qenë veç aktorë të një skenografie të organizuar nga Beogradi zyrtar. Çka na shpjegon kjo? Më duket që shefi jonë ka implementuar nenet e aneksit të Ohrit, Planit Franko-Gjerman, marrëveshjes së Brukselit. Ndërkombëtarët insistojnë se ishte njëanshëm, por edhe ajo ishte skenografi”, tha Branislav Krstic, opinionist.
Nga siç u shpreh “lëkura e komunitetit serb”, ai tha se konsiderohet se ka shkelje të së drejtave të tyre.
“Por, ne ende jemi në pozitën në të cilën kryeministria insiston, një shtet – një polici, një shtet – një pushtet, por në fund as shtet as pushtet, sepse jemi në një moment kur më duket se implementimi i shtetit nuk shkon me zor”, tha Krstic.
Pasditen e së premtes, institucionet e Kosovës mbyllën pesë zyra paralele ilegale serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
BE-ja dhe SHBA-ja reaguan ndaj aksionit, duke e vlerësuar si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Leave a Reply