ATV

Author: ATVLive

  • Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit nga MPB-ja, KGjK-ja dhe institucionet e tjera

    Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit nga MPB-ja, KGjK-ja dhe institucionet e tjera

    Të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme.

    Me anë të verifikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të vërtetojë nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenin 30 të tij.

    Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi thotë se deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet

    “Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre të kandidatëve për deputetë”.

    Sipas Elezit, verifikimi i përshtatshmërisë apo aftësisë së kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje/kandidim në zgjedhje, është një kërkesë që buron nga neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    “Sipas këtij ligji, institucionet kompetente me kërkesë të KQZ-së, bëjnë verifikimet e nevojshme që kërkohen. Me qëllim të zbatimit të këtij neni, KQZ, përmes Zyrës për Regjistirim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, do t’iu dërgojë shkresë disa institucioneve për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët nuk mund të certifikohet si kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje”.

    Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvedin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Elezit KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera varësisht natyrës së verifikimit.

    “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim të ligjor”.

  • SHBA dhe Gjermania dërgojnë trupa shtesë në Kosovë

    SHBA dhe Gjermania dërgojnë trupa shtesë në Kosovë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania do të dërgojnë së shpejti trupa shtesë në Kosovë.

    Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, vendet anëtare të NATO-s kanë rritur prezencën me trupat ushtarake në veri.

    E shumë shpejt, 100 ushtarë nga Garda kombëtare e Idaho-s pritet të vendosen në Kosovë.

    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Ushtria amerikane.

    “Operacioni Joint Guardian është një mision i përbashkët nën Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara. Ushtarët do të fokusohen në trajnimin dhe mbështetjen e partnerëve aleatë”.

    “Ushtarët e Task Force Sawtooth kanë punuar dhe trajnuar me zell gjatë 18 muajve të fundit për këtë dislokim”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa edhe Bundeswehri gjerman ka bërë të ditur se 200 ushtarakë do të zbarkojnë në Kosovë.

    “Për vite me radhë, pjesëmarrja gjermane në operacionin e Forcave të Kosovës KFOR u karakterizua nga tkurrja e kontingjenteve”.

    “Megjithatë, meqë shpërthimet në rritje të dhunës kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit që nga viti 2022, Bundeswehr-i po dërgon një kompani operative prej rreth 200 burrash dhe grash në Forcën e KFOR-it të Kosovës në vitin 2024. Me patrullat e saj ajo siguron pak më shumë siguri”, thuhet ne njoftim.

  • Katër vjet nga marrëveshja e Washingtonit dhe njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës

    Katër vjet nga marrëveshja e Washingtonit dhe njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës

    Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para katër vjetësh nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Dokumenti i nënshkruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ishte i shkruar në katër kopje: në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.

    Si rrjedhojë e kësaj marrëveshjeje Izraeli dhe Kosova shkëmbyen njohje të ndërsjellë, kështu që më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem.

    Flamuri i Kosovës dhe ai i Izraelit të vendosur pranë ndërtesës së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

    Në kuadër të zotimeve të nënshkruara më 4 shtator në Uashington, Kosova u pajtua që të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Marrëveshja obligoi edhe Serbinë, që të pezullojë iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

    Më poshtë janë pikat e marrë​veshjes së​ në​nshkruar nga pala kosovare dhe ajo serbe:

    Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.

    Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.

    Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:

    -Autostradën e paqes

    -Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare

    -Lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë

    -Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

    -Projekte shtesë dypalëshe

    -Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.

    -Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare.

    -Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vtit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.

    -Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.

    -Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

    -Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë.

    -Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.

    -Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me SHBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemet e siguruara nga SHBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

    -Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.

    -Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.

    -Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë.

    -Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre.

    -Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

    -Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur.

    -Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.

    -Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.

  • Besimi në media

    Besimi në media

    Nga Leart Hoxha

    Që nga qershori, kur institucionet, qytetarët dhe mediat përgatiten të shkojnë në pushime, janë nja 5 tema që e kanë dominuar hapësirën mediale, por edhe kanë treguar se në çfarë situate jemi si shoqëri.

    Tema e madhe e qershorit ka qenë Euro 2024. Për mediat tona është mundësi që idiotët e tiktokut, reality show-eve dhe profileve yjeve tjera të rrjeteve sociale të u bëhen analistë të futbollit, duke ofenduar inteligjencën e secilit adhurues e njohës e ish lojtar të këtij sporti.

    KOMPILACION I BUDALLËVE DUKE FOLUR PËR FUTBOLL

    Më pas e patëm një incident në një debat, që tregoi se epoka e debateve, çfarë kanë nisë para 10 vjetëve ka përfunduar.

    GANI GECI vs. ARBEN AHMETI

    Temë tjetër e mediave ka qenë Faton Hajrizi, temë tjetër e mediave ka qenë publikimi i një lajmi të rrejshëm dhe palidhje në RTK me qëllim të sulmit ndaj dy portaleve tjera kosovare dhe kuptohet Ura në Mitrovicë.

    Nëse edhe një herë iu kthehemi këtyre temave, e shohim një gjë – asnjëra nuk ka epilog, ose ndryshim të prekshëm në terren dhe asnjëra nuk ia bën jetën më të mirë ose më të lehtë kosovarit mesatar.

    Mirëpo, të gjitha këto, në mënyrën se si opinioni më to është marrë – e kanë shkaktuar një efekt – humbjen e besimit në media.

    Realisht problemi nuk është të nëna e Arben Ahmetit, asnjëherë s’ka qenë as te nëna e Arbenit, as te nëna e kujtdo që paraqitet në studio televizive në Kosovë.

    Fundja Arbeni e Gani Geci kërkuan falje për eskalimin dhe ajo kërkim falje duhet tu pranohet, sepse nuk është problemi te ta.

    Debatet janë bërë më të dhunshme, sepse televizionet janë bërë më të dhunshme, shoqëria është bërë më e dhunshme, më shumë vrasim gra, më vdesim në trafik duke vozitur pakujdesshëm dhe kuptohet më shumë ka kriminelë në media dhe kjo bën që dhuna të duket më normale.

    Rasti i Faton Hajrizi e dëshmon këtë shumë mirë. Fatoni ka qenë super yll medial në Kosovë edhe para se të vritej, e posaçërisht në periudhën që nga arratisja, deri kur u vra.

    Ai ka qenë i pranishëm në emisione televizive, ka qenë shumë i pranishëm në rrjete sociale dhe më pas u bë edhe temë politike.

    Në fakt, për këtë emision e kam bërë veç një krahasim të thjeshtë për të parë popullaritetin e tij në Youtube. Në periudhën e verës Faton Hajrizi i shkelë me popullaritet edhe Dafina Zeqirin edhe Albin Kurtin edhe Lojërat Olimpike edhe krejt tjerët.

    Kuptohet, popullariteti në youtube është një gjë, ndikimi politik është një gjë tjetër dhe shumë më brengosëse. Tentimet për heroizim të tij, prania e politikanëve dhe policëve në varrim e në të pame dhe tentimet e disa mediave që ta shfajësojnë atë e ta fajësojnë shtetin, tregojnë që diçka në diskurs publik ka degraduar ndërkohë.

    Kriminelët janë yje mediale në Serbi, Bullgari dhe deri diku në Shqipëri. Në vendet tjera edhe mund të kenë fuqi të madhe, edhe mund të mbajnë në xhep politikanë e gazetarë, kriminelet nuk heroizohen dhe krimi nuk normalizohet. Kosova është kah e kopjon fëlliqtë Serbinë në këtë trend dhe pasojat mund të jenë më të mëdha se në Serbi.

    Eh RTK-ja është tjetër çka. Kushdo që ka memorie me kapacitet më të madh se një floppy disk, e mban në mend që RTK poston lajme të rrejshme, ose ka standarde të ulëta të punës. Kujtojmë se sivjet shënohet përvjetori jubilar, 20 vjetori i këtij alamet raportimi televiziv nga RTK-ja

    Kujtojmë që ky raportim është tre muaj pas trazirave të marsit të 2004-ës, për të cilat ka hulumtime të OSBE-së, që pohojnë se RTK ka raportuar në mënyrë joprofesionale. Transmetimi i lajmeve të me burime të dyshimta, me tone tendencioze dhe me pasoja të rënda për Kosovën është diçka që RTK e ka bërë edhe më herët.

    E njëjta RTK një herë i kishte ndërprerë lajme qendrore për të transmetuar Konventën e Partisë Demokratike të Kosovës kur PDK ka qenë në pushtet, kurse më herët këtë vit raportoi për organizimin e një atentati ndaj Albin Kurtit në Shkup. Ky raportim nuk u verifikua nga askush tjetër përpos RTK-së dhe do burimeve të saj, kurse lista e materialeve jokorrekte, ose palidhje që i ka transmetuar RTK-ja është shumë e gjatë.

    Sado që pushteti mendon që artikulli palidhje i Slobodna Bosnës duhet të merret seriozisht, e përnjëmend mendon kështu, imazhi i RTK-së është për toke edhe ky është problem më i madh sesa Buzhala e Mirena dhe krejt të tjerët.

    Për më keq, debatet ndërmjet përfaqësuesve të politikës dhe atyre të mediave rreth Ligjit për KPM-në treguan se as politikanët dhe as gazetarët nuk duan më shumë pavarësi të mediave dhe më shumë profesionalizëm.

    Tentimet e politikës për të kontrolluar mediat nuk janë asgjë e re, por rënia e besimit në media nuk ndodhë vetëm për shkak të sulmeve të politikës.

    Klan Kosova ka qenë në shënjestër të autoriteteve për shkak të shkeljeve të pretenduara në procedurat e regjistrimit të kompanisë. ART Motion ka transmetuar mesazhe përshëndetëse për Milan Radojicicin dhe at që serbët i konsiderojnë si të rënë heroikisht në Banjskë.

    Kuptohet që organizatat vendore dhe ndërkombëtare knë reaguar ndaj veprimeve të pushtetit që i kanë cilësuar si arbitrare dhe shumë kolegë gazetarë janë solidarizuar me Klan Kosovën.

    Nëse Klan Kosova është biznis serb që operon në Kosovë, apo biznis i disa pronarëve që e shohin ‘Kosovën është Serbi’, nuk konstatohet nga pushteti, por nga organet e pavarura që ky shtet i ka dhe këto media luftojnë që ato të ruhen.

    Mirëpo, nëse Klan Kosova e Dukagjini transmetojnë intervista me këtë far talentin… e nëse ATV-ja e krejt mediat tjera e transmetojmë atë talentin tjetër kah pohon se vajguri shëron kancerin…

    Atëherë problemi është që mediat, duke transmetuar lajme të rrejshme dhe përmbajtje që nuk i beson askush, e dëmtojnë veten. Humbja e besimit në media dhe ulja e standardeve të punës mediale, është hapi i parë drejt shkatërrimit të demokracisë. Kur media nuk raporton të vërtetën, atëherë e vërteta kërkohet në dy adresa – në politikë ose në kler. Secila është më e rrezikshme se tjetra dhe asnjërës nuk i konvenon mendimi kritik ose çfarëdo mendimi ndryshe prej atij të shefit ose babës!

  • ​Përfundon seanca dëgjimore ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen në Prishtinë

    ​Përfundon seanca dëgjimore ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen në Prishtinë

    Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen që ndodhi të dielën mbrëma, me c’rast mbeti i vrarë një person në lagjen Aktash të kryeqytetit.

    Jo siç ndodhë zakonisht, ndaj të dyshuarve u mbajt seancë dëgjimore brenda Klinikës së Ortopedisë dhe asaj së Kirurgjisë Abdominale pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aty ku të dyshuarit po trajtohen.

    Të pranishëm ishin prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë, porse pavarësisht insistimit të mediave, ata nuk pranuan të prononcohen rreth kësaj.

    Gjatë kohës kur po mbahej seanca dëgjimore pati forca të shtuara të Policisë së Kosovës, derisa edhe pas përfundimit të tyre, disa prestarë të PK-së po vëzhgojnë situatën brenda këtyre hapësirave.

    Në seancë pritet që të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.

    Ndryshe, përleshja mes dy grupeve ‘Capat dhe Sekiraqët’ që ndodhi të dielën në mbrëmje, e nga e cila mbeti i vdekur Premtim Gashi.

  • Policia jep detaje për të shtënat me armë në “Aktash”

    Policia jep detaje për të shtënat me armë në “Aktash”

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për gjuajtjen me armë zjarri në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash.

    Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se s’ka të lënduar, sipas informatave fillestare.

    “Sot rreth orës 14:20, kemi marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nuk ka persona të lënduar”, ka thënë EO zëdhënësja e për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

  • Pyetja e parë që nëna e shefes së teknologjisë së OpenAI i drejtoi inteligjencës artificale

    Pyetja e parë që nëna e shefes së teknologjisë së OpenAI i drejtoi inteligjencës artificale

    Mira Murati, shefja e teknologjisë së OpenAI, kompanisë që ka ndërtuar sistemin e inteligjencës artificiale ChatGPT, ka treguar se pyetja e parë që nëna e saj i bëri ChatGPT-së ishte se, “Kur do të martohet Mira?”

    Gjatë një interviste në Festivalin Cannes Lion 2024, Murati, e cila është me origjinë shqiptare, tregoi se si e motra i spiegoi nënës së tyre se çfarë ishte inteligjenca artificiale dhe se mund ta pyeste për gjithçka edhe në shqip.

    Pyetja e parë e nënës ishte se kur do të martohej e bija. Një pyetje, të cilës e motra iu përgjigj me humor, “Mama, nuk mund të bëjë mrekulli. Është vetëm inteligjencë artificiale.”

    Kjo pjesë e intervistës e publikuar fillimisht në rrjetin social X, është kthyer tashmë në virale. Një komentues e cilësoi si “Biseda më tipike me një nënë shqiptare.”

    Mira Murati iu bashkua OpenAI në vitin 2018 dhe qysh atëherë ka qenë instrumentale në zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve të inteligjencës artificiale. Lidershipi i saj është vlerësuar nga drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha teknologjike, përfshi edhe Satya Nadella, CEO i Google.

  • Elezi: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit nga institucione të ndryshme

    Elezi: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit nga institucione të ndryshme

    Të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme.

    Me anë të verifikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të vërtetojë nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenin 30 të tij.

    Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, KQZ do t’i drejtohet edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjëri nga kandidatët për deputetë është dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë burgim efektiv, i cili nuk do të mund të kandidojë.

    “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, ka thënë Elezi.

    Po ashtu Elezi ka thënë për KosovaPress-in, se verifikimi i kandidatëve para certifikimit është kërkesë ligjore dhe se ky proces do të bëhet në bashkëpunim me institucionet shtetërore si KGJK, PZAP, MPB dhe institucioneve tjera varësisht natyrës së verifikimit që kërkohet me ligj.

    “Me qëllim të zbatimit të këtij neni, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike do t’iu dërgojë shkresë këtyre institucioneve për të verifikuar, për të parë nëse ndonjëri nga kandidatët nuk mund të certifikohet si kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje…2:01 KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera varësisht natyrës së verifikimit që kërkohet me ligj”, ka shtuar Elezi.

    Deri me 11 dhjetor të këtij viti, partitë politike duhet të dorëzojnë në KQZ kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

    “Deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezi.

    Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-së; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. /kp

  • ​Zeneli: Po, e kam refuzuar Kosovën dhe ndjehem mirë

    ​Zeneli: Po, e kam refuzuar Kosovën dhe ndjehem mirë

    Mesfushori Besfort Zeneli ka folur për herë të parë ne lidhje me refuzimin e Kombëtares së Kosovës duke thënë se e ka marrë këtë vendim dhe se ndihet mirë tani.

    Ai ka thënë se po e pret ftesën e Suedisë dhe se ajo është zgjidhja e duhur për të, përcjellë KosovaPress.

    “Jam ftuar të Kosova por e kam refuzuar. Tani duhet të fokusohem të luaj mirë dhe të pres ftesën nga Suedia në të ardhmen. Ndjehem mirë që e kam marrë këtë vendim. Suedia është e duhur për mua. Vëllau Arbëri dhe familja më kanë mbështetur plotësisht në këtë vendim. Nuk kam pasur absolutisht asnjë problem”, ka thënë Zeneli për Sportbladet.

  • Kurti: Investimet e Huaja Direkte, dyfish më shumë sesa e gjithë qeverive të kaluara

    Kurti: Investimet e Huaja Direkte, dyfish më shumë sesa e gjithë qeverive të kaluara

    Kryeministri i Kosovës, Albin kurti ka thënë se mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje është 705.6 milionë euro, sipas tij, 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara.

    Në një postim në Facebook, ai ka pohuar se mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte nga viti 2017 deri para Qeverisë Kurti ishte 299.8 milionë euro.

    “Qeverisja e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj”, ka thënë Kurti.