ATV

Author: ATVLive

  • ​Parashikimi motit për sot

    ​Parashikimi motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-11gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-26gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare.

  • ​Objekti i parë që arrin në Hënë

    ​Objekti i parë që arrin në Hënë

    Raketa ruse Luna 2, më 12 shtator të vitit 1959,përplaset në sipërfaqen e Hënës, duke u bërë objekti i parë i prodhuar nga njeriu që prek Hënën.

    Prova e Bashkimit Sovjetik bie në Hënë dhe bëhet objekti i parë që arrin atë largësi.

    Ndërsa në korrik të vitit 1969 ishte Neil Amstron i pari që vuri këmbën në Hënë i cili u dërgua nga Apollo 11.

  • ​Dita Botërore e Ndihmës së Parë

    ​Dita Botërore e Ndihmës së Parë

    Që nga veprimi i parë i Henry Dynant në Solferino e deri më sot, ndihma e parë ka qenë një ndër aktivitetet kryesore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. Për një njohje më të mirë të publikut me ndihmën e parë në mbarë globin, shërben dhe Dita botërore e Ndihmës së Parë, e caktuar të zhvillohet çdo vit, në të shtunën e dytë të muajit shtator.

    Ndryshimi i vazhdueshëm demografik, me të cilën po ballafaqohet shoqëria, ngre shumë pyetje dhe kërkon të japë përgjigje në lidhje me rolin aktiv të njerëzve të moshuar brenda sistemit shoqëror. Nga pikëpamja sociale, në disa vende, njerëzit e moshuar janë gjithnjë duke u përjashtuar, sepse:

    Të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj problemeve shëndetësore të tilla si, presionit të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës dhe diabetit. Nëse janë në gjendje të marrin masa parandaluese, të njohin shenjat e para dhe të sigurojnë trajtimin e duhur të ndihmës së parë, ata mund të zvogëlojnë vuajtjet dhe mund të shpëtojnë jetë;

    Shumë vende po përballen me kriza ekonomike. Sigurimi i kujdesit shëndetësor është zvogëluar dhe shpenzimet janë shtuar. Me plakjen e popullsisë, rritet nevojat shëndetësore, dhe kosto e shpenzimeve për trajtimet mjekësore;

    Në situata emergjente, të moshuarit mund të jetë veçanërisht më të prekshmit, kur komunitetet zhvendosen nga fatkeqësitë natyrore ose konfliktet të armatosura, sepse nuk janë në gjendje të largohen apo të udhëtojnë në distanca të gjata.

  • Kuvendi i Kosovës mban sot seancë plenare

    Kuvendi i Kosovës mban sot seancë plenare

    Kuvendi i Kosovës mban sot seancë plenare.

    Në rend dite janë 29 pika, përfshirë votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Siç thuhet në njoftim, seanca fillon nga ora 10:00.

    Rendi i ditës

    1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Pyetjet parlamentare,
    4. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit shqiptar,
    5. Emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
    7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,
    8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
    9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    10. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
    11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,
    12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
    14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    15. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
    16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,
    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,
    18. Shqyrtimi i Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
    19. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
    20. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
    21. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    22. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    23. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,
    24. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,
    25. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,
    26. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,
    27. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,
    28. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
    29. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.

    Vendi: Kuvendi Kosovës
    Koha: 10:00

  • Inteligjenca Artificiale dhe sfidat e edukimit në një botë gjithnjë e më dixhitale

    Inteligjenca Artificiale dhe sfidat e edukimit në një botë gjithnjë e më dixhitale

    Flet Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë

    Prof.Dr.Adrian Civici

    Inteligjenca artificiale është një metodë për të bërë një kompjuter, një robot të kontrolluar nga kompjuteri ose një softuer të mendojë në mënyrë inteligjente si mendja e njeriut. Ai realizohet duke studiuar modelet e trurit të njeriut dhe duke analizuar procesin njohës. Ajo bazohet në algoritme, që lejojnë makinat të imitojnë një formë të inteligjencës reale. Inteligjenca artificiale (AI) përdor analiza të avancuara dhe teknika logjike për të interpretuar ngjarjet, për të mbështetur dhe automatizuar vendime dhe për të ndërmarrë operacione të caktuara. Kjo teknologji inovative ndihmon në minimizimin e gabimeve dhe përmirësimin e përvojës së përdoruesit në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin. Programet e studimit apo curriculumet universitare e pas universitare me fokus qëndror Inteligjencën Artificiale janë në trendin e një zhvillimi eksponencial. Investimet në këtë drejtim janë po ashtu në një rritje eksponenciale.

    Pyetja dhe pikëpyetja më domethënëse në këto momente është se cili është roli dhe ndikimi i AI në arsimin në përgjithësi dhe universitetet në veçanti? Cilat janë sfidat, përpjekjet dhe shqetësimet e natyrave të ndryshme në përballjen me evolucionin marramendës të AI në të gjitha fushat e jetës dhe aktiviteteve njerëzore, përfshirë këtu dhe arsimin? Analizat, komentet, studimet apo reflektimet e ndryshme shkencore dëshmohen nga frekuenca shumë e lartë e botimeve, artikujve, konferencave shkencore, debateve ndërkombëtare, apo studimeve specifike të tilla si : “Inteligjenca artificiale gjeneruese në arsim: Cilat janë mundësitë dhe sfidat?, “Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e mësimdhënies dhe të nxënit”, “AI në Arsim – Arsimi Tjetër”, “Shembuj të inteligjencës artificiale në arsim”, “Klasat inteligjente: Çfarë do të thotë AI për të ardhmen e arsimit”, “Paradigmat e IA në arsim”, “Potencialet e IA në edukim”, “Rreziqet dhe problematika e përdorimit të IA në arsim”, “Rishpikja e edukimit në një botë digjitale”, etj., etj.

    Bota e arsimit po përballet gjerësisht me shtrirjen e jashtzakonshme të AI gjeneruese. Mbas makinave llogaritëse, kompjuterit, uebi-t dhe motorëve të kërkimit, ja një risi tjetër që trondit traditën dhe shkund mënyrat tradicionale të të bërit të gjërave. AI, ashtu si celulari, laptopi dhe tableti, që janë integruar në mënyra të ndryshme në gjithë shkallët e institucioneve arsimore, duhet vlerësuar si një mjet që mund të mbështesë stafin mësimdhënës në ndërhyrjet e tyre dhe jo të zëvendësojë. Sipas Éric Cloutier “Janë të gjitha vetëm mjete … Ne nuk mund ta ndalojmë AI. Do të ishte si të ndalosh internetin: është e pamundur”. “Ne do të duhet të shkëmbejmë dhe bashkëpunojmë për të kuptuar plotësisht mjetet dhe për të mësuar si t’i përdorim ato”.

    UNESCO tashmë ka publikuar “Udhëzuesin për AI Gjenerative në Arsim dhe Kërkim”, dokumenti i parë “global” që përmban udhëzime për përdorimin e inteligjencës artificiale (dhe në veçanti të inteligjencës artificiale gjeneruese) në shkolla dhe në përgjithësi në fushën e formimit. Një temë që agjencia e OKB-së e ka përcaktuar si urgjente: “Inteligjenca artificiale gjeneruese – deklaron Audrey Azoulay, drejtore e përgjithshme e UNESCO-s – mund të përfaqësojë një mundësi të madhe për zhvillimin njerëzor, por gjithashtu mund të shkaktojë dëme dhe paragjykime. Ajo nuk mund të integrohet në arsim pa angazhim të madh publik dhe garancitë dhe rregulloret e nevojshme nga qeveritë”.

    Përfitimet nga integrimi i AI në arsim

    Integrimi i inteligjencës artificiale në sistemin arsimor ka shumë avantazhe e përfitime. AI mundëson personalizimin e përvojave të të mësuarit, duke ofruar mundësinë për t’iu përgjigjur në mënyrë specifike nevojave individuale të nxënësve e studentëve. Duke përdorur algoritme të sofistikuara të AI, mësuesit mund të përshtatin kurrikulën dhe metodat e mësimdhënies bazuar në pikat e forta, dobësitë dhe stilet unike të të mësuarit të secilit student. Sistemet adaptive të të mësuarit, të mundësuara nga AI, mund të rregullojnë automatikisht nivelin e vështirësisë së ushtrimeve bazuar në performancën e studentëve. Mjetet dhe platformat e të mësuarit të “ndihmuara” nga AI luajnë një rol jetik në përmirësimin e aksesit në arsim. Kjo aksesueshmëri e përmirësuar ndihmon në krijimin e një mjedisi mësimor më gjithpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga niveli i tyre i aftësive, apo nevojat specifike.

    Nga ana tjetër, automatizimi i detyrave administrative dhe përmirësimi i menaxhimit të përgjithshëm të institucioneve arsimore paraqesin avantazhe të rëndësishme të AI në arsim. Sistemet e AI mund të përdoren për të thjeshtuar proceset administrative, të tilla si menaxhimi i orareve, burimeve dhe të dhënave të studentëve, duke liruar kohë për mësuesit dhe stafin mësimor e akademik për t’u përqendruar në detyrat me vlerë të shtuar më të lartë, si mësimdhënia, mentorimi dhe mbështetja e personalizuar për studentët..

    Aplikimet e AI në arsim

    Ekzistojnë të paktën katër aplikime konkrete të AI në arsim të tilla si: mjetet parashikuese, platformat adaptive të të mësuarit, robotët bashkëbisedues dhe mjetet e analizës në kohë reale. Integrimi i AI në arsim ka aplikime të gjera dhe mjaft të larmishme. AI përdoret për të hartuar kurse të përshtatura për nevojat specifike të studentëve, duke marrë parasysh nivelin e të mësuarit, interesat dhe aftësitë e tyre. P.sh., sistemet adaptive të të mësuarit të fuqizuara nga AI mund të rregullojnë automatikisht përmbajtjen e kursit/programit bazuar në përparimin individual të studentëve, duke ofruar një përvojë mësimore më të personalizuar dhe efektive. Veç këtyre, Inteligjenca Artificiale ofron potencialin për të zbuluar mashtrimet e ndryshme me karakter mësimor, detyrave praktike, apo akademike, për të siguruar integritetin e provimeve dhe për të ofruar përvoja më të individualizuara të të mësuarit. “Sistemet e integritetit akademik” të bazuara në AI mund të analizojnë modelet e përgjigjeve /testeve/ detyrave/punimeve të nxënësve e studentëve për të identifikuar çdo formë mashtrimi, apo cënimi integriteti e korrekteve duke ndihmuar në ruajtjen e standardeve etike në institucionet arsimore”.

    Sfidat etike të AI në arsim

    Ndërsa teknologjitë po evoluojnë vazhdimisht, kufiri etik i inteligjencës artificiale nuk është as shumë i qartë dhe as shumë konsensual. Për më tepër, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të merren parasysh tre elementë të rëndësishëm : autonomia, konfidencialiteti dhe rreziku i diskriminimit të përdoruesve. Etika në inteligjencën artificiale i referohet vlerave dhe parimeve që duhet të udhëheqin zhvillimin dhe përdorimin e sistemeve teknologjike për të siguruar që ato të përdoren me përgjegjësi, drejtësi, transparencë dhe të sigurtë.

    Integrimi i inteligjencës artificiale në arsim evidenton edhe disa sfida të tjera të rëndësishme dhe konsiderata etike. Një nga këto sfida është “frika nga humbja e vendeve të punës për shkak të automatizimit të detyrave në institucionet arsimore … frika se AI mund të zëvendësojë disa funksione të kryera tradicionalisht nga mësuesit apo pedagogët, duke ngritur pyetje për të ardhmen e punësimit në sektorin e arsimit”. Një “fushë tjetër shqetësuese është mundësia e mashtrimeve të ndryshme nga ana e një pjese të nxënësve apo studentëve të lehtësuar nga AI”, sidomos fenomeni i plagjiaturës. Në këtë këndvështrim, është thelbësore të arrihet një ekuilibër midis përdorimit të duhur të AI dhe mbrojtjes kundër rreziqeve të mundshme. Kjo nënvizon rëndësinë e ndërgjegjësimit të mësuesve, pedagogëve, nxënësve e studentëve për çështjet etike dhe kritike të AI. Për më tepër, integrimi i një dimensioni etik në trajnimin e teknologjisë është thelbësor për të siguruar që AI përdoret me përgjegjësi e në mënyrë etike në arsim.

    Roli i mësuesve/nxënësve & pedagogëve/studentëve në përdorimin e AI

    Integrimi i AI në arsim ngre disa pyetje thelbësore në lidhje me rolin e mësuesve dhe studentëve në përdorimin e kësaj teknologjie. Mësuesit/pedagogët luajnë një rol themelor në të kuptuarit dhe adoptimin e AI në klasa apo auditore. Ata duhet të trajnohen mbi konceptet themelore të AI, aplikimet e saj arsimore dhe mjetet specifike të disponueshme për të përmirësuar mësimdhënien dhe të nxënit. Mësuesit duhet të informohen për konsideratat etike dhe sfidat e mundshme të përdorimit të AI në arsim, për të siguruar përdorimin e përgjegjshëm dhe etik të teknologjisë. “Inteligjenca artificiale është një ndihmë për vendimmarrje dhe jo një mjet për të zëvendësuar gjykimin profesional. Nxënësi apo studenti është në qendër të shqetësimeve në mjediset arsimore, prandaj ai duhet të jetë në qendër të reflektimeve të ekipeve që zhvillojnë mjete teknologjike”.

    Gjithashtu, studentët duhet të jenë të përgatitur për të kuptuar dhe përdorur në mënyrë efektive AI. Kjo përfshin ndërgjegjësimin për teknologjinë, përfitimet dhe kufizimet e saj, dhe se si ajo mund të integrohet në procesin e tyre të të mësuarit. Studentët duhet të inkurajohen të mësojnë aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në lidhje me AI, në mënyrë që të bëhen përdorues të informuar dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, të mësojnë të vlerësojnë në mënyrë kritike rezultatet e krijuara nga mjetet e bazuara në AI, të kuptojnë implikimet etike të AI dhe të përdorin teknologjinë në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. “Në vend që të përpiqemi t’i ndalojmë studentët të përdorin ChatGPT, ne duhet të reformojmë mënyrën se si japim mësim. Kjo reformë nuk duhet të ketë të bëjë me gjetjen e detyrave të vështira për të cilat studentët nuk mund të përdorin ChatGPT. Ne duhet të sigurojmë që studentët të mund të përdorin sistemet e AI në mënyrë korrekte,” -deklaron Claire Boine nga Universiteti i Ottaëa, Kanada. “Rritja e ndërgjegjësimit midis studentëve tuaj dhe vënia e tyre në përdorimin e mjeteve të AI në një kontekst arsimor është e mirë.

    Sa e njohin dhe si e përdorin studentët dhe universitetet AI?

    Inteligjenca Artificiale, me potencialin e saj për të revolucionarizuar mënyrën se si studentët pedagogët mendojnë për të mësuarit, po gjeneron shumë emocione pozitive, por edhe shumë shqetësime. Aktualisht, egziston një debat mjaft i madh në këtë aspekt. Qëndrimet variojnë ndërmjet dy pozicioneve ekstreme ndaj njëri-tjetrit : mes qëndrimit se AI është e ardhmja dhe ajo duhet të shtrihet sa më gjerësisht dhe pa asnjë hezitim në çdo hallkë e element të funksionimit të universiteteve e institucioneve të arsimit … deri në qëndrimin se ajo duhet të ndalohet e kufizohet sa më shumë që të jetë e mundur si e pa efektshme, deri e rrezikshme. IA mund të inkurajojë një qasje tepër të standardizuar ndaj mësimdhënies dhe vlerësimit, ku aftësitë dhe performanca e studentëve reduktohen në tregues sasiorë. Kjo mund të anashkalojë shumëllojshmërinë e talenteve individuale, stilet dhe interesat e të mësuarit, duke çuar në një humbje të pasurisë dhe kreativitetit në arsim. Kjo mund të inkurajojë të mësuarit e fokusuar në gjetjen e përgjigjeve të sakta dhe jo në kuptimin e koncepteve në thellësi. “Mjaft shembuj nga përdorimi i gjerë i ChatGPT na tregon se disa institucione e ndaluan atë nga frika se ky mjet do të lehtësonte mashtrimin dhe do të çonte në një rënie të standardeve akademike, ndërsa të tjerët e mirëpritën atë në klasat e tyre sepse u dukej e pamundur të luftonin kundër këtyre teknologjive – dhe të luftonin një luftë humbëse. A duhet të ndalohet AI nga shkollat apo universitetet?”

    Një përgjigje cilësore në këtë debat thelbësor jep një sondazh i kryer nga Instituti Britanik i Politikave të Arsimit të Lartë, i cili ofron njohuri të vlefshme për qëndrimet dhe praktikat e studentëve britanikë. Përfundimet e tij mund të shërbejnë si një udhërrëfyes i vlefshëm për universitetet, studentët apo pedagogët në punën e tyre me AI. Studimi tregon përdorim të konsiderueshëm dhe të larmishëm të mjeteve të AI nga studentët. Më shumë se gjysma e studentëve të anketuar (53%) përdorin mjete gjeneruese të AI për të përgatitur punime të ndryshme të tyre. 36% e studentëve i konsiderojnë këto mjete si “mësues privatë” efektivë për shpjegimin e koncepteve komplekse”.

    Siç shkruan Joss Freeman: “deri më tani, institucionet e arsimit të lartë kanë përmbushur standarde rigoroze dhe ato janë për t’u vlerësuar. Studentët u besojnë institucioneve për të identifikuar përdorimin e mjeteve të AI dhe ndjehen se stafi e kupton se si funksionon AI.

    AI si një element fondamental i një kulture dixhitale për të mësuar

    Sfida e integrimit të AI në arsim qëndron në mënyrën se si përgatiten studentët për një të ardhme ku AI luan një rol udhëheqës. Për ta bërë këtë, nxënësit e studentët duhet të zhvillojnë një kuptim teknik të AI, por edhe aftësi për ta përdorur këtë teknologji në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. Duhet të bëhet dallimi midis aftësive dixhitale dhe kulturës dixhitale.pra, një qasje strategjike. Aftësitë e sotme dixhitale, që lidhen me softëerin, gjuhët, sistemet, platformat, janë të destinuara të evoluojnë me shpejtësi, për shkak të shkallës së lartë të inovacionit dixhital, ndërsa Kultura dixhitale përfaqëson bazën teorike e konceptuale që do të krijojë mundësitë nesër të ndryshojë me vetëdijen e plotë sistemet dixhitale duke lëvizur në një vizion më të gjerë e perspektiv.

    Përdorimi edukativ i inteligjencës artificiale është një temë që nuk shqetëson vetëm nxënësit”, -shkruan Chiara Panciroli, profesore në Departamentin e Shkencave të Edukimit të Universitetit të Bolonjës, “Ajo prek edhe mësuesit, stafin administrativ, drejtuesit, familjet: të gjithë aktorët e sistemit shkollor. Një nga temat më të rëndësishme është ajo e të ashtuquajturës shpjegueshmëri, pra të kuptuarit dhe shpjegimin se çfarë është dhe si funksionon inteligjenca artificiale”. Kjo do të thotë: përpara se t’i përdorni ato, para se të hidhni hipoteza se për çfarë t’i përdorni, së pari duhet t’i njihni këto mjete. Kuptoni se si punojnë ato, cili është potenciali i tyre dhe (mbi të gjitha) cilat janë kufijtë e tyre. Por gjithashtu shmangni konsiderimin e tyre si një kuti të zezë që përpunon një hyrje dhe kthen një dalje të caktuar. Shpjegueshmëria është pikërisht kjo: ne duhet të jemi gjithmonë në gjendje të kuptojmë dhe interpretojmë përmbajtjen dhe parashikimet e krijuara nga një inteligjencë artificiale. Dhe për ta bërë këtë ne kemi nevojë për një kulturë të inteligjencës artificiale, e cila aktualisht mungon ende si te nxënësit ashtu edhe te mësuesit. “Në rastin e inteligjencës artificiale gjeneruese si ChatGPT, për shembull, është thelbësore të kuptosh se si funksionojnë kërkesat, që duhet t’i jepen sistemit: me kërkesa të këqija keni rezultate të këqija dhe mjetet humbasin dobinë e tyre.”

    Në të vërtetë, teknologjia nuk është as e mirë, as e keqe dhe as neutrale; varet nga qëllimi i personit që e përdor atë. Në lidhje me këtë, le të citojmë disa nga këto aftësi: 1.Mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve: AI gjeneruese mund të përpunojë dhe analizojë të dhëna me shpejtësi dhe shkallë të paprecedentë, duke zhvilluar aftësinë për të bërë pyetjet e duhura dhe për të interpretuar rezultatet vendimtare. Studentët duhet të mësojnë të përdorin AI si një mjet për të plotësuar dhe zgjeruar gjykimin dhe kreativitetin e tyre, në vend që thjesht ta zëvendësojnë atë me AI. 2. Etika dhe përgjegjësia: Ndërsa AI bëhet më i integruar në jetën tonë të përditshme, pyetjet etike dhe dilemat morale bëhen më komplekse. Studentët duhet të edukohen për të marrë parasysh pasojat e përdorimit të AI, duke përfshirë ndikimet në privatësi, barazi, përfshirje dhe qëndrueshmëri. 3. Aftësitë teknologjike: Studentët duhet të kuptojnë se si janë ndërtuar këto sisteme dhe të punojnë për t’i zotëruar ato. Kjo përfshin njohuritë bazë të programimit, mësimin e makinerive e pajisjeve specifike, përpunimin e gjuhëve të ndryshme të programimit, mësimin e shkencës së të dhënave, etj.

  • Shkollat në Finlandë rikthejnë librat dhe fletorët në klasë, shqetësim teknologjia

    Shkollat në Finlandë rikthejnë librat dhe fletorët në klasë, shqetësim teknologjia

    Në Finlandë, është vënë re një kthesë drejt metodave më tradicionale të mësimdhënies, si librat dhe fletoret, pas një periudhe të gjatë të përqendrimit në përdorimin e teknologjisë në klasë. Ky ndryshim vjen si rezultat i shqetësimeve për ndikimin që teknologjia mund të ketë në përqendrimin dhe aftësitë themelore të nxënësve, si shkrimi dhe leximi.

    Finlanda, e njohur për sistemin e saj arsimor të përparuar dhe progresiv, kishte integruar teknologjinë në shkolla në mënyrë të gjerë për t’i përgatitur nxënësit për të ardhmen. Megjithatë, studimet e fundit sugjerojnë se përdorimi i tepërt i pajisjeve digjitale mund të ndikojë negativisht në aftësitë e të menduarit kritik dhe në përqendrimin e nxënësve, duke ngadalësuar zhvillimin e shkathtësive të të shkruarit dhe lexuarit.

    Mësuesit dhe ekspertët kanë vërejtur se përdorimi i librave të shtypur dhe fletoreve ndihmon nxënësit të kenë një përqendrim më të thellë dhe të përvetësojnë njohuritë në mënyrë më të qëndrueshme. Ky rikthim drejt metodave tradicionale duket të jetë një përpjekje për të balancuar përfitimet e teknologjisë me ruajtjen e aftësive thelbësore akademike.

    Por çfarë thonë mësuesit apo ekspertët në Finlandë për këtë çështje?

    Në Finlandë, mësuesit dhe ekspertët kanë ngritur disa shqetësime dhe argumente në lidhje me përdorimin e teknologjisë në klasë dhe rikthimin te librat dhe fletoret tradicionale. Ja disa prej pikave kyçe që janë diskutuar:

    Mësuesit: Shumë mësues finlandezë janë shprehur se përdorimi i pajisjeve digjitale shpesh çon në shpërqendrim të nxënësve. Ata vërejnë se nxënësit kanë më pak përqendrim dhe më shumë tendencë për të kaluar kohën në internet ose për t’u shpërqendruar nga mesazhet e çastit dhe lojërat. Shumë mësues mbështesin rikthimin e librave dhe fletoreve tradicionale pasi besojnë se kjo metodë përmirëson përqendrimin, aftësitë e të menduarit kritik dhe përthithjen e njohurive.

    Shëndeti mendor: Ekzistojnë shqetësime gjithashtu për ndikimin e teknologjisë në shëndetin mendor të fëmijëve. Ekspertët sugjerojnë se ekspozimi i gjatë ndaj ekraneve mund të çojë në stres, lodhje mendore dhe probleme me gjumin. Nga ana tjetër, puna me libra fizikë dhe fletore lehtëson këtë problem, duke krijuar një ritëm më të qetë dhe më pak të stimuluar në mjedisin e mësimit.

    Aftësitë e të shkruarit dhe lexuarit: Ekspertët finlandezë kanë theksuar rëndësinë e shkrimit me dorë dhe të leximit të librave fizikë për zhvillimin e aftësive të të shkruarit dhe lexuarit. Ata argumentojnë se shkrimi me dorë aktivizon pjesë të ndryshme të trurit dhe ndihmon në përmirësimin e kujtesës dhe të mësuarit afatgjatë. Leximi i materialeve të shtypura, gjithashtu, krijon një përqendrim më të thellë dhe ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësi më të mira analitike.

    Balancimi i teknologjisë: Megjithëse nuk janë kundër teknologjisë, ekspertët finlandezë theksojnë nevojën për të gjetur një ekuilibër. Ata mbrojnë idenë se teknologjia duhet të përdoret në mënyrë të kufizuar dhe për qëllime specifike, por jo të zëvendësojë krejtësisht metodat tradicionale të mësimdhënies.

    Ky diskutim për Finlandën reflekton një shqetësim të gjerë global mbi rolin e teknologjisë në arsim dhe nevojën për të krijuar një mjedis të balancuar të të mësuarit.

    Po në Shqipëri ku gjendemi në këtë çështje?

    Në kuadër të aplikimit të mënyrave të reja të mësimdhënies, projekti ‘Aftësi për Punë’ S4J, është duke prezantuar në shkollat partnere ‘të nxënit nëpërmjet projekteve’ (Project Based Learning, shkurt PBL), si një metodologji e cila jo vetëm nxit angazhimin e nxënësve gjatë orës së mësimit, por realizon më së miri dhe qëllimet mësimore të shkollës.

    Mësimdhënia me në qendër nxënësin rezulton sot një nga metodologjitë më frytdhënëse, në të gjitha ciklet e shkollimit, e vlefshme kjo edhe për shkollat profesionale. Të nxënët nëpërmjet projektit, është një mënyrë konceptimi e kurrikulumit me në qendër nxënësin, e bazuar në zgjidhjen e problemeve, në integrimin ndërlëndor, duke bërë të mundur të nxënët e drejtuar, afatgjatë dhe efikas. Duke qenë se në PBL, theksi vendoset tek puna në grup, të menduarit në mënyrë kritike e krijuese dhe zgjidhja e problemeve, nxënësit janë më të motivuar dhe janë përgjegjës për të nxënët e tyre, duke u aftësuar në të kuptuarin e njohurive.

    Nxënësit nuk limitohen vetëm në marrjen e njohurive brenda kornizës të paracaktuar nga kurrikula, por analizojnë dhe vënë në “dyshim” çdo aspekt të projektit. Kjo i ndihmon ata të mësojnë në mënyrë të pavarur, përtej asaj çfarë librat shkollorë ofrojnë, duke u bazuar në kërkim dhe analizë.

    PBL në thelb “të mëson si të mësosh”, pasi nxënësit mësojnë si të zgjidhin probleme. Kjo e bën procesin e të mësuarit të frytshëm dhe interesant. Duke qenë se nxënësit ndahen në grupe pune për t’i dhënë zgjidhje problemeve të ndryshme, kjo metodë është një përvojë interaktive që zhvillon aftësitë bashkëpunuese. Kur përdoret PBL, mësimdhënia nëpërmjet metodave tradicionale, si memorizimi i njohurive, apo të mësuarit e orientuar nga mësuesi, zëvendësohen nga teknika të përditësuara, sipas të cilave nxënësit përfshihen në kërkim, evidentojnë problematika, supozojnë situata të ndryshme dhe bëjnë parashikime për fenomene që do të ndodhin. Në fund shpjegojnë rezultatet nëpërmjet eksperimenteve dhe diskutimeve.

    Për të zbatuar këtë metodologji mësimdhënie, duhet që mësuesit të trajnohen në hartimin dhe zbatimin e PBL, në përputhje me lëndët dhe planet mësimore të gjithsecilit. Projekti ‘Aftësi për Punë’ ka nisur me trajnimin e mësuesve nga shkollat partnere./PortaliShkollor

  • Ngritja e aktakuzës për sulmin e armatosur në Banjskë, Hill: SHBA kërkon që sulmuesit të mbahen përgjegjës

    Ngritja e aktakuzës për sulmin e armatosur në Banjskë, Hill: SHBA kërkon që sulmuesit të mbahen përgjegjës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka folur në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë.

    Hill ka thënë se SHBA-të angazhohen që sulmuesit të thirren përgjegjësi dhe se qëndrimi amerikan ka kohë që është i njohur.

    Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, të cilët ishin pjesë e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, shtatorin e vitit të kaluar.

    Qeveria e Kosovës e cilësoi këtë sulm si terrorist.

    Në një sulm në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Milan Radoiçiq, një ish politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet të jetë në Serbi, mori përgjegjësinë për sulmin.

    Sa i përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Hill tha se të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialog sepse, sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet. Hill tha se këtë qëndrim e ka shprehur edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës që ai zhvilloi në Serbi më 10 shtator.

  • ​Sulmi në Banjskë, Ramadani: Aktakuza duhet të jetë profesionalisht e përgatitur

    ​Sulmi në Banjskë, Ramadani: Aktakuza duhet të jetë profesionalisht e përgatitur

    Më 24 shtator të këtij viti, bëhen një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë heroi, rreshteri Afrim Bunjaku. Tek pas një viti, Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në këtë sulm, ku i akuzuari kryesor është edhe udhëheqësi i grupit Millan Radoiçiq.

    Rreth kësaj aktakuze, krerët e shtetit kanë dhënë komente të ndryshme duke e vlerësuar si veprim të vonshëm nga Prokuroria Speciale.

    Ndërsa, ish-kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani thekson se presioni prokurorisë mund t’i bëhet vetëm nga njerëzit që nuk e kuptojnë se si funksionon sistemi, apo kanë qëllime tjera të cilat nuk i konvenojnë shtetit të Kosovës.

    Ramadani, ka thënë për KosovaPress se një aktakuzë e tillë duhet të jetë profesionalisht e përgatitur.

    “Ka procedurë standarde të hetimit, e cila përcaktohet edhe me ligj dhe në rast të hetimeve që kanë ndodhur për rastin e Banjskës, pra grupin paramilitarë të strukturuar, organizuar e financuar nga vet shteti i Serbisë. Unë besoj që një aktakuzë në këtë rast edhe është e nevojshme, por po ashtu edhe duhet të jetë profesionalisht e përgatitur. Besoj që çfarëdo lloj presioni publik që i është bërë i bëhet apo duhet të bëhet prokurorisë në rastet e hetimeve, mund t’i bëhet vetëm nga njerëz që nuk e kuptojnë sistemin se si funksionon apo mund të kenë qëllime të tjera të cilat nuk i konvenojnë shtetit të Kosovës”, ka thënë Ramadani.

    Sipas tij, Prokuroria nuk e ka rolin e Policisë së Kosovës e as institucioneve tjera hetimore.

    Ramadani ka shtuar se aktakuza është ngritur, por nuk përfundon vetëm me aktakuzën.

    “Është me rëndësi që Prokuroria të arrijë nivelin sa më profesional të aktakuzës, për të cilën institucionet tjera duhet të ndihmojnë, sepse prokuroria nuk e bënë as rolin e policisë as rolin e institucioneve tjera hetimore, e udhëheq, koordinon dhe ka përgjegjësinë për ngritjen e aktakuzës, por nuk ka përfunduar me aktakuzën”, ka shtuar ai.

    Ramadani ka theksuar se edhe prokuroria ka mundur të kthejë “lojën” e t’i thotë Qeverisë dhe Policisë së Kosovës që ta sjellin Radoiçiqin dhe t’i akuzoj për dështim.

    “Nëse i tërë ky presion mbi Prokurorinë ka qenë ngritje e aktakuzës, pse nuk po ngrihet aktakuza, dhe prokuroria ngritë aktakuzë kundër Radoiçiq, për të cilin ka pasur edhe më herët aktakuzë, atëherë a mund ta bëjë të njëjtën lojë publike, Prokuroria t’i thotë Policisë dhe Qeverisë sillmani Radojçiqin, është dështimi juaj pse nuk po e sillni. Ka proces i cili duhet të ndiqej dhe si proces duhet të jetë i tërë”, ka theksuar Ramdani.

    Ndërkaq, në një konferencë për media sot, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj theksoi se për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe financimit të terrorizmit e shpëlarjes së parave. Ai shtoi se ekzaminimet që janë bërë jashtë vendit, kanë ndikuar në vonesën për ngritjen e kësaj aktakuze.

    Komente ka pasur edhe nga ana e Kryeparlamentarit, Glauk Konjufca e Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se është lajm i mirë, teksa shtoi se “më mirë vonë se kurrë”.

    “Ky po që është një lajm i mirë dhe një lajm për të cilën nuk dua të jap kritikat. Kësaj i shkon një frazë që ‘më mirë vonë se kurrë’ dhe kështu ka ndodhur”, tha Konjufca.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë të Zveçanit, për çka tha se në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimet për mos ngritjen e kësaj aktakuze.

    “Ne në vazhdimësi kemi shprehur shqetësimet tona sepse nuk po ngritët aktakuza për krye-terroristin, Milan Radojçiq në 2021 ju e mbani mend që urdhër-arresti ishte tërhequr për atë ende nuk kemi përgjigje se pse ka ndodhur tërheqja e urdhër-arrestit. Kemi shprehur shqetësimet tona sepse dihet qëllimet që ka pasur Serbia, dihet që ai grup terrorist i financuar nga Serbia dhe është trajnuar atje në bazat e tyre të trajnimit prandaj edhe kemi kërkuar një hetim ndërkombëtar për këto baza të trajnimit dhe ne mirëpresim ngritjen e aktakuzave për kryeterroristin Milan Radojçiq dhe terroristët tjerë”, u shpreh ajo. /KP

  • Ilir Daja prezantohet te Dinamo

    Ilir Daja prezantohet te Dinamo

    Trajneri shqiptar, Ilir Daja, është prezantuar te klubi i tij i ri, Dinamo City.

    Daja do të marrë drejtimin e klubit tiranas pas aventurës fantastike me skuadrën e Ballkanit.

    Tekniku shqiptar është rikthyer në Katgeorinë Superiore, pas një suksesi të paparashikueshëm në Superligën e Kosovës.

    Me Ballkanin, Daja arriti të shpallej tre vite radhazi kampion, ndërkaq për dy vite arriti fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.

    Momentalisht, Dinamo mban pozitën e tetë në tabelë, me tri pikë nga po aq ndeshje të zhvilluara.

  • ​Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

    ​Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali e cila po zhvillon vizitën e parë zyrtare që nga marrja e detyrës së re.

    Kryeministri Kurti tha se së bashku kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm, duke theksuar edhe atë ndërmjet dy kuvendeve të Kosovës e Shqipërisë.

    “Mbështetja e Shqipërisë është përherë e nevojshme dhe e rëndësishme për Republikën e Kosovës, e sidomos kur kjo ndërlidhet me proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku Shqipëria është një zë i fuqishëm krah interesave të vendit tonë. Trashëgimia e bashkëpunimit tonë është produktive dhe me rezultate pozitive, përkrahja e ndërsjellë dhe zhvillimi i përbashkët, për më shumë prosperitet dhe në të mirë të qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

    Gjatë ditës Spiropali është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

    Spiropali pas takimit me Konjufcën u shpreh se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, për çka shtoi se do të ketë dritë në fund të tunelit për Kosovën në procesin e dialogut.

    Derisa Konjufca tha se qytetarët e Kosovës nuk e shohin Shqipërinë si shtet fqinj, por si shtet amë.