ATV

Author: ATVLive

  • ​Përfundon faza e parë e implementimit të programit “Futbolli për shkolla”

    ​Përfundon faza e parë e implementimit të programit “Futbolli për shkolla”

    Ka përfunduar faza e parë e implementimit të programit “Futboll për shkolla”, i cili është një projekt i menaxhuar nga FIFA. Për tre ditë rresht, arsimtarë të edukatës fizike dhe trajnerë nga 5 regjione të Kosovës kanë ndjekur mësimet teorike dhe trajnimet praktike që i parasheh ky program.

    Projekti “Futbolli për shkolla”, që ka për synim bazik masovizimin e futbollit me anë të fëmijëve të shkollave fillore, tashmë ka arritur shtrirjen në 5 regjione të Kosovës. Në muajt në vazhdim do të ketë rritje edhe në komunat tjera.

    I pari i FFK-së, Agim Ademi, u shpreh i lumtur me faktin që FIFA ka vendosur që këtë projekt ta sjellë në Kosovë, në vendin ku ka numër të madh të të rinjve.

    “Futbolli për shkolla” është një projekt shumë i mirë dhe falënderoj FIFA-n dhe deleguesit e saj që kanë ardhur në këtë eveniment në Kosovë. Edhe për ne si FFK, edhe për FIFA-n, ky është projekt shumë i rëndësishëm, pasi që në fillim të zhvillimit të tyre orienton që të bëhen sportistë dhe njerëz të mirë të shoqërisë. Ky projekt përputhet me strategjinë dhe projektet e FFK-së, masovizimin e futbollit dhe me nxjerrjen e talenteve që në moshë të hershme. Falenderoj shumë edhe të gjitha komunat që kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim, nxënësit dhe shkollarët pjesëmarrës”, tha Ademi.

    “Futbolli për shkolla” cilësohet si projekt shumë i rëndësishëm edhe për Komunën e Prishtinës, si partner në këtë projekt. Drejtori i Drejtorisë për Sport në këtë komunë, Kushtrim Mushica, u shpreh shumë mbështetës për këtë nismë duke e rikonfirmuar mbështetjen e kësaj komune.

    “Projekt shumë i qëlluar. Ky projekt ka përkrahjen e Drejtorit të Sportit në Komunën e Prishtinës, sepse lidhet me politikat që ka kjo drejtori, pra masovizimin e sportit. Ky projekt, që ka për qëllim masovizimin e futbollit në shkolla, është fillimi i çdo gjëje për zhvillimin e tyre sa më të mirë, që të përgatiten edhe për jetën, edhe nëse nuk përfundojnë si futbollistë profesionalë,” u shpreh Mushica.

    Puna me arsimtarët dhe me trajnerët e Kosovës ka lënë mbresa të mëdha tek përfaqësuesit e FIFA-s, të cilët ishin të impresionuar me profesionalizmin dhe angazhimin e tyre.

    Melvin Mendy, koordinatori i projektit “Futbolli për shkolla” nga FIFA, duke u shprehur që projektin po e lënë në duar të sigurta, ndër të tjera tha: “Ishte një përvojë shumë e mirë. Në këto 3 ditë, ishim shumë me fat që kishim një ekip të mirë të arsimtarëve, të cilët ishin shumë kompetentë dhe të gatshëm për të mësuar. Ata ishin zgjedhur me shumë kujdes nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe nga komunat. Ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë për të mësuar këtë program dhe për mësuesit e tjerë në Kosovë. Angazhimi i tyre ka treguar shumë premisa pozitive për të ardhmen e projektit. Ne gjithmonë themi që, kur largohemi nga një vend, këtë program e lëmë në duar të mësuesve. Këtë herë ndjehemi veçanërisht të sigurt që ta lëmë programin në duar të tyre, sepse jemi të bindur që ata do të bëjnë një punë të shkëlqyer”.

    Ky projekt, krahas pjesës praktike në fushë, ka një aplikacion dixhital me anë të të cilit do të përcillen të gjitha aktivitetet dhe zhvillimi i projektit, përkatësisht fëmijëve në çdo shkollë, duke kontribuar në zhvillimin e fëmijëve si individë të mirë për shoqërinë.

  • Kurti: Vizitat në veri s’janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme

    Kurti: Vizitat në veri s’janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vizitat në veriun e vendit nuk janë kundër askujt. Madje, ai i ka cilësuar të domosdoshme për të kuptuar nevojat e qytetarëve atje, raporton Ekonomia Online.

    Në mbledhjen e qeverisë, ai shtoi se në veri të vendit po bëhen investime që siç tha ai, nuk janë bërë në dy dekada.

    “Dje bashkë me Xhelal Sveçlën dhe Elbert Krasniqin ishim në një vizitë në komunën e Leposaviqit, përkatësisht në fshatrat Bistricë, Cërajë dhe Leshak dhe më pas në komunën e Mitrovicës së Veriut. Vizitat tonë të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella, dhe për të kuptuar sesa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita të cilat janë vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada, po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, u shpreh shefi i qeverisë.

  • ​Hoxhaj kujton ditën kur me Thaçin përmbyllën pavarësinë

    ​Hoxhaj kujton ditën kur me Thaçin përmbyllën pavarësinë

    Ish-kryeparlamentari Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, ka përkujtuar një datë të rëndësishme për Kosovën, atë të fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë, që ndodhi me 10 shtator të vitit 2012.

    Në shkrimin e tij, Hoxhaj ka publikuar një fotografi të përbashkët me Hashim Thaçin, atëbotë kryeministër.

    “Kjo datë, jo vetëm që ia ktheu popullit të Kosovës atë që i takon, qeverisje të plotë demokratike dhe një sovranitet të mirëfilltë, por hapi edhe një horizont të ri për vendin: Filloi të ushtrohej një politikë e jashtme më e pavarur, forcoi pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare me njohje të reja dhe anëtarësi të shumta në organizata ndërkombëtare, por edhe ndërtoi një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare. Jam shumë krenar që si ministër i jashtëm kam koordinuar, me mandat të Kryeministrit Thaçi, procesin e përmbylljes së pavarësisë, duke vendosur themelet e politikës së jashtme!”, ka shkruar Hoxhaj.

    Tutje, ai ka theksuar se sot Kosova është nën sanksione perëndimore.

    “Ku jemi sot? Shtatori i 2012 ishte ngjarje e pjekurisë so politike, por shtatori i 2024 është dëshmi e papjekurisë sonë politike. Në vend se të ndërtohet edhe më shumë identiteti kushtetues dhe shtetëror, Kosova është nën sanksione perëndimore dhe Kushtetuta shkelet çdo ditë. Në vend që të ndërtohen marrëdhënie edhe shumë më të mira me shtetet e rajonit, me aleatet e saj në Evropë, Amerikë dhe botë, Kosova ka mbetur pa aleatë, pa kredibiltet dhe mjerisht, nuk merret seriozisht! Në shtator rë vitit 2012 ishte shembull i zbatimit të obligimeve të marra nga partnerët e Kosovës, sot është shembull që gënjen dhe mashtron aleatët më strategjikë, ku qeverisja e saj mjerisht shihet njëjtë në Perëndim dhe në Lindje si grandavec, sherraxhi dhe zhurmaxhi!”, ka shkruar Hoxhaj.

  • ​Haradinaj paralajmëron Kurtin për krizën energjetike

    ​Haradinaj paralajmëron Kurtin për krizën energjetike

    Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me qëndrimin e tij ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ish-kryeministri e konsideron lavdërimin e Kurtit për KEK-un si “të çuditshëm dhe krejt të pakuptimtë”.

    “Sikur të mos ishte tragjike, do të ishte komike,” shkruan Haradinaj në një postim në Facebook. Ai sugjeron se Kurti po u drejtohet “përfituesve të mëdhenj të KEK-ut” në vend të punëtorëve të kompanisë. Haradinaj akuzon qeverinë për mungesë transparence në lidhje me importin e energjisë elektrike, duke kërkuar sqarime për shumat e shpenzuara dhe furnizuesit.

    Lideri i opozitës shton se refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, si dhe shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarët, do të kenë pasoja. “Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg,” paralajmëron Haradinaj, duke shprehur shqetësimin për situatën energjetike në vend.

  • ​Arsenali i ndalohet veshja e fanellës kryesore në derbin ndaj Tottenhamit

    ​Arsenali i ndalohet veshja e fanellës kryesore në derbin ndaj Tottenhamit

    Arsenalit i është ndaluar të vesh fanellën kryesore, përkatësisht atë që e përdor për ndeshjet në shtëpi kur të përballet me Tottenhamin në fundjavë.

    Ndeshja derbi e Premierligës së Londrës Veriore do të zhvillohet të dielën në stadiumin e ‘Spurs-ave’, përcjellë KosovaPress.

    Premier Liga dhe trupi i arbitrave ‘PGMOL’ thuhet se e kanë informuar Arsenalin për opsionet e fanellave të tyre. Atyre u është thënë se fanella e këtij sezoni në shtëpi përfshin shumë ngjyrë të bardhë, që do të thotë se do të ndeshej me fanellën e ‘Spurs’.

    Si rezultat, ata do të veshin fanellën e tyre me ngjyrë të zezë si mysafir këtë fundjavë. Një situatë e ngjashme do të ndodhë kur ‘Spurs’ të shkojnë te Arsenali në ndeshjen kthyese në janar.

  • Rruga Podujevë – Prishtinë në gjendje të tmerrshme

    Rruga Podujevë – Prishtinë në gjendje të tmerrshme

    Rruga Prishtinë-Podujevë dhe anasjelltas është bërë tejet e vështirë për të qarkulluar.

    Punimet të cilat kanë nisur prej sa kohësh e vetëm po zvarriten, po e bëjnë kalimin nëpër këtë anë edhe më të vështirë.

    E ngjashme është situata edhe sot, pas reshjeve të shiut.

    Në disa pamje të publikuara nga lajmi.net, kuptohet qartë se banorët e kësaj ane çdo ditë e kanë sfiduese për të kryer punët e tyre e që duhet me patjetër t’i bien kësaj rruge.

  • ​Zogaj flet për kandidaturën për deputet, punimet në rrugën A dhe qentë endacakë

    ​Zogaj flet për kandidaturën për deputet, punimet në rrugën A dhe qentë endacakë

    Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj në një intervistë për KosovaPress ka folur për rrjedhën e punimeve në Rrugën A, zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në kryeqytet dhe rreth kandidaturës së tij për deputet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

    Ai ka thënë se faza e parë e punimeve në Rrugën A në Prishtinë, të cilat kanë filluar tash e sa kohë, pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe se hapja e segmentit të rrugës nga Spitali Amerikan deri te barnatoret dhe lidhja me Rrugën B, synohet të realizohet gjatë këtyre muajve.

    “Rruga A është interes shumë i madh i qytetarëve të Prishtinës…Ka pasur vonesa, probleme të vazhdueshme, ka pasur problem edhe me gjykatë. E dini ju, disa herë gjykata e ka ndaluar procesin e rrugës A, pastaj është kthyer prapë në ankesa tona. Është duke ecur tutje. Po tentojmë që në fund të këtij viti ta hapim fazën e parë, që nënkupton prej Spitalit Amerikan e deri te barnatoret dhe lidhja me rrugën B. Nëse arrijmë në fund të këtij viti ta hapim për qarkullim fazën e parë, kemi bërë një punë shumë të mirë. Pastaj vazhdojmë me fazën e dytë, e cila është faza që shkon prej Kalabrisë ose banesave të Arabëve e deri te hoteli “Garden”, atje te rruga që lidhet me Fushë Kosovën”, tha Zogaj.

    Duke folur për hapjen e Qendrës për Trajtimin e Qenve Endacakë në periferi të Prishtinës, nënkryetari Zogaj potencon se qytetarët shumë shpejt do t’i shohin efektet e para të zgjidhjes së këtij problemi.

    “E para, kemi shpenzuar miliona euro në atë që quhet ‘Kap, sterilizo, vaksino dhe lësho qenin prapë në vendin ku e kemi marrë’. Kemi shpenzuar shumë në vaksinim dhe sterilizim. Tash po e hapim shumë shpejt, veçse ka filluar të punojnë dhe është hapur strehimorja dhe qendra për vaksinim e sterilizim. Do të fillojmë prej këtij muaji t’i marrim qentë prej qendrës së qytetit fillimisht dhe t’i dërgojmë në strehimoren e madhe në periferi të Prishtinës…Një qendër me nivele evropiane të cilësisë. Qytetarët shpejt do t’i shohin efektet e para që qentë endacakë do të hiqen prej rrugëve të Prishtinës…Është rritur interesimi dhe shpenzojmë që qendra kur i sterilizon dhe vaksinon qentë endacakë, do të ketë interesim edhe më të madh prej familjeve të vijnë t’i marrin. Deri më tani disa qindra janë adaptuar”, tha Zogaj.

    Ai ka bërë të ditur se dega e LDK-së në Prishtinë e ka propozuar atë si kandidat për deputet nga radhët e kësaj partie për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    “Dega, ku unë kryej aktivitetin tim politik edhe ku jam kryetar i njërës prej degëve të LDK-së në Prishtinë, më ka propozuar për kandidat për deputet dhe besoj shumë që do të jem kandidat për deputet, meqenëse edhe ka shkuar propozimi im. Por, listat finale dhe kandidaturat dalin sipas afateve që i ka caktuar edhe KQZ-ja”, tregon Zogaj. /kp

  • Shqipëria mposhtet minimalisht nga Gjeorgjia

    Shqipëria mposhtet minimalisht nga Gjeorgjia

    Kombëtarja e Shqipërisë është “befasuar” në “Air Albania”.

    “Kuqezinjtë” janë mposhtur si vendas nga Gjeorgjia, me rezultat minimal prej 1-0.

    Pas një pjese të parë të qetë në të dy anët, ishte pjesa e dytë që solli pak më shumë raste.

    Gjeorgjia kishte rastet më të mira në pjesën e dytë, por që nuk arriti t’i konkretizonte, deri në një moment.

    Ishte Kochorashvili që shënoi në minutën e 71-të, duke tundur rrjetën e Thomas Strakokësh pas një goditje të befasishme jashtë zonës.

    Kështu, Shqipëria i humbë tre pikë në ndeshjen e dytë, pasi paraprakisht fitoi takimin e parë ndaj Ukrainës në udhëtim.

    Ndërkohë, Gjeorgjia vazhdon me bilanc 100% të fitoreve, pas fitores në ndeshjen e parë ndaj Çekisë 4-1.

    Ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve luhen në muajin tetor.

  • “Calit” i ulet dënimi me burgim

    “Calit” i ulet dënimi me burgim

    Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës ia ka ulur dënimin me burgim Salih Mustafës, prej 22 vjet në 15 vjet burgim.

    Ndaj Mustafës janë shqiptuar dënimet individuale për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej 8, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe i është shqiptuar dënimi i njësuar prej 15 vjetësh burgim, duke llogaritur edhe kohën në paraburgim.

    Vendimi është marrë sot.

    “Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”, thuhet në njoftim.

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit 2022 Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Gjykata e Apelit ia kishte zbritur dënimin pastaj në 22 vjet burgim.

    Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

  • ​11 vetëvrasje për 5 muaj, kërkohet mbështetje për ata që ndihmojnë në parandalim

    ​11 vetëvrasje për 5 muaj, kërkohet mbështetje për ata që ndihmojnë në parandalim

    Muaji i parandalimit të vetëvrasjes ka filluar, por jo më larg se dje dyshohet se një person i ka dhënë fund jetës së tij në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 11 raste të vetëvrasjes, një dukuri kjo tejet shqetësuese.

    Organizata “Linja e Jetës” është angazhuar për të ofruar shërbime telefonike për personat që kanë nevojë dhe pranon mbi 300 thirrje çdo muaj. Koordinatorja e “Linjës së Jetës”, Yllza Nikqi ka thënë se kjo qendër telefonike i ndihmon personat që të mos ndihen të paragjykuar për përjetimet e tyre.

    Megjithatë shqetësuese, sipas saj, mbetet mos mbështetja institucionale shtetërore.

    “Zakonisht, kemi mbi 300 thirrje brenda muajit. Çka ma së shumti iu ndihmon thirrësve tonë, vetëm hapësira që ne ua japim personave që kanë mendime për vetëvrasje, që mos të ndihen të paragjykuar për përjetimet e tyre…Sa i përket mbështetjes institucionale prej shtetit, në kuadër të kësaj është edhe krijimi i shërbimeve që merren specifikisht me këtë çështje dhe njëra prej tyre është institucionalizimi i Linjës së Jetës. Nëse vetëm keni nevojë për të biseduar me dikë që nuk e njihni dhe që ju dëgjon pa paragjykime, Linja punon prej orës 14:00- 02:00 të mëngjesit,” ka thënë Nikqi.

    Ndërsa, psikologu Petrit Thaçi thotë për KosovaPress se është shumë e rëndësishme të analizohet mënyra se si ata komunikojnë e sidomos nëse tregojnë koncepte të pavlefshme për jetën. Ai ka treguar edhe moshën e personave që dominon më së shpeshti në çrregullimet e depresionit.

    “Është e rëndësishme të shikohet edhe mënyra se si ata komunikojnë dhe çfarë flasin, sidomos nëse shohim se tregojnë koncepte të pavlefshme për jetën, një humbje kuptimi të jetës, koncept i dashakeqësisë për veten ose për konceptin e jetës në përgjithësi, një sjellje e vetizolimit social, një sjellje që realisht tregon pakënaqësinë me gjërat që dikur personi ka ndier një lloj kënaqësie, lumturie dhe gëzimi. Klientela më e shpeshtë që mund të preket nga çrregullimet depresive është prej 20 deri në 30-vjeç,” ka thënë ai.

    Psikologu Thaçi ka edhe një mesazh për personat që kanë mendime të tilla.

    “Të gjithë kalojmë nëpër vuajtje dhe sfida, është e rëndësishme ta kuptojmë që jeta është dinamikë në lëvizje, gjërat nuk qëndrojnë statike në një kohë, për një moment të caktuar gjërat mund të duken të shëmtuara dhe të pavlefshme, por vjen një moment i ri që na hap dimensionet dhe perspektivat dhe pjesa tjetër e sugjerimit është që secili individ që mund të shohë persona të tillë të dyshimtë që kalojnë një gjendje të tillë emocionale dhe mentale në jetën e tyre, ta kenë parasysh se ndoshta një fjalë e tyre që mund të duket shumë minimale, e pavlefshme, shumë e rëndësishme drejtuar atyre mund të jetë shkas për shpëtimin e jetës së tyre,” është shprehur Thaçi.

    Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se përgjatë periudhës 1 janar deri më 16 maj 2024 janë vetëvrarë 11 persona. Ndërsa ky numër gjatë vitit të kaluar ka qenë 42.

    Të gjithë ata që janë në një gjendje jo të mirë mentale dhe kanë mendime t’i japin fund jetës, mund të kërkojnë ndihmë në “Linjën e Jetës” në 0800 12345 apo të kërkojnë ndihmën e psikologut.

    Në Ditën botërore të parandalimit të vetëvrasjeve, organizata “Linja e Jetës” ka dërguar peticionin për projektligjin për parandalim e vetëvrasjeve, ndërsa në ora 19:00 te Teatri Kombëtarë në Prishtinë, do të ndizen qirinj për të kujtuar të gjithë ata që i dhanë fund jetës së tyre. /kp