ATV

Author: ATVLive

  • Byroja Shtetërore, Kukaj: ‘Pacientët’ e parë të saj do të jenë zyrtarët e VV-së

    Byroja Shtetërore, Kukaj: ‘Pacientët’ e parë të saj do të jenë zyrtarët e VV-së

    Kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës në Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Diellza Kukaj ka thënë se sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se disa nene të tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

    Sipas saj, natyrisht, ekspertët ligjorë do të vlerësojnë nëse ndryshimet janë në përputhje me legjislacionin. Megjithatë, ajo ka shkruar në Facebook se ‘kur flasim për pasuritë e zyrtarëve të Vetëvendosjes-Guxo dhe familjarëve të tyre, të krijuara përmes tenderave njëburimorë dhe kontratave të klasifikuara, gjasat janë shumë të mëdha që kjo Byro të funksionalizohet në Qeverinë e ardhshme – dhe ‘pacientët’ e parë të saj do të jenë pikërisht zyrtarët e VV-së’.

    “Sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se disa nene të tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Natyrisht, ekspertët ligjorë do të vlerësojnë nëse ndryshimet janë në përputhje me legjislacionin. Megjithatë, kur flasim për pasuritë e zyrtarëve të Vetëvendosjes-Guxo dhe familjarëve të tyre, të krijuara përmes tenderave njëburimorë dhe kontratave të klasifikuara, gjasat janë shumë të mëdha që kjo Byro të funksionalizohet në Qeverinë e ardhshme – dhe ‘pacientët’ e parë të saj do të jenë pikërisht zyrtarët e VV-së”, shkruan ajo.

    Ndërsa, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar Projektligjin e ndryshuar për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.

  • ​Protestuesi “paqësor” Aleksandër Arsenijeviq me “maskat” ku u sulmua KFOR-i

    ​Protestuesi “paqësor” Aleksandër Arsenijeviq me “maskat” ku u sulmua KFOR-i

    Aktivistja e shoqërisë civile, Kaltrina Kamberi, ka thënë se politikani serb, Aleksandër Arsenijeviq duhet të mbahet përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj KFOR-it, meqë i njëjti është parë me pjesëtarë të maskuar të të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në Zveçan, kur janë sulmuar trupat paqeruajtëse.

    Kamberi përmes një shkrimi në “X” ka publikuar edhe një fotografi, ku shihet Arsenijeviq me persona të maskuar.

    “Aleksandar Arsenijeviq është parë me pjesëtarë të maskuar të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’ në Zveçan më 29.05.2023, ditën kur janë sulmuar trupat e KFOR-it. Shumë nga këta persona të maskuar ishin të përfshirë në sulmin terrorist në Banjska më 24.09.2023”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj, nevojiten veprime të menjëhershme për ta mbajtur atë përgjegjës.

    “Përfshirja e tij në orkestrimin e dhunës dhe trazirave është evidente dhe duhet dënuar. Nevojiten veprime të menjëhershme për ta mbajtur atë përgjegjës”, ka përfunduar ajo.

    Arsenijeviq njihet për veprime provokuese, për cka edhe është arrestuar disa herë nga Policia e Kosovës.

  • Gërvalla për mediat turke për Urën e Ibrit: Nuk po e hapim tani, po bëhemi gati ta bëjmë kur është e përshtatshme

    Gërvalla për mediat turke për Urën e Ibrit: Nuk po e hapim tani, po bëhemi gati ta bëjmë kur është e përshtatshme

    Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dhënë një intervistë për mediumin turk në gjuhën angleze “TRT World”, ku ka folur për shumë tema të dialogut, përfshirë çështjen e Urës së Ibrit. Në këtë intervistë, Gërvalla ka thënë se ura nuk po hapet tani, duke shtuar se vetëm po “përgatitet situata”.

    Gërvalla vlerësoi se nuk ka asgjë të keqe që të hapet ura dhe se ura është një nga simbolet e fundit në Kosovë të Sllobodan Millosheviqit, ish-president autoritar i Jugosllavisë dhe ish i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, që gjerësisht njihet si “Kasapi i Ballkanit”.

    Gërvalla u pyet pse atëherë të hapet kjo urë tani. Kryediplomatja kosovare tha se janë duke u kryer disa përgatitje “për ta hapur atë në një moment të përshtatshëm”.

    “Nuk po e hapim tani. Ne jemi duke u bërë gati për të hapur në një moment kur është e përshtatshme për qytetin, qytetarët dhe për vendin tonë. Pra derisa po përgatitemi, ne jemi duke i bërë të gjitha çështjet teknike që janë të nevojshme, sepse kjo urë nuk është përdorur për një kohë për automjete dhe ne jemi duke i bërë të gjithë hapat teknikë. Ne jemi duke u përgatitur në takimin me qytetarët në të dy pjesët e qytetit përmes kryetarëve dhe politikanë të tjerë. Pra ne jemi duke e përgatitur situatën që hapja e urës të jetë një ditë hareje për të gjithë”, tha Gërvalla.

  • Konjufca e Spiropali bëjnë nderime pranë memorialit “Heroinat”

    Konjufca e Spiropali bëjnë nderime pranë memorialit “Heroinat”

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, kanë bërë nderime pranë memorialit “Heroinat”, raporton EO.

    Kujtojmë që kryeparlamentarja Spiropali po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë. Fillimisht, ajo është pritur nga homologu i saj kosovar, Glauk Konjufca me ç’rast mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për media. Më pastaj, Spiropali është pritur në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

  • Themelohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë e Pyjeve

    Themelohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë e Pyjeve

    Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Komisionit Ad-hoc të Pranimit për pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Pyjore të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, raporton Ekonomia Online.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se formimi i këtij Komisioni është një hap thelbësor për të garantuar që kjo agjenci të drejtohet nga një individ me integritet të lartë.

    “Është institucion kryesor që merret me zbatimin e politikave për pyjet e Kosovës. Për një zhvillim të qëndrueshëm që tashmë qeveria ka dhënë dëshmi, detyrat kryesore do të përfshinë vlerësimin e aplikimeve dhe përzgjedhjen e kandidatëve më të përshtatshëm, realizimin e testeve për kandidatët. Formimi i këtij komisioni është një hap thelbësor për të garantuar që kjo agjenci të drejtohet nga një individ me integritet të lartë”, ka thënë Peci.

  • Rritje alarmante e kafshimeve nga qentë endacakë, 112 raste të raportuara deri më tani

    Rritje alarmante e kafshimeve nga qentë endacakë, 112 raste të raportuara deri më tani

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka raportuar rritje të numrit të rasteve që kërkojnë trajtim mjekësor pas kafshimeve nga qentë endacakë.

    Sipas statistikave të Klinikës Emergjente, që nga 1 janari e deri më tani, janë regjistruar 112 raste të pacientëve me lëndime trupore të shkaktuara nga kafshimet, disa prej të cilave kanë qenë të rënda dhe kanë kërkuar spitalizim në Klinikën Infektive.

    “Numri i rasteve është në rritje krahasuar me vitin e kaluar, kur kishim regjistruar 84 raste të tilla. Disa prej pacientëve kanë pasur lëndime që rrezikojnë jetën,” thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

    Institucioni apelon tek Komuna e Prishtinës dhe institucionet e tjera përgjegjëse për një zgjidhje të shpejtë, duke theksuar se QKUK është institucion shëndetësor dhe nuk duhet të shndërrohet në një vend ku rrezikohet jeta e qytetarëve për shkak të kafshimeve nga qentë endacakë.

    “QKUK është institucion që kujdeset dhe ofron shërbime shëndetësore, andaj nuk duhet të rrezikohet jeta e pacientëve, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë,” thekson SHSKUK.

  • Bajrami: Për katër vjet të Qeverisë Kurti korrupsioni kapë shumën prej 273 milionë Euro

    Bajrami: Për katër vjet të Qeverisë Kurti korrupsioni kapë shumën prej 273 milionë Euro

    Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Qeverinë Kurti për korrupsion. Ajo ka thënë se për katër vjet të qeverisjes së kryeministrit Kurti, “korrupsioni kapë shumë prej 273 milionë euro”.

    Bajrami ka shtuar se Kurti nuk e lufton korrupsionin dhe sipas saj kësaj kauze nuk i beson as presidentja Osmani e “lëre më qytetarët e vendit”.

    “Për katër vjet të Qeversië Kurti korrupsioni kapë shumën prej 273 milionë Euro. Albin Kurti nuk e lufton korrupsionin, nuk e ka bërë që katër vite, kësaj kauze tanimë nuk i beson as Vjosa Osmani e lere më qytetarët e vendit.”

    Bajrami i është drejtuar kryeministrit Kurti duke i thënë se kanë nënshkruar 2123 kontrata njëburimore në vlerë prej 273 milionë euro.

    “Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik prej 21 marsit të vitit 2021, kur ju jeni bërë Kryeministër me 51% të votave deri më 1 shtator të vitit 2024 vetëm në nivelin qendror janë lidhë 2123 kontrata të nëgociuara (njëburimore) në vlerë prej 273 milionë Euro, prej tyre 134 kontrata janë kontrata për herë të parë, ndërsa 775 kontrata janë aneks-kontrata.”

    Ajo ka thënë se 273 milionë euro të buxhetit të Kosovës kanë përfunduar “te dostat”.

    Bajrami ka shtuar se “të korruptuarit kurrë nuk e luftojnë korrupsionin se ju duhet me luftu vetën”.

    “273 milionë Euro, para këto të buxhetit të Kosovës kanë përfundu te ‘dostat’, pa asnjë procedurë prokurimi siç e kërkon Ligji, janë kry negociatat në katër sy. Të korruptuarit kurrë nuk e luftojnë korrupsionin, se ju duhet me luftu vetën. Unë ju bëj thirrje organve të drejtësisë që sa më parë të merren me këto 2173 kontrata njëburimore dhe të korruptuarit ta marrin denimin e merituar.”

  • Qeveria e emëron Bekim Hoxhën, drejtor të AUV-it

    Qeveria e emëron Bekim Hoxhën, drejtor të AUV-it

    Qeveria e Kosovës e ka emëruar drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën, raporton EO.

    Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, kryeministri Albin Kurti e ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kanë lavdëruar punën e komisionit rekrutues.

    Ministri Peci ka thënë se Hoxha ka përgatitjen e duhur në nivel akademik e institucional.

    “Miratimi i këtij propozim-vendimi përbën një hap të rëndësishëm në menaxhimin dhe drejtimin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinarisë, si Agjensioni kyç në implementimin e politikave të zhvillimit bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore në vendin tonë. Komisioni rekrutues ka qenë i përbërë nga ekspertë të jashtëm të cilët kanë vlerësuar kandidatin më të përgatitur për të marrë këtë pozicion dhe që është zotëri Bekim Hoxha. Zotëri Hoxha ka përgatitje të nivelit akademik si dhe në aspekt të pjesëmarrjes. Në aspektin e përgatitjes akademike e ka të përfunduar universitetin shtetëror të Zagrebit është master në zhvillimi rural. Hoxha ka ushtruar disa pozita në nivel të institucioneve”, ka thënë Peci.

  • ​Konjufca për aktakuzën e ngritur në rastin Banjska: Më mirë vonë se kurrë

    ​Konjufca për aktakuzën e ngritur në rastin Banjska: Më mirë vonë se kurrë

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka komentuar ngritjen e aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë.

    Ai tha se është lajm i mirë, teksa shtoi se “më mirë vonë se kurrë”.

    “Ky po që është një lajm i mirë dhe një lajm për të cilën nuk dua të jap kritikat. Kësaj i shkon një frazë që ‘më mirë vonë se kurrë’ dhe kështu ka ndodhur”, tha Konjufca.

    Teksa foli për procesin e dialogut, Konjufca shtoi se në këtë proces Kosova nuk është e barabartë.

    “Serbia favorizohet dukshëm në procesin e dialogut. E kemi parë gjithmonë dhe po vazhdojmë ta shohim edhe sot”, shtoi Konjufca.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se sot është ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

  • ​Qeveria miraton Projektligjin për byronë dhe Programin për mbrojtje gjithëpërfshirëse

    ​Qeveria miraton Projektligjin për byronë dhe Programin për mbrojtje gjithëpërfshirëse

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ndryshuar për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.

    Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se projektligji për byronë është ndër më të rëndësishmit të ekzekutivit, derisa shtoi se pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji i njëjti do bëhet si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare

    “Pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet. Jetësimi i konceptit civil si zotim i yni përveç se do ta ruajë pasurinë publike dhe do t’ia kthejë shtetit atë që është përfituar jashtëligjshëm, byroja do të shërbejë si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, tha ai.

    E ndryshimet e projektligjit i paraqiti ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se në Projektligjin e ri për byronë janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

    “Pas aktgjykimit të Gjykatës ne nuk kemi draftuar një projektligj të ri, pasi s’ka pas nevojë për këtë. Ne kemi adresuar vetëm katër çështje që i përmend edhe veti kryeministri që janë vlerësuar në kundërshtim me kushtetutën. Së pari adresimi i retroaktivitetit të ligjit, ndryshimi i ri ka përfshirë konceptin e pamundësisë objektivave si një element kyç procedural që ofron një mekanizëm mbrojtës për ata që nuk mund të ofrojnë prova për shkak të kalimit të kohës apo faktorëve të tjerë objektiv. Kjo qasje e re ndihmon në garantimin e një procesi më të drejtë dhe më të qartë për të gjitha palët e përfshira në procedurë të konfiskimit. Qartësia e periudhave kohore për verifikimin e pasurisë. Gjykata kushtetuese ka theksuar nevojën për qartësi dhe para shikueshmëri për periudhat kohore që Byroja mund të mund të verifikojë pasurinë e fituar. Ndryshimet e reja sigurojnë se përudha e verifikimit të pasurisë të lidhet me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vite pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik nëse vlerësohet se pasuria është më e lartë sesa të ardhurat e ligjshme”, tha ajo.

    Në anën tjetër, kreu qeveritar duke folur për nevojën e miratimit të Programit Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirës, tha se i njëjti synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në mënyrë që shoqëria të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbet në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.

    “Bazuar në programin tonë qeverisës, ndryshimeve në ambientin strategjik të sigurisë dhe me qëllim të forcimit të sistemit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar programin kombëtar për mbrojtjen gjithëpërfshirëse. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme konvencionale dhe jokonvencionale dhe ruajtja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve në raste të fatkeqësisë natyrore janë interesa jetike të Republikës së Kosovës. Programi është hartuar duke marrë për bazë sisteme të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s. Ky program synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në vendin tonë në mënyrë që shoqëria jonë të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbët në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura. Sistemi ka në thelb mbështetjen që qytetarët ia japin në baza vullnetare ushtrisë sonë, FSK-së, por edhe të kombinuar me strukturat tjera shtetërore”, tha kreu qeveritar.

    Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se programi nuk ndërhyn në zhvillimin e FSK-së, por mundëson që qytetarët vullnetarisht të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë

    Sipas tij, ky program është mbështetur në shtatë shtylla: Funksionimin shtetëror në raste krizash, organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit, mbajtjen e funksioneve vitale dhe shërbimeve esenciale të shtetit, qëndrueshmërinë shtetërore, qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetërore, mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe edukimin e të rinjve dhe të rejave.

    “Ky sistem nuk ndërhynë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, por njëkohësisht mundëson që qytetarët vullnetarisht të ketë rolin e tyre në sistemin tonë të mbrojtjes dhe sigurisë. Përderisa FSK-në po e zhvillojmë dhe ndërtojmë në përputhje me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, në programin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse po vendosim bazën për përgatitjen dhe edukimin e qytetarëve dhe institucioneve për rolin e tyre në sistemin mbrojtës, për mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe dezinformatave dashakeqe, për të siguruar vijimësimin e funksionimit të furnizimeve dhe shërbimeve esenciale në situata krize dhe për të punuar në funksionalizimin e strehimoreve kolektive dhe aktivitete të tjera”, ka thënë Maqedonci.

    Qeveria e Kosovës po ashtu e emëroi drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën.

    Krahas këtyre, Qeveria miratoi edhe koncept-dokumentin për ndihmë juridike falas dhe Projektligjin për kontabiliteti, raportim financiar dhe auditim./KP/