ATV

Author: ATVLive

  • ​Kapet me patentë-shofer të falsifikuar, arrestohet një person në Gjilan

    ​Kapet me patentë-shofer të falsifikuar, arrestohet një person në Gjilan

    Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person në Gjilan nën dyshimet se ka blerë me para një patentë shofer fals.

    Patentë shoferi është sekuestruar nga i dyshuari dhe nga departamenti për patentë shoferë është vërtetuar se i njëjti nuk është lëshuar nga institucioni përkatës.

    Gjatë hetimeve, i dyshuari ka pranuar se këtë patentë shofer të falsifikuar e kishte pranuar nga një person i panjohur dhe se kishte paguar një shumë parash për ta siguruar patentën.

    Prokurori i çështjes ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.

  • Maqedonci pret në takim ekipin e komunikimit nga Garda Kombëtare e Iowas

    Maqedonci pret në takim ekipin e komunikimit nga Garda Kombëtare e Iowas

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se sot është takuar me ekipin e komunikimit nga Garda Kombëtare e Iowas.

    Në këtë takim, Maqedonci thotë se është diskutuar për arritjet e FSK’së në bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Iowëas si dhe për aktivitetet e realizuara gjatë kësaj vizite.

    Maqedonci ka shtuar se kontributi që Garda Kombëtare e Iowas kanë dhënë në funksion të ngritjes së kapaciteteve të komunikimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka qenë mjaft domethënës dhe i vlefshëm për ne.

    Ai tha se bashkëpunimi me Gardën e Iowas do të vazhdojë në të ardhmen.

    Njoftimi i plotë:

    Në Ministrinë e Mbrotjes i Mbrojtjes sot së bashku me Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari pritëm në takim ekipin e Komunikimit nga Garda Kombëtare e Iowas.

    Në këtë takim u diskutuam për arritjet e FSK-së në bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Iowas si dhe për aktivitetet e realizuara gjatë kësaj vizite që qëllim primar kishte thellimin e njohurive teknike për pjesën e sistemeve të IT-së, kapacitetet e mbrojtjes kibernetike dhe kapacitetet e radio komunikimit taktik.

    Kontributi që Garda Kombëtare e Iowas kanë dhënë në funksion të ngritjes së kapaciteteve të komunikimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka qenë mjaft domethënës dhe i vlefshëm për ne.

    Bashkëpunimi md Gardën Kombëtare të Iowas për ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

  • ​Kombëtarja U17 e përmbyllë me sukses kampin parapërgatitor

    ​Kombëtarja U17 e përmbyllë me sukses kampin parapërgatitor

    Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e meshkujve, e ka përmbyllur me sukses grumbullimin pesëditor në Kampin Nacional në Hajvali. Përzgjedhësi Arbnor Morina, kishte të ftuar gjithsej 24 futbollistë, nga kampionati vendor dhe nga jashtë vendit, të lindur më 2008.

    Gjatë këtij grumbullim, Kosova U17 ka zhvilluar dy ndeshje kontrolluese me 2 Korrikun dhe Ballkanin, me ç’rast në të dy takimet Kosova ka shënuar fitore, ani pse rezultati nuk ishte prioritet.

    Përzgjedhësi Morina u shpreh i lumtur që për herë të parë janë grumbulluar futbollistë nga diaspora dhe Kosova, të cilët kanë zhvilluar stërvitje dhe kanë luajtur bashkë. Kjo do t’i ndihmojë atij për ta bërë përgjedhjen e duhur të ekipit të Kosovës, i cili do të paraqitet në ndeshjet kualifikuese të cilat zhvillohen nga 7 deri më 15 tetor në Genk të Belgjikës.

    Kosova U17 ndodhet në grupin e 4-t të Ligës B, bashkë me Belgjikën, Ukrainën dhe Kazakistanin

    Ndërsa ndeshjen e parë të raundit të parë e zhvillon me 9 tetor ndaj Ukrainës.

  • BE mirëpret aktakuzën për Banjskën: Gjykata duhet të vendos për fajtorët

    BE mirëpret aktakuzën për Banjskën: Gjykata duhet të vendos për fajtorët

    Ditën e djeshme, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave përgjegjës për sulmin terrorist në Banjska, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator të vitit të kaluar.

    Ky hap i drejtësisë kosovare është mirëpritur nga Bashkimi Evropian.

    Zëdhënës i BE-së Peter Stano, në një konferencë për media është duke pritur tash vendimin e gjykatës.

    Ai theksoi se Serbisë vazhdimisht i është kërkuar të bashkëpunojë lidhur me rastin.

    “BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe ka ngre aktakuzat relevante. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tash nis procesi gjyqësor. Ne presim përfundimin e procesit”, tha Stano.

    “Presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë në hetim të këtij sulmi. Kjo është pritja e BE-së dhe qëndron ende dhe ne e përcjellim mesazhin vazhdimisht te partnerët tanë në Serbi. Kemi thënë atëherë në fund shtatorit të vitit të kaluar se ky sulm përbënte një eskalim të qartë e paprecedentë dhe do të ketë pasoja. Kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor e kush është përgjegjës apo pafajshëm, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi”, ka theksoi ai.

    “Ne kemi një gamë të instrumenteve që mund të përdorim në konsultim me shtetet anëtare. Nuk jem ende aty. Procesi gjyqësor ka nisur. Me rëndësi hetimi ka përfunduar. Tash gjykata duhet të vendosë nëse përfundimet e hetimit janë të kënaqshme. Do të shohim përfundimin”, shtoi zëdhënësi i BE-së.

    Peter Stano, gjatë konferences tha se BE-ja vazhdimisht kishte insistuar se është në pritje të përfundimit të hetimeve për të marrë veprime. Por, Stano të enjten ka thënë se është normale që duhet pritur përfundimi i procesit gjyqësor.

    “Është logjike çdo hetim pasohet nga procesi gjyqësor. Hetimi krijon konludimet e caktuar e ato dorëzohen në formë aktakuze. Tash procesi gjyqësor nis. Kjo është procedurë gjyqësore dhe nuk të ndërhyhet. Është pjesë procesi. Kur përfundohet e gjitha, atëherë është koha për të tjerët të komentojnë e t’i nxjerrin pasojat”, tha Stano.

    Po ashtu, Stano u pyet nëse BE-ja do të insistojë që Milan Radoiçiq të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë se qëndrimi gjithmonë ka qenë i qartë se “Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht”.

  • ​Thellimi i biznesit, Bullgaria e Kina së shpejti me linjë direkte ajrore

    ​Thellimi i biznesit, Bullgaria e Kina së shpejti me linjë direkte ajrore

    Presidenti Rumen Radev pret që një degë e bankës kineze të hapet në Bullgari dhe të nisë një linjë ajrore direkte Pekin-Sofje për të rritur marrëdhëniet e biznesit midis dy vendeve.

    Duke folur në një ngjarje me produkte dhe shërbime kryesore kineze dhe takime biznesi bullgaro-kineze në qendrën e konventave të NDK në Sofje të enjten, Radev vuri në dukje se këtë vit të dy vendet shënojnë 75 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

    “Nuk duhet të harrojmë se Bullgaria është vendi i dytë në botë që ka njohur Republikën Popullore të Kinës. Madje bëj shaka se vendi i parë që e njohu atë [Bashkimin Sovjetik] pushoi së ekzistuari zyrtarisht, duke lënë Bullgarinë praktikisht. Ky përvjetor është një rast për të parë marrëdhëniet tona dhe besoj se takimet e sotme do ta thellojnë dhe zgjerojnë këtë bashkëpunim”, tha Radev.

    Presidenti shpreson se takimet në panairin do të sjellin rezultate praktike në marrëdhëniet Bullgari-Kinë.

    Ai kujtoi se gjatë vizitës së tij zyrtare në Pekin në vitin 2019 nënshkroi një deklaratë me homologun e tij kinez Xi Jinping për krijimin e një partneriteti strategjik midis Bullgarisë dhe Kinës.

    “Pas kësaj deklarate, unë ende pres që të ndodhin disa gjëra. Së pari, të kemi një degë të një banke kineze në Bullgari për të forcuar marrëdhëniet e biznesit dhe së dyti, të kemi një shërbim ajror të drejtpërdrejtë midis Pekinit dhe Sofjes në mënyrë që biznesi. dhe turizmi do të rritet.”

    “Vitet e fundit Kina është vendosur si një partner shumë i rëndësishëm i Bullgarisë dhe ky vend ka respekt të madh për Kinën”, tha Radev. Ai kujtoi se në qershor, një investitor kinez krijoi një prani industriale me një fabrikë në Plovdiv për komponentët e aluminit për automjetet elektrike.

    “Shpresoj se ky është hapi i parë, por jo i fundit, dhe ne nuk kemi ende bashkëpunim reciprokisht të favorshëm. Ky panair tregtar është dëshmi e suksesit të madh të Kinës, veçanërisht në prodhimin e automjeteve elektrike. Bullgaria gjithashtu ka pasur një sukses të madh në vitet e fundit dhe Sektori i automobilave është një nga industritë e tij me rritje më të shpejtë, me mbi 350 kompani dhe 11% të PBB-së”, tha Radev. Sipas tij, nuk ka asnjë makinë të prodhuar në Evropë që të mos ketë një komponent nga Bullgaria.

    Përveç sektorit të automobilave, Bullgaria dhe Kina mund të bashkëpunojnë në më shumë sektorë.

    Radev prezantoi kushtet për të bërë biznes në Bullgari dhe u bëri thirrje kompanive kineze që të përfitojnë prej tyre.

    “Besoj se sot përmes dialogut do të shfaqen më shumë mundësi të reja. Unë dua të ndaj pritjeve të Bullgarisë për tregti edhe më të balancuar. Ky vend mund të bëjë shumë më tepër për të lehtësuar të gjitha procedurat për tregtinë e ekuilibruar, që aktualisht është 4 miliardë dollarë dhe nëse vazhdojmë kështu, në të ardhmen e parashikueshme do të bëhen 10 miliardë dollarë”. /BTA

  • ​Mungojnë deputetët, dështon vazhdimi i seancës

    ​Mungojnë deputetët, dështon vazhdimi i seancës

    Vazhdimi i seancës së sotme plenare ka dështuar për shkak të mungesës së deputetëve.

    Vazhdimi i seancës ishte paraparë të nis në orën 14:30, por nisi në orën 15:00. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nisi seancën duke i rekomanduar deputetëve që mos t’i ndërrojnë vendet për shkak të instalimit të paisjeve të reja. Ai tentoi të votohet njëri nga projektligjet por nuk kishte kuorum.

    Konjufca shtoi se ka menduar që deputetët mezi e kanë pritur sesionin vjeshtor i cili nisi sot, por siç duket jashtë ka gjëra më interesante. Në fund mbylli seancën për të vazhduar ditëve në vijim për shkak se në sallë ishin vetëm 57 deputetë.

  • Lansohet projekti “siguria e fëmijëve në trafik”, Aliu e Nagavci e vlerësojnë si sfidë e objektiv kryesor

    Lansohet projekti “siguria e fëmijëve në trafik”, Aliu e Nagavci e vlerësojnë si sfidë e objektiv kryesor

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTi) dhe me ndihmën e organizatës GIZ, kanë lansuar projektin “Siguria e fëmijëve në trafik”.

    Ky projekt u lansua nw shkollwn fillore “Naim Frashëri”, me aplikacionin i cili do të jetë për fëmijët nga 6 deri 12 vjeç.

    Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu ka thënë se kjo është një ndër sfidat themelore të MMPHI-së.

    “Shpikjet e reja, dinamika e vazhdueshme në zhvillim e mobilitet e ka të domosdoshme të përcillet paralel me të edhe çështja e sigurisë në trafik e që për vendin tonë paraqet një sfidë mjaft të madhe, e që është ndër sfidat themelore të ministrisë sonë, kur bëhet fjalë për pjesën e transportit. Edhe në qytetet tona ka plane të reja të mobilitetit dhe të synohen zhvillime investime të reja e që synohet përherë mobiliteti jonë të orientohet nga ai i gjelbëri që të kemi sa më pak ndikime negative në mjedis,” ka thënë Aliu.

    Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur se objektivi kryesor i platformës që është lansuar sot është ofrimi i sigurisë fizike.

    “Ofrimi i sigurisë fizike për më të vegjlit tanë është objektivi kryesor i platformës që po lansohet sot dhe është një projekt tejet i rëndësishëm e i qëlluar ministrisë së mjedisit, me mbështetjen e GIZ-it gjerman dhe në këtë kuadër si ministri e arsimit përpos që kemi dhënë kontributin tonë është edhe një nga aktivitetet e punët e shumta që bëjmë me lidhje për kujdesin për sigurinë e fëmijëve,” është shprehur Nagavci.

    Po ashtu, Zëvendës-ambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad, ka theksuar se ky projekt nuk është vetëm për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së fëmijëve e sigurisë rrugore, por gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin dhe të kuptojë më mirë sigurinë rrugore, si një element vendimtar dhe drejt integrimit në BE.

    “Ky program synon të angazhojë nëpunësit civilë dhe t’i shndërrojë ata në agjentë të ndryshimit në kuadër të integrimit në BE. Ai përdor ekspertizën e shërbimit civil dhe na shtyn, domethënë burokracitë dhe ministritë, administratën, të shkojmë përtej kufijve tanë dhe të dalim me zgjidhje inovative. Nuk është vetëm për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së fëmijëve, në përmirësimin e sigurisë rrugore, por ka gjithashtu një element shumë, shumë të rëndësishëm dhe që është të rrisë ndërgjegjësimin dhe të kuptojë më mirë sigurinë rrugore si një element vendimtar edhe drejt integrimit në BE,” ka theksuar ai.

    E në këtë lansim, padyshim që nuk mungoi as Policia e Kosovës, e cila ndikon në trafikun rrugor e në sigurinë e trafikut.

    Kapiteni i Policisë së Kosovës, Sulejman Halili ka shtuar se në ditët e sotshme patriotizëm është të shpëtosh jetën e njeriut me aktivitete të tilla.

    Ai ka deklaruar se në 5 vitet e fundit në Prishtinë kanë humbur jetën 63 këmbësorë.

    “Sot patriotizëm është me shpëtua jetë njeriu, me aktivitete të tilla siç ka ofruar edhe GIZI-i, është shumë me rëndësi se policia e trafikut edhe në të kaluarën ka dhënë në kontribut jashtëzakonisht shumë të madh… 28:20 Vetëm në 5 vitet e fundit në regjionin e Prishtinës, kanë humbur jetë 63 këmbësorë”, ka shtuar Halili. /kp

  • ​Osmani nderohet në Gjermani me çmimin Sanssouci Colloquium

    ​Osmani nderohet në Gjermani me çmimin Sanssouci Colloquium

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Gjermani për ta pranuar çmimin e forumit ndërkombëtar M100 Sanssouci Colloquium, i cili mbahet një herë në vit qe nga 2005 në Potsdam.

    Nominimi i Osmanit është bërë nga juria e Forumit dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe për barazinë dhe të drejtat e grave.

    Laudation për presidenten Osmani do ta mbajë Rudolph Scharping, ish-ministër i mbrojtjes i Gjermanisë gjatë luftës në Kosovë.

    Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane.

    Laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra.

    Ky forum ndërkombëtar udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdam-it Mike Schubert.

    Ndryshe, deri më tash me këtë çmim janë nderuar edhe Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Nawalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane.

  • ​Shkatërrohen rreth 1 mijë armë e pajisje ilegale

    ​Shkatërrohen rreth 1 mijë armë e pajisje ilegale

    Policia e Kosovës sot ka shkatërruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisje të ndryshme të paligjshme, duke dërguar një mesazh te të gjithë qytetarët se Kosova është e vendosur për të mbajtur sundimin e ligjit, për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike si dhe për të larguar armët ilegale.

    Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, UNDP-ja dhe Zyra e BE-së thanë se shkatërrimi i këtyre armëve kontribuon në krijimin e një mjedisi që shpëton jetë njerëzish dhe parandalon tragjedi të mundshme.

    Në baza vjetore, policia konfiskon rreth 1.500 armë të llojeve të ndryshme, municion, mjete të ndryshme plasëse, duke përfshirë eksplozivet artizanalë, përderisa në këtë ceremoni me vendim të gjykatës është lejuar shkatërrimi i 993 armëve, prej tyre 372 armë të gjata dhe 621 shkurta, si dhe pajisje tjera.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, përfshirë armët ilegale, njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të raportojnë dhe të bashkëpunojnë me policinë, në mënyrë që të dorëzohen dhe të largohen armët ilegale nga duart e qytetarëve.

  • IKD gjen se mbi 5 mijë raste të pagave jubilare janë zgjidhur nga gjykatat në tri vitet e fundit

    IKD gjen se mbi 5 mijë raste të pagave jubilare janë zgjidhur nga gjykatat në tri vitet e fundit

    Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD), të enjten ka publikuar raportin “Kostoja e pagave jubilare të papaguara”, raport ky analitik lidhur me ndikimin financiar dhe gjyqësor të rasteve gjyqësore që përfshijnë pagat jubilare, raporton EO.

    Kjo pasi nga analiza e IKD-së rezulton se shuma mesatare e aprovuar për rastet e pagave jubilare në një proces gjyqësor është afërsisht 1 mijë e 300 euro. Gjithashtu, kostot mesatare procedurale kur kohëzgjatja mesatare është 2 vjet, arrijnë në rreth 300 euro.

    Studenti i Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi(IKD), Arton Salihi, gjatë prezantimit të raportit të IKD-së “Kostoja e pagave jubilare të papaguara”, tha se në bazë të të dhënave të siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), 5 mijë e 666 nga 15 mijë e 719 rastet e pagave jubilare, kanë përfunduar në tri vitet e fundit.

    “Kjo nënkupton se mbi 35% e këtyre rasteve janë trajtuar dhe zgjidhur nga gjykatat nëpër Kosovë”, tha Salihi.

    Studenti Salihi theksoi se 8 mijë e 76 raste vetëm janë regjistruar, pa ndonjë veprim të ndërmarrë nga gjykatat lidhur me këto raste. Si rezultat i kësaj, ai tha se më shumë se 51% të rasteve të pranuara në tre vitet e fundit nuk janë marrë në shqyrtim nga gjykatësit apo nuk ka pasur ndonjë progres drejt zgjidhjes së tyre.

    Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, theksoi se ky është raporti i parë analitik që shtjellon statistikat e pagave jubilare dhe ndikimin e tyre në drejtësi.

    Fjolla Maksuti, studente nga Klinika Ligjore e IKD-së, tha se shpenzimet vjetore të paguara nga shteti për paga jubilare kanë arritur deri në 10 milionë euro

    “Për të llogaritur vlerën në kohë të parasë, interesi penal i shtohet 16% shumës së 1 mijë e 300 eurove (8% për çdo vit për dy vjet), që arrin në 416 euro. Shtimi i kostove procedurale prej 300 euro rezulton në një kosto totale mesatare prej 1 mijë e 808 euro për një rast pagash jubilare”, tha ajo.

    “Kjo nënkupton se shpenzimet vjetore të paguara nga shteti për paga jubilare kanë arritur deri në 10 milion euro”, u shpreh Maksuti.

    Në anën tjetër, Jorik Vatovci, po ashtu student nga Klinika Ligjore e IKD-së, theksoi se paga jubilare është pagë shtesë që i jepet punëtorit në bazë të kontratës kolektive apo ndonjë akti të brendshëm institucional dhe se baza ligjore e saj është përcaktuar me Ligjin e Punës.

    “Për më tepër, Ligji i Punës përcakton se “Kontrata Kolektive nuk duhet të përfshij asnjë të drejtë më pak të favorshme për punëdhënësin dhe punëtorin se të drejtat e përcaktuara në ligj. Kjo nënkupton se Kontrata Kolektive nuk mund të përcaktojë më pak të drejta se sa ato të garantuara me ligj”, tha Vatovci.

    Arrita Rezniqi, menaxhere e programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të raportit “Kostoja e pagave jubilare të papaguara” tha se Ministria e Financave duhet të ndajë buxhet të nevojshëm për komunat lidhur me pagat jubilare.

    Rezniqi tha se ky dikaster duhet të ndajë buxhetin e nevojshëm për komunat për paga jubilare përmes Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    “Në mënyrë që rastet e pagave jubilare të zgjidhen përmes rrugëve administrative, pa pasur nevojë të adresohen në gjykatë. Kjo do të mundësonte që ndarja e mjaftueshme e mjeteve buxhetore, të përmbushte kërkesat e qytetarëve drejtpërdrejt, duke reduktuar kështu numrin e kontesteve që rrisin numrin e rasteve në gjykata”, u shpreh ajo.