ATV

Author: ATVLive

  • Gashi: Kjo Qeveri është shembulli më i keq i kujdesit ndaj të moshuarve

    Gashi: Kjo Qeveri është shembulli më i keq i kujdesit ndaj të moshuarve

    Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi ka deklaruar se për tri vite e gjysmë të kësaj qeverie, atyre nuk ju është ofruar asgjë dhe se pensionistë janë lënë në gjendje të mjerueshme.

    Për këtë ai ka thënë se qeveria aktuale është shembulli më i keq i kujdesit ndaj të moshuarve, duke bërë thirrje që VV-ja më mos të votohet.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Gashi ka thënë se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, krahas premtimeve nuk është ndërmarrë asgjë për pensionistët.

    “Ajo që ka ofruar Qeveria, do të thotë është një periudhë katër vjeçare që nuk ka ndërmarrë asgjë për çështjen e pensioneve, gjë që në aspektin ligjor e ka pasur obligim çdo vit me bë vlerësimin e kostos së inflacionet dhe në bazë të kostos jetësore me i ngrit pensionet, por një gjë të tillë nuk e ka bërë. Pensionistët momentalisht janë në gjendje të mjerueshme”, ka thënë Gashi.

    Sipas tij, Qeveria ka shkelur tri kategoritë më fragjile të shoqërisë, duke shtuar se nuk ka bërë asgjë për fëmijët, rininë dhe pensionistët.

    “Unë nuk ka shpjegim, nëse ata e kanë bërë me ndonjë paramendim, ajo është shumë më keq, vetëm mund të them zot falja mëkatet sepse nuk janë duke e ditur se çfarë po bëjnë. Ata kanë ardhur në pozitë me udhëhequr shtetin e Kosovës dhe sa i përket premtimeve të skemave sociale që i kanë premtuar gjatë fushatës, pikërisht këto skema i kanë shkelur tri kategoritë më fragjile të shoqërisë sonë. Për fëmijë nuk kanë bërë asgjë dhe jemi populli me shtimin më të ulët në Ballkan dhe në Evropë, pastaj nuk kanë bërë për rininë që po na dalin në vazhdimësi dhe për pensionistët që i ka lënë në gjendje të mjerueshme”, deklaroi ai.

    Ai foli edhe për mjetet e ndara për pensionistët, ku sipas tij, ato janë si lloj dhurate e “babadimërit”, që nuk paraqesin asgjë.

    Gashi theksoi se pensioni prej 100 euro është i papërballueshëm për jetesën në Kosovë.

    “Ato janë si lloj dhurate për babadimërit, ato nuk paraqesin asgjë, ajo duhet të rregullohet në bazë ligjore dhe me vendim të Kuvendit dhe të ngrisin pensionet sepse ajo nuk është asgjë. Nuk ka mundësi po e shihni se inflacioni na shkuar deri në 200 për qind dhe nëse diçka kemi blerë para tre vitesh me një euro sot e blen me tre euro dhe nuk ka shanc dhe nuk ka mundësi, por falë solidaritetit mes gjeneratave që e bëjnë në baza tradicionale sepse përndryshe kishin me vdekur njerëzit rrugëve”, theksoi Gashi.

    Gashi ka thënë se duke marr parasysh mos kujdesin e qeverise ndaj tyre, populli nuk duhet që ta votoj këtë qeveri, sipas tij, kjo Qeveri është shembulli më i keq sa i përket kujdesit të moshuarit.

    Pensioni ideal për pensionistët, sipas Gashit është për ata me përgatitje të mesme shkollore duhet me qenë diku 400-450 euro. Kurse ata me fakultet me qenë 500-600 euro.

    “Pensioni më i mirë do të kishte me qenë për ata me përgatitje të mesme shkollore me qenë diku 400-450 euro. Kurse ata me fakultet me qenë 500-600 euro. Jo me këtë qeveri nuk realizohet nuk ka shance, Qeveria tani është para fushatës zgjedhore tani më nuk i kemi as pesë muaj deri në kohën e zgjedhjeve, kështu që unë e thërras popullin mos ta votojnë më këtë Qeveri, sepse janë shembulli më i keq sa i përket kujdesit të moshuarit”, përfundoi ai.

  • Rohde uron Osmanin për çmimin që mori në Gjermani: Të ruhet liria e medias

    Rohde uron Osmanin për çmimin që mori në Gjermani: Të ruhet liria e medias

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka uruar Presidenten Vjosa Osmani për çmimin “M100 Media Award” me të cilin u nderua dje në Potsdam të Gjermanisë.

    Rohde ka thënë se ky çmim njeh përkushtimin e Osmanit ndaj lirisë së mediave, por thekson edhe pritshmërinë e fortë për angazhimin e vazhdueshëm në ruajtjen e saj, raporton Express.

    “Urime për Presidente Vjosa Osmani për marrjen e çmimit M100 Media në Potsdam 🇩🇪! Ky çmim jo vetëm që njeh përkushtimin tuaj ndaj lirisë së medias – një shtyllë kyçe e çdo demokracie – por gjithashtu thekson pritshmërinë e fortë për angazhim të vazhdueshëm në ruajtjen e saj!”, ka shkruar Osmani.

    Pas marrjes së çmimit, Osmani ka thënë se demokracia, sundimi i ligjit, integrimi i Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike, janë dhe do të jenë gjithnjë udhërrëfyes në rrugën përpara.

  • ​Hidhen me dron telefona dhe drogë brenda burgut të Peqinit

    ​Hidhen me dron telefona dhe drogë brenda burgut të Peqinit

    Katër grupe të forcave speciale kanë realizuar kontrolle brenda ambienteve të sigurisë së lartë të burgut të Peqinit të Shqipërisë.

    Sipas raportimeve, një dron në fluturim është konstatuar brenda burgut.

    Droni ose dronët (ende nuk dihet sa janë), kanë hedhur katër pako me telefonë, 8 karikues dhe doza me drogë dhe janë zbuluar nga kullat më të larta të vrojtimit që kanë dhënë alarmin.

    Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose ka urdhëruat gatishmëri dhe kontrolle të rrepta në qeli.

    Kanë qenë policët e rrethimit të jashtëm që kanë dëgjuar zhurmën e dronit dhe kanë dhënë alarmim.

    Ky është droni i dytë brenda pak ditësht pas atij të burgut të sigurisë së lartë në Burrel./TCh/

  • ​Ten Hag për kritikat e Ronaldos: Nuk i dëgjoj zhurmat nga jashtë

    ​Ten Hag për kritikat e Ronaldos: Nuk i dëgjoj zhurmat nga jashtë

    Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka hedhur poshtë kritikat e fundit të Cristiano Ronaldos duke thënë se zhurma e jashtme rreth klubit nuk e shqetëson atë.

    Duke folur me ish-bashkëlojtarin e United, Rio Ferdinand në një podcast, Ronaldo tha se Ten Hag kishte gabuar kur tha në një intervistë para-sezonale se klubi ishte “shumë larg” nga fitimi i Premierligës.

    Edhe pse Ronaldo vazhdoi të thoshte se ai gjithashtu mendonte se klubi i tij i vjetër nuk mund ta fitonte kampionatin, ai ndjeu, se trajneri Ten Hag po dërgonte mesazhin e gabuar.

    I pyetur për komentet e sulmuesit veteran Ten Hag tha se Ronaldo kishte thënë të njëjtën gjë, përcjellë KosovaPress.

    “Jo, ai tha këtë, nëse e lexoni shumë mirë artikullin,” tha Ten Hag. Ai ka të drejtë për mendimin e tij. Është në rregull. Ai është shumë larg në Saudi, shumë larg Mançesterit.”

    Pas humbjeve të njëpasnjëshme nga Brighton dhe Liverpool, United shkon në Southampton duke e ditur se humbja do t’i dënojë ata me fillimin e tyre më të keq që nga viti 1986-87, kur Ron Atkinson u shkarkua dhe u zëvendësua nga Sir Alex Ferguson.

  • ​SHBA shënon deficit buxhetor prej 380 miliardë dollarësh në gusht

    ​SHBA shënon deficit buxhetor prej 380 miliardë dollarësh në gusht

    SHBA shënoi një deficit buxhetor federal prej 380 miliardë dollarësh në gusht, sipas shifrave të publikuara dje nga Departamenti i Thesarit.

    Për muajin gusht, të ardhurat totale ose të ardhurat, ishin rreth 307 miliardë dollarë kundrejt shpenzimeve ose shpenzimeve totale prej 687 miliardë dollarësh.

    Për faturat, sigurimet shoqërore dhe pensioni ishin 131 miliardë dollarë, ndërsa taksat mbi të ardhurat individuale arritën në 137 miliardë dollarë.

    Për shpenzimet, sigurimet shoqërore ishin 124 miliardë dollarë, ndërsa shëndetësore ishte 129 miliardë dollarë.

    Për vitin fiskal 2024, i cili zgjat nga 1 tetori 2023 deri më 30 shtator 2024, deficiti buxhetor qëndron në pothuajse 1.9 trilionë dollarë, me afro 4.4 trilionë dollarë të ardhura kundrejt shpenzimeve pak se 6.3 trilionë dollarë. (AA)

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, vranësirat në pjesën e dytë të ditës vende-vende parashihen të shoqërohen me riga shiu.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-26 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-5m/s. Kushtet agrometeorologjike do të jenë në përmirësim e sipër, duke përfshirë edhe kushtet hidrike”, thuhet në njoftim.

  • ​Historia e rebelimit të madh në burgjet amerikane

    ​Historia e rebelimit të madh në burgjet amerikane

    Më 13 shtator 1971, afro 1 mijë e 500 policë dhe roje burgu sulmuan burgun shtetëror të Atikës në shtetin Nju Jork për të shtypur një nga rebelimet më të mëdha të burgjeve në historinë amerikane.

    Nëntë pengje dhe më shumë se 30 të burgosur u vranë nga plumbat e policisë gjatë sulmit. Rebelimi kishte shpërthyer më 9 shtator, kur një grup të burgosurish nuk pranoi të ndahej në grupe më të vegjël për të kryer punët e zakonshme të mëngjesit.

    Revolta u përhap, ndërkohë që të burgosurit filluan të thyenin dritaret dhe të digjnin orenditë e burgut. Brenda disa orësh, 1 mijë e 500 të burgosur iu bashkuan revoltës dhe morën peng dhjetëra punonjës të burgut.

    Vendimi për dërgimin e policisë u mor katër ditë pas dështimit të bisedimeve të vështira për lirimin e pengjeve.

    Të burgosurit u kishin paraqitur zyrtarëve një listë kërkesash, përfshirë përkujdesje më të mirë mjekësore, heqjen e censurës mbi materialet për lexim, lirinë fetare dhe një program për ”rehabilitim real” për t’i përgatitur të burgosurit për jetën jashtë mureve të burgut. Zyrtarët plotësuan disa prej kërkesave.

    Mirëpo, zyrtarët kundërshtuan kërkesat e të burgosurve që ata të mos gjykoheshin për vdekjen e rojeve të burgut dhe për pjesëmarrjen në rebelim./KP

  • ​Dita e çokollatës

    ​Dita e çokollatës

    13 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Çokollatës dhe ne do të zbulojmë historinë e njërës nga shoqërueset më besnike dhe më të dashura të ditëve tona.

    Çokollata është një produkt ushqimor industrial që ka për bazë kakaon. Përdoret për ushqim në formë të pastër dhe si gjysmë produkt në industri e kuzhinë.

    Fjala çokollate rrjedh nga pija e parë me përmbajtje të saj Xocóatl (Xócoc: ëmbël; atl: ujë; d.m.th “ujë i ëmbël”), e cila prodhohej nga Astekët. Kjo pije ka qenë ujë i përzier me kakao, vanilje dhe beber Cajen.

    Bima Theobroma Cacao (emri shkencor i kakaos) u klasifikua nga Lineu, duke pasur parasysh emrin dhe përdorimin e tij në qytetërimet që e përdornin në atë kohë.

    Historia e kakaos dhe çokollatës

    Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike mendohet të ketë qenë e pranishme mbi 6.000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko. Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakaos ishin majatë, rreth vitit 1000 p.e.s. Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës.

    Më vonë majatë dhe astekët filluan kultivimin e kakaos dhe më vonë të prodhonin çokollatë.

    Përveç përdorimit liturgjik e ceremonial, në Amerikë çokollata përdorej si pije e quajtur ksokoatl, shpesh e aromatizuar me vanilje, spec djegës e piper. Kjo pije përftohej e ftohtë ose e nxehtë duke i shtuar ujë ose përbërës të tjerë, si mielli e mineralet. Një tjetër mënyrë e përgatitjes ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë.

    Karakteristika e saj parësore ishte shkuma, e cila në antikitet përftohej duke e kaluar disa herë nga një enë në tjetrën. Pas pushtimit spanjoll filloi të përdorej “dybeku” (molinilo), i cili lëvizej poshtë e lart dhe kështu arrihej më shpejt shkuma aq e dëshiruar.

    Nuk mund të mos vihet re koincidenca e mënyrës së përgatitjes të pijes së kakaos me traditën afrikane të përgatitjes së çajit (tre cikle të njëpasnjëshëm përgatitje, çdonjëri prej të cilëve përftohet nga zierja e gjetheve të çajit, përzierja e përsëritur deri në arritjen e shkumës).

    Ksokoatl-i kishte si efekt lehtësimin e ndjesisë së lodhjes, gjë që lidhej me teobrominën që përmbante. Ai ishte një artikull luksi në gjithë Amerikën qendrore pre-kolumbiane; farat e kakaos përdoreshin si monedhë dhe si njësi matëse: në thesarin e perandorit Motekuhzoma (më i njohur si Montezuma), gjendeshin thuajse një miliard të tilla. Thuhet se ksokoatl-i kishte një shije të shkëlqyer.

    Hoze de Akosta, një misionar jezuit spanjoll që jetoi në Peru dhe më pas në Meksikë në fundin e shekullit XVI, shkruante: Jo e shijshme për ata që nuk e njohin, më një shkumë në sipërfaqe që nuk ka aspak shije të mirë. Gjithsesi, është një pije shumë e vlerësuar nga indianët, të cilët e përdorin për të nderuar fisnikët që përshkojnë vendin e tyre. Spanjollët, si burrat dhe gratë, të cilët janë mësuar me vendin, janë shumë xhelozë për këtë çokollatë. Thonë se përgatisin shumë lloje, të ngrohta, të ftohta, të vakëta dhe se i fusin shumë erëza; bëjnë me të dhe një brumë që sipas tyre është i mirë për stomakun.

    Vetëm në vitin 1502 kakao u njoh nga qytetërimi evropian: Kristofor Kolombo gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje; në kthim mori me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm me Hernando de Soto u arrit futja e kakaos në Evropë në mënyrë të përhapur, ishte viti 1519.

    Ai arriti në Amerikë nga Spanja. Perandori Montezuma e priti krahëhapur dhe i ofroi një plantacion të tërë me kakao.

    Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Evropës me qëllim tregtar udhëtoi mbi një anije nga Verakruzi në Sevilje në 1585. Çokollata shërbehej gjithmonë si pije, por evropianët dhe sidomos urdhrat e murgjve spanjollë, të cilët kishin një përvojë të gjatë me mishelat, i shtuan vaniljen dhe sheqerin për t’i hequr shijen e hidhur dhe ia hoqën piperin dhe specin djegës.

    Gjatë gjithë viteve 500, çokollata mbeti një ekskluzivitet i Spanjës, e cila ia zgjeroi kultivimin. Vetëm në vitet 600, nëpërmjet Toskanës, kakao arriti në Itali me anë të tregtarit fiorentinas Antonio Carletti dhe në 1615 në gjithë Evropën. Gjurmët e lidhjes së vjetër të Firences me çokollatën gjenden në disa libra të Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, ku gjenden dëshmi të shumta të shkruara duke filluar nga viti 1600 me një debat mbi çokollatën dhe konsumin e saj.

    Gjithmonë në Firence, nga viti 1680 gjenden gjurmë të shkruara mbi temën e çokollatës. Në 1680 botohet “Ndryshimet mes ushqimit dhe çokollatës…” të cilin e ndjekin në 1728: “Mendime rreth përdorimit të çokollatës”, “Letër ku ekzaminohen arsyetimet e autorit të mendimeve të para, rreth përdorimit të çokollatës”, “

    Në shekullin XVII u kthye në një luks mes fisnikëve të Evropës dhe holandezët, lundrues e zotët, ia morën Spanjës kontrollin botëror. Në Venecian e viteve 700 lindnin dyqanet e para të kafesë, paraardhësit e bareve të sotëm; ato ishin sigurisht dhe dyqane çokollate dhe ishin në garë për të ndryshuar recetat ekzistuese duke shpikur të reja. Në vitin 1790 “Gazeta Veneciane” dokumentoi përhapjen e produktit. Deri në fund të shek. XVIII çokollata konsiderohej si shëruese ndaj çdo gjëje dhe mendohej me veti mrekullibërëse.

    Brazili, Martinika dhe Filipinet e rritën kultivimin e kakaos; në të njëjtën kohë shumë qytete evropiane u shquan për përpunimin e çokollatës; një shembull ishte Torino i cili kishte një prodhim prej 350 kg në ditë, pjesa me e madhe eksportohej në Austri, Zvicër, Gjermani dhe Francë, ku pak nga pak përgatitja e pijeve të çokollatës u kthye në një pasion.

    Në fund të shek. XVIII çokollata e parë e ngurtë siç e hamë sot, u shpik në Torino nga Doret-i. Në 1802 Bozzelli shpiku një makineri për ta rafinuar brumin e kakaos e për ta përzier me sheqer e vanilje. Duhet të vinte viti 1820 që sistemi të vihej në punë dhe kubi i parë i çokollatës u prodhua në Angli.

    Në vitin 1826 Pierre Paul Caffarel filloi prodhimin e çokollatës në sasi të mëdha falë një makinerie të re, e cila mund të prodhonte mbi 300 kg çokollatë në ditë.

    Në vitin 1828 holandezi Conrad J. van Houten, e shpejtoi metodën e nxjerrjes së yndyrës nga farat e kakaos, duke i transformua në kakao pluhur dhe gjalpë kakaoje. Zhvilloi gjithashtu të ashtuquajturin “proces holandez”, i cili konsiston në trajtimin e kakaos me alkale për t’i hequr shijen e hidhur. Këto trajtime bënë të mundur prodhimin e çokollatës si ajo e sotmja.

    Çokollata e parë me përmasa më të mëdha se ajo e Doretit u prodhua në vitin 1847 nga Joseph Fry. Në vitin 1852, në Torino, Michele Prochet filloi të përziente kakaon me lajthi të shtypura e të pjekura, duke krijuar brumin Gianduia. Daniel Peter, një fabrikant zviceran qirinjsh, u bashkua me të vjehrrin për të prodhuar çokollatë.

    Në vitin 1867 filluan të fusnin edhe qumështin si përbërës dhe nxorën në treg çokollatën me qumësht në vitin 1875. Për të larguar ujin nga qumështi në mënyrë që çokollata të ruhej me gjatë, u ndihmua nga një fqinj, fabrikant ushqimesh për fëmijë, me emrin Henri Nestlè. Rudolph Lindt shpiku procesin e quajtur “conching”, i cili konsiston në mbajtjen për një kohë të gjatë të çokollatës së shkrirë për ta bërë mishelën homogjene.

    Në 1946 Pietro Ferrero shpiku një krem me çokollatë dhe lajthi me qëllim për t’i shitur disa kile pastiçerëve: produkti pati një sukses shumë më të madh nga ç’pritej dhe disa vjet më vonë, në vitin 1964, u krijua çokokremi, i cili u bë i famshëm në të gjithë botën.

  • Injorante dhe injorues

    Injorante dhe injorues

    Nëse doni të dini saktë qysh i kemi punët dhe pse i kemi kështu – veç shikojeni Kuvendin  e Kosovës – mesataren e përfaqësimit të popullit në institucione.

    Sot filloi sesioni vjeshtor i Kuvendit. Pika në rend dite 29 pika – ligje të miratuara 0, zilch, nada, sifir, nul! Deputetët e zgjedhur të këtij populli ishin në sallë vec paradite, kurse pas pauzës u zhdukën dhe seanca nuk vazhdoi sepse pati mungesë kuorumi.

    Pra, nëse dikush ka pritur që në muajtë e fundit, deputetët do të jenë më aktiv në Kuvend, do të tentojnë të kalojnë lije e të punojnë në komisione, me qëllim të të përmirësojnë demokracinë në vend – gabim e keni.

    Lajm në vete është në Kryetari i Kuvendit mungoi në pjesën më të madhe të seancës dhe atë e udhëhoqi Saranca Bogujevci. Kur mungon Kryetari i Kuvendit, s ka asnjë arsye që aty të vijnë Kryeministri e ministrat.

    Po edhe kur vinë Ministrat – qe tretmani

    Albulena vs. Saranda

    Në fakt sa e ka përbuzë ky kabinet qeveritar këtë përbërje të Kuvendit, më së miri ilustrohet me këtë bukuri prej deklarimit parlamentar.

    Pali

    Simpatik është Pali. Injorimi dhe injoranca nuk janë e njëjta gjë. Injorimi si mospërfillje është baaaash krejt i njëjtë me injorancën që i bie padituri.

    Përveç nëse Pali ka dashur të thotë që ministrat janë edhe të padijshëm, përveç se janë mospërfillës – kjo temë për tjera minuta.

    Mirëpo, margaritari i radhës nga z. Lekaj nuk e shmang problemin kryesor të këtij Kuvendi – paaftësinë ose qysh i thonë përtej kufirit IMPOTENCËN.

    Në vitin 2023 Kuvendi ka miratuar vetëm 25% të agjendës legjislative. Ndërsa, 42 projektligje të miratuara janë pjesë e agjendave të viteve 2022 dhe 2021.

    Pra, ka projektligje që janë zvarritë për muaj e vite nëpër Kuvend dhe nuk janë miratuar. Në vitin 2023 Bilanci vjetor i mungesave, në gjuhë numrash, qartëson konkretisht që në secilën seancë, 23,5% e deputetëve munguan, apo shprehur në numra, 1586 herë, për 12 muaj të vitit 2023.

    Në 2024-ën, në 6 muaj, situate është pak më keq. Sipas raportit të KDI-së, vetëm në këtë sesion deputetët munguan 525 herë, apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve.

    Këtë vit, sipas KDI-së për gjithsej 13 javë pune nuk janë organizuar fare seanca. Përmbushja e agjendës legjislative është 28% në 6 muajt e parë të këtij viti që është kot.

    E di çka do të thoni – numrin më të madh të mungesave I ka Lista Serbe, meqë ata nuk vinën ë Kuvend gati kurrë, kurse opozita shpesh tërhiqet taktikisht nga Kuvendi dhe Vetëvendosje mbetet vetë.

    Mund të thoni po ashtu që janë miratuar pak ligje, por ama ato kanë qenë të rëndësishme dhe të vlefshme, por çarti!

    Këta përfaqësues të popullit kanë miratuar ligje që shkelin Kushtetutën e vendit. Ligji për masat e përkohshme për çmime tavan, ligji për Këshillin Prokuorial, Ligji për Zyrtarë Publikë, Ligji për Paga, Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme janë miratuar në shkelje me Kushtetutën! Për më tepër me lehtësi thonë që ka sa t duash ligje në zbatim që janë në kundërshtim me Kushtetutën, mirëpo, meqë nuk i ka konstestuar kush, në rregull jemi vazhdojmë!

    Shkelja e Kushtetutës mund të jetë pasojë e veç dy gjërave – injorancës  ose injorimit. Pra ose deputetët nuk i dinë gjërat elementare dhe rendin kushtetues ose injorojnë demokracinë dhe tentojnë të vendosin sistem hibrid. Nuk e di cila është më e keqe, por e di që:

    Me dalë në punë nuk dalin, kur dalin e shkelin kushtetutën dhe rrogat i marrin me rregull.

    Mund të thoni që fajet për këtë punë i kanë të gjithë sepse nuk ka konsesnus, nuk ka marrëveshje pozitë – opozitë për çështje vitale.

    Mosmarrëveshje ka, qe njerëzit:

    DAJAKU

    Mirëpo, kur s ka marrëveshje në Kuvend ka në Gjykata. Kujtojmë që Gjykata e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për ndërmjetësim për përleshjen fizike që kishte ndodhur më 13.07.2023 në Kuvendin e Kosovës mes disa zyrtarëve të qeverisë e disa deputetëve të PDK-së.

    Mbi bazën e këtij vendimi akuza e prokurorisë për Besnik Bismilin, Mërgim Lushtakun, Bekim Haxhiut dhe Hajdar Beqën është hedhur poshtë.

    Të merremi vesh diçka. Më herët Kuvendi i Kosovës ka qenë i sulmuar me molotovë dhe me zola, ka qenë vend ku është hedhur gaz lotsjellës vazhdimisht, ku janë recituar vjersha të shkollës fillore, mbajtur fjalime linçuese, por edhe fjalime palidhje.

    S ka nisë degradimi me këtë legjislaturë, teposhtëzen e ka marrë pas zgjedhjeve të 2014-ës për shumë arsye. Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, mund ta ndryshojë edhe përbërjen edhe dinamikën e Kuvendit. Mirëpo, prej zgjedhjeve të 2017-ës kam moderuar emisione ku është thënë “zor vjen legjislaturë më e dobët”. Më nuk them kështu!

  • Dogana sekuestron dy automjete luksoze në Prishtinë, vlera e tyre rreth 400 mijë euro

    Dogana sekuestron dy automjete luksoze në Prishtinë, vlera e tyre rreth 400 mijë euro

    Dogana e Kosovës gjatë ditës së sotme ka ndaluar dy automjete me targa të huaja, e të cilat nuk i kishin të kryera procedurat doganore dhe nuk i plotësonin kushtet për të qenë në qarkullim të lirë.

    “Sot, më 12 Shtator 2024, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës në rajonin e Prishtinës kanë ndaluar dy automjete me targa të huaja, të cilat nuk i kanë kryer procedurat doganore dhe nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në qarkullim të lirë”, thuhet në njoftimin e doganës.

    Vlera e këtyre dy automjeteve vlerësohet të jetë rreth 400 mijë euro.

    Aktualisht, automjetet janë sekuestruar dhe Prokurori Kujdestar është njoftuar për të marrë udhëzime për trajtimin e mëtejmë të rastit.