ATV

Author: ATVLive

  • Mes kundërshtimeve e kritikave, Drenasi jep në shfrytëzim 51 prona publike

    Mes kundërshtimeve e kritikave, Drenasi jep në shfrytëzim 51 prona publike

    Me 17 vota për, 12 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi komunal i Drenasit ka miratuar vendimin për dhënien për 99 vjet të 51 pronave publike. Kundër këtij vendimi kanë qenë asamblistët opozitarë.

    Nga lista paraprake u hoqën tre prona.

    Opozitarët në Drenas si kundërshtim kryesor e shohin rrënimin e objektit të komunës së vjetër, ku brenda e saj është Shtëpia e Kulturës.

    Pas miratimit, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka theksuar se shfrytëzimi i pronave publike nga investitorët apo biznesmenët është e paraparë me ligj.

    “Me vjen keq komuna ka humbur gjithçka dhe ka humb qytetari i Komunës së Drenasit në mos funksionimin e kuvendit, duke përshirë grantin e performancës për 2024 që do të marrë komuna në vitin 2025.

    Me urgjenca i kam çuar gjitha këto pika të rendit të ditës, pasi janë nevojë e domosdoshme e proceseve dhe procedurave të Kuvendit dhe pika e tretë ka qenë më kontestuese. Gjithmonë opozita këmbëngul të kundërtën sepse është opozitë dhe e vlerësojë. Por është një pjesë e opozitës për dijeninë tuaj sepse janë 5 anëtarë të opozitës që e kanë votuar listën paraprake. Është një listë ku i paraqitet qytetarit por edhe investitorëve që kanë interesuar me shfrytëzu pronën publike”, ka thënë Lladrovci.

  • ​Kosova ngjitet dy pozita në ranglistën e FIFA-së

    ​Kosova ngjitet dy pozita në ranglistën e FIFA-së

    Kombëtarja e Kosovës në futboll ka shënuar ngritje në ranglistën më të re të publikuar nga shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA. “Dardanët” në renditjen e re pozicionohen në pozitën numë 104, dy më lartë se renditja paraprake.

    Ky sukses vjen pas dy ndeshjeve të Kosovës të zhvilluara në kuadër të Ligës së Kombeve, fitores ndaj Qipros në udhëtim dhe humbjes nga Rumania në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raporton KosovaPress.

    Sfidën e radhës në Ligën e Kombeve, Kosova do ta ketë kundër Lituanisë në udhëtim më 12 tetor të këtij viti.

  • Rama nga Brukseli: Jemi gati të bëjmë gjithçka për ta përshpejtuar anëtarësimin në BE

    Rama nga Brukseli: Jemi gati të bëjmë gjithçka për ta përshpejtuar anëtarësimin në BE

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është deklaruar nga Brukseli përmes një konference të përbashkët për media me presidentin Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke.

    Rama tha se krijimi i komunitetit të përbashkët konsultativ është provë e angazhimit të Shqipërisë për ta përshpejtuar me hapat e integrimit në BE.

    “Është tejet inkurajuese dhe na sjell shumë energji të reja, fakti që kemi mundësi të finalizojmë procedurën e krijimit të komunitetit të përbashkët konsultativ. Provë kjo jo vetëm e angazhimit tonë, por edhe e besimit të fortë që ne kemi që procesi i integrimit në BE nuk i përket vetëm qeverisë, por i përket të gjithë shqiptarëve. Në këtë aspekt jam i emocionuar për mbështetjen që na ka dhënë presidenti Rothke”, u shpreh ai.

    Rama po ashtu tha se janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

    “Rruga drejt anëtarësimit në BE është një rrugë ku duhet e gjithë shoqëria dhe jo vetëm disa aktorë në vend. Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar anëtarësimin tonë në BE”, potencoi kryeministri Rama.

    Kryeministri Rama ka shkuar në Bruksel, pasi pritet të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, ku i ftuar është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

  • Çitaku: Serbia marrëveshje me SHBA-të, Gjermaninë e Francën, Kosova e sanksionuar

    Çitaku: Serbia marrëveshje me SHBA-të, Gjermaninë e Francën, Kosova e sanksionuar

    Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka theksuar se përderisa Serbia nënshkruan marrëveshje me Gjermaninë, Francën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova është e izoluar dhe e sanksionuar.

    “Serbia dje e nënshkroi një marrëveshje me SHBA për investime strategjike në fushën e energjetikës. Kjo pas marrëveshjes me Gjermaninë për Litium, dhe me Francën për avionët e avancuar ushtarak. E Kosova? E izoluar, e snaksionuar, e përjashtuar. Kur miqtë tanë, ata pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishim as të lirë e as të pavarur, që të gjithë, na thonë që jemi në rrugë të gabuar, është koha me e pa veten në pasqyre”, ka shkruar Vlora Çitaku në Facebook.

    Ajo më tej ka thënë se: “Nuk na ka faj kërkush. Biden i keq, Trump i keq, Mogerini e keqe, Borelli i keq, Greneli i keq, Lajcak i keq, Merkel e keqe, Scholz i keq, Macroni i keq, Rama i keq. Krejt na kanë faj. A po Albin? Vetëm ti e ke mirë. Ti edhe kush? Kush janë aleatët e tu Albin? Se pa aleatë nuk mundet as Amerika. Albin Kurti, Kosova është ma e madhe dhe më e rëndësishme se egoja jote. Mashtrimit tënd po i vie fundi”.

  • FSK-ja pjesë e Konferencës së 27 të shefave të Mbrojtjes së Iniciativës ShBA-Karta e Adriatikut

    FSK-ja pjesë e Konferencës së 27 të shefave të Mbrojtjes së Iniciativës ShBA-Karta e Adriatikut

    Ka mbyllur punimet Konferenca e 27, shefat e Mbrojtjes së Iniciativës ShBA-Karta e Adriatikut (A5), ku bëjnë pjesë Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

    Pjesëmarrës në konferencë ishin komandanti i Komandës Evropiane të ShBA-së, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Europë, gjeneral Christopher G. Cavoli, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, Itali, adjutantët e përgjithshëm nga shtetet përkatëse të Programit të Partneritetit të Gardave Kombëtare të ShBA.

    Garda Kombëtare e Ajovës është përfaqësuar nga gjeneral brigade Mark Kappelmann, ndërsa Kosovën dhe FSK-në, në emër të komandantit gjenerallejtënant Bashkim Jashari e ka përfaqësuar zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, ku të dy gjeneralët prezantuan vizionin e përbashkët për të qenë pjesë në Kartën e Adriatikut (A5) si dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe planet për të ardhmen.

    Në kuadër të konferencës është miratuar deklarata e përbashkët, ku riafirmohet angazhimi për të qëndruar së bashku kundër luftës së paligjshme, të pajustifikueshme dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka shkatërruar paqen dhe stabilitetin në zonën euroatlantike dhe ka dëmtuar rëndë sigurinë në rajonin tonë dhe globalisht.

    “Ne dënojmë, në termat më të fortë, shkeljen e dukshme të Kartës së Kombeve të Bashkuara nga Rusia dhe ndikimin e luftës së Rusisë në pjesën tjetër të botës. Ne përshëndesim popullin ukrainas për rezistencën e tij të guximshme dhe shprehim simpatinë dhe ngushëllimet tona për humbjen dhe vuajtjen e tyre”.

    Në deklaratën e përbashkët u theksua: “Ne jemi të përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që mbështet parimet e Kartës së OKB-së, në veçanti sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë. Mbështetja kolektive për Ukrainën konfirmon mirëkuptimin tonë të ndërsjellë se bashkëpunimi me aleatët dhe partnerët është jetik për aftësinë tonë kolektive për t’iu përgjigjur sfidave aktuale dhe të ardhshme”.

  • Masat e BE-së vonojnë Kosovën në zbatimin e strategjisë së agjendës së gjelbër

    Masat e BE-së vonojnë Kosovën në zbatimin e strategjisë së agjendës së gjelbër

    Balkan Green Foundation (BGF) ka vazhduar të enjten diskutimin, në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm, me temën “Dekarbonizimi pa kufij: Ndikimi i zbatimit të Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) në WB6”, raporton EO.

    Në këtë diskutim u tha se problem në përmbushjen e agjendës së gjelbër (agjend kjo që është kusht që të përmbushte nga shtet që synojnë anëtarësimin në BE), është se në rajon nuk është duke u zbatuar legjislacioni sa i përket kontrollit te ndotjes sidomos nga centralet me thëngjill.

    Aty u theksua se si shkak i masave që i janë vendosur Kosovës nga BE-ja, vendi është duke u vonuar në zbatimin e strategjisë së agjendës së gjelbër.

    Pippa Gallop, Zyrtare e Politikave të Energjisë në Evropën Juglindore në Bankwatch, ka thënë se problem i madh për organizata mjedisore është që në vendet e rajonit nuk janë duke parë shumë përparim në përmbushjen e kritereve të legjislacionit për kontrollin e ndotjes, sidomos nga centralet me thëngjill.

    Ajo tha se në gjithë rajonin, emetimet e sulfor-dioksidit janë 5.7 herë më shumë se sa lejohet për centrale me thëngjill, gjë për të cilën tha se është e papranueshme dhe se qeveritë duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm.

    “Këto investime që janë pjesë e sistemimit të vjetër energjetik, besojmë që duhet te lihen pas në kuptim të naftës, gazit dhe thëngjillit. Gjatë 15 viteve të fundit kishte përparim shumë të ngadalshme dhe tepër përqendrim ne hidroenergjetik sepse këtu mund të përfshiheni me lehtë kompanitë. Shume nga hidroenergjia e hidrocentraleve janë ndërtuar por që nuk prodhojmë shumë energji janë humbur shumë subvencione e përpjekje që në fund të fundit nuk mund të sigurojnë rritje të madhe në këtë sektor. Gjatë 3-4 viteve të fundit kjo gjë ka ndryshuar, po shohim një ndryshim të investimeve në energjinë diellore dhe me tepër. Ajo që më duket problem i madh për ne si organizata mjedisore është që nuk shohim shumë përparim në përmbushjen e kritereve të legjislacionit për kontrollin e ndotjes sidomos nga centralet me thëngjill të rajonit. Në gjithë rajonin emetimet e sulfur-dioksidit janë 5.7 herë më shumë se nuk lejohet për këto centrale me thëngjill, kjo është e papranueshme, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë që kur hyri ky ligj në fuqi që ne vitin 2018. Qeveritë nuk po veprojnë kundër operatorëve të termocentraleve që nuk po e respektojnë rregullat, ky është problem për çdo lloj biznesi nëse nuk kemi rregulla dhe ato nuk zbatohen njësoj”.

    Eksperti për Politika Mjedisore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Agim Mazreku, ka thënë se në përmbushjen e agjendës se gjelbër janë duke punuar që të ofrojnë një bazë shumë të mirë shkencore se si duhet të vazhdohet.

    Ai ka thënë se vendi ka miratuar ligjin për ndryshimet klimatike, por që në këtë çështje janë duke pasur sfida.

    Por që sipas tij, Kosova ka bërë mjaftë përparim në agjendën e gjelbër ku në disa fusha ka bërë përparim më mirë se vendet e rajonit.

    “Jemi duke punuar që të ofrojmë një bazë shumë të mirë shkencore se si duhet të vazhdohet sepse duam të ndërmerren politika në bazë të shkencës e mjedisit të klimës e energjisë. Duhet të kemi infrastrukturë të gatshme. Është hartuar plani kombëtar për energjinë dhe klimën. Tani po fillojmë të punojmë edhe më strategjinë e afatgjate për dekabornizim po del të jetë shumë sfidues për sektorin energjetik. Tani nuk jemi në të njëjtën situatë si gjithë kontinenti, jemi vend që në krahasim me vendet e rajonit është lënë pak prapa për të arritur më shumë këtë zbatimin të agjendës ë gjelbër, sidomos në shtyllën e veprimit klimatik. Me gjithë këtë përjashtim Kosova ka bërë mjaftë përparim në agjendën e gjelbër dhe në disa fusha do të thosha më shumë se disa të tjerë potencialisht është më mirë se rajoni”, ka thënë ai.

    Mazreku ka shtuar se një shumë të madhe të mjeteve të penalizuar nga masat e BE-së e nuk po lejojnë që të vazhdojnë tutje me zbatimin e strategjisë për menaxhimin e integruara të mbeturinave, ku për shkak të këtyre masave Kosova po vonohet në zbatimin e strategjisë.

    “Ta japim një shembull, tek sektori i mbeturinave edhe pse kemi një shumë të madhe të mjeteve të penalizuara nga masat e BE-së e nuk po na lejojnë që të vazhdojmë tutje me zbatimin e strategjisë për menaxhimin e integruar të mbeturinave ku do të arrijmë riciklimin, për shkak të masave dhe po vonohemi në zbatimin e strategjisë megjithatë jemi shumë afër ne themelimin e administrimit për sistemin e kthimit të depozitave të shisheve të plastikës, aluminit dhe kanaqeve. Është një arritje e parë sa i përket Ballkanit perëndimor”, ka thënë ai.

    Jadranka Ivanova, Udhëheqëse Ekipi, Mbështetja e Negociatave të Shqipërisë në Mjedis, Kapitulli 27 (SANE27) Programi i financuar nga Sida, ka thënë se në përmbushjen e kësaj agjende duhet që të ketë më shumë bashkëpunim me sektorin privat.

    “Janë të ndërlidhura shumë aktivitete, dhe vete sektori i agjendës së gjelbër është i ndërlikuar shumë institucione janë të përfshira dhe bashkëpunimi mes tyre është shumë i rëndësishëm. Mund të shohim se vendet po ndërmarrin disa hapa para, mirëpo besoj se mund të behët më shumë veçanërisht në atë që nënkupton bashkëpunim me sektorin privat dhe krijimin e një sistemi në strukturën administrative që do të merrte përgjegjësin për zbatimin e agjendës së gjelbër që në thelb është dimension shumë sektorial. Ajo që po shohim është se po zbatohen disa aktivitete për shembull ligji për klimën”, ka thënë ajo.

  • ​Zbulohet murali kundër femicidit në Kosovë

    ​Zbulohet murali kundër femicidit në Kosovë

    Një grua me kokën lartë, me lule në dorë dhe rreth saj këpucë të kuqe të shpërndara, është murali i punuar nga disa të rinj përmes të cilit përçohet mesazhi për luftim të femicidit dhe garantimit të barazisë gjinore.

    Ky mural përmes të cilit janë përkujtuar viktimat e dhunës në baza gjinore u zbulua sot në hapësirat e shkollës të mesme të lartë “Xhevdet Doda”, me rastin e Shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.

    Murali është krijuar nga artistë të rinj të komuniteteve të ndryshme shqiptar, serb, rom, ashkali dhe egjiptian.

    Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes tema për këtë vit është “Kultivimi i një kulture të paqes”.

    Shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh u shpreh se paqja mund të ndërtohet vetëm duke punuar të gjithë së bashku.

    Ziadeh theksoi se çdo akt i vogël dhembshurie, mirëkuptimi, ndjeshmërie dhe bashkëpunimi kontribuon në një botë paqësore.

    “Paqja ndërtohet nga paqja. Sot është festë, për ju, për të gjithë ju që jeni në paqe dhe për strukturën e paqes në Kosovë. Paqja nuk është një ëndërr, një ëndërr e largët, është një realitet i prekshëm që mund ta krijojmë së bashku. Çdo akt i vogël dhembshurie, mirëkuptimi, ndjeshmërie dhe bashkëpunimi kontribuon në qëllimin më të madh të një bote paqësore. Bëhet fjalë për efektin kumulativ të shumë veprimeve të vogla dhe pozitive. Dita Ndërkombëtare e Paqes këtë vit, e shënuar më 21 shtator mbart tegelin duke kultivuar një kulturë paqeje…03:38 Le të angazhohemi të jemi ambasadorët e paqes në jetën tonë dhe të frymëzojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një botë ku paqja nuk është vetëm një fjalë, por një mënyrë jetese. Së bashku, ne mund të nisim një udhëtim për të krijuar një botë që na nevojitet dhe e meritojmë, një botë ku të gjithë mund të arrijnë dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë”, theksoi Ziadeh.

    Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj teksa femicidin e cilësoi si ndër shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, tha se kjo dukuri është një manifestim i pabarazisë gjinore që po vazhdon në Kosovë.

    Zogaj theksoi se mesazhi i shënimit të kësaj dite është që femicidi nuk ka vend në Kosovë dhe se si shoqëri duhet shtyrë përpara aspekte legjislative që trajton seriozisht këtë pabarazi.

    “Ne kemi nevojë për ndryshime gjithëpërfshirëse që fillojnë me arsimin, duke i mësuar djemtë dhe burrat tanë të respektojnë gratë, dhe kjo nuk është e negociueshme. Fuqizimi i vajzave dhe grave tona që të dinë vlerën për t’u ndjerë të sigurta dhe për të folur. U bëj thirrje edhe drejtuesve të komunitetit tonë, politikanëve dhe çdo qytetari të luajnë rolin e tyre në këtë temë shumë të rëndësishme. Ne nuk mund të lejojmë që kultura e heshtjes apo indiferencës të lulëzojë kur gratë vriten në shtëpitë tona, në lagjet tona dhe në rrugët tona. Ne duhet të solidarizojmë dhe duhet të shtyjmë për reforma legjislative që pasqyrojnë seriozitetin e kësaj krize. Dhe mesazhi ynë është i qartë, nuk ka vend për femicid në Kosovë, çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika, e lirë nga dhuna dhe e lirë të jetë ajo që është. Ne i detyrohemi grave që kemi humbur, familjeve të shkatërruara nga kjo dhunë, dhe gjeneratave të ardhshme që ta bëjmë Kosovën një vend më të sigurt, më të pastër dhe më të drejtë për të gjithë”, tha ai.

    Artisja kryesore e këtij murali, Argjenda Azemi u shpreh se ky mural pasqyron viktimat e femicidit.

    Azemi theksoi ky mural jep mesazhin se duhet të punohet për një të ardhme më të mirë dhe të sigurtë për gratë.

    “Ky mural, pasi tema është shumë e rëndësishme, është paraqitur një grua me kokën lart, duke mbajtur disa lule që përfaqësojnë shpresën, kujtimin dhe shërimin. Dhe rreth saj janë të shpërndara këpucë të kuqe, të cilat secila palë përfaqëson një grua që ishte viktimë e dhunës me bazë gjinore. Kështu që doja që ky mural të ishte si një kujtim prej tyre, dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë ku gratë mund të jetojnë pa frikë”, theksoi ajo.

    Si çështje urgjente për ta trajtuar femicidin e ka konsideruar drejtoresha e Shtëpisë së Sigurt rajonale në komunën e Zubin Potokut, Adrijana Hoxhiq.

    Ajo në këtë ceremoni të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Paqes u shpreh se kjo dukuri është forma më ekstreme e dhunës në baza gjinore, për çka ajo kërkoi ligje dhe politika më të forta në luftimin e pabarazisë gjinore.

    Hoxhiq u shpreh po ashtu se derisa gratë nuk janë të sigurta nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.

    “Ende ka efekte të femicidit më shumë se vetëm familjet dhe komunitetet individuale, ai nënvizon stabilitetin dhe përparimin social, ekonomia vuan pasi potenciali i grave mbytet dhe përparimi kolektiv i kombit ngec. Paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse gratë dhe vajzat nuk janë të sigurta. Paqja nuk është vetëm mungesë lufte, është prani e drejtësisë, barazisë dhe sigurisë për të gjithë. Dhe ne nuk mund të flasim për paqe nëse zërat e grave heshtën nga dhuna, nuk mund të flasim për paqen nëse potenciali i grave shkatërrohet nga frika, nuk mund të flasim për paqe nëse dhunuesit e femicidit ecin të lirë dhe viktimat e tyre harrohen. Ju lutem, le të ngremë zërin, të avokojmë për ligje dhe politika më të forta dhe të sigurojmë zbatimin e tyre, le të fuqizojmë gratë dhe vajzat.”, tha ajo.

    Murali i cili u zbulua sot e që synon luftimin e femicidit është mundësuar nga misionit i UNMIK-ut dhe Mural Fest Kosova./kp

  • IKD: Drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit

    IKD: Drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit

    Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit, përkundër faktit se gjykatat janë adresa përfundimtare ku qytetarët kërkojnë zgjidhje për kontestet e tyre.

    Shala gjatë publikimit të raportit “Drejtësia me qytetarin në qendër – për të shkallëzuar investimin në atë që funksionon për ta realizuar OZhQ-në 16.3 në Kosovë”, tha se për ta orientuar drejtësinë kah qytetari, financimi adekuat është thelbësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai tha se mungesat në gjyqësor kanë bërë që organet e drejtësisë nuk kanë mundur t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve. Sipas tij, kjo i atribuohet pamundësisë së gjykatës për të zgjidhur të paktën aq lëndë sa ka pranuar, çfarë ka çuar në një rritje të vazhdueshme të numrit të lëndëve civile të pazgjidhura.

    Sipas të dhënave të prezantuara, deri në fund të vitit 2023, numri i lëndëve civile kontestimore të pazgjidhura ka arritur në 112 mijë e 623.

    Në gjysmën e parë të vitit 2024, Shala tha se numri i lëndëve civile kontestimore të zgjidhura është rritur dukshëm. Megjithatë, për shkak të rritjes së numrit të lëndëve hyrëse, rezultati ka mbetur i pandryshuar. Gjyqësori përsëri nuk ka arritur të zgjidhë aq lëndë sa ka pranuar. Rrjedhimisht, numri i lëndëve civile kontestimore është rritur në 123 mijë e 243 lëndë të pazgjidhura.

    Shala tha se krahas rritjes së numrit të lëndëve duhet të shtohet edhe rritja e gjyqtarëve nëpër gjykata. Ai tha se numri i gjyqtarëve në sistemin gjyqësor është rritur për çdo vit dhe mbështetja buxhetore për këtë nismë konsiderohet shumë pozitive, sepse siguron që gjyqësori të ketë resurse adekuate për t’i shqyrtuar lëndët gjyqësore brenda një afati kohor të arsyeshëm.

    “Aktualisht në gjykatat e Kosovës janë gjithsej 434 gjyqtarë. Në mesin e tyre, 367 gjyqtarë kanë zgjidhur lëndë gjatë vitit 2023, ndërsa 145 gjyqtarë janë caktuar posaçërisht në divizionet civile të departamenteve të përgjithshme të gjykatave themelore dhe Gjykatës së Apelit. Megjithatë, që nga viti 2018, numri i lëndëve civile është dyfishuar”, u shpreh ai.

    Hulumtuesi i IKD-së, shtoi se në kërkesën buxhetore për vitin 2024, KGjK-ja ka kërkuar rritje të numrit të gjyqtarëve për 30 pozita. Kostoja buxhetore për miratimin e këtij propozimi është 512 mijë e 568 euro. Por, kjo kërkesë sipas tij, është refuzuar nga Kuvendi gjatë miratimit të Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024.

    Veç mungesës së gjyqtarëve, ai tha se dispozita ligjore që çdo gjyqtarë të ketë një bashkëpunëtor profesional nuk është përkrahur me buxhet.

    “Aktualisht, sistemi gjyqësor e ka një mungesë prej 151 bashkëpunëtorësh profesionalë, që do të thotë se kërkesa ligjore për ta caktuar një bashkëpunëtor profesional të veçantë për secilin nga 151 gjyqtarët brenda sistemit gjyqësor mbetet e paplotësuar”, tha Shala.

    Sipas tij, kërkesa buxhetore prej KGJK-së për këta bashkëpunëtorë profesionalë nuk është aprovuar.

    Në anën tjetër, ai tha me Ligjin për Gjykatat, KGjK-ja është obliguar që të themelojë degë të reja të gjykatave, konkretisht degët në Fushë-Kosovë, Obiliq, Ranillug, Partesh, Kllokot, Verboc, Mamushë, Junik, Shtime dhe Hani i Elezit.

    Shala tha se sipas informatave të ofruara nga KGjK-ja, dega në Fushë Kosovë është themeluar dhe aktualisht është në proces të funksionalizimit, ndërsa për degët tjera vendimet do të varen nga kufizimet buxhetore.

    “Pas analizimit të kërkesës buxhetore për vitin 2024, është evidente se KGjK-ja nuk e ka përfshirë çështjen e themelimit të degëve të reja të gjykatave në kërkesën e tij. Rrjedhimisht, gjyqësori nuk ka kërkuar asnjë buxhet shtesë për këtë qëllim”, u shpreh ai.

    Po ashtu, Shala tha se janë identifikuar raste kur palëve në procedurë nuk u janë ofruar shërbime të përkthimit kur procedurat gjyqësore nuk janë zhvilluar në gjuhën amtare të tyre.

    Ai tha se për t’i përmbushur këto obligime, sistemi gjyqësor duhet të ketë resurse të mjaftueshme. Në kërkesën buxhetore për vitin fiskal 2024, KGjK-ja e ka futur një kërkesë për financim shtesë për t’i mbuluar 10 pozita për përkthyes.

    “Kostoja në lidhje me përmbushjen e kësaj ka qenë afërsisht 452,000 euro. Kjo kërkesë nuk është aprovuar nga Kuvendi dhe nuk është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024”, shtoi Shala.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahjen e Projektit të USAID-it për Drejtësi, të enjten organizou tryezë diskutimi, në të cilën u publikua raporti “Drejtësia me qytetarin në qendër – për të shkallëzuar investimin në atë që funksionon për ta realizuar OZhQ-në 16.3 në Kosovë”.

  • Rohde: Procesi i Berlinit fuqizon lidhjet në mes të shteteve të Ballkanit, BE-së dhe partnerëve

    Rohde: Procesi i Berlinit fuqizon lidhjet në mes të shteteve të Ballkanit, BE-së dhe partnerëve

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Procesi i Berlinit ka ndikuar në lidhje më të fuqishme mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe shteteve të tjera partnere.

    “Krenar të shoh Gjermaninë duke organizuar Procesin e Berlinit në përvjetorin e 10-të. Nga edicioni i parë në vitin 2014, ka nxitur lidhje me të fuqishme mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe shteteve partnere”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.

    Më tuje, ai ka thënë se janë të përkushtuar në rritjen e bashkëpunimit rajonal.

    “Bashkë, jemi të përkushtuar që të rrisim bashkëpunimin rajonal, plus të përkrahim rritjen në Kosovë dhe gjithë rajonin”, ka shkruar Rohde.

  • Ndërpritet seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut

    Ndërpritet seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut

    Është ndërprerë seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Avokati i Nagip Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, ka paraqitur vërejtje e tij para gjyqtarit Arben Hoti lidhur me shkresat e lëndës. Ai ka thënë se disa dokumente, përfshirë prova dhe deklarata, nuk i janë prezantuar fare mbrojtjes nga Prokuroria.

    Gjyqtari Hoti, pas kërkesës e ka ndërprerë seancën duke caktuar seanca e radhës më 8 tetor.

    Ish-kryeshefit i KEK-ut, Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij.

    Deri në shtator, Krasniqi ka qëndruar në paraburgim. Pas lirimit, iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.

    Ish-kryeshefi i KEK-ut dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale më 19 gusht të këtij viti.

    Sipas aktakuzës, Krasniqi duke filluar nga 15 tetori i vitit 2021 e në vazhdimësi, deri më 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Pas arrestimit, atij i ishte pezulluar pozita në krye të KEK-ut.