ATV

Author: ATVLive

  • Deçan: E rrahën motrën dhe e mbyllën në dhomë për një muaj, arrestohen dy vëllezërit

    Deçan: E rrahën motrën dhe e mbyllën në dhomë për një muaj, arrestohen dy vëllezërit

    Dy burra janë arrestuar në Deçan pasi rreth një muaj më parë dyshohet se kishin rrahur dhe mbyllur në një dhomë motrën e tyre.

    Po ashtu raportohet se asaj, ia kishin marrë edhe telefonin për të mos e denoncuar rastin.

    Sipas policisë, viktima pas tretmanit mjekësor është dërguar “në shtëpinë e sigurt”, ndërsa tha se njëri prej vëllezërve të saj e kishte sulmuar edhe policinë gjatë dërgimit të tyre për ekzaminim mjekësor.

  • Zhduken dy fëmijë në Fushë Kosovë

    Zhduken dy fëmijë në Fushë Kosovë

    Një çift në Fushë Kosovë ka raportuar në polici zhdukjen e dy fëmijëve të tyre.

    Sipas policisë, rasti ka ndodhur të premten.

    “Dy ankuesit, një mashkull dhe një femër kosovar/e kanë raportuar se dy fëmijët e tyre meshkuj kosovar kanë dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre”, thuhet në raportin 24 orësh të forcave të rendit.

  • Dy përballje interesante sot në futbollin kosovar, vëmendja në Gjilan

    Dy përballje interesante sot në futbollin kosovar, vëmendja në Gjilan

    Ditën e sotme zhvillohen dy takimet e fundit të xhiros së gjashtë në futbollin kosovar.

    Gjithë vëmendja do të jetë në Gjilan, ku do të përballen Drita dhe Ballkani, kjo përballje është sfida kryesore e kësaj jave.

    Një tjetër ndeshje mjaftë interesante pritet të zhvillohet në Malishevë, ku kjo e fundit do të jetë nikoqire e Gjilanit.

    Dy ndeshjet fillojnë nga ora 15:00.

  • Prishtinë, një burrë gjendet pa shenja jete në objektin ku punonte si roje

    Prishtinë, një burrë gjendet pa shenja jete në objektin ku punonte si roje

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në objektin ku punonte si roje.

    Rasti i rëndë ka ndodhur në Prishtinë, të shtunën rreth orës 19:15.

    Siç njofton policia, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Lidhur me rastin, organet e rendit nuk kanë dhënë më shumë detaje se si ka ndodhur.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion.

  • Maqedonci: Procesi i transformimit në ushtri, në fazën e dytë – FSK-ja do të ketë helikopterë nga 2025-ta

    Maqedonci: Procesi i transformimit në ushtri, në fazën e dytë – FSK-ja do të ketë helikopterë nga 2025-ta

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se procesi i transformimit të Forcës Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri është në fazën e dytë. Por, sipas tij, me rritjen e buxhetit për FSK-në shumë pajisje ushtarake që janë paraparë të procedohen në fazat e mëvonshme janë blerë.

    Maqedonci ka thënë se në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve e cila parashihet që të bëhet në fazën e trete, që nënkupton nga viti 2025 deri në vitin 2028.

    Ministri ka thënë se MB-ja është duke e mbështetur FSK-në për arritjen e objektivave të fazës së dytë të tranzicionit, fazë kjo që pritet që të kulmoj me validimin e tri regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së, të cilat do të jenë të gatshme për të realizuar detyrën kyçe të tyre, që është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

    “Në vitin e gjashtë jemi të planit të gjithëpërfshirës të tranzicionit, apo në fazën e dytë për shkak se plani gjithëpërfshirës i tranzicionit të FSK-së i hartuar edhe në bashkëpunim me ShBA-në, është i ndarë në tri faza. Faza e parë ka qenë prej viti 2019 deri në vitin 2022, ku fokus kryesor faza e parë ka pasur përpilimin e gjithë doktrinës së nevojshme, dokumentacionit të nevojshme për funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, miratimin e programeve trajnuese të FSK-së. Si dhe përpilimin e kërkesave për sisteme të armatimit edhe për pajisje të tjera për nevojat e FSK-së. Aktualisht jemi në fazën e dytë të tranzicionit, MB po e mbështet me të gjitha aspektet FSK-në për arritjen e objektivave të fazës së dytë të tranzicionit. Dhe kjo fazë pritet që të kulmoj me validimin e tri regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së të cilat më pastaj do të jenë të gatshme për të realizuar detyrën kyçe të tyre që është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, që të jenë të afat për të realizuar operacione luftarake të fokusuara në mbrojtjen, mësymje dhe stabilitete”, ka thënë Maqedonci.

    Ai ka thënë se pas fazës së dytë, fillon faza e tretë e tranzicionit e cila fillon nga viti 2025, e që përfshinë ndërtimin e kapaciteteve të veçanta për FSK-në, e që janë mbështetja luftarake, mbështetja luftarake në shërbime, mbështetja ajrore si dhe mbrojtja kundër ajrore.

    “Pas përfundimit të fazës së dytë të tranzicionit, do të kalohet në fazën e tretë nga viti 2025, që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve të veçanta për FSK-në, e që janë mbështetja luftarake, mbështetja luftarake në shërbime, mbështetja ajrore si dhe mbrojtja kundër ajrore.  Këto pritet që të zhvillohen në fazën e tret të tranzicionit. Aktualisht ne jemi duke arritur objektivat e paraparë në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, gjatë vitit të kaluar në kuadër të ushtrimit ‘Defender Europ 2023’ është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë për detyra luftarake. Këtë vit me saktësisht gjatë vjeshtës së këtij viti do të validohet regjimenti i dytë i këmbësorisë për të qenë i aftë për të realizuar detyrat luftarake. Kurse në vitin 2025, do të validohet regjimenti i tretë i këmbësorisë për të përmbyllur kështu edhe fazën e dytë të tranzicionit”, ka thënë ai.

    Ministri ka thënë se duke pasur mbështetjen e qeverisë së Kosovës, me rritje buxheti dhe me buxhet shtesë, kanë arritur që shumë nga sistemi i armatimit si dhe pajisjet të tjera t’i kenë në këtë fazë.

    Sipas tij, këto pajisje janë dronët “Bajraktar” si dhe sisteme të ndryshme për mbrojtje ajrore.

    “Normalisht që në duke pasur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, me rritje buxheti dhe me buxhet shtesë, kemi arritur që shumë nga sistemi i armatimit si dhe pajisjet të prokurojmë qysh në këtë fazë dhe që kanë qenë të planifikuara normalisht që të prokurohen në fazat e me vonshme. Siç është sistemi e që tani më është i njohur ‘Bajraktar’ i dronëve, por edhe sisteme të ndryshme duke përfshirë mortajat 120 milimetërshe, edhe mitralozat e ndryshëm që një pjesë e tyre kanë qenë të planifikuara që të blihen në fazën e tretë të tranzicionit ku do të duhej të ndërtoheshin kapacitet e plota ajrore për mbështetje ajrore të FSK-së”, ka thënë ai.

    Maqedonci ka shtuar se në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve, e cila do të bëhet nga viti 2025 deri në vitin 2028.

    “Bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve. Kjo flotë do të vendoset në fazën e trete të tranizicionit, që nënkupton nga viti 2025 deri në vitin 2028. Ne do të furnizohemi me helikopterë në mënyrë që të kompletojmë edhe këtë aspekt operacional të FSK-së. Normalisht ne në vazhdimësi me partnerët tanë, në veçanti me ShBA-në, jemi duke gjeneruar opsionet e blerjes së helikopterëve. Këta helikopter do të jenë shumëfunksional që përveç detyrave të mbështetjes me transport për trupat tona, do të kenë gjithashtu edhe mundësi që të realizojnë edhe operacione të evakuimit mjekësor por edhe operacione të tjera për mbështetje ushtarake për autoritet civile”, ka thënë ai.

    Ministri i Mbrojtjes ka thënë se përformanca e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtareve të FSK-së si në trajnime, si në programet edukimi ushtarak, e në ushtrime nëpër vendet partnere është shumë e lartë. Ai ka thënë se pjesëtarë të FSK-së janë duke trajnuar rekrutët ukrainas që janë pjesë e grupit të instruktorëve ne operacione “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar.

  • Moti sot: Kryesisht me diell, temperaturat deri në 24 gradë Celsius

    Moti sot: Kryesisht me diell, temperaturat deri në 24 gradë Celsius

    Sot mbi Kosovë parashihet të mbajë mot kryesisht me diell.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik, vranësira të pakta parashihen në relievin malor.

    Në këtë ditë të fundit të stinës së verës,temperaturat minimale do të lëvizin ndërmje 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19 e 24 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga veriperendimi me shpejtësi një deri dy metër për sekond.

  • Stabiliteti financiar e siguria kombëtare, ish-ministri Angjeli: Banka e Shqipërisë po përmbush misionin ligjor

    Stabiliteti financiar e siguria kombëtare, ish-ministri Angjeli: Banka e Shqipërisë po përmbush misionin ligjor

    Akademik, Prof. ANASTAS ANGJELI

    Banka e Shqipërisë, si një institucion i pavarur, nga më të rëndësishmit në vend, ka luajtur dhe luan një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin financiar në vend, me ndikim në zhvillimin dhe progresin ekonomik e social të tij. Kjo, përmes veprimtarisë, rolit dhe misionit të saj, të cilat kanë ardhur duke u përsosur vazhdimisht, reformimit të saj paralelisht me reformimin e vendit tonë në të gjitha fushat, në veçanti në ato ekonomike e financiare dhe bashkëpunimit të suksesshëm me institucionet e tjera shtetërore dh e të qeverisë, si dhe ato financiare ndërkombëtare, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

    RRUGËTIMI REFORMUES I BANKËS SË SHQIPËRISË

    Banka e Shqipërisë ka kaluar një proces të rëndësishëm dhe të suksesshëm transformimi përmes disa reformave institucionale, strukturore, të kuadrit ligjor dhe të kapitalit human, pikat më kulmore të së cilës kanë qenë:

    Së pari, adoptimi në vitin 1992 i një sistemi bankar me dy nivele, ku Banka e Shqipërisë mori rolin dhe detyrat e një banke qendrore, ndërsa segmentet e tjera të sistemit financiar shqiptar u konvertuan në institucione financiare tregtare, e kryesisht banka, me kapital shtetëror.

    Së dyti, pas zhvillimeve të vrullshme dhe shpesh kaotike të periudhës 1992-1997, ku veçohen bilancet e rënduara nga kreditë me probleme në bankat me kapital shtetëror, kriza financiare e shoqërore që pasoi skemat piramidale, hapat e para për lindjen e bankave private, u shënua një hap tjetër i rëndësishëm për thellimin e reformës në sistemin financiar shqiptar. Ndryshimet ligjore në Ligjin për Bankën e Shqipërisë në vitin 1997, e sanksionuan BSH si një bankë moderne qendrore të mbështetur në parimet më të mira bashkëkohore. Ajo u konceptua si autoritet monetar, i ngarkuar me emetimin e kartëmonedhës dhe hartimin e zbatimin e politikës monetare, si autoritet mbikëqyrës dhe rregullator i sistemit bankar, si edhe si agjent i rëndësishëm nxitës dhe zhvillimor i tregut dhe sistemit financiar shqiptar. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka një mision të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Ajo është e ngarkuar me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, si elementi më i rëndësishëm i stabilitetit financiar të një ekonomie, si edhe me zhvillimin e një sistemi bankar efecient dhe të qëndrueshëm, i cili garanton kursimet e qytetarëve shqiptarë dhe nëpërmjet kreditimit, mbështet rritjen e investimeve dhe të konsumit dhe të ekonomisë në tërësi.

    Janë këto arsye, që e bëjnë esencial rolin e bankave qendrore në ekonomi. Po ashtu, pikërisht për këto arsye, bankat qendrore gëzojnë pavarësi institucionale, si dhe investojnë në mënyrë të vazhdueshme për rritjen e profesionalizmit, përgjegjshmërisë dhe transparencës së tyre.

    Në këtë kontekst, më duhet të theksoj se Banka e Shqipërisë ka bërë progres të vazhdueshëm dhe ka tashmë tiparet e një banke qendrore moderne europiane. Ajo ka një kuadër bashkëkohor teorik dhe operacional të politikës monetare, si dhe një shkallë të lartë konvergjence me standardet mbikëqyrëse dhe rregullatorë të sistemit europian të bankave qendrore.

    Banka e Shqipërisë ka përmbushur me sukses misionin e saj kushtetues dhe ligjor. Në veçanti, inflacioni gjatë dekadës së fundit (2014-2024) ka qëndruar në nivelin mesatar prej 2.4%, duke mbetur pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% dhe duke ofruar një mjedis ekonomik me çmime të qëndrueshme. Kjo arritje është edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh se gjatë kësaj periudhe jemi përballur me sfida jo të pakta, si kriza e borxhit sovran në Eurozonë, pandemia e viteve 2020- 2021 dhe goditja e çmimeve në tregjet botërore gjatë viteve 2022- 2023, sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë. Po ashtu, ajo ka ndihmuar në rritjen e besimit të publikut ndaj monedhës sonë kombëtare dhe ndaj bankave.

    Kjo ecuri është dëshmi e një kuadri bashkëkohor teorik, analitik dhe operacional, si dhe e profesionalizmit në rritje të institucionit. Ky kuadër ka mundësuar administrimin me sukses të një tjetër goditjeje gjatë periudhës 2023-2024.

    Të gjithë jemi dëshmitarë të forcimit që ka pasur monedha jonë kombëtare në raportin e këmbimit të saj ndaj monedhave të tjera, e veçanërisht të euros. Arsyet e këtij forcimi duket se qëndrojnë në rritjen e ofertës së valutës në treg, me burim primar të ardhurat nga turizmi te, nga rritja e investimeve të huaja në vend (IHD), nga remitancat (të cilat në 6-mujorin e parë të këtij viti u rritën 14.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur shumen 510 milionë euro) dhe hyrjet informale të valutës etj.) Megjithatë, në përputhje me parimet e politikës sonë monetare dhe regjimin e lirë të kursit të këmbimit, ky fluks i lartë valute në ekonomi nuk u transmetua në rritje të çmimeve, por u absorbua nëpërmjet forcimit të kursit të këmbimit.

    Po cilat janë anët pozitive dhe negative të mbiçmimit të monedhës sonë kombëtare?

    Pavarësisht problemeve që ka shkaktuar në segmente të veçanta të ekonomisë shqiptare, forcimi i kursit të këmbimit, në këtë situatë, ka qenë mënyra më e mirë e absorbimit të rritjes së ofertës valutore.

    Së pari, ai ndihmoi në kontrollin e inflacionit, duke mos përcjellë barrën e rritjes të ofertës monetare mbi familjet dhe konsumatorin shqiptar. Në muajin gusht të këtij viti arriti në nivelin 2%,duke tejkaluar parashikimin për arritjen e këtij objektivi.

    Së dyti, ai ndihmoi në mbajtjen në nivele të ulëta të normës bazë së interesit, duke mos rritur kostot e financimit për bizneset dhe duke krijuar premisa për trendin e mirë të kreditimit, që po përjetojmë. Gjej me vend të veçoj se ka më shumë se një vit që kredia në lekë është kontribuuesi kryesor i zgjerimit të kreditimit për sektorin privat. Kështu, kredia në lekë është rritur mesatarisht me 20% vit mbi vit për gjashtë muajt e parë të vitit, ndërkohë që ajo në valutë ka shfaqur ngadalësim të normës së rritjes vjetore në 5% për të njëjtën periudhë. Krahas zgjerimit të shpejtë të kërkesës për kredi të sektorit privat, në këtë ecuri ka ndihmuar edhe rënia e ndjeshme e diferencës së normave të interesit në lekë kundrejt asaj në valutë – më konkretisht në euro. Kështu, dhjetë vite më parë kjo diferencë ishte mesatarisht rreth 2 pp, ndërsa aktualisht ajo është pothuajse zero (0.1 pp mesatare e vitit 2024). Në segmente të caktuara, si ajo e kredisë hipotekore, kosto e kredisë në lekë është edhe më e ulët se ajo në euro me rreth 1.3 pp më pak. Ngushtimi i ndjeshëm i diferencialit të normave të interesit lekë-euro, i mbështetur edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit, solli në shfaqjen e një fenomeni të ri, atë të zhvendosjes së portofoleve të kredisë nga euro në lekë. Shumë biznese dhe individë zhvendosën ekspozimet e tyre afatgjata kredimarrëse në sektorin bankar nga euro në lekë. Këto zhvillime kanë ndikuar në zhvendosjen strukturore të portofolit të kredisë nga valutë drejt lekut, duke bërë që në muajin qershor kredia në lekë përbënte 57.3% të totalit të kredisë së sektorit privat, krahasuar me 41% që ishte në fund të vitit 2015. Vlen të theksohet gjithashtu se vetëm 6-mujorin e parë të këtij viti kredia e sistemit bankar arriti në shumën e 268 milionë lekë, duke pasur një qëndrueshmëri të kredive me probleme.

    Së treti, ai ndihmoi në uljen e borxhit të brendshëm dhe të huaj të vendit, duke përmirësuar ekuilibrat makroekonomike dhe duke sjellë një reduktim strukturor të kostove të financimit. Më konkretisht, borxhi i huaj ka ndjekur një trajektore rënëse prej vitit 2015; me përjashtim të vitit të pandemisë. Raporti i borxhit të huaj ndaj PBBsë është pakësuar ndjeshëm, duke zbritur nga 74.4% në fund të vitit 2015, në 46.8% në tremujorin e parë të vitit 2024. Rritja e qëndrueshme e aktivitetit ekonomik, orientimi i politikës fiskale drejt kahut konsolidues dhe përmirësimi i balancave kursime-investime, si në sektorin publik, ashtu edhe atë privat, kanë qenë faktorë kryesor në këtë ecuri, të ndihmuar edhe nga mbiçmimi i lartë kursit të këmbimit gjatë kësaj periudhe. Në të njëjtën periudhë, borxhi publik ka ndjekur një trajektore rënëse, e mbështetur nga ndjekja e një politike fiskale konsoliduesi dhe rritja e shpejtë e aktivitetit ekonomik në vend. Kështu, borxhi publik në vitin 2023 u vlerësua në 58.9% të PBBsë, me një rënie prej 14 pikë përqindjeje në dekadën e fundit.

    Së katërti, nuk duhet nënvlerësuar dhe fakti që punonjësit e administratës publike dhe pjesa dominuese e sektorit privat shpërblehen për punën e tyre (paga) në lek, të mbivlerësuar. E parë kjo dhe me rritjen e pagave dy vitet e fundit në këta sektorë (12-15%), ndikimi në buxhetet familjare është në kahjen pozitive. 

    Së fundi, më duhet të theksoj se të gjitha ndërhyrjet monetare të Bankës së Shqipërisë gjatë goditjeve të fundit kanë qenë në kahun, në kohën dhe në masën e duhur, duke mos cenuar, përkundrazi, duke mbështetur pozitivisht zhvillimin ekonomik të vendit. Ekonomia shqiptare ka një rritje solide, në nivelin 3.5-4%, papunësia qëndron në nivele minimale historike, prej 10.7%, rritja e pagave në sektorin privat është e konsiderueshme, në intervalin 12-15%, ndërsa bilancet e bizneseve dhe të sektorit bankar nuk kanë qenë kurrë më likuide dhe solide.

    Natyrisht që mbiçmimi i lekut në raport me valutat e huaja, sidomos me monedhën euro ka ndikuar negativisht te kompanitë eksportuese dhe depozituesit që i kanë depozitat në euro etj.. Por, parë në vështrimin e të gjithë elementeve, kjo ngjarje monetare duhet konsideruar përgjithësisht me ndikim pozitiv, për stabilizimin e situatës post-COVID dhe veçanërisht në kushtet e krizës së çmimeve dhe të inflacionit nga lufta në Ukrainë. Natyrisht, në aspektin afatmesëm, në vartësi të ndikimit të inflacionit të jashtëm, të akomodimit më të mirë e të plotë të zhvillimeve strukturore në ekonomi, veçanërisht të sektorit të turizmit (6-mujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga turizmi arritën në 2 miliardë euro) dhe të përdorimit të politikës monetare me ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik, mund të ketë një ekuilibër të ri të kursit të lekut me valutat e huaja. Këtu duhet konsideruar edhe strategjia e deuroizimit, për të cilën Banka e Shqipërisë po i plotëson objektivat e kësaj strategjie, ndërsa aktorët e tjerë, pjesë e kësaj strategjie, duhet të tregojnë më shumë angazhim.

    Thënë të gjitha këto, jam i sigurt se publiku ka nevojë për një gjuhë komunikimi dhe sqarimi të këtij fenomeni, në mënyrë më të thjeshtë, pavarësisht nga “Kornizat profesionale” të bankierëve.

    Kështu, stabiliteti monetar, i kuptuar si një mjedis ekonomik me çmime të qëndrueshme dhe stabiliteti financiar, i kuptuar si një mjedis financiar, i cili mundëson qarkullimin e lirë dhe me kosto të ulëta të flukseve financiare dhe të kredisë janë një kontribut konkret dhe i pazëvendësueshëm që Banka e Shqipërisë jep për zhvillimin e vendit.

    Së pari, politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve mundësojnë krijimin e kursimeve të nevojshme dhe me kosto të ulëta në ekonomi. Këto kursime, të cilat në shumicën e tyre depozitohen në banka, shërbejnë me tej si kapital financiar për kreditimin e ekonomisë.

    Së dyti dhe në të njëjtën linjë, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar janë parakusht i një sistemi bankar të shëndetshëm, të besueshëm dhe eficient, i cili mundëson një transformim eficient të kursimeve në kredi.

    Së treti, nëpërmjet zhvillimit të sistemit të pagesave dhe ngritjes së infrastrukturës plotësuese të kredisë, si Regjistrit të Kredisë dhe institucioneve financiare jo-banka, të cilat kryejnë detyra specifike në sistem, Banka e Shqipërisë mundëson uljen e rrezikut të kredisë dhe për rrjedhojë të kostos së saj.

    Të tria këto dimensione të punës së saj kanë dhënë rezultate të prekshme në rritjen e kreditimit dhe zhvillimin e biznesit. Për ilustrim, duhet theksuar se sistemi bankar shqiptar mban rreth 1,545 miliardë lekë depozita, nga të cilat 1,237 miliardë janë depozita të familjeve dhe 308 miliardë të bizneseve. Në terma relativë me madhësinë e ekonomisë, këto janë ndër shifrat më të larta në rajon.

    Po ashtu, sistemi bankar ka dhënë 738 miliardë lekë kredi, nga të cilat 447 miliardë për bizneset dhe 291 miliardë për familjet. Pjesa më e madhe e kredisë për bizneset financon sektorët kryesorë, të cilët janë edhe promotorët e rritjes së ekonomisë shqiptare.

    ROLI MBIKËQYRËS I BANKËS SË SHQIPËRISË, GARANCI PËR STABILITETIN FINANCIAR TË VENDIT

    Roli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen dhe funksionimin e sistemit bankar në vend. Së bashku me politikën monetare, mbikëqyrja e sistemit përbëjnë dy shtyllat kryesore për stabilitetin financiar (bankar) Kjo (mbikëqyrja) në veçanti përmes zbatimit të kompetencave që organeve mbikëqyrëse i japin aktet ligjore dhe rregullatorë, rekomandimeve të dala nga Dokumentet e Bazel 1 dhe Bazel 2, asistenca e Bankës Botërore etj..

    Banka e Shqipërisë ushtron mbikëqyrjen ndaj sistemit financiar në vend nëpërmjet tagrave të përcaktuara nga ligji për Bankën e Shqipërisë dhe Ligji për Bankat. Si një nga dy shtyllat kryesore të Bankës, ajo ka si objektiva kryesorë sigurimin e ruajtjes së shëndetit financiar të subjekteve të licencuara, me qëllim fundor parandalimin e krizave si dhe mbrojtjen e depozituesve; monitorimin e zhvillimeve në treg; nxitjen e disiplinës së tregut nëpërmjet rritjes së transparencës për produktet dhe shërbimet bankare e financiare; zhvillimin e një konkurrence të ndershme dhe trajtim të barabartë të subjekteve. Detyra dhe objektiva këto, që ndër vite kanë qenë në qendër të vëmendjes dhe veprimtarisë së BSH. Këto me fokus sistemin bankar, në vend që referuar situatës dhe fakteve rezulton se gjendja e sistemit financiar është e stabilizuar, sistemi bankar është i mirëkapitalizuar, mirëfunksional dhe kreditues. Njëherësh, në fokus të mbikëqyrjes ka qenë dhe mbetet edhe sistemi financiar jo-bankar, një treg ky relativisht i ri në vendin tonë, problematikat e krijuara në këtë treg nuk mund të mos ishin dhe jenë në vëmendje për rritjen e “vigjilencës” ndaj këtij tregu dhe goditjes në kohë të devijimeve të konstatuara. Kjo e bërë përmes nxjerrjes dhe përmirësimeve në vazhdimësi të disa akteve rregullative të mbikëqyrjes së tregut financiar jobankar, hartimi i një plani të përbashkët ndërinstitucional, që lidhen me këtë treg, reflektimet ligjore që duhen bërë sidomos në kuadrin ligjor, që rregullon marrëdhëniet civile e tregtare, për të gjithë aktorët në kontratat e kredisë nga institucionet jobankare (sidomos për të drejtat, detyrimet dhe përdorimin dhe ekzekutimin e tarifave), ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, që janë duke u përgatitur, bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare etj.. Këto të fundit për të marrë përvojat më të mira në reflektimin ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve të ngjashme me vendet e tjera të këtij tregu, si një mundësi e frenimit sa më shumë të pasojave nga fenomenet negative që mund të ndodhin në këtë treg.

    Nga ana tjetër, masat që janë marrë për heqje dhe pezullim licencash për disa institucione të mikrokredisë dhe të përmbarimit për keqzbatim të akteve ligjore dhe rregullatore apo të masave të propozuara mbas konstatimeve të kontrolleve janë të domosdoshme dhe duhet të jenë në vazhdimësi.

    Gjithashtu, thellimi i edukimit financiar, me gjuhe të thjeshtë dhe ligjore, duhet intensifikuar më tej, me qëllim që kreditorët në veçanti dhe qytetarët në përgjithësi të njohin dhe dinë përgjegjësitë e tyre në marrëdhëniet e kredimarrjes dhe të ndërgjegjësohen më shumë për efektet e këtij tregu.

    Roli i Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i spikatur në të gjithë këtë superstrukturë rregullatore dhe mbikëqyrëse, me një ndikim themelor në zhvillimin e një veprimtarie të qëndrueshme të sistemit financiar.

    STABILITETI FINANCIAR DHE SIGURIA KOMBËTARE

    Në çdo vend të botës, qëndrueshmëria e stabilitetit financiar është një çështje e sigurisë kombëtare. Me qëndrueshmëri të sistemit financiar nuk konceptohet mungesa e dështimit të institucioneve financiare, por aftësia e sistemit për t’i përballuar këto ngjarje eventuale pa luhatje të theksuara dhe ku depozituesit janë të mbrojtur. Rreziqet janë gjithmonë të pranishme në veprimtarinë e institucioneve dhe të tregjeve financiare. Nëse këto rreziqe nuk identifikohen drejt dhe në kohën e duhur dhe adresohen në mënyrë të përshtatshme, ato mund të ndikojnë negativisht në veprimtarinë e institucioneve financiare dhe të tronditin besimin e publikut në qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe të sektorit bankar. Bankat janë mbi të gjitha institucione besimi. Mungesa e qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe të sektorit bankar mund të shoqërohet me pasiguri për kursimet e qytetarëve, vështirëson aksesin në financim për bizneset, ul konsumin dhe investimet, godet investimet e huaja, rrit presionin mbi kursin e këmbimit dhe mund të shoqërohet në të njëjtën kohë me tkurrje të ekonomisë dhe me inflacion. Në tërësi, kjo situatë godet edhe financat publike, duke u shoqëruar me rritje të niveleve dhe të kostos së borxhit publik. Në një situatë ekstreme, një vend që përballet me tronditje të thella të kuadrit makroekonomik dhe nevoja urgjente për financim, do të ishte më i brishtë ndaj trazirave sociale të brendshme dhe presioneve të huaja të padëshirueshme në kushte normale. Kjo mund të sillte mungesën afatgjatë të një stabiliteti politik dhe social, ku një përpjekje e shëndetshme për të ndryshuar sistemin mund të shoqërohej pa kuptuar me lindjen e forcave politike populiste që premtojnë zgjidhje afatshkurtra dhe çudibërëse, krejtësisht të pambështetura në realitet. Vendet në zhvillim, janë më të ndjeshme ndaj këtyre zhvillimeve, për arsye që lidhen me brishtësitë që prekin strukturën e ekonomisë dhe të sistemit financiare, strukturën sociale dhe shkallën e edukimit financiar, zbatimin e ligjit dhe stabilitetin politik. Për fat të keq, në kushtet e zhvillimeve digjitale dhe të rrjeteve sociale, mundësia për të krijuar stres në infrastrukturën e teknologjisë digjitale të një vendi, duke përfshirë posaçërisht atë të sistemit financiar është rritur. Kjo lidhet nga njëra anë me sulmet kibernetike, shpesh me qëllime të përfitimit privat, por jo rrallë edhe me qëllime politike, që në kohën e zhvillimeve të vrullshme digjitale, kanë mundësinë të paralizojnë aftësinë operuese të subjekteve që targetohen, apo të korruptojnë të dhënat që administrohen prej tyre dhe që kanë ndjeshmëri publike. Nga ana tjetër, prania e rrjeteve sociale rrit mundësinë, që të lindin dhe të përhapen me shpejtësi opinione të caktuara mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, jo rrallë mbështetur mbi interpretime të gabuara apo të dhëna të pasakta, ndonjëherë të formuluara, edhe qëllimisht, të cilat mbjellin apo ushqejnë pasiguri te familjet apo individët rreth këtyre zhvillimeve. Në këto raste është e rëndësishme që vetë institucionet financiare të forcojnë kapacitetet mbrojtëse për infrastrukturën e tyre kritike digjitale. Ndërsa autoritet publike që monitorojnë infrastrukturën digjitale të vendit në tërësi, të operimit të rrjeteve sociale dhe që përgjigjen për qëndrueshmërinë e sistemit financiar, kanë detyrimin të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre për ngritjen e mekanizmave mbrojtës, duke përfshirë edhe realizimin e një komunikimi transparent, të qartë dhe të rregullt me publikun për faktet dhe të vërtetën.

    Prandaj, edhe në rastin e vendit tonë, vetëdija për rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit financiar duhet të jetë maksimale. Kjo është përgjegjësi në radhë të parë e autoriteteve që janë ngarkuar nga ligji për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar, ku përfshihen Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Por veprimtaria e sistemit financiar nuk duhet parë e veçuar nga zhvillimet e përgjithshme ekonomike, funksionimi i tregjeve financiare dhe i infrastrukturës tjetër mbështetëse. Në këtë kuptim, angazhimi i Qeverise dhe i agjencive të ndryshme të saj, është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Më tej, ligjvënësve u bie si detyrë që të përcaktojnë qartësisht në ligjet e fushës, jo vetëm mekanizmat e llogaridhënies nga institucionet publike, por edhe ato të bashkëpunimit efektiv mes tyre, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe sigurisë kombëtare.

  • Shkencëtari kosovar Besnik Krasniqi, përfshihet në listën e shkencëtarëve më me ndikim në botë

    Shkencëtari kosovar Besnik Krasniqi, përfshihet në listën e shkencëtarëve më me ndikim në botë

    Një arritje e jashtëzakonshme për shkencën kosovare ka ardhur këtë vit, pasi Profesori Besnik Krasniqi, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, është përfshirë në listën prestigjioze të Universitetit të Stanfordit, në mesin e 2% të shkencëtarëve me ndikimin më të lartë në botë. Ky vlerësim përfaqëson njohjen ndërkombëtare të përkushtimit dhe punës së tij të palodhshme në fushën e kërkimit shkencor.

    Në një deklaratë, profesor Krasniqi shprehu mirënjohjen e tij për këtë arritje, duke theksuar se suksesi i tij është rezultat i mbështetjes së fortë nga familja, mentorët, studentët dhe kolegët e tij. “Ky vlerësim është një dëshmi e punës sime të palodhur dhe përkushtimit ndaj kërkimit shkencor,” tha ai.

    “Një falënderim i madh për familjen time, mentorët, studentët dhe kolegët. Pa mbështetjen tuaj të palëkundur, kjo arritje nuk do të ishte e mundur.”

    Universiteti i Stanfordit është i njohur globalisht për rolin e tij udhëheqës në kërkimin shkencor dhe për përzgjedhjen e shkencëtarëve që kanë ndikuar më së shumti në zhvillimet globale përmes publikimeve dhe punimeve të tyre të rëndësishme. Përfshirja e profesorit Krasniqi në këtë listë të shquar është një arritje jo vetëm për të, por edhe për Kosovën, duke dëshmuar se shkencëtarët e këtij vendi mund të konkurojnë dhe të arrijnë rezultate në nivel ndërkombëtar.

    Si profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, profesori Krasniqi ka një ndikim të rëndësishëm në edukimin dhe zhvillimin e brezit të ri të ekonomistëve dhe studiuesve kosovarë. Përmes kësaj arritjeje, ai vazhdon të inspirojë dhe të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor në Kosovë.

    Kjo njohje ndërkombëtare përforcon rëndësinë e kërkimit të palodhur dhe të përkushtuar dhe tregon se suksesi në shkencë është një përpjekje që mund të ketë ndikim të thellë dhe afatgjatë në nivel global.

  • Prindërit dhe identiteti gjinor

    Prindërit dhe identiteti gjinor

    Kushdo që ia ka ndryshu tekstin këngës Oj Kosovë, oj nana ime, s’ka bërë mirë hiç! Nuk po besoni – qe njeri:

    “OJ KOSOVË OJ PRINDI IM 1”

    Për më tepër kanë shku pisat ia kanë ndryshu tekstin edhe kësaj alamet kënge:

    “PËR PRIND 1 DHENË”

    Hajde më së pari të merremi vesh diçka. Dmth kjo punë është hajgare, po ju kallëzoj. Nuk mundet oj Kosovë oj nana ime me u zëvendësi me prindin 1, për mëmëdhenë prindi 1, e në krejt rrjetet sociale prindi 1 me qenë baba!

    Koncentrohuni o talenta, a është nëna prindi 1 a 2, të dim’ ku jem’!

    Ngjashëm si prindi 1 e 2, kur u aktualizua kjo temë, ishin dy opsione si të veprojmë:

    Opsioni 1: mos me u marrë fare me një eksperiment të dështuar të një shkolle në Prishtinë, sepse ka tema tjera më interesante.

    Opsioni 2: me hulumtu pak dhe me konstatu që nga ky eksperiment i shkollës nuk u distancua Komuna e Prishtinës, nuk u distancua Ministria e Arsimit, edhe pse paqt llafi po shihet që terminologjia e përdorur është joligjore dhe nuk reaguan as puritanët e shoqërisë civile.

    Nëse organet komunale dhe shtetërore nuk distancohen nga kjo terminologji dhe nëse nuk udhëzohen shkollat të përdorin emërtimet që i parasheh ligji, atëherë i bie që janë kah e përkrahin këtë eksperiment.

    Deri këtu gjithçka është e qartë. Telashet fillojnë kur e konstatojmë që së paku 3 ministra të kabinetit aktual qeveritar e kanë shkelë ose e kanë shpërfillë kushtetutën.

    Telashe ka më pas, kur e dimë që për disa shkelje të ligjit e kushtetutës ka dënime dhe sanksione, e për disa tjera nuk ka.

    Dhe në fund telashe ka me shkurtpamësinë dhe mungesën e guximit të kësaj klase politike.

    Tash për dallim nga politikanët që janë qyqarë, së paku një nga ata që kanë qenë në grup punues ishte i guximshëm, dhe në publik e dha versionin e vet:

    Projekt Kodi Civil nuk ka kaluar në Kuvend sepse parashihte bashkësitë civile të personave të gjinisë së njëjtë dhe parashihte që ato të rregullohen më pas me ligj të veçantë.

    Të kujtojmë kodi nuk kaloi për shkak se në radhët e dy partive Vetëvendosjes dhe AAK-së ka pasë deputetë me bindje konservatore, për të cilat kjo dispozitë ka qenë e papranueshme.

    Projekt Kodi Civil u bë temë e madhe debati sepse ka mbërri deri në Kuvend. Një projekt ligj tjetër ku parashihen ndryshime rrënjësore është ai për gjendje civile.

    Kosnulltimet publike për këtë projektligj janë mbyllë dhe u është shpërndarë deputetëve. Gjasat që ky projektligj me kalu para zgjedhjeve janë të vogla, mirëpo, përmbajtja e tij është interesante.

    Ajo çka di unë është që seksi, gjinia dhe identiteti gjinor janë çështje shumë më të rrëshqitshme sesa kodi civil, sesa bashkësitë civile të personave të gjinisë së njëjtë.

    Sa për ilustrim në ligjin aktual për gjendjen civile këso formulimesh nuk ka.  Ligji aktual e përcakton që në aktin e lindjes së një fëmije, duhet të precizohet gjinia, jo seksi dhe në rast se organet gjenitale të fëmijës kanë çrregullime, gjinia përcaktohet me konstatim të mjekut. Gjinia përcaktohet, jo seksi.

    Gjinia karakteristikë e lindur, jo rol i fituar që mund të ndryshojë me kalimin e kohës.

    Mirëpo, edhe në projektligjin që nuk u miratua ende, akti i lindjes së fëmijës parashihet të përmbajë emrin e babës dhe të nanës, jo të prindit 1 e 2.

    Javën e kaluar kam thënë që deputetët i kemi të dobët. Në pjesë e tyre s’dalin në punë, një pjesë e tyre edhe kur dalin, e shkelin Kushtetutën, ama rrogat e mëditjet i marrin me rregull.

    Tash, kur për këto tema nuk ka debat në Kuvend, ka me pasë në media, në xhami e kisha, në sallone të frizerave dhe në kuptohet, në rrjete sociale, mirëpo, asnjë nga këto vende të debatit nuk diktojnë agjendë politike! E për këto tema, politikanët duhet të deklarohen!

  • Haxhiu e pret homologun nga Malta, reformat në drejtësi i diskuton me të

    Haxhiu e pret homologun nga Malta, reformat në drejtësi i diskuton me të

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se sot e ka pritur në takim homologun nga Malta, Jonathan Attard.

    Në një postim në Facebook, Haxhiu tregoi se për çfarë kanë biseduar dhe, tha se ai ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante.

    “Diskutuam për shumë çështje e sidomos për reformat e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e institucioneve të drejtësisë si dhe sfidat në adresimin e përgjegjësive që kemi”, ka shkruar Haxhiu.