ATV

Author: ATVLive

  • Kurti takon përfaqësues të diasporës, prezanton të arriturat në vend

    Kurti takon përfaqësues të diasporës, prezanton të arriturat në vend

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të dielën me përfaqësues të shoqatave të diasporës sonë në Venecia të Italisë.

    Bëhet e ditur se në bashkëbisedimin e tyre, u diskutua mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, progresin që ka njohur vendi në tri vitet e fundit dhe perspektiva për avancim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik dhe investimeve por edhe të mirëqenies sociale.

    “U bashkëbisedua gjithashtu për mërgatën tonë si urë ekonomike dhe kulturore ndërmjet shtetit të Kosovës e kombit shqiptar me Italinë dhe popullin italian. Kryeministri radhiti indikatorët pozitivë dhe premtues ekonomik, ku përmendi ndër të tjera rritjen mesatare ekonomike 6.2%, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, krijimin dhe shtimin e vendeve të reja të punës veçanërisht me fokus në punësimin e të rinjve dhe grave, rritjen e qarkullimit të bizneseve”, thuhet në njoftimin e sotëm të zyrës për informim të ër informim të Kryeministrit.

    Gjithashtu bëhet e ditur se kryeministri Kurti me këtë rast tha se Qeveri është përkujdesur që zhvillimi ekonomik të shpërndahet te të gjithë qytetarët pa dallim, përmes masave të ndryshme ekonomike të ndërmarra, për të ndihmuar nënat, studentët e familjet, por edhe tejkalimin e krizave globale me të cilat jemi përballur.

  • Kampi i Barcelonës po vjen në Kosovë, afro 300 fëmijë do të jenë pjesëmarrës

    Kampi i Barcelonës po vjen në Kosovë, afro 300 fëmijë do të jenë pjesëmarrës

    Ekipi i Akademisë së Barcelonës për pesë ditë do të qëndrojë në Kosovë, ku do të stërviten rreth 288 fëmijë. Kampi do të mbahet në Hajvali, ndërsa do të zgjasë pesë ditë, raporton EO.

    Kështu u tha të hënën në konferencën për media nga Kampi i Akademisë së Barcelonës në Prishtinë, ndërsa ngjarje pritet të ndodhë gjatë muajit tetor, midis datave 20 deri 24.

    Bardh Krasniqi ka thënë se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për Kosovën, ndërsa ka treguar edhe numrin e pjesëmarrësve.

    “Tanimë ndër ekipet më të njohura në botë, Barcelona do te jete partner kosovar dhe ky është vetëm fillimi i së ardhmes. Në këtë kamp numri i pjesëmarrësve do të jetë 288 fëmijë”, ka thënë Krasniqi.

    Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica, e ka quajtur historike mbajtjen e këtij kampi në Kosovë.

    “Një kamp siç është Barcelona ka një histori shumë të madhe të futbollit dhe për ne është diçka shumë e mirë e sidomos për brezin tonë. Që nga dita e themelimit i kujtoj momentet e para të klubit që për qëllim kishte fuqizimin e vajzave në futboll. Është një eksperiencë e mirë për të rinjtë dhe të rejat”, u shpreh Mushica.

  • Dëshmitari thotë se porosia e miqve ishte t’i përshëndesë krerët e UÇK-së, ZPS interesohet se kush janë

    Dëshmitari thotë se porosia e miqve ishte t’i përshëndesë krerët e UÇK-së, ZPS interesohet se kush janë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë ka dëshmuar dëshmitari i 89-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) Demush Krasniqi i cili mban kodin 03885 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Demush Krasniqi tha se ka porosi nga miqtë dhe shokët e tij që t’i përshëndeste krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    “Kur e kam marrë ftesën për të ardhur këtu e për të dëshmuar si i ish-UÇK-së kam pas shumë mysafirë, me kanë përcjellë shumë veteranë e në mesin e tyre kisha edhe të fshatrave përreth dhe porosia e tyre ishte që unë personalisht t’i përshëndes krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe deputetin Rexhep Selimin. Ma dhanë këtë porosi miqtë, shokët që unë këtë ta përcjelli dhe se di a mund ta përcjelli ashtu siç me kanë porositur”, tha dëshmitari Krasniqi.

    Më pas, lidhur me këtë prokurori pyeti dëshmitarin se kush ishin këta miqtë që e porositën në këtë lloj mënyre. Dëshmitari tha që ata që e përcjellën për të ardhur në Hagë.

    Tutje, prokurori pyeti se a iu kujtohen emrat e atyre personave që ia dhanë këtë porosi si dhe a i thanë atij se çfarë duhet të dëshmojë.

    “Ishin miq të mi. Ishte dëshira ime që ta përcjelli këtë mesazh”, tha dëshmitari duke shtuar se ai vetë e kishte bërë publike që do të shkonte në Hagë.

    Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit për dëshmitarin, mirëpo përpara kësaj, atij iu prezantua një dokument në të cilin ishte emri i tij ku shkruhej ‘Vërejtje për shkak të mungesave’.

    “E kisha familjen në Malet e Turjakës. E kisha nënën, gruan dhe gjashtë fëmijë në male dhe ne nganjëherë u detyrohesha të shkoj t’i vizitojë se a kanë ushqim dhe si po jetojnë aty. Nganjëherë vonohesha për t’u kthyer tek shokët e me siguri ka qenë kjo vërejtje e imja. Isha më i vjetri në njësitë dhe për të qenë të ndërgjegjshëm të tjerët e t’i respektojnë rregullat më jepnin mua vërejtje si Demush Laci ta merrni vërejtje që është vonuar e nuk ka ardhur me kohë”, tha dëshmitari Krasniqi.

    Dëshmitari tha se atij i ka mbetur nofka ‘Demush Laci’ për arsye se në fshatin e tij ishin edhe tre Demusha të tjerë.

    Ai tha se nuk e din se kur është krijuar Qeveria e përkohshme por që e din se një gjë e tillë kishte ndodhur.

  • Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja i bën thirrje diasporës për regjistrim si votues jashtë vendit

    Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja i bën thirrje diasporës për regjistrim si votues jashtë vendit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e 9 shkurtit, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor.

    “Gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së”.

    Siç bën të ditur, KQZ-ja gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:

    Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë;duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
    “Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”.

    KQZ ka inkurajuar të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.

  • Hoti: Qeveria Kurti ka shkaktuar pasoja për shtetin dhe secilën familje, Kosova ka nevojë për qeverisje të përgjegjshme

    Hoti: Qeveria Kurti ka shkaktuar pasoja për shtetin dhe secilën familje, Kosova ka nevojë për qeverisje të përgjegjshme

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka njoftuar se strukturat e partisë në disa nëndegë në Rahovec janë mbledhur dhe kanë diskutuar për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Ai thotë se qeverisja aktuale ka shkaktuar pasoja për shtetin dhe secilën familje, ndërsa thotë se Kosova ka nevojë për qeverisje të përgjegjshme.

    “Diskutimet tona në përgatitje për procesin demokratik të 9 shkurtit 2025 të kthimit të qeverisjes së mbarë dhe euro-atlantike në Kosovë i vazhduam edhe në Krushë të Madhe me strukturat e nëndegëve: Celinë, Hoqë e Vogël, Brestoc dhe Nagavc”, ka shkruar Hoti.

    “Të gjithë janë të vetdijshëm për pasojat për shtetin e Kosovës dhe secilën familje nga qeverisja e këtij 4-vjeçari. Kosova ka nevojë për qeverisje të përgjegjshme, profesionale, euro-atlantike”, shtoi ai.

  • Haradinaj: Mbi 450 pjesëtarë e lëshuan FSK-në për dy vjet

    Haradinaj: Mbi 450 pjesëtarë e lëshuan FSK-në për dy vjet

    Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbi 11 për qind të ushtarëve janë larguar nga FSK në vitin 2023 dhe 2024.

    Ai ka thënë se kjo është alarmante dhe i ka ftuar ata të qëndrojnë sepse premton se do ta ndryshojë gjendjen.

    “Mbi 11 për qind e ushtarëve lëshuan FSK-në vetëm në 2023 dhe 2024. Kjo është alarmante. I ftoj të qëndrojnë, sepse ne do ta ndryshojmë gjendjen.”

    Haradinaj ka thënë se në vitin 2023 FSK’në e kanë lëshuar 257 pjesëtarë e në vitin 2024 200.

    Ai ka shtuar se ata si arsye kanë përmendur kushtet e rënda financioare dhe pagat e pamjaftueshme.

    “Në vitin 2023, numri i pjesëtarëve që e kanë lëshuar FSK-në është 257! Në vitin 2024, ka kaluar numri prej 200. I fundit nga ta më 19 shtator 2024. Shumica nga ta përmendin kushtet e vështira financiare dhe pagat e pamjaftueshme në arsyetimin pse lëshojnë Ushtrinë.

    Haradinaj ka thënë se është i shqetësuar “me trajtimin katastrofal” që Qeveria po i bën ushtrisë sonë.

    “Edhe pas 4 viteve të kësaj qeverie, numri i pjesëtarëve të uniformuar është nën 4.000, ndërsa forca rezervë e FSK-së është harruar pothuajse plotësisht. Jam i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim katastrofal që Qeveria po i bën Ushtrisë sonë, të cilën me shumë mund kemi arritur ta mandatojmë më 2018. Ftoj rininë t’i bashkohen FSK-së dhe ftoj pjesëtarët të qëndrojnë aty.”

    Ai ka premtuar se paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro.

    “Ne do ta përmirësojmë me urgjencë gjendjen e tyre financiare dhe kushtet elementare të punës. Qysh në muajt e parë të Qeverisë së re, paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro.”

  • Sarrazin: Kosova rrezikon izolim më të thellë për shkak të ndalimit të importeve serbe

    Sarrazin: Kosova rrezikon izolim më të thellë për shkak të ndalimit të importeve serbe

    Ndërsa Gjermania përgatitet të presë samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor, duke shënuar dhjetëvjetorin e platformës së lidhur me BE-në për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, i dërguari gjerman në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka vizituar Kosovën dy herë në një misioni për të sqaruar problemet me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.

    Në një interivstë për Balkan Insight, Sarrazin ja thënë se Kosova rrezikon izolim më të thellë për shkak të ndalimit të importeve serbe

    “Kosova mund të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon të ndalojë importet serbe”. Kështu ka thënë i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin.

    Më 5 shtator, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se Sarrazin, në vizitën e tij të dytë në Kosovë brenda një afati të shkurtër kohor, i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të heqë ndalimin e vendosur në qershor 2023 për importin e produkteve të vendit. Origjina serbe, për të cilën Sarrazin thotë se po bllokon tregtinë e lirë në rajon dhe po pengon CEFTA-n.

    “Në këmbim të heqjes së ndalimit, Kosova nuk do të përfaqësohej më zyrtarisht në kuadër të CEFTA-s nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, por do të përfaqësohej vetë”.

    Megjithatë, emri i saj do të shkruhej si Kosovë*, që të çonte në një fusnotë ku thuhet se statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur përfundimisht sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke reflektuar refuzimin e Serbisë për ta njohur atë si shtet të pavarur.

  • Fushatë vetëdijësuese për kancerin e gjirit – Fillon qarkullimi i autobusit me logon “Race for the Cure Prishtina 2024”

    Fushatë vetëdijësuese për kancerin e gjirit – Fillon qarkullimi i autobusit me logon “Race for the Cure Prishtina 2024”

    Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës në bashkëpunim me Trafikun Urban, kanë lëshuar në qarkullim një autobus të linjës 4, si pjesë e fushatës vetëdijësuese për kancerin e gjirit “Race for the Cure Prishtina 2024”, raporton EO.

    Sipas organizatorëve, fushata e vitit të kaluar ka pasur një ndikim të madh në rritjen e numrit të mamografive të realizuara në kryeqytet.

    Në gusht të vitit 2023 janë realizuar 80 mamografi, ndërsa në tetor numri ka arritur në 887, një rritje prej 1000%.

    Fushata “Race for the Cure Prishtina 2024” do të përfshijë një sërë aktivitetesh, ndër të cilat më 6 tetor në Prishtinë do të organizohet ecja dhe vrapimi në mbështetje të grave që kanë kaluar përmes kësaj sëmundjeje.

  • Rastet kur nuk këshillohet konsumimi i hudhrës

    Rastet kur nuk këshillohet konsumimi i hudhrës

    Hudhra mund të mos jetë erëza e preferuar e shumicës prej nesh, kjo për shkak të aromës së saj. Megjithatë, vlerat e saj ushqyese janë të jashtëzakonshme.  Hudhra ka  veti antibakteriale dhe antiinflamatore që përmirësojnë qarkullimin e gjakut, luftojnë plakjen e parakohshme dhe ulin rrezikun e prekjes nga tumore të caktuara.

    Hudhra përbëhet nga substanca azotike, sodium, kalium, selen, kalcium, magnez, acid sulfurik dhe fosforik, vitamina C, D, B që shkatërrojnë një numër të madh bakteresh. Për këtë arsye përdoret shumë në mjekësinë popullore për shërimin e disa sëmundjeve, por ekizstojnë edhe disa kategori njerëzish ose situata ku është e ndaluar të përdorni hudhra:

    -Gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijën me gji: Hudhra është e sigurt për t’u përdorur gjatë shtatzënisë kur merret në sasitë që normalisht gjenden në ushqim. Hudhra është e paqëndrueshme kur përdoret në sasi medicinale gjatë shtatzënisë dhe gjatë ushqyerjes së foshnjës me gji. Nuk ka mjaftueshëm informacione të besueshme për sigurinë e aplikimit të hudhrës në lëkurë nëse jeni shtatzënë ose gjatë ushqyerjes me gji. Prandaj, për të qenë më të sigurtë, mos e përdorni.

    -Fëmijët: Hudhra është disi e sigurt kur merret me anë të gojës dhe në mënyrë të përshtatshme për një afat të shkurtër tek fëmijët. Sidoqoftë, hudhra mund të jetë e dëmshme kur merret në doza të larta. Disa të dhëna sugjerojnë se doza të larta të hudhrave mund të jenë të rrezikshme apo edhe fatale për fëmijët. Arsyeja për këtë paralajmërim nuk dihet. Të paktën deri tani nuk është raportuar ndonjë rast fatal tek fëmijët nga konsumimi i hudhrës. Kur aplikohet në lëkurë, hudhra mund të shkaktojë plagë të ngjashme me djegien.

    -Çrregullime të gjakderdhjes: Hudhra, veçanërisht ajo e freskët, mund të rrisë rrezikun e gjakderdhjes. Probleme të stomakut ose tretjes: Hudhra mund të irritojë traktin gastrointestinal .  Përdoreni me kujdes nëse keni probleme me stomakun ose tretjen.

    -Tensioni i ulët i gjakut: Hudhra mund të ulë tensionin e gjakut. Në teori, konsumimi i hudhrave mund të bëjë që tensioni i gjakut të bëhet shumë i ulët tek njerëzit me tension të ulët të gjakut.

    -Përpara një operacioni: Hudhra mund të zgjasë gjakderdhjen dhe të ndërhyjë në presionin e gjakut. Ndaloni marrjen e hudhrave të paktën dy javë para një operacioni të planifikuar.

  • Gerxhaliu: Largimi i kosovarëve në heshtje më i rrezikshëm se ekzodi

    Gerxhaliu: Largimi i kosovarëve në heshtje më i rrezikshëm se ekzodi

    Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mungesa e stabilitetit politik dhe mungesa e perspektivës ekonomike dhe evropiane po e rrit ankthin e kosovarëve për të ardhmen e tyre.

    Sipas tij, masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe paralajmërimet për luftë eventuale me Serbinë fusin ankth dhe panik tek qytetarët.

    “Në Kosovë po ndodh një largim masiv, por këtë herë në heshtje dhe pa shumë vëmendje. Pamjet nga pritjet në Aeroportin “Adem Jashari” dhe aeroporte të rajonit, e në veçanti Aeroporti i Shkupit gjatë gjithë vitit, tregojnë për një vlugë të largimit nga Kosova. Ndërsa qeveria e justifikon këtë me pushimet verore apo vizitat familjare, realiteti është më i komplikuar. Kjo ikje është reflektim i mungesës së perspektivës dhe ngulfatjes që shumë të rinj dhe profesionistë po përjetojnë në vendin tonë”, ka thënë Gërxhaliu.

    “Kjo ikje e heshtur përfaqëson një krizë të thellë mungese mundësish dhe shprese. Të rinjtë e diplomuar dhe profesionistët po largohen pa zhurmë drejt vendeve të BE-së dhe përtej. Largimi i tyre është më i rrezikshëm se ndonjë eksod masiv, pasi ndodh pa u vënë re dhe pa reagim nga institucionet. Largimi po shkatërron ekonominë e Kosovës. Sektori privat po përballet me sfida të mëdha për të gjetur punonjës të aftë, ndërkohë që bizneset po mbyllen për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe klientëve. Ikja e konsumatorëve dhe fuqisë blerëse po e varfëron më tej ekonominë tonë, duke e bërë të varur nga remitancat”.

    Ish-kreu i OEK-ut ka përmendur edhe largimin përmes Aeroportit “Adem Jashari”. Ka thënë se ka rritje mbi 60 për qind.

    “Fluturimet nga Aeroporti “Adem Jashari” janë rritur me 60% krahasuar me vitin e kaluar, pa përfshirë ata që largohen përmes Shkupit. Ndërsa qeveria nuk ka marrë masa për ta adresuar këtë krizë, duket se prioritetet e institucioneve janë të tjera. Përmes gjobave ndaj bizneseve, duket se po kontribuojnë në zbrazjen e mëtejshme të vendit. Situaten aktuale e rëndin edhe më tepër lajmi se në verën e ardhshme është paralajmëruar zbatimi edhe i Sistemit të dytë Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili u kërkon udhëtarëve nga vendet që kanë regjim pa viza me BE-në, të aplikojnë online për lejen e hyrjes. Nëse kjo gjendje vazhdon, Kosova do të humbasë një pjesë të madhe të kapitalit të saj njerëzor, duke u kthyer në një vend me pak mundësi reale për të rinjtë dhe profesionistët. Ky largim i heshtur është një krizë që po minon themelet e shoqërisë dhe ekonomisë sonë”, ka shkruar ai.