ATV

Author: ATVLive

  • Tahiri: Ligji për Zyrtarët Publik s’duhet të kalojë, i bëhet dëm i madh Kosovës

    Tahiri: Ligji për Zyrtarët Publik s’duhet të kalojë, i bëhet dëm i madh Kosovës

    Shefi i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se në seancën e radhës e cila do të mbahet më 26 shtator, do të votohet Projektligji për Zyrtarët Publik, ku sipas tij, qeveria nuk po heq dorë pavarësisht komenteve të BE-së që ky projektligj të mos kaloj në këtë mënyrë, raporton EO.

    Ai ka thënë se me këtë projektligj qeveria po synon ta kap administratën shtetërore dhe si i tillë ky projektligj nuk duhet të kaloj.

    “Në rend dite është votimi për ndryshimin dhe plotësim për Ligjin për Zyrtarët Publik. Edhe përkundër faktit që ka pasur një koment nga BE, nga Komisioni i Venecias vazhdon kjo qeveri që përmes këtij ligji ta kap administratën e Kosovës. Kjo qeveri vazhdojnë të kenë një numër të madh të U.D. Ky ligj po ashtu synon që të gjithë nivelin e mesëm ta partizoj. Ky ligj duhet të bie dhe nuk duhet që të kaloj sepse i bëhet një dëm i madh Kosovës”, ka thënë ai.

  • KMDLNj: Kush do t’i ndihmojë të burgosurit në Kosovë?!

    KMDLNj: Kush do t’i ndihmojë të burgosurit në Kosovë?!

    Javën e kaluar në Qendrën Spitalor në Gjilan vdiq një i burgosur i moshës 78 vjeçe.

    Sipas raporteve mjekësore, i burgosuri ishte pranuar me probleme të rënda kardiake që edhe e shkaktuan vdekjen përkundër angazhimit të personelit shëndetësor të Qendrës së Paraburgimit në Pasjak të Gjilanit t’i shpëtojnë jetën.

    KMDLNj-ja shprehet se, rastet e përsëritura të vdekjes së të burgosurve për shkak të sëmundjeve të rënda duhet të zgjojë alarm te institucionet e Kosovës, përkatësisht te Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Drejtësisë që të marrin veprime të menjëhershme në mënyrë që të mbrohet jeta e personave të privuar nga liria për faktin se që nga vendosja e tyre në këto institucione përkujdesja dhe përgjegjësia bie mbi këto ministri.

    “Rastet e shpeshta të vdekjes së të burgosurve duhet të zgjojë nga gjumi gjykatat që trajtojnë këto raste aq më parë që kemi të bëjmë me të burgosur me sëmundje të pashërueshme apo në moshë të pleqërisë së thellë. Këto raste duhet të trokasin edhe në ndërgjegjen e presidentes e cila, ndonëse ka të drejtë ekskluzive ligjore dhe kushtetuese deri më tani nuk ka falur asnjë të burgosur që nuk ka ndodhur as në regjimet më diktatoriale”, thuhet tutje në komunikatën për media.

    KMDLNj-ja thotë se ‘nëse të burgosurit, për shkak se kanë rënë në kundërshtim me ligjin duhet të dënohen kjo nuk nënkupton se ata duhet të privohen nga të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria dhe nga mëshira e shtetit, që në raste të caktuara duhet të zbatohet. E drejta për jetë dhe shërbime cilësore shëndetësore është e drejta kryesore e njeriut dhe mbi këto ngrihen të gjitha të drejtat tjera. Shërbimi Shëndetësor i burgjeve nuk ka kapacitete profesionale e as të tjera të trajtojë rastet e rënda ndërkaq që përgjegjësia për vdekjen e të burgosurve adresohet te ky shërbim, pa asnjë arsye dhe të drejtë. Për rastet e rënda, Shërbimi Shëndetësor i burgjeve n’varet nga Forenzika Psikiatrike apo QKUK sikur edhe nga Spitalet Rajonale që kanë kapacitet pranues shumë të reduktuar për pranim të të burgosurve sikur që për rastet me rrezikshmëri të lartë duhet një sigurim shtesë gjatë transportit dhe qëndrimit në institucionin shëndetësor’.

    Gjykatat përkatëse shpërfillin skajshmërisht kërkesat e Shërbimit Shëndetësor të burgjeve për rastet me diagnozë terminale apo shkaku i pleqërisë së thellë andaj edhe kemi raste të shpeshtuara të vdekjes së të burgosurve, shton KMDLNj-ja.

    KMDLNj-ja lidhur me këto raste, ka shprehur shqetësim të thellë për vdekjen e të burgosurve për shkak të angazhimit të pamjaftueshëm të ministrisë së Drejtësisë që e ka nën përgjegjësi Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që ka nën përgjegjësi Shërbimin Shëndetësor të burgjeve.

    “KMDLNj fton Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut që me urgjencë të trajtojë këto raste sikur që, në bazë të mandatit që e ka t’i vizitojë të burgosurit me gjendje të rëndë shëndetësore dhe pleqtë të thellë për faktin se atyre po u mohohen të drejtat elementare të njeriut, e drejta për jetë dhe shërbime shëndetësore sikur që Ligji për Ekzekutim të Sanksioneve Penale po zbatohet në mënyrë selektive”.

  • Seanca e Kuvendit caktohet për të enjten

    Seanca e Kuvendit caktohet për të enjten

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, më 26 shtator.

    Në rend të ditës janë në shqyrtim pikat nga seancat e kaluara, ku përfshihet edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

    Për këto të fundit, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila u shpreh optimiste se do të miratohen.

    Krahas kësaj, ajo tha se Kosova është në pritje të skanerëve për skanimin e mallrave, në kuadër të masave të sigurisë ndaj produkteve serbe.

    Për këto masa, Kusari-Lila tha se qeveria po punon për modalitet për zgjidhjen e këtij problemi, pas presionit gjerman.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të kërkojnë në seancat e radhës shkarkimin e bordit të RTK-së.

    Ai kritikoi edhe qeverinë për izolim të Kosovës.

  • Tahiri: Kërkuam seancë për shkarkimin e bordit të RTK-së por nuk u mundësua, të ndiqen penalisht

    Tahiri: Kërkuam seancë për shkarkimin e bordit të RTK-së por nuk u mundësua, të ndiqen penalisht

    Shefi e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kanë kërkuar që të shkarkohet bordi i RTK-së, pas publikimit të një lajmi nga ky medium.

    Sipas tij, me publikimin e atij lajmi janë rrezikuar një numër i gazetarëve të mediumeve të tjera që janë prekur nga ai artikull.

    Për këtë ai ka bërë thirrje që personat përgjegjës duhet që të ndiqen edhe penalisht.

    “Edhe sot kemi pritur që administrata ta sjellë për diskutim e Kryesia t’i propozojë një çështje të tillë, por Komisioni po e zvarrit një çështje të tillë. Shpresojmë që kjo çështje të diskutohet sot ose nesër, meqenëse jo në këtë javë në javën që vjen të vihet në diskutim shkarkimi i këtyre njerëzve të papërgjegjshëm që kanë shkaktuar dëm të madh. Nuk duhet lejuar që këto gjëra të ndodhin në një televizion që paguhet nga taksat e qytetarëve tanë”, u shpreh Tahiri.

  • Hykmete Bajrami pyetje Kurtit për Dejona Mihalin, Muratin dhe Mujën i quan manipulatorë dhe propagandistë

    Hykmete Bajrami pyetje Kurtit për Dejona Mihalin, Muratin dhe Mujën i quan manipulatorë dhe propagandistë

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, përmes një statusi në Facebook ka kritikuar Qeverinë Kurti. Sipas saj, realiteti është më i zëshëm se propaganda e Qeverisë.

    Bajrami ka thënë se gjatë fundjavës “kujdestarë për propagandë” ishin Albin Kurti, Hekuran Murati e Armend Muja.

    Bajrami ka thënë se kryeministri Kurti para se ta përmend fjalën ekonomi “duhet” t’i tregojë qytetarëve për 273 milionë eurot për tendera sekretë.

    Ajo kërkoi nga Kurti që të “tregojë” se si një zyrtare e lartë e Vetëvendosjes së intervistohet si dëshmitare në “një rast korrupsioni në KEK” kur nuk ka asnjë funksion në Qeveri e KEK.

    ““ALBIN KURTI, para se me përmend fjalën EKONOMI duhet me ju tregu qytetarëve për 273 milionë Euro tendera sekret. Ai duhet me tregu se qysh ka mundësi që për një rast korrupsioni në KEK me u intervistu qoftë edhe në cilësinë e deshmitarës një zyrtare e lartë e LVV-së, e cila nuk e ka asnjë funksion as në Qeveri as në KEK. Ajo ka funksion të lartë në parti, çka duhet me dëshmu partia këtu?”

    Sipas saj “deri diku e arsyeshme” do të ishte nëse në cilësinë e dëshmitarëve të intervistohen këshilltarët e Nagip Krasniqit, ata që punojnë në KEK, personat që punojnë në divizion të prokurorimit, njësia ligjore apo ajo e kërkesës.

    “Edhe në cilësinë e dëshmitarëve do të ishte deri diku e arsyshme me u intervistu, këshilltarët e Nagip Krasniqit, ata që punojnë në KEK, se mbase e kanë udhëzu gabimisht, me u intervistu ata që punojnë në divizion të prokurimit, njësia e kërkesës, zyra ligjore apo cilido punëtor i KEK-ut, por me u intervistu dikush që asnjë lidhje zyrtare nuk e ka me KEK-un, qysh? Përveç kur prokurimi i 273 miliononë euro të tenderëve sekret gatuhet në zyret e LVV-së, aty ku Dejona është zyrtarja më e lartë, siç tha Glauku, ajo i koordinon ”politikat profesionale” të LVV-së. Albin, qytetarëve ju ke borxh këtë shpjegim, mandej flasim për ekonomi, sepse janë dy gjana që po e grryejnë ekonominë tonë: korrupsioni dhe inflacioni.”

    Ish ministrja e Financave ka folur edhe për ministrin aktual të Financave, Hekuran Muratin.

    Ajo tha se ministri Murati “u krekos” me rritjen ekonomike në dy tremujorë të këtij viti, por sipas saj kur Murati e ka marrë postin e ministrit rritja ekonomike në atë tremujor ka qenë 16.32 për qind.

    “HEKURAN MURATI, U krekos me rritjen ekonomke në dy tremujor të këtij viti, u krenu aq shumë saqë njerëzit fillun me dyshu se qysh ka mundësi që ata nuk po e shohin këtë lulëzim ekonomik që po e sheh Hekurani, por harroj se kur e ka marrë postin e ministrit rritja ekonomike në atë tremujor ka qënë 16.32%.”

    Bajrami e ka pyetur Muratin se cili është kontributi i tij dhe i Qeverisë në këtë rritje ekonomike sot, që ajo thotë se është “pak”.

    “Ani pse nuk ka kurrfarë lulëzimi ekonomik dhe norma vjetore e rritjes ekonomike kur përjashtojmë pandeminë dhe bumin postpandemik është me e ulëta në historinë e pas pavarësisë, e çmimet janë me të lartat, pyetja legjitime është cili është kontributi i qeverisë/Hekuranit në rritje ekonomike, edhe në këtë pak rritje që e kemi sot?”

    Ndërkaq për deputetin e VV’së, Armend Muja, Hykmete Bajrami tha se është “tepër kreativ në manipulimet e tij dhe duhet t’ia jepim hakun”.

    “ARMEND MUJA, Ky është tepër kreativ në manipulimet e tij, duhet të i’a japim hakun. Merre me mend deri me tash askujt nga ne nuk na është kujtu me i bë mallërat bashkë me shërbime e me dalë me tregu qysh kemi përparu ekonomikisht. Ai ish mundu me na tregu që eksporti i Kosovës kur t’i bëjmë bashkë mallra e shërbime është 3.8 miliardë euro. Pyetja është athu ne të tjerët s’kemi ditë me bë këtë?”

    Ajo ka thënë se deputeti Muja i ka marrë 3 miliardë të eksportit të shërbimeve për të treguar bilancin tregtar. Sipas saj, në këto 3 miliardë, 2,2 miliardë janë shërbime të udhëtimit.

    “Çka bën Armendi, i merr 3 miliardë eksport të shërbimeve për me na tregu neve bilancin tregtar, a e dini se në këtë 3 milardë euro eksport të shërbimeve 2,2 miliardë euro janë shërbime të udhëtimit. A e dini pse ne tjerët nuk i kemi marrë për bazë këto shifra sepse në rastin e Kosovës këto janë tepër problematike, sepse të gjithë e dimë se agjencitë turisitke dhe kompanitë që merren me shërbime të udhëtimit nuk eksportojnë shërbime 2.2 miliardë euro në vit. Ne edhe mund ta blejmë në një agjenision turistik në Kosovë një biletë për Londër 600 Euro, por nga ato mjete minimum 550 Euro i shkojnë Austrian-it, Turkish-it apo Sëiss Air-it, andaj nuk i kemi përdorë këto shifra, se nuk kemi dashtë me manipulu, as kur kemi qënë në qeveri. Edhe këtu pyetja legjitime për Armendin do të ishtë, meqe kemi 2.2 milardë euro shërbime të udhëtimit, si ka ndiku qeveria në rritjen e këtyre shërbimeve?”

    Ajo ka folur edhe për papunësinë.

    “Edhe një genjeshtër tjetër disa ditë me parë ishte rreth papunësisë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të dhënave preliminare të Cenzusit, Kosova i ka rreth 1.6 milionë banorë, prapë sipas ASK-së , anketës së fuqisë punëtore të vitit 2023 rreth 700 mijë qytetarë të moshës së punës, prej tyre 200 mijë burra e 500 mijë gra janë jashtë tregut të punës. Pra, realiteti është me i zëshëm se propaganda juaj”, ka shkruar Bajrami.

  • Maliqi kërkon ndryshimin e udhëzimit administrativ që ndalon shaminë në shkolla

    Maliqi kërkon ndryshimin e udhëzimit administrativ që ndalon shaminë në shkolla

    Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe Labinot Maliqi, ka kërkuar shfuqizimin e udhëzimit administrativ që ndalon uniformën fetare në shkolla, raporton EO.

    Në një konferencë për media pas përjashtimit të një nxënëseje në Pejë për shkak të bartjes së shamisë, Maliqi ka kërkuar që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të ndërmarrë masa ndaj këtij institucioni arsimor.

    Ai ka thënë se një nxënëse është përjashtuar nga shkolla “Bedri Pejani” në Pejë, me vendim të drejtorit të shkollës.

    Maliqi thotë se një vajzë me shami nuk përbën kërcënim për askënd, që t’i mohohet e drejta e arsimit.

    “Jemi në javën e katër që 18-vjeçarja nga gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë ka mbetur në shtëpi, pasi ajo u largua nga shkolla më 2 shtator, për shkak të bartjes së shamisë. Ky largim u bë pa ndonjë vendim zyrtar. Një vajzë me mbulesë nuk e kërcënon Pejën e asnjë person tjetër”, ka thënë Maliqi.

    Tutje ai ka thënë se këto ballafaqime janë që nga viti 2010, dhe kërkon nga shteti një demokraci më të avancuar.

    “Që nga viti 2010 kemi qenë të ballafaquar me pasojat e ndalimit të bartjes së uniformës fetare në shkolla. Një ndalesë që buron nga një udhëzim administrativ i ministrisë së Arsimit. Ky udhëzim më shumë ka shkaktuar huti dhe kunfuzion sesa ndihmë. Ky udhëzim, pavarësisht qëllimit të tij, ka dëmtuar të drejtat e njeriut në Kosovë. Ne e respektojmë këtë udhëzim, sepse këtë shtet kemi, por duam një demokraci më të avancuar sesa kjo që e kemi”, u shpreh ai.

  • Javën e kaluar në rajonin e Prishtinës u sekuestruan 8 armë zjarri, u shqiptuan mbi 3 mijë gjoba

    Javën e kaluar në rajonin e Prishtinës u sekuestruan 8 armë zjarri, u shqiptuan mbi 3 mijë gjoba

    Javën e kaluar në rajonin e Prishtinës janë realizuar 233 urdhëresa të Gjykatës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

    Po ashtu janë sekuestruar 8 armë zjarri dhe janë shqiptuar 5214 masa administrative me gjobë.

    ​“Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës , gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme e aksione të ndara, janë realizuar 233 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 62 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj. Konform urdhëresave, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa”, thuhet në komunikatë.

    ​“Ndërkohë që aktivitete policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë. Gjatë periudhës së njëjtë, janë sekuestruar 8 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Ndërkaq aktivitetet policore në sferën e sigurisë në trafikun rrugor. Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 5214 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor”, thuhet në njoftim.

  • Tërmet me magnitudë 3.4 në Maqedoninë e Veriut, ndihet edhe në vendet fqinje

    Tërmet me magnitudë 3.4 në Maqedoninë e Veriut, ndihet edhe në vendet fqinje

    Një tërmet me magnitudë 3.4 të shkallës Rihter është regjistruar në Maqedoninë e Veriut rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm, njoftoi Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC).

    Epiqendra e tërmetit ka qenë 23 kilometra në lindje të Shkupit dhe 13 kilometra në verilindje të Studeniçanit dhe është regjistruar në një thellësi prej tetë kilometrash, shkruan Euronews.rs.

    Tërmeti është ndjerë edhe në Greqinë fqinje, Bullgari, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi.

  • Pesë përfitime nëse konsumoni i shparguj

    Pesë përfitime nëse konsumoni i shparguj

    Kultivimi i shpargujve në Evropë filloi më shumë se një mijë vjet më parë. Sot janë perime që përdoren në masë dhe me shumë vlera ushqyese.

    Mësoni pesë përfitimet që do të merrni nëse konsumoni shparguj:

    1. Shpargujt janë të mbushur me antioksidantë, duke u renditur në mesin e frutave dhe perimeve që kanë aftësi të neutralizojnë radikalet e lira të dëmshme. Për këtë arsye, sipas disa hulumtimeve shkencore, besohet se shpargujt mund ta ngadalësojnë procesin e plakjes.

    2. Përveç plakjes fizike, me shpargujt mund të luftoni edhe plakjen e trurit. Ata janë burim folatesh që punojnë me B12, vitamina që këshillohet për fleksibilitetin e trurit dhe jo vetëm. (Nëse jeni mbi të 50-at, sigurohuni që të merrni mjaftueshëm B12: aftësia juaj për ta absorbuar atë, bie me kalimin e viteve.)

    3. Janë një burim shumë i mirë i fibrave, folateve, vitaminës A, C, E dhe K.

    4. Kjo bimë barishtore, së bashku me avokadon apo lakrat, është një burim veçanërisht i pasur i glutationit (një përbërës që ndihmon detoksifikimin dhe që lufton komponimet e tjera të dëmshme, si radikalet e lira).

    5. Shpargujt janë edhe diuretikë natyrorë. Shtresat e jashtme të shpargullit përmbajnë më së shumti vitamina e minerale dhe për këtë arsye këshillohet t’i përgatisni të paqëruara.

  • Peci: Përkrahja për bujqësinë organike është rritur 400 për qind, eksportet në rritje

    Peci: Përkrahja për bujqësinë organike është rritur 400 për qind, eksportet në rritje

    Shoqata “Organika” ka organizuar të hënën Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Bujqësi Organike, të titulluar “Sfidat dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike në sektorin e Produkteve Pyjore Jo-Drusore dhe Bimëve Mjekësore dhe Aromatike”, raporton EO.

    Qëllimi i kësaj konferencë është që të bëhet ndërgjegjësimi i komunitetit për përdorimin e produkteve organike, në një botë që po përballet me ndryshime të mëdha klimatike.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se eksportet organike kanë vlerën prej 16.5 milionë euro.

    Ai ka thënë se Qeveria ka rritur përkrahjen në 400 për qind për fermerët e këtij sektori.

    “Rreth 400 hektar janë certifikuar për grumbullimin e produkteve pyjore jo-drusore. Rreth 1000 persona në Kosovë janë direkt të përfshirë në gjenerimit e të ardhurave ne grumbullimin e bimëve medicionale edhe frutave të egra malore, kjo veprimtari po ndikon në zhvillimin e ekonomisë në zonat rurale. Gjatë mandatit tim si ministër, qëllimi ka qenë që produktet organike të Kosovës të jenë simbol i cilësisë në tregjet ndërkombëtare ku ne i plasojmë. Sot ky objektiv po realizohet. Me eksporte organike që kanë qenë, kanë arritur vlerën prej 16.5 milionë. Për të përmbushur këtë angazhim kemi arritur një sukses të rëndësishëm duke pesëfishuar ose duke rritur përkrahje në 400 për qind krahasuar me gjendje që në si Qeveri Kurti e kemi gjetur. Nga 50 euro për hektar sa ishte më pare, sot fermerët përfitojnë 240 euro për sipërfaqe të certifikuara. Një ndër prioritetet tona kryesore është krijimi i kornizës programore për bimët organike të harmonizuara me standardet evropiane”, ka thënë Peci.

    Kryetari i Shoqatës “Organika”, Fatmir Krasniqi ka thënë se kanë arritur suksese të mëdha në këtë fushë duke eksportuar produkte organike me mbi 15 milionë euro.

    “Kurrë kushtet më të mira Kosova dhe populli ynë nuk i ka pasur. Kemi arrit një sukses, 15 milionë euro kemi arritur me i eksportua në tregun e Bashkimit Evropian. Këtij sektori ja vlen që t’i jepet përkrahje më të madhe”, ka thënë ai.

    Jean-Christophe Favre nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, ka thënë se edhe pse Kosova është vend i vogël, është e vendosur për t’i ndalur sfidat globale me zgjidhje të guximshme.

    “Ky nuk është vetëm një moment vetëm për reflektim por edhe për veprim ndërsa jemi duke trasuar rrugën për sektorin e bujqësisë organike në Kosovë. Kosova mund të jetë vend i vogël por është e vendosur për t’i dalur ndesh sfidave globale me zgjidhje të guximshme. Eksporti i produkteve pyjore jo-drusore, bimëve aromatike dhe mjekësorë është rritur në mënyrë të shpejt duke treguar që Kosova mund të jetë konkurruese edhe në një botë që ndryshon. Ky ndryshim ka ardhur falë partneritete strategjike dhe politikave largpamëse”, ka thënë ai.

    E drejtori i Caritasit Zviceran në Kosovë, Gerhard Schaumberger, ka thënë se duke marr parasysh ndryshmet e shumta globale është e rëndësishme që të ketë rritje të konsumit të këtyre produkteve.

    “Bujqësia organike është shumë e dobishme në kuptim të kohërave duke marr parasysh zhvillimit ky lloj i bujqësisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Ndryshimet klimatike paraqesin një sfidë domethënëse në Kosovë dhe mund ta shohim që gjatë këtij muaji dhe javëve që shkuan se çfarë ndikimi sjellin, shohim ndryshimet në temperatura, ndryshimet në modelet e reshjeve, ndikimi te breshëri, etj. Shohim se me ngritjen e temperaturave kemi humbje të habitateve dhe natyrisht se të gjitha këto kanë ndikim në nivelin e të ardhurave të fermerëve, fermave të vogla dhe atyre më të mëdha”, ka thënë ai.