ATV

Author: ATVLive

  • ​Kosova merr pjesë në Botërorin e Kickbox-it

    ​Kosova merr pjesë në Botërorin e Kickbox-it

    Nga 24 deri më 29 shtator, në Tashkent të Uzbekistanit do të zhvillohet Kampionati Botëror i Kicbox-it për senior. Në këtë kampionat Kosova do të paraqitet me kickboksierin Ermal Ferati i cili do të udhëhiqet nga trajneri Ilir Menxhiqi.

    Ferati dhe Menxhiqi, së bashku me Kryetarin e Federatës së Kickbox-it, Fatmir Makolli tashmë janë nisur drejt Uzbekustanit me bindjen e plotë se do të arrijnë suksese të tjera pas atyre të kampionateve të mëparshme gjatë këtij viti.

    Kujtojmë se Uzbrekistani është vend i cili ende nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës dhe vet pjesëmarrja në këtë kampionat është suksese në vete duke ditur se në shumë raste ka qenë pikërisht sporti ai që ka bërë që flamuri Kosovës të valojë edhe në vendet që janë kundër Kosovës si shtet i pavarur.

  • ​“Grasroots Week” hap dyert për të gjithë pasionantët e futbollit

    ​“Grasroots Week” hap dyert për të gjithë pasionantët e futbollit

    Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur aktivitetet në kuadër të programit të futbollit bazik me shënimin e “Grassroots Week”. Ky festival futbolli, i cili është bërë tashmë një traditë në hapje të aktiviteteve për edicionin e ri, nisi të hënën duke mirëpritur të gjithë fëmijët e interesuar, pa asnjë dallim, me synimin për t’i afruar më shumë me lojën e futbollit.

    Aktivitetet filluan në Fushë Kosovë, në stadiumin “Ekrem Graiqevci”, dhe do të shtrihen deri të premten në regjione të ndryshme të Kosovës. Në ditën e parë, rreth 100 fëmijë të moshave të ndryshme, të dy gjinive, duke përfshirë edhe fëmijë nga minoritetet, u angazhuan në lojëra dhe aktivitete të ndryshme nën përkujdesjen e trajnerëve, duke përjetuar kësisoj momente argëtimi dhe duke u socializuar me njëri-tjetrin në fushën e gjelbër.

    Qëllimi i këtij programi është që të nxisë sa më shumë fëmijë të merren me sport dhe ta përjetojnë kënaqësinë e futbollit. Mbikëqyrësja e projektit, Albina Rrahmani, e cilësoi festivalin si urë lidhëse mes fëmijëve dhe futbollit, derisa edhe të rinjtë iu gëzuan këtyre aktiviteteve të cilat i shijuan pafund.

    Destinacioni i radhës do të jetë qyteti i Gjilanit.

  • Një rrugë rajonale që çon te Banjska merr emrin e heroit Afrim Bunjaku

    Një rrugë rajonale që çon te Banjska merr emrin e heroit Afrim Bunjaku

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të emërtuar rrugën rajonale R-217 segmenti Ballaban – Banjskë me emrin e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Rreshteri policor Afrim Bunjaku u vra në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

    Të martën do të mbahen disa aktivitete në nderim të heroit Bunjaku.

    Në mbledhjen elektronike që Qeveria e ka mbajtur të hënën janë marrë disa vendime.

    Gëzm Paci është emëruar si kryesues i Bordit të Postës së Kosovës, ndërsa Genc Metaj është emëruar në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave.

    Gjitha vendimet e marra në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të hënën:

    Gjitha vendimet e marra në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të hënën:

    • Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 06/56 të datës 26 janar 2022, i ndryshuar dhe plotësuar me vendimin e Qeverisë Nr.02/184 të datës 15 janar 2024. Sipas këtij plotësim-ndryshimi z. Gëzim Paci bëhet kryesues i Bordit të Postës së Kosovës.

    • Emëruar z. Genc Metaj në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

    • Emëruar Komisionit ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.

    • Emërtuar Rrugën Rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”.

    • Ndarë 219,000.00€ për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris dhe promovimin e teknologjisë së informacionit me qëllim të tërheqjes së investimeve në kuadër të kësaj fushe, përmes organizatave lidere gjatë javës së TIK/ICT.

    • Aprovuar Rregulloren për Vlerësimin e Rezultateve në Punë.

    • Aprovuar Rregulloren për Procedurat e Konkurrimit për Nëpunësit Teknik dhe Mbështetës.

    • Aprovuar Rregulloren për Pezullimin nga Marrëdhënia e Punës.

    • Aprovuar Rregulloren për Përfundimin e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil.

  • Parashikimi i motit për sot, pasdite e në mbrëmje pritet të ketë reshje shiu

    Parashikimi i motit për sot, pasdite e në mbrëmje pritet të ketë reshje shiu

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell.

    Kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara mund të jenë në formë të rrebesheve afatshkurtër, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë rrufeje.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 9 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 23°C, njofton Meteo Kosova.

    Era do fryjë kryesisht nga kuadrati i juglindjes me shpejtësi prej 10-28 km/h.

  • ​Evertoni bëhet me pronar të ri

    ​Evertoni bëhet me pronar të ri

    Friedkin Group, pronar i Romës, ka konfirmuar marrëveshje për të blerë shumicën e aksioneve në Everton. Sky Sport Italia raporton se djali i Danit, Ryan, tani do t’i ndjekë më nga afër “Giallorossët”, por familja nuk po mendon të shesë klubin e Serie A.

    Friedkin Group dhe Everton konfirmuan në një deklaratë të përbashkët të hënën se kishin arritur një marrëveshje për marrjen e klubit, përcjellë KosovaPress. Raportet e mëparshme pretendonin se pronari i Romës do të investonte rreth 500 milionë euro për të blerë klubin e Premier Ligës.

    Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata do të kërkojnë të shesin klubin italian.

    “Kjo blerje nuk do të thotë se ata do të tërhiqen nga Roma”, tha korrespondenti i Sky Sport Italia, Angelo Mangiante, drejtpërdrejt nga qendra stërvitore e Romës, Trigoria, të hënën pasdite.

  • ​Çeki-Shqipëri, dalin në shitje biletat

    ​Çeki-Shqipëri, dalin në shitje biletat

    Kombëtarja shqiptare do të luajë në muajin tetor dy ndeshjet e radhës në UEFA Nations League, ndaj Çekisë (11 tetor, Epet Arena, 20:45) dhe ndaj Gjeorgjisë (14 tetor, Mikheil Meskhi Stadium, 18:00).

    Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë futbolldashësit dhe tifozët e Kombëtares se mund të blejnë biletat e tyre për sfidën e tretë në Grupin B1 të UEFA Nations League, Çeki – Shqipëri në linku: https://www.ticketportal.cz/event/Cesko-Albanie?idpartner=414

    Tribunat A2, A3, H1, F20 dhe F21 në stadiumin “Epet Arena” janë në dispozicion të tifozëve shqiptarë.

  • ​AGK: 38 sulme ndaj gazetarëve që nga janari i këtij viti

    ​AGK: 38 sulme ndaj gazetarëve që nga janari i këtij viti

    Që nga janari e deri në shtator të këtij viti janë regjistruar 38 sulme ndaj gazetarëve. Ndërsa, viti 2023 nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po cilësohet si viti me më së shumti sulme ndaj gazetarëve me 74 të tilla.

    Gjatë prezantimit të raportit vjetor “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve dhe Indeksin e Sigurisë së Gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, drejtoresha ekzekutive e AGK-së e hulumtuesja, Getoarbë Mulliqi ka thënë se një sfidë tjetër ndaj gazetarëve ka qenë edhe ngacmimi i shpeshtë seksual.

    “Krahasuar me vitin 2022 ku janë raportuar gjithsej 33 raste, numri i sulmeve ndaj gazetarëve është rritur për 41, duke e bërë vitin 2023 vitin me numrin më të lartë të shkeljeve të lirisë së medias dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve. Gazetarët që raportuan nga komunat veriore, janë përballur me kërcënime për jetën, sulme verbale dhe fizike, si dhe me dëmtim të pronave personale dhe profesionale…Për më tepër, emërimi i drejtorit të kanalit të parë të transmetuesit publik në Kosovë u konsiderua gjithashtu politik për shkak të lidhjes së Gërvallës me partinë në pushtet… Një nga sfidat e identifikuara përgjatë vitit 2023 kanë qenë edhe ngacmimet e shpeshta seksuale…. Deri më tani për vitin 2024 kemi 38 sulme në drejtim të gazetarëve”, ka thënë Mulliqi.

    Ndërsa, eksperti ligjorë, Ylli Zekaj ka shtuar se edhe pse AGK ka pasur takime të vazhdueshme me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, ende nuk ka ndarje të lëndëve sipas profesionit, e kjo sipas tij, po i dëmton gazetarët.

    “Edhe pse AGK ka pasur takime të vazhdueshme me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial nuk ka ndarje të lëndëve sipas profesionit. Ne sot në sistemin gjyqësor nuk mund të identifikojmë lëndë të cilat faktikisht i përkasin gazetarëve, çoftë kur ata janë të sulmuar viktima të veprave penale apo kur ata janë të paditur apo paditës në procedura civile”, ka shtuar ai.

    Po ashtu, hetuesja Leonita Morina ka theksuar se njëra nga pengesat kryesore që gazetarët hasin gjatë punës së tyre janë edhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike.

    Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta ndaj padive slap, AGK ka krijuar një data bazë në të cilën janë mbi 35 raste.

    “Njëra nga pengesat kryesore që gazetarët hasin gjatë ushtrimit të këtyre të drejtave janë paditë slap apo paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike. Paditë slap janë padi të pabaza që zakonisht ushtrohen nga njerëz të fuqishëm, figura publike, politikanë apo biznesmen kundër gazetarëve, e për qullim kanë intimidimin apo frikësimin e gazetarëve..14:37 Ne nuk kemi të dhëna të sakta se sa padi slap janë kundrejt gazetarëve, mirëpo në data bazën e krijuar nga AGK janë diku mbi 35 raste, vetëm KALLXO ka më shumë se 13 padi”, ka theksuar ajo.

    Përveç sulmeve e kërcënimeve, sfidë tjetër e gazetarëve janë edhe kontratat e pagat e ulëta. /kp

  • Shqiptarët e Luginës marshojnë për “identitet e dinjitet”, kërkojnë kthimin e gjykatës dhe të adresave e integrim

    Shqiptarët e Luginës marshojnë për “identitet e dinjitet”, kërkojnë kthimin e gjykatës dhe të adresave e integrim

    Qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë marshuar të hënën, për sç thanë ata, kundër diskriminimit dhe në kërkim të barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

    Një nga organizatorët e marshit tha se “nga këtu dërguam porosinë se shqiptarët duan barazi, se barazia padrejtësi nuk bëhet. Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit dhe padrejtësia që po ua bën shqiptarëve”.

    Ajo tha se kërkesat janë kthimi i gjykatës, zbatimi i marrëveshejve të deritashme, kthimi e adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njohja e diplomave shkollore dhe integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore.

    Serbia e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar.

    Ata marshuan nëpër qendrën e qytetit të Preshevës pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

    Marshi, të cilit i prinë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Siani, ndaloi pranë ndërtesës së komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar.

    Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc në gusht.

    Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

    Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

    Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.

    Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët u Luginës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

    Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.

    Pas protestës së gushtit në Bujanoc, Qeveria e Serbisë, kishte thënë se ajo ishte përpjekje e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti “për të destabilizuar rajonin”.

    Qeveria serbe i kishte hedhur poshtë akuzat e deputetit Kamberi për diskriminimin e shqiptarëve dhe për përfaqësim të pamjaftueshëm në institucione nuk qëndrojnë.

    Më 2001 u arrit një marrëveshje e njohur si Marrëveshja e Konçulit për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare përmes një procesi demokratik.

    Në korrik 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatëpikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.

    Qeveria serbe tha në gusht se ai plan u ndërpre nga deputeti i atëhershëm shqiptar në Kuvendin serb, Riza Halimi, në nëntor të vitit 2013. /REL

  • Zyrtari rus: Testimet bërthamore varen nga sjellja e SHBA-së

    Zyrtari rus: Testimet bërthamore varen nga sjellja e SHBA-së

    Rusia nuk do të kryejë testime bërthamore, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara përmbahen nga testime të tilla. Kështu tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

    Javën e kaluar, gazeta shtetërore ruse, Rossiyskaya Gazeta, publikoi një intervistë me Andrei Sinitsyn, kreun e uzinës bërthamore ruse në Novaja Zemlja, duke thënë se kjo uzinë është gati për testime në shkallë të plotë.

    Ryabkhov tha se përgatitjet në Novaja Zemlja janë ndërmarrë në përgjigje të veprimeve të ngjashme të ndërmarra nga SHBA-ja.

    Së fundi, zyrtarët rusë kanë shpeshtuar kërcënimet se mund të përdorin armë bërthamore, nëse Perëndimi i lejon Ukrainës të përdorë armët perëndimore për të sulmuar thellë brenda territorit rus.

    Po ashtu, javën e kaluar, MPJ-ja ruse paralajmëroi Ukrainën – me të cilën zhvillon luftë që nga viti 2022 – dhe SHBA-në se nëse e provokojnë Bjellorusinë, do të përballen me “pasoja katastrofike”.

    Bjellorusia i ka ofruar mbështetje logjistike Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, Moska ka zhvendosur në Bjellorusi armë bërthamore taktike – zhvendosja e parë e armëve të tilla jashtë Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. /REL

  • ​Edukimi medial kundër dezinformimit: Nxënësit e komunitetit turk ndajnë eksperiencat e tyre

    ​Edukimi medial kundër dezinformimit: Nxënësit e komunitetit turk ndajnë eksperiencat e tyre

    Me rritjen e numrit të mediave në Kosovë, në veçanti atyre online dhe me avancimin e teknologjisë, është rritur mundësia e përhapjes së lajmeve të rreme.

    Përveç të rriturve, lajmet e pavërteta atakojnë edhe moshat më të reja.

    Kësisoj, trajnimet përmes të cilave ofrohen informacione si të bëhet dallimi në mes lajmeve të vërteta dhe atyre të rreme si dhe mbrojtja nga këto të fundit, po konsiderohen si të nevojshme.

    Elaborimi përmes shembujve dhe fotografive i termave dezinformim, keqinformim, propagandë, mashtrim e të tjera ishin ndër pikat kyçe të trajnimit në kuadër të projektit “Edukimi Mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”.

    Nxënësit bashkë me profesorët e tyre nga komuniteti turk në Prizren, përmes këtij trajnimi mësuan si të dallojnë lajmet e rrejshme, qëllimin e tyre, e poashtu zhvilluan mendim kritik sa i përket përmbajtjeve nëpër media online dhe rrjete sociale.

    Nxënësi turk në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, Adak Celina tha se së fundi ka lexuar në media një lajm të rrejshëm ku thuhej se Gjermania do të mbyllë kufijtë e saj për të gjitha vendet.

    “Sot, gjërat për të cilat folëm dhe që më pëlqeu më shumë ishte informimi rreth informacionit, dezinformimi si dhe propaganda që mund të përdoren nga mediat për të ndikuar dhe influencuar te njerëzit, ishte interesante. Unë patjetër i njihja këto terminologji, por nuk dija si t’i përkufizoja gjithashtu. Kështu që tani sigurisht që ndihem sikur kam mësuar shumë gjëra, më pëlqeu. Sigurisht që ka shumë lajme të rreme, jo vetëm në Kosovë por në mbarë botën dhe mendoj se është një gjë e mirë që të rinjtë po trajnohen për këtë. Për shembull, diçka për të cilën kam lexuar kohët e fundit ishte se Gjermania ishte gati të mbyllte të gjithë kufijtë e saj më 17 shtator, por kjo është krejtësisht një gënjeshtër. Dhe ky është vetëm një shembull i dezinformimit që përdoret dhe që ka për qëllim njerëzit”, tha Celina.

    Edhe nxënësi Burak Grosa derisa potencoi se ka marrë njohuri se nuk duhet besuar gjithçka që lexon në rrjete sociale, tregoi se ka hasur nëpër lajme të rreme për luftën në Gaza.

    “Ishte një temë vërtet interesante për mua për të mësuar, kështu që ishte vërtetë argëtuese. 02:16 Mësova se ka shumë lajme të rreme që përhapen në mediat sociale dhe se duhet të kemi kujdes me to, për shembull, kam lexuar për disa lajme të rreme për luftën në Gaza, dhe tani kam marrë disa njohuri për të ardhmen, për të mos besuar gjithçka që shoh në rrjetet sociale”, tregoi Grosa.

    Ndërkaq, zyrtari i lartë i arsimit për komunitetin turk në Komunën e Prizrenit, Ferdi Kovaç e vlerësoi si shumë të rëndësishëm mbajtjen e këtij trajnimi.

    “Sot morëm pjesë (në trajnim) me nxënësit e komuniteteve që përdorin mediat sociale. Ne si drejtori komunale e arsimit kemi bashkëpunimin me ambasadën Amerikane dhe po përkrahemi me këto trajnime shumë të rëndësishme. Besoj që për nxënësit ka qenë shumë i mirë trajnimi për nxënësit që po përdorin mediat sociale dhe kemi kaluar mirë”, tha Kovaç.

    Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ka filluar rreth tre vjet më parë. Ky projekt ka përfshirë trajnime për nxënësit e komuniteteve jo-shumicë në disaqytete të Kosovës. Qëllimi i tij është që të rinjtë e këtyre komuniteteve të mësojnë dallimin e përmbajtjeve të rreme nga ato të vërtetat. Po ashtu, përmes ushtrimeve dhe tematikave të trajtuara gjatë trajnimeve, synohet të zhvillohet mendimi kritik i pjesëmarrësve./KP