ATV

Author: ATVLive

  • Krasniqi: Serbia duhet t’i dorëzojë kriminelët që kanë gjetur strehim atje

    Krasniqi: Serbia duhet t’i dorëzojë kriminelët që kanë gjetur strehim atje

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se rreshteri Afrim Bunjaku është simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut.

    Ai ka shkruar në Facebook të martën se Serbia duhet t’i dorëzojë kriminelët serbë “që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë”.

    Kreu i partisë opozitare ka shtuar se guximi vetëmohues i Afrimit Bunjakut ka gdhendur “përgjithmonë emrin e tij në zemrat e popullit të Kosovës”.

    “Afrimi, më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut. Përballë rrezikut kundër terroristëve në Banjskë, ai qëndroi i vendosur për të mbrojtur tokën për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë ndër breza. Në njëvjetorin e këtij sulmi terrorist mbi shtetin e Kosovës, tashmë edhe pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë. Sot, krahas nderimit për Afrimin, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë për familjen Bunjaku, dhembjen e së cilës e ndanë secili qytetar atdhedashës i shtetit tonë”, ka thënë Krasniqi.

  • Vazhdon periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë

    Vazhdon periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Gjatë periudhës 102 ditore (1 shtator – 11 dhjetor 2024), kërkesat për certifikim nga subjektet politike duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

    Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë.

    Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për certifikim të subjekteve politike janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për subjekte politike > Certifikimi i subjekteve politike) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/certifikimi-i-subjekteve-politike/

  • ​Ferizaj, qytetari dorëzon në polici portofolin e gjetur me para

    ​Ferizaj, qytetari dorëzon në polici portofolin e gjetur me para

    Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën më 24 shtator rreth orës 11:00, një qytetar nga Ferizaj, H.Musliu i moshës 79 vjeçare ka gjetur një portofol me para dhe dokumente të humbura në rrugën ‘’Reçaku’’ në Ferizaj.

    Musliu menjëherë e ka njoftuar policinë dhe portofolin e gjetur e ka dorëzuar në stacionin e policisë në Ferizaj.

    “Në ndërkohë është identifikuar pronari i portofolit të humbur, N.S nga fshati Brod i Shtërpcës dhe është paraqitur në polici. Pas procedurave të verifikimit të pronarit, në prani të policisë, pronarit i kthehen paratë: 530 franga, 145.5 euro dhe dokumente tjera”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka falënderuar qytetarin H. Musliu për gjestin human dhe shembullor me rastin e dorëzimit të portofolit në stacionin e policisë.

  • ​Hovenier: Autorët e krimit në Banjskë të mbahen plotësisht përgjegjës

    ​Hovenier: Autorët e krimit në Banjskë të mbahen plotësisht përgjegjës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku në një vjetorin e vrasjes së tij në krye të detyrës në Banjskë.

    Hovenier ka bërë thirrje që autorët e sulmit terrorist të mbahen përgjegjës.

    “Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve diplomatikë për të nderuar kujtimin e policit të Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë, sot një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës.”, ka shkruar ambasadori Hovenier në rrjetin social X.

    Gjatw ditws kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlën kanë vizituar familjen e tij.

    Pas vizitës, krerët e shtetit bënë homazhe para varrit të tij në varrezat e Samadrexhës në Vushtrri.

    Të pranishëm ishin edhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, ambasadori i Amerikës në Prishtinë, Jeffery Hovenier, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, djali i Bunjakut dhe të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

  • “53-milionëshi”, në tetor mbahet seanca në Apel

    “53-milionëshi”, në tetor mbahet seanca në Apel

    Gjykata e Apelit e ka caktuar për 7 tetor 2024 seancën në të cilën pritet të elaborohen ankesat e Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të dënuar nga Themelorja me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku), për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

    Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

    Sipas njoftimit të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, seanca në Apel pritet të mbahet më 7 tetor 2024, në ora 10:00.

    Në njoftim janë ftuar që në këtë seancë të marrin pjesë pëfaqësues nga Prokuroria e Apelit, i akuzuari Lekaj me avokatin Artan Qerkini, i akuzuari Berisha me avokatin Afrim Salihu, i akuzuari Shatri me avokatin Florent Latifaj dhe i akuzuari Tahiri me avokatin Urim Vokshi, si dhe palëa e dëmtuar- Avokatura Shtetërore.

    Sipas aktgjykimit të shpallur më 31 janar 2024, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

  • IKD: KPK të garantojë transparencë në Draftrregulloren për kryeprokurorë

    IKD: KPK të garantojë transparencë në Draftrregulloren për kryeprokurorë

    Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e 253-të si pikë të rendit të ditës ka vendosur miratimin e Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.

    Përkitazi me Rregulloren në fjalë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dërguar komente në KPK. Duke mirëpritur adresimin e një pjese të komenteve, IKD gjënë se drafti i prezantuar për votim në KPK vazhdon të mos garantojë transparencë të duhur të procesit dhe krijon pabarazi mes anëtarëve të Këshillit, duke mos ndjekur standardet adekuate të miratuara nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës në raport me procesin e emërimit të kryetarëve të gjykatave.

    Në komentet e dërguara, IKD rekomandoi detajimin e obligimeve lidhur me transparencën, në mënyrë që proceset për kryeprokurorë të jenë transparente para publikut, kandidatëve për kryeprokurorë dhe stafit të sistemit prokurorial. Një detajim të tillë nuk e përmban drafti që është dërguar për miratim në KPK, i cili përmban vetëm dispozita të përgjithshme në lidhje me transparencën. Dispozita të tilla lënë hapësira të mëdha interpretimi dhe arbitrariteti, të cilat më pastaj kthehen në mungesë transparence, problem ky i vazhdueshëm i këtyre proceseve të KPK-së.

    Me qëllim të vlerësimit adekuat të kandidatëve, IKD rekomandoi mundësinë e marrjes së mendimeve apo informatave me karakter këshillëdhënës nga secili prokurorë për secilin kandidat për kryeprokuror. Për dallim nga KGjK, KPK nuk e morri për bazë këtë koment.

    Sipas Draft Rregullores së dërguar për miratim, kryesues i Panelit për Vlerësim do të jetë Kryesuesi i KPK-së. IKD në komentet e dhëna ka rekomanduar që KPK të themelojë Panelin Vlerësues dhe me vendim të caktojë edhe kryesuesin e këtij paneli, duke mos përcaktuar që automatikisht Kryesuesi i KPK-së të jetë edhe kryesues i Panelit për Vlerësim. Dhënia e një detyre të tillë paraqet trajtim të pabarabartë mes anëtarëve të KPK dhe Kryesuesit të tij, i cili është “i pari në mesin e barabartëve”. Edhe në këtë rast, KPK nuk morri për bazë rekomandimin e IKD dhe nuk ndjeku linjën e KGjK.

    Në anën tjetër, në mbledhjen e sotshme, në rend të ditës është edhe shqyrtimi i vendimit për pagën e anëtarëve jo-prokuror të KPK-së. Lidhur me këtë vendim, IKD i rekomandon KPK-së që të ketë një vëmendje të shtuar, duke respektuar dispozitat dhe parimet ligjore. Vendimi i marrë nga KPK në asnjë mënyrë nuk duhet të shërbejë si dekurajim për anëtarët jo prokurorë të KPK-së. Ky fakt vetëm sa do ta përforconte nivelin e korporatizmit brenda KPK-së, pasi një qasje e cila për anëtarët jo prokuror do të nënkuptohej potencialisht si përjashtuese.

  • Shefi i Zyrës së BE-së bën nderime tek varri i Afrim Bunjakut

    Shefi i Zyrës së BE-së bën nderime tek varri i Afrim Bunjakut

    Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, ka bërë nderime për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra tragjikisht në krye të detyrës në sulmin e Banjskës që u krye nga formacioni paramilitar serb në krye me Milan Radojiçiq.

    “Lutjet e mia janë për familjen e tij, kolegët dhe popullin e Kosovës që kërkon drejtësi”, ka shkruar Orav.

    “BE-ja bën thirrje për ndjekje të shpejtë penale të atyre që janë përgjegjës dhe ripohon përkushtimin e saj ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies. Është një kujtesë e nevojës për përpjekje të vazhdueshme për ruajtjen e sigurisë dhe avancimin me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet tutje në reagimin e Zyrës së BE-së.

  • Haradinaj: Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtjes paqes

    Haradinaj: Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtjes paqes

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve.

    Ai ka bërë homazhe te varri i tij dhe ia ka vizituar familjen në Samadrexhë të Vushrrisë, duke thënë se sakrifica e Bunjakut “është nder i përhershëm për Kosovën”.

    Haradinaj është shprehur se Kosova dhe qytetarët do ta kujtojnë përgjithmonë rreshterin e vrarë në Banjskë.

    “Në njëvjetorin e rënies, zhvillova homazhe pranë varrit të tij dhe vizitova familjen e tij në Samadrexhë të Vushtrisë. Me këtë rast, bashkëshortes së tij, Lumnijes, vajzës Arbenitës, djemve Jetlumit e Fatlumit dhe gjithë familjes Bunjaku, u shpreha respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Kosova dhe qytetarët e saj do ta kujtojnë përgjithmonë me respekt dhe përulje heroin Afrim Bunjaku”, ka shkruar deputeti i AAK-së.

  • Përkundër kritikave të opozitës, dërgohet në seancë Projektligji për Sigurimin e detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

    Përkundër kritikave të opozitës, dërgohet në seancë Projektligji për Sigurimin e detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

    Përkundër kritika të partive opozitare, Komisioni për Shëndetësi ka dërguar për në seancë Projektligjin për Sigurimin e detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, raporton Ekonomia Onlinë.

    Opozita e cilësoi të vonuar dhe pa zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa nga partia në pushtet konsiderojnë se “reforma në shëndetësi po merr një dinamizëm më të madh”.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka theksuar se ky projektligj është i obligueshëm në bazë të rregullores së punës së Kuvendit dhe pa marr parasysh verdiktin ky projektligj detyrimisht shkon në Kuvend për shqyrtim.

    Zemaj theksoi se projektligji për sigurime shëndetësore është i vonuar dhe se i njëjti në përmbajtje nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme.

    “Më shumë është përgatitur për të mbuluar dështimin katërvjeçar të qeverisë në sektorin e shëndetësisë dhe ky ligj nuk mund të improvizohet në fund të mandatit sa për të mbuluar procedurën legjislative”, ka theksuar Zemaj.

    Deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Haxh Avdyli ka theksuar se reforma në shëndetësi po merr një dinamizëm më të madh.

    “Besoj që deri në fund të mandatit do të kemi edhe ligjin për shëndetësi, ligjin për inspektoratet po edhe ligjin për sigurimet shëndetësore të cilat do të rrumbullakojmë reformën në shëndetësi”, ka theksuar Avdyli.

    Sipas tij, ky projektligj i ka adresua të gjitha mangësitë të cilat kanë penguar që Kosova deri më sot mos të ketë sigurime shëndetësore.

    Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj tha se do të jetë shumë e vështirë që të përjetësohet në praktikë, sepse sipas tij ka ardhur vonë dhe nuk është koha të amandamentohet.

    Sipas tij për të realizuar sigurime shëndetësore nevojiten minimumi katër vite që të grumbullohet fondi dhe që të funksionalizohet procesi.

    “Është e çuditshme pse pas tri viteve qeverisje sillet këtu, sikur ta kishim pasur në fillim të vitit 2021 vërtetë do të kishim dhënë kontributin tonë”, theksoi Dreshaj

    Dreshaj u shpreh se ky projektligj me të gjitha premisat është i paraparë të dështoj.

  • Përurohet rruga “Afrim Bunjaku”

    Përurohet rruga “Afrim Bunjaku”

    Rruga rajonale, segmenti Ballaban – Banjskë, ka marr emrin e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Në zbulimin e pllakës se kësaj rruge që mban emrin e heroit të Kosovës ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që rruga rajonale R-217 segmenti Ballaban – Banjskë te marr emrin e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Bunjaku është vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë.