ATV

Author: ATVLive

  • Një vit pas sulmit në Banjskë – Radoiçiq endet i lirë nëpër Serbi, ka një pronë luksoze në Dedinjë

    Një vit pas sulmit në Banjskë – Radoiçiq endet i lirë nëpër Serbi, ka një pronë luksoze në Dedinjë

    Sot është bërë saktësisht një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, kur sipas të dhënave zyrtare u vra një polic i Kosovës dhe tre serbë. Ky aksion është organizuar dhe udhëhequr, sipas pranimit të tij, nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

    Nova në përmbledhjen e përvjetorit të këtij sulmi shkruan se Radoiçiq është i lirë, ai ka një pronë luksoze në Dedinje.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar të shtënat me armë zjarri kanë pasur jehonë në rajonin e fshatit Banjskë gjatë gjithë mëngjesit. Vendasit ishin shumë të frikësuar dhe të mbyllur në shtëpitë e tyre.

    Së shpejti, Eparkia e Rashkës-Prizrenit njoftoi se një grup personash të armatosur, të maskuar hynë në manastir me automjet të blinduar dhe depërtuan nëpër portën e mbyllur. Në atë moment, në manastir ishte një grup besimtarësh nga Novi Sadi, me priftin, igumenin Danilo dhe vëllezërit e manastirit. Persona të maskuar të armatosur lëviznin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjoheshin të shtëna armësh.

    Ministri në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i tha Nova-s atë ditë se një pjesë e sulmuesve kanë hyrë në manastir dhe se policia i ka thirrur të dorëzohen me megafon. Ai gjithashtu deklaroi se sulmuesit, bazuar në burime policore, ishin të organizuar mirë dhe dyshohet se ishin të armatosur me armë të rënda, armë dhe mortaja.

    Policia e Kosovës më pas ka njoftuar opinionin se në shkëmbimin e zjarrit në veri të Kosovës janë vrarë tre terroristë.

    Gjithashtu, janë arrestuar gjashtë persona, nga të cilët një person është i lidhur drejtpërdrejt me të shtënat, ndërsa katër prej tyre dyshohen për mbështetje logjistike.

    Sipas informacioneve të para, me atë rast janë gjetur qindra armë, uniforma dhe pajisje logjistike, mes të cilave armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, pistoleta, mitralozë, kallashnikovë, automatikë…

    Në Serbi heshtje deri në mbrëmje

    Autoritetet serbe nuk u deklaruan gjatë gjithë ditës, deri në fjalimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në orën 20:00. Ai dënoi vrasjen e një polici shqiptar, por fajtorin kryesor për ngjarjet në Banajskë e vuri në dukje kryeministrin e Kosovës Aljbin Kurti.

    “Në vetëm një orë e njëzet minuta, ata disa dhjetëra serbë u rrethuan plotësisht, padyshim kjo u bë së bashku me forcat ndërkombëtare. Ndaj tyre u krye një sulm brutal dhe ne në fillim menduam se pse nuk e bëri KFOR-i, do të kishte më pak viktima. Sipas informacioneve që disponojmë, thuhet se janë vrarë tre serbë nga Kosova. Dy sigurisht nga zjarri snajper, kur nuk ishte e nevojshme që të likuidoheshin. Dy prej tyre janë plagosur rëndë dhe ekziston frika se është vrarë edhe një i katërt”, tha Vuçiq.

    Mirëpo, vetëm pesë ditë më vonë, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, merr përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë dhe jep dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

    Avokati Goran Petronijeviq, si përfaqësues i Radoiçiqit, ka lexuar letrën e tij drejtuar opinionit, në të cilën ndër të tjera shkruan:

    “Unë personalisht kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike”.

    Në fillim të dhjetorit Interpoli lëshoi ​​një urdhër arresti për të, pikërisht për ngjarjet e ndodhura më 24 shtator në Banjskë.

    Pothuajse një vit pas konfliktit në Banjskë, Prishtina ka ngritur padi kundër 45 personave, mes tyre edhe Radoiçiq.

    “Kemi kryer afro 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur, kemi analizuar afërsisht 120 pajisje elektronike, kemi sekuestruar afërsisht 1266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar qindra dokumente që përmbajnë prova kyçe për këtë rast”. Ndër të pandehurit kryesorë është edhe një person me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Milan Radoiçiq, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera nga të cilat kemi arritur të sigurojmë prova të rëndësishme”, tha prokurori i rastit Banjska, Naim Abazi.

    Në Beograd ende nuk është ngritur aktakuza dhe Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Serbisë për bashkëpunim në lidhje me rastin Banjska dhe sigurimin e provave për Milan Radoiçiq.

    Kumbarët dhe shokët ndërtojnë

    Në ndërkohë, Radoiçiq është i lirë dhe i është lejuar të ndërtojë prona të paluajtshme luksoze në Dedinje, praktikisht në të njëjtin lokacion ku do të vendosen pallatet e kumbarit të tij Zvonko Veselinoviq dhe po ashtu kumbarit të presidentit të Serbisë, Nikolla Petroviq.

    “Milan Radoiçiq, lideri joformal i pjesës veriore të Kosovës, Nikola Petroviq, kumbari i Presidentit të Serbisë, dhe gruaja e kumbarit të Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviç, po blejnë pasuri të re të patundshme me vlerë në një lokacion prestigjioz në Beograd. Vila luksoze janë në ndërtim e sipër në parcelat stërgjyshore të Radoiçiqit dhe gruas së Veselinoviçit, dhe emëruesi i përbashkët për të gjitha këto prona është Davor Macura, pronari i Alta Bank, i cili shpesh lidhet me Partinë Progresive Serbe në pushtet”, shkruan BIRN.

    Siç kanë thënë më tej, nga fundi i vitit të kaluar e deri më sot, Radoiçiq, Ljiljana Bozhoviq, bashkëshortja e Zvonko Veselinoviqit dhe Nikolla Petroviq, kumbari i Presidentit të Serbisë, janë bërë pronarë të mijëra metrave katrorë tokë në Dedinje. dhe parcelat e tyre ndodhen pranë njëra-tjetrës. Siç zbulon BIRN, investitori që po ndërton një ndërtesë banimi me një sipërfaqe totale prej 1550 metrash katrorë në parcelën e Radoiçiqit është kompania Danica Park e Davor Macura, pronari i Alta Bank, i cili shpesh lidhet me Partinë Progresive Serbe në pushtet.

  • Kurti: Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit

    Kurti: Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit

    Kryeministri Albin Kurt, kryeparlamentari Glauk Konjufca e ministra të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe pranë varrit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e vrasjes së tij, raporton EO.

    Nga aty, kryeministri Kurti tha se sakrifica e heroit nuk do të harrohet kurrë, duke shtuar se Bunjaku humbi jetën “duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

    Kurti tha se rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së vendit.

    “Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë. Sot që po flasim, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë. Anembanë Kosovës, në çdo cep është shteti i Kosovës, shteti i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me nder dhe përkushtim. Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, morali i policisë sonë edhe ushtrisë tonë kurrë s’ka qenë më i lartë, andaj kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të policisë, të heroit Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për Policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Kurti.

    Ai tha se me rënien e tij nuk ranë policë të tjerë, ndërsa për kolegët e Afrim Bunjakut që ishin me të kur u sulmuan, tha se nuk lejuan që trupi i tij të bie në dorën e grupit terrorist.

    “Duke rënë Afrim Bunjaku nuk kanë rënë shumë policë të tjerë dhe ata policë që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike e forcat që ishin të financuara dhe të dirigjuara nga Serbia me paramilitarë që kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë ikën me turp, i lanë të vrarët dhe të plagosurit e tyre dhe sot fshihen nëpër Serbi sepse e dinë që e kanë humbur betejën njëherë e përgjithmonë me shtetin tonë dhe me popullin tonë liridashës”, u shpreh Kurti.

    Kurti tha se për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku përgjegjëse është Serbia dhe se ajo duhet të japë përgjegjësinë. Këtu ai kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve.

    “Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. E në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë. Idealet e dëshmorëve për neve do t’i jetësojmë e po i jetësojmë, ndërkaq kujtimin tonë për ta do ta përjetësojmë e po e përjetësojmë. Sot në Banjskë të Zveçanit është vendosur tabela në të cilën shkruan rruga ‘Afrim Bunjaku’. Kjo është rruga e të gjithë neve”, deklaroi Kurti.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Afrim Bunjaku do të kujtohet përgjithmonë. Konjufca tha se heroi Afrim Bunjaku është shembulli më i mirë për vetëmohim.

    “Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit. Ai dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcenohet se si duhet të jepet jeta. Ai e la shembullin më të vyet edhe për vëllezërit dhe motrat e tij që janë në Policinë e Kosovës se si duhet të veproj njeriu kur e kërkon shteti”, shtoi ai.

    Homazhe kanë bërë edhe disa ambasadorë të akredituar në Kosovë.

    Gjithashtu, në këtë delegacion ishte edhe Komandanti i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe disa përfaqësues të Policisë së Kosovës.

    Rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist i Milan Radoiçiqit. Nga sulmet e grupit terrorist ishin plagosur edhe dy policë tjerë të Kosovës.

  • Haradinaj nderon heroin, Afrim Bunjaku: Porosia e tij është që Kosova ka njerëz që mbrojnë atë

    Haradinaj nderon heroin, Afrim Bunjaku: Porosia e tij është që Kosova ka njerëz që mbrojnë atë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe tek varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me rastin e njëvjetorit të rënies së tij.

    Haradinaj ka thënë se porosia e rënies së Heroit Bunjaku është që Kosova ka njerëz që mbrojën gjithë territorin e saj, rendin e ligjin, të drejtat kushtetuese edhe shtetin ligjor.

    “Në njëvjetorin e rënies së rreshterit të Policisë tashmë Heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, në sulmin terrorist në Banjskë, e nder të varri i tij. Porosia e rënies heroike të tij është që Kosova ka njerëz që mbrojnë Kosovën, e mbrojtën gjithë territorin e Kosovës, rendin dhe ligjin të drejtat kushtetuese edhe shtetin ligjor. Afrim Bunjaku me jetën e tij e dërgoj këtë porosi, i përulemi me respekt”, u shpreh Haradinaj.

  • Bashkimi Evropian kërkon llogaridhënie për sulmin terrorist në Basnjkë

    Bashkimi Evropian kërkon llogaridhënie për sulmin terrorist në Basnjkë

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka kujtuar sulmin terrorist në Banjskë në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje.

    Ai e ka përsëritur thirrjen e BE-së për ndjekje penale të personave përgjegjës për këtë sulm, dhe është e përkushtuar për drejtësi.

    “Kosova: Një vit pas sulmit në Banjskë Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për ndjekjen penale të përgjegjësve dhe e riafirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie”, ka shkruar Stano në X.

    “Është një rikujtues për nevojën për përpjekje të vazhdushme për të ruajtur sigurinë dhe për të avancuar me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

  • ​UEFA e pranon gabimin e rëndë në EURO 2024

    ​UEFA e pranon gabimin e rëndë në EURO 2024

    UEFA ka pranuar se loja e diskutueshme me dorë e Marc Cucurella kundër Gjermanisë në çerekfinalen e Euro 2024 duhet të ishte një penallti, sipas një raporti nga Komiteti i Arbitrave të UEFA-s .

    Ishte ndoshta një nga momentet më të diskutueshme të Euro 2024, me goditjen e Jamal Musiala në kohën shtesë, që u duk se kishte kontakt me krahun e Cucurella-s, ndërsa mbrojtësi i Chelseat qëndronte brenda zonës së penalltisë.

    Pothuajse menjëherë, gjyqtari Anthony Taylor u vërshua nga lojtarët gjermanë, duke përfshirë Musiala, Florian Ëirtz dhe Niclas Fullkrug, të cilët kërkonin penallti, përcjellë KosovaPress.

    Arbitri anglez nuk i kushtoi vëmendje ankesave të tyre, me VAR që mbështeti vendimin e zyrtarit. Cucurella dukej se kishte dorën e majtë poshtë në anën e tij, larg nga trupi i tij.

    Spanja e fitoi atë ndeshje duke siguruar kalimin në gjysmëfinale të turneut.

  • ​Nderohet heroi Afrim Bunjaku

    ​Nderohet heroi Afrim Bunjaku

    Në shënimin e një vjetorit të rënies së heroit, policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrin e punëve të brendshme Xhelal Sveçlën kanë vizituar familjen e tij.

    Pas vizitës, krerët e shtetit bënë homazhe para varrit të tij në varrezat e Samadrexhës në Vushtrri.

    Të pranishëm ishin edhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, ambasadori i Amerikës në Prishtinë, Jeffery Hovenier, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, djali i Bunjakut dhe të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Afrim Bunjaku u vra në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit të vitit 2023, në Banjskë nga grupi terrorist i drejtuar nga Milan Radojçiq.

    Pas një viti, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në këtë sulm terroristë. /kp

  • ​Mediat spanjolle zbulojnë fituesin e Topit të Artë

    ​Mediat spanjolle zbulojnë fituesin e Topit të Artë

    Gazeta spanjolle “Marca” ka sugjeruar, se Vinicius Junior do të fitojë Topin e Artë këtë vit, një trofe që do të jepet më 28 tetor në Paris.

    Pasi Luka Modric dhe Karim Benzema thyen dominimin e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit si dy lojtarët e vetëm që fituan Topin e Artë që nga viti 2008, do të jetë sërish një lojtar i Real Madridit, këtë herë brazilian, ai që do të fitojë më të rëndësishmin trofe individual në skenën botërore të futbollit.

    Sipas “Marca”, Vinicius Junior ka mposhtur konkurrencën e bashkëlojtarëve të Real Madridit, Kylian Mbappe, Jude Bellingham dhe Dani Carvajal, si dhe Rodri, mesfushori i Manchester Cityt, përcjellë KosovaPress.

    Në listën përfundimtare prej 30 lojtarësh janë edhe lojtarët portugez Vitinha (PSG) dhe Ruben Dias (Manchester City).

    Sezonin e kaluar, Vinicius Junior shënoi 24 gola dhe 11 asistime në 39 ndeshje për Real Madridin, duke fituar La Ligën, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Spanjës.

  • ​Osmani në një vjetorin e rënies së heroit Bunjaku: Liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm

    ​Osmani në një vjetorin e rënies së heroit Bunjaku: Liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar një vjetorin e rënies së dëshmorit, rreshterit Afrim Bunjaku.

    “Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë!”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

    24 shtatori shënon një prej datave më të rënda për historinë e Kosovës pasi Policia e Kosovës u përball me sulm terrorist.

    Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulm. Babai i tre fëmijëve, heroi më i ri i shtetit të Kosovës, u qëllua nga dy drejtime të ndryshme në afërsi të kësaj ure, e si pasojë e të shtënave u plagosën edhe dy policë të tjerë.

  • ​Kurti arrin në familjen e heroit Afrim Bunjaku

    ​Kurti arrin në familjen e heroit Afrim Bunjaku

    Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, organizohen aktivitete për shënimin e njëvjetorit të rënies së heroit Afrim Bunjaku.

    Ai aktualisht po viziton familjen e heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë dhe më pas do të bëjë homazhe dhe vendos kurora me lule.

    Gjithashtu do të bëhet edhe i dhe përurimi i rregullimit të pllakës dhe varrit të heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë.

  • ​Gjakovë, raportohet zjarrvënie në stallë

    ​Gjakovë, raportohet zjarrvënie në stallë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Botush, të Gjakovës, të hënën është raportuar për një zjarrvënie.

    Sipas policisë ankuesi ka raportuar se stalla në të cilën kishte rreth 2 mijë e 500 ballë dujë-ushqim për bagëti, në rrethana të panjohura i janë djegur.

    “Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.