ATV

Author: ATVLive

  • Ndalohet një person i dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”

    Ndalohet një person i dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar me inicialet Sh.K.,në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    I dyshuari i lartëcekur është ndaluar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje lidhur me një konflikt pronësor në fshatin Dubravë, ka sulmuar fizikisht me thikë të dëmtuarin Z.M. duke e goditur disa herë në pjesë vitale të trupit.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të ndërmarr veprimet e mëtejme ligjore.

  • IKSHPK: Vaksina kundër kancerit të mitrës tani ofrohet edhe për vajzat 13 deri 21 vjeçare

    IKSHPK: Vaksina kundër kancerit të mitrës tani ofrohet edhe për vajzat 13 deri 21 vjeçare

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se tash e tutje ofrohet vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV), edhe për vajzat nga mosha 13-21.

    Përmes një njoftimi zyrtar, thuhet se për këtë grup-moshë, vaksinimi kundër HPV bëhet në baza vullnetare.

    Po ashtu, kanë bërë të ditur se pas fazës së parë të suksesshme të vaksinimit kundër HPV, për vajzat e klasave të gjashta, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, tani ka filluar faza e dytë, gjatë të cilës deri më 31 dhjetor 2024, vaksinën kundër HPV mund ta marrin edhe vajzat të cilat s’janë vaksinuar gjatë fazës së parë.

    “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton se, me rekomandim të Komitetit Profesional Këshillues për Vaksinim, dhe me miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë, tash e tutje, ofrohet vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV) edhe për vajzat nga mosha 13-21 vjeçe. Për këtë grup-moshë, vaksinimi kundër HPV bëhet në baza vullnetare. Vaksinimi bëhet në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse dhe në IKSHPK”, thuhet në postimin e tyre.

  • Osmani takohet me Blinkenin, e falënderon për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së

    Osmani takohet me Blinkenin, e falënderon për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Nju Jork është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

    Përmes një postimi në X, Osmani u shpreh se falënderoi Blinkenin, për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së.

    “Gjithmonë është mirë të takohesh me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, përkrahës i palëkundur i popullit të Kosovës. Në pritjen liderëve në Nju Jork nga presidenti Joe Biden, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së”, shkroi e para e vendit.

  • Bajrami njeriu i golave të shpejtë, thyen një rekord për klubin e tij

    Bajrami njeriu i golave të shpejtë, thyen një rekord për klubin e tij

    Nedim Bajrami ka realizuar mbrëmë golin e tij të parë me fanellën e Rangers.

    Ky gol ishte i veçantë për të pasi e realizoi në minutën e parë të ndeshjes.

    Pasi theu rekordin me golin më të shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane, me këtë gol të realizuar tanimë ai ka thyer një rekord tjetër kësj radhe në Europa League për Rangers

    26 vite më parë, Gennaro Gattuso shënoi në minutën e parë për Rangers në një kompeticion evropian, dhe mbrëmjen e sotme, Nedim Bajrami shënoi për 55 sekonda.

  • Fëmijët e të burgosurve, humbësit më të mëdhenj të burgut danez në Kosovë

    Fëmijët e të burgosurve, humbësit më të mëdhenj të burgut danez në Kosovë

    Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, ka udhëtuar në Kosovë për të parë rindërtimin e burgut që qeveria daneze ka marrë me qira.

    300 të dëbuar nga Danimarka do ta vuajnë dënimin në një burg në Kosovë me oficerë të burgjeve të Kosovës në vend të burgjeve daneze.

    Organizata SAVN – e cila është zëdhënëse dhe këshilltare dhe mbështet të afërmit e të burgosurve në burgjet daneze – paralajmëron se fëmijët e të burgosurve në veçanti do të paguajnë çmimin kur babai ose nëna e tyre të futen në burg në Kosovë.

    “Marrëveshja e burgut synon të eliminojë kokëçarjen politike të mbipopullimit dhe mungesës së personelit në burgjet daneze, por i vë të afërmit e të burgosurve në një situatë të vështirë dhe të paarsyeshme. Është një grup i cenueshëm fëmijësh që rrezikojnë të paguajnë çmimin nëse prindërit duhet të vuajnë dënimin në Kosovë”, thotë Elisabeth Toft Rasmussen, shefe e sekretariatit në SAVN për Arbejderen, raporton media daneze “arbejderen”.

    “Ekziston një rrezik i madh dhe real që Danimarka të mos jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj për të respektuar fjalët e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve që fëmijët duhet të kenë gjithmonë mundësinë të jenë në kontakt me nënën dhe babanë e tyre, edhe kur janë të burgosur. Si do të munden fëmijët të vizitojnë prindërit e tyre çdo javë në një burg mbi 2000 kilometra larg Danimarkës?”, pyet ajo.

    Rasmussen thotë se është e qartë se vizitat e rregullta në burgjet e Kosovës do të jenë një barrë e pakapërcyeshme financiare dhe mendore për familjet e të burgosurve “që ne si shoqëri nuk mund ta vendosim mbi supet e familjeve që tashmë janë nën presion të madh”.

    Shoqata e Avokatëve të Emigracionit në Danimarkë, e cila është një rrjet për avokatët e të dënuarve me deportim, ka frikë për të drejtat e të dënuarve me deportim kur lihen prapa grilave në Kosovë, larg Danimarkës.

    “Në marrëveshjen me Kosovën thuhet se Avokati i Popullit Parlamentar dhe autoritetet përkatëse kanë të drejtë të mbikëqyrin dhe vizitojnë burgun. Por, si të sigurohemi që të burgosurit të trajtohen si qenie njerëzore? Si të sigurohemi që standardet që i njohim në burgjet në Danimarkë zbatohen në burgjet në Kosovë?”, thotë kryetarja e shoqatës, Jytte Lindgard.

    Siç raporton media daneze “arbejderen”, të shqetësuar thellësisht me marrëveshjen për burgjet janë Komiteti i OKB-së kundër Torturës, Amnesty International dhe DIGNITY – Danish Institute Against Torture.

    Të tre organizatat kanë frikë se të drejtat e njeriut të të burgosurve do të shkelen dhe pyesin se si të afërmit do të mund ta vizitojnë të burgosurin një herë në javë, gjë që të burgosurit kanë të drejtë sipas ligjit danez.

    Burgu ndodhet në Gjilan, më shumë se 2100 kilometra nga kufiri danez, shkruan “arbejderen”.

  • Fuqizimi i grave ne bujqësi dhe roli i tyre në vendimmarrje – Mundësitë më të mira për barazi gjinore

    Fuqizimi i grave ne bujqësi dhe roli i tyre në vendimmarrje – Mundësitë më të mira për barazi gjinore

    Organizata “EcoKosWomen” ka organizuar një ngjarje vetëdijesuese për rolin e grave në shoqëri, duke nxitur ndryshime pozitive që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të grave, dhe njëkohësisht avancojnë barazinë gjinore në Kosovë, raporton EO.

    Shpresa Gosalci nga Organizata “EcoKosWomen”, thënë se temat kyçe që po promovojnë përmes kësaj iniciative janë fuqizimi i grave ne bujqësi dhe roli i tyre në vendimmarrje.

    “Ky aktivitet, që zhvillohet në kuadër të projektit EREA, i cili zbatohet nga Caritasi Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim synon të promovojë një shoqëri me të drejtë dhe githëpërfshirëse, duke sfiduar stereotipat dhe duke forcuar qëndrimet pozitive ndaj diversitetit. Përmes mesazheve dhe aktiviteteve që përçojmë në këtë fushatë, dëshirojmë të theksojmë rolin a pazëvendësueshëm që luajnë gratë në zhvillimin e shoqërisë sonë. Duke përkrahur fuqizimin ekonomik të grave dhe avancimin e barazisë gjinore, ne jo vetëm që po krijojmë mundësi për gratë të shprehin potencialin e tyre, por po ndërtojmë një të ardhme me të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”.

    “Gratë, kudo që janë, meritojnë mundësi të barabarta. Mesazhet që shpalosim përmes siluetave tona në këtë event në Prishtinë por dhe në komuna te tjera te Kosovës janë një thirrje për veprim. Mesazhet si ‘Një grua e fuqishme mbështet një grua tjetër’ dhe ‘Barazia dhe githëpërfshirja, çelës i suksesit’ nuk janë thjeshtë fjalë ato janë parime për të cilat ne duhet të angazhohemi çdo ditë”, ka thënë Gosalci.

    Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë Venera Çerkini ka thënë se gratë në Kosovë kanë pasur përparim dhe avancim në të drejtat e tyre.

    “Si grua duke marrë parasysh që vet kam hasur në vështirësi dhe pengesa, është e rëndësishme që te avancohemi. Gratë në Kosovë kanë pasur përparim në avancimin e të drejtave të grave dhe fuqizimin e gruas që arriti të kalojë vetë barrierat. E di sa e rëndësishme për neve që të jemi në një rrugë të mirë, ne jemi shumë të përkushtuar në fushën e bujqësisë 5 mijë gra kanë përfituar nga ministria jonë. Tregon një përparim të gruas që kem një kontribut të çmuar në fushën e bujqësisë. Mbështetja e grave është për një të ardhme të që qëndrueshme”, ka thënë Çerkini.

    Gerhard Schaumberger, Drejtor i Caritasit Zviceran në Kosovë, ka potencuar se kjo fushatë krijon mundësinë e gjithëpërfshirjes dhe fuqizimin e grave.

    “E dimë që Kosova ka emigrim dhe të njëjtën kohë kemi edhe një zhvillim ekonomik. Është vetëm mundësi gjithëpërfshirëse fuqia e grave punëtore, kjo fushatë është duke funksionuar dhe kam marrë vesh që këto sllogane bazohen në tregime të vërteta. Gjithashtu kam marrë vesh që kjo fushatë do të jete edhe me komunat jo shumicë”, u shpreh ai.

    Valdete Sahiti pronare e agrobiznesit “LoEL” ka theksuar se fuqizimi i grave është çelësi për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe të drejtë.

    “Fuqizimi i grave është çelësi për të krijuar një shoqëri më të barabartë dhe të drejtë. Përmes kësaj mbështetjeje, unë pata mundësinë të ndjek ëndrrat e mia, të ndërtoj një biznes të qëndrueshëm dhe të sfidoj stereotipat gjinorë që shpesh i kufizon gratë në botën e biznesit. ‘LoEL’ tani është jo vetëm një burim stabiliteti ekonomik për mua dhe familjen time, por edhe një model që u ofron mundësi dhe shpresë grave te tjera. Duke krijuar vende punë për gratë ne zonën time, unë po ndihmoj në përmirësimin e kushteve të tyre sociale dhe ekonomike”, deklaroi Sahiti.

  • Kurti takohet me homologun e tij nga Vanuatu, Charlot Salwai

    Kurti takohet me homologun e tij nga Vanuatu, Charlot Salwai

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua dje në New York me Kryeministrin e Vanuatu, Charlot Salwai.

    Palët u takuan në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në tregti, shkëmbime kulturore dhe edukim, dhe për politikat e dy vendeve në përballje me ndryshimet klimatike.

    Kryeministri trajtoi dhe avancimin e shtetit tonë në tri vitet e fundit, politikat e ndërmarra në sektorë kyçë dhe perspektivën për të ardhmen. Ai nënvizoi sundimin e ligjit, sigurinë, luftimin e korrupsionit dhe iniciativat në fushën e diplomacisë, e për të cilat shprehu gatishmërinë e Kosovës që të ndajë përvojat respektive përmes trajnimeve dhe akademive në vendin tonë.

    Duke shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për më shumë shkëmbime mes dy vendeve tona, kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin e Vanuatu Charlot Salwai për takimin dhe bisedën.

  • ​Kosova shënon rritje të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024

    ​Kosova shënon rritje të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024

    Kosova ka shënuar rritje të numrit të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024. Në Ditën Botërore të Turizmit, u tha se vendi tashmë është bërë një destinacion turistik për të huajt.

    Në shënimin e kësaj dite, kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti, tha se rritja e turizmit ka qenë për 24.6 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit dhe se pret që i njëjti trend të jetë edhe në pjesën e mbetur të vitit 2024.

    “Kosova tashmë nuk është vetëm një rrugë kalimi për vizitorët, por është destinacion turistik. Për fat të mirë gjashtë mujori i parë i vitit 2024 ka shënuar një rritje të vazhdueshme. Sa i përket numrit të turistëve ndërkombëtarë kemi rritje mbi 24.6 për qind të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën. Lajm i mirë është se kemi edhe rritje të netëve qëndrimeve. Vizitorët kemi arritur t’i ndalim dhe të qëndrojnë më gjatë në Kosovë. Kjo fal festivaleve edhe aktiviteteve të cilat po zhvillohen dhe atraksioneve turistike që po shtohen”, tha ai.

    Rritjen e numrit të turistëve e mirëpriti zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi, e cila tha se Kosova ka dyert e hapura për vizitorët e huaj.

    Ajo tha se Kosova ka një pozicion ideal për t’u bërë një qendër e turistëve që dëshirojnë të eksplorojnë.

    “Kosova në bazë të pozitës së saj gjeografike ndodhet në zemër të Ballkanit. Kjo na vendos në një pozicion ideal për t’u bërë një qendër te turistët që dëshirojnë të eksplorojnë në këtë vend të Evropës. Vendi ynë ka burime natyrore, unike, male, lumenj, liqene si dhe një histori dhe kulturë të pasur”, theksoi ajo.

    Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se kryeqyteti ofron një pasuri të madhe kulturore dhe bukuri natyrore për turistët.

    “Prishtina si një kryeqytet që ofron një pasuri të madhe kulturore dhe historike është e interesuar që të jetë pjesë e këtyre proceseve. Përveç që ka një traditë mikpritëse, atmosferë të gjallërishme ka edhe shumëçka tjetër për t’i ofruar vizitorëve dhe turistëve që na vizitojnë në kryeqytet. Po ashtu për bukuritë natyrore që i kemi jo vetëm në zonat urbane përmes festivaleve por edhe të natyrës së mrekullueshme të gollakut. Kemi një numër të madh të monumenteve historike, po ashtu e kemi edhe makiaton më të mirën në botë, po na pranojnë edhe italianët”, tha Rama./KosovaPress/

  • Kërkohet aktivitet më i madh fizik në shkollat e Kosovës

    Kërkohet aktivitet më i madh fizik në shkollat e Kosovës

    Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport kanë organizuar “Forumin e Sportit”, i cili mbahet në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen për “Javën Evropiane të Sportit”.

    Në këtë forum u diskutua për nevojën e përfshirjes së të rinjve në sa më shumë aktivitete sportive, por edhe për nevojë e barazisë gjinore në sport.

    Dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Sportit, Musa Selimi në panelin diskutues tha se në Kosovë ka nevojë për rritje të numrit të orëve të Edukatës Fizike në shkolla fillore.

    “Ne si fakultet kemi marrë masa dhe kemi kërkuar nga akterë të rëndësishme të shoqërisë civile, nga Komisioni Parlamentar për Arsim, kemi kërkuar takim urgjent që ta diskutojmë bashkërisht sepse përveç fakultetit dhe universitetit, barrë të madhe kam edhe Ministria e Arsimit. Kemi kërkuar që të rritet urgjentisht fondi i orëve sepse situatën e kemi kritike, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, mungesa e orëve të Edukatës Fizike, mungesa e infrastrukturës, të gjitha këto janë komponentë që ndikojnë në shëndetin e fëmijëve tanë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e jep që çdo ditë, çdo fëmijë të ketë 60 minuta minimumi aktivitet fizik”, ka thënë Selimi.

    Kordinatori i “Javës Evropiane për Sport”, Ibër Halaj në panelin diskutues tha se për implementimin e një programi të tillë nevojitet koordinim më i madh ndërmjet organizatave sportive si dhe drejtorive sportive nëpër komunat e Kosovës.

    “Çdo program lidhet edhe me buxhetim dhe në këtë pjesë akoma nuk kemi arritur që të kemi një plan strategjik i cili është në aspektin kombëtar. Andaj edhe plani strategjik mund të jetë në korniza të trasha por duhet bërë një plan strategjik ‘Grassrods’ i cili është sektorial por që koordinohet me pjesën e organizatave që lidhen me komunat përkatëse dhe drejtoritë për sport që janë nëpër komuna për t’i zhvilluar programet e veçanta”, theksoi Alaj.

    Gjithashtu në panel u diskutua edhe për barazinë gjinore në organizatat sportive ku u kërkua përfshirje më e madhe e grave në pozitat administrative në federatat sportive të Kosovës. Afërdita Fazlija nga Ministria e Sportit theksoi se është e nevojshme që sporti i femrave të bëhet edhe profesion dhe jo vetëm pasion.

    “Sporti i femrave duhet të bëhet profesion, jo vetëm pasion, e që sporti i femrave të bëhet profesion, të paktën për këtë kohë, kam evidentuar se ndoshta pjesa e anës shkencore, konkretisht Fakulteti i Edukatës Fizike dhe disa institucione që në momente të caktuara ne iu drejtohemi si OJQ ose si programe të thjeshta siç është rasti i programi ‘BeActive” të iu them të drejtën…më tepër ky program jep produkte konkrete në fushën e sportit kur u jepet mundësia që të jene pjesëmarrës fëmijët, prindërit, arsimtarët”, tha Fazlija.

  • Prokuroria sekuestron dhe kërkon shitjen e dy kamionëve që kundërligjshëm transportonin zhavorr

    Prokuroria sekuestron dhe kërkon shitjen e dy kamionëve që kundërligjshëm transportonin zhavorr

    Prokuroria Themelore në Prizren në dy raste të ndara ka sekuestruar dy kamionë, si mjete të kryerjes së veprës penale, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme, dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Prokuroria Themelore në Prizren në koordinim me Policinë e Kosovës, Inspektorët e KPMM-së dhe Inspektorët Komunal, në fshatin Landovicë – Komuna e Prizrenit, në dy raste të ndara ka ndaluar vozitësit e dy kamionëve, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme.

    Sipas njoftimit, aktivitetet ilegale të nxjerrjes së zhavorrit në këtë fazë hetimore dyshohet se janë zhvilluar përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.

    “Brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara është lëshuar urdhri ndalues i përkohshëm dhe gjithashtu brenda afatit ligjor, për mjetet e kryerjes së veprës penale më datë 27.09.2024 është paraqitur kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar, me masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë së specifikuar – shitjen e pasurive të specifikuar/kamionëve për çmim të tregut. Prokuroria Themelore në Prizren, e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese”, thuhet në njoftim.