ATV

Author: ATVLive

  • Hajdari: Ambulancat specialistike me orar të zgjatur – zvogëlohet koha e pritjes dhe evitohen tollovitë

    Hajdari: Ambulancat specialistike me orar të zgjatur – zvogëlohet koha e pritjes dhe evitohen tollovitë

    Pacientët që kërkojnë shërbime në ambulancat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, së shpejti do ta kenë një lehtësi, pasi aty do të punohet me orar të zgjatur. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari.

    Drejtori i QKUK-së, ka thënë se brenda ditës ambulancat specialistike e vizitojnë rreth 2 mijë njerëz, andaj e konsiderojnë të nevojshme zgjatjen e orarit të punës.

    Në kuadër të kësaj, Osmani ka thënë se janë proces të krijimit të sistemit për termine online, e cila zvogëlon kohën e pritjes dhe eviton tollovinë.

    “Realisht edhe çështjen e Ambulancave e kemi bërë një fizibilitet në kuadër të disa objektivave, si në infrastrukturë, çështjen e pajisjeve, e digjitalizimit mirëpo një poentë shumë e rëndësishme është e ambulancat specialistike ku në pjesën e dytë të tetorit do të jetë sistemi i radhës i vendosur në ambulancat specialistike, ku së paku e krijon një lloj barazie sa i përket çështjes së marrjes së terminit për kontrolle që ndodhin në ambulancat specialistike”.

    “Atje, aktualisht digjitalizimi i asaj pjese është një program i cili nuk e ngritë në sistem çështjen e terminëve online, jemi duke bërë përpjekje në këtë drejtim që shumë shpejtë kalohet edhe në terminët online që thjesht ata qytetarë të cilët mund të mos me qenë fizikisht për ta bërë terminin, kështu që do ta shfrytëzojnë natyrisht aplikacionet e ndryshme qoftë përmes telefonave të mençur apo edhe thirrjeve telefonike, ku thjesht terminët do të jenë online edhe përmes telefonit, në mënyrë që të organizohemi sa më efektiv. Natyrisht orari i punës do të jetë objekti tjetër që do të respektohet maksimalisht dhe natyrisht që planifikojmë me zgjat (orarin e punës) dhe njëkohësisht programi i ambulancave do t’i shkurtojmë disa burokraci teknike të cilat ndodhin”, ka thënë Hajdari.

    Osmani ka thënë se në ambulancat specialistike shpesh herë krijohet tollovi e panevojshme, pasi funksionon me dy sektorë, atë të pranimit dhe pagesës. Andaj, e ka menduar edhe një zgjidhje.

    “Çështja e pagesës dhe çështja e terminit. Aktaualisht janë dy sektorë: sektori i pranimit dhe sektori i pagesës dhe qytetari mjafton të humb të të dyja sportelet për shërbimin e njëjtë. Do të jetë një qendër e integruar me një ndalesë, ku qytetari e bën terminin, vizitohet direkt te mjeku dhe raporti gjenerohet në deskun e informacionit dhe pacienti lëviz dhe e kryen shërbimin”, u shpreh Hajdari.

    Si problematikë tjetër për QKUK-në janë edhe referencat e pacientëve nga Qendrat e Mjekësisë Familjare, për shkak të mungesës së Spitalit të Prishtinës. Si zgjidhje, është menduar krijimi i programit për të zgjedhur mjekun, ku fillimisht duhet t’i nënshtrohet mjekësisë familjare.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës për shkak të mungesës së një spitali rajonal të Prishtinës, shpesh herë kemi referime nga Qendrat e Mjekësisë Familjare por ka edhe shumë qytetarë referohen direkt. Thjesht vjen dhe shpesh herë kuadri mjekësor për të mos e kthyer e trajton, kështu që krijohet edhe një fluks i njerëzve. Konsideroj që Ministria e Shëndetësisë përmes programit për ta zgjedhur mjekun, edhe kjo do të trajtohet me seriozitet ku secili pacientë do t’i nënshtrohet mjekësisë familjare, shpesh herë disa shërbime të cilat iu ofrojnë njësitë e shërbimit familjar në nivel komunal, kanë edhe sistem të radiologjisë, kanë sistem edhe diagnostik dhe shpesh herë shumë qytetarë ato shërbime i bëjnë në QKUK duke na ngarkuar në kuptimin e pacientëve. Natyrisht që është një fluks i madh, ashtu siç është e potencova ku ka një lëvizshmëri rreth 6-7 mijë njerëz brenda ditës në QKUK, rreth 2 mijë njerëz lëvizin në ambulancat specialistike. Kështu që është një fluks i jashtëzakonshëm”, u shpreh Hajdari.

  • Ish-ministri i Arsimit: Ne kemi bërë blerjen e jo subvencionimin e librave

    Ish-ministri i Arsimit: Ne kemi bërë blerjen e jo subvencionimin e librave

    Ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore, raporton Ekonomia Online.

    Bytyqi ka thënë se shpërndarja e teksteve shkollore është bërë pas marrjes së informatave paraprake nga Drejtoritë Komunale të Arsimit për numrin e nxënësve, e më pastaj janë ftuar shtëpitë botuese që të aplikojnë.

    Bytyqi ka folur për procedurat e atëhershme të furnizimit me tekste shkollore, e cila ka qenë si praktikë që ka funksionuar nëpërmjet blerjes së tyre nga MAShTI.

    “Ne kemi bërë blerje e jo subvencionim të librave. Si procedura nëse flasim, është formuar gjithmonë komisioni, i cili paraprakisht ka marrë informacione nga drejtoritë komunale të arsimit për numrin e saktë të nxënësve nëpër shkolla”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se janë ftuar dy shtëpitë botuese të certifikuara dhe është negociuar për blerjen e teksteve shkollore.

    Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, pyeti ish-ministrin e Arsimit se si janë marrë vendimet për tekstet nëpër shkolla.

    “Nuk ka të bëjë me vendime por me zbatim të legjislacionit. Si procedura, është formuar Komisioni i cili paraprakisht ka marrë info nga DKA ka marrë numrin e saktë të nxënësve për secilën shkollë dhe mbi numrin e nxënësve janë ftuar shtëpitë botuese për të aplikuar. Kjo pra ka qenë procedura e mirë e blerjes së teksteve shkollore”, u përgjigj ish-ministri.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, pyeti nëse nxënësit janë furnizuar me kohë për tesjte shkollore. Por këtë e mohoi ish-ministri, raporton EO.

    “Në kohën sa keni qenë ministër, a janë siguruar librat më 1 shtator. A ka mund me ndodh që me i subvencionuar prindërit për blerje të librave”, pyeti Haxhiu.

    “Unë mendoj që i kemi përmbushur detyrimet ligjore që na kanë detyruar dhe nuk është menduar subvencionimi por furnizimi”, u përgjigj Bytyqi.

    Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, pyeti për koston e furnizimit me tekstet shkollore, por që përgjigja e tij ishte që nuk ka informatë zyrtare. Ndërsa për mosfurnizimim të nxënësve me libra, ish-ministri tha se ka mundur të ndodh për shkak të ndonjë problemi teknik.

  • Blakaj drejtues i ri i AAK-së në Istog në vend të Berishës, Haradinaj e nominon edhe për kryetar komune

    Blakaj drejtues i ri i AAK-së në Istog në vend të Berishës, Haradinaj e nominon edhe për kryetar komune

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se kanë mbajtur sot Kuvendin e degës së partisë në Istog prej ku edhe kanë zgjedhur kryetar të degës, Ukë Blakajn.

    Blakaj ka zëvendësuar në këtë pozitë deputetin Bekë Berisha dhe në të njëjtën kohë është nominuar edhe kandidat për kryetar të Komunës për zgjedhjet e ardhshme lokale.

    Haradinaj në njoftim ka thënë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit me AAK-në në Qeveri, Istogu do të bëhet pikënisje e Autostradës së Dukagjinit.

    Postimi i plotë i Haradinajt:

    Në Kuvendin e degës së Aleancës në Istog dhe në hapjen e selisë së re të degës, një qytet me të cilin kam lidhje të thella emocionale që nga lufta për liri.

    Rezultat i këtij kuvendi, është zgjedhja e kryetarit të ri të degës së Istogut, z. Ukë Blakaj, një afarist i suksesshëm nga diaspora. Këtë detyrë deri sot me shumë sukses e kreu Bekë Berisha, aktualisht deputet, i cili angazhimin e tij për vendin do ta vazhdojë nga pozicione të tjera partiake dhe parlamentare.

    Angazhimi ynë për të sjellë përvojë dhe energji të reja në radhët tona është i vazhdueshëm. Ukë Blakaj gjithashtu është nominuar si kandidat për kryetar të Komunës së Istogut dhe ka marrë miratimin për të garuar edhe për ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Pas 9 shkurtit, me Aleancën në qeveri, Istogu do të shndërrohet në pikënisjen e Autostradës së Dukagjinit, një projekt madhështor që do ta lidhë me Prizrenin. Kjo do të hapë mundësi të reja zhvillimi për të gjithë rajonin.

    Së bashku, jemi të vendosur ta shndërrojmë Istogun dhe mbarë Kosovën në një destinacion tërheqës për investime, me ekonomi të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në NATO e BE.

  • Hovenier: Pastrimi nga minat i Parkut Kombëtar të Zatras na sjell një hap më afër qëllimit

    Hovenier: Pastrimi nga minat i Parkut Kombëtar të Zatras na sjell një hap më afër qëllimit

    Ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier është shprehur se që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur aktivitetet e deminimit në Kosovë.

    Ai është shprehur se nga këto aktivitete, janë pastruar mbi 23 milionë metra katrorë tokë.

    Hovenier u shpreh se pastrimi me sukses nga minat, i Parkut Kombëtar të Zatras siç tha ai, na sjell një hap më afër qëllimit.

    “Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur aktivitetet e deminimit në Kosovë, të cilat kanë pastruar mbi 23 milionë metra katrorë tokë dhe kanë demonstruar një angazhim afatgjatë për një Kosovë pa mina. Pastrimi me sukses i Parkut Kombëtar të Zatras na sjell një hap më afër qëllimit”, ka shkruar Hovenier në “X”.

  • Osmani takohet me presidentin francez Emmanuel Macron

    Osmani takohet me presidentin francez Emmanuel Macron

    Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe Zonjën e Parë, Brigitte Macron.

    Osmani ka publikuar pamje nga pritja atje, derisa ka thënë se Kosova mbetet gjithnjë e përkushtuar për bashkëpunim dhe fuqizim të pozitës së saj.

    “Pritja nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Zonja e Parë, Brigitte Macron dhe Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë Louise Mushikiëabo në Samitin e krerëve të shteteve të Frankofonisë. Kosova mbetet gjithnjë e përkushtuar për bashkëpunim dhe për fuqizim të pozitës së saj ndërkombëtare! ”, ka shkruar Osmani.

  • Shahini: 18 mijë biznese janë mbyllur për katër vjet, numri zyrtar më i vogël për shkak të procedurave të rënduara

    Shahini: 18 mijë biznese janë mbyllur për katër vjet, numri zyrtar më i vogël për shkak të procedurave të rënduara

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka publikuar një studim hulumtues për trendin e ndërmarrësisë dhe punësimit në Kosovë, sipas të cilit, në katër vitet e fundit janë mbyllur rreth 18 mijë biznese dhe kanë mbetur pa punë rreth 20 mijë punëtorë, raporton EO.

    Siç ka thënë kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, ky është numri real i bizneseve të mbyllura, megjithëse zyrtarisht janë vetëm 6 773 sosh.

    Ai ka thënë se për shkak të procedurave të rënduara të mbylljes, bizneset të cilat kanë shuar aktivitetin e tyre, figurojnë si të hapura në statistika të pasakta, sipas tij.

    Prandaj, Shahini ka kërkuar që Qeveria t’i lehtësojë këto procedura, në mënyrë që edhe të dhënat të jenë të sakta.

    “AKB do të publikojë një studim hulumtues të bërë në shtator, që përfshin katër vitet e kaluara, nga 1 janari, 2020 deri më 1 janar, 2024. Ky studim ka të bëjë me trendin e ndërmarrësisë dhe të punësimit në Kosovë”.

    “Neve na del që kemi zyrtarisht rreth 6 733 biznese të mbyllura zyrtarisht në katër vitet e kaluara. Këto biznese kanë operuar ndër vite dhe supozohet se kanë pasur tre të punësuar, që në total del se pa punë kanë mbetur rreth 20 mijë punëtorë”.

    “Ka edhe shumë biznese që kanë shuar aktivitetin e tyre, por nuk e kanë deklaruar mbylljen për shkak të procedurave, rreth 4 500 biznese në nivel vjetor, ose për katër vite, rreth 18 mijë biznese. Neve na shqetëson fakti që procedurat e mbylljes së bizneseve janë të ngarkuara dhe shteti duhet të bëjë çmos që t’i lehtësojë këto procedura, në mënyrë që të kemi statistika të sakta”.

    Ndërsa, kur foli për bizneset e reja, Shahini tha se sipas studimit, gjatë katër viteve të kaluara, janë hapur 42 957 biznese të sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

    “Nëse flasim për biznese të hapura, në Kosovë gjatë katër viteve të kaluara, janë hapur 42 957 biznese të sektorëve të ndryshëm. Këto biznese supozohen se kanë punësuar 55 444 punëtorë”, ka thënë Shahini.

    Edhe për nënkryetaren e AKB-së, Lumnije Ajdini, është shqetësuese numri jo i saktë i bizneseve të mbyllura, të cilat në Administratën Tatimore figurojnë si të pasive, por jo edhe në Agjencinë për Regjistrimie të Bizneseve.

    “Rekomandimi ynë është që procedurat për mbyllje të biznesit të jenë më të lehta dhe të kemi informacion të saktë se sa biznese po operojnë në Kosovë, qoftë sa po hapen, qoftë sa po mbyllen, sepse kemi biznese që në ATK janë ta pasivizuara mirëpo në Agjencinë për Regjistrimie të Bizneseve nuk i kanë kryer procedurat”, ka thënë ajo.

  • Dyshohet se një polic aksidentalisht e ka plagosur me armë nënën në Prishtinë

    Dyshohet se një polic aksidentalisht e ka plagosur me armë nënën në Prishtinë

    Një grua në Prishtinë është plagosur me armë zjarri.

    Policia bën të ditur se për rastin ishte njoftuar rreth orës 12:20, të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në kryeqytet.

    E lënduara është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në po merren me rastin.

    Burime të Klanit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për plagosje aksidentale, ku polici me inicialet S.P. ka plagosur nënën e tij.

  • ​Moti për vikend, ja kur pritet rritja e temperaturave

    ​Moti për vikend, ja kur pritet rritja e temperaturave

    Mot kryesisht i vranët dhe me riga të kohëpaskohshme të shiut do të mbajë në dy ditët e fundit të kësaj jave mbi vendin tonë.

    Të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare.

    Të dielën do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit e lehtë deri mesatare.

    Java e ardhshme parashihet me kushte të mira meteorologjike, me temperatura mbi 20 gradë Celsius, thuhet në komunikatën e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

  • ​Opozita e akuzon për keqpërdorime, ministri Vitia fton Prokurorinë për hetime

    ​Opozita e akuzon për keqpërdorime, ministri Vitia fton Prokurorinë për hetime

    Për më shumë se tri orë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Teksa para anëtarëve të këtij Komisioni prezantoi punët që janë bërë në këtë sektor, Vitia u ballafaqua edhe me akuza nga opozita.

    Duke elaboruar hapat që kanë ndërmarrë në sektorin e shëndetësisë, ministri Vitia tha se ligji për unifikimin e barnave është drejt zbatimit.

    “Pas hyrjes në fuqi në gusht të ligjit për përcaktimin e çmimit të barnave përkundër shumë sfidave ky ligj është në rrugë të mirë për të nisur zbatimin e plotë duke e ditur se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme në reformën në shëndetësi dhe duke e ditur se një proces i tillë po bëhet për herë të parë në vendin tonë”, u shpreh Vitia.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u shpreh se sot temë diskutimi në këtë Komision do të duhej të ishte reforma gjithëpërfshirëse, por sipas tij ende nuk ka ligj për shëndetësi, e madje edhe shumica e ligjeve janë vetëm në debatet e brendshme por jo edhe në Kuvend.

    Sa i takon ligjit për sigurime shëndetësore, Zemaj e konsideroi si një ligj me shumë defekte dhe i përgatitur për fushatë zgjedhore. Ai tha se ministri Vitia nuk përmendi asgjë gjatë raportimit të tij mbi Sistemin Informativ Shëndetësor.

    “Te pjesa e barnave është histori e veçantë ligji për çmimit tavat për produkte medicinale i kemi dhënë përkrahje, ligjit është shkelur nuk janë respektuar afatet kohore është miratuar një listë me të meta dhe kundërthënie të mëdha, është anuluar lista, është thënë se na duhen dy javë kohë për t’i përmirësuar…Sot akoma nuk është në fuqi, nuk e di tutje si do të jetë po fatkeqësisht nuk është në fuqi, po është rritur buxheti për barnat po pse ka mungesë të barnave sepse ka blerje deri në 400 për qind më shtrenjtë… Resurset humane janë njolla më e keqe e këtij mandati qeverisës, katër drejtorë të SHSKUK-së, drejtorë të klinikave të ngarkuara të shkarkuar, dhënie dorëheqje, drejtorë të spitaleve rajonale të emëruar të larguar, të emëruar e të ri-larguar. Nuk e përmendet spitalin e Ferizajt nga viti 2018 miliona të shpenzuar kush ka nënshkruar kush e ka dhënë tenderin, kush është mbikëqyrës i tenderit, këtu dikush duhet të jep përgjegjësi”, tha ai.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u interesua të di më shumë për ligjin për unifikimin e çmimit të medikamenteve.

    “Çka është duke u bërë me ligjin për vendosjen e çmimeve tavan…Ministër, ne duhet të flasim hapur, ata të cilët e kanë prolonguar procesin sot kanë ose janë prapa kompanive farmaceutike që janë thirrur në ekspertiza. Njeriu, i cili ka qenë kryetar i farmacisë, sot ka shkuar gjoja se iu janë falur 10% të aksioneve e ajo kompani merr miliona pikërisht nga futja e këtyre gjërave. Ti je për t’i ndalur këto. Zëvendësja shkon shefe e depos farmaceutike, një nga këshilltarët tuaj shkon në një kompaninë më të fortë. Këto tema duhet t’i flasim publikisht, nuk është marre”, tha ai.

    Akuzat e Zemajt i hodhi poshtë ministri Vitia, duke thënë se asnjë këshilltar i tij nuk është i përfshirë në kompani farmaceutike. Sa i takon ligjit për sigurime shëndetësore, Vitia tha se kanë bërë ndryshime drastike.

    “Kushdo që është nga këshilltarët e mi tani kjo është informatë absolutisht jo e saktë, asnjë nga këshilltarët e mi nuk është në asnjë kompani farmaceutike. Zemaj: Për ish-këshilltar që ka qenë për listën e barnave goxha i fuqishëm në ministri. Vitia: Nëse e keni fjalën për zotërinë Uka, absolutisht nuk ka qenë i rëndësishëm në pjesën e barnave, ka qenë i rëndësishëm në pjesë tjera sidomos në shëndetin publik. Kompania në fjalë është një kompani që ka fituar miliona kur kenë qenë edhe ju ministër, ku ka qenë edhe PDK që ka pasur ministra që kanë fituar dhe kur ka qenë edhe AAK që e ka qeverisur vendin me kryeministër. Ajo kompani nuk është bërë te ne”, theksoi ai.

    Ndërsa, për Spitalin e Ferizajt ministri Vitia tha se të gjitha shkeljet që i kanë evidentuar te ky projekt tashmë i kanë adresuar në Prokurorinë e Shtetit dhe tani është në dorën e drejtësisë kjo çështje.

    “Ju thatë çka keni bërë kjo është pyetje jo për mua unë tregova se kjo lëndë është dërguar tek organet përgjegjëse të drejtësisë nëse ata nuk ndërmarrin kurrgjë për besë unë nuk di çka ndërmarrë, unë as nuk janë prokuror e as gjykatës as asgjë për mua ka qenë se e kam identifikuar problemin”, theksoi ai.

    Kritika e akuza të shumta karshi qeverisjes me shëndetësinë pati edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.

    Sipas tij, kjo ministri për katër vjet nuk ka arritur ta hartojë një strategji sektoriale për shëndetësi, ndërsa theksoi se janë bërë abuzime e keqpërdorime me barna, e zhvatje milionëshe në blerje të aparaturave dhe rinovimeve të klinikave.

    “Dështimi për hartimin e strategjisë për shëndetësi si është e mundur pas katër viteve të qeverisjes tuaj për plotë 1370 ditë të punës tuaj si ministër nuk keni qenë në gjendje të hartimit të një strategjie. Dështim në implementimin e sigurimeve shëndetësore, dështim në implementim dhe finalizimit të SISH-it. Keqpërdorime, zhvatje milionëshe në blerje të aparaturave dhe rinovime e fasadime. Problemi i ikjes së personelit shëndetësor nuk mund të trajtohet në këtë formë duke thënë se kemi më shumë tani duke na u kthyer sesa duke na ikur. Mund të themi çka të doni, por edhe mjekët e profesionistët e qytetarët e dinë… abuzime e keqpërdorime me barna, të cilët mund ta vlerësojmë krim të organizuar për të mos e quajtur mafia farmaceutike”, tha ai.

    Sa i takon investimeve në klinikat e QKUK-së sipas deputetit të PDK-së janë bërë zhvatje të buxhetit me çmime abuzive deri në 3200% më shtrenjtë.

    “Kemi të bëjmë me zhvatje të buxhetit, konflikt të pastër të buxhetit, kompania që ka fituar çmimet abuzive prej 200% ma shtrenjtë se çmimet e tregut e deri 3200% më shtrenjtë se çmimet e tregut do t’i jap me fakte, na rezulton se kompania fituese ‘AGI Project’ dhe En group dhe Shkëmbi kanë fituar kontratën në gjinekologji dhe janë në pronësi të Bajram Beqiraj inxhinier në MASHT. Edhe unë kërkoj nga prokuroria t’i hetoj këto kontrata, ndoshta ministër edhe i keni parë këto, sepse kontrata me operatorë ekonomikë nuk është e nënshkruar nga ju, por prej sekretarit”, theksoi ai.

    Para deputetëve, ministri Vitia theksoi se mafia farmaceutike për të cilët po hedhin dyshime opozita ato si kompani janë etabluar gjatë qeverisjeve të kaluara.

    Lidhur me hartimin e strategjisë sektoriale për shëndetësi, Vitia tha se nuk do të bëjë strategji për ta vendosur në raftet e MSH-së ashtu siç ka ndodhur me strategjitë e bëra nga ministrat e kaluar.

    “Ne nuk bëjmë fasadime, por bëjmë rinovime na bëjmë transformime dhe t’u kisha lutur ta lexosh fjalorin e gjuhës shqipe e ta shikosh çka është fasadim e çka transformim… Asnjë kompani, që ju thoni, nuk është bërë në kohën kur unë jam ministër dhe kanë fituar miliona. Të gjitha këto kompani që ju po i quani kriminale, mafia farmaceutike janë formuar komplet në mandatet juaj zotëri Haxhiu dhe në mandatet e juaja kanë filluar të bëhen të punohen. Haxhiu: Pse iu jep punë, pse je lidhur me ta a të ka lidhur Naimi apo je lidhur vetë…Vitia: Të gjitha këto abuzime që po thoni që janë bërë me barna e nëse e quani mafia farmaceutike po qenka etabluar në kohën tuaj, por tash me ligjet përkatëse jemi duke i goditur”, theksoi ai.

    Ndërsa, për të gjitha akuzat sidomos për akuzat për abuzim me barna e me blerjet e aparaturës dhe kontratat për rinovime ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ftoi Prokurorinë e Shtetit të merret me këto akuza.

    “Krejt dërgoni te Prokuroria edhe unë i bëjë ftesë Prokurorisë që sa më shpejt të fillojnë me hulumtimin dhe hetimin e secilës lëndë pa përjashtim që ta shohim që ndoshta edhe ndonjë lidhje familjare që mund të del që ju po pretendoni e mund të del nga diku tjetër”, tha ai.

    Gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale, kreu i shëndetësisë kosovare tha se kanë proceduar 4 ligje dhe 20 akte nënligjore. Ai tha se tashmë lista e pritjes për rezonancë magnetike është zvogëluar në 4 deri në 6 javë. /kp

  • Bullgaria shënon rritje prodhimi të vajit të trëndafilit

    Bullgaria shënon rritje prodhimi të vajit të trëndafilit

    Një Këshill konsultativ për vajin e trëndafilit u mbajt të mërkurën në Sofje, ku morën pjesë organizata të industrisë së prodhuesve dhe përpunuesve, përfaqësues të organeve të kontrollit dhe komunitetit shkencor.

    Gjatë këshillit u raportua një rritje e prodhimit të vajit të trëndafilit dhe zonës së vajit të trëndafilit për vitin 2024.

    Sasia e vajit të trëndafilit të prodhuar në vitin 2024 është 10,335 ton, krahasuar me prodhimin prej 9,455 tonësh në 2023. Në Bullgari ka 73 përpunues trëndafili në 2024, kryesisht në qytetet e Sofjes, Stara Zagora dhe Plovdiv.

    Distileritë janë 53, me një kapacitet vjetor për të përpunuar më shumë se 15,000 ton vaj trëndafili.

    Trëndafili në Bullgari rritet nga afro 3 mijë kultivues të trëndafilave në 17 rajone administrative në të gjithë vendin, me prodhim të përqendruar kryesisht në rajonet administrative të Plovdivit, Stara Zagora dhe Pazardzhik.

    Gjithashtu u vu re se që nga fillimi i vitit 2024, Bullgaria ka eksportuar 936 kg vaj trëndafili në mbi 30 vende. Eksportet janë kryesisht në SHBA, Kinë, Australi, Japoni, Indi dhe Britani të Madhe, me çmime të eksportit që variojnë nga 9.500 dollarë deri në 16.050 dollarë për kg.

    Ministri në detyrë i Bujqësisë Georgi Tahov siguroi prodhuesit dhe përpunuesit e trëndafilit për ndihmën e plotë të administratës së ministrisë për problemet në këtë sektor. Tahov gjithashtu u zotua të ndihmojë në zhvendosjen e ndryshimeve legjislative në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Ushqim dhe Pylltari.

    Në përgjigje të pyetjeve të prodhuesve për tokat bujqësore të prekura nga zjarret dhe fatkeqësitë e tjera gjatë verës, Tahov theksoi se kërkesat për mbështetje të të gjithë prodhuesve janë shqyrtuar.

    Ai kujtoi se Ministria e Shëndetësisë krijoi një organizatë për pranimin e shpejtë të aplikacioneve, e cila do të mundësojë pagesën në kohë të ndihmës shtetërore për kompensimin e dëmeve në kulturat bujqësore.

    Sipërfaqja e përgjithshme me kulturat e shkatërruara tërësisht, e cila do të merret parasysh gjatë llogaritjes së kompensimeve, është afro 6.170 hektarë. /BTA