ATV

Author: ATVLive

  • Subjekteve politike u kërkohet t’i kenë 50% gra në lista zgjedhore – DnV ua rekomandon modelin “zebër”

    Subjekteve politike u kërkohet t’i kenë 50% gra në lista zgjedhore – DnV ua rekomandon modelin “zebër”

    Demokracia në Veprim i është drejtuar me një letër krerëve të subjekteve politike në vend duke iu kërkuar që lista e kandidatëve për deputetë të jetë e ndarë në mënyrë të barabartë për dy gjinitë.

    DnV ka përmendur modelin Zebër- çdo i dyti kandidat të jetë i gjinisë tjetër.

    “Përkundër që legjislacioni ynë aktual ka një prag të garantuar prej 30% për gjininë më pak të përfaqësuar në listat zgjedhore, kjo nuk do të duhej t’a kufizojë ambicien e subjekteve politike për të përfshirë sa më shumë gra, dhe për të tentuar krijimin e listave sipas modelit ZEBER. Ky model, me renditje të barabartë mes grave dhe burrave – ku çdo i dyti kandidat është i gjinisë tjetër – do të garantonte një përfaqësim më të drejtë gjinor dhe do të siguronte që gratë të kenë një mundësi më të madhe për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës.”

    DnV thotë se përzgjedhja e këtij modeli do të kontribuojë në promovimin e një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese.

    “Modeli “zebër”, që ka filluar të gjejë zbatim edhe në shtetet e rajonit dhe më gjerë duhet parë si masë afirmative dhe praktike për të siguruar përfshirjen e grave, pa kompromentuar vlerën e votës së barabartë. Ky hap përpara do të kontribuojë në promovimin e një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, duke ndikuar pozitivisht në kulturën politike të vendit tonë dhe në vetë demokratizimin e brendshëm të partive.”

    DnV shton se barazia gjinore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një përgjegjësi politike dhe morale.

    “Barazia gjinore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një përgjegjësi politike dhe morale që ne të gjithë duhet të promovojmë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Roli juaj është vendimtar në këtë periudhë, dhe angazhimi juaj do të jetë thelbësor në realizimin e këtij qëllimi. Ne besojmë se miratimi i listave zebra do të përmirësojë jo vetëm përfaqësimin e grave, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet tona demokratike.”

  • Rrjetet sociale të mediave, vend kryesor i komenteve negative – IKD kërkon ligj të veçantë për përgjegjësit

    Rrjetet sociale të mediave, vend kryesor i komenteve negative – IKD kërkon ligj të veçantë për përgjegjësit

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Përgjegjësia e Mediave ndaj komenteve të paligjshme”, raporton EO.

    Në këtë raport theksohet fakti se komentet në lajmet e postuara në rrjetet sociale janë bërë burim kryesor i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, linçimit publik, kërcënimeve e thirrjeve për dhunë. Për këtë është bërë thirrje që Qeveria e Kosovës ta bëjë draftimin e një ligji që merret me këtë çështje.

    Betim Musliu, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se në Kosovë përmbajtja mediale e publikuar në rrjete sociale është jashtë çdo rregullimi institucional, kjo pasi, Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) dhe Këshilli i Pavarur i Mediave të Shkruara (KPMShK) nuk kanë juridiksion në përmbajtjen e cila publikohet në rrjete sociale.

    “Komente e postuara nga lajmet e publikuara nga mediat në rrjetet sociale janë bërë pothuajse burim kryesor i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, linçimit publik, kërcënimeve, thirrjeve për dhunë. Deri më tani nuk janë marrë masa për këtë dukuri. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) mediat mbajnë përgjegjësi për të kontrolluar komentet e paligjshme të postuara në lajmet e publikuara nga ta në rrjete sociale. Mediat janë të obliguara që të largojnë pa vonesa komente e paligjshme të bëra në publikimet e tyre”.

    “Përmbajtja mediale e publikuar në rrjete sociale është jashtë çdo rregullimi institucional, kjo pasi KPM dhe KPMSHK nuk kanë juridiksion në përmbajtjen e cila publikohet në rrjete sociale. GjEDNj ka theksuar se pa u përjashtuar përgjegjësia e komentuesve, përgjegjës për komente e paligjshme nën kushte të caktuara mbajnë edhe publikuesit e postimeve në të cilat publikohen komentet e paligjshme”, ka thënë ai.

    Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se komentet e jashtëligjshme janë ato komente që haptazi cenojnë të drejtat e personave të tjerë, që përbejnë gjuhë të urrejtjes apo nxisin dhunë, dhe se mediat obligohen që pa vonesa t’i largojnë sharjet, linçimet e fyerjet publike.

    Shala ka theksuar se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë bazën ligjore adekuate, në përputhje me jurisprudencën e GjEDNj-së, që të specifikohet me ligj përgjegjësia e mediave për komentet e paligjshme në publikimet e tyre në rrjetet sociale.

    “Sipas GjEDNj për mediat nuk kërkohet të analizojnë vërtetësinë dhe ligjshmërinë e secilit koment, por përgjegjësia e tyre shtrihet në komentet të cilat haptazi, pa një analizë ligjore apo gjuhësore, kuptohet se janë të paligjshme. IKD rekomandon që KMSHK në rregullativën e saj duhet të parasheh përgjegjësinë e mediave për komente e paligjshme. Draftimi i ligjit duhet që të bëhet në mënyrë të kujdesshme që të adresojë përgjegjësit e mediave në këtë fushë, por në as një mënyrë mos të cenojë pavarësinë e mediave”, ka thënë ai.

  • Policia jep detaje për aksidentin me tre të vdekur në Liqenin e Badocit

    Policia jep detaje për aksidentin me tre të vdekur në Liqenin e Badocit

    Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën Gjilan- Prishtinë, ku një veturë ka rënë në Liqenin e Badocit dhe kanë vdekur tre të rinjtë që ishin në automjet.

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje përmes raportit 24 orësh.

    “AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET Rr. Gjilan-Prishtinë / 05.10.2024 – 23:00. Është raportuar se në rrugën magjistrale Gjilan – Prishtinë te liqeni i Badovcit, një veturë me targa vendore në lëvizje dyshohet se ka shkaktuar vet aksident dhe si pasojë e lëndimeve tre persona – viktimat, drejtuesi i veturës dhe dy pasagjerë meshkuj kosovarë kanë ndërruar jetë, vdekjen e të cilëve e ka konstatuar mjeku. Njësitë relevante policore, prokurori, njësitë emergjente dhe të kërkim-shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.” – thuhet në raport.

  • Foda sot para mediave

    Foda sot para mediave

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, do të mbajë sot një konferencë për media.

    Konferenca vjen në javën kur Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjete tetorit në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Dardanët do të kenë punë si mysafirë të Lituanisë dhe pastaj si nikoqirë të Qipros të cilën e deklasuan 0:4 muajin e kaluar.

  • IPK-ja arreston një zyrtar policor në Fushë Kosovë, dyshohet për kanosje

    IPK-ja arreston një zyrtar policor në Fushë Kosovë, dyshohet për kanosje

    Inspektorati Policor i Kosovës arrestuar të dielën një zyrtar policor në Fushë Kosovë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Kanosje”.

    “Inspektorati Policor kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës se ky zyrtar policor (zyrtar i njësisë për mbrojtje të afërt i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dyshohet se ka kanosur dy zyrtarë policorë të kanë qenë në detyrë.

    Dyshohet se kanosja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje në komunikacionin rrugor në rrugën “Dardania”, në kryqëzim me rrugën “Hajrullah Zymi”, pranë shkollës “Mihail Grameno” në Fushë Kosovë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

  • Mbahet ceremonia solemne e pritjes së studentëve të Kolegjit AAB për vitin akademik 2024/25

    Mbahet ceremonia solemne e pritjes së studentëve të Kolegjit AAB për vitin akademik 2024/25

    Në Teatrin AAB “Faruk Begolli” është bërë pritja e studentëve të rinj në vitin akademik 2024/25. Kjo pritje solemne u dedikohej enkas të gjithë të pranishmëve që kanë zgjedhur institucionin tonë për të nisur një nga pjesët më të rëndësishme të secilit individ, atë të studimeve.

    Prorektori i Kolegjit AAB Petrit Bushi, në emër të rektorit Blerim Olluri, iu uroi mirëseardhje të gjithë studentëve në një institucion si AAB, ndërsa e cilësoi si një nga ditët më të veçanta për ta.

    “Ju urojmë mirëseardhje në Kolegjin AAB, një institucion arsimor që nuk është thjesht një vend ku mësohet, por një hapësirë e gjallë e dijes, zhvillimit dhe inovacionit. Kjo është ditë e veçantë për ju, por edhe për ne sepse filloni një rrugëtim të rëndësishëm dhe vendimtar për jetën tuaj akademike, profesionale dhe personale”, tha në mesazhin e tij prorektori Bushi.

    Duke vazhduar misionin e përvitshëm të Kolegjit AAB “studenti në qendër”, kryetari i Unionit Studentor Gent Anadolli ftoi të gjithë studentët e rinj të bëhen pjesë e organizimeve, trajnimeve, aktiviteteve dhe të gjitha nismave në të ardhmen.

    Ai tha se përkrahja e studentëve dhe dëshira për ndihmë gjatë sfidave ose ballafaqimeve që studentët mund të kenë, dëshmon përkushtimin e institucionit.

    “Në këtë institucion ne përveç diplomës bëjmë edhe miq të rinj, partnerë bashkëpunues dhe mentor që na frymëzojnë dhe ndihmojnë në rrugën tonë drejt karrierës”, shtoi Genti.

    Gjatë ceremonisë pati edhe pika muzikore nga ish studenti i Kolegjit AAB tashmë këngëtar i njohur Arbër Krasniqi.

    Në fund studentët e rinj takuan dekanët e fakulteteve dhe një pjesë të stafit akademik, ku u njoftuan për fillimin e ligjëratave, sistemin e-service, përditësimet e ndryshme etj.

  • Kurti e Murati, sot me konferencë të përbashkët

    Kurti e Murati, sot me konferencë të përbashkët

    Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati do të mbajnë sot konferencë për media.

    Konferenca nis nga ora 13:30 në Ndërtesën e Qeverisë.

    Ndërkaq, nga ora 11:00, Kurti merr pjesë dhe në hapjen e Panairit të Janjevës, “Mirëserdhët në Janjevë”.

  • Policia dhe Prokuroria Speciale me aksion brenda “Pallatit të Rinisë”, një i arrestuar

    Policia dhe Prokuroria Speciale me aksion brenda “Pallatit të Rinisë”, një i arrestuar

    Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale, sipas gazetës Sinjali, është duke zhvilluar një operacion policor brenda ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë” në Prishtinë.

    Sipas sinjalit, me urdhër të Prokurorisë Speciale po kryhen kontrolle dhe deri më tani një person është arrestuar.

    Dyshimet raportohen se janë ngritur për keqpërdorime dhe përfshirje të personave të caktuar në veprimtari të kundërligjshme.

  • Protestohet para Kuvendit, në mbështetje për punëtoret teknikë

    Protestohet para Kuvendit, në mbështetje për punëtoret teknikë

    Sot, në ora 12:00, para Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të zhvillohet një protestë në mbështetje të punëtoreve teknikë të Kuvendit, të cilat kanë hyrë në grevë që prej tri javësh.

    Organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, protesta synon të sjellë vëmendje mbi kërkesat e punëtoreve për paga dhe kushte më të dinjitetshme pune.

    Sipas njoftimit të Kolektivit, punëtoret janë duke përballuar vështirësi të shumta gjatë grevës.

    “Ato për tri javë rresht janë duke qëndruar në të ftohtë, në shi e pa mbështetje… për të kërkuar rrogë dhe kushte të dinjitetshme pune,” theksohet në deklaratë.

    Aktualisht, pagat e tyre janë vetëm 275 euro, ndërsa ekziston rreziku që për muajin shtator të mos marrin fare pagë dhe të humbasin vendin e punës.

    Në njoftim, po ashtu, ngrihet shqetësimi për kompaninë Shcafberger, e cila ka injoruar kërkesat e punëtoreve, duke krijuar pasiguri për të ardhmen e tyre, sidomos me përfundimin e kontratës së kompanisë me Kuvendin në fillim të nëntorit.

    “Përkeqësimi i kushteve klimatike dhe përfundimi i kontratës paraqet rrezik të drejtpërdrejt për to,” thotë Kolektivi.

  • Këshilli i Sigurimit shqyrton miratimin e një deklarate për “shmangien e veprimeve të njëanshme”

    Këshilli i Sigurimit shqyrton miratimin e një deklarate për “shmangien e veprimeve të njëanshme”

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet që në këtë muaj të mbajë mbledhjen e dytë të vitit, ku do të diskutohet mbi situatën në Kosovë.

    Përfaqësuesja e Posaçme dhe udhëheqësja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, do të raportojë mbi zhvillimet e fundit dhe mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm.

    Në dokumentin që trajton diskutimet e mundshme përmenden edhe veprimet e qeverisë së Kosovës në veri, të cilat u kritikuan se ishin të njëanshme si dhe dështimi i palëve për të nisur zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

    “Nuk ka pasur përparim domethënës në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër më 27 shkurt 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Marrëveshja prej 11 pikash përfshinte angazhime për mos-përfaqësimin e njëri-tjetrit në arenën ndërkombëtare dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në raportin “Security Council Report”.

    Tutje si zhvillim tjetër që ka ndodhur në Kosovë, e që mund të diskutohet në OKB përmendet edhe sulmi terrorist në Baanjskë ku mbeti i vdekur rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

    “Një incident i rëndë ndodhi më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës, në fshatin Banjska/Banjskë, ku përplasjet e armatosura mes personave të armatosur dhe policisë kosovare çuan në vdekjen e një polici dhe tre sulmuesve. Milan Radoiçq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, pranoi pjesëmarrjen e tij në incident dhe dha dorëheqje, por Serbia refuzon ta ekstradojë atë.”, thuhet në dokument.

    Aty theksohet se Këshilli i Sigurimit është i fokusuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe uljen e tensioneve në veri.

    “Prioritete të Këshillit janë ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i depërshkallëzimit të tensioneve në veri. Ai do të vazhdojë t’i monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për Kosovën. Për këtë qëllim Këshilli mund të shqyrtojë miratimin e një deklarate presidenciale që u bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në raport.

    Më tej në dokument theksohet edhe dështimi i palëve për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore në mesin e komunitetit serb, e cila ndalon përdorimin e dinarit si mjet pagese me para të gatshme.

    Megjithëse anëtarët e Këshillit janë unikë në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporti konfirmon dallimet e thella midis anëtarëve të përhershëm sa i përket Kosovës./RTV Dukagjini