ATV

Author: ATVLive

  • Kurti e konfirmon vendimin për mallrat serbe: Ka ndryshuar masa e sigurisë deri në ardhjen e skanerëve

    Kurti e konfirmon vendimin për mallrat serbe: Ka ndryshuar masa e sigurisë deri në ardhjen e skanerëve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konfirmuar ndryshimin e masës së sigurisë në “një pikë kufitare” me Serbinë, pa e cekur se cila. Ai përmendi “dy zhvillime shumë të rëndësishme”- mbledhjen e CEFTA-s të mërkurën dhe samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor, raporton EO.

    I pyetur nëse për ndryshimin e kësaj mase është koordinuar me qeverinë gjermane e cila ka kërkuar heqjen e plotë të masave ndaj mallrave serbe, Kurti është shprehur i bindur se ndryshimi i masës do të sjellë sukses të plotë edhe në CEFTA edhe në Procesin e Berlinit.

    “Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët”.

    “Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA-së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.

    Kreu qeveritar tregoi se si në Hamburg ka parë si duket edhe skaneri statik edhe mobil, prandaj tha se duhet të ndërmarrin masa të sigurisë, asnjëherë tregtare.

    “Në një nga pikat kufitare ne po e bëjmë këtë ndryshim të masës sipas letrës që ia ka dërguar Drejtorit të Doganave, Ministri i Punëve të Brendshme. Ai është marr me këtë punë. Por, me këtë punë është marr gjithë qeveria, prej meje, e sidomos zëvendëskryeministri deri te këshilltarët e mi. Këta kanë biseduar e negociuar edhe me BE-në e në veçanti me Gjermaninë, e ndryshimi i masës që e bëjmë që pasnesër në CEFTA e të hënën në Procesin e Berlinit të kemi sukses të plotë”, tha ai.

    Kur foli për dialogun Kurti tha se qëllimi i Beogradit është të flas për dialogun me Kosovën pa u përmendur marrëveshja e dakorduar në Bruksel gjatë shkurtit të vitit të kaluar, raporton EO.

    Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Kurti ka thënë se ai do të vazhdojë të insistojë që kjo marrëveshje e dakorduar të nënshkruhet. Ai ka shtuar se kjo marrëveshje nuk duhet të harrohet, edhe pse Beogradi tenton ta mohojë.

    “Ne e kemi një marrëveshje nuk bën ta harrojmë atë, atë që duhet të bëhet është të respektohet ajo. Interesi i Beogradit është të flitet për dialog pa u përmendur marrëveshja. Ajo çfarë insistoj unë është që të nënshkruhet ajo. Beogradi nuk mundet ta mohojë që kemi nënshkruar marrëveshje”.

  • Kurti pyetet për pagat e mësuesve e policëve: Në sektorin publik u rritën vitin e kaluar, tash jemi përqendruar te pensionet

    Kurti pyetet për pagat e mësuesve e policëve: Në sektorin publik u rritën vitin e kaluar, tash jemi përqendruar te pensionet

    Kryeministri u pyet nëse do të ndryshojnë pagat e mësuesve dhe policëve dhe mësimdhënësve, në konferencën për media ku njoftoi për rritjen e pensioneve.

    Albin Kurti tha se “pagat në sektorin publik janë rritur në vitin e kaluar”.

    “Kemi pasur pa numër masa të ndryshme që i kanë ndihmuar kategoritë e ndryshme shoqërore, me ç’rast duhet theksuar se pagat në sektorin publik janë rritur në vitin e kaluar. Sivjet po rriten pensionet, ndërkohë që në mandatin tjetër, ne do ta bëjmë reformën pensionale. Vjet janë rritur pagat në sektorin publik dhe kemi pasur një rritje të ndjeshme, të paprecedentë në Kosovën në këto vitet e fundit, andaj tash jemi të përqendruar te rritja e pensioneve”, tha ai.

    Kurti tha se janë “mbi 300 mijë veta në Republikën e Kosovës që do të përfitojmë”, me ç’rast kostoja buxhetore e kësaj tha se është “plus 100 milionë euro”.Ai tha se kjo rritje po bëhet këtë muaj, pasi duan ta fusin këtë në planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

    “Këtë po e bëjmë tash në muajin tetor, meqenëse në të njëjtën kohë jemi duke e shkruar edhe buxhetin për vitin 2025 që do të votohet në këtë muaj në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pra, rritja e këtyre pensioneve është duke u bërë në kuadër të planifikimeve tona afatmesme dhe afatgjata. Përpara, në rastin më të mirë ka pasur planifikime afatshkurtra”, tha Kurti.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo rritje e pensioneve u bë e mundur “falë politikave të mirëmenduara dhe rritjes së të hyrave”.

  • Kurti e Murati në konferencë, njoftojnë për rritjen e të gjitha kategorive të pensioneve për 20%

    Kurti e Murati në konferencë, njoftojnë për rritjen e të gjitha kategorive të pensioneve për 20%

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për media, raporton EO.

    “Tani që situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i rikthehet ritmit të rritjes. Kam një lajmë të mirë për pensionistët, nga 1 tetori do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet”.

    “Pensioni bazik i moshës, pensioni për personat me aftësi të kufizuar, pensioni për personat e verbër, pensioni familjare, pensioni invalidor i punës. Nga muaji janar 2025 do të rriten 20 për qind pensionet për kategoritë e luftës”, ka thënë ai.

  • Protestohet para Kuvendit në mbështetje për punëtoret teknike që janë në grevë

    Protestohet para Kuvendit në mbështetje për punëtoret teknike që janë në grevë

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur protestë solidarizuese me punëtoret greviste të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online. “Schafberger shtyp punëtorët, Kuvendi e lejon”, “Punëtorët nuk janë mall”, “Çka bënë njeri me 275 euro në Kosovë”, ishin disa nga pankartat e realizuar nga kjo organizatë për t’u solidarizuar me punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovë, të cilët tash e një muaj janë në grevë.

    Aktivisti, Lekë Krasniqi tha se protesta synon të sjellë vëmendje mbi kërkesat e punëtoreve për paga dhe kushte më të dinjitetshme pune. Sipas tij, qëndresa e punëtoreve shuhet egërsisht me kërcënime e koncesione simbolike, duke shtuar se pagat janë të pajetueshme, ka shkelje e të drejtave elementare, korrupsion e keqpërdorimi i fondeve.

    Madje tha se punëtoret janë duke përballuar vështirësi të shumta gjatë grevës, duke shtuar se aktualisht, pagat e tyre janë vetëm 275 euro, ndërsa ekziston rreziku që për muajin shtator të mos marrin fare pagë dhe të humbasin vendin e punës.

    “Trajtimit skandaloz zyrtar i mbivendoset një sërë zhvatjesh e dallaveresh sipas rastit, me të cilat punuesi i tyre, Schafberger, bashkë me kuvendin e heshtur, ia merr nga dora ato pak pare që i mbesin. Ndër muaj e ndër vite, gratë që mirëmbajnë kuvendin dhanë mund e njërës neper korridoret, sallat, kthinat zyrat e parlamentit, duke kryer një punë të stigmatizuar dhe të nënçmuar, në përballje me përbuzjen e shpërfilljen klasiste, seksiste e raciste të parlamentareve e shefave, me paga të mjerueshme derisa kompania private e tenderuar përfiton mbi kurrizin e tyre. Ato pritet që të qojnë muajin me 270€ bruto, kurse vetëm udhëtimi deri në vendin e punës iu kushton disa prej tyre më se 40€ në muaj, 15% të rrogës. Trajtimit skandaloz zyrtar i mbivendoset një sërë zhvatjesh e dallaveresh sipas rastit, me të cilat punuesi i tyre, schafberger, bashkë me kuvendin e heshtur, ia merr nga dora ato pak pare që i mbesin. Orët shtesë dhe pushime te papaguara, punëtorët që përfundojnë punën e dy tre njerëzve, veç për me mbush xhepin e kompanisë”, ka thënë Krasniqi.

    “Kjo gjendje nuk ishte një incident i veçuar, Schafberger, kontraktuesi i tyre, në fakt furnizon një mori institucionesh në administratën publike, ministri, komuna e madje edhe Universitetin e Prishtinës. Ne të gjitha këto vende sundon shtypja e njëjtë. Pagat e pajetueshme, shkelja e të drejtave elementare, korrupsioni e keqpërdorimi i fondeve, kurse qëndresa e punëtoreve shuhet egërsisht me kërcënime e koncesione simbolike. E përfituesit dëshirojnë me përsërit të njëjtin ciket edhe këtu. Përveç mjegullimeve burokratike dhe fjalive të buta e boshe prej disave, grevistet po dëshirojnë mi mbrapstë me heshtje e tu e përmend zëvendsueshmerinë e tyre me i shti prapë ne pune. Ato janë kanos madje edhe që janë ulur para kuvendit, një hapësirë e cila pamdehet si publike. Ndoshta deputetët nuk kanë qejf me pa pasojat enje problemi që nuk duan ta zgjidhin”, shtoi ai.

  • ​Kusari-Lila: LV-ja vazhdon të ketë shumicën parlamentare në Kuvend

    ​Kusari-Lila: LV-ja vazhdon të ketë shumicën parlamentare në Kuvend

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e konsideron të domosdoshme miratimin e 54 projektligjeve që janë në mes të dy leximeve para përfundimit të kësaj legjislature.

    Ajo theksoi se mazhoranca nuk e ka humbur shumicën parlamentare, përkundër largimit nga Lëvizja Vetëvendosje të dy deputetëve, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica.

    Sipas saj, sfidë e mazhorancës është mospjesëmarrja në votime e deputetëve dhe prezenca fizike e tyre në sallë.

    “Zyrtarisht Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje i ka 54 deputetë dhe 8 deputetë janë nga grupi parlamentar multietinik që i bie 62 deputetë. Ne zakonisht kur kemi pasur mungesë të kuorumit ka ardhur për shkak të mospjesëmarrjes në votim për çështje të caktuara të deputetëve që kanë qenë në sallë apo për mungesën fizike. Nuk parashohim diçka më dramatike javët në vijim, unë uroj që në nivelin e njëjtë të hyjmë në një periudhë më dinamike para përmbylljes së sesionit vjeshtor. Është e domosdoshme që diku 54 projektligje që janë në mes të dy leximeve të përmbyllen në këtë legjislaturë”, tha ajo.

    Ajo shtoi se në bazë të informacioneve dy deputetët e larguar nga LVV-ja mund të marrin pjesë në votime në projektligje më të rëndësishme.

    “Sipas informatave që kam ata kanë qëndrim që në projektligje të caktuara sikurse deri tani do të marrin pjesë në votim. Tash mbetet të shihet”, theksoi ajo.

    Këto komente Kusari-Lila i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Në lidhje me masat e sigurisë ndaj mallrave serbe, Kusari-Lila tha se është e domosdoshme krijimi i mekanizmave të sigurisë para heqjes së këtyre masave.

    “Deri sa të krijohen mekanizmat e sigurisë. Gjegjësisht gjatë gjithë kësaj kohe është komunikuar për vendosjen e një mekanizmi të sigurisë për vendosjen e dërgesave te kufiri verior, ne mund të themi se Kosova e ka mbajtur këtë masë në fuqi. Në momentin kur ka garanci për vendosjen e masave të sigurisë atëherë mund të hiqet kjo masë. S’ka qenë për çështje ekonomike por për çështje të sigurisë. Pjesë e ngritjes së kushteve për ngritje të sigurisë janë edhe skenerët”, deklaroi Kusari-Lila./KP/

  • ​Tentoi ta vras pasi i kërkoi para dhe ai nuk ia dha

    ​Tentoi ta vras pasi i kërkoi para dhe ai nuk ia dha

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.U., pasi tentoi tentoi ta vras personin me iniciale J.A.

    Sipas prokurorisë, i akuzuari gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Sipas aktakuzës, i akuzuari B.U., me datë 17.05.2024, rreth orës 17:30 min, në fshatin Nashec të Komunës së Prizrenit, me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që pasi takohet me viktimën J.A., paraprakisht kërkon nga i njëjti t’ia jap një shumë parash prej 2,500 euro në formë të borxhit dhe pasi viktima i thotë se nuk e posedon një shumë të tillë, i njëjti nxjerr pistoletën dhe nga dritarja e automjetit të markës ‘’WV Passat CC’’ , e cila ka qenë e hapur, shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e plagos në këmbën e tij të djathtë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e lëndimeve të marra, viktima i nënshtrohet tretmanit mjekësor pranë Repartit Kirurgjik të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit.

    Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” sipas KPRK-së.

    Po ashtu, i akuzuari B.U., mban në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, dhe me këto veprime ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cila akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

  • Kuvendi mblidhet të enjten – Tahiri thotë se shpreson që mos të ketë sanksione të reja nga ndërkombëtarët

    Kuvendi mblidhet të enjten – Tahiri thotë se shpreson që mos të ketë sanksione të reja nga ndërkombëtarët

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se Kuvendi do të mblidhte të enjten për të vazhduar me mbajtjen e seancës së përfunduara, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka konfirmuar se PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, por që shtoi se do të jetë vështirë që të votohen projektligjet në rend dite.

    “Të enjten do të jetë vazhdim i seancës së pa përfunduar tash e dy javë. Ju e dini se që dy seanca sesioni vjeshtor nuk po arrin të fillojë për shkak të mungesës së numrave nga mazhoranca. Ne do t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, por në çështjet e projektligjeve ku kërkohet shumicë e thjeshtë normalisht që nuk do të marrim pjesë. Ka një shthurje të madhe brenda LVV sa i përket numrave”.

    Shefi i deputetëve të PDK-së, tutje foli edhe për kritikat e kryeministrit Albin Kurti, ku tha se “nuk duhen të merren seriozisht çfarë thotë Kurti”.

    “Në këtë periudhë nuk duhet të merret asgjë shumë seriozisht çka deklaron Kurti. Ai është në një fushatë zgjedhore, është në përfundim të mandatit, tash duhet me pas parasysh sikletin dhe presionin që ka në këtë periudhë sepse nuk po arrin të përfundoj asnjë projekt”.

    Tahiri, shpreson që ndërkombëtarët nuk do të shtojnë sanksione të reja ndaj Kosovës, si shkak i masës së vendosur ndaj produkteve serbe.

    “Sa i përket CEFTA, janë bërë 10 vite që Kosova është bërë pjesë e saj, pas 10 viteve kemi arritur në një pikë që Kosova po rrezikohet”.

    “Unë shpresoj, që komuniteti ndërkombëtar ta ndalin shtimin e sanksioneve ndaj vendit tonë dhe besoj që vendit do t’i japim një Qeveri të re, e cila di t’i jap zhvillim ekonomik dhe frymë të re vendit”.

  • Gashi: Në këtë legjislaturë është e vështirë që të votohen ligje

    Gashi: Në këtë legjislaturë është e vështirë që të votohen ligje

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se problemet e kësaj legjislature janë duke vazhduar, duke përmendur mosvotimin e projektligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton EO.

    Madje pohoi se në këtë legjislaturë është e vështirë që të votohen ligje.

    Ai ka thënë se qasja e Qeverisë ndaj mediave është gabuar dhe e dëmshme për demokracinë dhe fjalën e lirë në Kosovë.

    “Po shkojmë drejt fundit të legjislaturës dhe siç duket probleme e kësaj legjislature po vazhdojnë. Është vështirë që të kalojnë ligje”.

    “LDK ka konfirmuar pjesëmarrjen në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtarë. Vazhdojmë të jemi në një situata të pa aftësie së qeverisje dhe të kemi probleme në përfaqësimin ndërkombëtar”.

    “Është një qasje e gabuar dhe e dëmshëm për demokracinë dhe fjalën e lirë në Kosovë. Mendoj se duhet të mbrohet interesi i Kosovës”.

  • Partitë në Bosnje publikojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale

    Partitë në Bosnje publikojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale

    Rezultati e zgjedhjeve lokale në Bosnje e Hercegovinë (BeH), sipas të dhënave të publikuara nga partitë politike, shfaq mbizotërimin e partisë së liderit prorus Millorad Dodik në Republika Sërpska, të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në zonat ku jetojnë kroatë, si dhe rritjen e Partisë së Veprimit Demokratik të boshnjakëve (SDA), e cila aktualisht është në opozitë në Federatën e BeH.

    Dodik deklaroi se partia që ai drejton, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, ka fituar pushtetin në 47 nga 63 komunat e Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjës.

    Lideri i partisë më të madhe kroate në BeH, Dragan Çoviq, tha se Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i BeH ka fituar në shumicën e komunave për pozitat e kryetarëve të komunave.

    Partia e Veprimit Demokratik (SDA) në këto zgjedhje lokale ka fituar më shumë vota sesa në ato të mëparshmet, tregojnë rezultatet që kjo parti boshnjake i shpalli pas mbylljes së qendrave të votimit.

    Kjo parti, e cila drejtohet nga Bakir Izetbegoviq, sipas rezultateve të paraqitura, ka fituar pozitat e kryetarëve të komunave në verilindje të BeH, ku deri tani dominonte Partia Socialdemokrate.

    Nuk pati surpriza as në Srebrenicë, qytet ku në vitin 1995 u krye gjenocid. Kandidati i përbashkët i partive serbe fitoi shumicën e votave.

    Një nga befasitë ishte edhe shpallja e fitores së Ibro Berilos në komunën Tërnovës së Sarajevës. Ky kandidat i Partisë së Veprimit Demokratik ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimeve për korrupsion.

    Analisti politik Adnan Huskiq tha për Radio Evropa e Lirë se logjika e votuesve që këtë vit votuan për kandidatë të burgosur, ose të akuzuar për korrupsion, është “e pakuptueshme dhe paradoksale”.

    Ai thotë se kjo tregon se qytetarët kanë shumë pak besim në institucione, madje më pak sesa në partitë politike.

    “Po përpiqem të vendosem në pozitën e dikujt që në qendrën e votimit zgjedh një kandidat që aktualisht është në paraburgim, ose madje i dënuar me vendim të formës së prerë. Nuk mundem, sado që përpiqem, ta kuptoj me cilën logjikë udhëhiqen qytetarët në këtë rast, përveç se kjo tregon sa pak besim kanë qytetarët në institucione, edhe në ato gjyqësore”, tha Huskiq.

    Në zgjedhjet lokale në Bosnje e Hercegovinë votuan 47.72% e qytetarëve, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor të BeH. Deri tani janë përpunuar rreth 93.47% e qendrave të votimit.

    Rreth 3.4 milionë qytetarë kishin të drejtë vote dhe zgjodhën rreth 140 kryetarë qytetesh dhe komunash, si dhe asambletë komunale dhe këshillat e qyteteve.

    Për shkak të përmbytjeve, rrëshqitjeve dhe shembjeve të dheut, zgjedhjet janë shtyrë në pesë komuna.

  • Qeveria ndryshon masën e sigurisë ndaj produkteve serbe

    Qeveria ndryshon masën e sigurisë ndaj produkteve serbe

    Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdare, ka mësuar Koha nga burimet e saj.

    Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e shkuar.

    Masa e sigurisë më pas u ndryshua duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmë produkteve të nevojshme për prodhim final.

    Më vendimin e ri, i cili u është përcjellë të hënën institucioneve përkatëse nga ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Svecla, ndalimi i importimit të këtyre produkteve do të zëvendësohet me “kontroll të detajuar” për maunet që hyjnë nga Serbia.

    Ndryshimi i masës së sigurisë vlen vetëm për pikën kufitare në Merdar derisa ajo mbetet në fuqi në pikë kalimet kufitare të tjera me Serbinë.

    Gjermania ka kërcënuar Kosovë me mospjesëmarrje në samitin që mbahet më 14 tetor, nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia. Sipas emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kjo ndalesë bllokon edhe punën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.