ATV

Author: ATVLive

  • Kurti në hapjen e Panairit “Mirëserdhët në Janjevë”: Po e rikthejmë shkëlqimin e dikurshëm e gjallërinë ekonomike

    Kurti në hapjen e Panairit “Mirëserdhët në Janjevë”: Po e rikthejmë shkëlqimin e dikurshëm e gjallërinë ekonomike

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka marrë pjesë në hapjen e Panairit të Janjevës “Mirëserdhët në Janjevë”, raporton Ekonomia Online. Vizitorët patën mundësinë të shijojnë jo vetëm ushqimet tradicionale, por edhe të njihen me projektet që po transformojnë Janjevën në një destinacion tërheqës për turistët dhe banorët vendas.

    Nga aty, Kurti foli për investimet që janë duke u bërë në këtë qytezë. Ndër të tjerash, shefi i ekzekutivit tha se përmes tri dikastereve, Janjeva po përfiton projekte në shumë fusha.

    Sipas tij, nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike.

    “Qeveria jonë po investon përmes tri ministrive këtu. Ministri e Kulturës në restaurimin e dhe funksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e kapaciteteve për turizëm dhe zhvillim. Mandej Ministria e Zhvillimit Rajonal për infrastrukturë rrugore të qytezës së Janjevës si dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet”, u shpreh Kurti.

    “Ky projekt hap një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës janjevase e cila ka migruar në Kroaci duke krijuar mundësi e arsye të fortë për rikthim e bashkëfinancim në Janjevë. Nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike”, u shpreh tutje Kurti.

    Shefi i UNDP-së, Nuno Queirós, tha se pas përfundimit të projekteve të renovimit, Janjeva do të tërheqë më shumë vizitorë.

    Ai falënderoi partnerët dhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar në investimet e bëra në këtë komunë.

    “Kemi punuar me muaj të tërë dhe besojmë që këto investime do të ndihmojnë në rritjen e numrit të vizitorëve në Janjevë”.

  • Çmimi Nobel në Mjekësi shkon për Victor Ambros dhe Gary Ruvkun, zbuluan microRNA

    Çmimi Nobel në Mjekësi shkon për Victor Ambros dhe Gary Ruvkun, zbuluan microRNA

    Victor Ambros dhe Gary Ruvkun janë fituesit e Nobelit të sivjetshëm në mjekësi, për zbulimin e tyre të mikroARN-së dhe rolin e saj në rregullimin e gjeneve pas transkriptimit.

    Çmimi prestigjioz u nda sot në Stokholm. “Zbulimi i tyre novator nxori në dritë një parim krejtësisht të ri të rregullimit të gjeneve që rezultoi të ishte thelbësor për organizmat shumëqelizorë, përfshirë njerëzit,” thuhet në vendimin e jurisë. Çmimi i mjekësisë vitin e kaluar iu dha biokimistes hungarezo-amerikane Katalin Karikó dhe imunologut amerikan Drew Weissman për punën e tyre në teknologjinë e mRNA që qëndronte pas vaksinave COVID-19.

    Pjesa tjetër e Çmimeve Nobel 2024, lidhur me avancimet në fizikë, kimi, ekonomi, letërsi dhe drejt paqes, do të shpallen gjatë javës. Laureatët e Nobelit do t`i marrin paskësaj çmimet e tyre në një ceremoni në Suedi në muajin dhjetor./tch

  • Qeveria ende nuk i ka kthyer përgjigje Gjermanisë për CEFTA e Proces të Berlinit, bisedimet po vazhdojnë

    Qeveria ende nuk i ka kthyer përgjigje Gjermanisë për CEFTA e Proces të Berlinit, bisedimet po vazhdojnë

    Ndonëse kanë mbetur edhe një javë nga kur do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, Qeveria e Kosovës ende s’ka ndërruar qëndrim sa i përket kërkesës gjermane rreth zhbllokimit të vendimarrjes në CEFTA dhe heqjes së masës së sigurisë për mallrat serbe që futen në territorin e Republikës së Kosovës.

    Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Christian Bottcher, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se aktualisht bisedimet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Qeverisë së Gjermanisë janë duke vazhduar.

    “Për momentin, mund t’ju them vetëm se bisedimet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të qeverisë gjermane janë ende në vazhdim”, ka thënë Bottcher për express.

    Sa i përket asaj nëse ka afate kohore brenda të cilës Qeveria e Kosovës duhet të vendos për pranimin ose jo të ofertës së Berlinit zyrtar, zëdhënësi i Ambasadës ka thënë se ka afate që dalin nga rregullat ndërkombëtare dhe procedurat e CEFTA-s dhe trupave të saj.

    “Kur është fjala për pyetjen tuaj në lidhje me afatin kohor, sigurisht që ekzistojnë afate të caktuara që ndodhin në bazë të rregullave dhe procedurave të brendshme të CEFTA-s dhe organeve të saj”, ka përfunduar për Gazetën Expresa zëdhdënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Christian Bottcher.

    Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Manuel Sarrazin, ka vizituar dy herë radhazi Kosovën gjatë muajit shtator në përpjekjen gjermane për ta bindur Kurtin të pranojë ofertën e Berlinit zyrtar. Pa sukses, Sarrazin është larguar i deshpëruar nga Prishtina, derisa paralajmërimet si nga vetë ai, si nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde, kanë qenë që Kosova rrezikon të mbetet e vetme nëse nuk e pranon kërkesën e Qeverisë Gjermane.

  • Rreziku për trurin nga kërcitja e qafës

    Rreziku për trurin nga kërcitja e qafës

    Kërcitja e qafës është një veprim që njerëzit e kryejnë shpesh gjatë jetës së tyre.

    Ndonjëherë ky veprim vjen i përsëritur edhe në mënyrë të pavetëdijshme si shenjë çlirimi të muskujve dhe kockave nga lodhja.

    Mjekët prej vitesh flasin kundër këtij procesi për shkak të dëmtimeve që mund t’i shkaktojnë shtyllës kurrizore.

    Megjithëse kohët e fundit ka edhe një tjetër arsye se përse kërcitja e qafës mund të kthehet në një rrezik për jetën.

    Sa e rrezikshme mund të jetë kërcitja e qafës

    Ekspertët thonë se ka një lidhje konkrete mes kërcitjes së vazhdueshme të qafës dhe goditjes në tru nga sëmundje si ishemia.

    Megjithëse mund të duket shumë e frikshme ky pohim duket se mund të jetë i vërtetë në disa raste.

    Forca e ushtruar gjatë kërcitjes së qafës mund të shkatërrojë venat e gjakut në atë zonë.

    Gjë që me shumë mundësi do të shkaktojë isheminë.

    Sipas mjekëve neurologë këto raste janë ende në studim e sipër, por mund të jenë prezente për këdo.

    Kjo pasi në disa njerëz venat e gjakut mund të jenë pak me delikate se tek të tjerët gjë që i bën ato më të prirura për t’u shkatërruar kur kërcisni qafën.

    Kështu që kjo taktikë pavarësisht kënaqësisë dhe çlirimit që mund t’ju japë nuk rekomandohet aspak nga mjekët.

    Rreziku më i lartë është sigurisht për personat që e kanë kthyer në një ves të përditshëm këtë veprim.

    Sipas një studimi të vitit 2014 nga American Heart Association dhe American Stroke Association, edhe trajtimet profesionale të qafës kanë rrezik.

    Studimi tregon se edhe kërcitja e qafës nga mjekët mund të jetë e rrezikshme për pacientët.

    Çfarë rekomandojnë mjekët

    Sipas ekspertëve është e rëndësishme që çdo pacient të jetë i informuar edhe për këtë rrezik para se t’a kryejë këtë trajtim në spital.

    Për personat të cilët shfaqin shenja të një goditje në tru si dhimbje koke, marrje mëndësh apo hasin turbullim të shikimit ky veprim nuk rekomandohet.

    Në rast se përjetoni dhimbje qafe mundohuni ta relaksoni atë me lëvizje të lehta duke e rrotulluar qafën lehtësisht.

    Bëni masazh me duar apo kompresa të ngrohta në mënyrë që të çliroheni nga dhimbja dhe lodhja pa asnjë rrezik.

    Mundohuni t’a evitoni sa më shumë këtë lëvizje rreth qafës tuaj.

    Në këtë mënyrë që të eleminoni rrezikun e goditjes dhe dëmtimit në tru.

  • Kryesia vendos për seancë të re, diskutohet për raportet me ShBA-në dhe emigrimin e qytetarëve

    Kryesia vendos për seancë të re, diskutohet për raportet me ShBA-në dhe emigrimin e qytetarëve

    Kryesia e Kuvendin ka mbajtur mbledhjen e radhës ku në rend dite ishin pikat e pa përfunduar nga seanca e datës 28 mars, seanca e datës 24 maj si dhe seancat e mbajtura me 12 dhe 26 shtator, raporton EO.

    Në mbledhje është diskutuar votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    Gjithashtu edhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Poashtu edhe Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës.

  • ​Lëndohet Gjimshiti, mungon ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë

    ​Lëndohet Gjimshiti, mungon ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë

    Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka bërë me dije se kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për Kombëtaren në sfidat e radhës në UEFA Nations League ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë për shkak dëmtimi.

    Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim në ndeshjen e Champions League, Shakhtar Donetsk – Atalanta dhe pas përfundimit të pjesës së parë nuk zbriti më në fushë. Gjimshiti nuk ishte i grumbulluar me Atalantën edhe në ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Genoa.

    Stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me atë të Atalantës dhe është vendosur që Gjimshiti të mos rrezikojë, që të rikuperohet sa më parë dhe të rikthehet sa më shpejt në fushën e lojës.

    Lista përfundimtare e Kombëtares është me 23 futbollistë pasi trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë vendosur që të mos thërrasin tjetër lojtar në mungesë të Gjimshitit.

  • Aktakuzë për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje për një perosn në Prizren

    Aktakuzë për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje për një perosn në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një të pandehuri i cili dyshohet për vrasje në tentativë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

    “Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.U., i cili gjendet në paraburgim nga data 15.07.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale ‘Vrasja në tentativë’ nga neni 172 lidhur me nenin 28, dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 par. 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Prizren.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë, personi dyshohet se e ka plagosur viktimën pasi që ia kishte kërkuar këtij të fundit një borxh, dhe ky i fundit nuk ia kishte dhënë.

    “Sipas aktakuzës, i akuzuari B.U., me datë 17.05.2024, rreth orës 17:30 minuta, në fshatin Nashec të Komunës së Prizrenit, me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që pasi takohet me viktimën J.A., paraprakisht kërkon nga i njëjti t’ia japë një shumë parash prej 2,500.00 € (Dymijë e pesëqind euro) në formë të borxhit dhe pasi viktima i thotë se nuk e posedon një shumë të tillë, i njëjti nxjerr pistoletën dhe nga dritarja e automjetit të markës ‘WV Passat CC’ , e cila ka qenë e hapur, shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e plagos në këmbën e tij të djathtë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e lëndimeve të marra, viktima i nënshtrohet tretmanit mjekësor pranë Repartit Kirurgjik të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Vrasja në tentativë’ sipas KPRK-së”.

    “Po ashtu, i akuzuari B.U., mban në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, dhe me këto veprime ka kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ sipas KPRK-së”.

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cila akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”.

  • Punëtorët teknikë të QKUK-së nga sot në grevë, kërkojnë rritjen e pagave

    Punëtorët teknikë të QKUK-së nga sot në grevë, kërkojnë rritjen e pagave

    Punëtorët teknikë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë hyrë në grevë nga dita e sotme, raporton Ekonomia Online.

    Greva e tyre është ardhur si pasojë e mosrealizimit të kërkesave për ndryshimin e kategorisë dhe për rritjen e pagave.

    Sipas punëtorëve teknikë, në grevë do të qëndrojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

  • Vdes akademiku Tahir Emra

    Vdes akademiku Tahir Emra

    Është ndarë sot nga jeta akademiku kosovar, piktori Tahir Emra.

    Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

    Ata kanë njoftuar që i ndjeri do të varroset në varrezat e qytetit të Gjakovës më 8 tetor, teksa AShAK-u po atë ditë do të mbajë mbledhje komemorative në orën 11:00, e më pas do të bëhen edhe homazhet deri në orën 12:30.

    “Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra”, thuhet një njoftimin e AShAK-ut.

    “Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vend­lindje, ndërsa të mes­men të artit më 1959 në Pejë”.

    “Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pik­turë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative”.

    “Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar”.

    “Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj”.

    “Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut”.

    “Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private”.

    “Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza”.

  • Gjuriqin nuk e kënaq “reagimi i ndërkombëtarëve ndaj Kurtit”

    Gjuriqin nuk e kënaq “reagimi i ndërkombëtarëve ndaj Kurtit”

    Shefi i diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, tha se nuk mund të jenë të kënaqur siç tha ai “me reagimin e ndërkombëtarëve ndaj Albin Kurtit”

    Ai për televizionin serb Happy deklaroi se “Beogradi po ndërton një lloj blloku të ri politik, i cili është i interesuar për bashkëpunim me Serbinë dhe nuk e bën këtë dhe nuk e shikon në mënyrë të njëanshme qëndrimin e Serbisë”.

    Ai ka përmendur edhe seancën e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    “Për Serbinë, çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm. Deri në 70 për qind të mallrave tona shkojnë në BE. Rezultatet fenomenale ekonomike që kemi arritur nuk do të ishin të mundshme pa marrëdhënie të mira me vendet e BE-së. Gjatë turneut 18 ditor, unë shkova nga Estonia në Uashington, dhe pastaj në Nju Jork kemi pasur takime me më shumë se 70 burrështetas në mbarë botën. Unë takohem me delegacionin e Vanuatu-s dhe Kurti po e ndjek për t’u takuar me kryeministrin, por me dikë më të ulët në delegacion”, tha Gjuriq.