ATV

Author: ATVLive

  • Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin

    Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin

    Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.

    Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt të hënën në Berlin.

    Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.

    Scholz tha se marrëveshjet e reja “do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë”.

    “Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

    Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.

    Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit – përveç Bosnje e Hercegovinës – duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t’i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.

    Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi që dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

    Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme./REL

  • ​Presidentja e KE-së mirëpret marrëveshjen për CEFTA: Është hap drejt normalizimit

    ​Presidentja e KE-së mirëpret marrëveshjen për CEFTA: Është hap drejt normalizimit

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mirëpritur zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA dhe avancimin e statusit të përfaqësimit të Kosovës në këtë mekanizëm rajonal të bashkëpunimit.

    Pas samitit të Procesit të Berlinit, Von der Leyen përmendi edhe largimin e kufizimeve për hyrjen në Kosovë të mallrave serbe.

    Ajo tha se këto veprime janë të dobishme për normalizim në Ballkanin Perëndimor.

    “Procesi i Berlinit është bërë promotor i tregun rajonal ekonomik, të përbërë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Është qenësore që ky treg i përbashkët rajonal të funksionojë në mënyrë të lehtë, pasi i mundëson kompanive të Ballkanit Perëndimor që të tregtojnë dhe krijojnë vende pune. Pasi ky rajon është afër nesh është edhe afër tregut tonë të përbashkët. Unë mirëpres shumë marrëveshjen e javës së kaluar që është bërë në nivel të CEFTA-s. Sidomos që kufizimi i eksporteve nga Serbia në Kosovë do të pezullohen. Uroj për shfaqjen e këtij vullneti politik po ashtu edhe juve Olaf Scholz për shkathtësitë e ndërmjetësimit, pasi ky është një hap për normalizim”, theksoi ajo.

    Krahas kësaj, duke folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ajo tha se pesë nga gjashtë agjendat e reformave të miratuara të vendeve të rajonit do të adaptohen këtë javë nga BE-ja.

    Ajo tha se pagesat e para të pakos prej 6 miliardë eurove do të bëhen para përfundimit të vitit.

    “Na nevojitet një urë ndërmjet tregut rajonal të përbashkët dhe tregut të vetëm evropian. Kjo urë është plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në vlerë 6 miliardë euro investimesh. Plani i rritjes dhe Procesi i Berlinit janë të ndërlidhur. Me Planin e Rritjes e hapim dorën për sektorë të caktuar të tregut të vetëm. Që të përdoret kjo hapje, Ballkani Perëndimor duhet të ketë reforma në nivelin horizontal”, theksoi ajo./KP/

  • ​Haxhiu: 16 ushtarë janë dërguar në Komision Disiplinor vetëm pse janë ushqyer jashtë kazermës

    ​Haxhiu: 16 ushtarë janë dërguar në Komision Disiplinor vetëm pse janë ushqyer jashtë kazermës

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu i ka bërë thirrje prokurorisë për hetim, me pretendimet siç thekson ai ‘për hajni brenda Ministrisë së Mbrojtjes’. Sipas tij, 16 pjesëtarë të ushtrisë janë dërguar në Komision Disiplinor, meqë të njëjtit janë ushqyer jashtë kazermës. Kështu u shpreh ai në seancë të jashtëzakonshme ku po diskutohet për çështjen e ushqimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Në seancën e cila është bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhiu i bëri thirrje edhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj që të tregojë arsyen e vërtetë të dorëheqjes.

    “Hajnia e ka lënë ushtrinë pa bukë. Ushtarët sot janë detyruar të dalin të hanë bukë jashtë kazermës dhe 16 prej tyre janë dërguar në Komision Disiplinor, pse kanë dalë të ushqehen jashtë kazermës sepse ushqimi brenda ka qenë i pa përballueshëm dhe i pamjaftueshëm për ta. Kjo është vetëm një pjesë e asaj që është bërë publike e hajnisë, por ka këtu hajni edhe më shumë që asnjëherë nuk është bërë publike. Prandaj e ftoj Prokurorinë të merret me këto dhe e ftoj ish-ministrin, Armend Mehaj të bëjë publike arsyen e vërtetë të dorëheqjes së tij. Fondi për ushtrinë që është krijuar nga Qeveria Kurti asnjëherë nuk është bërë publik, jo sa mjete kanë qenë por as se si u shpenzuan. Qytetarët dhanë mjetet e tyre për të kontribuar për Ushtrinë e Kosovës, e këta shkojnë vjedhin edhe në pasul edhe bukë të ushtarëve. Por kanë vjedhur edhe në armatim, këtë përgjigje duhet të na ja jap ministri Armend Mehaj me arsyen e vërtetë pse ai ka dhënë dorëheqje dhe konfliktin që ka pasur brenda Ministrisë së Mbrojtjes me këta eksponentë kriminal”, deklaroi Haxhiu. /KP

  • Zelensky: Koreja e Veriut po dërgon ushtarë dhe armë në Rusi

    Zelensky: Koreja e Veriut po dërgon ushtarë dhe armë në Rusi

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pretendoi se Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë dhe armë në Rusi për të mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë.

    Mediat ukrainase së fundi kanë raportuar se gjashtë pjesëtarë të personelit ushtarak të Koresë së Veriut u vranë në një sulm ajror ukrainas në rajonin ukrainas të Donjeckut – të pushtuar nga Rusia – më 3 tetor.

    Raportimet e mediave ukrainase nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, por gjatë adresimit të tij në orët e vona të 13 tetori, Zelensky për herë të parë përsëriti këtë pretendim.

    “Kjo më nuk është çështje vetëm e transferimit të armëve. Tashmë ka të bëjë me transferimin e njerëzve nga Koreja e Veriut për te forcat e ushtrisë okupuese”, tha ai.

    Zelensky nuk ofroi dëshmi për të mbështetur këtë pretendim, por spekulimi mbi rolin e Koresë së Veriut në konflikt është rritur në mesin e shenjave se Moska po forcon lidhjet me shtetet sikurse Koreja e Veriut dhe Irani, pas pothuajse 32 muajsh që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

    Instituti për Studim të Luftës, me seli në Uashington, së fundi ka raportuar se qindra trupa të Koresë së Veriut kanë arritur në Rusi dhe po përgatiten që të dislokohen në Ukrainë.

    Koreja e Veriut raportohet se i ka ofruar Moskës armë dhe municion, që Rusia i përdor kundër Ukrainës.

    Shërbimi i inteligjencës së Koresë së Jugut ka pretenduar se Pheniani e ka furnizuar Moskën me municione të artilerisë dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi. Kremlini ka hedhur poshtë këto pretendime, por nuk ka komentuar lidhur me deklaratën e Zelenskyt.

    Zelensky tha se dislokimi vë në pah nevojën e Ukrainës për “më shumë mbështetje” nga partnerët e saj perëndimorë për të “rritur presionin ndaj Rusisë” dhe për të parandaluar “një luftë më të madhe”.

    Presidenti ukrainas javën e kaluar vizitoi Britaninë, Gjermaninë, Francën dhe Italinë dhe u kërkoi partnerëve të Kievit që të vazhdojnë mbështetjen ushtarake për Kievin.

    Situata në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme pritet të jetë në krye të agjendës gjatë takimit mes presidentit amerikan, Joe Biden, dhe udhëheqësit gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës në Berlin më vonë gjatë javës. /REL

  • Mbi shtatë mijë kërkesa për regjistrim për votim jashtë vendit

    Mbi shtatë mijë kërkesa për regjistrim për votim jashtë vendit

    Deri më 13 tetor të këtij viti, në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë pranuar mbi 7 mijë e 200 kërkesa për regjistrim për votim jashtë vendit, prej të cilave janë aprovuar mbi 6 mijë e 600, ndërsa 593 të tjera janë refuzuar.

    Në mbledhjen e sotshme të KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala ka thënë se në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar, duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.

    Ndërsa, për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, deri më tani janë pranuar 892 kërkesa për ndërrim të qendrës.

    Buzhala, ka shtuar se prej tyre, janë aprovuar 866 kërkesa, ndërsa 26 të tjera janë refuzuar.

  • ​Guardiola tregon nëse do ta marr drejtimin e Anglisë

    ​Guardiola tregon nëse do ta marr drejtimin e Anglisë

    Pep Guardiola është pyetur këtë nëse ai ka ndonjë interes për punën e trajnerit të Kombëtares së Anglisë, pasi raportohet se hapi i tij i ardhshëm është vendosur tashmë.

    Ai ka thënë se këto lajme nuk qëndrojnë pasi ai ende nuk ka vendosur asgjë për të ardhmen e tij, përcjellë KosovaPress.

    “Nuk është e vërtetë. Unë jam trajner i Manchester Cityt”, tha ai për “Che Tempo Che Fa”. “Nuk kam vendosur asgjë, gjithçka mund të ndodhë, kështu që nuk e di. Le të shohim të ardhmen time. Unë ende duhet të reflektoj dhe të vendos se çfarë dua të bëj”, ka thënë Guardiola në fund.

  • Ministria e Mbrojtjes: Kemi pranu 106 persona për zgjidhjen e problemit, FSK së shpejti do servohet me ushqim cilësor

    Ministria e Mbrojtjes: Kemi pranu 106 persona për zgjidhjen e problemit, FSK së shpejti do servohet me ushqim cilësor

    Ministria e Mbrojtjes ka thënë se së shpejti pa kosto të madhe financiare ushtrisë do t’i servohet vetëm ushqim cilësor.

    Në komunikatën e lëshuar thuhet se pas pranimit të stafit profesional të kuzhinerëve, kjo problematik do t’i përkasë të së kaluarës.

    “Fillimisht duam të sqarojmë që është i pavërtetë lajmi se ministri Maqedonci ka dërguar letër te kryeministri Kurti përmes së cilë gjoja ministri thekson se refuzon të nënshkruaj kontratën e furnizimit me ushqim me operatorin e ri ekonomik. Një letër e tillë nuk është dërguar”, thuhet në sqarim.

    Sipas ministrisë, me udhëzimin e ministrit Maqedonci dërguar të premten e 11 tetorit, tenderi është anuluar, për shkak të kontestit që ekziston ndërmjet grupit të operatorëve të shpallur fitues, njëri nga të cilët ka dërguar dhe personalisht kërkesë për anulim të tenderit. Kjo pasiguri ligjore e prodhuar me këtë rast ka bërë që ministri Maqedonci të mos e nënshkruajë kontratën, e që rrjedhimisht një tender i tillë i panënshkruar nuk prodhon asnjë pasojë juridike apo financiare.

    “Duke marrë shkasë dhe nga ky rast, ministri në konsultim me zëvendësministrin, këshilltarët, komandantin dhe strukturat relevante te FSK-së ka gjeneruar konceptin e vetqëndrushmërisë si opsionin më të mirë për zgjidhjen e problemit të kahmotshëm të ushqimit. Mosvazhdimi i kontratës me operatorin e deritanishëm s’do të thotë paralizim i ofrimit të këtij shërbimi”.

    “Pavarësisht asaj që po tentohet të paraqitet në publik përmes përhapjes së lajmeve të pavërteta, ritheksojmë se ministria e mbrojtjes për herë të parë ka inicuar procedurat për ngritjen e kapaciteteve vetanake. Gjersa çdo kazermë aktualisht ka të angazhuar kuzhinierët e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Qendrës Studentore, më 10 tetor në web faqen e Ministrisë së Mbrojtjes është hapur konkursi për pranimin e stafit profesional të kuzhinerëve. Me pranimin e personelit prej 106 personash kjo problematikë do t’i përkas së kaluarës. Pa kosto të madhe financiare ushtrisë do t’i servohet vetëm ushqim cilësor” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

  • ​Hoti: Kurti ngriti alarmin që ushtria serbe është afër kufirit, vet bën fushatë në Gjermani

    ​Hoti: Kurti ngriti alarmin që ushtria serbe është afër kufirit, vet bën fushatë në Gjermani

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar njoftimin e autoriteteve vendore se gjatë vikendit ushtria serbe ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën. Ai deklaroi se kryeministri Albin Kurti ngriti alarmin, teksa vet bëri fushatë në Gjermani.

    Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për çështjen e furnizimit me ushqim për FSK-në, Hoti e ka quajtur absurditet situatën e tillë. Ai përmendi edhe Fondin e Sigurisë për mbledhjen e mjeteve për FSK-në, për çka tha se nuk ka informacione se sa mjete janë mbledhur.

    “Në fillim të këtij mandati qeverisës me pompozitet është promovuar Fondi i Sigurisë për mbledhjen e mjeteve për pajisje ushtarake për Ushtrinë e Kosovës. Unë nuk jam i sigurt, as anëtarët e komisionit përkatës parlamentar që mbikëqyrin Forcën e Sigurisë që e dinë sa mjete janë mbledhur në këtë fond edhe sa prej tyre janë shpenzuar dhe sa është pajisur FSK me mjete bazuar në mjetet që janë mbledhur në këtë fond të sigurisë”, deklaroi ai.

    Ish-kryeministri, Avdullah Hoti tha se shefi i ekzekutivit ngriti alarmin në vikend për lëvizjen e trupave të ushtrisë serbe, ndërkohë që Albin Kurti ishte duke bërë fushatë në Gjermani.

    “Gjatë vikendit ka pasur zhvillime tjera. Ne kemi pasur një informatë të dhënë nga institucionet e Kosovës edhe të promovuar edhe nga kryeministri i vendit për ushtrinë serbe që ka ardhur afër kufirit me Kosovën dhe kryeministri ngriti alarmin. Por, në të njëjtën kohë ai ishte pjesë e fushatës zgjedhore të tij në Gjermani. Tash imagjinoni, e ngrit alarmin për një vend fqinj me tendencë armiqësore ndaj Kosovës që po e afron ushtrinë afër kufirit të Kosovës, vet bën fushatë në Gjermani edhe ushtrinë e ka pa ushqim. Nuk ka më koment tjetër për situatën tragjik-komike që është krijuar në këto ditë në Kosovë”, deklaroi Hoti. /KP

  • Nderim Neziri: Këngëtarët po shpërlajnë para, apo si është puna?

    Nderim Neziri: Këngëtarët po shpërlajnë para, apo si është puna?

    Ne “The Elite Way” në “ATV”, në edicionin e fundit është rrahur tema e prodhimtarisë muzikore në vend.

    Këngëtarja Ronela Hajati ka treguar ndër të tjerash se sot duhet qenë gjatë gjithë kohës prezente me këngë e videoklipe, për të mbetur në treg.

    E, opinionisti i programit, Nderim Neziri, ka shprehur habi në lidhje me gjithë investimin që këngëtarët bëjnë në prodhimin e videoklipeve, duke pas parasysh kostot e larta që kanë.

    Neziri, ka thënë se është e pamundur që në këtë treg të vogël, tu dalë hesapi që këngëtarët të investojnë kaq shumë në videoklipe të kushtueshme.

    Ndër tjerash, Neziri ka thënë me ironi: Vetëm “nëse po shpërlajnë para”.

  • ​Muric i gatshëm për ndeshjen me Qipron

    ​Muric i gatshëm për ndeshjen me Qipron

    Pas fitores ndaj Lituanisë në Kaunas, Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për ballafaqimin e së martës kundër Qipros në Prishtinë në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Në stërvitjen e së dielës ka punuar me intensitet të plotë edhe portieri Arijanet Muric, i cili ditëve të fundit ka vuajtur nga lëndimi. Përzgjedhësi Franco Foda me kërkesën e përzgjedhësit të Kombëtares U21, Afrim Tovërlani ka liruar nga grumbullimi Andi Hotin, i cili ka udhëtuar për në Estoni, për ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues për Euro 2025.

    “Dardanët” do ta zhvillojnë sot stërvitjen e fundit përpara se të përballen me qipriotët të martën, në orën 20:45. Në ndeshjen e parë, të luajtur muajin e kaluar në Larnaca, Kosova fitoi bindshëm 4:0. Hendikep për përzgjedhësin Foda do të jetë Elvis Rexhbeçaj për shkak të kartonëve, mirëpo entuziazmi për fitoren e radhës është i madh, duke pasur parasysh edhe mbështetjen që ekipi do ta ketë nga tifozët ‘Dardanët’.