ATV

Author: ATVLive

  • ​Xhandarmëria serbe në Merdarë, Sveçla: Provokimet do të dështojnë

    ​Xhandarmëria serbe në Merdarë, Sveçla: Provokimet do të dështojnë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se provokimet serbe do të dështojnë.

    Ai teksa e ka quajtur shkelje të marrëveshjes shkeljen e vijës ndarëse kufitare në Merdarë nga xhandarmëria serbe, tha se për këtë tashmë kanë njoftuar partnerët.

    Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se këto shkelje do t’i prezantojnë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për bashkëpunim.

    “Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”, tha ai.

    Ministri, Sveçla po ashtu theksoi se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë për zmbrapsjen e qëllimeve hegjemoniste të shtetit serb.

    Ndërsa, shtoi se Kosova është e gatshme të ballafaqohet me çdo sfidë.

    “Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat ko vetëm që janë të papranueshme për ne por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen. Jam i bindur që këto provokime do të dështojnë patjetër vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë posaçërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë që të ballafaqohemi me çfarëdo sfide nga brenda apo jashtë”, tha ai.

    Këto komente i pari i ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i bëri pas pjesëmarrjes në debatin me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurinë Kombëtare” i organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET).

    Gjatë ditës së djeshme pranë stacionit policor kufitar në Merdarë, në anën serbe, është parë një makinë e tipit Land Rover me targa serbe, e cila dyshohej të ishte në pronësi të xhandarmërisë serbe.

    Sipas Policisë së Kosovës në atë makinë gjendeshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

  • ​Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti pret që me Komisionin e ri Evropian të fillojë një dinamikë e re

    ​Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti pret që me Komisionin e ri Evropian të fillojë një dinamikë e re

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist që do të fillojë një dinamikë e re në dialogun me Serbinë, pas konstituimit të strukturave të reja të Bashkimit Evropian. Ai nënvizoi rëndësinë e tërheqjes së letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq nga BE-ja, ku sipas tij kjo dëshmon zmbrapsje nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Përkitazi me këtë, ai theksoi edhe domosdoshmërinë e nënshkrimit të marrëveshjes.

    Kurti në një adresim për media pas samitit të Procesit të Berlinit, foli edhe për vendimin që unilateralisht të hiqet regjimi i vizave për Bosnjë Hercegovinën si dhe kërkesat që i ka paraqitur në takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

    “Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohen kryekrimineli Milan Radoiçiq që na vrau rreshterin, heroin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij që tashmë ndodhën në aktakuzën 160 faqesh të Prokurorisë. Ne kërkojmë që letra e ish kryeministres Bërnabiq të tërhiqet, pasi me atë letër që i është dërguar 27 vendeve të BE-së ajo është tërhequr nga marrëveshja. Njëkohësisht ajo çka jemi marrë vesh, marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit të nënshkruhen, pasi nënshkrimi është garanci ligjore dhe dëshmi e palëkundur e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit ndërmjet palëve. Sa herë flasim për dialog unë insistoj të përmend faktin se kemi marrëveshje bazike dhe se dialogu ka pasur sukses. Por neve na duhet të respektojmë dhe zbatojmë marrëveshjen”, tha ai.

    Ai shtoi se në takim me kancelarin gjerman ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

    “Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta. T’i jepet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë që të na dërgohet pyetësori me ato mijëra pyetje që me shumë përgjegjësi, durim dhe disiplinë do t’i përgjigjemi atyre pyetjeve. As nuk kemi dhe as nuk duam të kemi alternativë ndaj Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

    Duke folur heqjen e vizave për Bosnjën në mënyrë unilaterale prej 1 janarit 2025, Kurti e arsyetoi këtë vendim, derisa tha se shteti boshnjak për shkak të Republikës Serbe, është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkan.

    “Ne e kemi liberalizimin e vizave në Kosovë nga 1 janari dhe ndodhemi në një situatë paradoksale që nëse unë me pasaportë diplomatike të Kosovës dua të shkoj në Sarajevë më duhet të shkoj në Shkup të marr vizë disaditore dhe kjo është një absurditet i mundimshëm. Andaj në kushtet kur ne e kemi ratifikuar të parët marrëveshjen për lëvizje të lirë me karta identiteti dhe kur kjo gjë nuk është bërë në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës unë kam ofruar që nga 1 janari qytetarët e Bosnjës të vijnë në Kosovë me karta identiteti ndonëse ata nuk do të mund të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe atje, e cila është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor… Nëse ndërkohë nuk bëhen ratifikimi në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës qytetarët e Bosnjës me karta identiteti do të kujdesimi që me vendim të Republikës së Kosovës të mund të vijnë lirshëm”, tha Kurti.

    Ndërkaq e përmendi edhe nevojën që avionët që nisen ose aterojnë nga aeroporti “Adem Jashari” në Kosovë të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë, pasi e njëjta vazhdon të jetë e mbyllur tash e 25 vjet.

    “Kemi bërë kërkesa konkrete, siç është ajo kur avionët aterojnë ose nisen nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’, nuk mund të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë tash e 25 vjet që nga intervenimi i NATO-s. Kjo shkakton kosto për kompanitë, kosto për udhëtarët dhe ndotje të ambientit. Kemi pasur kërkesa të tilla që i kemi thënë në këto takime”, përfundoi Kurti./KP/

  • Misioni i NASA-s në një nga hënat e Jupiterit

    Misioni i NASA-s në një nga hënat e Jupiterit

    NASA nisi një mision në një nga hënat e Jupiterit. Dje, Europa Clipper u lëshua nga Florida në majë të një rakete SpaceX. Për mbi pesë vjet e gjysmë, ajo do të përdorë gravitetin e Marsit dhe më pas të Tokës për t’u lëshuar drejt hënës së Jupiterit, Europa.

    Ky është një udhëtim prej 1.8 miliardë miljesh. Shkencëtarët duan të zbulojnë nëse Europa mund të jetë në gjendje të mbajë jetë. Ata mendojnë se ka një oqean të thellë të kripur të fshehur nën një kore akulli.

    Dhe ku ka ujë, mund të ketë jetë. Raketa duhet të hyjë në orbitën e Jupiterit më 11 prill 2030. Ajo do të afrohet me 16 milje nga sipërfaqja e hënës.

    Kjo duhet të jetë mjaft afër për të marrë përgjigje për një nga botët më intriguese në sistemin tonë diellor. Prandaj, kontrolloni përsëri më 11 Prill 2030. / bota.al

  • ​Fermerët nuk kanë marrë pagesat e subvencioneve, shoqata ka një kërkesë për ministrin

    ​Fermerët nuk kanë marrë pagesat e subvencioneve, shoqata ka një kërkesë për ministrin

    Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), ditëve të fundit ka pranuar një numër të madh ankesash nga fermerët për shkak të vonesave në pagesat e subvencioneve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

    Duke u bazuar nga ankesat, kjo shoqatë e fermerëve, prodhues të qumështit, i ka kërkuar ministrit të Bujqësisë, që të përdorni autoritetin tuaj për të përshpejtuar ekzekutimin e pagesave të subvencioneve te fermerët.

    “I nderuar ministër, siç jeni edhe ju në dijeni, këto subvencione janë një bazë e rëndësishme për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të fermerëve të cilët përballen me shpenzime të mëdha për prodhimin bujqësor dhe blegtoral dhe janë mjete të domosdoshme për të garantuar që fermerët të mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre pa ndërprerje dhe në kohë. Vonesat që janë duke ndodhur, janë duke i vendosur fermerët në situata të pafavorshme, ku shumë prej tyre po përballen me vështirësi, mungesë mjetesh financiare, borxhe dhe pa mundësi për të blerë me kohë inputet e nevojshme për mbjellje vjeshtore për të mbuluar shpenzimet e inputeve, si: farërat, plehrat, karburantin dhe shpenzimet tjera të cilat janë rritur ndjeshëm për shkak të inflacionit të lartë. Prandaj, vonesa në pagesë të subvencioneve po ndikon direkt në planifikimin e tyre sezonal dhe si rrjedhojë do të ndikojë negativisht në prodhimin final bujqësor. Prandaj, ju bëjmë thirrje që të merrni masa të menjëhershme në përshpejtimin e pagesave të subvencioneve, duke siguruar që fermerët të marrin mbështetjen e nevojshme në kohë dhe të kenë mundësinë të përballojnë detyrimet e tyre financiare”, thuhet në njoftim.

  • ​Joshua-Dubois, kjo është koha kur mund të zhvillohet lufta tjetër

    ​Joshua-Dubois, kjo është koha kur mund të zhvillohet lufta tjetër

    Anthony Joshua dhe Daniel Dubois mund të përballen për një revansh në muajin shkurt, si pjesë e një ngjarjeje “surprizë e madhe” në Arabinë Saudite.

    Në shtator, Dubois e mposhti Jishuan me nokaut në raundin e pestë në stadiumin “Wembley”. Pas meçit, në të cilin Dubois ruajti titullin e IBF-së në peshën e rëndë, promotori i Joshuas, Eddie Hearn tha se “AJ” kishte një klauzolë për rimeç.

    Joshua, 34 vjeç, pritet të aktivizojë këtë klauzolë dhe një revansh me Dubois, 25 vjeç, mund të vijë shumë shpejtë, përcjellë KP.

  • ​Dita e ndeshjes, Kosova e pret Qipron në “Fadil Vokrri”

    ​Dita e ndeshjes, Kosova e pret Qipron në “Fadil Vokrri”

    Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte do të ballafaqohet me Qipron në kuadër të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

    “Dardanët” të hënën kanë zhvilluar stërvitjen e fundit për këtë ballafaqim dhe në konferencë për media, trajneri Franco Foda theksoi se Kosova nuk është e kënaqur me vendin e dytë dhe se tani e tutje lufta dhe synimi kryesor do të jetë vendi i parë në këtë grup, raporton KosovaPress.

    I bindur në fitore është shprehur edhe sulmuesi Edon Zhegrova i cili siguroi se ai bashkë me lojtarët tjerë do të japin maksimumin në fushë.

    Ndeshja Kosovë-Qipro do të nis nga ora 20:45.

  • ​Sulmi rus në Mykolaiv la një person të vrarë dhe 16 të plagosur

    ​Sulmi rus në Mykolaiv la një person të vrarë dhe 16 të plagosur

    Si pasojë e një sulmi me raketa ruse në Mykolaiv, një person mbeti i vrarë dhe 16 të tjerë u plagosën.

    Kjo u raportua në Telegram nga shefi i Administratës Ushtarake Rajonale të Mykolaiv, Vitalii Kim, sipas Ukrinform.

    “Aktualisht, ne dimë për 11 të plagosur, disa në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht, një person vdiq”, ka shkruar Kim.

    Shpërthime u dëgjuan në Mykolaiv herët të martën. Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës kishin paralajmëruar për kërcënimin e përdorimit të armëve balistike nga drejtimi jugor.

  • ​Dita Botërore e Gruas Rurale

    ​Dita Botërore e Gruas Rurale

    Sot shënohet Dita Botërore e Gruas Rurale, e cila synon njohjen e kontributit dhe rolin e grave nga zonat rurale në komunitet, me qëllim të përmirësimit të jetës dhe mirëqenies në tërësi.

    Dita Botërore e Gruas Rurale u caktua në vitin 1995 nga organizatat e shoqërisë civile në Konferencën e katërt botërore për gratë në Pekin dhe u shpall ditë zyrtare në vitin 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

    Kjo ditë për herë të parë u shënua më 15 tetor 2008, pasi përmes një rezolute Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007 njohën “rolin jetik dhe kontributin e gruas rurale, për mirëmbajtjen e agrikulturës dhe zhvillimit rural, për përmirësimin e sigurimit të ushqimit dhe luftimit të varfërisë rurale”.

    Në Kosovë nuk është paraparë ndonjë aktivitet për shënimin e kësaj dite.

  • ​Sot Dita ndërkombëtare e ecjes në natyrë

    ​Sot Dita ndërkombëtare e ecjes në natyrë

    15 tetori është caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si Dita ndërkombëtare e ecjes në natyrë.

    Shënimi i kësaj dite synon ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe qytetarëve mbi rëndësinë që ka natyra dhe promovimi i vendeve turistike në funksion të zhvillimit të turizmit malor.

    Në të gjitha vendet evropiane, kjo ditë shënohet në viset malore përmes shëtitjeve apo ecjes së gjatë në këmbë, dhe ky manifestim është bazë e mirë për turizëm aktiv.

    Ecja në këmbë në natyrë është shndërruar në një sport tepër të aplikuar, pasi natyra dhe territoret me shtigje të ngushta ofrojnë një kënaqësi të veçantë.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23gradë Celsius.

    “Në mëngjes nëpër ultësira parashihet mjegull e radiacionit, si pasojë e amplitudave të theksuara të temperaturave . Do të fryjë erë kryesisht nga veriperendimi me shpejtësi 1-3m/s”, thuhet në njoftim.