ATV

Author: ATVLive

  • Aktgjykimi lirues për Dhurata Hoxhën dhe tre të tjerët

    Aktgjykimi lirues për Dhurata Hoxhën dhe tre të tjerët

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, nuk ishte e pranishme në sallën e gjykimit këtë të hënë, kur Gjykata e shkallës së parë dha verdiktin për akuzat që rëndojnë ndaj saj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Themelorja e liroi Hoxhën, Ekrem Tahirin, Fitim Mustafën dhe Gëzim Dushin, zyrtarit për komunikim nga të gjitha akuzat.

    Gjykata tha se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se Hoxha përdori një kontratë të Ministrisë për shërbime të informimit publik, për fushatën e saj si deputete në vitin 2019.

    Aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve ishte ngritur gjatë vitit 2022, ndërsa në këtë proces u mbajtën 16 seanca, e u dëgjuan shumë dëshmitarë, në mesin e tyre edhe ekspertë financiarë.

    Prokuroria Speciale e akuzonte Hoxhën se kontratën e Ministrisë që ishte për të informuar qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave, e shfrytëzoi për fushatën e saj si deputete, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 143 mijë e 447 euro.

    Për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzoheshin edhe Fitim Mustafa, në cilësinë e zyrtarit të prokurimit, dhe Gëzim Dushi në atë të komunikimit, ndërsa Ekrem Tahiri, si drejtor i kompanisë “PR Solution”, akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    Mustafa e Hoxha akuzoheshin për të njëjtën vepër penale edhe në një rast tjetër, por Apeli në shtator të këtij viti e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Botohet libri i ri tapitë e pronave në Vilajetin e Kosovës 1847-1912

    Botohet libri i ri tapitë e pronave në Vilajetin e Kosovës 1847-1912

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Të dhëna të dokumentuara për pronat e shqiptarëve në vitet 1847 deri më 1912, në Vilajetin e Kosovës, janë pjesë e librit të autorëve Refike Sulçevsi dhe Jusuf Osmani.

    Rëndësia e tyre vlerësohet të jetë e madhe.

    Recensenti Fatmir Sejdiu, njëherësh ish-presidenti i Kosovës, tha se Libri ‘’Tapitë e Pronave në Vilajetin e Kosovës 1847-1912’’, do t’iu shërbejë gjeneratave të reja.

    “Mendoj se është një botim jashtëzakonisht i vlefshëm, i cili ka të bëjë me dokumente arkivore dhe që i referohet të kaluarës. Absolutisht që ka të bëjë drejtpërdrejt me popullsinë shqiptare. Vetë ajo që janë diku rreth 1 milion e 500 mijë dokumente, flet për kujdesin që e kanë pasë edhe përzgjedhësit, realisht hartuesit e këtij libri, mendoj se është tepër e rëndësishme të hulumtohet ngadalë, me kujdes gjithë ajo e kaluar, e cila është e notuar dhe gjendet në dokumente posaçërisht përkushtimin juridik, apo sigurimin pronësor juridik, që është abuzuar në fazat e mëvonshme historike që kemi përjetuar si popull. Dhe për ne është e rëndësishme që çdo fjalë të bazohet në argumente”, tha Fatmir Sejdiu, recensent i librit.

    Tapitë janë marrë nga arkivat e Kadastrës së Turqisë, për këtë qëllim edhe libri është në dy gjuhë, shqipe dhe turke.

    “Kosova plot shekuj ishte nën administrimin e shtetit osman. Ky shtet ka lënë gjurmë të shumta në traditën, kulturën materiale dhe dokumente të shkruara, andaj për ndriçimin e të kaluarës historike të popullatës së kësaj treve, në mënyrë reale dhe konkrete, patjetër duhet të shfrytëzohen dokumentet e shtetit osman, që bëjnë fjalë për këto treva të cilat gjenden në arkivat e Republikës së Turqisë”, tha Refike Sulçevsi, autore e librit.

    Sipas gjetjeve, në shumë raste pronësia iu ka takuar grave.

    “Së pari te vendbanimet, por një risi si më e rëndësishme që do të doja ta theksoja si një pjesë e madhe e pronarëve të tokave janë femra. Kjo ka qenë një habi se si në atë kohë femra ka qenë e barabartë në trashëgimi të pronës patundshmërisë me meshkujt. Libri do t’iu shërbejë studiuesve të historisë, qytetarëve, teologëve dhe shumë personave të tjerë të gjejnë gjenealogjinë e familjes të tyre. Ka tapi të gjetura të Nishit, Prokuples, Leskovcit, Vranjës, Kushumlisë, mandej tërë sanxhakun e Prishtinës, të Pejës, Prizrenit, Shkupit po më së shumti tapi të Sanxhakut, Kazaja e Shkupit Tetovës, Malit të Zi të sotëm, por edhe tërë Sanxhaku”, tha Jusuf Osmani, autor i librit.

    Libri vlerësohet se do t’iu shërbejë më së shumti studiuesve të historisë.

  • Ekzekutivi mburret me rritjen e pagave, ekonomistët: Paga mesatare nuk i mbulon shpenzimet

    Ekzekutivi mburret me rritjen e pagave, ekonomistët: Paga mesatare nuk i mbulon shpenzimet

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Paga mesatare mujore bruto në Kosovë, gjatë vitit 2023 ishte 570 euro, 49 euro më shumë sesa në vitin 2022.

    Ndërsa, krahasuar me vitin 2020 kur ajo ishte 466, deri në vitin 2023, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ajo për tri vite ka shënuar rritje për 104 euro.

    Me këto të dhëna është mburrur ministri Hekuran Murati, duke shtuar se të njëjtat demantojnë ata që kanë mohuar rritjen e pagave.

    Megjithatë, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se rritja e pagave nuk është në proporcion me ngritjen e çmimeve.

    “Në qoftë se e analizojmë nivelin apo fuqinë blerëse të këtyre pagave “të rritura”, krahasuar me vitin 2020, janë shumë më të ulëta sesa kanë qenë. Varësisht nga trendet ekonomike, inflacionin duke e përcjellë duhet të vendoset në rritje të pagës. Është shqetësuese që në Kosovë flitet për pagë mesatare e minimale, por askush nuk e kalkulon nevojën për një pagë të jetës ku dihet që shkencërisht e analizuar që për një familje katëranëtarëshe duhet një pagë 1140 euro”, tha Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë.

    “Ne kemi nevojë për ribalancim të pagës, sepse shpenzimet mbi të ardhurat nuk janë të barabarta dhe ne atëherë kemi jo rritje, por në keqrritje apo në një mosbalancim ekonomik, sepse çdo rritje goditet me pjesën e inflacionit, me shportën e konsumit”, tha Adem Qorrolli, njohës i ekonomisë.

    Brenda vitit 2022-2023, në sektorin publik janë ngritur pagat për 18 %, ndërsa në atë privat për vetëm 8,9 %.

    Ndërkaq, nga mbi 400 mijë të punësuar në Kosovë, vetëm mbi 80 mijë janë të punësuar në sektorin publik.

    “Në vend se ata të jenë të stimuluar dhe të motivuar, sot frytet e mundin e sektorit privat i shfrytëzon administrata dhe ndërmarrjet publike që çdo ditë e më tepër janë duke dështuar”, tha Gërxhaliu.

    “Rritja ekonomike nuk kalon 4% dhe kur inflacioni më 2023 është 16% dhe 2024 është duke u ribalancu me 3 deri 6% atëherë neve nuk na japin këto shifra sepse e dimë që sektori shtetëror udhëheq me 80 mijë të punësuar, kurse pjesa tjetër është e sektorit privat atëherë këtu matet mirëqenia”, tha Qorrolli.

    Megjithatë, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, është punuar edhe në ngadalësimin e rritjes së inflacionit, derisa ka publikuar një tabelë të TradingEconomics që Kosovën e ngre në shtetet me shkallën më të ulët të inflacionit në Evropë.

  • Gjykimi ndaj klerikëve shqiptarë

    Gjykimi ndaj klerikëve shqiptarë

    Përgatiti: Nora Luta

    Nga Shqipëria, Niko Bllazhde dhe Lejdi Zagalli erdhën të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Bllazhde, i njohur si atë Nikolla Xhufka, dhe Zagalli, që të dy klerikë fetarë, njëri nga Lushnja e tjetri nga Elbasani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për nxitje të përçarjes në bashkëkryerje.

    Sipas Prokurorisë, në nëntor të vitit të kaluar, ata hynë në një Kishë në Rakinicë të Podujevës dhe e shpallën atë kishë shqiptare.

    Objekti është në listën e monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës.

    Ndaj atë Xhukfës, që drejton Kishën e Shën Kozmait në Elbasan, rëndon edhe një tjetër vepër penale.

    Ai kishte publikuar video me thirrje se Kisha në fshatin e Podujevës i takon shqiptarëve.

    Por, që të dy në shqyrtimin fillestar i kanë mohuar akuzat.

    Aktakuza në këtë rast ishte ngritur në maj të këtij viti.

    Ndërkohë, Kisha Ortodokse e Shqipërisë ishte distancuar nga veprimet e Xhufkës, duke theksuar se ai nuk është prift i kësaj kishe.

  • Komunikimi në distancë, pushteti i përgjigjet opozitës për ushqimin në FSK

    Komunikimi në distancë, pushteti i përgjigjet opozitës për ushqimin në FSK

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Thirrjes për seancë nuk iu përgjigj, por një përgjigje për opozitën e dha.

    Përmes një konferencë për shtyp, pushteti e quajti propaganduese çështjen se ushtarët kanë mbetur pa bukë.

    Andaj kjo qe arsyeja që, sipas tij, nuk mori pjesë në seancë.

    “Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme nga partitë opozitare është vazhdimësi e një serie dezinformatash që synon tash e sa ditë ta keqinformojë qytetarin. Kjo po bëhet me qëllim për të dobësuar rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila në katër vitet e fundit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm”, tha deputeti i LV-së, Enver Dugolli.

    Situata aktuale thonë se nuk do të zgjasë edhe shumë, por zgjidhja do të jetë e përhershme.

    Me konceptin e vetëqëndrueshmërisë, thonë se do të largohen kompani që fituan miliona nga Ministria e Mbrojtjes.

    “Ministria e Mbrojtjes nuk i kanë dhënë kontratën kompanisë ‘Beni Dona’, kompani e cila për më shumë se 15 vite ka krijuar monopol në këtë ministri. Nga tenderët për ushqim vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, kjo kompani ka fituar me miliona e miliona euro. Koncepti i shërbimit vetushqimit për ushtrinë, koncepti i vetëqëndrueshmërisë pa tenderë do të vazhdojë të implementohet në periudhë afatgjate dhe më nuk do të ketë kthim prapa” , tha deputeti i LV-së, Mefail Bajqinovci.

    Ndërkaq, për letrën e komandantit të FSK-së Bashkim Jashari drejtuar Ministrisë, thonë se është brenda komunikimeve zyrtare dhe assesi brengosëse.

    Derisa pushteti e opozita sulmoheshin në distancë, Ministri i Mbrojtjes, së bashku me vartësit e tij, shijoi ushqimin që u servua sot brenda një kazerme ushtarake.

  • Pa pushtetin, opozita diskuton në Kuvend për ushqimin në FSK

    Pa pushtetin, opozita diskuton në Kuvend për ushqimin në FSK

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Deputetët opozitarë diskutuan vetëm me njëri-tjetrin rreth çështjes së ushqimit në FSK, pasi pushteti refuzoi të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur pikërisht për këtë.

    Madje, në mungesë të pushtetit, edhe seanca u udhëhoq nga nënkryetari Enver Hoxhaj që vjen nga Partia Demokratike.

    Sidoqoftë, foltoren e Kuvendit e shfrytëzuan për akuza ndaj ekzekutivit, që la ushtarët në këtë gjendje.

    Kjo s’do të guxonte të ndodhë, sipas kreut të AAK-së, nëse në krye të Qeverisë do të ishte vetë ai.

    Madje, sipas ish-kryeministrit Avdullah Hoti, ushtria për herë të parë po shënon rënie pas shumë vitesh.

    Veçse kjo sipas opozitës nuk është e para çështje që Qeveria dështoi.

    Andaj një tjetër deputete ka një mendim paksa interesat.

    Për ushqimin në Forcën e Sigurisë, folën pothuajse të gjithë deputetët opozitarë, teksa të gjithë janë të të njëjtit mendim se për këtë çështje, dikush duhet të japë llogari.

    Krahas opozitës, seancës së jashtëzakonshme iu përgjigjën edhe deputetët Haki Abazi, Eman Rrahmani e Fatmir Humolli, të tre të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

  • Procesi i Berlinit-Scholz kërkon dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi

    Procesi i Berlinit-Scholz kërkon dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe për Mobilitetin, si dhe miratimin e deklaratës për fqinjësi të mirë, ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Pasi theksoi se Bashkimi Evropian është i plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor brenda, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz vlerësoi se me këto ujdi rajoni po bën hapa të mëdhenj drejt integrimit.

    “Dua t’ju falënderoj për zhbllokimin e CEFTA-s. Kjo marrëveshje nuk është asgjë më pak sesa një hap i madh përpara në bashkëpunim rajonal. Dhe zhbllokimi i CEFTA-s lejon, tani lejon një mori marrëveshjesh të aktivizohen, për shembull: në punën e kalimeve kufitare, lejeve dhe rregullat tregtare rajonale. Kjo do të ndihmojë për thellimin e mëtejmë të Tregut të Përbashkët Rajonal. Do të doja të përshëndes Kosovën për kontributin në këtë sukses, duke vendosur që të hapë në mënyrë permanente një pikë kufitare për mallrat nga Serbia, javën e kaluar”, tha kancelari Olaf Scholz.

    Teksa negociatat i vlerësoi si të vështira, kancelari Scholz përmendi deklaratën e dakorduar dhe theksoi rëndësinë e, siç u shpreh ai, tejkalimit të së kaluarës dhe angazhimit për pajtim.

    “Kemi nevojë për një dinamikë të re në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kështu që dua t’u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina, ju lutem mos lejoni të kaluarën t’ju mbajë prapa në rrugën drejt një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Mbetem i bindur se e ardhmja është në BE dhe ka vetëm një rrugë që çon atje, mirëbesimi dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve që tashmë keni arritur”, tha Scholz.

    Në frymën e bashkëpunimit rajonal, në Berlin, kryeministri Albin Kurti njoftoi për lehtësimin e njëanshëm të lëvizjes me Bosnjë e Hercegovinën, përkundër se ky shtet nuk e njeh Kosovën.

    “Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në Parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Kurti.

    Me këtë rast, kryeministri kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

    Ndërsa, edhe në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, kancelari gjerman rëndësi të veçantë i kushtoi deklaratës së darkorduar për fqinjësi të mirë, si dhe zhbllokimit të CEFTA-s.

    Pasi tha se tani, për dallim nga dekada e kaluar, zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së, Von der Leyen theksoi rëndësinë e Planit 6 miliardësh të Rritjes si plotësim i Procesit të Berlinit, me qëllim përshpejtimin e integrimit të rajonit.

    “Me Planin e Rritjes, ne hapim derën ndaj sektorëve specifikë të Tregut Unik Evropian. Për të përdorur këtë hapje, Ballkani Perëndimor duhet të miratojë reforma relevante për të një fushë të nivelizuar të lojës dhe këto reforma mbështeten, si kthim, me investime evropiane në secilin shtet”, tha Von der Leyen.

    Të dy liderët evropianë theksuan se procesi i anëtarësimit do të jetë i bazuar në merita dhe se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund ta bllokojnë njëra-tjetrën.

  • Tetë nxënës të Kamenicës e provojnë sfidën e alivanosjes

    Tetë nxënës të Kamenicës e provojnë sfidën e alivanosjes

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    “Pass out challange”, është sfida e radhës në “Tiktok”, me të cilën nxënësit po sfidojnë njëri-tjetrin.

    Tetë nxënës të klasave të 8-ta e 9-ta, të shkollës fillore, “Avdullah Krashnica Presheva”, në fshatin Koretin të Kamenicës, u bënë pjesë e sfidës së alivanosjes të premten.

    Sipas organeve të rendit, nuk raportohet për asnjë të lënduar.

    Megjithatë, prindërit janë të shqetësuar.

    “E kam edhe çikën këtu, jam shumë i shqetësum për këtë rast”, tha Bekim Leci, prind.

    Për rastin u informua edhe Drejtoria e Arsimit. Drejtori, Afrim Dervishi, thotë se e kanë menduar një zgjidhje.

    “Kemi komuniku me drejtorët e shkollave, kemi kërku që me folë me nxënësit që të mos bien pre e këtij Tikoku. Kemi inicu për me ble një kuti që do të jetë me çelës e që fëmijët t’i lënë aty derisa janë në mësim”, tha drejtori i Arsimit, Afrim Dervishi.

    Politikat e rrjetit social TikTok, shpeshherë i largojnë nga aplikacioni videot e tilla, megjithatë sipas njohësve të fushës, ato nuk po fshihen me kohë.

    “Tiktoku ka politika që me i largu ato, po shpeshherë i largon masi të bëhen virale e të arrijnë efektin negativ. Aplikacioni nuk i largon ndonjëherë videot, pret që të raportohen nga përdoruesit, gjë që e shtyn edhe kohën e veprimit”, tha Halil Berisha, njohës i teknologjisë.

    Javën e kaluar, në komunën e Gjakovës, pikërisht nga një sfidë e nisur në “Tiktok”, u lënduan 19 vajza të moshave 12-14 vjeçe. Rastin prokuroria e cilësoi si shtytje në vetëvrasje.

  • “Vdekje e dyshimtë” në Pejë

    “Vdekje e dyshimtë” në Pejë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Një 65-vjeçar vdiq të hënën në rrethana të dyshimta në qendër të qytetit të Pejës.

    Trupi i të ndjerit u gjet nga disa kalimtarë rreth orës 7 e 25, të cilët njoftuan organet e rendit.

    Policia konstatoi se viktima është Enver Musa. Atë po e kërkonin familjarët që nga ora 4 e mëngjesit.

    Dyshohet se në atë kohë ai kishte dalë nga shtëpia pa lajmëruar familjarët, madje pa këpucë.

    Me rastin tashmë po merret Prokuroria Themelore e Pejës dhe rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”.

    “Menjëherë kemi dalë në vendngjarje, e kemi lokalizuar zonën për t’i parë rrethanat, ende nuk dihen shkaktarët…”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    Pas ekzaminimeve të nevojshme, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Viktima u bë e ditur nga familjarët e tij dhe është dërguar në IML për procedurat e mëtejme…”, tha Nikçi.

    Siç kupton ATV-ja, viktima kishte çrregullime mendore dhe në të kaluarën kishte pasur edhe probleme familjare.

  • ​Sofja do të presë ekspozitën më të madhe të makinave në Evropë në muajin tetor

    ​Sofja do të presë ekspozitën më të madhe të makinave në Evropë në muajin tetor

    Sofja do të presë ekspozitën më të madhe të makinave në Evropë në vitin 2024, tha kryetari i Bordit të Administrimit të Shoqatës së Prodhuesve të Makinave (ACM), Alexander Kostadinov në një konferencë shtypi në klubin kombëtar të shtypit të BTA në Sofje të hënën. Sofja Motor Show 2024 do të zhvillohet midis 18 dhe 27 tetorit në Inter Expo Centre.

    Forumi organizohet për herë të 26-të. Veprimtaria e këtij viti përfshin numrin më të madh të pjesëmarrësve dhe premierave ndonjëherë, shpjegoi Kostadinov. Vizitorët do të mund të shohin makina që tashmë janë në shitje si dhe disa që nuk do të dalin ende në treg. Makinat e ekspozuara përfaqësojnë drejtimin në të cilin lëvizshmëria në Evropë do të zhvillohet. “Vizioni është për lëvizshmëri të përballueshme dhe neutrale ndaj karbonit, për të përmirësuar mjedisin, jetën e të gjithëve dhe ekonominë e kontinentit. Sot fillon ekspozita e Parisit, por ajo në Sofje do të jetë më e madhja”, theksoi kryetari i Bordit Drejtues të ACM.

    Hapja zyrtare do të jetë të premten, më 19 tetor. Modele të reja, vetura të vjetra, si dhe autohoma koleksionistësh do të shfaqen. Do të ketë edhe një stendë të Policisë Kombëtare me pajisje të reja, kamera dhe mjete luksoze të forcave të rendit. Atje vizitorët do të mund të kontrollojnë nëse kanë ndonjë gjobë për të paguar.

    Para publikut do të prezantohen edhe pjesët e makinave, gomat dhe vajrat, si dhe stacionet e karikimit të automjeteve elektrike. Biletat për ngjarjen janë në dispozicion online dhe në hyrje./BTA/