Përgatiti: Driton Sadiku
Thirrjes për seancë nuk iu përgjigj, por një përgjigje për opozitën e dha.
Përmes një konferencë për shtyp, pushteti e quajti propaganduese çështjen se ushtarët kanë mbetur pa bukë.
Andaj kjo qe arsyeja që, sipas tij, nuk mori pjesë në seancë.
“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme nga partitë opozitare është vazhdimësi e një serie dezinformatash që synon tash e sa ditë ta keqinformojë qytetarin. Kjo po bëhet me qëllim për të dobësuar rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila në katër vitet e fundit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm”, tha deputeti i LV-së, Enver Dugolli.
Situata aktuale thonë se nuk do të zgjasë edhe shumë, por zgjidhja do të jetë e përhershme.
Me konceptin e vetëqëndrueshmërisë, thonë se do të largohen kompani që fituan miliona nga Ministria e Mbrojtjes.
“Ministria e Mbrojtjes nuk i kanë dhënë kontratën kompanisë ‘Beni Dona’, kompani e cila për më shumë se 15 vite ka krijuar monopol në këtë ministri. Nga tenderët për ushqim vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, kjo kompani ka fituar me miliona e miliona euro. Koncepti i shërbimit vetushqimit për ushtrinë, koncepti i vetëqëndrueshmërisë pa tenderë do të vazhdojë të implementohet në periudhë afatgjate dhe më nuk do të ketë kthim prapa” , tha deputeti i LV-së, Mefail Bajqinovci.
Ndërkaq, për letrën e komandantit të FSK-së Bashkim Jashari drejtuar Ministrisë, thonë se është brenda komunikimeve zyrtare dhe assesi brengosëse.
Derisa pushteti e opozita sulmoheshin në distancë, Ministri i Mbrojtjes, së bashku me vartësit e tij, shijoi ushqimin që u servua sot brenda një kazerme ushtarake.

Leave a Reply