ATV

Author: ATVLive

  • NASA, tre milion dollarë për atë që zgjidh këtë problem në Hënë

    NASA, tre milion dollarë për atë që zgjidh këtë problem në Hënë

    NASA nisi një konkurs të ri me një fond total çmimesh prej tre milion dollarë, duke kërkuar ide inovative për të zgjidhur një problem të vjetër – menaxhimin e mbetjeve gjatë eksplorimit të Hënës dhe Marsit.

    Kjo sfidë vjen ndërsa njerëzit edhe një herë përgatiten për qëndrime më të gjata në Hënë dhe, në të ardhmen, në Mars, ku menaxhimi i mbetjeve do të bëhet një aspekt kyç i misioneve të qëndrueshme.

    Që nga misionet Apollo, në sipërfaqen hënore kanë mbetur më shumë se rovers robotikë dhe pajisje shkencore. Ndër të tjera janë 96 thasë me jashtëqitje njerëzore. Gjatë misioneve, astronautët përdorën kontejnerë me urinë, ndërsa qeset me jashtëqitjen i mbanin me vete për të ulur peshën kur ktheheshin në Tokë, duke i lënë në Hënë. Fotoja e parë që Neil Armstrong bëri në hënë, madje paraqiste një nga ato qese.

    Dhe ndërsa misionet robotike nuk gjenerojnë shumë mbeturina përtej komponentëve të tyre, njerëzit prodhojnë sasi të konsiderueshme mbeturinash, jo vetëm në formën e mbetjeve biologjike si urina dhe feçe, por edhe instrumente shkencore të hedhura, ushqim, paketim dhe veshje.

    Ndërsa NASA planifikon të zgjasë qëndrimin e saj në Hënë, akumulimi i mbeturinave të tilla mund të bëhet një problem i madh. Është për këtë arsye që agjencia lançoi LunaRecycle Challenge, me shpresën për të gjetur teknologji që mund të riciklojnë mbetjet dhe t’i kthejnë ato në produkte të dobishme.

    Amy Kaminski, drejtore ekzekutive e programit të Çmimeve, Sfidave dhe Crowdsourcing të NASA-s, tha: “Zhvillimi i qëndrueshëm është kritik që NASA të vazhdojë eksplorimin dhe zbulimin, si në Tokë ashtu edhe më gjerë. Me këtë sfidë, ne po kërkojmë qasje inovative për menaxhimin e mbetjeve në Hënë, me synimin për të zbatuar njohuritë e marra në Tokë, për të mirën e të gjithëve.”

    Ndërsa njerëzimi përgatitet për hapa të rinj në eksplorimin e hapësirës, ​​menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve, duke përfshirë mbetjet, po bëhet një komponent kyç i misioneve të suksesshme. Me konkurse si LunaRecycle, NASA përpiqet të gjejë mënyra inovative që jo vetëm do të mundësojnë një qëndrim më të gjatë në hapësirë, por edhe do të ndihmojnë në ruajtjen e planetit tonë. /tesheshi.com/

  • Analiza e Këshillit Gjerman për Punë të Jashtme: Si mund ta trondisin Ballkanin Perëndimor zgjedhjet në Amerikë?

    Analiza e Këshillit Gjerman për Punë të Jashtme: Si mund ta trondisin Ballkanin Perëndimor zgjedhjet në Amerikë?

    Studiuesit e Këshillit Gjerman për Punë të Jashtme – DGAP, kanë thënë se pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet në Amerikë, roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor do të reduktohet.

    Sipas autorëve të kësaj analize, Millan Niq dhe Frauke Seebass, Ballkani Perëndimor, me konfliktet e tij të pazgjidhura dhe integrimin e ngecur, do të ketë nevojë për një angazhim më serioz dhe strategjik nga BE-ja dhe Gjermania, pavarësisht emrit të ri në krye të Shtëpisë së Bardhë, njofton Klankosova.tv.

    Në këtë analizë, autorët thonë se nën presidencën e parë të Donald Trumpit, politika e Shteteve të Bashkuar për Ballkanin Perëndimor mori një kthesë më të njëanshme. Ata përmendin Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, për të cilën thonë se vetëm një pjesë e vogël e saj u zbatua.

    Sipas këtij studimi, “veprime të tilla të pakoordinuara nga administrata Trump shërbyen si një thirrje zgjimi për BE-në dhe e ndihmuan atë të ringjallë rolin e saj ndërmjetësues në dialogun Kosovë – Serbi”,

    Më tej, Niq dhe Seebass, thonë se në rast të një fitoreje të Trumpit, angazhimi i Uashingtonit në një nivel të lartë do të ishte “shumë më selektiv dhe transaksional, gjë që do t’i konvenonte liderëve joliberalë të Ballkanit”.

    “Brenda rajonit, do të forconte pozitat dominuese rajonale të Serbisë dhe Shqipërisë në kurriz të fqinjëve të tyre më të vegjël si Mali i Zi dhe Kosova, duke rritur rreziqet e sigurisë dhe tensionet rajonale. Një rrezik edhe më i madh për sigurinë e Ballkanit do të vinte nga gërryerja e besueshmërisë së NATO-s dhe kërcënimi i tërheqjes së trupave amerikane nga KFOR-i. Kjo jo vetëm që do të dobësonte marrëdhëniet transatlantike, por gjithashtu do të sfidonte rrënjësisht strategjinë e BE-së për përdorimin e fondeve të reja dhe kushtëzimit për të integruar gradualisht shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

    Ndërsa, për sa i përket mundësisë që kandidatja demokrate, Kamala Harris, të vinte në krye të Shtëpisë së Bardhë, autorët e analizës thonë se në këtë situatë, Uashingtoni do të ishte më pak tolerant ndaj qasjes së vazhdueshme balancuese të Beogradit me Rusinë e Kinën, teksa do ta rriste presionin mbi të gjitha vendet e Ballkanit për t’i reduktuar lidhjet ekonomike me Pekinin.

    “Udhëtimi i fundit i drejtorit të CIA-s, William Burns në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë është një tregues i qartë se Uashingtoni po mban një sy të mprehtë në lëvizjet destabilizuese, siç është fushata secesioniste e Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë ose tentativa për kontrabandë me armë nga serbët vendas etnikë dhe grupet e krimit të organizuar në Kosovë që rezultoi me një shkëmbim zjarri vdekjeprurëse me forcat e policisë në Banjskë. Burns thuhet se dha gjithashtu një paralajmërim të ashpër kundër lëvizjeve të njëanshme të qeverisë së Albin Kurtit të Kosovës që mund të përshkallëzojnë tensionet me komunitetet etnike serbe në veri të Kosovës”.

    “Kjo strategji e balancimit diplomatik dhe kontrolleve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor mund të vazhdojë nëse demokratët mbajnë Shtëpinë e Bardhë, por rajoni me siguri do të ketë më pak vëmendje politike në nivelet e larta. Kjo mund të varet nga këshilltari afatgjatë i Harris për sigurinë kombëtare, Philip Gordon, i cili ka ekspertizë të gjerë në politikën evropiane. Bazuar në punën e tij të mëparshme, Gordon ndoshta do të kërkonte të vendoste një qasje të kujdesshme ndaj rajonit”, thuhet në analizë, transmeton Klankosova.tv.

    Autorët më tej thonë se në parim, administrata Harris do t’ia delegonte çështjen e Ballkanit Perëndimor Departamentit të Shtetit, ku në krye për rajonin është Zëvendës Ndihmës Sekretari për Evropës, Alexander Kasanof, i cili aktivitetet e tij i koordinon me aleatët kryesorë evropianë nërpëmjet Quint-it, njofton Klankosova.tv.

    Niq dhe Seebass vlerësojnë gjithashtu se periudha e kalimit në administratën e re amerikane dhe Komisionin e ri Evropian i ofron Gjermanisë mundësi të mirë për të dërguar sinjal të fortë mbështetjeje për Ballkanin Perëndimor në mënyra të ndryshme.

    Ndër mënyrat që vjen si propzim nga dyshja janë ndërtimi i shtyllës evropiane të NATO-s dhe forcimi i misioneve të saj në rajon, ruajtja e aspiratës politike për zgjerimin e BE-së, ndërtimi mbi arritjet brenda Procesit të Berlinit, krijimi i një ure ndërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkani Perëndimor dhe Tregu i Vetëm i BE-së, në kërkim të mënyrave dhe formateve të reja për koordinim më të ngushtë me Britaninë e Madhe, e cila ka kërkuar të forcojë rolin në rajon që nga kthimi i laburistëve në pushtet.

  • ​Batatina: Po t’i besohej më herët lojtarëve të Superligës, do ishim kualifikuar në Evropian

    ​Batatina: Po t’i besohej më herët lojtarëve të Superligës, do ishim kualifikuar në Evropian

    Trajneri i Llapit Tahir Batatina është shprehur i bindur se po të kishin pasur lojtarët e Superligës së Kosovës besimin e trajnerëve të kombëtares, ata do të ishin vendimtar që Kosova të ishte pjesë e Kampionatit Evropian apo edhe Botëror.

    Në ndeshjen ndaj Qipros ishin tetë lojtarë që kanë dal nga Superliga në formacionin startues të Kosovës, lajm ky që Batatina e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë.

    Batatina: Po t’i besohej lojtarëve të Superligës mund të ishim kualifikuar në Evropian

    “Mendoj që është dashur më herët të veprohet kështu dhe komplimente për selektorin që është tani për shkak se i ka besuar lojtarëve të Superligës, lojtarë që kanë dal nga liga jonë dhe shumë shpejtë janë inkuadruar te kombëtarja. Po të kishte ndodhur ndoshta më herët ishim kualifikuar në Evropian që patëm edhe në Botëror. Mendoj që neglizhenca dhe mos respektimi i Superligës së Kosovës ka ndikuar që ne të mos kualifikohemi në asnjë prej kampionateve botërore dhe evropiane”, ka deklaruar Batatina.

    Më tutje, trajneri i Llapit ka thënë se është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura nga “Dardanët” në ndeshjet e fundit, por ka kërkuar që të synohen edhe dy fitore në muajin nëntor.

    “Besoj që kemi bërë paraqitje të mirë, dy ndeshje, dy fitore. Kemi mundësi edne që të përmirësohet kombëtarja jonë, shpresoj që të përmirësohet duke e ditur që trajneri tani e ka mundësinë t’i njoh për së afërmi lojtarët për cilësitë, kualitetin, çfarë duhet të ndryshojë. Normal që jemi shumë të kënaqur kur kombëtarja jonë ka arritur dy fitore dhe pse jo ta presim muajin nëntor dhe ta arrijmë objektivin dhe t’i marrim edhe dy fitore të radhës dhe të kualifikohemi më tutje duke e ditur që Kosova ka potencial, ka një skuadër shumë të fortë dhe mendoj se është gjynah nëse na ikën edhe ky kualifikim dhe të mos jemi aty ku e meritojmë sepse kemi lojtarë shumë cilësorë”, theksoi Batatina.

    Rrugëtimin në Ligën e Kombeve, Kosova e mbyll me ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Lituanisë që zhvillohen më 15 dhe 18 nëntor.

  • ​IKD e sheh shqetësuese bojkotin e pozitës në seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita

    ​IKD e sheh shqetësuese bojkotin e pozitës në seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita

    Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka reaguar ndaj seancave të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita dhe mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës.

    Sipas IKD-së, opozita parlamentare në Kuvendin e Kosovës ka thirrur tre seanca të jashtëzakonshme për tema me interes publik si për qytetarët dhe për funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Derisa sipas tyre bojkoti i opozitës përbën shkelje të besimit të qytetarëve.

    “Seancat janë thirrur çështjet:1. Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, znj. Mimoza Kusari – Lila, me Milan Radojiçiç;2. Debat Parlamentar për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës;3. Debat Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftim.

    Përkundër interesit publik për debat parlamentar për çështjet e lartëpërmendura, sipas IKD-së shumica parlamentare, e përfaqësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka refuzuar të marrë pjesë në seancat e jashtëzakonshme, pa asnjë arsyetim legjitim dhe të besueshëm.

    “Ky bojkot përbën një shkelje të besimit të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive si deputet të Kuvendit të Kosovës dhe si partia më e madhe parlamentare. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim të thellë për këtë situatë dhe kërkon nga LVV të largohet nga rruga e bojkotit kundërkushtetues. Kjo praktikë dhe qasje e LVV është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Republikës se Kosovës. IKD konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik, deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimin e çështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit por edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

    Tutje në komunikatë thuhet se deputeti ka detyrimin të respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjin.

    “Nga Kushtetuta dhe ligji deputeti vepron në përputhje me besimin që i është dhënë nga qytetarët. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm ndaj tyre dhe t’i mbrojë interesat e tyre, duke u angazhuar për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse. Pavarësisht përkatësisë partiake deputetet duhet të ruajnë dhe promovojnë vlerat bazë të garantuara më Kushtetutën e Kosovës. Deputetët duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe qeverisjes se mirë. Bojkotimi i deputetëve për çështje ku kërkohet llogaridhënie dhe rezultate ndaj fenomeneve të korrupsionit qeveritar, ruajtjen e integritetit të institucioneve publike dhe sqarimit të situatave ku deputetë të Kuvendit të Kosovës komunikojnë me persona në kërkim ndërkombëtar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, ulin besimin e publikut në vullnetin politik për shtet ligjor dhe luftim te korrupsionit. Kjo qasje padyshim se pengon rrugën integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Po ashtu, IKD shpreh shqetësim për mungesën e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme”, thuhet në komunikatë.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi bën thirrje që të gjitha partitë politike, pa dallim, të përmbushin detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme dhe obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe vlerave demokratike që Republika e Kosovës i ka marr përsipër në rrugën e saj drejtë integrimit evropian.

  • Policia shqiptoi 2 mijë e 601 gjoba vetëm gjatë 24-orëve të fundit

    Policia shqiptoi 2 mijë e 601 gjoba vetëm gjatë 24-orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se brenda 24 orëve janë shqiptuar 2 mijë e 601 gjoba.

    Sipas policisë brenda kësaj periudhe kanë ndodhur 21 aksidente trafiku me të lënduar dhe 40 aksidente trafiku me dëme materiale.

    Poashtu policia ka arrestuar 14 persona për 24 orë dhe 9 persona janë dërguar në mbajtje.

  • Haradinaj: Kaidanow ishte një mike e madhe e Kosovës dhe një diplomate e jashtëzakonshme

    Haradinaj: Kaidanow ishte një mike e madhe e Kosovës dhe një diplomate e jashtëzakonshme

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e Tina Kaidanow, ambasadores së parë të SHBA-së në Kosovë.

    Haradinaj tha se Kaidanow, ishte një mike e madhe e Kosovës dhe një diplomate e jashtëzakonshme.

    Ai ka shkruar se shërbimi i saj si ambasadorja e parë e ShBA-së në Kosovën e pavarur dhe kontributi i saj për Kosovën do të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë.

    “Ajo luajti rol të fuqishëm në procesin e pavarësimit të Kosovës, si Shefe e misionit të zyrës amerikane. Shërbimi i saj si Ambasadorja e parë e ShBA-së në Kosovën e pavarur dhe kontributi i saj për vendin tonë do të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

    Derisa, kryetari i AAK-së tha se Tina ishte një grua e fortë, mbështetëse e paepur e lirisë dhe demokracisë së Kosovës.

  • Fergusonit i kërkohet që të qëndrojë larg dhomave të zhveshjes te Unitedi

    Fergusonit i kërkohet që të qëndrojë larg dhomave të zhveshjes te Unitedi

    Ish-trajnerit legjendar të Manchester Unitedit, Sir Alex Fergusonit dhe bordit të futbollit i është kërkuar që të qëndrojnë larg dhomave të zhveshjes në “Old Trafford”.

    Siç shkruan gazetari sportiv, Fabrizio Romano, duke e cituar “Daily Mail”, kërkesa është bërë shumë e qartë në drejtim të palëve.

    Trajneri skocez, Ferguson, është legjendë e klubit, teksa të njëjtit, pronarët e mëhershëm i kanë dhënë privilegj të jashtëzakonshëm, duke i lejuar qasje në të gjitha hyrjet e stadiumit.

  • Samiti i BE: Një temë delikate e sërish një bllokadë

    Samiti i BE: Një temë delikate e sërish një bllokadë

    Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së kërkojnë të enjten një emërues të përbashkët për grindjen mbi migracionin në Bruksel. Kievit i premtohet ndihmë e mëtejshme, kundër rezistencës së Hungarisë.

    Praktikisht në çdo samit të muajve të fundit, 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së kanë diskutuar për kufizimin e imigracionit dhe kthimin e azilkërkuesve të refuzuar. Kjo temë është në fokus edhe në takimin e së enjtes (17.10.) në Bruksel. As pakti i BE-së për azilin, i cili u miratua gjashtë muaj më parë, ende nuk i ka dhënë fund debatit. Duke pasur parasysh numrin në rritje të refugjatëve dhe rritjen e partive populiste të krahut të djathtë, shumë qeveri po bëjnë thirrje që të merren masa më shpejt ose veprime që shkojnë përtej rregulloreve të dakorduara. Disa anëtare të BE as nuk duan t’i përdorin këto rregulla të BE.

    Qëndrime të ndryshme

    Polonia psh. dëshiron të pezullojë përkohësisht të drejtën e azilit duke marrë shkak nga qëndrimi i Bjellorusisë dhe Rusisë, të cilat, sipas Varshavës, po kontrabandojnë në mënyrë të qëllimshme emigrantët në vend. Finlanda mbylli kufijtë e saj për emigrantët nga Rusia në korrik. Qeveria holandeze e ekstremit të djathtë ka kërkuar të tërhiqet tërësisht nga rregullat e BE-së për azilin. Hungaria po kërkon gjithashtu një të ashtuquajtur opt-out në Bruksel.

    Pas sulmit islamik me thikë në Solingen disa javë më parë, qeveria gjermane vendosi kontrolle në kufijtë me fqinjët e saj të BE-së, disa prej të cilëve e kritikuan fqinjin. Berlini po ushtron presion edhe mbi Italinë dhe Greqinë për të rikthyer njerëzit që fillimisht hynë në BE atje, por më pas u zhvendosën në Gjermani.

    Rregulla më të ashpra dëbimi

    Ka shumë ndryshime aktualisht në politikën e migracionit të BE-së, por jo gjithmonë synohet një drejtim i përbashkët. Ujdia po shfaqet në kërkesën për rregulla më të rrepta të dëbimit. Shumica e vendeve anëtare, përfshirë Gjermaninë, po i bëjnë thirrje Komisionit të BE-së që të ushtrojë më shumë presion mbi qeveritë që nuk duan të marrin përsëri bashkatdhetarët e tyre.

    Ndërkohë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar me një letër drejtuar 27 shteteve të BE-së. Ajo shprehet për një kuadër të ri ligjor për të përmirësuar aftësinë e BE-së për të vepruar. Vetëm rreth një e pesta e shtetasve të vendeve të treta, të cilëve iu kërkua të largoheshin nga vendi janë kthyer. Von der Leyen mbron përafrimin e procedurave të shteteve anëtare në mënyrë që migrantët pa të drejtë qëndrimi të mos mund të shfrytëzojnë boshllëqet në sistem.

    Italia si model?

    Sipas presidentes së Komisionit Evropian, vendet e BE duhet të mendojnë për ngritjen e qendrave të kthimit jashtë BE-së. Ajo i referohet bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë, ku do të përpunohen kërkesat për azil nga emigrantët që u kapën nga autoritetet italiane në Mesdhe në dy qendra pritjeje. Edhe “Modeli i Ruandës” po diskutohet, i cili nënkupton zhvendosjen e procedurave të azilit në Afrikë. Si mund të funksionojë kjo në praktikë dhe mbi çfarë baze ligjore mbetet e paqartë. Por shtete partnere për këtë model nuk janë shfaqur ende.

    Ndihma për Ukrainën pavarësisht bllokadës së Hungarisë

    Në samitin e BE-së këtë të enjte diskutohen gjithashtu pasojat e luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelenskyj do të prezantojë “planin e tij të fitores” në Bruksel. Ai mund të marrë me vete premtimin e një kredie prej 35 miliardë eurosh që BE vendosi javën e kaluar – ky është kontributi evropian në paketën e ndihmës së vendeve të G7-s, e cila arrin në 45 miliardë euro.

    Kredia do të paguhet me të ardhura interesi nga pasuritë e ngrira të Bankës Qendrore Ruse. Megjithatë, Hungaria është kundër një zgjidhjeje që do të siguronte përdorim afatgjatë dhe të sigurt të fitimeve nga interesi dhe në këtë mënyrë po bllokon një pjesëmarrje të SHBA. Pasi Uashingtoni dëshiron të sigurojë që fondet ruse të destinuara për të shlyer kreditë të mbeten në fakt të ngrira dhe po i bën thirrje BE-së ta ndërpresë zgjatjen e sanksioneve ndaj Rusisë çdo gjashtë muaj, por ta zgjasë këtë periudhë në tre vjet.

    Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme

    Një vit pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, samiti i BE trajton të enjten edhe përkeqësimin e situatës në Lindjen e Mesme. BE-ja ka vështirësi për të gjetur një pozicion të unifikuar në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme. Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, theksojnë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, ndërsa të tjera, si Spanja dhe Irlanda, vënë theksin më të madh tek kriza humanitare e popullatës civile palestineze në Rripin e Gazës.

  • ShBA-ja nis sulme ajrore me bombarduesit B-2 kundër Houthive të Jemenit

    ShBA-ja nis sulme ajrore me bombarduesit B-2 kundër Houthive të Jemenit

    Në një lëvizje të rrallë, bombarduesit me rreze të gjatë B-2 u përdorën kundër Houthive, të cilët kanë sulmuar anijet në korridorin e Detit të Kuq prej muajsh.

    Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë dëmi shkaktuan sulmet, por mediat lokale raportuan të goditura janë vendet rreth kryeqytetit të Jemenit, Sanaa, të cilin grupi e ka mbajtur që nga viti 2014.

    U raportuan gjithashtu sulme rreth bastionit të Houthive në Saada.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se bombarduesit B-2 kishin në shënjestër “pesë lokacione nëntokësore të ruajtjes së armëve në zonat e kontrolluara nga Houthit e Jemenit”, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

    “Ky ishte një demonstrim unik i aftësisë së SHBA-së për të shënjestruar objektet që kundërshtarët tanë kërkojnë t’i mbajnë jashtë mundësive, pavarësisht se sa thellë janë varrosur nën tokë, të ngurtësuara apo të fortifikuara”, tha Austin.

    Siç raporton Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, vlerësimet e dëmeve janë duke u zhvilluar dhe nuk tregojnë viktima civile.

    Ndryshe, Houthit kanë shënjestruar më shumë se 80 anije tregtare me raketa dhe dronë në Detin e Kuq që nga fillimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar.

    Houthit pohojnë se ata synojnë anijet e lidhura me Izraelin, SHBA-në ose Mbretërinë e Bashkuar në një përpjekje për t’i dhënë fund fushatës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza.

    Megjithatë, shumë nga anijet e sulmuara kanë pak lidhje me konfliktin, duke përfshirë disa të destinuara për në Iran.

    Houthit gjithashtu vazhdojnë të lëshojnë raketa që synojnë Izraelin dhe kanë rrëzuar gjithashtu një numër të dronëve ushtarakë amerikanë.

    Rebelët kërcënuan me sulme të reja pas pushtimit tokësor të Libanit nga Izraeli dhe vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

  • ​Përcaktohen çiftet e raundit 1/16 të Kupës së Shqipërisë

    ​Përcaktohen çiftet e raundit 1/16 të Kupës së Shqipërisë

    Kanë përfunduar ndeshjet e fazës 1/32 të Kupës së Shqipërisë. Në këtë raund merrnin pjesë 2 ekipet e renditura në vendin e 9-të dhe të 10-të të “Abissnet Superiore” në Sezonin 2023-2024 si dhe 12 ekipet pjesëmarrëse në kampionatin e Kategorisë së Parë në Sezonin 2023-2024, 16 ekipet e renditura në tetë vendet e para të Kategorisë së Dytë të grupeve A dhe B në sezonin 2023-2024, si dhe dy ekipet e kualifikuara nga turi para-eleminator.

    Nga kjo fazë u kualifikuan më tej AF Elbasani, Apolonia, Besa, Burreli, Bylis, Erezeni, Flamurtari, Kastrioti, Valbona, Korabi, Kukësi, Oriku, Luzi 2008, Pogradeci, Iliria dhe Vora. Gjithashtu, janë përcaktuar takimet e fazës 1/16: Erzeni-Valbona, AF Elbasani-Iliria, Flamurtari-Besa, Apolonia-Burreli, Kukësi-Pogradeci, Bylis-Luzi i Vogël 2008, Vora-Oriku dhe Korabi-Kastrioti.

    Më poshtë rezultatet e ndeshjeve të fazës 1/32 të Kupës së Shqipërisë dhe çiftet e fazës 1/16-të.

    Kupa e Shqipërisë – Faza 1/32

    Erzeni-Naftëtari 1-0

    Valbona-Besëlidhja 1-0

    AF Elbasani-Turbina 4-0

    Tomori-Iliria 1-2

    Flamurtari-Devolli 15-1

    Besa-Tërbuni 4-3

    Apolonia-Këlcyra 3-0

    Burreli-Sopoti 4-0

    Kukësi-Albanët 6-0

    Pogradeci-AF Luftëtari 2-0

    Bylis-Adriatiku 2012 5-1

    Luz i Vogël 2008-Shkumbini 5-0

    FK Vora-Gramshi 6-1

    Lushnja-Oriku 0-1

    Korabi-Veleçiku 5-2

    Kastrioti-Butrinti

    3-1

    Kupa e Shqipërisë – Faza 1/16

    Erzeni-Valbona

    Elbasani-Iliria

    Flamurtari-Besa

    Apolonia-Burreli

    Kukësi-Pogradeci

    Bylis-Luzi i Vogël 2008

    Vora-Oriku

    Korabi-Kastrioti