ATV

Author: ATVLive

  • Rreth një mijë rosa u vodhën në Miradi të Epërme

    Rreth një mijë rosa u vodhën në Miradi të Epërme

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Shëtitjen nëpër fermë e pati të zakonshme, por numrin e rosave nuk e pati të njëjtin si një ditë më parë.

    Ramadan Slivovës, në fërmën ku punon që 3 vite, në fshatin Miradi e Epërme, të komunës së Fushë Kosovës, iu vodhën një mijë rosa.

    Ai dyshon se shpezët, u nxorën nga ky qosh i rrethojës, të cilin as kamerat e sigurisë nuk e regjistruan, për shkak të errësirës.

    “Dje si kam ardh e kom pa që dy shota ishin jashtë, kur e pash teli i dëmtum, kur po hi po e shoh një mungesë të madhe, e kom thirr policinë. Afër 100 copa. Dëmi rreth 15 mijë euro. Vetëm në mengjes e mbrëmje jemi këtu I kemi kamerat po s’u dok atje terr”, tha Ramadan Slivova, punëtor në fermën e patave.

    Slivova, thotë se më lehtë do e përballonte po t’i kishte gjetë të ngordhura.

    “Ndryshe kur ti mbyt s’muja, e ndryshe me t’i marrë dikush, po ishalla policia po i gjen e mirret me ta”, tha Slivova.

    Ferma nuk ruhet nga askush dhe nuk ka afër as shtëpi banimi.

    Derisa thotë se nuk ndjehet mirë për atë që ndodhi, Ruzhdi Gjyrevci banor i këtij fshati, thotë se vjedhjet nuk janë të zakonshme aty.

    “Shumë keq që i paska ndodh, me tregun kur erdha në punë por ksi raste s’ka pas kurrë në këtë fshat”, tha Gjyrevci.
    Nga

  • Verfikimi për shtesat e fëmijëve do të bëhet në postën e Kosovës

    Verfikimi për shtesat e fëmijëve do të bëhet në postën e Kosovës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Të enjten u bënë fiks një muaj, prej kur Ministria e Financave nisi verifikimin shtesë për disa llogari të prindërve, që përfitojnë shtesa për fëmijët, për të kuptuar nëse jetojnë në Kosovë.

    Megjithatë nga kjo ministri nuk treguan se sa është numri i llogarive që dyshohet se keqpërdorët me shtesat për fëmijët.

    Në Qendrën për Punë Sociale në Fushë Kosovë, mbi 140 prind i kanë dorëzuar dëshmimit e kërkuara nga ministria e Financave.

    Sipas drejtorit të kësaj qendre, procesi i verifikimit nuk ishte fare i lehtë për shkak të kushteve në qendrat për punë sociale.

    Për këtë shkak që nga e hëna e 21 nëntorit, prindërit që ftohen nga Ministria e Financave, dokumente e nevojshme duhet t’i dërgojnë në Postën e Kosovës.

    “Ministria e Financave ka bërë marrëveshje me postën edhe nga e hëna prindërit duhet të shkojnë atje t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme…”, tha drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë, Abaz Gjigolli.

    Verifikimi mund të zgjasë deri në një afat të papërcaktuar.

    Megjithatë ekonomistët nuk presin që procesi të përmbyllet brenda një kohe të shkurtër, kryesisht për shkaqe elektorale.

    “Ministria e Financave aktualisht bënë vetëm kalkulimin e votave sigurisht që pres që të zbatohet një gjë e tillë, këtë më shumë Ministria e Financave e bënë për frikësim..”, tha Bashkimi Mustafa, ekonomist.

    Për shkak të dyshimeve për keqpërdorime me shtesat e fëmijëve, Ministria e Financave kërkoi dokumente shtesë të llogarive të prindërve.

    Kësisoj për fëmijët nga 0 deri në 5 vjet ju kërkohej të dorëzojnë dëshminë e vaksinave, ndërkaq nga 6 deri në 16 vjet iu kërkua dëshmia nga shkolla.

  • “Do të jetë një surprizë shumë e bukur”, Danja Marashaj zbulon projektin e saj të ri filmik

    “Do të jetë një surprizë shumë e bukur”, Danja Marashaj zbulon projektin e saj të ri filmik

    Modelja nga Shkodra, Danja Marashaj, ishte e ftuar në emisionin STUDIO A në ATV.

    Në këtë emision ajo tregoi se tani është duke punuar një projekt filmik, në të cilin do të jetë pjesë në këndvështrimin e aktores.

    “Është një film shumë, shumë i bukur. Del pak më vonë, por që ka me qenë një surprizë shumë e bukur”, tregon Marashaj.

  • Dosja e Prokurorisë: I akuzuari i dha Afrim Muçiqit borxh me fajde në shumën 70 mijë euro

    Dosja e Prokurorisë: I akuzuari i dha Afrim Muçiqit borxh me fajde në shumën 70 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, më 31 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Erdin Rekës, i cili akuzohet se i ka dhënë para me fajde këngëtarit Afrim Muçiqi në shumën totale prej 70 mijë euro.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Erdin Reka akuzohet se nga fundi i vitit 2012 deri nga gjysma e vitit 2013, i cili në atë kohë ishte shok i të dëmtuarit Afrim Muçiqi, duke shfrytëzuar në atë periudhë gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, fillimisht i jep para borxh me fajde, në disa raste, i cili borxh/fajde arrin shumën prej 70 mijë euro.

    Në aktakuzë thuhet se duke shfrytëzuar edhe besimin e madh që i dëmtuari kishte ndaj të akuzuarit, ky i fundit përpiloi Kontratë fiktive mbi huanë kinse e lidhur më 15 mars 2012 mes Rekës si huadhënës dhe në anën tjetër Afrim Muçiqi dhe djali i tij, A.M., si huamarrës.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të vonesës për kthimin e borxhit/fajdesë në shumën e lartcekur, nga fillim i vitit 2013 në vazhdimësi, e ngarkon me kamatë mujore 30 %, kështu që i dëmtuari Afrim detyrohet që në vitin 2013 të shes shtëpinë për të paguar kamatën, e cila kamatë paguhet deri në fund të vitit 2014.

    Kështu, aktakuza thotë se i akuzuari Reka ka realizuar dobi pasurore në shumën prej 512 mijë euro dhe kur i dëmtuari Afrim e kupton se është duke pësuar financiarisht dhe i akuzuari nuk ndalet së kërkuari fajde duke shpikur shuma të tjera, refuzon të paguajë shumën e mëtejshme të fajdesë ndaj Rekës.

    Me këtë, Erdin Reka akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, paragrafi 3 të Kodit Penal.

    Prokuroria ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari të shpallet fajtor për veprën që i vihet në barrë dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe të ngarkohet me shpenzimet e procedurës.

    Çka kishte deklaruar i dëmtuari Afrim Muçiqi në Prokurori e Polici?

    Në deklaratën e dhënë më 31 maj 2024 në Prokurori, thuhet se Muçiqi ka deklaruar se e ndien veten shumë të dëmtuar jo vetëm për shkak të të hollave por edhe për shkak të prishjes së imazhit. Kurse, në deklaratën e dhënë më 9 qershor 2022, kishte thënë se të akuzuarin e kishte shok.

    “Ashtu siç e kam cek në deklaratën e datës 09.11.2018, Erdinin e kam takuar ne vitin 2009-2010, e kam shok, ne mesin – fundin e vitit 2012 fillimisht ia kam kërkuar 10,000€, pastaj kam vazhduar ne fillim te vitit 2013, 10,000€ te tjera, kah fundi i vitit 2013 ka arrit shifrën 70,000€ për të cilat kam paguar kamatë 21,000€ ne muaj”, citohet të ketë deklaruar Muçiqi.

    Ai kishte thënë se paratë me fajde ka filluar t’i marrë në fund të 2012-ës e në fillim të 2013-ës. Tha se rastin nuk e kishte paraqitur më herët për shkak të gjendjes emocionale dhe profesionit, dhe se e kishte konsideruar shok tani të akuzuarin.

    Gjithashtu, thuhet se Muçiqi kishte deklaruar që i akuzuari ia kishte shtuar 20 mijë euro kinse i ka marrë e për to kishte paguar 30% fajde dhe po ashtu nga gjykata ishte njoftuar se e kishte paditur i akuzuari për kthim borxhi, e pas kësaj kishte shkëputur çdo kontakt me të dhe nuk i kishte paguar më para.

    I njëjti kishte thënë se nuk kanë asnjë marrëveshje në formë të shkruar dhe se në kopje të padisë shihet nënshkrimi i falsifikuar.

    E në deklaratën e dhënë më 12 dhjetor 2019 në Prokurori, Muçiqi kishte deklaruar se pas dëshmisë në Polici, kur është takuar ballë për ballë me të akuzuarin, ai i ishte drejtuar me fjalë kërcënuese “të kotë e ke që ki dhanë deklaratë në polici sepse unë jam më i fortë se hetuesit dhe prokurorët dhe kam me ja u q* nanën tanve”. E pas kësaj thotë se i kishte reduktuar lëvizjet në zonën ku e kishte takuar.

    Më tej, thuhet se kishte deklaruar që një person e kishte dëgjuar të akuzuarin duke thënë se e kishte kryer rastin e Muçiqit përmes një ish-hetuesi, tani avokat në Kosovë. Herave tjera kur ishte takuar në rrugë, i dëmtuari ka thënë se i akuzuari i kishte rënë sirenës së veturës, e në një dasmë e kishte provokuar.

    Kurse, në deklaratën e dhënë në Polici më 15 janar 2019, i dëmtuari kishte thënë se asnjëherë nuk ka lidhur Kontratën mbi huanë, në të cilën ishte përfshirë edhe djali i tij, A.M.

    “Këtë nënshkrim në Kontratën mbi huanë e datës 15.03.2012 siç e kam cekur edhe me herët unë nuk e kam vendosur në këtë dokument, në te cilën është i përfshire edhe djali im A., unë me besim te plotë them se asnjëherë nuk kam qenë në zyre të avokatit ku është përpiluar kjo kontratë, nuk e di kur është përpiluar, kush e ka përpiluar dhe kush e ka nënshkruar te njëjtën. Këtë ma ka thënë në njërën prej seancave qe qeli sytë se ti ne prezencën time nuk ke nënshkruar dhe mendo mire sepse Erdini po luan me ty dhe më ka thënë edhe këtë se asnjëherë s’ka qenë prezent si dëshmitar kur unë gjoja i kam marr 70000 Euro borxh tek Erdini”, citohet të ketë deklaruar Muçiqi.

    I dëmtuari kishte mohuar t’i ketë marrë 70 mijë euro borxh në prezencë të dëshmitarëve, djalit të tij dhe avokatit, andaj kishte kërkuar ekspertizë për nënshkrimin.

    Më 9 nëntor 2018 në Prokurori, Afrim Muçiqi kishte përsëritur se të akuzuarin e kishte shok dhe në fund të 2012 ia kishte kërkuar 10 mijë euro, duke vazhduar me shumat e tjera, për të cilat kishte paguar kamatë 21 mijë euro në muaj. Kur janë takuar në qershor 2018, tha se Reka i ishte drejtuar me fjalët “ik klloshar dhe kurrë mos më dil përpara”, duke i thënë se do shihen në gjykatë se e ka paditur.

    Padinë tha se Reka e kishte bërë për mospërmbushje të kontratës në bazë të kontratës së huasë mes tij (të akuzuarit), të dëmtuarit e djalit të këtij të fundit- A.M. I dëmtuari tha se nënshkrimi i ishte falsifikuar.

    Çka kishte deklaruar i pandehuri Reka në Prokurori e Polici?

    Në deklaratën e dhënë më 30 janar 2024 në Prokurori, Erdin Reka kishte thënë se të dëmtuarin e kishte shok. Sipas tij, një ditë Afrim Muçiqi i kishte kërkuar para, por Reka i kishte thënë që nuk ka dhe të njëjtat ia kishte kërkuar babait të tij, i cili pas insistimit të tij kishte pranuar t’ia jepte 70 mijë euro borxh.

    Pasi ia kishte dhënë paratë, Reka deklaroi se kishin shkuar te avokati bashkë me të dëmtuarin e dy dëshmitarë, ku e kishin nënshkruar kontratën. Afrimi sipas tij nënshkroi edhe për djalin e vet.

    Reka kishte deklaruar po ashtu se pas një kohe, babai ia kishte kërkuar paratë, e që sipas tij meqë Muçiqi nuk ia kishte kthyer, e ka paditur. Asnjë cent prej 70 mijë eurove borxh, Reka tha se nuk ia ka kthyer Muçiqi.

    Kurse, më 3 prill 2019 në Polici, thuhet se Erdin Reka ka deklaruar se Muçiqin e njeh si këngëtar, me të cilin është njoftuar para 16 vitesh kur i kishte kënduar në dasmë. Tha se ia ka dhënë 70 mijë euro borxh, e për këtë kishte bërë kontratë për huamarrje, ku ishte evidentuar edhe data e kthimit. Meqenëse s’ia ka kthyer paratë, thotë se e ka paditur Muçiqin për mospërmbushje të kontratës.

    Ai kishte mohuar se ia ka dhënë Muçiqit 7 herë nga 10 mijë euro, por vetëm 70 mijë borxh, si dhe mohoi se i ka kthyer i dëmtuari borxh me kamatë të fajdesë.

    Ndryshe, nga Gjykata Themelor në Prishtinë kanë konfirmuar se gjykimi për këtë rast nuk ka nisur ende. “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një qëndrim nga Muçiqi lidhur me këtë rast, mirëpo i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.

  • Kthehen në Itali katër migrantë që u strehuan në Shqipëri

    Kthehen në Itali katër migrantë që u strehuan në Shqipëri

    Katër migrantë, që kishin shkuar në Shqipëri më 16 tetor nga Italia, janë kthyer mbrapsht në Itali, konfirmuan autoritetet shqiptare për Radion Evropa e Lirë.

    Drejtori i portit të Shëngjinit, Sander Marashi, tha se migrantët që u larguan nga Shqipëria ishin dy të mitur dhe dy të tjerë që kishin probleme shëndetësore.

    Një ditë më parë, anija italiane Libra, u ankorua në portin e Shëngjinit me 16 migrantë në bord, të cilët Shqipëria ka pranuar t’i strehojë.

    Dhjetë migrantë ishin nga Balgladeshi dhe gjashtë nga Egjipti, të cilët ishin shpëtuar në det pas nisjes nga Libia.

    Shqipëria dhe Italia nëntorin e vitit të kaluar kanë arritur marrëveshje për strehimin e migrantëve. Marrëveshja, që është kritikuar nga organizatatat për të drejtat e njeriut, parasheh që Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë në vit, dhe aplikacionet e azilit të këtyre migrantëve do të procesohen në dy qendra në Shqipëri.

    Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.

    Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka përshkruar marrëveshjen me Shqipërinë si zgjidhje inovative për një problem afatgjatë.

    Sipas marrëveshjes, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra.

    Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të migrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shpërbëjë për strehim të migrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.

    Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.

    Italia ka thënë se do të pranojë t’i strehojë migrantët që fitojnë azil. Ndërkaq, ata që nuk fitojnë azil do të dëbohen direkt nga Shqipëria.

  • ​Reali identifikon zëvendësuesin e Carvajal-it

    ​Reali identifikon zëvendësuesin e Carvajal-it

    Ylli i Liverpoolit,Trent Alexander-Arnold është bërë një objektiv prioritar i transferimeve nga Real Madridi. Gjigantët spanjollë janë të vendosur të sigurojnë një lojtar të klasit të lartë në atë pozicion këtë dimër ose në fund të sezonit.

    Mbrojtësi i djathtë i Realit, Dani Carvajal është jashtë për të gjithë sezonin për shkak të një dëmtimi në gju, i cili ka përshpejtuar planet e tyre. Sipas “The Athletic”,Reali po vlerëson disa lojtarë të tjerë së bashku me Alexander-Arnoldin, përcjellë KosovaPress.

    Pedro Porro i Tottenham, Jeremie Frimpong i Bayer Leverkusen dhe Juanlu i Sevillas janë të gjithë në listën e tyre. Liverpool ka qenë duke negociuar me mbrojtësin e tyre për të rinovuar kontratën e tij, e cila skadon në verë.

  • ​Sveçla nga veriu: Punë e zakonshme në orar të punës

    ​Sveçla nga veriu: Punë e zakonshme në orar të punës

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot veriun e Mitrovicës.

    Ai ka qëndruar në objektin e ri të MPB-së, i cili deri para pak kohësh ka shërbyer për strukturat paralele, ndërsa nuk ka dashur të deklarohet për media.

    “Unë jam në punë të zakonshme dhe në orar të punës”, ka thënë shkurt për gazetarë Sveçla.

    Së bashku me Sveçlën ishte edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Nuk dihet agjenda e ministrit dhe nëse ai ka vizituar objektet tjera në veri të vendit. /kp

  • ​Ky është trajneri që po kërkon ta pasojë Guardiolan te City

    ​Ky është trajneri që po kërkon ta pasojë Guardiolan te City

    Trajneri i Sportingut, Ruben Amorim, është i interesuar të pasojë Pep Guardiolën si trajner i Manchester Cityt. Kontrata e Guardiolës me Cityn skadon në fund të sezonit dhe ende nuk dihet nëse ai do të vazhdojë punën e tij në “Etihad”. Ndërsa raportet e fundit thonë se ai pritet të nënshkruajë një marrëveshje njëvjeçare , City po planifikon një të ardhme pa trajnerin e tyre ikonë, raportojnë mediat portugeze.

    City e sheh Amorimin si një trajner të aftë për të vazhduar trashëgiminë e Guardiolës, dhe trajneri portugez thuhet se është jashtëzakonisht i interesuar të marrë përsipër këtë sfidë. Amorim ishte i lidhur më parë me Liverpoolin pasi Jurgen Klopp njoftoi largimin e tij sezonin e kaluar.

    City së fundmi konfirmoi se drejtori Txiki Begiristain së shpejti do të zëvendësohet nga Hugo Viana, i cili lë rolin e tij si drejtor i futbollit i Sporting CP për t’iu bashkuar skuadrës angleze. Viana dhe Amorim kanë punuar së bashku në Lisbonë për katër vjet, përcjellë KosovaPress.

    Amorim e ka udhëhequr Sportingun drejt dy titujve të Primeira Liga si trajner dhe është gati të sigurojë një tjetër kurorë përpara largimit të tij të mundshëm për një aventurë të re.

  • ​Ligji i ri për pronën publike, kërkohet transparencë dhe efikasitet në administrim

    ​Ligji i ri për pronën publike, kërkohet transparencë dhe efikasitet në administrim

    Kosova po përgatitet të kalojë një transformim të rëndësishëm në menaxhimin e pronës publike dhe të drejtat pronësore, me miratimin e një ligji të ri që synon të sjellë transparencë dhe efikasitet.

    Në kuadër të Komiteti ndërministror për administrimin e tokës dhe infrastrukturës kombëtare për informacionin hapësinor në Kosovë, Ardian Mehmeti nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se fakti se vet miratimi i këtij ligji të ri si një ligj substancial është sfidë në vete për arsyeje se kërkon një angazhim të madh institucional në hartimin dhe harmonizimin e ligjeve të veçanta që rregullojnë këtë pjesë me ligjin për pronën publike tani e tutje.

    Mehmeti ka shtuar se kjo do të sigurojë një transparencë dhe administrim të përgjithshëm me pronën publike në mënyrë që të promovohet ruajtja e vlerës së pronës publike dhe shfrytëzimi efikas për realizimin e qëllimeve ekonomike, infrastrukturore dhe qëllimet tjera të parapare në interes publik.

    “Me përjashtim të pronës private llojet e tjera të pronës nuk janë të përkufizuara në mënyrë të qartë në Republikën e Kosovës në shumë raste shprehjet e përdorura në ligjet aktuale kanë dykuptimshmëri dhe krijojnë konfuzion dhe pasiguri juridike lidhur me autorizimet për administrimin e pronës publike dhe të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ai autorizim. Prandaj, si Ministri e Drejtësisë kemi marrë iniciativën që të hartojmë një ligj të ri, për herë të parë në Republikën e Kosovës me qëllim që të sigurojmë një përkufizim standard të pronës publike, të qartësojmë kategoritë e pronës publike, format si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me dispononim, shfrytëzimin, mbrojtjen, dhe mbikëqyrjen, menaxhimin, vlerësimin e sendeve dhe të tjera që janë në pronësi publike. Kjo do të sigurojë një transparencë dhe administrim të përgjithshëm me pronën publike në mënyrë që të promovohet ruajtja e vlerës së pronës publike dhe shfrytëzimi efikas për realizimin e qëllimeve ekonomike, infrastrukturore dhe qëllimet tjera të parapare në interes publik”, tha Mehmeti.

    Në anën tjetër, Korab Ahmetaj ka realizuar një prezantim nga aktiviteti i USAID-it, Qeverisja e Pronës.

    Ahmetaj ka thënë se me këtë aktivitet synohet të përmirësohet sistemi i të drejtave pronësore në përgjithësi në vend, kështu duke rritur formalizmin dhe regjistrimin e pronave në sistemin e informacioneve kadastrale të tokës në Kosovë.

    “Aktiviteti i USAID, qeverisja e pronës është një aktivitet pesëvjeçar që në thelb synon të përmirësojë sistemin e të drejtave pronësore në përgjithësi në Kosovë, duke rritur formalizimin dhe regjistrimin e pronave në sistemin e informacioneve kadastrale të tokës në Kosovë, duke reduktuar korrupsionin, rritur fuqizimin e grave në të drejtat pronësore dhe mbi të gjitha si qëllim kryesor është që të avancojë zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Republikës së Kosovës. Për ta arritur këtë qëllim, parësor dhe kryesor, aktiviteti i USAID, qeverisja e pronës ka ndarë tre objektiva kryesore që ka të bëjë me rritjen e të drejtave formale apo regjistrimin e të drejtave pronësore në kadastër, duke standardizuar proceset dhe praktikat që janë në Kosovë, rritjen e angazhimit aktiv të shoqërisë civile dhe qytetarëve me institucionet kur kemi të bëjmë me te drejtat pronësore si dhe angazhimin më të madh të sektorit privat për të forcuar regjimin e te drejtave pronësore në Kosovë”, tha ai.

    Ndërkaq, Idriz Shala ka folur për rolin e gjeoinformacionit në REKOS 2024: Metodat Inovative dhe Standardet për të. Ai ka thënë se projekti i regjistrimit të popullsisë është një ndër projektet më të mëdha, komplekse dhe kushtueshme për një vend.

    “Projekti i regjistrimit të popullsisë është një ndër projektet më të mëdha, komplekse dhe kushtueshme për një vend. Kosova e realizoj këtë projekt, i dyti me radhë pas pavarësisë së vendit…ASK ka siguruar rreth 3 mije e 500 tabletë, të gjithë kanë qenë të lidhur me internet, kartela, të dhënat janë transmetuar direkt në server pas çdo interviste, të dhënat kanë qenë të koduara, masa shtesë ka pas për çështje të sigurisë së sistemit. Cilësia e të dhënave është shumë e lartë krahasim me regjistrimin e kaluar, teknologjitë e aplikuara, sistemi i monitorimit dhe shfrytëzimi i burimeve tjera paraprake ndihmuan në cilësi…Në raport me 2011, piramida ka marrë orientim tjetër, është duke u plakur popullsia e Kosovës”, tha ai.

    Komiteti ndërministror për administrimin e tokës dhe infrastrukturës kombëtare për informacionin hapësinor në Kosovë, ka mbajtur takimin e radhë në të cilën u theksua rëndësia e së drejtës së pronësisë.

  • ​Haxhiu: EULEX e UNMIK-u nuk kanë adresuar si duhet krimet e luftës

    ​Haxhiu: EULEX e UNMIK-u nuk kanë adresuar si duhet krimet e luftës

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kritikuar UNMIK-u dhe EULEX-in se nuk i kanë adresuar siç duhet krimet e luftës, duke thënë se një gjë e tillë e paraqet tendencë për balancimin e krimeve nga Serbia në Kosovë.

    Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ministrja Haxhiu ka thënë se atë që nuk e kanë bërë institucionet shtetërore e kanë bërë organizatat e shoqërisë civile.

    “Atë që institucionet nuk e kanë bërë me kohë, e kanë bërë organizatat e shoqërisë civile në Republikën e Kosovës… 29:40 Mendoj që as UNMIK as ELUEX nuk i kanë adresuar si duhet krimet e luftës dhe atyre u ka munguar vullneti, madje e konsideroj që ka qenë edhe politike, një tendencë për të bërë balancë ndërmjet krimeve që ka kryer Serbia në Kosovë. Kam përshtypjen që qëllimshëm nuk janë trajtuar, siç duhet dosjet e shumta të krimeve të luftës…30:33 Ne nuk kemi parë drejtësi nga këto misione “, ka thënë Haxhiu.

    Prokurori special Ilir Morina theksoi se Prokuroria Speciale ka hasur në disa sfida gjatë trajtimit të krimeve të luftës, duke përfshirë kornizën ligjore dhe mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai tha se deri në vitin 2023, janë regjistruar rreth 80 raste të dhunës seksuale si krime lufte.

    “Qe nga koha e UNMIK-ut, EULEX-it dhe deri në vitin 2023, Prokuroria Speciale ka të regjistruar mbi 77 raste të dhunës seksuale si krim i luftës, prej tyre ka 6 aktakuza të ngritura, kurse rastet tjera janë në trajtim. Në trajtimin e këtyre rasteve, Prokuroria Speciale ka hasur në shumë sfida, përfshirë këtu edhe sfidat lidhur me kornizën ligjore. Tjetër sfidë që ende vazhdon të na përcjellë është mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht me Serbinë”, ka thënë Morina.

    Ish- prokurorja speciale e Kosovës që ngriti për herë të para aktakuzë për dhunë seksuale Drita Hajdari ka kujtuar viktimën e parë të dhunës seksuale, që trokiti në dyert e saj për të kërkuar ndihmë e drejtësi.

    “Me pranimin e të gjitha rasteve në fund të 2018 ku ishin mbi 900 raste për krime lufte dhe 2 mijë persona të zhdukur, nuk ishte asnjë rast i vetëm për dhunë seksuale gjatë luftës. Unë si prokurore për krime lufte, nuk trashëgova asnjë model. Rasti i parë në të cilin është ngritur aktakuza, filloi ashtu që viktima erdhi tek unë në zyrë. Ajo kishte dhënë dëshmi në UNMIK dhe EULEX dhe asgjë nuk kishte ndodhur. Viktimën, e mora në pyetje në lokalet e KRCT-së, erdha në ide që në këtë mënyrë të shmang ardhjen e viktimës në prokurori. Ky model i krijuar ne rastin konkret është aplikuar edhe në raste të tjera”, është shprehur ajo.

    Gjithashtu, themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së Feride Rushiti ka theksuar se në periudhën e pasluftës ka munguar aspekti psiko-social i trajtimit, periudhë në të cilën UNMIK dhe EULEX edhe pse kanë pasur me dhjetëra dëshmi të dëshmuara kanë përfunduar pa asnjë rezultat. /kp