ATV

Author: ATVLive

  • Sezoni i ri i ngrohjes, Termokos nuk e zgjëroi rrjetin

    Sezoni i ri i ngrohjes, Termokos nuk e zgjëroi rrjetin

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Gjithashtu, Banesat e Bardha në lagjen “Bregu i Diellit” dhe disa shkolla të mesme në afërsi të Stacionit të Autobusëve, edhe këtë vit duhet t’i përdorin alternativat e vjetra për t’u ngrohur.

    Sezoni ngrohës 2024/2025, i cili filloi të martën, parashihte t’i përfshijë edhe këta perimetra, por për shkak se fondet nuk u ekzekutuan nga Ministria e Financave, ato nuk u bënë pjesë e zgjerimit të rrjetit.

    “Ne jemi në pritje të konfirmimit zyrtar për fondin prej 5 milionë eurosh, me theks të veçantë te Banesat e Bardha në lagjen Bregu i Diellit, disa institucione shkollore, por janë bllokuar nga Ministria e Financave dhe e kemi pasur të pamundur…”, tha Afërdita Uka, zëdhënëse e “Termokosit”.

    Sipas Ukës, arsyetimi për mosekzekutimin e parave nga Ministria e Financave, ka të bëjë me grantet. Për këtë, në Termokos ende janë në pritje të një konfirmimi zyrtar.

    “Ne ende po presim se çfarë pritet të ndodhë me ato para…”, tha Uka.

    Kështu me buxhetin vetanak, “Termokosi” arriti që ta zgjerojë rrjetin e ngrohjes vetëm në disa zona.

    “Aktualisht e kemi te shtrirë te rreth 25 mijë konsumatorë, mbi 1 mijë objekte banesore, mbi 100 mijë banorë të Prishtinës, me mjetet tona kemi arritë me kyçë lagjen MATI 1, disa objekte te Parku i Qytetit dhe lagjen Arbëria, por edhe disa institucione arsimore”, tha Uka.

    Ndërkaq, prishtinasit që e shfrytëzojnë “Termokosin” për ngrohje, nga ky sezon, nuk do të paguajnë në bazë të hapësirës së banesës, siç ishte deri më tani, por aq sa shpenzojnë.

    Aktualisht, ngrohtorja ka mbi 32 mijë konsumatorë të regjistruar, kurse rreth 25 mijë prej tyre marrin shërbime.

  • Ankesat ndaj policëve në IPK, së paku 500 raste janë hetuar për elemente të veprës penale

    Ankesat ndaj policëve në IPK, së paku 500 raste janë hetuar për elemente të veprës penale

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pothuajse çdo ditë në adresë të Inspektoratit Policor arrijnë ankesa ndaj policëve. Vetëm gjatë 9 muajve të parë të vitit, rreth 1500 ankesa u deponuan në këtë institucion të pavarur, por mbikëqyrës të Policisë.

    Për shkelje të rregullave, deri tash IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e mbi 60 policëve.

    “Brenda këtij nëntë mujori 1524 ankesa, prej tyre mbi 500 ankesa kanë kaluar në departamentin e hetimeve të IKP-së, me dyshimin se ankesat përmbajnë elemente të veprës penale. Brenda nëntë muajve inspektorati policor ka dhënë 62 rekomandime për suspendim që konsiderohet si masë administrative kur është në interes të hetimit”, tha Arbër Beka nga IPK.

    Edhe pse nga Inspektorati thonë se krahasuar me aktivitetin që ka Policia shifra nuk është alarmante, pranojnë se ankesat janë në rritje.

    “Prej këtyre rasteve sa janë trajtuar, si të dyshuar për elemente të veprës penale prijnë rastet e keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare lëndimet e lehta trupore, mandej keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe disa raste të kanosjes apo dhunës në familje ku janë të përfshirë zyrtarët policorë”, tha Beka.

    Megjithatë, sipas ish-drejtorit të policisë, Rashit Qalaj, situata është e pakënaqshme. Sipas tij, disiplina në mesin e policëve është në rënie.

    “Po ka shumë ankesa, me fokus të veçantë te policët e rinj. Vetëm duhet të zbatohen rregulloret që i ka policia, meqenëse është evidente tashmë se rregulloret e brendshme absolutisht nuk janë duke u respektuar as nga eprorët e as nga policët, ka një rënie të madhe të disiplinës dhe unë mendoj që eprorët. Ne kemi nevojë për një polici të disiplinuar, një polici që zbaton strikt ligjin”, tha Qalaj.

    Pavarësisht ankesave në IPK, qytetarët kanë kryesisht mendim pozitiv për Policinë. Përpos besimit, Policia e Kosovës shihet edhe si institucioni më pak i korruptuar.
    Kështu dëshmojnë të dhënat që janë publikuar në edicionin e 26-të të Përmbledhjes së Pulsit Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, në korrik të këtij viti.

  • Mbi luftën hibride dhe kërcënimin hibrid

    Mbi luftën hibride dhe kërcënimin hibrid

    Cigaret me rrymë, alltiat me gaz, inteligjenca artificiale, lufta hibride, kah po shkon kjo dynjaja… saktë – forja më e re në Kosovë është lufta hibride.

    Për hir të së vërtetës, shumica e njerëzve që flasin për luftë hibride në Kosovë, dy lidhje me këtë punë nuk i kanë. Meqë edhe unë nuk i kam dy lidhje me këtë punë, nisa me hulumtu pak.

    Lufta hibride si term ka filluar të përdoret dikah kah 2005-a për disa operacione të talibanëve në Afganistan, që shkonin përtej luftimeve konvencionale të ushtrive me ushtri ose me forca të armatosura të organizuara.

    Hera e parë që “lufta dhe kërcënimet hirbide” figuron në një komunikatë të përbashkët të NATO-s është para 10 vjetëve, gjegjësisht në Samitin e Uellsit, shtator 2014.

    Vetë NATO, pas 10 vjetëve, konstaton që termi luftë, ka një definicion në sistemin juridik ndërkombëtar dhe për këtë arsye dhe për tjera, është kah shmanget përdorimi i termit “luftë hibride”, por është kah përdoret ‘kërcënim hibrid’.

    Sipas NATO-s Kërcënimi hibrid i referohet veprimeve të mundshme ushtarake dhe joushtarake të hapura dhe të fshehta që një shtet ose aktor joshtetëror mund të marrë për të minuar një shoqëri dhe për të realizuar qëllimet e tyre politike.

    Me fjalë tjera – çka pohohet nga politikanët është qyfte llaf!

    Për luftën hibride flasim më vonë prapë në emision, por të merremi tash me raportimet e mediave për politikën!

    Nëse mediat raportojnë se Nagip Krasniqi ka negociuar blerje të rrymës nga firma që nuk kanë pasur licencë të shesin rrymë në Kosovë, mund të jetë dëshmise Nagipi është tregtar – ama nuk është luftë hibride!

    Nëse mediat raportojnë që Nagip Krasniqi i nënshtrohet Dejona Mihajlit, është dëshmi që Nagipi është i nënshtrueshëm, ama nuk është luftë hibride.

    Nëse mediat raportojnë se Endrit Shala ka kurdisë tender baxhanaku i tij të fitojë 700 mijë Euro, tregojnë që Endriti shumë e don baxhanakun e vet, ama nuk është luftë hibride.

    Nëse mediat raportojnë se Pal Lekaj dhe bashkëpunëtorë të tij kundërligjshëm ia kanë paguar Bechtel Enkas 53 milionë Euro, kjo tregon që Pali ka qejf me qarkullu miliona, ama nuk është luftë hibride.

    Dhe, nëse publikojnë biseda ose pamje, ose përgjime, ose incizime të Mimoza Kusarit, Milan Radojicicit, Adem Grabovcit, Sami Lushtakut – NUK ËSHTË LUFTË HIBRIDE, është publikim i infove që i kanë marrë nga burimet e tyre dhe që, deri tash, nuk janë demantuar!!! Nuk ka dalë kush që dëshmon që pronto ose zdravo ka qenë montazh!

    Me fjalë tjera – mediat jemi kah bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë – e politika është kah bën atë që ka bërë gjithmonë. Same old, same old! Nga pak ndërrohen partitë në pushtet, nga pak pronarët e mediave, nga pak ministrat, nga pak analistat – ama aty-aty jemi!

    A ka dezinformata në Kosovë? – sa të duash

    A shtyhet agjenda ruse? – vazhdimisht, ama problemi NUK JANË MEDIAT!

    Mirëpo, duhet të sqarojmë një gjë – mbi 80% e trafikut në portale shkon nga rrjetet sociale. Pra, shumica prej juve, nuk klikoni www. (një media e caktuar) .com, nuk e di a njihni dikë që lexon lajme në laptop ose PC, a njihni dikë paguan për lajme, paguan media në Kosovë ose media të huaja, por lexoni çkado që ju del epara në fb ose n tiktok.

    Në tiktok ju kam kallëzu çka ka!

    Kjo i bie që për vëmendjen tuaj në rrjete sociale përveç mediave janë kah luftojnë edhe politikanët, klerikët fetarë, prostitutat, budallët, konspiracionistët, shkollat, kushërinjtë, faqet e shoppingut online, ata që bëjnë video me receta, ata që bëjnë video si auto-mekanikë, edhe eeeec e dije kush tjetër!

    Edhe për këtë punë ka edhe hulumtime se si njerëzit mund të pësojnë, mund të bëhen viktima të dezinformatave dhe keqinformimeve, kjo është punë algoritmi!

    Nëse për shembull dikush lexon dhe beson që limoni dhe soda e shëndoshin covid-19shin, atëherë i paraqitet në feed edhe një artikull që vaksinat kanë chipa, mandej nëse e han edhe këtë fore, ka gjasë që të han edhe fore tjera që që mjalti ju dobëson, që mjalti tjetër ju ndihmon në seks, manej është vorbull kjo. Nisë me besu që gruaja e ka vendin në Kuzhinë, që një grua e vrarë nga burri në Ferizaj e ka lypë, që ka me dalë Fenerbahçe 2sh, që mund ti fitosh 20K në crypto… me fjalë tjera kur e beson një rrenë, priti tjerat!!!

    Mirëpo, asnjë nga këto budallaki që i përmenda nuk i prodhojnë mediat, këtë duhet ta merrni vesh dhe të filloni ta bëni dallimin!

    Feedat e rrjeteve sociale do të ju fëlliqen edhe më shumë muajve të ardhshëm sepse janë kah afrohen zgjedhjet. Nëse nuk jeni të vëmendshëm, do të vëreni që disa faqe të fb që i përcjellin tash dhe që postojnë kamera të fshehta, video qesharake, përnjëherë do të blihen nga disa kandidatë për deputetë dhe ata më pas do të ju dalin në telefon vazhdimisht.

    Fushata ka filluar dhe gjashtë muajt e ardhshëm, nëse nuk jeni të vëmendshëm, nëse nuk shikoni kush po poston diçka, keni me lexu shumë rrena, shumë budallaki dhe në shkurt keni me qenë më të pameçëm e më të padijshëm se që jeni tash!

    Me iu kthy luftës hibride:

    Nëse kishim pasë fakte që Serbia po na e helmon ujin – qysh kemi për Banjskë kish qenë akt i luftës ose kërcënimit hibrid, ama ujin e kemi helmuar vetë!

    Nëse kishim pasë fakte që ndonjë armik është kah shtynë agjende dezinformatash për FSK, kish qenë kërcënim hibrid, por FSK-në pa çizme të reja, pa uniforma të reja, pa transport të rregullt dhe pa ushqim të rregullt – e kemi lënë vetë!

    Nëse kishim pasë fakte që një armik është kah tenton me terrorizëm të sabotojë infrastrukturën në Kosovë – kish qenë terrorizëm, apo akt i luftës hibride, por nëse nuk dimë kush i ka qite gurët në hëkurudhë – s mund të spekulojmë!

  • ​Kritika për heqjen e vizave për Bosnjën, përmenden rreziqet e mungesës së reciprocitetit

    ​Kritika për heqjen e vizave për Bosnjën, përmenden rreziqet e mungesës së reciprocitetit

    Paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti për heqjen e regjimit të vizave ndaj Bosnjë Hercegovinës po shihet i gabuar nga ish ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së thotë për KosovaPress se heqja e vizave në mënyrë të njëanshme është kapitullim për Kosovën, duke ditur se Bosnja jo vetëm që ka regjim të vizave ndaj Kosovës por edhe ndjekë një politikë agresive kundër vendit. Në anën tjetër, analisti politik, Dorajet Imeri, thotë se vendimi i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2025 më shumë është strategjik, mirëpo me rrezik që Bosnja të mos largojë regjimin e vizave për Kosovën.

    Hoxhaj i cili kishte propozuar vendimin për regjim të vizave ndaj Bosnjës në vitin 2014, thotë se nga një vendim i tillë nuk përfiton asgjë Kosova, por më shumë ia përmbush ambiciet hegjemoniste Serbisë dhe Republikës Serbe.

    Sipas tij, kreu qeveritar ka bërë një kompromis të tillë të hënën në samitin e Procesit të Berlinit për të dal si një lider rajonal, por nënvizon se ai përfaqëson interesin e qytetarëve të Kosovës e jo të Bosnjës.

    “Nëse zotëri Kurti merr që qytetarët e Kosovës të presin para ambasadave të Bosnjës për të shkuar atje, përkundër asaj që ka një marrëveshje multilaterale në Procesin e Berlinit. Mendoj se një vendim i tillë nuk e përmbush asnjë kërkesë të Kosovës. Nuk e di çka përfiton Kosova prej një vendimi të tillë. Më shumë ia përmbush ambiciet hegjemoniste Serbisë dhe Republikës Serbe. Politikisht e shoh të gabuar, në rrafshin strategjik pa asnjë përfitim dhe nuk i di motivet pse zotëri Kurti ka bërë një kompromis të tillë, ndoshta për të dal si një lider rajonal, por ai përfaqëson interesin e qytetarëve të Kosovës dhe jo Bosnjës”, thotë ai.

    Ish kryediplomati kosovar, thotë se në bazë të retorikës në Bosnje dhe liderit të Republikës Serbe nuk pritet të hiqet regjimi i vizave ndaj Kosovës.

    Andaj, ai thekson se Kurti është dashur të kërkonte nga Berlini zyrtar por edhe BE-ja ta kushtëzojnë Bosnjë Hercegovinë që ta zbatonte marrëveshjen për liri të lëvizjes që është nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit.

    “E shoh si kapitullim pasi mendoj se zotëri Kurti do të duhej të bënte presion mbi shtetet anëtare të BE-së që këta ta kushtëzojnë Bosnjën dhe Banjallukën që ajo të largojë regjimin e vizave. Kosova të bëjë të njëjtën në mënyrë reciproke. Nëse s’ka reciprocitet për një gjë të tillë, natyrisht se fjala e duhur është kapitullim…Sa unë e pash qëndrimin e Dodikut dje, ai ishte i prerë në një gjë të tillë. Bosnja jo vetëm që ka vendos regjim të vizave për Kosovën, por në këto 17 vitet e fundit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka ndjek një politikë kundër shtetit të Kosovës. Politikanë boshnjakë kanë lobuar në vende arabe që mos të njohin Kosovën. Bosnja më shumë është sjell si një zgjatje e Serbisë sesa një shtet sovran dhe i pavarur”, shton Hoxhaj.

    Analisti, Dorajet Imeri është skeptik se përkundër vendimit të Kosovës për heqjen e regjimit të vizave për Bosnjën, këta të fundit të veprojnë njëjtë për Kosovën.

    “Vendimi i Kosovës për të lejuar qytetarët e Bosnjë Hercegovinës që të lëvizin lirshëm pa viza në Kosovë është një veprim strategjik i Kosovës, përmes të cilës shprehet gatishmëria e marrjes së obligimeve të reja në raport me Procesin e Berlinit, si një proces i përafrimit të Kosovës drejt BE-së. Një prej parakushteve themelore të jetësimit të evropianizimit të Ballkanit është lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Natyrisht se kjo jo vetëm në kuadrin e një përgatitje për të qenë pjesë e BE-së por edhe si frymë e gatishmëri për bashkëpunim reciprok dhe respekt të ndërsjellët në rajon. Pritshmërit se natyrisht se vazhdojnë të jenë të ulëta, pasi natyra e vendimmarrjes dhe komplekse i atjeshëm tregojnë që mundësia që Bosnja të largojë vizat për qytetarët e Kosovës mbetet për të diskutuar. Dodik dhe të tjerët janë të interesuar të bllokojnë vendimmarrjen e Federatës boshnjake në avancimin drejt Bosnjës dhe Kosovës. Në këtë mënyrë unë nuk pres që Bosnja në të ardhmen e afërt të merr një veprim të tillë”, thekson ai.

    Në anën tjetër, në arsyetimin e tij për këtë vendim, kryeministri Albin Kurti, pas samitit të Procesit të Berlinit, tha se mungesa e lëvizjes së lirë vetëm me letërnjoftime mes dy vendeve është një absurditet.

    Ai akuzoi Republikën Serbe në Bosnjë që është shndërruar në një Bjellorusi të vogël në Ballkanin Perëndimor.

    “Në kushtet kur ne e kemi ratifikuar të parët marrëveshjen për lëvizje të lirë me karta identiteti dhe kur kjo gjë nuk është bërë në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës unë kam ofruar që nga 1 janari qytetarët e Bosnjës të vijnë në Kosovë me karta identiteti ndonëse ata nuk do të mund të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe atje, e cila është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor… Nëse ndërkohë nuk bëhen ratifikimi në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës, qytetarët e Bosnjës me karta identiteti do të kujdesimi që me vendim të Republikës së Kosovës të mund të vijnë lirshëm”, tha Kurti.

    Kosova ka nënshkruar marrëveshje për liri të lëvizjes vetëm me letërnjoftim me pesë vende të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Të njëjtat i ka miratuar në Kuvendin e Kosovës, mirëpo Bosnje Hercegovina nuk e ka miratuar të njëjtën me Kosovën për shkak të pengesave të shfaqura nga entiteti serb brenda Bosnjës.

    Kosova ka vendosur regjim të vizave ndaj Bosnjës në vitin 2014, duke vendosur reciprocitet./kp

  • Shaqiri nderohet sonte nga Zvicra, i jep lamtumirën ekipit kombëtar

    Shaqiri nderohet sonte nga Zvicra, i jep lamtumirën ekipit kombëtar

    Kur Kombëtarja e Zvicrës do të luajë kundër Danimarkës sonte në orën 20:45, do të jetë nën presion për të fituar pas tri humbjeve në startin e Ligës së Kombeve.

    Në St. Gallen, këto kujtime po ringjallen sërish – me lamtumirën zyrtare të Xherdan Shaqirit (33, 125 ndeshje ndërkombëtare), Fabian Schär (32, 86 ndeshje ndërkombëtare) dhe Yann Sommer (35, 94 ndeshje ndërkombëtare).

    Treshja ka formuar ekipin kombëtar prej vitesh dhe njoftoi dorëheqjen e tyre menjëherë pasi arritën në çerekfinale në verë.

    Siç informon SFV, tre ish-lojtarët do të nderohen për arritjet e tyre rreth 35 minuta para fillimit në St. Gallen dhe do të marrin lamtumirën e tyre zyrtare me kombëtaren në një sfond të denjë.

  • ​Raporti vjetor i KPMM-së, pozita kërkon trajtimin e borxhit të Ferronikelit

    ​Raporti vjetor i KPMM-së, pozita kërkon trajtimin e borxhit të Ferronikelit

    Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), do të shqyrtojë kthimin e borxheve të kompanisë Ferronikel, të cilat janë falur nga udhëheqësit e bordit paraprak. Në mbledhjen e komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pozita ka kërkuar nga bordi i KPMM-së ta trajtojë me prioritet çështjen e Ferronikelit. Ndërkaq, nga KPMM është bërë e ditur se detyrimet e ndërmarrjeve në vit ndaj këtij komisioni janë rreth 40 milion euro.

    Po ashtu deputetët e pozitës dhe opozitës kanë kërkuar më shumë transparencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

    Ndërsa, deputeti nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Driton Hyseni ka kërkuar nga ky bord që çështjen e Ferronikel ta trajtojnë në radhë të parë.

    “Detyrimet që ka Ferronikeli, në raport thuhet se ka obligime ndaj KPMM-së në vlerën rreth mbi 937 mijë euro, afër 1 milion euro, kurse në raportin e vitit 2023 tek regjistri i detyrimeve, figuron që Ferronikel ndaj KPMM-së ka obligim vetëm 5 mijë euro. Dua të marr një koment tuajin sa i takon kësaj çështje për arsyeje se besoj se e keni përcjellë, tani edhe kur e keni marrë detyrën është çështje e parë që ish dashtë të merret çështja me të cilën është marrë komisioni me të besuarit e vet që ka pas në bordin e KPMM-së e të cilët përkundër një gjetje të auditorit të brendshëm që Ferronikeli nuk ka raportuar sipas udhëzimit administrativ ka dalë në përfundimin që Ferronikel ka një obligim mbi 9 milion euro ndaj KPMM-së, por që bordi paraprak e ka marrë një vendim për shlyerjen të një pjese të madhe të obligimeve, mbi 8 milion t’i falë Ferronikel. Kjo është çështje e parë me të cilën ju si bord duhet të merreni dhe çështja e parë që ta trajtoni konform edhe vendimit që ka marrë Kuvendi i Republikës se Kosovës”, tha Hyseni.

    Për këtë, kryesuesi i Bordit, Hamit Basholli është zotuar se do trajtohet, dhe gjithë vendimmarrja siç tha ai, nëse ka pas shkelje edhe gjatë viteve të kaluara do të kthehen borxhet në mënyrë retroaktive.

    “Njëkohësisht ndaj shqetësimin bashkë me ju për gjendjen e raportimeve, shkarjeve në detyrime mes vitit në vit mes raporteve dhe do të jenë temë që ne do të analizojmë në mënyrë të veçantë. Është problemi tek Ferronikeli që duhet të analizohet në mënyrë të veçantë, por deri më sot prej neve është kërkuar që ne të shkojmë sipas radhitjes. Deri tash Ferronikeli nuk ka ardhë në trajtim, përndryshe do të vjen në trajtim, me kërkesën e juaj dhe do të zbatohet ligji në fuqi…Përndryshe ajo do të trajtohet dhe gjithë vendimmarrja nëse ka pas shkelje edhe gjatë viteve të kaluara, do të kthehen borxhet në mënyrë retroaktive, do të aplikohet lënda nëse ka nevojë edhe nëpër Gjykata”, tha Basholli.

    Anëtari i Bordit nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale i Kosovës, Bahri Karaça derisa ka prezantuar raportin e vitit të kaluar, ka përmendur ndërmarrjet që nuk i kanë kryer obligimet financiare gjatë këtij viti.

    Ai po ashtu ka theksuar sfidat të cilat e kanë përcjellë punën e KPMM-së gjatë vitit 2023.

    “Detyrimet e ndërmarrjeve në vit ndaj KPMM-së janë rreth 40 milion euro, Trepça Sh.A, Artanë, Stanterg, Bëllobërd, Cërrnaq nuk i kanë kryer obligimet financiare gjatë këtij viti. Ndaj KPMM-së, detyrimet e këtyre ndërmarrjeve sillën diku rreth mbi 24 milionë euro, ose që në përqindje i bie rreth 62 për qind të borxhit total. Sfidat që e kanë përcjellë punën e KPMM-së gjatë vitit 2023, grumbullimi i shumë aplikacioneve që nga data 26.10.2022 e tutje për mosfunksionim të bordit, moskordinim të ministrisë së mjedisit, planifikimi hapësinor për përpilimin e raporteve të brendshme të përbashkëta, përmbylljen e minierave, ku zyrtarët e kësaj ministrie nuk e respektojnë marrëveshjen për të qenë pjesë e realizimit të këtyre raporteve. Në anën tjetër gjyqësori, shqiptimi i masave jo adekuate në raport me veprën penale të kryera në operimet e jashtëligjshme dhe jo efikasitetin në shqyrtimin në kallëzimet penale të procedurave nga ana e KPMM-së…Buxheti i KPMM-së për vitin 2023 në fillim të vitit ishte rreth 1.5 milion euro, ndërsa me rishikimin e buxhetit në fund të vitit ishte rreth 1.18 milion euro “, tha ai.

    Në anën tjetër, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka theksuar se po mungon shumë transparencë nga ajo që po kërkohet nga ky komision.

    “Dua ta trajtojmë raportin e juaj, por mungon shumë transparenca e asaj që po kërkojmë”, tha Lekaj.

    Edhe deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka thënë se nevojitet më shumë transparencë në këtë drejtim.

    “A mund ta shqyrtoni dhe të na informoni se çfarë shkallë transparencës do të zbatoni. Jam i interesuar sa më shumë, sidomos nga shoqëria civile të marrin pjesë, t’i shohin punimet”, tha Muja.

    Ndërkaq, anëtarët dhe kryesuesi nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), janë zotuar se transparenca nuk guxon të mungoj dhe se trajtimi do të bëhet sipas procedurave një nga një.

    Në rend dite ishte shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për vitet 2022, 2023 dhe 2024.

    Në rend dite në mbledhjen e këtij komisioni ishte shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për vitet 2022, 2023 dhe 2024.

  • Hovenier: Amerika mbetet e palëkundur në mbështetjen ndaj misionit të NATO-s në Kosovë

    Hovenier: Amerika mbetet e palëkundur në mbështetjen ndaj misionit të NATO-s në Kosovë

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se ishte privilegj pjesëmarrja në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë, që u mbajt të premten që shkoi.

    Në një postim në “X”, Hovenier shprehu vlerësim të thellë për udhëheqjen dhe shërbimin e Ozkan Ulutashit, ndërkaq i uroi mirëseardhje gjeneralmajorit italian.

    “Ishte privilegj të merrja pjesën në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it. Vlerësim të thellë për udhëheqjen dhe shërbimin e Ulutashit, dhe mirëseardhje të ngrohtë për Barduanin ndërsa merr komandën e këtij misioni kritik. Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për misionin e NATO-n, në sigurimin e lirisë së lëvizjes dhe mjedisit të sigurt në Kosovë”, ka shkruar ambasadori amerikan.

  • KPK-ja shpall konkurs për kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore dhe Apelit

    KPK-ja shpall konkurs për kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore dhe Apelit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e mbajtur të martën, ka shpallur konkurs për kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore dhe asaj të Apelit, raporton EO.

    Konkursi është shpallur për kryeprokuror të Prokurorisë së Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Pejës dhe të Apelit.

    Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, ka bërë të ditur se ky konkurs do të jetë i hapur 15 ditë, nga 21 tetori.

    “Prokurorisë së Apelit, Prokurorive Themelore në Ferizaj, Gjilan, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë. Konkursi do të jetë i hapur 15 pas datës së shpalljes”, ka thënë ai.

    Po ashtu në këtë mbledhje u caktua edhe Paneli Vlerësues për kandidaturat për kryeprokuror të Prokurorive, për të cilat u shpall konkursi.

  • Regjistrimi i fundit thotë se në Mal të Zi më pak se pesë për qind e banorëve janë shqiptarë

    Regjistrimi i fundit thotë se në Mal të Zi më pak se pesë për qind e banorëve janë shqiptarë

    Vetëm 4.97 për qind e qytetarëve në rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi, janë deklaruar shqiptarë.

    Si rrjedhojë pjesa tjetër vijojnë 41.1 për qind të deklaruar malazezë, ndërsa 32.9 për qind si serbë.

    Krahasuar me regjistrimin e parafundit, numri i shqiptarëve qëndron mirë: më 2011 ishin 4.91%, apo 30.439, ndërsa tani janë 30.978.

    Në regjistrimin e fundit, rreth 2.8% e popullsisë nuk u deklaruan.

    Sipas referencave në Mal të Zi, jetojnë 623.633 banorë, që do të thotë 0.6% më shumë se në vitin 2011.

    Këto shifra rezultojnë nga regjistrimi i fundit i popullsisë që u bë në dhjetor të vitit 2023, të publikuara sot nga Drejtoria e Statistikave të Malit të Zi, e njohur si MONSTAT.

  • Kosova i hoqi vizat njëanshëm për Bosnjën, Sarrazin paralajmëron presion të Gjermanisë që Dodik të heqë bllokadën

    Kosova i hoqi vizat njëanshëm për Bosnjën, Sarrazin paralajmëron presion të Gjermanisë që Dodik të heqë bllokadën

    Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një konferencë me gazetarë, ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës që nga 1 janari 2025 të lejojë hyrjen e qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës vetëm me karta të identitetit në Kosovë.

    Sarrazin në pyetjen e Gazetës Express për këtë çështje, ka thënë se ky është një hap pozitiv i Kosovës dhe se kjo është fryma e vërtetë e Procesit të Berlinit.

    “Është nja hap pozitiv. Ky është shpirti i vërtetë i Procesit të Berlinit dhe ka një impakt pozitiv për ata që mbajnë pasaportë të Bosnje e Hercegovinës”, ka thënë Sarrazin.

    I pyetur nëse Gjermania do të ndërmarrë veprime për të bindur edhe palën tjetër që të heq regjimin e vizave për Kosovën, Sarrazin ka thënë se Berlini zyrtar që nga nëntori i vitit 2022 ka bërë presion dhe ka bërë përpjekje për të bindur Republika Srpskan e Millorad Dodik që të heqë bllokadën për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në mes të Bosnjës dhe Kosovës.

    Sarrazin ka thënë se Gjermania do të angazhohet për këtë çështje dhe e ka bërë të qartë që heqja e bllokadës nga Dodik është diçka shumë e rëndësishme.

    “Gjermania qe nga nëntori 2022 ka bërë presion dhe ka kërkuar, dhe ka bërë përpjekje për te bindur Republika Srpskan për të hequr veton kombëtare. E kemi bërë të qarte që kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Sarrazin në pyetjen e Gazetës Express.

    Megjithatë emisari gjerman e ka bërë të qartë që s’do të ketë “sheqera” për Dodikun në këmbim të heqjes së vetos kombëtare dhe mundësimit të heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

    “E kemi bere te qarte qe s’do te japim sheqera për këtë, s’do te paguajmë”, ka thënë Sarrazin.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të hënën nga Berlini se që nga 1 janari 2025, Republika e Kosovës do të lejojë shtetasit e Bosnje e Hercegovinës që të futen në territorin e Republikës së Kosovës vetëm më letërnjoftim të BeH. Ky veprim i Kosovës është duartrokitur edhe nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, që e ka përmendur edhe në konferencën e mbajtur për media