ATV

Author: ATVLive

  • Arrestohen babë e djalë në Malishevë, u rrahën mes vete pas një mosmarrëveshje

    Arrestohen babë e djalë në Malishevë, u rrahën mes vete pas një mosmarrëveshje

    Policia e Kosovës ka arrestuar babë e djalë në Malishevë, meqë dyshohet se pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete.

    Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje.

    “Malishevë 18.10.2024-19:45. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (babë e djalë) pasi që të njëjti pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes veti dhe si pasojë e kësaj kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Rritet numri i ankesave nga gazetarët e shoqëria civile për mosdhënien e përgjigjeve nga institucionet

    Rritet numri i ankesave nga gazetarët e shoqëria civile për mosdhënien e përgjigjeve nga institucionet

    Në Agjencinë për Informim dhe Privatësi është rritur numri i ankesave nga gazetarët dhe shoqëria civile për mosdhënien e përgjigjeve nga ana e institucioneve publike. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, komisionerja e AIP-it, Krenare Sogojeva-Dermaku.

    Krahas inspektimeve që ka kryer ky institucion, AIP ka shqiptuar edhe tri gjoba për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Njëra për Komunën e Gjakovës, ndërsa tjetra KEDS-in dhe KRU “Prishtinën”.

    Ajo ka thënë se gjobat për ndërmarrjet publike janë shqiptuar për mosndëmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët, ndërsa për Komunën e Gjakovës gjoba për publikim të diagnozave të qytetarëve.

    “Për këtë vit, referuar statistikave deri në fund të muajit gusht të këtij viti, ne kemi pranuar 104 ankesa nga qytetarët. Kemi bërë 228 inspektime dhe janë lëshuar 234 vendime, kur flasim për numrin e inspektimeve dhe vendimeve, ta kemi parasysh edhe ankesave ka inspektime që janë në proces dhe nuk kemi vendime përfundimtare. Ka inspektime që përfundojnë me një raport përmbyllës pa vendime, ndërsa tek vendimet ankesa që janë në shqyrtim kemi edhe 15 ankesa në shqyrtim dhe kjo e fundit që asnjëherë nuk kisha dashur të përmend Agjencia ka shqiptuar edhe tri gjoba për shkelje të të dhënave. Një ndaj Komunës së Gjakovës për publikim të listave të qytetarëve që kanë përfshirë të dhëna të diagnozave të qytetarëve, përfshirë diagnoza të fëmijëve, si dhe dy gjoba tashmë të shumëpërfolura, njëra ndaj KEDS-it dhe tjetra ndaj KRU ‘Prishtinës’ për lejimin e personave të paautorizuar në të dhëna të qytetarëve”, ka thënë ajo.

    Sogojeva-Dermaku ka thënë se kohëve të fundit është rritur edhe numri i ankesave për shpenzimet e parasë publike, pasi institucionet qendrore e lokale hezitojnë të japin informata për shpenzimet e parasë publike.

    “Qasja në dokumentet publike, me keqardhje mund të them që sado që ne në bazë të ankesave nuk mund të themi se një institucion është më transparentë apo jo, por ajo çka vërehet është që është rritur numri i ankesave për shpenzimin e parasë publike, që do të thotë se institucionet në nivel qendror, lokal apo edhe ndërmarrje publike apo edhe në sistemin e drejtësisë, ka një hezitim në dhënien e informatave për shpenzimet e parasë publike. Në bazë të statistikave deri në fund të gushtit të këtij viti, numri i ankesave është në rritje nëse e krahasojmë vitin 2023 kur i kemi pasur 552 ankesa tani deri në fund të gushtit i kemi 500 ankesa veç për këtë tetë mujor”, ka deklaruar ajo.

    Në Agjenci është rritur numri i ankesave nga gazetarët dhe shoqërisë civile për mosdhënien e përgjigjeve nga ana e institucioneve, raporton EO.

    “Qytetarët janë duke e kërkuar zgjidhje për mosdhënien e informatave publike. Një tjetër karakteristikë është që sado që mbetet më i lartë numri i qytetarëve që kërkojnë qasje në dokumente publike, është rrit edhe numri i ankesave nga shoqëria civile edhe nga gazetarët dhe është rritur numri i ankesave në mosdhënie e përgjigjeve. Që përpara kemi pasur ankesa në mosdhënien e dokumenteve publike, tashmë kemi një rritje në mosdhënien e përgjigjeve nga ana e institucioneve nga pyetjet që i bëjnë gazetarët”, u shpreh ajo.

  • Moti me diell sot në Kosovë, temperaturat deri 17 gradë

    Moti me diell sot në Kosovë, temperaturat deri 17 gradë

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorolgjik të Kosovës temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga veriperendimi e lehtë deri mesatare.

    Po ashtu parashihet të paraqitet fenomeni i brymës, si pasojë e rënies së temperaturave minimale dhe kthjellimeve në Troposferë.

  • ​Koreja Jugore akuzon Korenë Veriore se po dërgon ushtarë në Rusi

    ​Koreja Jugore akuzon Korenë Veriore se po dërgon ushtarë në Rusi

    Koreja e Jugut akuzoi të premten Korenë Veriore se ka dërguar 1 mijë e 500 ushtarë në Rusi për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës.

    Shërbimi Informativ Kombëtar (NIS) i Koresë Jugore tha se Pheniani po planifikon të dërgojë rreth 10 mijë trupa në Rusi, sipas Yonhap News.

    Në fazën e parë, Pheniani ka transportuar 1 mijë e 500 trupa në Rusi në bordin e anijeve të marinës më 8-13 tetor.

    Trupat u zhvendosën nga zonat pranë qyteteve të Koresë Veriore Chongjin, Hamhung dhe Musudan në qytetin rus Vladivostok, tha agjencia e inteligjencës, duke shtuar se ajo pret që së shpejti të ndodhë një fazë e dytë e transportit.

    Të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pohoi gjithashtu se Rusia po përgatitej të vendoste 10 mijë ushtarë të Koresë së Veriut në luftën kundër Kievit. Koreja e Veriut ende nuk ka komentuar mbi pretendimet. /AA

  • Një person në Shtime lëndohet me burgi derisa po punonte në shtëpi, Policia jep detaje

    Një person në Shtime lëndohet me burgi derisa po punonte në shtëpi, Policia jep detaje

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veselaj, ka konfirmuar rastin e një lëndimi të një personi i cili kishte qenë duke punuar në shtëpinë e tij në Shtime.

    Veselaj ka thënë se ngjarja ka ndodhur të enjten në mesditë dhe se personi i lënduar pasi ka marrë ndihmën e parë në Shtime është dërguar në QKUK.

    Personi është vetëlënduar me një burgi, derisa ka qenë duke i ndarë drunjtë në shtëpinë e tij.

    “Me datën 17.10.2024 rreth orës 11:00, policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informatë se në shtëpinë e shëndetit në Shtime një person kishte marre lëndime në kokë dhe pasi ka marrë ndihmën e parë në Shtime, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar ne QKUK-Prishtinë.Policia kishte mësuar se ai ishte vetëlënduar nga një mjet shpues (burgi), derisa ishte duke i ndarë drunjtë në shtëpinë e tij.Për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është inicuar shënim zyrtar”, ka thënë Veselaj.

  • Për herë të parë në QKUK trajtohen me sukses 7 pacientë me anomali strukturore në zemër

    Për herë të parë në QKUK trajtohen me sukses 7 pacientë me anomali strukturore në zemër

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë trajtuar me sukses 7 pacientë të rritur me defekte në septumin interatrial, duke përfshirë 4 raste të ASD (Defekti i Septumit Atrial) është një anomali strukturore në zemër ku ekziston një vrimë ose defekt në murin (septumin) që ndan dy dhomat e sipërme të zemrës dhe 3 raste të PFO-(Patent Foramen Ovale) është një defekt i vogël në zemër që ndodh kur një vrimë natyrale midis atriumit të djathtë dhe atij të majtë

    Këto procedura u kryen për herë të parë në Kosovë, nga një ekip mjekësor vendor i përbërë nga dr. Daut Gorani, dr. Denis Zijabegu dhe dr. Aurora Bakalli, nën mbikëqyrjen e profesorit italian, prof. dr. Eustahio Oracio.

    “Me suksesin e këtyre procedurave, trajtimi i sëmundjeve strukturale të zemrës tashmë do të jetë i mundur në QKUK, duke përmirësuar qasjen dhe kujdesin për pacientët me këto patologji”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së. Në njoftim po ashtu thuhet se kjo ishte seanca e dytë, ndërsa në seancën e parë u kryen gjithashtu 4 procedura të suksesshme, duke çuar numrin total të pacientëve të trajtuar me defekte të septumit interatrial në 11. Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e kardiologjisë publike në Kosovë, drejt shërbimeve të avancuara mjekësore brenda vendit”, thuhet në njoftim.

  • VV-ja s’merr pjesë në Komisionin Hetimor për tekstet shkollore, shkak kërkesa e opozitës për shkarkimin e Kusari-Lilës

    VV-ja s’merr pjesë në Komisionin Hetimor për tekstet shkollore, shkak kërkesa e opozitës për shkarkimin e Kusari-Lilës

    Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në Komisioni Hetimor për tekste shkollore, kjo për shkak të kushtëzimit nga ana e partive opozitarë për shkarkimin e Shefes së Grupit parametra të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, në mënyrë që të marrin pjesë në votime, raporton Ekonomia Online.

    Deputetja e VV-së, Arjeta Fejza, tha se si shkak i sjellës së partive opozitare nuk do të marrin pjesë në mbledhje e këtij Komision. Madje ajo tha se opozita në seancat e fundit ka folur shumë të pavërtetat dhe se një pozicion i tillë është i dëmshëm.

    “Neve na ka rënë që disa herë të iu drejtohemi juve në lidhje me punën e këtij Komision dhe në vazhdën e saj dëshirojmë që ta sqarojmë pozicionin tonë për mos pjesëmarrjen në këtë Komision. Opozita ka kushtëzuar me shkarkim e shefes së GP, ata kanë thënë që nuk i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare”.

    “Në seancat që kanë thirrur kanë folur shumë të pa vërteta, një pozicion i tillë është i dëmshme. Ne tashmë nuk do të mund të ju ndihmojmë atyre. Ne do të vazhdojmë programin tonë, nuk do të angazhohemi që t’i ndihmojmë ata në atë Komision”, ka thënë ajo.

    Deputeti i VV-së Armend Muja, tha se si pozitë kanë propozuar që mbledhjet e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, të mbahet më shpesh gjatë javës, por që një gjë të tillë nuk e ka pranuar opozita dhe ata kanë vendosur që kjo mbledhje të mbahet një herë në javë.

    Ai ka thënë se partitë opozitare do ta marrin mesazhin nga qytetarët në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, raporton EO.

    “Ne si GP kemi anuluar të gjitha angazhimet tjera që t’i angazhohemi punës së këtij Komision dhe kemi propozuar një fazë më të ngjeshur. Anëtarët e opozitës kanë vendosur që të mbajnë mbledhje një here në jave që është absurde për Komisione hetimore”.

    “Ideja është që ky Komision Hetimor jo të shfaq të vërtetën, por ata kanë marr pozicion duke kërkuar që të shkarkohet shefja e Grupit Parlamentar, nuk do të marrin pjesë në votime. Mesazhin e popullit të Kosovës këta e kanë marr me 14 shkurt. Një mesazh më të mirë do ta marrin me 9 shkurt”, ka thënë ai.

  • Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për tekstet shkollore, s’marrin pjesë deputetët e VV-së

    Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për tekstet shkollore, s’marrin pjesë deputetët e VV-së

    Ka dështuat të mbahet mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, për shkak se nuk ishin prezentë deputetët e VV-së, raporto EO.

    Në këtë mbledhje e paraparë ka qenë që të intervistohen Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme e MAShTI; Avni Rexha, U.D. Drejtor i Departamentit të Arsimit Parauniversitar dhe Genc Hamzaj, nga AShI.

    Kryetari i Komisionit, Shemsedin Dereshaj, tha se kanë qenë të gatshëm që t’i përfundojnë intervistimet e dëshmitarëve, dhe ky proces të mbyllet me një raport final.

    “Si e shini edhe sot do të dështoj kjo mbledhje për shkak të mungese së kuorumit. Kemi qenë të përgatitur që t’i intervestojmë dëshmitarët dhe të mbyllim procesin drejt një raporti filan për të gjeturat e shumta”.

    Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, tha se bojkoti i deputetëve të mazhorancës nuk do ta ndal hetimin dhe dyshimet mbi këtë proces.

    “Bojkoti i këtij Komisioni nga ana e deputetët të mazhorancës nuk është se do ta ndal hetimin për dyshimet mbi subvencionimin e teksteve shkollore. Po mendoj që tani është koha që ekspertë të vazhdojnë të punojnë. Ka dyshime të bazuar se mjete nga subvecinimi janë derdhur jashtë Kosovës”.

    “Në disa prej dokumentacioneve kemi parë që të vendi i bankave është e mbuluar, prej 16 numrave, 14-12-11 numra në llogari bankare të cilat nuk janë numra të llogarive bankare në Kosovë. Kjo ka nxitur edhe më shumë dyshime tonë që mjete nga subvencionim kanë përfunduar edhe në llogari bankare jashtë vendit nga ata që nuk i kanë pasur fare fëmijët në shkollat e Kosovës”, ka thënë ai.

    Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, tha se duke mos dashur që të dalin dyshimet që kanë për këtë proces, sipas tij, “pushtoi mafioz i organizatës mafioze të quajtur VV” është duke i bojkotuar këto mbledhje.

    “Pushteti mafioz i organizatës mafioze të quajtur VV sot nuk ka ardhur për këtë qëllim. Nga 4 milionë të planifikuar këta kanë kapërcyer në 11 miliardë e këtu ka dyshime të hatashme”, ka thënë ai.

  • Deputet i VV-së i reagon Shalës, i publikon disa shifra për qymyrin e KEK-ut

    Deputet i VV-së i reagon Shalës, i publikon disa shifra për qymyrin e KEK-ut

    Alban Bajrami, deputet i VV-së, i ka reaguar Ferat Shalës, deputet i PDK-së, i cili publikoi një video nga një shpërthim në Termocentralin A në KEK.

    Bajrami ka publikuar disa statistika dhe ka bërë disa pretendime në lidhje me shitjen e qymyrit.

    Tutje, Bajrami ka shtruar edhe një pyetje me shumë gjasë retorike.

    “A thua kush ka mundur të ulë aq shumë fitimet e KEK-ut dhe të rrisë aq shumë fitimet e grupit privat?” – ka shkruar ai.

  • Ferizaj merr fitore të madhe ndaj Gjilanit

    Ferizaj merr fitore të madhe ndaj Gjilanit

    Ferizaj ka vazhduar me performanca dhe fitore në Superligë.

    Pasi e mposhti Dukagjinin, tani Ferizaj triumfoi edhe ndaj Gjilanit 1:2 në udhëtim, në kuadër të javës së nëntë në elitën e futbollit kosovar.

    Ishte Sadriu që kaloi mysafirët në epërsi në minutën e 14-të të ndeshjes.

    E një minutë para fundit të pjesës së parë Abdul shënoi për 0:2, duke i dhënë qetësinë skuadrës së tij para fillimit të fraksionit të dytë.

    Senad Jarovic ngushtoi epërsinë në minutën e 72-të, por kjo ishte krejt çfarë arritën të bënin vendasit.

    Deri në fundin e takimit, Gjilani mori dy kartonë të kuq.

    Me këtë fitore, Ferizaj tani shkon në kuotën e 10 pikëve në pozitën e shtatë.

    Në anën tjetër, Gjilani zbret në vendin e tetë me nëntë pikë të grumbulluara.