ATV

Author: ATVLive

  • Bruksel: Kazermat e xhandarmërisë kthehen në godina strehimi

    Bruksel: Kazermat e xhandarmërisë kthehen në godina strehimi

    Ish-godinat e policisë së Brukselit janë kthyer në apartamente dhe strehimore për studentët. Dy universite belge kanë gjetur zgjidhjen e dobishme në një kohë që janë rritur kostot e qirasë si dhe kërkesa për banesa.

    Kur në vitin 1906 në Bruksel, në bulevardin “Générale Jacques” u ndërtuan 27 kazerma për xhandarmërinë – ku përgatiteshin dhe vepronin punonjësit policorë të kohës – muret e larta dhe rrethimi nuk lejonin askënd nga banorët e qytetit as të shihnin se çfarë ndodhte atyre brenda. Një shekull më vonë, pakkush do ta kishte menduar se në këto godina do të mund të jetoje apo të kaloje vitet e universitetit.

    Rreth 56 mijë metër katrorë që dikur i shërbenin xhandarmërisë e më vonë policisë belge, kanë kaluar krejtësisht tek rezidentët dhe studentët e Brukselit, të cilët përballen në të shumtën e kohës me qira të shtrenjta ose me ‘luftën’ e përditshme për gjetjen e një shtëpie.

    Nga kazerma, në apartamente dhe konvikte
    Të gjendur në këtë situatë dhe para ndryshimeve të shpejta sociale, ekonomike dhe mjedisore, rajoni i Brukselit mori nën administrim këtë pronë në vitin 2018. Por transformimi erdhi nga bashkëpunimi i dy universiteteve prestigjoze belge: “Université Libre de Bruxelles” dhe “Vrije Universiteit Brussel”, të cilët të mbështetur nga një grant prej rreth 12 milionë eurosh nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal (EFRD), mundën që ta shndërrojnë kompleksin “Usquare” në një ndërthurje tepër të efektshme mes botës akademike dhe hapësirës urbane.

    “Programi ka mbështetur nismat që kontribuojnë tek përmirësimi i ‘metabolizmit urban’, në linjë me strategjinë e Bashkimit Europian mbi zhvillimin e qëndrueshëm urban” – thotë Quentin Richard, përfaqësues i EFRD-së.

    Investimi kryesor i projektit u përmbyll në shkurtin e këtij viti, por në kompleks punohet ende dhe banorët e rinj do të “pushtojnë” apartamentet aq shumë të dëshiruara. 70% e familjeve që do të strehohen në këtë kompleks do të përfitojnë nga shërbimi i banesave sociale dhe 30% do të mund të marrin me qira mjediset e tjera. Ndërsa rreth 460 dhoma janë planifikuar për studentët.

    Bruno Allardin, urbanist dhe arkitekt, drejtuesi i projektit nga Koorporata e Zhvillimit Urban, shpjegon se “Usquare” shërben si kompleks banesash sociale dhe apartamentesh, qendër edukimi dhe qendër kërkimore për autizmin, sipërmarrjen dhe inovacionin, krahas hapësirës akademike. “Usquare po i risjell gjallërinë dhe ngrohtësinë kësaj lagjeje. Ai përmirësoi sitet e trashëgimisë si dhe forcoi strategjinë e energjisë qarkulluese” – shprehet Allardin.

    “Kemi ricikluar tullat, dritaret, dyert… Pjesa më e madhe është riciklim” – thotë gjeografi Benjamin Wayens, njëkohësisht koordinatori shkencor për “Usquare” nga “Université Libre de Bruxelles”, i cili thekson se e gjithë kjo punë ka marrë kohë dhe nuk është përmbyllur ende, pikërisht se “është dashur më shumë kohë dhe mund për të ricikluar se sa do të duhej për të shembur muret dhe për t’ia nisur nga e para”. Gjithashtu, përshtatja me ndryshimet klimatike ka bërë që transformimi të përfshijë edhe vendosjen e paneleve diellore, sistemin qëndror ftohës dhe një rrjet të ri për ngrohje.

    Biznese që ndihmojnë fermerët
    Francois Viellevoye ishte pjesë e një rrjeti produktesh organike, para se të hapte biznesin e saj plot ngjyra dhe aromëra të mrekullueshme të stinës së vjeshtës në kompleksin e “Usquare”. Asaj nuk i pëlqente që supermarketet e mëdha “mbysnin” prodhuesit lokale të pakicës. Dhe një ditë, teksa e gjithë bota përballej me pandeminë dhe izolimin, ajo vendosi që të ideonte e një vit më pas të hapte biznesin e saj të vogël “Pedaló” në Bruksel dhe t’u vinte në ndihmë fermerëve të zonave përreth. Ish-barrakat e xhandarmërisë iu dukën vendi ideal për t’ia nisur nga e para.

    “Ideja fillestare ishte të paturit e një zgjedhjeje tjetër, përveç supermarketeve të mëdha, dhe të paturit e frutave dhe perimeve të freskëta direkt nga prodhuesit. Ne nuk e negociojmë çmimin me ta, sepse nuk duam që t’u krijojmë atyre presion dhe duam që ata të marrin mbrapsht mundin” – thotë Francoise.

    Ajo është vetëm një nga sipërmarrësit e vegjël që po luan një rol thelbësor në transformimin e kësaj qendre të re urbane. Pak metra më tutje, punëtorët po bëjnë gati një treg tjetër që do të plotësojë nevojat e rezidentëve të rinj, i cili po ngrihet pikërisht aty ku një shekuj më parë ishte arena e stërvitjes së kuajve të xhandarmërisë.

    Sepse ashtu si ruajtja e trashëgimisë dhe ekonomia qarkulluese, ushqimi i qëndrueshëm dhe pakësimi i mbetjeve ushqimore është një tjetër ambicie e shëndetshme e kompleksit më të ri të Brukselit./DW/

  • Superliga vazhdon sot me dy ndeshje tjera

    Superliga vazhdon sot me dy ndeshje tjera

    Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë me javën e nëntë të saj edhe gjatë ditës së sotme.

    Dy ndeshje janë në program sot që nisin nga ora 13:00.

    Në “Liman Gegaj”, Malisheva do të jetë nikoqire e skuadrës së Prishtinës.

    Momentalisht, Malisheva është lidere në tabelë me 17 pikë, kurse Prishtina është e katërta me 13 sosh.

    Në Drenas, Drita do t’i bëjë konak ekipit të fundit në tabelë, Feronikelit 74.

    Gjilanasit janë favorit absolut në këtë takim, teksa synojnë t’u bashkohen ekipeve të para në tabelë.

    Momentalisht, “Intelektualët” gjenden në vendin e pestë me 13 pikë, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.

    Në anën tjetër, Feronikeli 74 është në vendin e fundit me vetëm një pikë.

  • Raportohet i zhdukur një i mitur nga Prishtina

    Raportohet i zhdukur një i mitur nga Prishtina

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur për një rast të raportimit për një person të zhdukur në Prishtinë.

    I mituri është raportuar i zhdukur nga 16 tetori i këtij viti.

    “Prishtinë 16.10.2024-16:00 Ankuesja femër kosovare ka raportuar se djali i saj i moshës së mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Me raportet e progresit, Komisioni Evropian synon përshpejtimin e zgjerimit

    Me raportet e progresit, Komisioni Evropian synon përshpejtimin e zgjerimit

    Vetëm pak javë para përfundimit të mandatit pesëvjeçar, Komisioni Evropian (KE) do të miratojë dhe bëjë publike paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

    Do të jetë kjo paketa e fundit që miratohet nga përbërja e tashme e Komisionit, i cili është në largim e sipër.

    Sipas planit, kjo pritet të ndodhë në takimin e Kolegjit të KE-së, më 30 tetor në Bruksel.

    Plani i mëhershëm ishte që këto dokumente të miratoheshin më 16 tetor, por u shty për dy javë, për shkak të disa rrethanave.

    Kur ishte përmendur 16 tetori për miratimin e paketës së zgjerimit, besohej se Komisioni i ri Evropian do të ishte i gatshëm ta niste mandatin që më 1 nëntor.

    Por, ndërkohë, seancat për dëgjimin dhe votimin e kandidatëve për komisionarë të rinj u shtynë për dy javët e para të nëntorit, ndaj Komisioni i ri nuk do të jetë gati para 1 dhjetorit.

    Sipas burimeve nga BE-ja, të cilat kanë pasur mundësi t’i shohin raportet e progresit në versionet e tyre të punës, pra si drafte, kësaj radhe pritet që ato të theksojnë një lloj përparimi për të gjitha vendet kandidate dhe për Kosovën si të vetmen “kandidate potenciale”.

    Qëllimi i Komisionit është që, në njërën anë, të jetë objektiv në vlerësimin e gjendjes reale të vendeve nga procesi i zgjerimit, por, në anën tjetër, të mos jetë shumë kritik ndaj tyre, me qëllim që ta evitojë mundësinë që ndonjë vend anëtar i BE-së t’i përdorë pikërisht këto raporte për ta penguar avancimin e procesit.

    Në pjesën politike të dokumentit strategjik për zgjerimin do të nënvizohen të arriturat kryesore gjatë vitit të fundit.

    Në mesin e tyre pritet të përmendet vendimi i Këshillit Evropian nga dhjetori i vitit 2023 për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pastaj vendimi me kusht për t’i hapur negociatat edhe me Bosnje e Hercegovinën, si dhe dhënia e statusit të vendit kandidat Gjeorgjisë.

    Mali i Zi, gjithashtu, shënoi një hap përpara me miratimin e raportit kalimtar për përmbushjen e kritereve nga kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit.

    Shqipëria, vetëm disa ditë para miratimit të Raportit të ri të Progresit për të, e hapi grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE.

    Të gjitha këto dhe të tjera do të përfshihen si të arritura në raportet e progresit për këto vende dhe në dokumentin për strategjinë e zgjerimit.

    I vetmi vend për të cilin nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim, është Kosova.

    Ajo e ka dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 aplikacionin për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë nuk është shqyrtuar ende.

    Kështu, Kosova mbetet e vetmja nga dhjetë vendet e procesit të zgjerimit, që nuk e ka statusin e vendit kandidat.

    Por, edhe për Kosovën, Raporti i Progresit pritet të jetë voluminoz dhe të analizojë reformat dhe performancën në të gjitha fushat, sikurse për të gjitha vendet tjera nga ky proces.

    Raporti i Progresit për Kosovën dhe ai për Serbinë pritet të përmbajnë kritika për të dyja këto vende për mungesë të gatishmërisë për t’i zbatuar obligimet që dalin nga dialogu i tyre për normalizimin e marrëdhënieve, i lehtësuar nga BE-ja.

    Kjo nuk do të jetë ndonjë befasi, pasi pakënaqësinë për mungesën e përparimit në dialog, në BE e kanë shprehur tashmë edhe publikisht.

    BE-ja vazhdimisht rikujton Kosovën dhe Serbinë se rrugëtimi i tyre evropian varet edhe nga dialogu për normalizimin e raporteve mes tyre.

    Një e arritur në raportet mes BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor është miratimi i Planit për Rritje dhe Reforma.

    Fjala është për një paketë prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante pa kthim, ndërsa pjesa tjetër është në formën e kredive të favorshme.

    Me këtë paketë synohet t’u ndihmohet vendeve të rajonit që të përgatiten për përparimin drejt integrimit në BE.

    Pjesa që do të kërkojë më shumë nga vendet e rajonit në këto raporte të progresit, ka të bëjë me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe reformat e administratës publike.

    Ndonëse ka dallime mes vendeve kandidate sa i përket nivelit të progresit në këto fusha, të gjitha janë ende larg nga arritja e nivelit që kërkon BE-ja.

    Komisioni Evropian pritet që, në veçanti, të bëjë ftesë për më shumë progres në sigurimin e një gjyqësori të pavarur, për respektimin e lirisë së shprehjes dhe për depolitizimin e administratës publike.

    Nga vendet e rajonit edhe me këto dokumente pritet të kërkohet që të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e migrimit, përfshirë përshtatjen me politiken e azilit dhe të vizave të BE-së.

    Pasi të miratohen nga Komisioni Evropian, këto raporte të progresit dhe paketa e zgjerimit do të shqyrtohen në muajin dhjetor edhe në Këshill nga vendet anëtare.

    Në bazë të tyre, pritet edhe të merren vendime për hapjen apo mbylljen e kapitujve në procesin e negociatave të anëtarësimit për disa vende kandidate, sidomos për Malin e Zi dhe për Serbinë.

    Gjithashtu, gjatë muajit dhjetor, pritet të zhvillohet edhe një samit i përbashkët i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

  • Rizvanolli pretendon se Kosova ka normën e rritjes ekonomike më të lartën në rajon: Po bëhemi tërheqës për investime

    Rizvanolli pretendon se Kosova ka normën e rritjes ekonomike më të lartën në rajon: Po bëhemi tërheqës për investime

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se Kosova e ka normat e rritjes ekonomike më të lartat në rajon.

    Duke folur për qeverisjen, ajo ka thënë se Kosova është gjithnjë më tërheqëse për investime nga shtetet evropiane.

    “Me norma të rritjes ekonomike më të lartat në rajon, qeverisje të mirë, luftë kundër korrupsionit e informalitetit, e vlera të përbashkëta me kombet e familjes evropiane, Kosova është gjithnjë më tërheqëse për investime nga shtetet evropiane. Sa i përket energjisë, Ankandi i parë ka vendosur Kosovën në hartë për investime të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Reputacionin të cilin kemi ndërtuar për procese të drejta, transparente e fer do ta mbajmë edhe në proceset e radhës të cilat i kemi paraparë në pakon investive të BRE-ve. Pako përfshin kapacitete gjeneruese prej 950MË, në vlerë rreth 1.2 miliardë euro, dhe projektet e radhës të cilat do t’i lansojmë janë projektet konkurruese të erës me kapacitet prej 150MË”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

  • Osmani dekoron William Walker, Tom Lantos, Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel: Faleminderit nga populli i Kosovës

    Osmani dekoron William Walker, Tom Lantos, Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel: Faleminderit nga populli i Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani i ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë Ambasadorin William Walker, Kongresistin e ndjerë Tom Lantos, Ambasadorin Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel, të cilët i ka falënderuar në emër të popullit të Kosovës.

    Osmani ka thënë se përmes përpjekjeve të tyre të pandërprera dhe angazhimit të palëkundur për paqen, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, ata janë disa nga aleatët amerikanë që kanë lënë një trashëgimi, e cila do të kujtohet gjithmonë me përurëlësi nga populli i Kosovës, raporton Express.

    “Mbështetja e tyre ka formësuar të kaluarën tonë, fuqizon të tashmen tonë dhe frymëzon të ardhmen tonë! Për këtë kontribut, sot, në Washington D.C., pata nderin që, në emër të Republikës së Kosovës, t’i dekoroj me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë”, ka shkruar Osmani.

  • Shala: Pagat në sektorin publik janë rritur vetëm 6.8 euro, rezultatet e Qeverisë inekzistente

    Shala: Pagat në sektorin publik janë rritur vetëm 6.8 euro, rezultatet e Qeverisë inekzistente

    Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë se Qeveria aktuale pagën në sektorin publik e ka rritur vetëm për 6.8 euro dhe atë në një situatë të rënd ekonomike në të cilën gjendet vendi.

    Shala, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i tha Ekonomia Online, se kjo Qeveri e ka vështirësuar jetën e qytetarëve duke rritur 100 për qind tatimet në pronë për ekonomitë familjare e 200 për qind për bizneset.

    Ai është shprehu kështu duke komentuar deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se nga raporti i fundit i ASK-së për vitin 2023 paga mesatare në sektorin publik ishte rritur me 18% krahasuar me nivelin e vitit paraprak. Shala ka theksuar së vetëm brenda një mandati të kësaj Qeveria ka shtrenjtim të energjisë për 120 për qind.

    Sipas tij, rezultatet e kësaj Qeverie janë inekzistente, përderisa asnjë nga projekte infrastrukturore nuk kanë përfunduar.

    “Rritja e pagës prej 6.8 cent vërtet ka ndodhur në një situatë jashtëzakonisht të rënd ekonomike të vendit. Ne tashmë kemi po nga kjo qeveri rritjen 100 për qind të tatimit në pronë për ekonomit familjare. Kemi 200 për qind të tatimit në pronë për bizneset, kemi një inflacion prej rreth 35 deri 40 për qind brenda një mandati qeverisës”.

    “Kemi shtrenjtim të energjisë për 120 për qind, pra brenda një mandati. Sot si as një herë tjetër kemi rreth 5 miliard euro deficitin tregtar, duhet rritjen e eksporteve. Kemi me mijëra të rinj që si rezultat i pa aftësisë për tu punësuar këtu dhe pamundësisë për tu punësuar që e lëshojnë vendin. Rezultatet e kësaj Qeverie janë jashtëzakonisht të dobëta për të mos thënë inekzistente, sot asnjë nga projekte infrastrukturore nuk kanë përfunduar. Sot nuk kanë përfunduar asnjë nga investimet kapitale të proklamuara”, ka thënë ai.

    Ai shtoi se me këtë Qeveri, Kuvendi i Kosovës debaton për mungesë të ushqimit për ushtarët e FSK-së, duke shtuar se këto janë situata që nuk kanë ndodhur ndonjëherë në historinë e Kosovës.

    “Sot AKP-ja vazhdon punën sipas praktikave dhe metodologjisë së vjetër, sot nuk ekziston Fondi Sovran, sot tenderët një burimor dominojnë në skenën politikë dhe ekonomike të vendit. Kuvendi i Kosovës debaton për situata të pa qene ndonjëherë në historinë e shtetit tonë, për ushqimin e trupave të ushtrisë tonë. Nuk ka gjë më mizëri që të kemi debat çështjen e ushqimit të sigurisë”, ka thënë ai.

    Deputeti i PDK-së ka komentuar edhe rritjen e pensioneve nga ana e Qeverisë, për të cilat ka thënë se kjo rritje nuk i plotëson parametrat e nevojshëm për gjendjen ekonomike të pensionisteve.

    Ai është shprehur se qeveria ka bërë ndarje në mesë kategorive të dala nga luftë, kështu sipas tij, duke bërë shkelje e të drejtave elementare.

    “Në asnjë situatë do të thotë nuk i plotëson parametrat e nevojshëm për gjendjen ekonomike të pensionisteve, kur i shtojmë kësaj që kjo kategori ka bërë një ndarje Qeveria në mesë kategorive të dala për luftë, të cilat praktikisht gjatë këtij viti fare nuk i prek kjo rritje. Kjo është definitivisht edhe shkelje e të drejtave elementare, vlerat më sublime të këtij shteti, të këtij populli kanë mbetur jashtë trajtimit, vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

  • Rutte: Dialogu Kosovë-Serbi nuk po ecën siç do dëshironim

    Rutte: Dialogu Kosovë-Serbi nuk po ecën siç do dëshironim

    Autoritetet ndërkombëtare por edhe ato të NATO-s gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka ngritur shqetësime për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Operacionet e NATO-s në Kosovë, ishin temë diskutimi edhe në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.

    Angazhimi i NATO-s për siguri në Kosovë nuk ndryshon. Këtë e theksoi edhe Rutte, i cili tha se anëtarët e NATO-s do të vazhdojnë të punojnë për sigurinë në rajon. “Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, tha sekretari Rutte.

    Rutte: Jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor

    Siguria është njëra anë, kurse ecja përpara në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve është ana tjetër. Këtu ka vite që ngecja e situatës rrit tensionet. Rutte shprehet i vetëdijshëm për këtë. “Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim”, vazhdoi Rutte.

    Aleanca Veriatlantike aktualisht ka në Kosovë mbi 4 mijë e 400 trupa të cilat kujdesen për sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve të Kosovës.

    Rohde: Palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën

    Mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi e vuri në pah në Prishtinë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, pas një tryeze diskutimi lidhur me Procesin e Berlinit që zhvilloi punimet gjatë javës.

    “Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën, dhe kanë vullnet politik për të arritur progres, sepse, për momentin nuk ka shumë progres në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit, dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje, që ne të ecim përpara”, tha Rohde, duke shprehur bindjen se strukturat e reja evropiane do të kërkojnë më shumë progres në dialogun Kosovë-Serbi.

    “Jam i sigurt se emisari Lajçak dhe ekipi i ri në Komisionin Evropian duan progres dhe në fund qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Të dyja vendet dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm në BE”, tha ambasadori Jörn Rohde.

    Takim i ri në Bruksel në nivel kryenegociatorësh

    Javën e ardhshme më 24 tetor është konfirmuar se në Bruksel do të mbahet një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve, ndonëse, akoma nuk është e qartë nëse do të ketë një takim trepalësh, pas dështimit të herës së fundit për një të tillë.

    Autoritetet ndërkombëtare muajt e fundit kanë adresuar kritika të ashpra ndaj Kosovës për ato që ata i kanë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Kosova tashmë ka mbyllur komunat paralele serbe në Kosovë dhe zyrat e Postës së Serbisë, veprime këto që u kritikuan nga autoritetet ndërkombëtare./DW

  • Kurti fton kompanitë franceze të investojnë në Kosovë, flet për arsyet dhe sektorët me më shumë mundësi

    Kurti fton kompanitë franceze të investojnë në Kosovë, flet për arsyet dhe sektorët me më shumë mundësi

    Në Paris është mbajtur dje Forumi i parë Ekonomik i Kosovës. Hapjen e këtij forumi e ka bërë kryeministri Albin Kurti, i cili në fjalën e tij, u bëri ftesë kompanive franceze që të investojnë në Kosovë.

    “Kjo është më shumë se një ftesë për të investuar në Kosovë. Është ftesë për të qenë pjesë e transformimit tonë dhe ftesë për të rritur e thelluar miqësinë tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë, një rajon më prosperues dhe një të ardhme për të cilën të gjithë mund të krenohemi”, citohet të ketë thënë Kurti.

    Ai ka renditur arsyet dhe ka veçuar sektorët me më së shumti mundësi për investime të huaja.

    “Pozita gjeografike e vendit, rinia e arsimuar, e talentuar, kreative, që flet më shumë se një gjuhë të huaj, politikat fiskale dhe sistemi tatimor i leverdishëm, progresi demokratik në vitet e fundit, sundimi i ligjit, stabiliteti institucional dhe investimet në infrastrukturë, si dhe planet për mbi 50 projekte të infrastrukturës në transport, mjedis dhe energji, janë elementet kyçe që e bëjnë Kosovën tërheqëse për investitorë të huaj, veçoi kryeministri Kurti”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

    Në këtë forum ka marrë pjesë edhe Ministri i Francës për Evropë, Benjamin Haddad.

    Haddad, sipas njoftimit, ka thënë se ka shumë ndërmarrje franceze që janë të interesuara të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë.

    “Ai shtoi se Franca e mbështetë perspektivën ekonomike të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë prezantimit të tij, ka folur projektet infrastrukturore që lidhin Kosovën me rajonin, me fokus të veçantë në lidhjet dhe infrastrukturën hekurudhore.

    Ndërkohë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është shpreh se “me norma të rritjes ekonomike më të larta në rajon, qeverisje të mirë, luftë kundër korrupsionit e informalitetit, e vlera të përbashkëta me kombet e familjes evropiane, Kosova është gjithnjë më tërheqëse për investime nga shtetet evropiane.”

    Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka thënë se “viteve të fundit Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm në avancimin e politikave dhe reformave ligjore në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe thjeshtëzimin e procedurave të të bërit biznes fer dhe konkurrues të nxitur nga inovacioni dhe prodhimi”.

    Ftesë për investime në agrikulturë dhe në sektorin e procesimit të ushqimit, bëri edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cila tha se Strategjia Kombëtare e Zhvillimit 2030 synon një mjedis miqësor për bizneset në bujqësi dhe i jep përparësi inovacionit dhe parimeve të ekonomisë qarkulluese për të rritur konkurrencën dhe qëndrueshmërinë.

  • Burri e prindërit e tij ushtrojnë dhunë ndaj nuses në Gjakovë, arrestohen

    Burri e prindërit e tij ushtrojnë dhunë ndaj nuses në Gjakovë, arrestohen

    Tre persona janë arrestuar në Gjakovë të premten për dhunë në familje.

    Policia ka thënë se bashkëshorti dhe vjehrritë kanë ushtruar dhunë ndaj gruas.

    Viktima është kthyer te familja e prindërve, ndërsa bashkëshorti e vjehrri janë dërguar në mbajtje.

    “Është iniciuar rasti në të cilën janë përfshirë viktima femër kosovare dhe tre të dyshuar (burri dhe vjehrritë). Tre të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa viktima pasi ka pranuar tretman mjekësor është kthyer tek familja e prindërve saj. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit-bashkëshorti dhe vjehrri janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara-vjehrra e viktimës është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.