ATV

Author: ATVLive

  • Haddad: Franca vend mik i Kosovës, do të mbështesim zhvillimin ekonomik të rajonit, reformat dhe dialogun me Serbinë

    Haddad: Franca vend mik i Kosovës, do të mbështesim zhvillimin ekonomik të rajonit, reformat dhe dialogun me Serbinë

    Ministri francez për Evropë, Benjamin Haddad, ka shkruar për takimin që ka pasur sot në Paris me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Haddad ka thënë se Franca është një vend mik i kamotshëm i Kosovës dhe se do të vazhdojë të mbështes zhvillimin ekonomik të rajonit, reformat dhe dialogun me Serbinë.

    “Kënaqësi të mirëpresim Kryeministrin Albin Kurti në Forumin Ekonomik të Kosovës në Paris sot në mëngjes.Franca është një mike e kahershme e Kosovës. Ne do të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin ekonomik të rajonit, reformat dhe dialogun me Serbinë për të promovuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE”, ka shkruar Haddad.

  • Analisti gjerman: BE-ja dështoi me politikën përkëdhelëse ndaj Vuçiqit, boshti Serbi-Rusi më i fortë se kurrë

    Analisti gjerman: BE-ja dështoi me politikën përkëdhelëse ndaj Vuçiqit, boshti Serbi-Rusi më i fortë se kurrë

    Politologu Alexander Rhotert ka punuar rreth 20 vjet për organizata të ndryshme ndërkombëtare në Ballkan. Prej vitesh ai është njëri nga analistët më kritikë ndaj qasjes së BE-së në raport me Serbinë. Këtë e tregon edhe analiza e tij më e re mbi Ballkanin, botuar në gazetën “Tageszeitung” të Berlinit.

    Alexander Rhotert thekson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përpiqet të deformojë historinë duke ushqyer narrativin e vjetër serb, sipas të cilit “Perëndimi”, “Genscheri”, CIA dhe Vatikani, ishin përgjegjës për shkatërrimin e Jugosllavisë.

    “Asgjë nga këto nuk mund të provohet historikisht. Interesante nuk janë vetëm klasifikimet historike të Vuçiqit, por edhe dhimbja e dukshme për humbjen e Bashkimit Sovjetik. Pikërisht këtë dhimbje e ndan me mikun e tij të ngushtë, Vladimir Putin”, shkruan Rhotert.

    Ai përkujton se me deklaratat e tij para OKB-së, Vuçiqi bëri të qartë para bashkësisë ndërkombëtare se sa shumë e përbuz BE-në dhe NATO-n dhe sa i afërt është me Rusinë. Këtë e dëshmoi edhe duke i dhënë ambasadorit rus në OKB “Urdhrin e Meritës së Serbisë”, pasi Rusia, së bashku me Bjellorusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe të tjerët, kishin votuar kundër rezolutës që e shpalli 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

    Në fund të gushtit, shkruan Rhotert, Vuçiqi dhe Emmanuel Macron nënshkruan një marrëveshje për furnizimin me 12 avionë luftarakë Rafale francezë. Pas kësaj, zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, – një adhurues i shpallur i Stalinit – udhëtoi për në Vlladivostok, ku përcolli përshëndetjet më të ngrohta të shefit të tij për Putinin: “Siç e dini, Serbia nuk është vetëm një partner strategjik i Rusisë, por edhe një aleat i Rusisë. Për këtë arsye, Serbia është nën presion të madh. Megjithatë, Serbia kurrë nuk do të bëhet anëtare e NATO-s dhe kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Federatës Ruse… Serbia kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e histerisë antiruse.“

    Sipas Rhotert, mesazhi i përcjellë nga Vulin simbolizon një dështim të përsëritur të politikës së qetësimit të BE-së. Në vend që ta pranojë këtë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano madje mbrojti Serbinë: “Nuk është vërtet e qartë për kë flet zoti Vulin, veçanërisht në Moskë, kur ai thotë këto gjëra për Rusinë dhe Serbinë”.

    Deklarata e Stanos tregon se BE-ja nuk ka mësuar asgjë nga dështimet e viteve 1990-të gjatë agresioneve serbe. Parandalimi i nevojshëm i krizave përmes frenimit të Beogradit është inekzistent.

    Brukseli po përsërit të njëjtat gabime që bëri atëherë, kur vazhdimisht theksonte se duhej marrë parasysh edhe agresori, presidenti i Serbisë Slobodan Millosheviq dhe serbët.

    Brukseli, Berlini dhe Parisi injorojnë faktin se Serbia vazhdimisht kërcënon fqinjët e saj Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën me pretendime territoriale dhe po forcon lidhjet e saj me Rusinë, shkruan Rhotert. Sipas tij, askush në Bruksel nuk dëshiron ta pranojë se sa shumë është zhvilluar boshti Moskë–Beograd. Me pafuqinë e saj, BE-ja përpiqet të mbajë afër Serbinë, e cila është “kandidate për anëtarësim“, duke shpërndarë miliarda euro pa kushte. Kjo ndodh pavarësisht deficiteve të mëdha demokratike dhe faktit që 65 për qind e popullsisë serbe e kundërshton anëtarësimin në BE. Berlini ndërmjetësoi në korrik – saktësisht 33 vjet pas sulmit të Serbisë ndaj Kroacisë – një marrëveshje miliardëshe për shfrytëzimin e litiumit serb për BE-në. Sipas llogaritjeve të qeverisë gjermane, kjo do ta afronte Serbinë më shumë me BE-në.

    Por kjo doli të ishte një gabim i madh, pasi sanksionet e kërkuara ndaj Rusisë u injoruan nga Serbia.

    Përkundrazi, vazhdon Rhotert, bashkëpunimi ushtarak me regjimin e Putinit po forcohet. Një skenar lufte, potencialisht i rrezikshëm, vazhdon të përmendet nga Beogradi: Kosova. Serbët që jetojnë atje pretendohet se po shtypen nga qeveria në Prishtinë dhe se po kryhen “spastrime etnike“. Kjo retorikë ishte përdorur në fund të viteve 1980-të nga mentori i Vuçiqit, Sllobodan Milosheviq, për të përgatitur popullsinë për agresion ndaj popujve të tjerë, nënvizon Rhotert.

    Megjithëse Washingtoni po vepron me gjysmë zemre kundër planeve për një “Serbi të Madhe”, pa ndërhyrjet e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, në Kosovë në tetor 2023 dhe të drejtorit të CIA-s, William Burns, në Bosnjë në gusht të këtij viti, me shumë gjasa do të kishte tashmë tri luftëra në Evropë.

    Rhotert arrin në këtë konkludim në fund të analizës së tij: “Nëse BE-ja nuk dëshiron të përjetojë një tjetër dështim në Ballkan, duhet të nxjerrë mësime nga politika e dështuar e tolerimit të Serbisë në vitet 1990. Në shkurt, ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi Vuçiqin në Beograd se “nuk mund të vallëzosh në dy dasma njëkohësisht”.

    “Kushdo që nuk i mbyll sytë ndaj fakteve të javëve të fundit e sheh qartë se Beogradi po vallëzon në dasmën e Moskës. Dhe këtë e bën me mbështetjen financiare dhe miratimin e fshehtë të Brukselit”.

  • ​“Mos HESHT”, shënohet Dita e BE-së kundër trafikimit me njerëz

    ​“Mos HESHT”, shënohet Dita e BE-së kundër trafikimit me njerëz

    Nën sloganin “Mos HESHT”, Ministria e Punëve të Brendshme ka shënuar sot 18 Tetorin – Ditën e Bashkimit Evropian kundër trafikimit me qenie njerëzore, ku këtë vit në fokus do të jetë ndërgjegjësimi, identifikimi dhe trajtimi i fëmijëve në situatë rruge, lëmosh-kërkuesve dhe fëmijëve që braktisin shkollën.

    Koordinatori nacional kundër trafikimit me njerëz, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Blerim Gashani theksoi se trafikimi me njerëz paraqet një nga shkeljet më të rënda të të drejtave dhe lirive të njeriut.

    “Trafikantët qenien njerëzore e shndërrojnë në mall dhe ndryshe trafikimi njihet edhe si skllavëri e shekullit 21. Dhe, nga kjo dukuri nuk ka shpëtuar pa u prekur edhe Kosova, marrë parasysh edhe tranzicionin që ka kaluar. Andaj, institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtim për të mbrojtur vlerat më elementare të të drejtave të njeriut dhe kanë marrë masat e nevojshme në përputhshmëri me konventat dhe direktivat ndërkombëtare”, tha Gashani.

    Gashani vuri në pah se për luftimin me sukses të trafikimit me njerëz kërkohet bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare dhe organizatat apo institucionet tjera ndërkombëtare.

    “Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë edhe më fuqishëm të kryejnë aktivitete dhe të marrin masa për çrrënjosjen e kësaj dukurie. Lufta kundër trafikimit me njerëz, veçanërisht shfrytëzimit të fëmijëve, kërkon një përpjekje të përbashkët nga të gjitha sektorët e shoqërisë,” tha ai.

  • Ibrahimi par dështimin e mbledhjes së AKK: Do ta padisë Rahimajn, tentua të tërheqin vëmendjen nga përgjimet e Kusari-Lilës

    Ibrahimi par dështimin e mbledhjes së AKK: Do ta padisë Rahimajn, tentua të tërheqin vëmendjen nga përgjimet e Kusari-Lilës

    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka deklaruar se javën e ardhshme do të ngreh padi ndaj kryetarit të Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj, për shpifje dhe për denigrim ndaj tij. Në një intervistë për EO, ai kërkoi nga kryetari Rahimaj që t’i kërkoj falje publike.

    “Do të lusja miqësisht, sinqerisht kryetarin Kadri Rrahimaj që të kërkoj falje publike, ndaj deklaratave të tija në mediume të tona të caktuara sepse unë nëse deri në javën e ardhshme kryetari nuk tërhiqen nga këto falje dhe nëse nuk kërkon falje publike, ndaj personaliteti tim, unë do e padisë për shpifje dhe për denigrim për dinjitetin tim, që disa vite jam duke i toleruar, këto akuza të pabazuar në dokumente të cilat edhe ai i pasqyronte dhe nëse kryetari nuk e sheh të udhës që të kërkoj falje deri ka e marta ose e mërkura të kërkoj falje publike apo të tërhiqet nga ato fjalë unë jam i detyruar të që të bëjë parti ndaj tij. Dikush me tendencë ka dashur të sjellë të pa vërteta nëpër mediume”.

    Po ashtu, Ibrahimi ka thënë se takimi i fundit në Kuvend, ka dështuar pasi anëtarët e VV-së kishin ardhur me agjendë politike.

    Krejt kjo ngase sipas tij, po në atë ditë ka qenë seanca e jashtëzakonshme për përgjimet e shefes të Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, duke shtuar se qëllimi i kryetarëve ka qenë të heqin vëmendjen nga ajo seancë.

    “Kryetarët të cilët ishin prezent pas takimit janë deklaruar që kryetarët nga Lëvizja Vetëvendosje kanë ardhur aty me agjendë politike, sepse po atë ditë ka pasur debat në Kuvendin e Kosovës, për përgjimet e Mimoza Kusarit-Lila. Dhe sipas tyre, ata kanë deklaruar që këta kryetar të cilët kanë bllokuar punimet të Kuvendit të AKK-së, kanë ardhur me agjendë politike duke munduar që ta bartin problemin nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, në Kuvendin e AKK-së”, shtoi ai.

    Ibrahimi ka potencuar se dështimi i mbledhjes së Kuvendit të AKK-së, ka ardhur si pasojë e dy kërkesave të kryetarëve të komunave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka kërkuar të merret vendim që kryetari i Komunës së Parteshit të zëvendësohet me njërin nga kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Dhe për këtë Ibrahimi ka thënë se kryetari i Kuvendit ka dhënë sqarim, duke shtuar se këto janë tema të mbyllura.

    “Të enjten e kaluar ka qenë e thirrur që të mbahet Kuvendi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, mirëpo që në fillim ka pasur reagime ndaj kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke u bazuar në agjendën e takimit. Kryetari i parë i cili ka kërkuar fjalën, ka qenë kryetari i Komunës së Podujevës, i cili ka kërkuar që një anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje prej komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje të jenë anëtarë të bordit të AKK-së, mirëpo ne kemi vendimin e Kuvendit të AKK-së, ku e përcakton formulën se kush mund të jetë në bordin e AKK-së. Kërkesa e kryetarit Bulliqi ka qenë që Kuvendi atë ditë të marrë vendim që kryetari i Komunës së Parteshit i cili është duke paguar anëtarësinë në AKK-së, të largohet dhe në vend të kryetarit të Komunës së Parteshit të vjen njëri nga kryetarit e Lëvizjes Vetëvendosje të jetë si anëtarë i ri i Bordit”.

    “Gjatë këtyre viteve kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme në mënyrë që të gjitha komunat ku shumica është komuniteti serb në Republikën e Kosovës, të integrohet në AKK-së dhe synimi jonë ka qenë me inkuadrimin e tyre në AKK-së, mos të mendohet për anëtarësimin në një mekanizëm tjetër. Pasi që e kemi vendimin në Kuvend, kryetari Agim Aliu ka dhënë sqarime sa i përket kësaj çështje dhe theksoi formulën se si është kompozimi i bordit të AKK-së. Dhe pas sqarimit delegatët menduan që është sqarim i plotë, dhe se ne nuk mund ta ndryshojmë formulën dhe nuk mund të jemi një mekanizëm përjashtues ndaj anëtarësie të bordit të AKK-së”, ka potencuar Ibrahimi.

    “Kërkesa e dytë ka qenë se Kuvendi atë ditë do të marrë vendim për anëtarësim të tri komunave të pjesës veriore edhe për këtë ka dhënë sqarime, këto tri komuna paguajnë dhe anëtarësi në AKK-së, dhe për këtë arsye nuk nevojë të marrim edhe një vendim. Ne kemi të gjitha faktet dhe argumentet që tregojnë që kryetarët e komunave të pjesës veriore janë anëtare sepse paguajnë anëtarësi. Dy kryetarët e komunave pas Kuvendit kanë dalë me deklarata publike ku ata kanë thënë se ne jemi pjesë e AKK-së dhe për neve si konkluzion, AKK-ja mendon që këto dy tema janë të mbyllura, ka thënë Ibrahimi.

    Po ashtu drejtoi i AKK-së, komentoi deklarata e fundit të kryetarëve të komunave të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij, janë argumente të paqëndrueshme dhe të pa bazuara në fakte.

    “Ai aludonte që jemi duke marrë paga shumë të majme dhe thoshte që është një staf i vogël në dijeninë e tij, kurse ne jemi 15 persona të punësuar, nuk është e drejtë që dokumentet financiare të cilat janë publike, nuk lajnë lexuar drejtë”, raporton EO.

    Ndryshe, mbledhja e Asociacionit të Komunave të Kosovës është ndërprerë pasi që kishte pasur tensionim të situatës, ndërmjet të disa kryetarëve të komunave që drejton Lëvizja Vetëvendosje dhe atyre të PDK-së, para një jave.

  • Edon Zhegrova, i pari me driblime në Champions League

    Edon Zhegrova, i pari me driblime në Champions League

    Faqja e UEFA Champions League në Facebook i ka publikuar emrat e “magjistarëve”.

    Në mesin e tyre është një futbollist nga Kosova.

    Është ky Edon Zhegrova, i cili jo vetëm që është pjesë e listës, por deri më tani po del të jetë i pari.

    Deri më tani në garën më prestigjioze të futbollit evropian për klube, ai i ka hiç më pak se 17 sosh, duke i lënë prapa emrat si: Vinicius Jr., Jeremy Doku, Jamal Musiala e Xavi Simos.

    Aktualisht 25 vjeçari po kalon formë fantastike në fanellën e Lilles, por edhe të Kosovës.

  • Von der Leyen do ta vizitojë Ballkanin javën e ardhshme, më 26 tetor në Prishtinë

    Von der Leyen do ta vizitojë Ballkanin javën e ardhshme, më 26 tetor në Prishtinë

    Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do t’i vizitojë javën e ardhshme gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për të shprehur përkushtimin e saj dhe të komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.

    Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar, ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e bllokut.

    Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

    Von der Leyen do ta nisë vizitën turin të mërkurën, më 23 tetor, me ndalesën e parë Shqipërinë, ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. ajo do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.

    Më 24 tetor, ajo do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.

    Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

    Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë.

    Vetëm disa ditë pas vizitës së saj, Komisioni Evropian do t’i miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

    Fokusin e veçantë Von der Leyen do të ketë në paketën e BE-së për rritje dhe reforma në Ballkanin Perëndimor, e cila parasheh ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.

    Të premten e kaluar, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.

  • Osmani përsëri në Amerikë, folëse në Samitin Ndërkombëtar për Lidershipin e Grave në Washington

    Osmani përsëri në Amerikë, folëse në Samitin Ndërkombëtar për Lidershipin e Grave në Washington

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Washington. Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

    Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Samitin Ndërkombëtar për Lidershipin e Grave ku do të jetë edhe folëse kryesore.

    Kjo ngjarje organizohet nga “Johns Hopkins” SAIS, të cilët edhe kanë njoftuar lidhur me eventin.

    Kemi nderin të mirëpresim Dr. Vjosa Osmani Sadriu si folëse kryesore në Samitin Ndërkombëtar të Lidershipit të Grave. Si Presidente e Republikës së Kosovës, ajo do të sjellë përvojë të paçmuar në këtë samit”, thekson njoftimi.

  • Rohde: Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përfituar nga Procesi i Berlinit

    Rohde: Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përfituar nga Procesi i Berlinit

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosova, Jorn Rohde, ka deklaruar se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përfituar nga Procesi i Berlinit.

    Ai në diskutimin për Procesin e Berlinit të premten tha se qëllimi kryesor është tregu i përbashkët rajonal.

    Rohde sërish përshëndeti vendimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se nga 1 janari i vitit 2025 do të heq njëanshëm regjimin e vizave për Bosnjë Hercegovinën.

  • ​Nënshkruhen dy marrëveshje të grantit për energji efiçiente në Prizren me vlerë 1 milion euro

    ​Nënshkruhen dy marrëveshje të grantit për energji efiçiente në Prizren me vlerë 1 milion euro

    Sot u nënshkruan dy marrëveshje të grantit në kuadër të projektit “Energjia Efiçiente në Ndërtesat Publike në Prizren”, me vlerë totale prej 1 milion euro.

    Sipas një njoftimi të ministrisë së Financave, projekti në fjalë parasheh rindërtimin, rehabilitimin dhe renovimin e rreth 100 ndërtesave publike, përfshirë qendra të mjekësisë familjare, çerdhe dhe shkolla, me qëllim të garantimit të kushteve më të përshtatshme për qytetarët dhe punonjësit që shfrytëzojnë këto hapësira publike si dhe kontribuar në kursimin e energjisë.

    “Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, z. Sergiy Maslichenko, dhe Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, z. Kujtim Gashi. Gjatë këtij takimi, u nënshkrua marrëveshja e grantit ndërmjet BERZH dhe MFPT, si dhe marrëveshja e nëngrantit, e cila parashikon kalimin e fondeve në Komunën e Prizrenit për zbatimin e projektit në fjalë”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se marrëveshjet e nënshkruara sot vijnë pas një marrëveshjeje të ratifikuar vitin e kaluar për të njëjtin projekt, e cila kishte një vlerë prej 5 milionë eurosh.

    “Pra, duke e bërë vlerën totale të marrëveshjeve 6 milionë euro”, përfundon njoftimi.

  • Antenat në ballkonet e ndërtesave, rrezik për jetën e kalimtarëve

    Antenat në ballkonet e ndërtesave, rrezik për jetën e kalimtarëve

    Përgatiti: Sara Shehu

    Antenat satelitore të vjetra edhe pse jo nga materiali, ishin vërtetë të arta.

    Ato janë pajisje që u përdoren për të marrë dhe dërguar sinjale nga satelitët në orbitë. Ato janë të dizajnuara për të kapur sinjalet e transmetimit, si televizionin satelitor, internetin satelitor, dhe komunikimet telefonike.

    Me teknologjinë e sotme, kanë ndryshuar shumë gjëra. Tani mund të shohësh një lens të sjellë nga kujtesa e atyre kohërave.

    Në Prishtinë ende ekzistojnë antena të vjetra të vendosura në ballkone të ndërtesave e në çati, por ekziston rreziku nga rënia e tyre, nëse ato nuk janë të siguruara si duhet.

    Për të reduktuar rreziqet, është e rëndësishme që antenat e vjetra të kontrollohen dhe mirëmbahen rregullisht.

    Tashmë, Komuna e Prishtinës ka një plan për menaxhimin e situatës me antenat satelitore, për të cilën zëdhënësi Donat Lushaku ka theksuar se do ta realizojnë së shpejti.

    Mes tjerash, antenat kanë kabllo ose pajisje elektrike të dëmtuara, ato mund të shkaktojnë rrezik nga goditjet elektrike ose zjarret.

    Ndryshe, antenat satelitore janë edhe disa nga pajisjet që përbëhen nga valët elektromagnetike. Megjithatë, shumica e studimeve nuk kanë treguar se këto valë përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin në nivelet normale të ekspozimit.