ATV

Author: ATVLive

  • Le Monde: SHBA nuk ka kundërshtime thelbësore për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

    Le Monde: SHBA nuk ka kundërshtime thelbësore për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

    Shtetet e Bashkuara ndoshta nuk kanë më ndonjë kundërshtim thelbësor ndaj ftesës së Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO.

    Kështu thuhet në një artikull të Le Monde, ku theksohet se presidentët e SHBA-së dhe Francës, Joe Biden dhe Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministri britanik, Keir Starmer nuk ranë dakord për idenë e ftesës së Ukrainës në NATO.

    “Deri më tani, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania po bllokojnë çdo perspektivë të zgjerimit të NATO-s në kurriz të Ukrainës, ndërsa Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë më të favorshme për të”, shkruan botimi.

    Në të njëjtën kohë, sipas gazetarës, amerikanët nuk kanë më asnjë kundërshtim thelbësor për të ftuar Ukrainën për t’u bashkuar me Aleancën.

    “Nëse Kamala Harris zgjidhet [President i SHBA-së], është shumë e mundur që Biden të mund të lëvizë në këtë drejtim gjatë periudhës së tranzicionit. Nëse është Trump, atëherë argumentimi humbet vlefshmërinë e tij dhe ekziston rreziku që iniciativa më e vogël e Biden-it mund ta përkeqësojë situatën”, citon botimi një diplomat evropian të paidentifikuar.

    Disa burime të Le Monde besojnë se një lëvizje nga Shtetet e Bashkuara mund të çojë gjithashtu në një ndryshim në pozicionin e Gjermanisë.

    “Sido që të jetë rasti, katër liderët e pranishëm [në takimin] në Berlin të premten nuk mund ta zgjidhin vetëm një çështje të tillë, duke qenë se NATO ka tridhjetë e dy anëtarë. Turqia dhe Hungaria ka të ngjarë të kundërshtojnë çdo afrim të shpejtë midis Kievit dhe Aleancës,” vëren botimi.

    Siç raportoi Ukrinform më herët, kancelari gjerman Olaf Scholz tha përpara takimit të tij me presidentin amerikan Joe Biden më 18 tetor se Gjermania dhe SHBA do të mbështesin Ukrainën, por do të vazhdojnë të sigurojnë që NATO të mos bëhet palë në luftë.

  • 30-vjeçari në Shkodër e ther zyrtarin policor derisa ishte duke e arrestuar për dhunë në familje

    30-vjeçari në Shkodër e ther zyrtarin policor derisa ishte duke e arrestuar për dhunë në familje

    Një 30-vjeçar, i cili ishte duke u arrestuar si i dyshuar për dhunë në familje, ka plagosur një nga zyrtar policor me thikë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Guerile”, në Shkodër.

    Sipas A2CNN, ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 20:15, duke u thënë se zyrtari policor është dërguar për tretman mjekësor.

    “Rreth orës 20:15, Patrulla e Përgjithshme ka shkuar në lagjen “Guerile”, pasi ka marrë njoftim për një rast dhune në familje. Në momentin që punonjësit e Policisë kanë shkuar te banesa e shtetasit P. I, 30 vjeç, (person me precedent kriminal), ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë dhe ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë), në dorë dhe fytyrë një nga punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, Inspektor K. Ç.”, lexohet në njoftimin e policisë.

    “Në mbështetje të Patrullës së Përgjithshme ka shkuar dhe një tjetër Patrullë e Përgjithshme duke neutralizuar shtetasin P. I, i cili u shoqërua në spital nga ekipi i urgjencës së spitalit i shoqëruar nga Patrulla e Përgjithshme. Pas kryerjes së injeksionit qetësues 30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme”, thuhet në shkrim.

  • Ukraina dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për forcimin e mbrojtjes ajrore

    Ukraina dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për forcimin e mbrojtjes ajrore

    Ukraina dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje për veprime të menjëhershme për të forcuar sistemin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

    Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov në Facebook , transmeton Ukrinform.

    “Në një takim të ministrave të mbrojtjes të G7, ne nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme me Gjermaninë për veprime të menjëhershme për të forcuar sistemin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës,” tha ai.

    Sipas Umerov, marrëveshja parashikon marrëveshje sipas të cilave vendet nënshkruese do të kontribuojnë në projekte të përbashkëta ose do të financojnë projektet e tyre që synojnë forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

    Përveç Ukrainës, pesë vende të tjera nënshkruese do t’i bashkohen projektit: Gjermania, Belgjika, Norvegjia, Holanda dhe Danimarka.

    Umerov falënderoi Gjermaninë për iniciativën, si dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse për kontributin e tyre të fuqishëm në sigurinë e Ukrainës.

    Siç raportoi më parë Ukrinform , ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov u takua me ministrin italian të mbrojtjes Guido Crozetto gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes të G7 në Napoli.

  • Dita Evropiane e Mikrofinancës

    Dita Evropiane e Mikrofinancës

    Institucionet mikrofinanciare në gjithë Evropën sot shënojnë 20 tetorin – Ditën Evropiane të Mikrofinancës.

    Iniciativa e Ditës Evropiane të Mikrofinancës u lansua në vitin 2015 si një mjet për të theksuar ndikimin e sektorit të mikrofinancës në Evropë nga një perspektivë sociale dhe ekonomike.

    Objektivat kryesore të kësaj dite janë rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për ekzistencën e mikrofinancës dhe rolin e saj në luftën kundër papunësisë dhe përjashtimit social dhe shkëmbimi i përvojave brenda sektorit mikrofinanciar evropian.

    Ndryshe, institucionet mikrofinanciare llogaritet se brenda një viti japin afër 100 milionë euro në të gjithë sektorët. Kredia mesatare është rreth 1,100 euro.

  • Moti sot kryesisht me diell, temperatura deri në 18 gradë Celsius

    Moti sot kryesisht me diell, temperatura deri në 18 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se moti gjatë ditës së sotme do të jetë kryesisht me diell.

    Sipas këtij instituti, temperaturat maksimale të ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius.

    “Të dielen do të mbajë mot kryesisht me diell. Vranësira parashihen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsis, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius”.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperendimit me shpejtësi 1-2m/s”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • Ambasadori gjerman ngjet majën e Moknës: Një tjetër shëtitje e paharrueshme, patëm fat me motin

    Ambasadori gjerman ngjet majën e Moknës: Një tjetër shëtitje e paharrueshme, patëm fat me motin

    Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, çdo fundjavë pothuajse frekuenton pjesë të ndryshme të Kosovës. Sot ai është ngjitur me një grup në majën e malit Mokna.

    Rohde ka thënë se kjo shëtitje ka qenë e paharrueshme dhe ka falënderuar klubin lokal të hiking për përkrahjen dhe udhëzimet.

    “Një tjetër shëtitje e paharrueshme me një grup mahnitës në një tjetër cep të bukur të Kosovës. Faleminderit klubit lokal të hiking për mbështetjen + udhëzimin dhe ditën e mrekullueshme në natyrë. Kësaj radhe, kemi qenë me fat me motin, duke shijuar majën e malit Mokna në diell”, ka shkruar Rohde.

  • Haradinaj takohet me diasporën shqiptare në Çikago: Secili prej tyre dëshmon fuqinë e jashtëzakonshme të kombit

    Haradinaj takohet me diasporën shqiptare në Çikago: Secili prej tyre dëshmon fuqinë e jashtëzakonshme të kombit

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u takua në Çikago me diasporën shqiptare.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shprehet se ‘secili prej tyre, me historitë e tyre personale, vetëm sa e dëshmon fuqinë dhe aftësinë e jashtëzakonshme të kombit tonë, si dhe sa shumë janë zhvilluar shqiptarët në Amerikë’.

    “Pata nderin të takoja diasporën tonë në Çikago. Secili prej tyre, me historitë e tyre personale, vetëm sa e dëshmon fuqinë dhe aftësinë e jashtëzakonshme të kombit tonë, si dhe sa shumë janë zhvilluar shqiptarët në Amerikë. Kjo lidhje e fortë me ta duhet të forcohet dhe të institucionalizohet”, shkroi Haradinaj.

  • Barcelona – Sevilla, derbi i La Ligas në fundjavë

    Barcelona – Sevilla, derbi i La Ligas në fundjavë

    Barcelona dhe Sevilla do ta zhvillojnë derbin e fundjavës në La Ligan e Spanjës.

    Këto dy skuadra takohen të dielën nga ora 21:00 në ndeshjen e xhiros së dhjetë.

    Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick po kalon formë të mirë dhe prinë në tabelë me 24 pikë, tri më shumë se Real Madridi.

    Sevilla ka grumbulluar vetëm 12 pikë në nëntë ndeshje.

    Real Madridi pritet të ketë punë më të lehtë në këtë fundjavë.

    Të shtunën nga ora 21:00, luan në udhëtim te Celta Vigo, që e ka njërën prej mbrojtjeve më të dobëta aktualisht në La Liga.

    Kjo mund të shfrytëzohet nga Robert Lewandowski, që është golashënuesi më i mirë në ligë me dhjetë gola.

  • Gjermania testoi sistemin katër ditë punë, tre ditë pushim – kompanitë befasohen me rezultatet e arritura

    Gjermania testoi sistemin katër ditë punë, tre ditë pushim – kompanitë befasohen me rezultatet e arritura

    Një projekt i sistemit 4 ditë punë dhe 3 ditë pushim tashmë është testuar në shumë kompani gjermane.

    Kjo ka qenë esenca e projektit që ka zgjatur gjashtë muaj në Gjermani dhe në të cilin kanë marrë pjesë rreth 45 kompani.

    Rezultatet i ka paraqitur sot Universiteti i Munsterit dhe ato janë befasuese. Rreth tri të katërtat e kompanive që kanë marrë pjesë në këtë projekt kanë deklaruar se do të vazhdojnë të punojnë me sistemin katër ditë në javë dhe janë të kënaqur me këtë projekt.

    Rreth 20 për qind e kompanive kanë deklaruar se do të kthehen në sistemin e vjetër, pra në konceptin pesë ditë pune ne javë, shkruan albinfo.

    Ndërsa 7 për qind e kompanive që kanë marrë pjesë në këtë projekt akoma nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë – do të vazhdojnë me katër ditë në javë, apo do të kthehen në sistemin klasik prej pesë ditë pune në javë.

    Mbështetësit e këtij sistemi thonë se punëtorët janë më të motivuar, më të pushuar dhe kanë më shumë kohë të lirë për familje e relaksim.

    Ndërsa kundërshtarët thonë se për katër ditë nuk mund të kryhen punët e duhura dhe se duhet të vazhdohet të punohet të paktën pesë ditë në javë.

  • Bolton: Amerika shpreson që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje, përfshirë shkëmbimin e territoreve

    Bolton: Amerika shpreson që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje, përfshirë shkëmbimin e territoreve

    Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara dhe ish-këshilltari për sigurinë kombëtare në administratën e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, John Bolton, ka deklaruar se Amerika shpreson që Kosova dhe Serbia të mund të gjejnë së bashku një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, përfshirë edhe shkëmbimin e territoreve, raporton RTV.

    Kjo do të kontribuonte në stabilitetin e Ballkanit, vlerësoi ai në një intervistë për “Politika”, dhe shton se Amerika në Ballkan mund të kishte bërë më shumë.

    “Shtetet e Bashkuara janë tërhequr prej disa vitesh dhe ia kanë lënë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Evropës Perëndimore, që ajo të ndërmjetësojë dhe t’u ndihmojë palëve, dhe më duket se kjo ka qenë gjë e mirë,” ka deklaruar ai.

    Megjithatë, Bolton mendon se, siç thotë ai, gjatë kohës kur ishte në administratën e presidentit Trump, Shtëpia e Bardhë mund të kishte “bërë edhe më shumë, sepse ekziston interes për të stabilizuar rajonin që ka qenë i paqëndrueshëm gjatë viteve të fundit dhe për ta përfunduar këtë konflikt në mënyrë që të fokusohemi te problemet më të mëdha që dalin nga krijimi dhe rritja e aleancave të reja midis Kinës dhe Rusisë, si dhe kërcënimet ndaj Evropës që vijnë nga situata në Lindjen e Mesme dhe Azinë Lindore.”

    “Kjo është diçka që po ndodh për një kohë të gjatë – që nga koha e shpërbërjes së Jugosllavisë,” theksoi Bolton, duke shprehur shpresën se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për të cilën palët mund të bien dakord.

    Në një intervistë para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në SHBA më 5 nëntor, Bolton vlerëson se rezultati i votimit në Amerikë mund të ndryshojë ndjeshëm rrjedhën e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, duke pasur parasysh se kandidatët presidencialë mbështesin palë të kundërta.

    “Siç kam thënë, politika e (Kamala) Harris ndaj Ukrainës, si dhe shumë çështje të tjera të sigurisë kombëtare, do të jetë në një masë të madhe e njëjtë me atë të Biden-it. Por mendoj se Trump gjithnjë e më shumë thekson se ai nuk e sheh Ukrainën si fituese, nuk ka simpati për Ukrainën, por ka më shumë simpati për pozicionin rus. Në nominimin e tij presidencial, ai ka propozuar një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit, e cila në shumë aspekte ngjan me marrëveshjen që Moska do të dëshironte të shihte,” theksoi ai.

    Sipas Bolton-it, kjo do të jetë gara presidenciale më e ngushtë në historinë moderne të SHBA-ve dhe aktualisht nuk ka mënyrë për të parashikuar se kush do të fitojë, megjithëse kanë mbetur vetëm disa javë deri në zgjedhje.

    “Duke marrë parasysh sistemin elektoral të SHBA-ve, përfituesi do të vendoset vetëm nga disa shtete që kanë shumicën e votave elektorale. Në përgjithësi, flitet për shtatë shtete, dhe në këto shtete gara është shumë e ngushtë. Na kanë mbetur më pak se disa javë, prandaj është e vështirë të thuhet se çfarë ngjarjesh mund të formojnë ndryshimet elektorale dhe në çfarë drejtimesh, por sigurisht që gara do të jetë e paqartë deri në fund,” përfundoi Bolton.