ATV

Author: ATVLive

  • Haxhiu i PDK-së akuzon pushtetin për dështim në shëndetësi

    Haxhiu i PDK-së akuzon pushtetin për dështim në shëndetësi

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas deklaratës së drjtorit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, duke thënë se tash ka më pak operacione.

    Ai ka thënë se kjo është një dëshmi mbi dështimin në menaxhimin e shëndetësisë.

    “Sipas raporti zyrtar të QKUK-ës në vitin 2019 me 2 sallë të operacionit janë kryer 1425 operacione në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, ndërsa tani me 4 salla te operacionit ka ma pak operacione të kryera”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.

    Postimi i plotë i Haxhiut:

    Dëshmi mbi dështimin në menaxhimin e shëndetësisë.

    Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, paska deklaruar se për 9 muaj janë kryer mbi 1 mijë operacione, mesatarisht i bie që janë kryer 3-4 operacione në 24 orë në një Klinikë që ka 4 salla të operacioneve e 15 specialistë të kirurgjisë së fëmijëve, e ku janë investuar mbi 22 milionë euro.

    Sipas raporti zyrtar të QKUK-ës në vitin 2019 me 2 sallë të operacionit janë kryer 1425 operacione në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, ndërsa tani me 4 salla te operacionit ka ma pak operacione të kryera.

    Operacione të kryera në Klinikë e Kirurgjisë se Fëmijëve në vitin 2024 mesatarja 3.7 operacione në 24 orë me 4 salla operative.

    2019 mesatarja 3.9 operacione në 24 orë me 2 salla operative.

    Kjo shpërfaq dështimin në menaxhim të shëndetësisë tonë të cilën e ka përfshirë tenderomania.

  • Kaos a bashkëpunim? Dilema e Ballkanit Perëndimor

    Kaos a bashkëpunim? Dilema e Ballkanit Perëndimor

    Në njërën anë, bashkëpunim dhe optimizëm. Në anën tjetër, paralajmërime për paqëndrueshmëri. Ky dualizëm karakterizon prej kohësh Ballkanin Perëndimor – rajonin ku aspiratat për partneritet dhe përparim ndeshen shpesh me përçarjet dhe mosbesimin historik.

    Përfaqësuesit e gjashtë vendeve të tij – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – u ulën më 14 tetor bashkë në një tryezë në Berlin dhe nënshkruan një Plan Veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe Marrëveshje për Qasje në Arsimin e Lartë në vendet e njëri-tjetrit.

    Nikoqiri i takimit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e trumbetoi këtë si përparim të madh.

    “Kjo do ta bëjë punën përtej kufijve më pak të komplikuar dhe do t’ju sjellë dukshëm më afër standardeve të BE-së”, tha ai.

    Dy ditë më vonë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përçoi tjetër mesazh nga Brukseli:

    “Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese për shkak të kërcënimeve secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimit të vogël në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

    Bashkësia ndërkombëtare, prej vitesh, bën përpjekje të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë kaluar nëpër luftëra të përgjakshme në vitet ’90, dhe t’i përafrojë ato me Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim ka iniciuar edhe Procesin e Berlinit në vitin 2014, i cili përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo vit, përfaqësuesit e tyre mblidhen në samite, bashkë me ata të vendeve partnere, dhe bëjnë marrëveshje e deklarata.

    Deri më tash kanë prodhuar mbi 40 deklarata dhe marrëveshje në fusha të ndryshme – nga tregtia deri te lëvizja e lirë e njerëzve – por një pjesë e madhe e tyre ka mbetur pa u zbatuar.

    Flamujt e vendeve pjesëmarrëse dhe BE-së gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, në Berlin, 3 nëntor 2022.

    Marika Djolai, anëtare e Grupit Këshillimor Ballkani në Evropë dhe bashkautore e një studimi për ecurinë 10-vjeçare të Procesit të Berlinit, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se përse ka ngecje në përmbushjen e zotimeve që merren përsipër:

    “Janë disa marrëveshje, që janë më pak relevante në një moment të caktuar gjeopolitik, por nganjëherë ka edhe mungesë angazhimi nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për t’i zbatuar ato. Pra, nganjëherë bëhet fjalë për çështje politike, nganjëherë për çështje ekonomike apo financash, e nganjëherë, thjesht, nisma është shumë komplekse për t’u realizuar shpejt”.

    Për Silavana Mojsovskën, nga Instituti i Ekonomisë në Universitetin e Shën Cirilit dhe Metodit në Shkup, zbatimi i marrëveshjeve kërkon përshtatje të politikave kombëtare, e që shpesh nuk bëhet, sepse qeveritë zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe ndjekin prioritete të tjera. Presioni, sipas saj, është po ashtu i pashmangshëm.

    “Për shembull, gjatë pandemisë COVID-19, janë krijuar korridoret e gjelbra në Ballkanin Perëndimor për ta bërë më të shpejtë dhe më të lehtë qarkullimin e mallrave thelbësore mes vendeve të rajonit”, kujton ajo.

    “Ky ka qenë një model i mirë sesi vendet i kanë zbatuar masat që u janë dashur – edhe pse kjo ka ndodhur për shkak të krizës nga COVID-19. Ndaj, nëse nuk ka presion – qoftë pozitiv, qoftë negativ – disa marrëveshje kanë tendencë të mos zbatohen”, thotë Mojsovska.

    Të dyja këto vëzhguese thonë se Procesi i Berlinit është duke shkuar përpara dhe se kjo është një gjë e mirë. Me fjalët e Marika Djolait, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara, “ulen në një tryezë tash e dhjetë vjet dhe negociojnë projekte praktike që japin shpresë”.

    Por, ndryshe prej tyre, Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike në Prishtinë, ofron një pamje më kritike të gjendjes së Procesit të Berlinit. Sipas tij, ai është në status quo – Qeveria gjermane përpiqet të nxisë pajtimin me ide e politika të reja, por në mesin e vendeve të rajonit ka pak gatishmëri e entuziazëm.

    “Mendimi i shtyrë nga Berlini është se, nëse këto vende tregtojnë mes vete – pra kanë shkëmbime më të mëdha tregtare – ato do të kenë zhvillim ekonomik dhe problemet politike do të tejkalohen. Ky është një lloj mendimi që Berlini e ka përdorur edhe me Rusinë më herët, duke thënë se nëse BE-ja dhe Ukraina tregtojnë më shumë me të, duke blerë naftën dhe gazin e saj, atëherë Rusia, në një mënyrë, do të hyjë në orbitën e Perëndimit dhe nuk do të ketë incentiva për të krijuar probleme”, thotë Gërgi.

    “Me pushtimin rus të Ukrainës, e kemi parë se kjo nuk qëndron. Pa marrë parasysh marrëdhëniet ekonomike, janë marrëdhëniet politike ato që kanë epërsi ndaj të gjitha të tjerave”, thekson ai.

    Si çështjen më problematike në rajon, Gërgi sheh kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se Serbia ka gatishmëri për të nënshkruar marrëveshje, por jo edhe për t’i zbatuar ato.

    Edhe në Bosnje e Hercegovinë kujton se ka probleme në raport me Kosovën, për shkak të mospajtimeve në vendimmarrje midis Sarajevës zyrtare dhe Banjallukës. Gërgi thotë se rrugëdalja qëndron vetëm te zgjidhja e çështjeve të hapura politike – pa këtë zgjidhje nuk mund të ketë përparim në Procesin e Berlinit apo në çfarëdolloj mekanizmi tjetër rajonal, thotë ai.

    “Për të marrë një shembull nga arena ndërkombëtare – Kina dhe SHBA-ja me dekada kanë pasur probleme, derisa Amerika e ka pranuar politikën e një Kine, duke e njohur zyrtarisht Pekinin si kryeqytet të saj dhe Qeverinë komuniste si qeveri të vetme në Kinë”, thotë Gërgi.

    Në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Edhe në këtë proces, ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre mbeten pa u zbatuar, dhe palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie.

    Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në fund të gushtit, ndërmjetësuesi evropian i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, ka thënë se shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim.

    Intervista e plotë e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbisë, Mirosllav Lajçak, për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, në Pragë, më 30 gusht 2024.

    Sipas tij, sa herë që udhëheqësit bëjnë marrëveshje, ata kritikohen se kanë bërë lëshime, por “njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi kërkon kompromis”.

    Gërgi thotë se Perëndimi shpesh ndjek “politika të zbutjes” me Serbinë, e të cilën gjë e përmend herë pas here edhe Qeveria e Kosovës. Sipas analistit, Perëndimi duhet ta kuptojë më qartë “rrezikun real”.

    “Shpeshherë thuhet se në politikë nuk duhet të shikohen fjalët, por veprat. Dhe, veprat e qeverive zakonisht shikohen me shpenzimet e tyre. Nëse flasim për vitet e fundit – në vitin 2020, shpenzimet ushtarake të Serbisë ishin 786 milionë euro, ndërsa sivjet buxheti i miratuar ishte 1.35 miliard euro. Pra, kemi gati dyfishim për katër vjet – dhe kjo në një periudhë post-pandemike, kur shumica e qeverive janë fokusuar në ekonomi, Qeveria serbe është fokusuar në riarmatim”, thotë Gërgi.

    Perëndimi i ka siguruar vendet e Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre qëndron në BE, me kusht që i zgjidhin çështjet e hapura. Për t’iu dhënë shtysa në këtë drejtim, BE-ja vazhdimisht ndan edhe mjete financiare për to. Aktualisht, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në bllok.

    Në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se duhet shikuar nga një e ardhme, ku “të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”.

    Duke i dhënë mbështetje këtij vizioni, Jellena Xhankiq, nga Instituti Universitar Evropian në Firence, thekson nevojën për ndryshimin e mendësisë dhe të kursit. Duke folur për Exposenë, ajo vë në pah këndvështrimin aktual të qytetarëve të rajonit:

    “Ajo çka kam vënë re, sidomos në dy-tre vjetët e fundit, është se ata janë lodhur nga krizat, nga problemet e vazhdueshme politike, nga çështjet historike që ringjallen vetëm në mbështetje të narrativëve politikë. Si nga bisedat me qytetarë të rëndomtë, ashtu edhe me disa përfaqësues politikë, kam parë një lloj lodhjeje nga shpikja e vazhdueshme e krizave. Ndaj, është koha për të shikuar përpara”.

    E, për të shikuar përpara, duhet të ketë angazhim të sinqertë kolektiv. Në fund të fundit, kush nuk do të donte të dilte nga cikli i pafund i krizave? Por, në këtë rajon me histori komplekse, përparimi kërkon, para së gjithash, njohje të vërtetë të realitetit, ndërsa paralajmërimet e NATO-s mund të shërbejnë si thirrje për veprim.

  • Apeli vërteton dënimin me të cilin dy të akuzuarit në rastin “Subvencionet 4” u dënuan me 3 vjet e gjysmë burgim dhe 7 mijë euro gjobë

    Apeli vërteton dënimin me të cilin dy të akuzuarit në rastin “Subvencionet 4” u dënuan me 3 vjet e gjysmë burgim dhe 7 mijë euro gjobë

    Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve në rastin “Subvencionet 4”, Gjon Musolli dhe Halit Berisha, ndërsa vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin dy të akuzuarit u dënuan (së bashku) me dënim unik prej 3 vjet e gjysmë burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e 13 marsit 2024, Musollin e dënoi me dënim unik prej 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë, Kurse Berishën me dënim unik me 1 vit burgim dhe 3 mijë euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Musolli për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim me kusht.

    Edhe mbrojtësi i Berishës kishte ushtruar ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penale, me propozim që Apeli aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që Berishës t’ia zbusë dënimin në 6 muaj burgim, me arsyetimin se do të jetë real dhe i mjaftueshëm.

    Kurse, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtjes, ndërsa të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.

    Gjykata e Apelit përmes vendimit të përpiluar më 28 gusht 2024, vlerësoi se edhe pse aktgjykimi i shkallës së parë nuk mund të ankimohet për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, megjithatë e shqyrtoi sipas detyrës zyrtare dhe gjeti se nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera të cilat detyrimisht do të kushtëzonin prishjen e tij.

    Në vendimin e Apelit, thuhet në ankesë nuk kontestohet as gjendja faktike të cilën e ka vërtetuar shkalla e parë, prandaj, as në këtë drejtim çështja nuk ka qenë objekt vlerësimi i kësaj Gjykate, e që përkitazi me këtë bazë ankimore nuk ka mundur të kontestohet ngase të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë e që gjykata ua kishte aprovuar.

    Lidhur me pretendimet ankimore për sanksionin penal, Apeli ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësve për një dënim më të butë janë të pabazuara.

    Kolegji i Apelit thekson se Themelorja ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese në raport me të akuzuarit.

    Për Musollin, si rrethanë rënduese është marrë shkalla e përgjegjësisë penale, e që rezulton se ai kishte vepruar me dashje direkte dhe faktin se veprat penale “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione” i ka kryer në vazhdimësi. Kurse, rrethanë lehtësuese janë marrë rrethanat personale të të akuzuarit (fakti që është mbajtës i familjes), bashkëpunimi dhe sjellja korrekte me gjykatën dhe organet e ndjekjes penale dhe pendimin e thellë, faktin që më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin, si dhe pranimin e fajësisë.

    Në anën tjetër, për Berishën, thuhet se rrethanë rënduese është marrë për bazë shkalla e përgjegjësisë penale, ku qëllimi ishte përfitimi i dobisë pasurore. Edhe për atë, rrethana lehtësuese janë marrë rrethanat personale të të akuzuarit (fakti që është mbajtës i familjes), bashkëpunimi dhe sjellja korrekte me gjykatën dhe organet e ndjekjes penale, pendimin për kryerjen e veprave penale dhe pranimin e fajësisë. Po ashtu, faktin që më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin.

    Andaj, marrë parasysh rrethanat e lartpërmendura, gjykata ka ardhur në përfundim se me dënimet e shqiptuara, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit. Apeli vlerëson se dënimet unike të shqiptuara ndaj dy të akuzuarve, janë në proporcion me veprat e kryera penale dhe se dënimet e shqiptuara do të ndikojnë në parandalimin e të akuzuarve që në të ardhmen të kryejnë vepra penale dhe do të bëhet rehabilitimi i tyre.

    Shkalla e dytë vlerëson se rrethanat lehtësuese dhe rënduese janë aplikuar drejt në rastin konkret, në përjashtim të dashjes direkte të të akuzuarve, ngase Apeli vlerëson se kjo rrethanë nuk mund të vlerësohet si rënduese.

    “…marrë për bazë faktin se dashja në rastin konkret është element i vet veprës penale, nga se këto vepra penale kryhen vetëm me dashje, andaj kolegji nuk akcepton këtë rrethanë si rënduese nga se do të konsistonte në dyfishim të rrethanave dhe atë vet elementi i veprës penale do të vlerësohej edhe si rrethanë rënduese”, thuhet në vendim.

    Kolegji i Apelit nuk pranon pretendimin e mbrojtësve të të akuzuarve se nuk janë vlerësuar drejt rrethanat lehtësuese për të mbrojturit e tyre dhe atë se të akuzuarit kanë pranuar fajësinë, pendimin e shprehur për veprat e kryera, rrethanat familjare se të akuzuarit janë mbajtës të familjeve të tyre, dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra penale.

    Sipas Apelit, këto rrethana janë shqyrtuar nga shkalla e parë, andaj pretendimi i tillë është i pabazuar.

    “Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve nga ana e gjykatës së shkallës se parë janë në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave të kryera penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve si ekzekutor, dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me to do të mund të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në fund.

    Dy të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 12 shkurt 2024.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Subvencionet 4”, të akuzuarit Halit Berisha dhe Gjon Musolli i kishte shpallur fajtorë, më datë 16 shkurt 2024.

    Ndryshe të akuzuar në këtë rast janë edhe: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi dhe Lulzim Hajdari, për të cilët vijon procesi gjyqësor.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 23 nëntor 2023 nga PSRK-ja, thuhet se në periudhë 25 gusht 2020 deri më 24 shkurt 2021, i pandehuri Hasan Maxharraj në cilësinë e personit zyrtar në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Istogut, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe vazhdimisht ka pranuar ryshfet nga Gjon Musolli që të veprojë në kundërshtim me detyrën zyrtare.

    Aty thuhet se Gjon Musolli kishte aplikuar për subvencione në këtë komunë duke përdorur të dhëna personale të familjarit Eduard Musollaj dhe gjatë kontrollit të dokumentacionit vërehet se aplikimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Pas kësaj, thuhet në aktakuzë se për t’u rregulluar kjo çështje, Hasan Maxharraj kërkon 4 mijë euro ryshfet gjë më të cilën pajtohet Musolli. Pasi Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë i aprovon pagesat, Gjon Musolli pranon paratë e subvencionit dhe i dorëzon ryshfetin e kërkuar të pandehurit Hasan Maxharraj.

    Me aprovimin e pjesës së dytë të subvencionit, sipas aktakuzës, Gjon Musolli ia dorëzon pjesën e dytë të ryshfetit të pandehurit Maxharraj në vlerë të 4 mijë eurove në dyqanin e tij të blegtorisë në Istog.

    Aktakuza thotë se me të njëjtën datë, Gjon Musolli aplikon për subvencione në Komunën e Istogut në emër të familjarit tjetër, Luigj Musollajt. Ndonëse edhe ky aplikim ishte i kundërligjshëm, pas fitimit të subvencioneve, aktakuza shkruan se Hasan Maxharraj merr ryshfet nga Gjon Musolli në vlerë të 7 mijë eurove.

    Në pikën tjetër të kësaj aktakuze, thuhet se Gjon Musolli kishte përgatitur dokumentacion për të aplikuar për subvencione në emër të familjarit Leonard Musollaj dhe të pandehurit Hasan Maxharraj i kërkon që të ndryshojë kërkesat në formularin për aplikim duke plotësuar të dhëna të pasakta në këmbim që t’i jepet ryshfet gjysma e përfitimit.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, dy të pandehurit paraqesin të dhëna të pasakta kinse ka kulturë bimë mjekësore dhe aromatike dhe përfiton subvencion 7 mijë e 537 euro, ndërsa këstin e dytë nuk e aprovon Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, kështu duke mos u realizuar tërësisht marrëveshja për ryshfet.

    Pika e dytë e aktakuzës, thotë se i pandehuri Hasan Maxharraj në cilësinë e personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim pasuror nga Gjon Musolli që të ushtrojë ndikim të zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në mënyrë që t’i përshpejtojë pagesat dhe parat e subvencioneve t’i aprovohen.

    Pas aprovimit të pagesave, aktakuza e ngarkon Hasan Maxharraj se ka pranuar 2 mijë euro ryshfet nga Gjon Musolli në dyqanin e tij në Istog.

    Aktakuza thotë se nga periudha 3 shkurt 2021 deri më 10 shkurt 2021 në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, të pandehurit Luan Statovci si drejtor për Pagesa Direkte dhe Berat Nika, zyrtar për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, pranojnë ryshfet nga Halit Berisha përmes Pajtim Krasniqit që të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Halit Berisha dhe Pajtim Krasniqi kishin aplikuar për subvencione më të dhëna të pasakta dhe Berat Nika kërkon dhe pranon ryshfet në vlerë të 7 mijë eurove pasi dy të lartcekurve t’i aprovohen pagesat.

    Prokuroria pretendon se pas vendimit për pjesën e dytë të ekzekutimit të pagesave, Pajtim Krasniqi i jep ryshfet 5 mijë euro Berat Nikës të cilat i ndan përgjysmë me Luan Statovcin. Ndërsa për pjesën tjetër, Berat Nika thuhet se pranon 2 mijë euro ryshfet te banesa e tij nga Pajtim Krasniqi, të cilat i ndan me Luan Statovcin po ashtu.

    Akti akuzues thotë se në periudhën 13 nëntor 2020 deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë, Luan Statovci me Sadat Shkodrën, i cili ishte zyrtar për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi kërkojnë ryshfet nga Visar Krasniqi, që të veprojnë në pajtim me detyrën zyrtare.

    Sipas PSRK-së, Visar Krasniqi kishte aplikuar për subvencione, mirëpo me arsyetimin se kinse dokumentet nuk janë në rregull, Luan Statovci në mënyrë të tërthortë i kërkon ryshfet ndërsa Sadat Shkodra e bën një gjë të tillë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Aty shkruan se pas kësaj, Sadat Shkodra takohet me një familjar të Visar Krasniqit dhe kërkon 30 mijë euro ryshfet për t’iu kryer lënda.

    Ndërsa, për të pandehurin Lulzim Hajdaraj, aktakuza thotë se më 6 dhjetor 2020 si inspektor teknik pranon ryshfet nga Gjon Musolli që të veprojë në kundërshtim me detyrat zyrtare. Gjatë kontrollit të aplikimit për subvencione në emër të Leonard Musollaj, sipas aktakuzës i pandehuri Lulzim Hajdaraj së bashku me kolegun e tij, Blerim Mulliqi gjejnë mospërputhje të gjendjes faktike teren. Dy zyrtarët

    ngarkohet se hartojnë rrejshëm raportin kinse gjendja është në rregull dhe pranojnë 500 euro ryshfet nga Gjon Musolli të cilat edhe i ndajnë.

    Aktakuza e ngritur nga PSRK-ja thotë se Musa Nikovazi si inspektor teknik së bashku me kolegun e tij Bajram Gashin më 6 tetor 20220 kanë kryer kontrolle në lëndën ku aplikimi për subvencione ishte bërë në emër të Eduard Musollajt dhe gjejnë mospërputhje të gjendjes faktike me terrenin. Sipas akuzës, ata kishin gjetur se prona e paraqitur në aplikacion ishte e Komunës së Istogut.

    Kështu, derisa i pandehuri Bajram Gashi qëndronte në veturë, Lulzim Hajdaraj ngarkohet se ka pranuar 500 euro ryshfet nga Gjon Musolli për ta paraqitur gjendjen si në rregull.

    Po ashtu, thuhet se edhe gjatë inspektimit në lëndën në emër të Luigj Musollajt, të pandehurit Musa Nikovazi dhe Bajram Gashi vërejnë se prona e paraqitur në lëndë ishte e Komunës së Istogut dhe Kooperativës së Dubravës. Kështu, dy të pandehurit ngarkohen se kanë pranuar 500 euro ryshfet nga i pandehuri Gjon Musolli për ta paraqitur gjendjen në rregull.

    Me këto veprime sipas aktakuzës, Gjon Musolli përfiton në mënyrë të kundërligjshme në lëndën në emër të Luigj Musollajt subvencion në vlerë të 4 mijë e 500 eurove dhe subvencion në vlerë të 12 mijë e 600 eurove në lëndën në emër të Eduard Musollajt.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, 10 të akuzuarit të gjithë së bashku ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim në detyrë”, “Ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, si dhe “Mashtrim me subvencione”.

  • Persona të panjohur vjedhin një pistoletë në Viti

    Persona të panjohur vjedhin një pistoletë në Viti

    Disa persona të dyshuar kanë hyrë në një shtëpi në Viti, ku kanë vjedhur një pistoletë me leje.

    Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

    “Është raportuar se të dyshuar të panjohur me forcë kanë depërtuar në një shtëpi me ç’rast kanë vjedhur një pistoletë me leje. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e policisë.

  • SHBA-ja, e shqetësuar nga lajmet se Koreja e Veriut i ka dërguar ushtarë Rusisë

    SHBA-ja, e shqetësuar nga lajmet se Koreja e Veriut i ka dërguar ushtarë Rusisë

    Uashingtoni është “tejet i shqetësuar” nga lajmet se ushtarët koreanoveriorë janë dërguar për të luftuar përkrah trupave ruse në Ukrainë, edhe pse deri tani nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë këto pretendimet të Koresë së Jugut dhe Ukrainës, tha zëdhënësi amerikan Sean Savett të shtunën.

    “Ne jemi shumë të shqetësuar nga raportimet se ushtarët e [Koresë së Veriut] po luftojnë për Rusinë”, tha Savett, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

    “Ne nuk jemi në gjendje ta vërtetojmë nëse këto lajme janë të sakta, por nëse janë, ky do të ishte një zhvillim i rrezikshëm në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, shtoi ai.

    Savett tha se një veprim i tillë do të “tregonte dëshpërimin e rritur të Rusisë” pasi ajo po pëson “humbje të jashtëzakonshme në fushëbetejë në luftën e saj brutale kundër Ukrainës”.

    “Nëse Rusia është vërtet e detyruar t’i drejtohet [Koresë së Veriut] për t’i kërkuar ushtarë, kjo do të ishte një shenjë dëshpërimi, jo force, nga ana e Kremlinit”, tha Savett.

    Rusia ka pësuar humbje të mëdha prej kur e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 202, për të cilin thuhet se shumë zyrtarë në Kremlin prisnin se do të zgjaste vetëm disa ditë. Burime të Qeverisë amerikane thonë se Rusia ka pësuar më shumë se 1.200 viktima në ditë në muajt e fundit.

    Koreja e Jugut më 18 tetor pretendoi se Pheniani filloi të dërgonte forca speciale në Rusi në fillim të këtij muaji, disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri një akuzë të ngjashme se Koreja e Veriut kishte dërguar ushtarë dhe armë për ta mbështetur Kremlinin në luftën e tij kundër Ukrainës.

    “Ushtarët koreanoveriorë të dërguar në Rusi janë aktualisht të vendosur në bazat ushtarake ruse në Lindjen e Largët, duke përfshirë Vladivostok, Usurisk, Habarovsk dhe Blagoveshçensk, dhe pritet të vendosen në vijat e para sapo të përfundojnë trajnimin e përshtatjes”, tha Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare së Koresë së Jugut.

    Qendra për Komunikime Strategjike e Ukrainës më 18 tetor e postoi një video për të cilën tha se shfaqte trupat koreanoveriorë duke u përgatitur në terrenin stërvitor Sergievski të Rusisë, për t’u zhvendosur në Ukrainë.

    Videoja nuk mund të verifikohej menjëherë në mënyrë të pavarur.

    Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet e Koresë së Jugut në të kaluarën se Pheniani e ka furnizuar Moskën me predha artilerie dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi.

    Por, Kremlini nuk ka komentuar mbi pretendimet e fundit nga Seuli dhe Zelensky, i cili më 14 tetor tha se “tani nuk bëhet fjalë vetëm për transferimin e armëve. Në fakt, bëhet fjalë për transferimin e njerëzve nga Koreja e Veriut në forcat ushtarake okupuese”.

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, duke folur në Bruksel më 18 tetor, tha se aleanca ushtarake nuk mund të konfirmonte lajmet se trupat koreanoveriorë janë “aktivisht të angazhuar” në konfliktin në Ukrainë./rel/

  • Haradinaj takon Torres, i kërkon të shtrohet tema e anëtarësimit në NATO

    Haradinaj takon Torres, i kërkon të shtrohet tema e anëtarësimit në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar kongresmenin Ritchie Torres.

    Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka falenderuar kongresistin Torres për përkrahjen e tij për Kosovën.

    “Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pata nderin e veçantë të takohem me mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin z. Ritchie Torres, të cilit i shpreha falënderimet e mia për përkrahjen e tij dhe mbështetjen e pazëvendësueshme që ai personalisht dhe ShBA-të po i japin Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se është me rëndësi të veçantë forcimi i marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Amerikë.

    “Kongresistin, z. Ritchie Torres e njoftova për zhvillimet ne Kosovë dhe njëherit kërkova që në Kongresin Amerikan të shtrohet tema e anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO. Po ashtu, theksova se është me rëndësi të veçantë forcimi i marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Amerikë. Partneriteti strategjik me ShBA-të është garancë për arritjen e çdo suksesi të Kosovës. Do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, është shprehur Haradinaj.

  • Vidhet një motoçikletë në Prishtinë

    Vidhet një motoçikletë në Prishtinë

    Një person ka raportuar në polici se i është vjedhur motoçikleta.

    Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.

    “Ankuesi mashkull/k ka raportuar se të dyshuar të panjohur i kanë vjedhur motoçikletën KTM pa targa. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Parashikimi i motit për pesë ditët në vijim

    Parashikimi i motit për pesë ditët në vijim

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për motin që do të mbajë në pesë ditët e ardhshme.

    E hëna nis me -1 gradë minimalja deri në 18 gradë maksimalja, ndërsa të premten pritet të jetë pak më ngrohtë.

    Njoftimi i plotë i IHMK-së:

    E hënë- Mot me diell .Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gardë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.

    E martë- Mot me diell .Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-20 gradë Celsius.Në mëngjes nëpër ultësira parashihet mjegull e radiacionit.

    E mërkurë- Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesëshme.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-21 gradë Celsius.Në mëngjes parashihet që në shum vende, kryesishtë viseve të larta dhe rreth lumenjëve , të ketë mjegull.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-4/m/s.

    E enjte- Do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-4gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-20gradë Celsius. Në mëngjes në shum territore parashihet mjegull.Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare.

    E premte- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5-gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-18gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-4 m/s.

  • Arrestohet shtetasi i Shqipërisë, dyshohet se kanosi policët në Gjakovë

    Arrestohet shtetasi i Shqipërisë, dyshohet se kanosi policët në Gjakovë

    Një shtetas i Shqipërisë, është arrestuar dje pasi dyshohet se ka kanosur verbalisht zyrtarët policorë në Gjakovë.

    Sipas policisë, ai këtë e bëri derisa po i shqiptonin një tiketë kundërvajtje.

    “I dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, tha policia.

  • 46 aksidente trafiku brenda 24-orëve

    46 aksidente trafiku brenda 24-orëve

    46 aksidente trafiku janë regjistruar brenda 24-orëve në vend.

    15 nga to janë me të lënduar, ndërsa 31 me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 1 mijë e 970 gjoba trafiku, njofton policia.