ATV

Author: ATVLive

  • Moisiu kërkon bashkëpunimin më të fortë mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Moisiu kërkon bashkëpunimin më të fortë mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Bashkëpunim më të madh e një strategji të përbashkët të mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë po kërkon ish presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, nga qeveritë e të dyjave vendeve.

    Ai thotë se Kosova e Shqipëria, duhet të kenë bashkëpunim edhe në shtabe të ushtrisë e policisë, pasi sipas tij këto bashkëpunime do të mundësojnë përballimin e cfardo lloj aventure serbe.

    “Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure”, tha Moisiu.

    Për dialogun Kosovë-Serbi, ish presidenti shqiptar, kërkoi nga Kosova, që të ketë koordinim me Shba-në e Be-në.

    “veprimet poltiikanët shqiptar duhet t’I koordinojnë me shba dhe me be, sepse ata na duan se na ndihmuan për me krijua shtetin e kosovës”, tha Moisiu.

    Moisiu tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ideatori kryesor i agresionit ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Termokos” pajisi me matës vetëm gjysmën e konsumatorëve

    “Termokos” pajisi me matës vetëm gjysmën e konsumatorëve

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Prishtinasit që e shfrytëzojnë “Termokosin” për ngrohje, nga ky sezon, nuk do të paguajnë në bazë të hapësirës së banesës, siç ishte deri më tani, por aq sa shpenzojnë.

    Konsumatorëve që i kanë të instaluara pajisjet matëse, faturat e para sipas konsumit do t’iu dalin në fillim të muajit nëntor.

    Mirëpo matësit nuk janë vendosur tek të gjithë konsumatorët.

    Në periudhën gjashtëmujore, prill-shtator, “Termokosit” ia hapën dyert mbi 17 mijë konsumatorë të regjistruar për ta pranuar instalimin e këtyre pajisjeve.

    “Ka filluar në ato lagje ku kemi më shumë të zgjeruar rrjetin e ngrohjes, kemi qit edhe njoftime kohë pas kohe se do të filloj kjo metodë, mendojmë se është në të mirën e të gjithë neve….”, tha zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka.

    Uka thekson se janë vetëm në fazat fillestare të kësaj forme të faturimit. Dhe kështu, matësit po vazhdojnë të vendosen edhe te adresat e tjera. Në rast se konsumatorët nuk gjenden në shtëpi, atyre u lihet një thirrje e shkuar te dera.

    Tjetër veçori e kësaj risie, sipas Ukës, është se çdo adresë e regjistruar në “Termokos” duhet ta aprovoj këtë hap, meqë nuk ka zgjidhje tjetër.

    “Është obligim, nëse dikush donë me zgjedh metodën e vjetër me thonë nuk po dua këta të rejën, nuk ka zgjidhje, është vetëm çështje radhe dhe kohe, matësit do të vendosen tek të gjithë konsumatorët”, tha Uka.

    Deri tash hezitimet për vendosjen e matësve ishin të pakta.

    Mirëpo sipas njohësit të energjisë, kjo metodë nuk duhet kundërshtuar sepse është në të mirën e shfrytëzuesve por edhe të ndërmarrjes.

    “Tash edhe qytetarët munden me ndez e me ndal kur t’iu nevojitet nuk ka nevojë me mbajt ndez edhe kur nuk iu duhet, kështu qytetari paguan vetëm aq sa shpenzon, ndikon direkt në xhep të tij, e po ashtu edhe ndërmarrja ruhet nga mos përdormi I panevojshëm i nxemjes”, tha Naim Bujupi, njohës i energjisë.

    Aktualisht, ngrohtorja ka mbi 32 mijë konsumatorë të regjistruar, kurse rreth 25 mijë prej tyre marrin shërbime.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zbatim i mangët i marrëveshjeve milionëshe

    Zbatim i mangët i marrëveshjeve milionëshe

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Marrëveshja në letër u nënshkrua para rreth një viti, e për të u thanë edhe fjalë të mëdha.

    Por zbatimi i projektit në vlerë 13.2 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim, për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, sipas zyrtarëve në këtë komunë është krejt në fazën fillestare.

    “Ka nisur diçka shumë e vogël, një përqindje shumë e vogël, është projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët që njëherë e mirë me u luftua ujërat e zeza…”, tha Donat Lushaku, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.

    Pak para përfundimit të vitit 2023, Ministria e Financave nënshkroi marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, ku morën kredi 20 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza edhe për komunën e Ferizajt, por veç nënshkrimit asnjë hap tjetër nuk është bërë.

    Veç tyre, Ministria e Financave gjatë mandatit të saj nënshkroi dhjetëra marrëveshje miliona euro, për të cilat paratë kryesisht u morën hua.

    Vitin e kaluar, ministri Harkuan Murati nënshkroi marrëveshje 90 milionëshe me Bankën Botërore, për Financimin e Politikave Zhvillimore dhe Fiskale.

    Po ashtu, nënshkroi marrëveshje me komunën e Prishtinës, garant me vlerë 1 milionë euro, si dhe 5 milionë euro kredi të butë për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë.

    Marrëveshje në vlerë 23.5 milionë euro u nënshkrua edhe për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.

    Praktikë të gabuar e quan ish-ministri i Financave, Haki Shatri, marrjen e huave për projekte që, sipas tij, 40 për qind prej tyre as që i kanë nisur punimet.

    “Miliona euro i ka në buxhet që i mbesin çdo vit, marrin kredi për projekte, obligimet e kredisë janë duke u paguar por…”, tha Haki Shatri, ish-ministër i Financave.

    Hua nga Banka Botërore në vlerë 47 milionë euro u morën edhe për Reformën në skemën sociale dhe pensionale. Për nivelin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe të tjerave të nënshkruara deri më tani, Ministria e Financave nuk dha detaje të mërkurën.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ndryshimet e shifrave të të punësuarve, s’lidhen me punëtorë të rinj

    Ndryshimet e shifrave të të punësuarve, s’lidhen me punëtorë të rinj

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në gusht të këtij viti, në Administratën Tatimore të Kosovës ishin të regjistruar 417 mijë e 300 punëtorë. Kjo shifër është rreth 13 mijë më shumë, se ajo e muajit janar.

    Por, sipas të dhënave zyrtare të ATK-së, më shumë punëtorë pati të regjistruar në muajt prill deri korrik.

    Ndryshime të tilla, sipas ekonomistëve, nuk përbëjnë argument për shtim të vendeve të punës.

    “Këta persona nuk janë të rinj edhe pse regjistrohen si të tillë, këta vetëm e këta persona e janë shkëputur nga një marrëdhënie pune dhe janë rikthyer serish..” , tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.

    Lëvizjet e shpeshta të punëtorëve, sipas ekonomistit Jakup Bellaqa, ndodhin për shkak të kushteve të rënda për punëtorët, në veçanti në sektorin privat.

    Andaj ekonomistët bëjnë thirrje që vendi të fokusohet në punësime të qëndrueshme e jo të përkohshme.

    Ndërkaq, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, vetëm 37.1% e qytetarëve në moshë pune, janë aktiv në treg të punës. Kjo përqindje është më e ulëta në rajon.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dhjetëra Projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero

    Dhjetëra Projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Janë mbi 50 projektligje që kanë ngecur në mes të dy leximeve.

    Disa prej tyre, sikurse Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, Kodi Civil apo Projektligji për zyrtarët publikë ka më shumë se një vit që nuk kanë lëvizur para.

    Dhe me përmbylljen e mandatit të legjislaturës së tetë, të gjitha këto projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero.

    Kuvendi i Kosovës tash e një kohë të gjatë ballafaqohet me mosfunksionim si pasojë e mungesës së kuorumit në seanca. Rrjedhimisht në ‘mëshirë’ të kuorumit kanë mbetur edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

    Përpos ngërçit të krijuar në mosvotimin e projektligjeve për shkak të dallimeve mes pushtetit e opozitës, deri në fund të këtij mandati edhe grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka 3 deputetë më pak.

    Asaj iu larguan Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe Drita Millaku.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Pajisjet për “IVF” gati, por projektligji s’është miratuar

    Pajisjet për “IVF” gati, por projektligji s’është miratuar

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Pajisjet e reja dhe të standarteve të larta që nevojiten për IVF, tashmë janë vendosur në sallat e Repartit të Inferlitetit në Klinikën e Gjinekologjisë në QKU.

    Kompletimi i tyre pritet të bëhet së shpejti, derisa nga Klinika e vlerësojnë të domosdoshme nisjen e këtij shërbimi gjinekologjik mjekësor në institucionin publik.

    ‘’Po presim edhe një pjesë të fundit të pajisjeve që janë tenderu, janë pajisje të kyëura me me softëer të vet me kode me gjana që na mbrojnë prej gabimeve prej përzimjes se qelizave. Nëse e mendoni si të vonuar pas luftës ekziston vonesa por saj përket projektit si projekt është aprovuar për mu zbatu prej Ministrisë së Shëndetësisë prej periudhës 2023-2025’’, tha Leandrit Bejtullahu, shef i repartit të Gjinokologjisë.

    Deri në 200 pacientë brenda vitit, pritet të kryejnë IVF-in.

    ‘’Brenda ditës është pak me vështirë me fol por unë kisha fol në baza vjetore na kemi paraparë për momentin diku deri në 200 pacienta në vjet por tash varësisht edhe se si do të jemi të furnizum edhe sa ka me pas interesim’’, tha ajo.

    Madje edhe hapësirat e laboratorëve që nevojiten për analiza më specifike për Fertilizimin in vitro, tani janë gati.

    ‘’Sikurse që e shihni labaratori për fertilizim të asistuar mjekësorë përbëhet nga tri hapësira momentalisht ndodhemi në hapësirën e embriologjisë, në anën tjetër kemi hapësirën e antrologjisë dhe hapësirën e krijoprezevimit’’, tha Syzana Jonuzi-Maxharraj, embriologe klinike.

    Por pavarësisht që nga Klinika Gjinekologjike shprehen të gatshëm që brenda këtij viti të ofrojnë këtë shërbim mjekësor, në Kuvend të Kosovës për të disaten herë ka dështuar të votohet në lexim të dytë Projektligji për shëndetin riprodhues.

    Bazuar në këtë, sipas anëtarit të Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, blerja e pajisjeve pa kaluar ligji është vetëm lojë e Qeverisë.

    ‘Blerja e pajisjeve pa kaluar ligji është bërë për shkak të deromanisë dhe jo për ti shërbyer qytetarëve sepse cila është rëndësia e blerjes se pajisjeve për IVF në sektorin publik nëse ligji nuk ka kalu që një vit e gjysmë për shkak të problemeve të brendshme edhe kundërshtimeve që vetë Lëvizja Vetëvendosje I ka pasur brenda grupit paralamentar’’, tha Haxhiu.

    Në fillim të tetorit, Ministri Arben Vitia njoftoi se barnat e nevojshme për këtë procedurë mjekësore i kanë futur në Listën e barnave esenciale dhe tha se IVF-i deri në fund të vitit shërbimi do të ofrohet edhe në sistemin publik shëndetësor.

    Vlera totale e pajisjeve të blera sipas Ministrisë së Shëndetësisë është 1.081.744.20.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nesër mbahet testimi për ushtarët e rinj të Kosovës

    Nesër mbahet testimi për ushtarët e rinj të Kosovës

    Nga nesër do të nisë testimi për kandidatët të cilët kanë aplikuar për ushtarë aktiv të Ushtrisë së Kosovës. Për 300 vende të hapura kanë aplikuar 1658 persona.

    Kandidatët do të testohen fizikisht nga data 21 deri më 24 tetor në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

    Sipas njoftimit që kishte bërë publik Ministria e Mbrojtjes e Forca e Sigurisë së Kosovës grupi i parë i aplikantëve për këtë test duhet të paraqiten në kazermë jo më vonë se ora 07: 30 minuta ndërsa grupi i dytë jo më vonë se ora 11: 30 minuta.

    Testimi i kandidatëve për ushtarë të Forcës së Kosovës do të bëhet në tri disiplina: pompa, barkore e vrapim.

    Kandidatët që do t’i nënshtrohen testit rekomandohet që të jenë të hidratuar 24 orë para fillimit të testimit fizik.

    Ndërkohë të gjithë kandidatët e ftuar në ditën e testimit duhet të kenë me vete kodin e aplikimit, letërnjoftimin apo dokument identifikimi ndërsa kandidatët e ftuar në ditën e testimit duhet të paraqiten me veshje sportive.

    Brenda katër viteve FSK-ja ka hapur katër konkurse për pranimin e ushtarëve dhe katër të tjerë për pranimin e kadetëve.

    Numri total i të rekrutuarve në Forcën e Sigurisë së Kosovës përgjatë periudhës 2021-2024 ka arritur në 2271, duke dyfishuar kështu pothuajse numrin total të ushtarakëve të FSK-së.

  • Bajrami-Muratit: Të vetmit që po keqinterpretoni e po manipuloni me shifra jeni ju

    Bajrami-Muratit: Të vetmit që po keqinterpretoni e po manipuloni me shifra jeni ju

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i regoi ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se po “keqcitohet” raporti i fundit i Bankës Botërore.

    Deputetja shkroi në Facebook se pushtetarët janë “të vetmit që po keqinterpretojnë e manipulojnë”.

    Hekuran, nuk ka asnjë keqintrepretim të raportit të Bankës Botërore as nga opozita as nga ”mediet e afërta me opozitën”, është thënë fjalë për fjalë ajo çka thotë raporti i Bankës Botërore: ”vetëm 37% e popullsisë në moshë punë në Kosovë punojnë” dhe sipas këtij indikatori jemi më se keqi në rajon”, shkroi Bajrami.

    “Ndërsa sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në fund të vitit 2023 kemi pasë 440 448 gra dhe 237 123 burra jashtë tregut të punës të grup moshës 15 deri 64 vjet”, shtoi ajo.

    Bajrami tha se shifrat po e sfidojnë Qeverinë “më shumë se mediat e opozita”.

    “Të vetmit që po keqintrepretoni e po manipuloni me shifra jeni Ju, askush tjetër, se shifrat po ju sfidojnë me shumë se mediet e opozita. Ju jeni peng i mashtrimeve e premtimeve të juja”.

    Murati tha se me Qeverinë Kurti ka gati dyfish më shumë vende pune sesa në qeveritë tjera nga viti 2012.

    “Papunësia ka rënë në të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës”, tha Banka Botërore në një raport të fundit të pubikuar të enjten, që thoshte se veç 37.1% e kosovarëve janë të punësuar.

  • Osmani publikon foto nga oborri i Ambasadës së Kosovës në ShBA

    Osmani publikon foto nga oborri i Ambasadës së Kosovës në ShBA

    Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar një fotografi nga Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani në Facebook mbi fotografinë në të cilën shihet edhe ambasadori i Kosovës në Washington, Ilir Dugolli.

    Ajo shkoi në SHBA për “të marrë pjesë në disa aktivitete që lidhen me Agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë”, siç ka treguar vetë.

  • Murati reagon lidhur me numrin e të punësuarve dhe shkallën e papunësisë

    Murati reagon lidhur me numrin e të punësuarve dhe shkallën e papunësisë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar në lidhje me numrin e te punësuarve dhe shkallën e papunësisë ndër vite.

    Ai ka publikuar disa statistika nga ASK, rreth punësimeve, ku ka thënë se këto janë të vërtetat. Tutje ministri ka deklaruar se në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë e tjera bashkë. Sipas tij, në fund të vitit 2023 kanë qenë 425 mijë të punësuar, derisa ka shtuar se për periudhën 3-vjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit, janë shtuar 78 mijë vende pune. Për krahasim, ai ka thënë se gjatë qeverisjeve të kaluara, për 8 vjet, janë shtuar vetëm 44.228 vende pune. Sipas tij, shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë, ka theksuar Murati.

    “Shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë.

    Gjithsesi, për të evituar diskutimet mbi metodolgjinë e përllogaritjes së shkallës së papunësisë, Qeveria pothuajse çdoherë i është referuar shifrës absolute të të punësuarve, e cila është indikatori më i saktë për të treguar se sa është rritur punësimi.

    E ky indikator, siç edhe mund të shihet, tregon se në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej.

    Kurse sa i përket shifrës së cituar nga raporti i Bankës Botërore, në një postim tjetër mund të flasim edhe për atë indikator, por të jeni të sigurt që edhe aty kur e shohim trendin nëpër vite, Qeveria Kurti qëndron pakrahasueshëm më mirë sesa qeveritë e kaluara”, ka shkruar Murati.