ATV

Author: ATVLive

  • ​Më parë e menduar jozyrtare, kjo kopje Magna Carta në fakt është origjinale

    ​Më parë e menduar jozyrtare, kjo kopje Magna Carta në fakt është origjinale

    Një kopje e Magna Cartas, e cila për gati 80 vjet ishte konsideruar si kopje jozyrtare, tashmë është konfirmuar si origjinale nga viti 1300.

    Sipas The Guardian, ky zbulim tregon se dokumenti është një nga shtatë kopjet e lëshuara nga mbreti Edward i Parë në vitin 1300 që ende ruhen.

    Profesori David Carpenter nga Kolegji Mbretëror në Londër e gjeti këtë dokument në koleksionin online të bibliotekës së Harvardit, ku ishte etiketuar gabimisht si kopje jozyrtare.

    Ai tha se menjëherë e kuptoi se bëhej fjalë për një origjinal dhe së bashku me profesorin Nicholas Vincent nga Universiteti Lindor i Anglisë, përdorën teste të ndryshme për të vërtetuar autenticitetin e tij.

    Magna Carta është dokumenti i parë historik që vendosi parimin se as mbreti nuk është mbi ligjin dhe se sundimtari duhet të veprojë brenda rregullave ligjore, raporton KosovaPress.

    Ky dokument konsiderohet si bazë e traditës perëndimore të ligjit dhe demokracisë.

    Sipas bibliotekës së Harvardit, dokumenti ishte blerë për 27,50 dollarë në vitin 1946, por vlera e tij reale është shumëfish më e madhe.

    Origjina e dokumentit është interesante, pasi më parë ishte në pronësi të një familjeje aristokrate, pastaj iu dorëzua aktivistit të njohur për abolimin e skllavërisë Thomas Clarkson, dhe më pas pilotit të Luftës së Parë Botërore, Forster Maynard.

    Ky zbulim është një lajm i madh për bibliotekën e Harvardit dhe për historinë botërore, duke i dhënë një vlerë të jashtëzakonshme kësaj kopje të rrallë të Magna Cartas.

  • ​Trump ka një kundërshtim me shefin e Apple

    ​Trump ka një kundërshtim me shefin e Apple

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk është i kënaqur me planin e shefit ekzekutiv të Apple, Tim Cook, për të prodhuar iPhone-t për SHBA-në në fabrika të reja në Indi.

    Ai tha se i kishte thënë Cook-it se “nuk dëshiron që Apple të ndërtojë në Indi”, edhe pse Apple po rrit prodhimin në SHBA, transmeton CNN.

    Apple ka vendosur të zhvendosë prodhimin e iPhone nga Kina në Indi për të shmangur tarifat e larta, të cilat mund t’i shtojnë kompanisë deri në 900 milionë dollarë shpenzime në tremujor. Cook pritet që shumica e iPhone-ve të shitur në SHBA të kenë Indinë si vend origjine.

    Megjithatë, Apple nuk ka kapacitete për prodhim të madh në SHBA për shkak të kostove të larta, dhe çmimi i iPhone-it mund të trefishohet nëse prodhohet në Amerikë. Trump ka vendosur tarifa të larta për të rritur prodhimin e brendshëm, por ekspertët thonë se kjo është sfidë e madhe për kompani si Apple.

    Apple ka njoftuar një investim prej 500 miliardë dollarësh për zgjerimin e kapaciteteve në SHBA gjatë katër viteve të ardhshme, duke krijuar 20,000 vende pune. Kjo pjesë e strategjisë për të diversifikuar prodhimin jashtë Kinës, përfshirë rritjen e prodhimit të Mac Pro në Teksas, transmeton KosovaPress.

  • ​Osmani pret në takim përfaqësuesit e partive të komuniteteve jo shumicë

    ​Osmani pret në takim përfaqësuesit e partive të komuniteteve jo shumicë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po pret në takim përfaqësuesit e partive të komuniteteve jo shumicë.

    Pas takimit me liderët politikë të partive shqiptare, përfaqësuesit e partive të komuniteteve jo shumicë janë parë duke hyrë në zyrën e presidentes Osmani, raporton KosovaPress.

    Në takimin me liderët e partive politike shqiptare nuk ka pasur ndonjë lëvizje drejt tejkalimit të ngërçit të krijuar politik si pasojë e mos konstituimit të Kuvendit të ri. /kp

  • Abdixhiku: Asnjë lëvizje e Kurtit nga dëshirat partiake, ky takim nuk ka kurrfarë kuptimi

    Abdixhiku: Asnjë lëvizje e Kurtit nga dëshirat partiake, ky takim nuk ka kurrfarë kuptimi

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se është habitur nga deklarata e kryeministrit Albin Kurti gjatë takimit, ku ky i fundit ka thënë se situata aktuale politike në vend “nuk ka urgjencë”, raporton EO.

    Abdixhiku theksoi se nuk kishte asnjë propozim, asnjë lëvizje të Kurtit nga dëshirat e tij partiake.

    “Nuk ka ndodhur ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik. Është për keqardhje. Në këtë takim kam elaboruar idenë e një qeverie të unitetit për një periudhë të shkurtër. Jam i lumtur që pati konsideratë nga dy parti. Është mirë që sa më parë presidentja ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese”, tha Abdixhiku.

    “Asnjë propozim, asnjë lëvizje nga dëshirat e tij partiake. Si i tillë, ky takim nuk ka kurrfarë kuptimi. Ajo që më habit është fakti që na tha se nuk ka asnjë urgjencë. Pritja është më shumë mediatike sesa për popullin”, përfundoi ai.

  • Samiti i Komunitetit Politik në Tiranë, Starmer: Evropa është e bashkuar, e fortë dhe e sigurt

    Samiti i Komunitetit Politik në Tiranë, Starmer: Evropa është e bashkuar, e fortë dhe e sigurt

    Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, gjatë konferencës me homologun e tij shqiptar, Edi Rama tha se është privilegj për tëm të jetë në Tiranë.

    Lidhur me Samitin e Komunitetit Politik Evropian, në Shqipëri, Starmer tha se përmes tij po përçohet mesazh i qartë, se Evropa është e bashkuar, dhe se janë të fortë e të sigurt.

    “Në këtë moment kritik, ne po përçojmë mesazh shumë të qartë, që Evropa është e bashkuar, jemi të fortë, jemi të sigurt brenda shtëpive tona, po vendosim paratë aty ku duhen edhe në xhepat e qytetarëve tanë, dh epo thellojmë partneritetet tona. Ishte privilegj për mua që isha këtu”, tha Starmer.

  • Haradinaj pas takimit: Kandidati për kryetar kuvendi duhet të jetë një person unifikues

    Haradinaj pas takimit: Kandidati për kryetar kuvendi duhet të jetë një person unifikues

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar pas takimit që zhvilloi me Presidenten Vjosa Osmani, në përpjekje për të zgjidhur krizën institucionale që po mban të bllokuar Kuvendin e Kosovës, tash e tre muaj pas zgjedhjeve.

    Haradinaj tha se kanë mirëpritur ftesën e Presidentes dhe e shohin si një mundësi për të çuar përpara procesin.

    “Kandidati për kryetar kuvendi duhet të jetë një person unifikues në mënyrë që të kalojmë në etapën tjetër, edhe kuptohet e kemi mirëpritur këtë mundësi të bisedës me presidenten,” tha ai para mediave.

  • Krasniqi pas takimit në Presidencë: Nuk pres që VV-ja ta ndryshojë kandidatin, jemi në situatën e njëjtë

    Krasniqi pas takimit në Presidencë: Nuk pres që VV-ja ta ndryshojë kandidatin, jemi në situatën e njëjtë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka dhënë detaje për takimin e zhvilluar në Presidencë, ku u diskutua për situatën e krijuar pas dështimit të zgjedhjes së kryetares së Kuvendit.

    Krasniqi u shpreh se nuk pret që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të tërhiqet nga kandidatura e propozuar për kryesuese të legjislativit, duke shtuar se një hap i tillë do të ishte i nevojshëm për të dalë nga bllokada aktuale.

    “Ishte diskutim brenda pozicioneve që ju i dini, që i kemi shprehur. Në emër të PDK-së, kërkova që kryetari i VV-së, deputeti Kurti, ta ndryshojë kandidaten, të vijë me një propozim që ka mjaft në grupin e tij parlamentar. Një gjë e tillë nuk pres që do të ndodh. Jemi në situatën e njëjtë ku jemi. Megjithatë, duhet ta shohim këtë takim si hap para, përpjekje shtesë, edhe nga involvimi i presidentes në këtë temë”, tha ai.

    Kreu i PDK-së shtoi se i ka propozuar presidentes Vjosa Osmani që të ndërmarrë hapa konkretë për të kërkuar interpretim kushtetues mbi situatën.

    “Iu njoftoj se kam propozuar që presidentja, në zbatim të përgjegjësive, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me pyetje kushtetuese, apo përmes dërgimit të një lënde për krejt procesin zgjedhor, që të kemi rrugëdalje. Më shumë se problem juridik, kemi politik – kjo është krizë politike. Nëse kjo qasje imponuese e VV-së vazhdon, e kemi obligim për të gjetur zgjidhje”, theksoi ai.

  • Misioni Vëzhgues i BE-së: Fushata zgjedhore, subjekt i ndërhyrjes nga Serbia

    Misioni Vëzhgues i BE-së: Fushata zgjedhore, subjekt i ndërhyrjes nga Serbia

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që u mbajtën në një kontekst të ndjeshëm politik dhe institucional, janë analizuar në detaje nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian. Në raportin përfundimtar, që u prezantua sot në një konferencë për media në Prishtinë, u theksua se procesi ka pasur sfida të shumta – përfshirë përpjekjet për ndërhyrje nga jashtë.

    Anëtarja e Parlamentit Evropian, Natalie Loiseau, e cila udhëhoqi misionin e vëzhgimit, tha se janë vërejtur tendenca për të ndikuar në votim nga shteti i Serbisë, çka sipas saj është e papranueshme mes vendeve fqinje.

    “Sa i përket ndërhyrjeve nga jashtë, i kam cekur ato në përgjithësi. Jemi dëshmitarë të tendencave nga jashtë për të ndikuar në votimin e tyre dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte mes fqinjëve. Transmetimi publik, radio dhe televizioni, si dhe programet për komunitetet joshumicë, do të përmirësohen në mënyrë që votuesit nga të gjitha komunitetet në Kosovë të kenë qasje më të mirë në informacionin përkatës rreth zgjedhjeve,” tha Loiseau.

    Ajo nënvizoi se raporti përmban një vlerësim të detajuar dhe 19 rekomandime për përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen.

    “Është kënaqësi të rikthehem në Prishtinë dhe të paraqes para jush raportin përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Që nga ardhja ime para dy ditësh, jam takuar me presidenten e Kosovës, kryeministrin në detyrë dhe kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’ua dorëzuar raportin dhe për të diskutuar rekomandimet që përmban ai,” theksoi ajo.

    Loiseau falënderoi qytetarët e Kosovës për përkushtimin e treguar ndaj procesit demokratik, si dhe institucionet zgjedhore për bashkëpunimin dhe mikpritjen.

    “Puna jonë në Kosovë ka filluar në fillim të janarit dhe vazhdoi gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ne kemi vendosur 104 vëzhgues nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së, së bashku me Kanadanë, Norvegjinë dhe Zvicrën. Një delegacion nga Parlamenti Evropian gjithashtu iu bashkua misionit,” tha më tej Loiseau.

  • Pranohen në prova disa dokumente që pretendohet se janë nga Zona e Dukagjinit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Pranohen në prova disa dokumente që pretendohet se janë nga Zona e Dukagjinit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në çështjen gjyqësore në të cilën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte, është marrë vendim që të pranohen në prova materiale disa dokumente që pretendohet se janë nga Zona Operative e Dukagjinit.

    Vendimi është marrë më 13 maj 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III dhe në mesin e dokumenteve të pranuara pretendohet se ka dosje për Njësinë Speciale të kësaj Zone, duke përfshirë emrat dhe detajet personale për pjesëtarët, komandantët e saj, detyra dhe oraret e ndërrimeve, armët dhe mocionin në dispozicion, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas panelit, këto dokumente që pretendohet se i përkasin kësaj strukture janë të shkruara me dorë, mbajnë datë dhe disa prej tyre edhe tituj si “UÇK, Njësia Speciale”.

    Pastaj, ishin propozuar edhe dokumente që thuhet se kanë të bëjë me Shtabin e Zonës Operative të Dukagjinit si “UÇK, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit”. Sipas vendimit, Prokuroria ka thënë se ato dokumente tregojnë për ngjarjet në terren, duke përfshirë edhe aktivitetin e kundërshtarëve, lëvizjen e civilëve dhe aktivitetin e vet pjesëtarëve të UÇK-së.

    Gjithashtu, thuhet se këto dokumente kanë datë dhe përmbajnë tregues të mjaftueshëm të autenticitetit. Njëri prej dokumenteve, thuhet se përmban lista të detajuara për armët, duke përfshirë numrat serik dhe emrat personave të cilëve iu është caktuar arma.

    Sipas vendimit, dokumentet e tilla që janë dorëshkrime, përmbajnë edhe tituj si “UÇK – Armatimi”.

    Si rrjedhojë, për një grup dokumentesh, ku përfshihen edhe dokumentet e mësipërme, paneli i ka pranuar në prova materiale, ndërsa ka refuzuar dokumentet e propozuara 114, 115, 118 dhe 120-120A.

    Kurse, dëshmitë e propozuara nga 121 deri në 127 dhe 129 deri në 192 flasin për shtabet lokale dhe brigadat gjatë periudhës së pranverës dhe verës më 1998.

    Për dokumentet 128 dhe 139, u udhëzua ZPS-ja që të sigurojë përkthime të rishikuara pasi që nuk janë të tilla.

    Në mesin e dokumenteve, sipas vendimit, ZPS-ja ka thënë se disa dëshmojnë edhe njësitet inteligjencës dhe Policisë Ushtarake që ishin themeluar brenda shtabeve lokale nën drejtimin e Zonës Operative të Dukagjinit. Në ato, thuhet se ka pasur informacione edhe për përleshjet e vazhdueshme midis UÇK-së dhe forcave serbe në këtë zonë.

    Në anën tjetër, njëra prej dëshmive të propozuara ishte një procesverbal i një mbledhjeje që ka ndodhur në fshatin Baballoq, ku thuhet se ka marrë pjesë edhe Shefi i Shtabit të kësaj zonë. Në këtë mbledhje, thuhet se shefi i Shtabit ishte informuar mbi situatën në fshat dhe ishte diskutuar për çështje të mobilizimit të përgjithshëm, dezertimet dhe furnizimet me ushqim.

    Ndërsa, në mesin e dokumenteve kishte edhe kërkesa për furnizim me ushqim për ushtarët, që njëra prej tyre ishte për ata në fshatin Sverkë.

    Lidhur me këto dokumente, paneli ka thënë se janë relevante për strukturën dhe organizimin e UÇK-së në këtë Zonë, si dhe për bashkëpunimin në mes komandës dhe komandave vartëse.

    “Sa i përket provës së propozuar 153, trupi gjykues vëren se ajo përmban një kërkesë drejtuar Komandantit Ramush Haradinaj për sigurimin e armëve, e cila tregon një datë dhe vend lëshimi, i përmend personat që bëjnë kërkesën dhe tregon se ata janë anëtarë të UÇK-së”, thuhet në vendim.

    Si rrjedhojë, paneli ka pranuar dëshmitë 121 deri në 127 dhe 129 deri në 166, e po ashtu 168 deri në 182 dhe 184 deri në 192. Ndërsa, ato 144, 167 dhe 183, janë refuzuar.

    Ndërsa, për provat 193 deri në 201, 203 deri në 208, 219 deri në 215 dhe 217 deri në 240, thuhet se ZPS-ja pretendon se lidhen me strukturën dhe organizimin e UÇK-së, e po ashtu edhe atë në Zonën Operative të Dukagjinit në periudhën nga mesi i shtatorit të 1998-ës deri në vitin 1999.

    Dokumentet 204 deri në 208, Prokuroria kishte thënë se kanë vulën e Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe janë sekuestruar nga banesa e Jakup Krasniqit. Për këtë, paneli ka thënë se kanë tregues të origjinës dhe burimit të tyre.

    Ndërsa, dokumentet e propozuara 214 dhe 215, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar nga banesa e Rexhep Selimit dhe se janë raporte të lëshuara nga sektori i inteligjencës, për çka paneli ka thënë se kanë autenticitet dhe e përmbushin pragun ,,prima facie”.

    Dokumenti 220, thuhet se mban në krye një titull “Policia Ushtarake- UÇK” dhe përmban detaje për dezertorët, ndërsa dokumenti 225 është sekuestruar nga banesa e Jakup Krasniqit. Të dy këto dokumente sipas panelit kanë tregues të qartë të autenticitetit.

    “Për arsyet e përmendura më sipër, trupi gjykues vendos si vijon:(a) E PRANON pjesërisht kërkesën; (b) PRANON si prova në procedurë artikujt vijues, ose pjesë të identifikuara prej tyre, dhe çdo përkthim të lidhur: Eksponatet e Propozuara 1-14, 16-113, 116, 117, 119, 121-127, 129-166, 168-182, 184-195, 197-201, 203-208, 210-215, 217, 218, 220-237, 241-258 dhe 260-353; (c) REFUZON pranimin si prova të artikujve ose pjesëve të identifikuara prej tyre vijues: Eksponatet e Propozuara 114-115, 118, 120-120A, 144 (fq. U001‐5871), 167, 183, 196, 200 (fq. U009-2017-U009-2024 dhe U009-2035-U009-2060), 219, 238-240, 243 (fq. U009-1732, U009-1737 dhe U009-1739-U009-1740), 245 (fq. U009-1928, U009-1934-U009-1935, U009-1937-U009-1939 dhe U009-1941-U009-1942), dhe 247 (fq. U009-1828, U009-1833-U009-1834, U009-1840-U009-1841, U009-1848-U009-1854 dhe U009-1856)”, thuhet në vendim.

    Vendimi obligoi Prokurorinë që të ofrojë përkthimin e rishikuar për disa dokumente të cilat janë ofruar që të pranohen në prova materiale.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Kosovari në ShBA futet me armë të mbushur në aeroplan, arrestohet -Pamje

    Kosovari në ShBA futet me armë të mbushur në aeroplan, arrestohet -Pamje

    Një ngjarje e pazakont ndodhi më 15 prill në aeroportin O’Hare të Chicagos, ku Besnik Ismajlaj, një shtetas me origjinë shqiptare dhe banues në St. Charles, Illinois, arriti të kalojë kontrollin e sigurisë me një armë zjarri në çantën e dorës, pa u vënë re nga agjentët e Administratës për Sigurinë e Transportit Ajror (TSA).

    Sipas informacionit të dhënë nga policia, 53-vjeçari kishte me vete një pistoletë gjysmë-automatike Glock 9mm, të cilën e futi në avion pa kaluar ndonjë kontroll të rreptë. Incidenti ndodhi gjatë një ndërrimi turni të agjentëve të sigurisë, që mund të ketë kontribuar në këtë gabim.

    Pamjet e publikuara nga kamera trupore e policisë tregojnë momentin kur oficerët e policisë së Chicagos hipin në avion dhe e nxjerrin Ismajlajn nga klasa e parë, ku ai ishte ulur qetësisht, pa u bërë ndonjëshqetësim.

    Pas arrestimit të tij, Ismajlaj u dërgua për intervistim dhe është duke u hetuar për shkeljen e ligjeve të sigurisë ajrore.

    Kur oficerët e pyetën nëse e dinte pse ndodheshin aty, Ismajlaj u përgjigj: “Po, është në çantën time.” Më tej, në video ai dëgjohet duke thënë: “E harrova,” teksa vendoset në pranga dhe shoqërohet jashtë avionit, shkruan “The New York Post”.

    Sipas deklaratave zyrtare, një agjent i TSA-së e kishte vënë re armën gjatë kontrollit me rreze X, por para se të mund të reagonte, Ismajlaj kishte marrë çantën dhe ishte larguar drejt portës së fluturimit. Një udhëtar tjetër që ndodhej në radhë dha përshkrimin e personit që mbante armën, gjë që ndihmoi në identifikimin dhe kapjen e tij.

    Pas arrestimit, Besnik Ismajlaj u ngarkua me akuzën për kundërvajtje, për mbajtjen e armës së fshehur në një aeroport. Në video shihet gjithashtu momenti kur oficerët e policisë e fusin në furgon dhe e dërgojnë në një dhomë mbajtjeje, ku i lexohen të drejtat e tij sipas ligjit Miranda.

    Ismajlaj pritet të dalë para gjykatës më 9 qershor 2025, për t’u përballur me akuzat dhe procedurat e mëtejshme ligjore që lidhen me këtë incident.