ATV

Author: ATVLive

  • Zvicër: Policia, me kufizime trafiku për shkak të vizitës së planifikuar të Vjosa Osmanit

    Zvicër: Policia, me kufizime trafiku për shkak të vizitës së planifikuar të Vjosa Osmanit

    Të mërkurën dhe të enjten e ardhshme, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të jetë në Zvicër për një vizitë shtetërore.

    Vizita e presidentes së Republikës së Kosovës në Zvicër, ku ajo do të pritet me nderimet më të larta shtetërore, shoqërohet edhe me masa të veçanta sa i përket trafikut. Kështu, portali zyrtar i policisë “police.be.ch” ka dalë me një njoftim lidhur me kufizimet e nevojshme të trafikut gjatë dy ditëve sa do të zgjasë vizita.

    Të mërkurën, më 21 maj 2025, dhe të enjten, më 22 maj 2025, Presidentja e Republikës së Kosovës do të jetë në Bernë me një delegacion në kuadër të një vizite shtetërore. Kjo do të jetë vizita më e lartë, e nivelit shtetëror dhe e para me nderime ushtarake që i bëhet një presidenti të Kosovës në Zvicër. parashieht që në sheshin kryesor të Bernës, Bundesplatz, do të ketë edhe pjesëmarrje të publikut, shkruan albinfo.ch. Në këtë kontekst, disa rrugë dhe sheshe në qendër të qytetit do të duhet të mbyllen përkohësisht në të dyja ditët.

    Së pari, të mërkurën, më 21 maj 2025, pritja me nderime ushtarake do të zhvillohet në Bundesplatz. Aksi Bundesgasse nga Schwanengasse, perimetri rreth Ndërtesave Federale Lindore dhe Perëndimore, si dhe rrugët përkatëse hyrëse dhe Inselgasse do të jenë të mbyllura për trafikun, të mërkurën, 21 maj 2025, nga ora 12:00 deri në orën 22:00. Amthausgasse dhe Schauplatzgasse do të jenë të mbyllura për trafikun nga ora 12:00. deri në orën 4:00 pasdite po në këtë ditë.

    Të enjten, më 22 maj 2025, nga ora 7:00 e mëngjesit deri afërsisht në orën 8:00 të mëngjesit, Bundesgasse nga Schwanengasse, Bundesplatz dhe Kochergasse do të jetë e mbyllur për trafikun.

  • Ohri, Struga dhe rrethina goditen nga tërmeti

    Ohri, Struga dhe rrethina goditen nga tërmeti

    Mëngjesin e së dielës, rreth orës 05:07 dhe orës 05:16 janë regjistruar tërmete në Maqedoni të Veriut, epiqendrat e të cilëve rrjedhin nga rajoni epiqendror Peshteni – Ohër – Strugë, rreth 100 kilometra në jugperëndim të Shkupit, me magnituda lokale të Rihterit, ML3.4 dhe ML2:3.

    Kjo u bë e ditur nga të dhënat e Observatorit Sizmologjik në Shkup, shkruan AlsatM.

    Sipas të dhënave të deritanishme të cilat disponon observatori, tërmeti i parë është ndjerë në Ohër, Strugë dhe rrethinën e afërt me intensitet prej IV shkallëve sipas shkallës makrosizmike evropiane.

  • Apeli liron nga akuza nëntë të akuzuarit për dëmtim të buxhetit mbi 2 milionë euro

    Apeli liron nga akuza nëntë të akuzuarit për dëmtim të buxhetit mbi 2 milionë euro

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica, si dhe Ajdar Jashari ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me mbi 12 vite burgim (së bashku) lidhur me akuzën për dëmtimin e buxhetit të shtetit në vlerë mbi 2 milionë euro. Apeli shpalli aktgjykim lirues ndaj nëntë të akuzuarve.

    Ata akuzoheshin se cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 8 centë, nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por ua kishin shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke i shkaktuar evazion fiskal buxhetit të Kosovës, në shumën prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Themelorja i kishte dënuar nëntë të akuzuarit për “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi” dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.

    Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale mbi pretendimin për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin mbi sanksionin penal. Kishte kërkuar nga Apeli që të akuzuarve t’iu shqiptojë dënim më të lartë.

    Ndërkaq, edhe mbrojtësit e nëntë të akuzuarve, avokatët: Besim Parduzi, Blerim Hertica, Bedrie Rexhepi, Florin Vërtopi, Mentor Neziri, Agron Curri, Argjent Sefa, Arlind Jupolli dhe Asdren Bytyqi, kishin parashtuar ankesa me pretendimet se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë në shkleje esenciale të dispoztiave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal. Ata kishin kërkuar nga Apeli lirimin e të mbrojturve të tyre, ose që rasti të kthehet në rigjykim.

    Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë kishte propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarve t’iu shqiptohen dënime më të larta me burgim, ndërsa të refuzohen ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të pabazuara.

    Andaj, Kolegji i Apelit, me vendimin e përpiluar më 7 maj 2025, ka konstatuar se ankesat e mbrojtësve janë të bazuara, ndërsa ajo e Prokurorisë Speciale e pabazuar.

    Sipas Apelit, vendimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, miëpo është bërë vërtetim i gabuar i gjendjes faktike, dhe me këtë gabimisht i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për veprën penale të ricilësuar nga aktakuza fillestare e të precizuar nga prokurori në fjalën përfundimtare.

    Aty thuhet se me veprimet e të akuzuarve nuk përmbushen elementet e veprës për të cilën ata janë shpallur fajtorë.

    Në arsyetim të Apelit, potencohet se nga aktakuza fillestare të akuzuarit Ferizi, Avdiu-Shala dhe Jashari akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve” të Kodit Doganor, ndërsa të akuzuarit Vitia, Mustafa, Gashi, Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Jashari akuzoheheshin për veprat penale “Krimi i organizuar” dhe “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

    Më pas, aktakuza fillestare thuhet se ishte precizuar në veprën bazë “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” (sipas Kodit në fuqi në atë kohë dhe si më i favorshëm për të akuzuarit), ndërsa në fjalën përfundimtare, prokurori ka bërë përsëri precizimin e veprës penale bazë duke e kthyer në Kodin e vjetër “Shpërdorimi i detyrës zyrtare”, ndërkaq veprat tjera kanë mbetur të pandryshuara.

    Apeli pajtohet me gjetjet e shkallës së parë lidhur veprën penale “Krimi i organizuar”, me arsyetimin se ky rast nuk ka të bëjë me këtë vepër.

    “Në rastin konkret kemi të bëjmë me një shfrytëzim i rastit që të blihet mall pa banderola, i pa doganuar, dhe rrjedhimisht më i lirë, të cilën mundësi e kanë ofruar të akuzuarit që kanë punuar në organizatën e biznesit BDF PX. Po ashtu ky kolegj pajtohet edhe me gjetjet e Gjykatës së shkallës së parë lidhur me mos përmbushjen e elementeve të veprës penale shpërdorimi i detyrës zyrtare, pasi që të akuzuarit nuk kanë gëzuar pozita zyrtare që të cilësohen si të tillë”, thuhet në vendim.

    Lidhur me këtë, Apeli thekson se Prokuroria nuk kishte provuar me asnjë provë strukturën e grupit- përmbushjen e elementeve të krimit të organizuar, por flitet vetëm në mënyrë të përgjithësuar. Aty thuhet se Themelorja thekson se kanë pasur detyra të caktuara, por me asnjë provë nuk e dëshmon se si janë dhënë këto detyra, kush i ka dhënë dhe cilat kanë qenë ato.

    Sipas Apelit, të akuzuarit kanë komunikuar për të mos i dërguar cigaret në PX, por t’i shesin ato në tregun e zi ose biznese private ku dhe është zënë në flagrancë te i akuzuari Arsim Topanica, dhe kjo metodë ka vazhduar mbi një vit edhe me të tjerët.

    Lidhur me ricilësimin e veprave penale gjatë shpalljes së vendimit të Themelores në “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi”, Apeli gjen se që të kryhet kjo vepër penale kryerësi i kësaj vepre duhet të veprojë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën e biznesit ose personit juridik në të cilin është i punësuar apo organizatën tjetër të biznesit ose për personin juridik, por nga provat nuk rezulton se kjo është bërë.

    Gjithnjë sipas Apelit, në bazë të përgjimeve të telekomunikimeve, rezulton se të akuzuarit kanë bashkëpunuar që një pjesë të mallit të importuar për KFOR– ta shesin në tregun e Kosovës, duke iu shmangur tarifave doganore. Mallrat janë futur në depot e kompanisë vetëm në mënyrë fiktive, përmes falsifikimit të dokumentacionit, ndërsa në realitet, cigaret janë shitur te shitës të ndryshëm.

    Por, kjo sipas Apelit nuk vërteton se është bërë në dobi të organizatës së biznesit apo për personin juridik për të cilin kanë punuar. Në fakt, rezulton të jetë kryer në dëm të organizatës, së biznesit, duke pas parasysh që malli që e kanë importuar nuk ka shkuar në destinimin e caktuar.

    Andaj, bazuar në këtë, gjykata e shkallës së dytë, gjen se nuk janë plotësuar kushtet themelore të veprës “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”, për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë.

    “Pra, qëllimi i realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për organizatën e biznesit nuk është përmbushur, gjegjësisht nuk ka asnjë provë që dëshmon se të akuzuarit ishin duke vepruar për qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën e biznesit BDF PX”, thuhet në aktgjykim.

    Ndërkaq, të akuzuarit e tjerë të cilët ishin shpallur fajtorë për dhënien e ndihmës ndaj të tjerëve, Apeli vlerëson se nuk mund të shpallen fajtorë pasi që nuk është vërtetuar fajësia e tyre.

    “Edhe sa i përket të akuzuarve tjerë të shpallur fajtor për vepër penale Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi në ndihmë nga neni 236 paragrafi 1 dhe 2, lidhur me nenin 25 të KPPK-së, Kolegji i Apelit gjen se nuk mund të shpallen fajtor për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre, meqenëse tre të akuzuarit e parë nuk kanë kryer veprën për të cilën janë shpall fajtor”, thuhet në vendim.

    Aty thuhet se nga aktgjykimi i ankimuar nuk mund të kuptohet se në cilën mënyrë gjashtë të akuzuarit i kishin ndihmuar tre të akuzuarit e parë në keqpërdorimin e autorizimeve në ekonomi.

    Po ashtu, Apeli thekson që i akuzuari Ajdar Jashari nuk përmendet fare në përshkrim faktik se çfarë veprime inkriminuese ka.

    Rrjedhimisht, Apeli gjen se forma e ndihmës nuk është përshkruar drejt dhe saktë, por meqenëse tre të akuzuarit e parë nuk kanë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën janë gjykuar, edhe elementi i ndihmës nuk përmbushet për këtë vepër.

    Mirëpo, Apeli konsideron se ka veprime inkriminuese nga të akuzuarit- sepse nga komunikimet e bëra mes tyre shihet se kanë qenë të përfshirë në aktivitet të kundërligjshëm, mirëpo që Gjykata nuk mundet të krijojë një akuzë të re, nëse Prokuroria nuk akuzon.

    “Gjykata mund të bëjë rikualifikim të ndonjë vepre penale në kuadër të veprës për të cilën akuzohen të akuzuarit, mund të nxjerr ndonjë provë për të vërtetuar drejtë gjendjen faktike, por nuk mund të ndërtoj përshkrim faktik dhe vepër të re penale për të cilën Prokuroria nuk akuzon. Për këtë arsye, duke pas parasysh se nuk kemi aktakuzë për ndonjë vepër penale që elementet e saj përmbushen me veprimet inkriminuese të akuzuarve, Gjykata e Apelit ka liruar të akuzuarit për veprat për të cilat janë shpallur fajtor për të cilat nuk janë përmbushur elementet me veprimet e të akuzuarve”, thuhet në vendim.

    Kurse, sa i përket sendeve të konfiskuara me aktgjykimin e ankimuar, Kolegji i Apelit gjen se këto sende duhet t’iu kthehen të akuzuarve, meqenëse të njëjtit janë liruar nga akuza dhe tanimë nuk ka arsye për konfiskimin e tyre-përveç dy vulave të falsifikuara të konfiskuar nga i akuzuari Shaip Ferizi të cilat nuk mund të jenë në qarkullim
    juridik.

    Ndryshe, më 11 mars 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte dënuar me burgim me kusht nëntë të akuzuarit e lartcekur.

    Mirëpo, ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar ankesë mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 18 dhjetor 2019 kjo Gjykatë ka aprovuar ankesat e tyre si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

    Në rigjykim, Themelorja më 16 shtator 2024 shpalli aktgjykim dënues ndaj nëntë të akuzuarve, duke i dënuar me mbi 12 vjet burgim (së bashku).

    Në këtë rast i akuzuar është edhe Lulzim Gashi për të cilin ishte veçuar lënda me qëllim të ekonimizimit dhe zhvillimit të një procedure të përbashkët.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.

    Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it, kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.

    Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 8 centë, nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por ua kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë.

    Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

    Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Hajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Shmangie nga pagesat e detyrimeve”.

  • Raportoi se ia kanë vjedhur targat e veturës, policia zbulon se i janë konfiskuar në një shtet tjetër

    Raportoi se ia kanë vjedhur targat e veturës, policia zbulon se i janë konfiskuar në një shtet tjetër

    Një grua në Gjakovë ka raportuar se i janë vjedhur targat e veturës, por pas hetimeve ka rezultuar që i jane konfiskuar nga policia e një shteti tjetër

    “LAJMËRIM APO KALLËZIM I RREMË- Gjakovë / 13.05.2025 – 14:10. E dyshuara f/k me datën e cekur kishte raportuar se i janë vjedhur targat e veturës, ndërsa me datë 17.05.2025 pas hetimeve lidhur me rastin, dhe gjatë intervistimit të dyshuarës, është konstatuar se targat i kanë konfiskuar policia e një shteti tjetër. Në konsultim me prokurorin, e dyshuara pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.”

  • Idrizi ndan pamje nga qyteti: Panoramë fantastike nga Vushtrria

    Idrizi ndan pamje nga qyteti: Panoramë fantastike nga Vushtrria

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka publikuar sot një postim inspirues në rrjete sociale, duke ndarë një pamje të bukur panoramike të qytetit historik.

    Në përshkrim, ai u ka uruar qytetarëve një të diel të qetë dhe të mbushur me harmoni pranë familjeve të tyre.

    “Panoramë fantastike nga Vushtrria! Miqtë e mi, nga qyteti i historisë, ju uroj të diel të qetë bashkë me familjet tuaja,” ka shkruar Idrizi, duke theksuar krenarinë për trashëgiminë historike dhe bukuritë e qytetit që përfaqëson.

  • Bajrami demanton KESCO-n dhe ZRrE-në: Veç 300 kompani e plotësojnë kriterin për kinse “tregun e hapur” të energjisë, jo 1300

    Bajrami demanton KESCO-n dhe ZRrE-në: Veç 300 kompani e plotësojnë kriterin për kinse “tregun e hapur” të energjisë, jo 1300

    Dalja në të ashtuquajturin “treg të hapur” të energjisë për 1 mijë e 300 kompani – që është kundërthënie në vete kur KESCO ka monopol në furnizim – pritet të sjellë me vete vështirësi të mëdha për bizneset dhe pashkëputshëm valë të re fryrjesh të çmimeve.

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka lexuar Ligjin për Energjinë, KESCO-s, dhe i është referuar të dhënave të shoqatave ekonomike në vend se jo 1300 biznese, siç pandehin ata, i plotësojnë kriteret për të dalë në të ashtuquajturin “treg të hapur”, por vetëm 300.

    Postimi i plotë:

    energji elektrike me çmime të rregulluara nga ZRRE në kundërshtim me Ligjiin për Energjinë Elektrike, Nenin 37, paragrafi II.

    SEPSEE: Neni 37, paragrafi II thotë se për të qënë PËRFITUES i shërbimit universal duhet të përmbushësh njërin nga kriteret: OSE qarkullim nën 10 milionë Euro OSE biznesi t’i ketë më pak se 50 punëtorë, ndërkohë KESCO po i përjashton kompanitë nga shërbimi universal nëse nuk i përmbushin të dy këto kritere, gjë të cilën nuk e kërkon Ligji.

    Nëse Ligji e kërkon OSE njërin ose tjetrin kriter për të përfituar nga shërbimi universal si ka mundësi se për përjashtim nga shërbimi universal përdoret EDHE njëri EDHE tjetri kriter.

    Nuk dihet nëse KESCO është duke e bërë këtë me instruksione të ZRRE-së, nga padijenia ose me qëllim, por një gjë dihet që si rezultat i këtij veprimi KESCO do të përballet me qindra padi pas datës 1 qershor.

    Sipas të dhënave të shoqatave ekonomike në vend ”kriteret sipas Nenit 37, për të dalë në të ashtuquajturin ”treg të hapur” i plotësojnë vetëm 300 kompani, jo 1300 që po i përjashton ZRRE-ja”.

    Dallimi në mes të ”OSE’ dhe ”EDHE” është dallim i madh në Ligj.

  • Shahini: Tirana në qendër të botës një mundësi historike për Ballkanin

    Shahini: Tirana në qendër të botës një mundësi historike për Ballkanin

    Takimi i 47 liderëve botërorë në Tiranë shënon një moment historik për Ballkanin Perëndimor, duke e vendosur rajonin si një partner të rëndësishëm në siguri, stabilitet dhe zhvillim.

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, e cilësoi këtë samit si një dritare të re për bashkëpunim ekonomik dhe investime, duke theksuar nevojën për projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Sipas tij, ky është momenti për të kaluar nga fjalët në veprime konkrete dhe për ta shfrytëzuar profilin diplomatik të ngritur nga Kryeministri Edi Rama në shërbim të gjithë rajonit.

  • Tragjedi ajrore në Finlandë: Përplasen dy helikopterë, pesë të vdekur

    Tragjedi ajrore në Finlandë: Përplasen dy helikopterë, pesë të vdekur

    Një ngjarje tragjike ajrore ka ndodhur këtë të shtunë në Finlandë, ku dy helikopterë janë përplasur në ajër, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave.

    Sipas mediave vendase, aksidenti ndodhi në perëndim të Helsinkit, në mesditë, ndërsa shkaqet e përplasjes nuk janë bërë ende të ditura.

    Të dy helikopterët ishin nisur nga Estonia dhe sipas planeve të fluturimit, njëri prej tyre mbante tre persona në bord. Dy nga viktimat janë identifikuar si biznesmenë estonezë.

    Një dëshmitar okular ka rrëfyer për mediat momentet dramatike të aksidentit: “Njëri nga helikopterët po manovronte dhe goditi tjetrin. Njëri ra si gur, tjetri më ngadalë, nuk dëgjova asnjë zhurmë”.

    Hetimet për këtë tragjedi ajrore janë në zhvillim nga autoritetet finlandeze.

  • Tragjedi në orët e para të mëngjesit, humb jetën një 19-vjeçare

    Tragjedi në orët e para të mëngjesit, humb jetën një 19-vjeçare

    Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 04:19 në fshatin Pouskë të Prizrenit.

    Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, bëhet fjalë për një vetaksident në të cilin janë përfshirë tre persona. Si pasojë e aksidentit, një femër 19-vjeçare ka humbur jetën nga plagët e marra.

    Po ashtu, një 25-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa një tjetër 27-vjeçar ka marrë lëndime të lehta trupore.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë e Trafikut Rajonal, ekipi i Ndihmës së Shpejtë, Zjarrfikësit, Hetimet dhe Prokurori Kujdestar.

    Rasti është duke u hetuar nga autoritetet për të zbardhur rrethanat dhe shkaktarët e aksidentit.

  • Ceremoni solemne në Vatikan, Papa Leoni XIV nis papninë

    Ceremoni solemne në Vatikan, Papa Leoni XIV nis papninë

    Sot në Vatikan mbahet ceremonia zyrtare e nisjes së papnisë së Papa Leonit të XIV, me një meshë solemne që ka filluar në orën 10:00.

    Mesha shënon fillimin zyrtar të shërbesës së tij si kreu i Kishës Katolike, duke u konsideruar një moment historik për besimtarët katolikë në mbarë botën.

    Në këtë ceremoni janë të pranishëm liderë fetarë dhe figura të larta politike nga vende të ndryshme, të cilët po marrin pjesë në festimin e fillimit të udhëheqjes së re të Vatikanit.