ATV

Author: ATVLive

  • Çfarë sinjalizon takimi i Trumpit me udhëheqësin e ri sirian?

    Çfarë sinjalizon takimi i Trumpit me udhëheqësin e ri sirian?

    Për më shumë se një dekadë, Siria ka qenë ndër vendet më të izoluara të botës, e dërrmuar nga lufta civile, dështimi i ekonomisë dhe sanksionet e mëdha ndërkombëtare.

    Por, më 14 maj, ndodhi një ndryshim i madh në skenën botërore kur presidenti i Shteteve të Bashkuar (SHBA), Donald Trump, u takua me presidentin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa – një ish-rebel i njohur me emrin e luftës Abu Mohammed al-Jolani – në Riad.

    Ky ishte takimi i parë midis liderëve të Sirisë dhe SHBA-së në një çerek shekulli.

    Ky hap sinjalizon jo vetëm një kapitull të ri për vendin e shkatërruar nga lufta, por edhe një ripozicionim të aleancave rajonale dhe dinamikave të pushtetit në Lindjen e Mesme.

    Duke folur në kryeqytetin saudit, Trump tha se vendimi për t’i hequr sanksionet, i shpallur një ditë më parë, synon t’i japë Sirisë “një mundësi për madhështi”, ndërsa vendi përpiqet të rindërtohet pas më shumë se një dekade lufte civile dhe shkatërrimi ekonomik.

    Sanksionet, të vendosura fillimisht për të ushtruar trysni ndaj qeverisë së presidentit të rrëzuar, Bashar al-Assad, “tashmë prekin drejtpërdrejt popullin sirian dhe pengojnë procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit,” tha Ministria e Jashtme e Sirisë pas njoftimit.

    Duke përshëndetur vendimin e Trumpit, Ministria siriane tha se sanksionet “kontribuuan në rënien e [Assadit]” dhe shtoi se sirianët “presin me padurim heqjen e plotë të sanksioneve si pjesë e hapave që mbështesin paqen dhe mirëqenien në Siri dhe rajon.”

    Damasku shpërtheu në festime pas njoftimit të Trump, dhe shumë sirianë shpresojnë për lehtësime ekonomike.

    “Siria tani ka një mundësi të vërtetë për t’u rikthyer në sistemin ekonomik global”, tha për Radion Evropa e Lirë Clara Broekaert, hulumtuese në Qendrën Soufan.

    “Kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga gjithë ndikimi – veçanërisht sa i përket mbrojtjes së të drejtave të pakicave – por regjimi aktual i sanksioneve nuk e bën këtë, përkundrazi ndëshkon qytetarët e zakonshëm sirianë”, tha ajo.

    Takim historik

    Dy liderët u takuan shkurtimisht në Riad në margjinat e takimit të Trumpit me liderët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

    Shtëpia e Bardhë tha se Trump i kërkoi liderit sirian të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin duke iu bashkuar të ashtuquajturave Marrëveshjet Abraham, të nënshkruara tashmë nga disa shtete të Gjirit Arab.

    Ai gjithashtu kërkoi që Sharaa të dëbojë militantët palestinezë dhe të marrë kontrollin e kampeve që mbajnë luftëtarët e Shtetit Islamik dhe që aktualisht menaxhohen nga guerilët kurdë të kundërshtuar nga Turqia.

    Takimi i fundit i tillë ndodhi në vitin 2000, kur presidenti amerikan, Bill Clinton u takua me Hafez al-Asadin në Gjenevë. Takimi i Trumpit me Sharaa sinjalizon një ngrohje të marrëdhënieve dhe një njohje de facto të udhëheqjes së re siriane – diçka e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë.

    Nga kryengritës në president

    Ngjitja e Sharaas në Presidencë është një histori që pak do ta kishin parashikuar. Ai luftoi kundër forcave amerikane në Irak dhe më pas themeloi Jabhat al-Nusra-n, grupin e lidhur Al-Kaedën, gjatë luftës civile siriane.

    Me kalimin e kohës, ai u shkëput nga Al-Kaeda, duke e riemërtuar grupin si Hayat Tahrir al-Sham dhe konsolidoi pushtetin në veriperëndim të Sirisë. Në fund të dhjetorit 2024, Sharaa udhëhoqi një ofensivë të shpejtë të rebelëve, të mbështetur nga Turqia, dhe mori Damaskun, duke i dhënë fund gjysmëshekulli sundimi të familjes Assad.

    Më pas, ai shpalli shpërbërjen e të gjitha fraksioneve të armatosura – përfshirë edhe të veten – dhe mori presidencën me emrin e tij të lindjes, duke premtuar reformë kushtetuese dhe një epokë të re për Sirinë.

    Transformimi i Sharaas nga komandant rebel në kryetar shteti është si mbresëlënës, ashtu edhe kontrovers. Derisa ka punuar për të projektuar një imazh pragmatik, duke premtuar siguri për pakicat dhe të jetë i hapur ndaj komunitetit ndërkombëtar, e kaluara e tij vazhdon të ngjallë shqetësime në Perëndim dhe Izrael.

    Sharaa është përballur me vështirësi për të kontrolluar fraksionet e lidhura me Qeverinë e tij tranzitore. Kjo sfidë u theksua në mars, kur shpërthyen përleshje midis forcave të sigurisë dhe luftëtarëve besnikë ndaj qeverisë së rrëzuar të mbështetur nga Irani dhe Rusia. Grupe për të drejtat e njeriut dokumentuan qindra viktima, përfshirë civilë.

    Broekaert tha se, pavarësisht reformave të fundit, politikëbërësit amerikanë ende kanë “shqetësime të vazhdueshme”, përfshirë për dhunën sektare në provincat bregdetare.

    “Ajo që po ndjek me kujdes personalisht është integrimi i luftëtarëve të huaj në strukturën e re të sigurisë dhe qeverisjes”, tha ajo.

    Këto çështje, shtoi Broekaert, “vazhdojnë të ushqejnë skepticizmin midis politikëbërësve me ndikim në Uashington për qëndrueshmërinë dhe sinqeritetin e këtyre reformave”.

    Megjithatë, për shumë sirianë, Sharaa përfaqëson një shkëputje nga dekadat e diktaturës dhe një mundësi për rindërtim pas viteve të shkatërrimit.

    “Sharaa gjithashtu, për të qenë e sinqertë, ka pozicionuar shumë me zgjuarsi udhëheqjen dhe agjendën e tij si pragmatike dhe në përputhje me interesat strategjike të SHBA-së, veçanërisht në frenimin e ndikimit iranian”, tha Broekaert.

    Roli vendimtar i Arabisë Saudite

    Ky ndryshim dramatik në politikën e SHBA-së nuk ndodhi në vakum. Arabia Saudite, nën udhëheqjen e Princi të Kurorës Muhammed bin Salman, luajti rol kyç në orkestrimin e këtij përparimi diplomatik.

    Trump bëri njoftimin e tij në një konferencë investimesh në Riad më 13 maj, duke ia atribuar publikisht meritën princit saudit si forcë shtytëse për këtë vendim.
    Arabia Saudite, së bashku me Turqinë dhe disa shtete të tjera arabe të Gjirit, lobuan me këmbëngulje në Uashington, duke argumentuar se angazhimi me Qeverinë e Sharaas ishte thelbësor për stabilizimin e Sirisë dhe frenimin e ndikimit iranian në rajon.

    Njoftimi përkoi me zotimin e Arabisë Saudite për të investuar 600 miliardë dollarë në SHBA dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për armë në vlerë 142 miliardë dollarë – që theksojnë shkallën e bashkëpunimit SHBA-Arabi Saudite.

    Duke theksuar rolin “vendimtar” të Arabisë Saudite, Broekaert tha se Muhammed bin Salman “kombinoi presionin diplomatik me stimuj transaksionalë” për të siguruar përkushtimin e Trump ndaj udhëheqjes së re siriane dhe për të përshpejtuar heqjen e sanksioneve.

    Si do të ndikojë kjo tek aktorët e tjerë rajonalë?

    Përqafimi i Qeverisë së re të Sirisë nga Trumpi po përhapet në gjithë rajonin.

    Për Izraelin, ky është burim i shqetësimit të thellë. Zyrtarët izraelitë, të kujdesshëm për të kaluarën xhihadiste të Sharaas dhe dhunën komunitare që shoqëroi ngritjen e tij, frikësohen se normalizimi i SHBA-së me Damaskun mund të kufizojë lirinë e veprimit të Izraelit dhe t’i inkurajojë aktorët armiqësorë.

    Ka raportime për bisedime indirekte midis Sirisë dhe Izraelit, ndoshta të ndërmjetësuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por skepticizmi izraelit mbetet i lartë.

    “Është e qartë se ndikimi i Izraelit ka rënë në trajtimin që administrata Trump i bën Sirisë”, tha Broekaert.

    Për Iranin, zhvillimet përbëjnë një goditje të madhe strategjike. Rënia e regjimit të Assadit dhe ngritja e një qeverie armiqësore ndaj Teheranit kanë shkëputur një hallkë kyçe në “boshtin e rezistencës” të Iranit – rrjetin e tij të aleatëve rajonalë dhe përfaqësuesve. Asetet iraniane në Siri janë konfiskuar dhe Qeveria e re ka treguar pak interes për të vendosur marrëdhënie me Teheranin.

    Edhe Rusia e ka ndier rënien e ndikimit të saj. Edhe pse Moska ruan baza ushtarake në bregdetin sirian, Qeveria e re ka bërë të qartë se prania e ardhshme e Rusisë do të varet nga marrëveshje që shërbejnë interesat e Sirisë. Rusia tani po kërkon mënyra për t’u riangazhuar me Damaskun, por ndikimi i saj është zvogëluar./REL/

  • Sot, seanca e Apelit ndaj Pjetër Shalës

    Sot, seanca e Apelit ndaj Pjetër Shalës

    Gjykatësja Michele Picard e Speciales pati lëshuar urdhër për përgatitjen e seancës së Gjykatës së Apelit në rastin e Pjetër Shalës.

    Seanca dëgjimore mbi ankesën e Shalës kundër aktgjykimit të Supremes do të mbahet sot, 15 maj nga ora 13:30.

    Paneli i ftoi palët dhe pjesëmarrësit siç thuhet “pa paragjykim për ndonjë çështje tjetër të paraqitur në parashtrimet e tyre ose për ndonjë çështje tjetër që Paneli i Apelit mund të dëshirojë të ngrejë, të adresojë, brenda fushëveprimit të parashtresave të tyre me gojë dhe kohës së caktuar për Seancën e Apelit”.

    Poashtu në këtë dokument të gjykatës me seli në Hagë kërkohet nga Mbrojtja që , “në lidhje me paragrafët 208-209 dhe 212 të Dosjes së Apelit, të shpjegojë pse mbështetja e Trupit Gjykues në cilindo nga burimet e ligjit të përmendura në paragrafët 942-943 të Vendimit të Gjykatës Supreme për të interpretuar mbrojtjet themelore procedurale të dyta dhe të treta për të sjellë personin e privuar nga liria menjëherë para një gjyqtari ose një autoriteti tjetër kompetent; dhe për t’i dhënë personit të privuar nga liria një mundësi për të kundërshtuar ligjshmërinë e ndalimit të tij përbën një gabim ligjor? Trupi Gjykues i Apelit fton Prokurorinë Speciale të përgjigjet”.

    “A mund të shpjegojnë Palët standardin e “mens rea” të nevojshëm për krimin e vrasjes dhe si kjo ndikohet nga mënyra e përgjegjësisë e përdorur,veçanërisht kryerja si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, theksohet më tej.

    “A mund të jep hollësi ZPS-ja mbi provat në të cilat u mbështet Trupi Gjykues për të arritur në përfundimin se Shala kishte qëllim të drejtpërdrejtë për të kryer krimin e vrasjes”, thuhet në vendim.

    Ndryshe, më 29 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguajë 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.

    Ai ishte dënuar me 18 vjet burgim më 16 korrik të vitit të kaluar.

  • Aksident tragjik në Meksikë, humbin jetën 21 persona

    Aksident tragjik në Meksikë, humbin jetën 21 persona

    Të paktën 21 persona humbën jetën në një aksident automobilistik të mërkurën në Meksikë, tha një zyrtar i lartë shtetëror.

    Në një postim në mediat sociale, ministri i Brendshëm i Puebla, Samuel Aguilar tha se në aksident përfshiheshin tre automjete dhe se një numër i paspecifikuar i personave të tjerë po trajtoheshin për lëndime.

    Gazeta meksikane “La Jornada” raportoi se përplasja fatale ndodhi kur një kamion çimentoje tentoi të parakalonte një automjet tjetër përpara se të kalonte në korsinë e kundërt dhe të godiste një autobus, më pas duke u përplasur kokë më kokë në një furgon transporti.

  • Sot takimi i presidentes Osmani me liderët e partive

    Sot takimi i presidentes Osmani me liderët e partive

    Sot në Presidencën e Kosovës pritet të zhvillohet një takim mes presidentes Vjosa Osmani dhe përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare.

    Takimi konsultativ në Presidencë është parë si një hap drejt dialogut ndërpartiak, por mbetet të shihet nëse do të prodhojë rezultate konkrete për zhbllokimin e situatës aktuale politike.

    Të gjitha partitë politike që janë ftuar për takim konsultues nga presidentja Vjosa Osmani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

    Kështu bëri të ditur këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

    “Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me Presidenten Osmani”- ka thënë Kupina.

    Takimi midis Osmanit dhe liderëve politik do të zhvillohet sot nga ora 13:00.

    E dje Osmani ka paralajmëruar se takimi me liderët e partive është vetëm fillimi i një serie takimesh dhe diskutimesh lidhur me këtë çështje.

    Ajo ka shtuar se nuk dëshiron të paragjykoj për rezultatet e këtij takimi por ka uruar që secili nga liderët do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e Kosovës.

    “Unë i falenderoj liderët e partive që i janë përgjigjur pozitivisht. Ky është vetëm fillimi i një serie takimesh ne do të vazhdojmë varësisht se si shkojnë diskutimet nesër, qoftë në atë format, qoftë në formate të ngjashme, qoftë në takime një nga një me liderët e partive. Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese sepse siç e dini neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve. Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës e rrezikon pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara. Nuk do të doja të paragjykoja tani për rezultatet por shpresoj që secili do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e vendit dhe kur ndodhë kjo rezultatet gjithmonë janë pozitive”, ka thënë Osmani gjatë konferencës për media, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

  • Mot kryesisht me diell sot

    Mot kryesisht me diell sot

    Pas natës të ftohtë, me minimale që zbresin në 2C e 5C, ditën e enjte do të mbretëroj mot më i ngrohtë dhe kryesisht me diell.

    Nga mesdita prej jugu fillojnë të depërtojnë shtresa vransirash, kryesisht të larta, që më vonë deri në mbrëmje fillojnë të dendësohen, duke u shoqëruara dhe me ndonjë rigë shiu.

    Frynë erë e lehtë dhe mesatare jugperëndimore 5-10m/s. Temperaturat maksimale shënojnë rritje deri në 22C e 24C.

    Reshje të shumta dhe më të vazhdueshme shiu përfshinë vendin që nga orët e mëngjesit të ditës së premtë. Temperaturat pësojnë rënie të theksuar deri në 9C e 10C, e gjatë mbrëmjes zbresin deri në 4C e 5C. Viseve malore priten të reshura dëbore, që mund të krijojnë një shtresë deri në 5 e 10cm. Vonë gjatë natës me kalimin në ditën e shtunë reshjet pushojnë.

    Të shtunën do të ketë dhe intervale me diell, me mundësi për ndonjë rigë shiu orëve të pasdites. Nga e diela mbetet mot jostabil. Paradite me diell, e orëve të pasdites rrebeshe e bubullima. Temperaturat shënojnë rritje deri në 18C e 20C. Minimalet zbresin deri në 4C e 5C. Të premten frynë erë më e fuqishme veriore e verilindore 6-15m/s, me hove deri në 18m/s.

  • Seanca e Kuvendit vazhdon – sot përpjekja e 16-të

    Seanca e Kuvendit vazhdon – sot përpjekja e 16-të

    Sot do të vazhdojë seanca konstituive në orën 10:30. Kështu, deputetët do ta bëjnë përpjekjen e pesëmbëdhjetë për konstituim të legjislativit.

    Të martën është zhvilluar seanca e 15-të me qëllim konstituimi, por as këtë herë nuk përfundoi me sukses.

    Kryesuesi Avni Dehari përsëriti kërkesën për subjektet politike që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por serish nuk pati propozime.

    Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

    Kryesuesi i seancës konstituive konstatoi se për kanë votuar 56 deputetë, ndërsa 1 kundër dhe asnjë abstenim.

    Ndërkohë, neni 113 i Kushtetutës së Kosovës u jep të drejtë së paku dhjetë deputetëve që brenda 8 ditëve pas marrjes së një vendimi në Kuvend, qoftë ligj, akt tjetër juridik apo procedurë, ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Kësaj gjykate i ka shkuar një kërkesë e tillë, ajo për votimin e fshehtë për kryeparlamentar duke qenë në procedurë të votimit.

    E, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të nisë më sot një seri konsultimesh me përfaqësues të subjekteve politike në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, lidhur me zhbllokimin e situatës së moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

  • NLB Bank ju bën me shtëpi në Marigona Hill apo Marigona Sun, përmes kredisë hipotekare “Comfort”

    NLB Bank ju bën me shtëpi në Marigona Hill apo Marigona Sun, përmes kredisë hipotekare “Comfort”

    NLB Banka sh.a., Marigona Sun dhe Marigona Hill kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të sjellë në tregun e Kosovës një zgjidhje financiare tërësisht të re– “Kredi Hipotekare COMFORT”, një produkt unik dhe ekskluziv i këtij lloji që lansohet për herë të parë në vendin tonë.

    Ky bashkëpunim strategjik synon të ofrojë një mënyrë të lehtësuar dhe të avancuar financimi për blerjen e shtëpive në dy prej lagjeve më të kërkuara dhe prestigjioze në afërsi të Prishtinës – Marigona Sun dhe Marigona Hill.

    “Kredi Hipotekare COMFORT” është konceptuar me kujdes për të përmbushur kërkesat tanë premium që kërkojnë cilësi të lartë jetese, stabilitet financiar dhe komoditet maksimal.

    Risitë dhe benefitet e këtij produkti vijnë përmes:

    Periudhës së Lehtësimit (Grace Period) prej 36 muajsh, gjatë së cilës kredimarrësi paguan vetëm interesin fiks preferencial.

    Fleksibilitetit, me mundësinë e pagesave të herëpashershme që ndihmojnë në zvogëlimin e borxhit kryesor të mbetur.

    ‘Comfort’ është një produkt i kategorisë premium që për herë të parë ofrohet në tregun e Kosovës, duke reflektuar risinë dhe përkushtimin e përbashkët të NLB Banka sh.a. dhe kompanive ndërtuese Marigona Sun dhe Marigona Hill për të sjellë në treg produkte që përputhen me standardet më të larta ndërkombëtare të banimit dhe financimit.

    Partneriteti i arritur përfaqëson një iniciativë kreative dhe shumë praktike, e cila është në funksion të lehtësimit të mundësive për financimin e klientëve tanë. Marrëveshja si e tillë, nga njëra anë, promovon kërkesat gjithnjë në rritje për cilësinë e ndërtimit dhe standardin e lartë që ofrojnë Marigona Hill dhe Marigona Sun, me përkushtimin e madh dhe të vazhdueshëm që ka NLB Banka sh.a. për të mbështetur klientët e saj në realizimin e ëndërrave dhe synimeve të tyre për një investim të qëndrueshëm, afatgjatë dhe sa më fitimprurës.

  • Abdixhiku takohet me Rohden, ia prezanton propozimin për Qeveri të tranzicionit

    Abdixhiku takohet me Rohden, ia prezanton propozimin për Qeveri të tranzicionit

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me Ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde.

    Ata kanë folur mbi krizën institucionale, ku Abdixhiku i ka prezantuar atij propozimin për krijimin e një Qeverie të tranzicionit.

    Sipas tij, kjo është një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për të tejkaluar ngërçin aktual dhe për të kthyer funksionalitetin e shtetit.

    “Në këtë kontekst, kryetari Abdixhiku ritheksoi qëndrimin e LDK-së se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, duke nënvizuar se një situatë e tillë cenon drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve dhe pengon rrjedhën normale të proceseve shtetërore si dhe zhvillimin institucional të vendit.

    Gjatë këtij takimi kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset integruese, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe u rikonfirmua bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të dyja vendeve dhe përkushtimi drejt avancimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi”, thuhet në raport.

  • Erdogani mbështet vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë

    Erdogani mbështet vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë

    Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka shprehur të mërkurën mirënjohjen e tij për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, pas njoftimit të tij një ditë më parë për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.

    Në një fjalim para anëtarëve të partisë së tij qeverisëse, Erdoganin ka shprehur gjithashtu besimin se Trumpi do të mbështesë përpjekjet për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza, raporton AP.

    “Shpresojmë se së shpejti do të marrim një lajm të mirë për Gazën që do të sjellë lehtësim në zemrat tona”, ka thënë Erdogan, i cili mëngjesin e së mërkurës ka marrë pjesë nga distanca në një takim në Arabinë Saudite midis Trumpit, Princit të Kurorës saudit Mohammed bin Salman dhe presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa.

    Gjatë fjalimit të tij, Erdogani ka përshëndetur edhe një herë një vendim të grupit militant kurd PKK për të shpërbërë veten dhe për t’i dhënë fund një lufte të armatosur të gjatë dekadash.

    Erdogani ka thënë megjithatë se vendimi duhet të zbatohet gjithashtu për grupet e lidhura me PKK-në në Siri dhe Evropë.

  • Komandanti i KFOR-it mbledh ambasadorët e vendeve kontribuuese, flasin për situatën e sigurisë pas zgjedhjeve

    Komandanti i KFOR-it mbledh ambasadorët e vendeve kontribuuese, flasin për situatën e sigurisë pas zgjedhjeve

    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në një takim ambasadorët e të gjitha vendeve kontribuuese të trupave, në shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë.

    KFOR në njoftim tha se diskutimi në këtë takim mbuloi “një gamë të gjerë temash”, duke përfshirë trendet e sigurisë në të gjithë rajonin, situatën në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare në shkurt, takimin e fundit të komandantit të KFOR-it me Përfaqësuesin Special të BE-së, Peter Sorensen, dhe aktivitetet dhe bashkëpunimin e KFOR-it me komunitetin ndërkombëtar.

    “Të gjithë pjesëmarrësit përsëritën rolin kryesor të luajtur nga KFOR-i në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe rëndësinë e unitetit të përpjekjeve drejt sigurisë së qëndrueshme për të mirën e të gjitha komuniteteve”, tha KFOR në njoftim.

    KFOR-i përsëriti se vazhdon të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.