ATV

Author: ATVLive

  • Pamje brenda takimit të krerëve të partive politike me Osmanin

    Pamje brenda takimit të krerëve të partive politike me Osmanin

    Ka nisur takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike, Memli Krasniqin PDK, Lumir Abdixhikun LDK, Ramush Haradinajn AAK dhe Albin Kurtin VV.

    Tashmë janë publikuar edhe pamjet ekskluzive brenda këtij takimi i cili ka nisur nga ora 13:00.

    Brenda presidencës pritet të diskutohet mbi ngërçin politik i cili ka mbërthyer Kosovën tash e disa javë pasi seancat konstituive kanë dështuar 16 herë me radhë.

  • Arrestohet ish-komandanti serb i policisë, dyshohet për krime lufte në Zveçan

    Arrestohet ish-komandanti serb i policisë, dyshohet për krime lufte në Zveçan

    Prokuroria Speciale, bënë të ditur se është arrestuar M.D, i nacionalitetit serb, nën dyshimet për krime lufte në komunën Zveçanit, raporton KP.

    Sipas Prokurorisë, M.D është arrestuar me urdhër të prokurores speciale Florije Salihu- Shamolli, pas hetimore disa mujore në bashkëpunim me Hetuesit e Krimeve të Luftës.

    “Sipas hetimeve M. D, dyshohet se në cilësinë e komandantit të Njësisë së Policisë në këtë rajon, në kuadër te MUP-it, gatë viteve 1998/1999 ka marrë pjesë në vrasje, dëbim, plaçkitje, torturë, e rrahje të civilëve shqiptarë”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se, dyshohet se gjatë prillit të 1999-ës, i pandehuri M.D, së bashku me forcat serbe të organizuara në formacione të strukturuara, përfshirë Ushtrinë Jugosllave dhe Policinë Serbe, mori pjesë në operacionin në fshatin Zhazhë, ku kishin mbetur të vrarë shtatë civilë.

    “Trupat e civilëve shqiptarë u gjetën pas përfundimit të luftës në varrezat e fshatit Suhodoll, në komunën e Mitrovicës”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria Speciale, bënë të ditur se brenda afatit ligjor, sipas Kodit te Procedurës Penale, Prokuroria Speciale do të paraqes në Gjykatën Themelore te Prishtinës, Departamenti Special kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

  • Krasniqi: Sot 55 vota i ka marrë Kurti, jo komisioni

    Krasniqi: Sot 55 vota i ka marrë Kurti, jo komisioni

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në takimin me presidenten Vjosa Osmani, zgjidhja do të varet nga kryetarët dhe qëndrimet e partive të tjera të thirrura, raporton EO.

    Ai theksoi se PDK-ja ka qëndrim të qartë, Vetëvendosje duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

    Sipas tij, votat e sotme nuk kanë qenë për komisionin ad-hoc për votim të fshehtë, por për Kurtin.

    “Kjo është e pashembullt dhe nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Sot kemi një takim me presidenten dhe është i mirëpritur nga ana jonë. Gjithçka varet nga pjesëmarrja e kryetarëve të tjerë dhe nga qëndrimet e tyre. Varet edhe nga diskutimet”.

    “Qëndrimi i PDK-së do të jetë i njëjtë me atë që kemi shprehur shumë herë më parë – ne dëshirojmë të shkojmë përpara drejt një zgjidhjeje, që përfshin ndërrimin e kandidatit të VV-së, në mënyrë që ai të mund të marrë shumicën”.

    “Sot, 55 vota i ka marrë Kurti, jo komisioni. Kaq vota ka Kurti, nuk merr vota nga ne,” tha ai.

  • Kërkohet vazhdimi i paraburgimit për Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Kërkohet vazhdimi i paraburgimit për Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për ish-Presidentin Hashim Thaçi në çështjen ku akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

    Kërkesa u parashtrua më 14 maj 2025, ku thuhet se më herët gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar që Thaçi ka kryer krime që bien në jurisdiksionin e DhSK-së dhe që ekziston rreziku i arratisjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Veç kësaj, thuhet se është konstatuar se ka baza të argumentueshme për të besuar se ai mund të pengojë procesin dhe të kryejë vepra penale të tjera.

    Po ashtu, Prokuroria ka thënë se është vërtetuar se asnjë kusht lirimi nuk mund të zbusë rreziqet që dalin në këtë proces.

    Si rrjedhojë, në kërkesën e saj për vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit, Prokuroria thotë se asgjë nuk ka ndryshuar që nga vendimi i fundit lidhur me kërkesa të tillë.

    Prokuroria thotë se vazhdimi i paraburgimit për Thaçin mbetet i domosdoshëm dhe proporocional.

    Ata thonë se aftësia e Thaçit për të ikur, penguar procesin si dhe të kryejë krime të tjera mund të menaxhohet në mënyrë efektive vetëm në qendrën e paraburgimit të DhSK-së.

    “Garancitë që THAÇI mund të japë nuk janë të mjaftueshme për të garantuar përmbushjen e kushteve apo për të kapërcyer rreziqet konkrete që lidhen me lirimin e tij. Vlerësimi më i fundit i gjyqtares së procedurës paraprake, se rreziqet sipas nenit 41(6)(b) nuk mund të zbuten në mënyrë adekuate me ndonjë kusht, vërtetohet nga rrethanat aktuale. Për më tepër, kur plotësohen kushtet e nenit 41(6)(b) dhe nuk ka masa më të lehta se ndalimi, personi duhet të vazhdojë të mbahet në paraburgim”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

    Sipas Prokurorisë, Thaçi akuzohet për disa pika dhe nëse dënohet mund të përballet me një dënim të gjatë si dhe hapat e mbetur hetimor janë duke përparuar në mënyrë efikase. Andaj, vazhdimi i paraburgimit ndaj tij, sipas Prokurorisë, mbetet i arsyeshëm.

    “Së fundi, dhe përmes procesit të vazhdueshëm të zbulimit, THAÇI vazhdon të fitojë një pasqyrë gjithnjë e më të qartë mbi provat kundër tij. Në këtë kontekst, ndalimi i vazhdueshëm i THAÇIT mbetet i arsyeshëm dhe proporcional”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.

    Vlen të theksohet se Thaçi është ankuar për mangësi në aktakuzën e tij në këtë rast dhe veç kësaj ai ka kërkuar veçimin e procedurës ndaj tij deri sa të përfundon rasti ku ai akuzohet për krime lufte.

    Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe së fundi iu është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Pas ankesës së Prokurorisë kunder vendimit për konfirmimin e aktakuzës, atij iu është shtuar edhe një formë e përgjegjësisë për ‘nxitje’ për kryerjen e veprës penale të pëngimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Lidhur me këtë, Thaci është deklaruar i pafajshëm.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 16-të

    Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 16-të

    Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet edhe pas një muaji. Legjislatura e nëntë nuk u konstituua as në përpjekjen e 16-të. Lëvizja Vetëvendosje sërish tentoi të formojë Komisionin për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, por nuk u përkrah nga partitë tjera politike.

    Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 17 maj në orën 10:30.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë, por kësaj thirrje nuk iu përgjigjen pozitivisht partitë e tjera.

    Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan 55 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim.

    “55 deputetë kanë votuar për, një ka qenë kundër, abstenime nuk ka. Shihemi me datën 17, në orën 10:30”, deklaroi ai.

    Në sallë kanë qenë të pranishëm 111 deputetë.

    Sot janë bërë një muaj prej kur ka nisur seanca për konstituimin e kuvendit, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare. Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar në takim konsultues të gjitha partitë politike nga ora 13:00.

  • Seanca nis ndryshe sot, deputetët me nga një dokument përpara

    Seanca nis ndryshe sot, deputetët me nga një dokument përpara

    Për pak pritet të nis edhe vazhdimi i radhës i seancës për konstitumin e Kuvendit, raporton EO.

    Megjithatë, e njëjta pritet të nis me një ‘risi’, pasi që para deputetëve të rinj është vendosur një dokument.

    Dokumenti dorëzuar deputetëve raportohet të ketë të bëj me dokumentin që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e komisionit për votim të fshehtë.

  • ​Zemaj: LVV e ka krijuar situatën, askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta

    ​Zemaj: LVV e ka krijuar situatën, askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se kjo situatë e ngërçit politik është krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe sipas tij, askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me këtë parti.

    Para fillimit të seancës konstituive, e cila është përpjekje e gjashtëmbëdhjetë për konstituim, Zemaj tha se pa marrëveshje politike nuk ka formim të institucioneve.

    “Është me rëndësi që të potencohet se pa marrëveshje politike nuk ka zgjedhje as të kryetarit të Kuvendit dhe as të Qeverisë së re të Kosovës. Roli i presidentes, ju e dini është rol i cili i takon edhe me kushtetutë edhe me ligj që të bëjë konsultime të ndryshme për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Qëndrimi i LDK-së është i qartë edhe tek presidentja edhe në seancën plenare. Ne e kemi ofruar një zgjidhje, e cila mendojmë që është e domosdoshme edhe pse kalimtare për të kaluar ngërçin politik për të ju ofruar institucione Republikës së Kosovës, në kuptimin e gjithë këtyre procedurave. Tashmë ju e dini që ka një tentativë edhe të kapjes së institucionit të kuvendit. Dhe kjo është e dëmshme edhe për vet zhvillimet çfarë janë ato në Kosovë”, deklaroi Zemaj.

    Ai theksoi se kjo situatë është krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe që “askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta”.

    “LDK nuk është në atë situatë ku ta quaj një zgjidhje kompromis, ne kemi ofruar zgjidhje që është në interes të qytetarëve të Kosovës por edhe të krijimit të institucioneve të reja. Po të ishte për kompromis, atëherë ne do të flisnim për pozita subjektive dhe atëherë mund të vinim në konkluzion që kjo është punë e vetëm një subjekti politik. Zgjedhjet e fundit e kanë dhënë këtë rezultat, ndërsa situatën e ka krijuar LVV që siç duket askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta”, shtoi ai. /kp

  • ​Starmer sot në Tiranë, vizita e parë zyrtare e një kryeministri britanik

    ​Starmer sot në Tiranë, vizita e parë zyrtare e një kryeministri britanik

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer po viziton sot Shqipërinë. Kjo është hera e parë që një kryeministër britanik vjen në Shqipëri në një vizitë zyrtare.

    Starmer dhe delegacioni që e shoqëron do të takohen fillimisht me presidentin Bajram Begaj në orën 10:30, shkruan rtsh, transmeton KosovaPress.

    Pas takimit me kreun e shtetit shqiptar, Steimer do të pritet nga kreu i qeverisë, Edi Rama, ndërsa së bashku do të dalin në konferencë për media në orën 12:40.

    Vizita e Keir Starmer i paraprin edhe Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet nesër në Tiranë, më 16 maj.

    Sot liderët evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor pritet të vijnë në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Shtëpinë e Evropës të zhvendosur në Sheshin “Skënderbej”.

  • ​Murati: Shpresojmë që sot do të konstituohet Kuvendi

    ​Murati: Shpresojmë që sot do të konstituohet Kuvendi

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se shpreson që sot do të ketë reflektim të partitive politike dhe të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

    Para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive, Murati u pyet se a ka pasur diskutime gjatë 48 orëve, për çka ai tha se “tentativat kanë qenë publike dhe transparente”.

    “Ju i keni parë të gjitha tentativat tona, kanë qenë edhe publike dhe transparente. Janë bërë edhe në media janë paraqit, që ne kemi tentuar që të gjejmë forma dhe mënyra të bashkëpunimit. Kemi ftuar partitë politike për të diskutuar për konstituim të kuvendit, jo vetëm pozitën e kryetarit por edhe të nënkryetarëve, sepse edhe ato duhet të votohen me 61 vota. Kemi parë që nuk ka fort mirëkuptim, sepse ka parti që ose insistojnë në ndryshim të kandidatëve, por jo duke dhënë ndonjë informatë ose arsye konkrete se pse duhet të bëhet kjo. Apo kemi parë raste siç është LDK, apo partitë tjera që refuzojnë fare të marrin pjesë në takime, qoftë në votime. Shpresojmë që sot do të ketë reflektim në mënyrë që të ecet tutje dhe të konstituohet kuvendi”, u shpreh ai.

    Sot janë bërë një muaj prej kur kanë nisur përpjekjet për konstituim të kuvendit, ku 15 herë ka dështuar që të konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës /KP

  • Berisha: Nuk kam shpresë që do të zgjidhet ngërçi nga takimi me Osmanin

    Berisha: Nuk kam shpresë që do të zgjidhet ngërçi nga takimi me Osmanin

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha nuk shpreson se do zgjidhet ngërçi politik nga takimi me presidenten, Vjosa Osmani. Ai tha se si parti kanë dhënë mjaftueshëm propozime, por që askush nuk i ka marrë parasysh, raporon KP.

    Para fillimit të seancës konstituive, Berisha u shpreh se partitë politike janë deklaruar para takimit të sotëm me presidenten Vjosa Osmani.

    “Në fakt duhet të konsumohen edhe këto dy veprime, do të thotë ftesa nga presidentja, po ashtu edhe një pyetje që ja kemi bërë Gjykatës Kushtetuese. Le të konsumohen edhe këto dyja, nuk kam ndonjë shpresë që do të zgjidhet diçka tek presidentja, sepse partitë politike veç janë deklaruar para këtij takimi… Kemi dhënë propozime boll por si ka marrë kush parasysh”, deklaroi Berisha.

    Sot, në orën 10:30 është paraparë vazhdimi i seancës konstituive, ku edhe një herë do të tentohet për konstituim të legjislativit. Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani mban takime me parti politike sot prej orës 13:00 dhe 15:00.