ATV

Author: ATVLive

  • Ramush Haradinaj nis të dielën me vrap në Gërmi

    Ramush Haradinaj nis të dielën me vrap në Gërmi

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tregohet aktiv për jetën e tij private.

    Këtë të diel, ai bëri të ditur se mëngjesin e ka nisur me vrap në Parkun e Gërmisë.

    Ai ndau edhe disa foto nga ky aktivitet i tij, gjë që e bën shpesh.

    “E diela në Gërmi”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

  • Trump thotë se do të telefonojë Putinin për të diskutuar ndalimin e luftës në Ukrainë

    Trump thotë se do të telefonojë Putinin për të diskutuar ndalimin e luftës në Ukrainë

    Donald Trump tha se do të flasë në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin të hënën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke thënë se telefonata do të jetë për “ndalimin e ‘gjakderdhjes’”.

    Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan tha se pas telefonatës ai do të flas me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit e disa vendeve të NATO-s.

    Rusia dhe Ukraina nuk arritën asnjë përparim kur zhvilluan bisedimet e tyre të para ballë për ballë në tre vjet në Stamboll të premten, megjithëse u ra dakord për një shkëmbim të burgosurish, shkruan BBC.

    Trump ishte ofruar të merrte pjesë në bisedimet në Turqi nëse edhe Putini do të ishte atje, por presidenti rus refuzoi të shkonte.

    Komentet e Trump vijnë pasi ai sugjeroi se përparimi në përfundimin e luftës do të ndodhte vetëm nëse ai dhe Putini do të zhvillonin bisedime ballë për ballë.

  • Burri e sulmon fizikisht gruan në Gjakovë, shkak xhelozia

    Burri e sulmon fizikisht gruan në Gjakovë, shkak xhelozia

    Një burrë e ka sulmuar fizikisht gruan e tij në Gjakovë.

    Sipas Policisë arsyeja është xhelozia.

    I dyshuari gjendet në arrati.

    “DHUNË NË FAMILJE- Gjakovë / 17.05.2025 – 19:00. Dyshohet se viktima f/k, se për arsye xhelozie ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari m/k. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar.”

  • Vetëm për një muaj u shkurorëzuan 141 çifte bashkëshortore, sprova të rënda edhe pas këtij hapi

    Vetëm për një muaj u shkurorëzuan 141 çifte bashkëshortore, sprova të rënda edhe pas këtij hapi

    141 çifte bashkëshortore në Kosovë i dhanë fund martesës në muajin shkurt 2025. Kjo e dhënë e publikuar nga Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC) risolli në vëmendje dukurinë në rritje të divorcit.

    Avokati, Ardian Bajraktari, në intervistë për Ekonomia Online, duke shpalosur përvoja profesionale në punën e tij të përditshme në drejtësi, vë në dukje një shtim të ndjeshëm të rasteve të shkurorëzimeve vitet e fundit.

    “Janë faktorë të ndryshëm që çojnë në shkurorëzime të çifteve bashkëshortore si tradhtia bashkëshortore, krizat ekonomike, tensionet sociale e shkaqe të tjera”, tha Bajraktari.

    Ai duke u ndalur në procesin e shkurorëzimit thekson se është dukshëm më i lehtë, kur palët kanë marrëveshje të ndërsjellë.

    “Natyrisht që edhe Ligji i Familjes e parashikon në dy mënyra: në rast se ka vullnet të dyanshëm dhe në rast se jo, shkon me padi. Proceset me marrëveshje të dyanshme janë më të lehta. Në jo pak raste, në praktikë ndodh që çështja e pasurisë të bartet tek anëtarët e tjerë të familjes. Është e domosdoshme që gratë të kujdesen për mirëqenien e tyre dhe ta regjistrojnë pasurinë e përbashkët”, tha ai.

    Avokati Bajraktari vuri në pah se ndarja e çifteve bashkëshortore sfidohet kur përfshihen çështje si ndarja e pasurisë apo kujdestaria e fëmijëve.

    “Varësisht prej rasteve, aty ku ka marrëveshje të dyanshme, natyrisht procesi i shkurorëzimit shkon më shpejt. Çështja komplikohet kur kemi fëmijë në mes, sepse vazhdon me procesin e kontaktit, të besimit dhe të rritjes së fëmijëve. Vlen të theksohet edhe ndarja e pasurisë, e cila është sfiduese dhe mund të paraqes vështirësi. Varësisht prej rrethanave të rastit konkret, kur kemi të bëjmë me marrëveshje, si rregull procesi i shkurorëzimit shkon shumë më shpejt. Por kur kemi ndarje të pasurisë apo fëmijë në mes, natyrisht që procesi mund të zgjasë”, tha ai.

    Avokati Bajraktari shtoi se pasuria e krijuar prej momentit të lidhjes së martesës ndahet në pjesë të barabarta.

    “Çdo pasuri e krijuar prej momentit të lidhjes së martesës ndahet në pjesë të barabarta, përveç nëse bashkëshortët merren vesh ndryshe. Në praktikë, akoma është sfiduese, sepse një pjesë bukur e madhe nuk kanë pasuri në emër të tyre, prandaj në praktikë kemi vështirësi në konstatimin e pasurisë,” tha për EO, Bajraktari.

  • Vdes në QKUK gruaja që u lëndua në një aksident trafiku në Kllokot muajin e kaluar

    Vdes në QKUK gruaja që u lëndua në një aksident trafiku në Kllokot muajin e kaluar

    Ka vdekur një grua që ishte përfshirë në një aksident më 12 prill të këtij viti, njofton Policia.

    Ajo ka vdekur dje në QKUK.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET- Kllokot /12.04.2025 – 14:30. Ka ndodhur aksident trafiku në mes dy veturave civile. Si pasojë, lëndime kanë pësuar dy vozitësit meshkuj kosovarë dhe një pasagjere femër kosovare. Pas tretmanit mjekësor njëri nga vozitësit është liruar, ndërsa vozitësi tjetër dhe pasagjerja janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm. Më 17.05.2025 nga QKUK është raportuar se pasagjerja ka vdekur. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

  • Raportuesi për Kosovën në PE: S’është mirë ka shtete mosnjohëse pas 25 vjetësh

    Raportuesi për Kosovën në PE: S’është mirë ka shtete mosnjohëse pas 25 vjetësh

    Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras ka thënë se nuk mendon që është gjëja e duhur që edhe pas 25 vjetësh ka ende vende të cilat nuk e njohin Kosovën.

    Derisa shtoi se është duke e konsideruar mundësinë që të nis dialogun me këto vende dhe të gjej mënyra se si këto vende ta njohin Kosovën.

    “Kjo është diçka tjetër për të cilën mendoj se Komisioni dhe Kaja Kallas duhet të punojnë. Nga ana jonë, ne jemi duke e konsideruar mundësinë, bashkë me kolegun tim që raporton për Serbinë(Tonino Picula), ndoshta edhe me ca të tjerë, që duhet të nisim dialogun me këto vende dhe poashtu të gjejmë mënyra se si këto vende mos-njohëse të nisin procesin për ta njohur Kosovën si shtet”, ka thënë ai për Klan Kosova.

    Ndër tjerash, Terras ka deklaruar se sipas tij ngërçi në Kuvend është shenjë e mirë e demokracisë, duke i dhënë edhe një këshillë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    “Por këshilla ime për kryeministrin Kurti dhe të gjitha palët është se procesi kryesor politik tani janë negociatat dhe kompromiset. Demokracia është art kompromisesh. Për të arritur qëllimet afatgjata tuajat politike, anëtarësimin në BE, duhet të bëni kompromise ndërmjet palëve politike, kjo është diçka nëpër të cilën Estonia ka kaluar për 30 vjet, andaj këshilla ime është qetësi, gjeni kompromise dhe vazhdoni përpara drejt Bashkimit Evropian, aty ku populli i Kosovës dëshiron të jetë. Po e përkrahi Kosovën sepse raportoj për Kosovën”, ka deklaruar Terras.

  • Kutllovci: Nga stresi te depresioni – si ndikon ankthi në shëndetin mendor

    Kutllovci: Nga stresi te depresioni – si ndikon ankthi në shëndetin mendor

    Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, ka theksuar se stresi dhe ankthi po paraqiten gjithnjë e më shpesh si probleme serioze shëndetësore tek qytetarët.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Kutllovci ka deklaruar se ankthi shpesh maskohet me simptoma fizike si tharje e gojës, djersitje të duarve, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke dhe pagjumësi.

    “Me stresin ne ballafaqohemi gjatë periudhës kur është prezent stresori, shkaktari i cili e shkakton, dhe gjithsesi mund të marrë karakterin kronik, meqenëse vazhdimisht ballafaqohemi me situata të tilla. Në situatat kur personat ballafaqohen me frikën nga e ardhmja – çka nëse vdes, sëmurem, dështoj në realizimin e një synimi të caktuar – atëherë flasim për ankthin. Ankthi është një frikë që dallon nga frika normale: frikohesh dhe nuk e di nga çka frikohesh. Personat e manifestojnë kryesisht me simptoma fizike; ata, shumicën e herëve, shkojnë nëpër klinika, por realisht këto janë simptoma të ankthit”, ka thënë Kutllovci.

    Ai shpjegon se ankthi lind nga frika për të ardhmen dhe ndjenja e pasigurisë, dhe nëse stresi vazhdon për një kohë të gjatë, mund të çojë në ulje të vullnetit dhe disponimit.

    “Pacientët më thonë: ‘Jam mirë, por papritur vjen një siklet, më thahet goja, më djersiten duart, ndjej rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke, këputje te gjunjët, më vjen të qaj pa arsye dhe nuk fle dot’. Të gjitha këto janë simptoma përcjellëse të ankthit, sepse njeriu ballafaqohet me një ndjenjë zbrazëtie dhe shqetësimi të madh, si rezultat i përpjekjes së pavetëdijshme të organizmit për ta zgjidhur konfliktin intrapsikik, i cili më pas shoqërohet me simptoma trupore”, theksoi ai.

    Kjo gjendje, në raste të caktuara, mund të shndërrohet në çrregullim të ankthit me simptoma depresive.

    “Ballafaqimi i vazhdueshëm me stresin mund të çojë në rënie të disponimit dhe vullnetit, dhe mund të jetë njëri prej shkaktarëve të disponimit të ulët, por jo domosdo zhvillon depresionin. Ajo që ne e shohim është se kur njeriu ndodhet në situata të përjetimit të stresit, futet në një rreth vicioz: përjeton ankth, ankthi shkakton lodhje, lodhja sjell pagjumësi, pagjumësia ndikon në mendime, dhe mendimet e rrisin ankthin. Si rezultat i përjetimit të vazhdueshëm, fillojnë të zhvillohen simptoma të reja si tërheqja në vetvete, rënia e vullnetit dhe humbja e interesimit për gjërat që më parë i ka dashur – çka përbën një çrregullim ankthi të shoqëruar me depresion”, shtoi doktori.

  • Austria fiton Eurovisionin, Shqipëria përfundon në top dhjetë

    Austria fiton Eurovisionin, Shqipëria përfundon në top dhjetë

    Austria me këngëtarin JJ dhe këngën “Wasted Love” ka fituar Eurovisionin derisa Shqipëria ka mbyllur edicionin e sivjetmë në topdhjetëshe.

    Shqipëria përfundoi në pozitën e tetë me 218 pikë, vota më të shumta pati nga publiku sesa nga vlerësimi i jurive kombëtare. Kënga “Zjerm” e Shkodrës Elektronike u pëlqye nga publiku, por nuk mori votat e mjaftueshme edhe nga shtetet që edhe këtë edicion votuan kryesisht politikisht.

    Kështu, Rona Nishliu mbetet si më e suksesshmja pasi u pozicionua në pozitën e pestë gjatë vitit 2012.

    Në finalen mes Austrisë dhe Izraelit, JJ mori pikët e mjaftueshme për ta tejkaluar Izraelin që kryesonte deri në fund.

    Kjo është hera e tretë që Austria fiton Eurovisionin.

  • Sot mot më i ngrohtë në Kosovë

    Sot mot më i ngrohtë në Kosovë

    Sot në Kosovë pritet të kemi mot pak më të ngrohtë dhe me më shumë rreze diellore, por priten edhe vranësira lokale dhe rrallë në disa vise parashihet ndonjë rrebesh lokal shiu orëve të pasdites. Temperatura minimale nga 2 deri në 5 ndërsa maksimale pritet të arrijë deri në 20 apo 21 gradë Celsius.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell, por edhe me vranësira të pakta lokale. Temperaturat do të shënojnë rritje të lehta.

    Të hënën pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të cilat orëve të pasdites do të zhvillohen duke kushtëzuar rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Rrebeshe shiu priten edhe në bregdetin shqiptar në veri. Në përgjithësi zhvillimet do të jenë të karakterit lokal.

    Nga e marta më ngrohtë dhe më shumë diell, megjithatë nganjëherë do të ketë zhvillime të stuhive lokale me vetëtima dhe bubullimë./MeteoBallkan

  • Kultura e munguar e leximit ndër nxënës për alarm, kërkohen hapa urgjentë që leximi të jetë prioritet

    Kultura e munguar e leximit ndër nxënës për alarm, kërkohen hapa urgjentë që leximi të jetë prioritet

    Në shkollat fillore 53, 8 për qind e nxënësve nuk arrijnë t`i përmendin tre tituj librash të lexuar, ndërsa 12,1 për qind nuk arrijnë ta përmendin asnjë titull libri, nxori në pah raporti hulumtues “Shqyrtimi kritik i lektyrave shkollore”, i publikuar muajin që shkoi nga Organizata ETEA.

    Raporti riaktualizoi kulturën e munguar të leximit ndër nxënës kosovarë.

    Kjo gjendje po cilësohet si një krizë që po thellohet nga viti në vit, duke kërcënuar cilësinë e të nxënit dhe zhvillimin e përgjithshëm të brezave të rinj.

    Njohësit e arsimit tërheqin vërejtjen se kultura e leximit në shkolla po zbehet gjithnjë e më shumë, ndërsa institucionet nuk po marrin përgjegjësinë për të ndryshuar këtë gjendje.

    Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha për Ekonomia Online se rënia e leximit është e njohur për këdo që është pjesë e sistemit arsimor parauniversitar.

    “Është një mungesë shumë e theksuar e të lexuarit brenda sistemit tonë arsimor e që është kthyer në një praktikë jo të mirë që është duke u përshkallëzuar si problem nga viti në vit. Shumë e më shumë gjenerata që po vijnë aq e më pak po i ekspozohen të lexuarit”, tha ai.

    Ai thekson se ndryshe nga çfarë parashikon kurrikula, të lexuarit nuk është i integruar si duhet në procesin e mësimdhënies, duke fajësuar institucionet dhe jo nxënësit për këtë situatë.

    “Të lexuarit nuk e ka atë prezencën qysh e promovon kurrikula, qysh do të duhej të kishte prezencë në mësimdhënie dhe në mësimnxënie dhe këtë jo me faj të nxënësve, por ekskluzivisht me faj të institucioneve. Unë rikujtoj që të pakta janë ato shkolla që kanë një bibliotekë të kompletuar me tirazhe, tituj të duhur dhe të përshtatshëm për fëmijë, ndërsa të paktë janë ata mësimdhënës që promovojnë të lexuarit tek fëmijët”, tha ai.

    Sipas Qehajës, rikthimi i leximit në shkolla duhet të jetë prioritet absolut dhe pjesë e secilit institucion arsimor pa përjashtim.

    “Ajo çka ne e shohim me shumë rëndësi është që mbi të gjitha ta rikthejmë në mendësinë e fëmijëve dhe nxënësve si dhe brenda institucioneve tona të lexuarit si një rutinë të përditshme. Të promovojmë dhe të nxisim të lexuarit brenda shkollave. Pra, të lexuarit nuk guxojmë ta lëmë në mëshirë të një mësimdhënësi të vullnetshëm që prezanton tituj të rinj për të lexuar, por duhet të jetë të lexuarit si një praktikë e domosdoshme, si një rezultat i të nxënit që duhet të prezantohet në çdo institucion arsimor pa përjashtim”, tha ai.

    Njohësi tjetër i arsimit, Argjend Osmani, tha për Ekonomia Online, se rënia e kulturës së leximit është një rrezik për vetë zhvillimin shoqëror të vendit.

    “Pa dyshim që të dhënat të tilla janë shumë shqetësuese për një shoqëri që pretendon një kulturë dhe një zhvillim, andaj edhe duhet marrë masa urgjente që të përmirësohet cilësia në arsim. Fatkeqësisht, kultura e leximit është duke rënë për çdo ditë e më tepër dhe si rezultat i kësaj, interesimi që të rinjtë shfaqin faktikisht është duke shkuar fatkeqësisht nga zeroja”, tha ai.

    Osmani apelon për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të institucioneve qendrore në mënyrë që arsimi të trajtohet si prioritet kombëtar.

    “Duhet punuar shumë dhe natyrisht që puna më e madhe që bie të bëhet është nga vetë institucionet qendrore. Ne shpresojmë që të kemi një qasje më pozitive ndaj arsimit, në mënyrë që gradualisht të fillohet me një ngritje dhe të punohet në mënyrë të mençur që zhvillimi i arsimit të jetë një prioritet kombëtar”, tha ai.