ATV

Author: ATVLive

  • Plani i rritjes: Kosova synon investime në asfalt dhe në hekurudha

    Plani i rritjes: Kosova synon investime në asfalt dhe në hekurudha

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në ndërtimin e rrugëve, autostradave dhe hekurudhave është përqendruar lista indikative e aplikacioneve të Kosovës në kuadër të Agjendës së Reformave për Planin e Rritjes.

    Shumica e listës përbëhet nga projekte infrastrukturore ekzistuese, për jetësimin e të cilave Kosova synon të përfitojë grante nga Bashkimi Evropian ose kredi të leverdishme.

    Rehabilitimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore 10, nga kufiri me Serbinë në komunën e Leposaviqit e deri në Fushë-Kosovë, dhe tutje deri në Hanin e Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, është në krye të projekteve të synuara – por ndërtimi nuk pritet të nisë para vitit 2025.

    Lista përfshin edhe pesë projekte të tjera për ndërtim, rehabilitim ose modernizim të linjave hekurudhore – dhe, për shumicën prej tyre afati i synuar i nisjes së punëve është viti 2028.

    Hekurudha Fushë-Kosovë – Klinë – Pejë, pastaj ajo Klinë – Prizren, tjetra Ferizaj – Gjilan deri në kufi me Serbinë, si dhe segmenti i ri Kramovik – Gjakovë, janë pjesë e aplikacionit.

    Në të është përfshirë edhe hekurudha nga Aeroporti i Prishtinës deri në Fushë Kosovë – te lokacioni i supozuar i Portit të Thatë të Prishtinës – ndërtimi i të cilit synohet të nisë më 2027 me ndihmën financiare të BE-së, me synim lidhjen me Portin e Durrësit.

    Ndërtimi i autostradës Duhël – Shtime – Lipjan, po ashtu është pjesë e aplikacionit të Kosovës – me synim të shënuar për nisjen e punëve: vitin e ardhshëm. Projekt tjetër në listë është rruga nga Prizreni në drejtim të Tetovës.

    Edhe pse pjesë e projekteve për të cilat kërkohet ndihmë financiare, ndërtimi i anashkalimit të Prishtinës – si tip unaze – sipas dokumentit, synohet të nisë tek më 2028.

    Zgjerimi i rrugës rajonale Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren është po ashtu pjesë e agjendës së reformave, në kuadër të instrumentit të rritjes ekonomike.

    Ndërkaq, ndërtimi i stacioneve të digjitalizuara dhe strehimoreve të autobusëve përmendet si projekt i ri – por i cili po ashtu nuk pritet të nisë menjëherë.

    Derisa tabela nuk qartëson krejtësisht burimet e financimit, kostoja e përgjithshme e projekteve infrastrukturore që synohet të përfundohen deri më 2030, tejkalon shifrën 2.4 miliardë euro.

    Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro nga Plani i Rritjes për projekte, të cilat do të zbatohen nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

    Paraprakisht, për të përfituar, Kosova si parakusht ka angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Pse duhet të kërkojë falje Përparim Rama

    Pse duhet të kërkojë falje Përparim Rama

    Dje dhe sot sërish u pa që mediat në Kosovë rrejnë, sidomos kur është puna te Përparim Rama. Expressi fillimisht ka rrejtë në titull që ai I ka preferuar qytetarëve të lexojnë libra në vetura, dhe më pas këtë rrenë të Expressit e kanë kopju edhe dhjetëra portale tjera.

    Për më tepër Expressi në artikullin ku i përmend librat në titull, e vendos edhe videon e Përparim Ramës ku librat nuk përmenden.

    Meqë kurrqysh s’mund të besoja se një Kryetar komune në Kosovë, rekomandon leximin e librave, vendosa ta dëgjoj materialin dhe e pashë që s’ka Kryetar në Kosovë që rekomandon leximin.

    E di çka po mendoni, pse po merrem me Expressin dhe do portale që ia kanë futë kot një titulli, e kanë rrejtë pak në citate, sepse Expressi titujve ia futë kot shpesh ndër vite e breza! Pse s’po merrem me rekomandimet e Përparim Ramës.

    Kryetari i Prishtinës s’bën thirrje për me lexu libra, por për më shkelë ligjin – për përdorim të telefonit gjatë kohës sa njerëzit janë në vetura.

    Në një qytet ku ndodhin aksidente vazhdimisht, në një shtet që e ka shkallën e aksidenteve në trafik me fatalitet shumë më të lartë se BE-ja, Kryetar i kryeqytetit iu thotë qytetarëve që kur mbesin në kolona të flasin me n telefon me njerëz që nuk kanë folë moti!

    Mediat ia huqin edhe atë shpesh, ama zor që kishe gjetë gazetar ose redaktor që kish bërë thirrje që derisa jeni duke vozitë, flisni me njerëz që nuk i keni parë moti.

    Jo! Për një këso huqje, ose Kryetari është kah na e luan krejtve që jetojmë ose qarkullojmë në Prishtinë, ose njeri veç ia ka huqë një deklarimi dhe ka folë palidhje. Mirëpo, Prishtina i ka do precedentë interesante politike. Për këtë arsye nuk bën që dikush me folë palidhje, mos me kry punë dhe me kalu pavërejtshëm.

    Tash, edhe Kryetari paraprak i Prishtinës ka qenë spekulant dhe impotent politikisht, kështu që në këtë drejtim s’ është që kanë ndryshuar gjërat drastikisht.

    Edhe më herët kemi pasë raste kur Kryetari i Prishtinës ka qenë nga një parti që ka qenë opozitë e pushtetit qendror, edhe atëherë kemi pasë arsyetime që Qeveria po e bllokon Prishtinën, edhe më herët Prishtina ka qenë trampolinë prej nga politikanë kanë kërcyer në pushtetin qendror.

    Shpend Ahmeti mund të jetë tërhequr nga politika si i dështuar, por drejtorët e tij, Liburn Aliu, Xhelal Svecla, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Hysen Durmishi, edhe pse kanë qenë pjesë e një pushteti dështak komunal, secili sot kanë më shumë pushtet se tjetri.

    LDK-ja është tregim në vete – një Kryetar i Prishtinës dhe më pas një nënkryetar i tij, të dytë kanë qenë Kryeministra të vendit.

    Pra, jemi kah flasim për dikë që ka shumë pushtet, shumë buxhet, drejtorë e këshilltarë në kabinet, punë nuk kryen, ama ka kohë që u bëjë thirrje njerëzve të shkelin ligjin dhe të rrezikojnë jetën e tyre dhe jetën e këmbësorëve.

    Pra, një gjë është të flitet për telashet ligjore dhe politike me toka në Badovc, telashet ligjore dhe politike me tenderin 18 milionësh për sheshin Xhorxh Bush, telashet me pishinën e Gërmisë, përfshirjen e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Përparim Ramës dhe Arbër Sadikit në projektim ose vlerësim të projekteve milionëshe, telashet me qenë endacakë, telashet me tenderin për Qendrën për Punë Sociale, për rrena rreth ndërtimit të mbikalimeve, nënkalimeve, parkingjeve dhe rrugëve, për mos realizim të projekteve, mos miratim të buxhetit komunal me kohë… Për këto telashe raportojnë gazetarë më të zellshëm sesa unë.

    Ama një gjë tjetër është që krejt këto afera të pëlcasin gjithandej, edhe të bëhet thirrje që njerëzit të bëjnë llaf në telefon.

    Me fjalë tjera, Përparim Rama mund të flet palidhje, sepse këtë e ka bërë edhe Kryetari paraprak, ka fort gjasa të bëhet Kryeministër sepse këtë e kishte bërë një Kryetar paraprak, drejtorët e tij mund të behën ministra edhe nëse janë dështakë, sepse këtë e kanë bërë edhe drejtorët paraprakë dhe kjo varet nga vullneti i popullit. Me këtë pjesë jemi në rregull.

    Mirëpo, nëse nuk kërkon falje për rekomandimin që u bën njerëzve të flasin në telefon gjatë vozitjes – atëherë është nivel i ri i papërgjegjësisë politike dhe njerëzore!

  • Kryesuesi i Presidencës boshnjake kërkon ndihmën e Dodik që t’i hiqen vizat Kosovës

    Kryesuesi i Presidencës boshnjake kërkon ndihmën e Dodik që t’i hiqen vizat Kosovës

    Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës (BeH), Denis Beqiroviq, ka deklaruar sot në Sarajevë se pret që përfaqësuesit e Republikës Serbe në institucionet shtetërore të ndihmojnë Bosnjën dhe Hercegovinën për heqjen e vizave për Republikën e Kosovës, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

    Kështu Beqiroviq ka komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në një fjalim të mbajtur më 14 tetor në Samitin e Procesit të Berlinit ka njoftuar se nga 1 janari 2025, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim.

    “Pas kësaj lëvizjeje shtetërore të zotit Kurti, pres që edhe brenda BeH-së, kur bëhet fjalë për përfaqësuesit në institucionet shtetërore që vijnë nga entiteti Republika Srpska, edhe ata të na ndihmojnë që të hedhim një hap adekuat dhe të zbatojmë plotësisht marrëveshjet që BeH nënshkroi në kuadër të procesit të Berlinit”, ka deklaruar Beqiroviq pas takimit me presidentin shqiptar Bajram Begaj, i cili po viziton Bosnjën dhe Hercegovinën.

    Në janar të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian, por ende nuk kanë lirinë të hyjnë pa vizë në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve të entitetit Republika Serbe.

    Në konferencën për shtyp pas vizitës së presidentit shqiptar Bajram Begaj, Beqiroviq e quajti kryeministrin Kurti një “mik të madh” dhe lëvizjen e tij “shtetërore” dhe “të pazakontë në rajon”.

    “Unë mendoj se është e rëndësishme për të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe për të gjithë rajonin dhe se ne do të dërgojmë një mesazh tjetër të rëndësishëm me këtë,” tha Beqiroviq dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së nënshkruar nga Bosnja dhe Hercegovina si pjesë e procesit të Berlinit.

    Marrëveshja, e cila do të heqë regjimin e vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, dhe do t’u mundësojë qytetarëve të këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti i Bosnje-Hercegovinës. Ratifikimi i marrëveshjes është bllokuar Milorad Dodik.

  • 28 futbollistët që do jenë në ceremoninë e Topit të Artë, edhe një shqiptar është aty

    28 futbollistët që do jenë në ceremoninë e Topit të Artë, edhe një shqiptar është aty

    Ceremonia e Topit të Artë do të mbahet me 28 tetor të këtij viti, në Paris.

    Në këtë ceremoni do të jenë 28 futbollistë që ‘garojnë për ta rrëmbyer’ trofeun më prestigjoz individual për sportistë në botë.

    Një nga ta do të jetë edhe kosovari, Granit Xhaka, mesfushori i Bayer Leverkusen është në listën e futbollistëve më të mirë dhe ka mundësi për të fituar “Topin e Artë”, shkruan IndeksOnline.

    Xhaka i Leverkusen ishte ndër lojtarët kyç që “Aspirinat” ia dolën të siguronin trofeun e Bundesligës sezonin e kaluar dhe France Football e ka shpërblyer 30-vjeçarin me emrin në listën e ngushtë për të fituar këtë trofe.

    Xhaka është shqiptari i parë që nominohet për të fituar Topin e Artë.

  • AKP kërkon hetim të plotë të tjetërsimit të pronës së RTP-së

    AKP kërkon hetim të plotë të tjetërsimit të pronës së RTP-së

    Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe administrative të nevojshme për të mbrojtur pronën e “Radio Televizioni i Prishtinës” (RTP), përfshirë procedurat administrative, civile dhe penale.

    Në njoftim thuhet se për këtë rast është ngritur shqetësim dhe është përgatitur raport mbi tjetërsimin e pronës së RTP-së nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. AKP e vlerëson lart rolin dhe përkushtimin e Komisionit Parlamentar.

    “Në lidhje me këtë rast të tjetërsimit të paligjshëm të ngastrës kadastrale me nr. 00427-1, Zona Kadastrale ‘Çagllavicë’, AKP ka vepruar që nga momenti kur është njoftuar për këtë situatë më 6 shkurt 2023. Pas një dite, më 7 shkurt 2023, AKP ka kërkuar historiatin e pronës nga Zyra Kadastrale e Prishtinës për të verifikuar çdo ndryshim në regjistrat kadastral. Në mungesë të dokumentacionit të nevojshëm, AKP ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm duke kërkuar informacione nga Arkivi Komunal i Prizrenit dhe Gjykata Themelore e Prizrenit, por nga këto institucione kemi pranuar informatë se aktgjykim i datës: 20.04.1976 me numër: P.br. 56/76, në të cilin është bazuar aktvendimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, nuk ekziston në arkivat e tyre”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se në përpjekjet për të verifikuar ligjshmërinë e procesit, AKP ka pranuar kopje të aktvendimit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mars të vitit 2023, mbi të cilin është bërë ndërrimi i pronës, dhe ka vazhduar të ndërmarrë veprime ligjore për anulimin e kësaj bartjeje të cilën e konsiderojmë të kundërligjshme.

    “AKP ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore të nevojshme, duke përfshirë paditë dhe ankesat e paraqitura në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, si dhe kërkesën për masë të përkohshme sigurie më 17 mars 2023. Gjithashtu, agjencia ka përgatitur parashtresa shtesë bazuar në prova të reja që kanë dalë gjatë procesit”, thuhet në raport. Më tej thuhet se në aspektin penal, me date 25 prill 2023 AKP ka paraqitur një kallëzim penal për veprimet që dyshohet se janë të kundërligjshme dhe ka ofruar bashkëpunimin e plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe organet hetimore. Përveç kësaj, janë kryer inspektime në terren, në bashkëpunim me ekipet hetimore, për të mbledhur informacione të detajuara rreth gjendjes aktuale të pronës.

    Sipas njoftimit, Agjencia Kosovare e Privatizimit mbetet e vendosur të vazhdojë mbrojtjen e interesit publik dhe të sigurojë që pronat shoqërore të administrohen dhe mbrohen në përputhje të plotë me ligjin.

    “Përkushtimi ynë do të vijojë deri në zgjidhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

  • Me kërkesë të mbrojtësit të njërit të akuzuar, anulohet seanca në rastin “Subvencionet 1”

    Me kërkesë të mbrojtësit të njërit të akuzuar, anulohet seanca në rastin “Subvencionet 1”

    Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Almir Abdurrahmani, avokatit Bekim Kafexholli është anuluar seanca e caktuar të mbaj këtë të martë, në rastin e njohur si “Subvencionet 1”.

    Anulimin e seancës e ka konfirmuar zyra e gjyqtarit të rastit, Kujtim Krasniqi, pa dhënë detaje të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Seanca e fundit për këtë rast është mbajtur më 21 tetor 2024, ku mbrojtjen e ka dhënë i akuzuari Kushtrim Zogaj.

    Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

    Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

    Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

    Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

    Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

    Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

  • AUV nis fazën e dytë të vaksinimit nga ajri kundër sëmundjes së tërbimit te kafshët e egra

    AUV nis fazën e dytë të vaksinimit nga ajri kundër sëmundjes së tërbimit te kafshët e egra

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se sot ka nisur fazën e dytë të vaksinimit nga ajri kundër sëmundjes se tërbimit, i cili do të zgjasë 5 ditë por dinamika varet nga kushtet klimatike.

    AUV në këtë fazë do të shpërndajë 250 mijë doza.

    “Në ketë fazë janë paraparë të shpërndahen 250 mijë (doza) karrem vaksina nga ajri. 150 vaksina do të shpërndahen fizikisht në terren. Përmes të cilave bëhet imunizimi i kafshëve të egra nga sëmundja e ‘’Tërbimit’’. Janë planifikuar me kohë hartat zonale përmes koordinatave për hapësira në të cilat shpërndahen vaksinat. Ato përfshinë të gjitha malet e brezit kufitarë dhe të gjitha zonat malore brenda territorit. Kafshët e egra, kryesisht dhelprat konsiderohen si bartës kryesor i sëmundjes se tërbimit, e cila pastaj përmes kontaktit mundë të transmetohet edhe të qentë dhe njeriu. Duke u konsideruar si sëmundje e rrezikshme synohet parandalimi i mëhershëm.”

    “Vaksinat janë të sigurta dhe nuk paraqesin rrezik për shëndet të njerëzve apo kafshëve bazuar në përshkrim të prodhuesit të vaksinës. Nëse hasen ne vendbanime, rekomandohet që ato të largohen duke përdorur dorëza. Nëse ndodh që të keni kontakt direkt me ndonjë vaksinë të hapur apo dëmtuar duhet që ta vizitoni qendrën më të afërt shëndetësore. Forma e vaksinës është tabletë me dimensione pak me të mëdha se ato qe përdoren tek njerëzit. Projekti është financuar nga buxheti shtetërorë i Republikës se Kosovës. Qeveria ka deleguar detyrën tek AUV për ekzekutim dhe mbikëqyrje . Fal efektit qe kanë dhënë projektet në vazhdimësi të vaksinimit nga ajri, vendi ynë nuk ka shënuar asnjë rast pozitiv në këtë sëmundje tani e një kohë të gjatë.”

  • ​Shporta minimale për një familje katër anëtarëshe në Maqedoni arrinë në 995 euro

    ​Shporta minimale për një familje katër anëtarëshe në Maqedoni arrinë në 995 euro

    Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka llogaritur vlerën e shportës minimale sindikaliste për muajin tetor 2024. Që një familje katër anëtarëshe të mund të jetojë për bazë i nevojiten 61 249 denarë, ndërsa në krahasim me muajin shtator kjo vlerë është më e ulët për vetëm 57 denarë.

    Nëse jetohet me qera në apartament prej 60 m2, për muajin tetor kostoja e shportës konsumatore është 76 624 denarë. Sipas kreut të Lidhjes së Sindikatave Sllobodan Trendafilov, edhe pse masa e Qeverisë për kufizimin e marzheve ka dhënë pjesërisht rezultatin e dëshiruar, lakmia e tregtarëve është më e madhe dhe shteti duhet urgjentisht t’i frenojë ato.

    Sindikatat kërkojnë që Qeveria t’i përfshijë në krijimin e masave që ata të jenë më të mira, të bëhen kontrolle më të mëdha dhe nëse është e nevojshme të ketë edhe ndëshkime për tregtarët e paskrupull që pasurohen në kurrizin e punëtorëve dhe qytetarëve.

  • Kandidatët e KE-së në seanca dëgjimore – pyetje edhe për Kosovën

    Kandidatët e KE-së në seanca dëgjimore – pyetje edhe për Kosovën

    Derisa pjesa më e madhe e botës pritet të përqendrohet në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe rezultatet e tyre, Bashkimi Evropian do të jetë i zënë me krejt diçka tjetër: seancat dëgjimore për 26 komisionarët, të cilat janë caktuar nga data 4 deri më 12 nëntor.

    Secili kandidat, për tri orë, do të përballet me pyetjet e anëtarëve të Parlamentit Evropian në një komitet që lidhet me portofolat e tyre.

    Herën e fundit, më 2019, tre kandidatë nuk kanë kaluar. Diçka e ngjashme mund të ndodhë përsëri dhe të çojë në seanca shtesë dëgjimore, gjatë nëntorit.

    Ajo që pritet të kalojë, është shefja e pritshme e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Ish-kryeministrja e Estonisë konsiderohet si një nga “yjet” e ekipit të ri të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Ajo që do të jetë interesante në seancën e saj të 12 nëntorit, është të shihet se nëse dhe sa do ta zbusë retorikën e saj të ashpër ndaj Kinës dhe Rusisë, për t’iu përshtatur postit të ri, ku diplomacia dhe gjetja e konsensusit për çështjet e politikës së jashtme janë shumë të rëndësishme.

    Gjykuar nga letra e misionit të Von der Leyenit drejtuar Kallasit, pjesa më e madhe e pyetjeve do të jetë për Ukrainën.

    Në letrën e misionit – e cila është një dokument publik që përshkruan atë që presidentja pret nga një komisionar gjatë pesë vjetëve të ardhshëm – thuhet: “Ne do të punojmë ngushtë së bashku, për të siguruar se Evropa qëndron me Ukrainën për aq kohë sa i duhet – ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht – dhe mbështet integritetin e saj territorial”.

    A mund të ofrojë Kallas diçka të re këtu?
    Kievi pritet t’i hapë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE vitin e ardhshëm dhe mbështetja financiare e BE-së për Ukrainën, për vitin 2025, është siguruar.

    Deri më tani, BE-ja ka ndërmarrë 14 runde sanksionesh kundër Rusisë, por, sipas diplomatëve në Bruksel, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që vendet anëtare të binden për të miratuar masa shtesë kundër Moskës.

    Ndaj, do të jetë interesante të shihet nëse Kallas do të marrë një qëndrim më të ashpër – për shembull duke parandaluar anashkalimin e sanksioneve me shtimin e kompanive të vendeve të treta apo edhe vende të treta në listën e zezë të BE-së.

    BE-ja ka mekanizma për ta bërë këtë, por listat, deri më tani, kanë mbetur bosh.

    Nëse miratohet – dhe çështja është kur dhe jo nëse – Kallas ka të ngjarë të paraqesë një regjim të ri sanksionesh, që do t’i ketë në shënjestër kërcënimet hibride ndaj BE-së.

    Një regjim i ri që merret me veprimet subversive ruse ndaj bllokut, është miratuar së voni, por Kallas pritet të shtyjë përpara një mekanizëm global.

    Shumë eurodeputetë sigurisht se do ta nxisin Kallasin që ta përfshijë korrupsionin si një vepër të sanksionueshme në “Aktin Magnitsky” të BE-së, i cili përcakton sanksione për shkelësit e të drejtave të njeriut në Rusi.

    Kjo është diçka që është shmangur nga shefat e mëparshëm të politikës së jashtme të BE-së dhe ata që e mbështesin një masë të tillë, shpresojnë se ajo do të nënkuptojë shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse në BE, për të paguar rindërtimin e Ukrainës.

    Të dyja këto lëvizje kërkojnë unanimitet dhe do të jetë detyrë e Kallasit për ta realizuar atë.

    Si Von der Leyen, ashtu edhe Parlamenti Evropian do të duan që Kallas të përpiqet të marrë më shumë vendime të politikës së jashtme të BE-së, me votim nga shumica.

    Ndoshta aspekti më kurioz i letrës së misionit të Von der Leyenit është se ajo nuk përmend Ballkanin Perëndimor apo Kinën. Por, eurodeputetët me siguri se do ta pyesin atë për të dyja.

    Ka gjasa që ajo të njoftojë në seancë dëgjimore se udhëtimi i saj i parë si komisionare do të jetë në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket këtij rajoni, ajo me siguri se do të pyetet se si synon ta ringjallë dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE-ja./REL/

  • Çmimi i kafesë rritet në nivelin më të lartë në 10 vjet

    Çmimi i kafesë rritet në nivelin më të lartë në 10 vjet

    Çmimi i kafesë ka arritur maksimumin e ngritjes në 10 vitet e fundit, në Kosovë. Çmimi për këtë produkt vazhdon të rritet vit pas viti në vendin tonë. Çmimi për një kilogram kafe të bluar në Kosovë ka arritur në 12.90 euro – cent, një rritje prej 5 euro e 80 centë për një kilogram, krahasuar me vitin 2014, kur ky çmim ishte vetëm 7.10 euro – cent. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimi mesatar i kafesë ka shkuar nga 7.10 euro – cent në 11.56 euro cent për një kilogram nga viti 2014 deri më 2023.

    Rritja e vazhdueshme e çmimeve është evidentuar edhe gjatë muajit shtator të këtij viti, kur çmimi i kafesë ka arritur në 12.90 euro cent, raporton KP.

    Përveç kafesë ngritje të çmimeve kishte dhe në produkte të tjera. Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,2 % në muajin shtator 2024 krahasuar me muajin shtator 2023.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbimet financiare (13,9%), kafja, çaji dhe kakao (10,4%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (7,2%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (5,1%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (4,9%), veshje (4,4%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (4,0%), kujdesi personal (3,9%), pijet alkoolike (3,5%), pemët (3,5%), mishi (3,0%), duhani (2,9%), buka dhe drithërat (2,1%), qumështi, djathi dhe vezët (1,9%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 për qind në IHÇK-it”.