ATV

Author: ATVLive

  • ​Homeri shqiptar në 153-vjetorin e lindjes

    ​Homeri shqiptar në 153-vjetorin e lindjes

    Lindur në Fishtë të Zadrimës, Gjergj Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.

    Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.

    Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.

    Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë.

    Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës ‘Posta e Shqypniës’, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. +Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

    Në gusht 1919, Gjergj Fishta ishte Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.

    Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.

    Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.

    Si poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

    Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumanshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e Malcís’.

    Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

    Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegërishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj. Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.

    Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

  • OEA mban konferencë me tematikë sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e biznesit

    OEA mban konferencë me tematikë sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e biznesit

    Sot do të organizohet një konferencë për media me temën “Siguria kibernetike 360, dhe si të mbroni biznesin tuaj në epokën digjitale”.

    Kjo ngjarje organizohet nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe mbahet në Klan Arena.

  • DASH për arrestimin e Metës: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë

    DASH për arrestimin e Metës: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë

    SHBA thotë se mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

    “Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

    Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

    SPAK-u e shpalli persona në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun.

    Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, tha për mediat pas takimit me zotin Meta në mjediset e sigurisë, se akuzat janë të pabazuara dhe arrestimi ëshë bërë për qëllime politike.

    Politikanë të tjerë opozitarë e cilësuan veprimin si një sulm politik nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës.

    Meta, ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, zoti Xhixho dhe zonja pritet të dalin nesër para gjykatës në një seancë ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.

    Krahas akuzave nga SPAK-u për zotin Meta, të martën vazhduan reagimet mbi mënyrën se si u ndalua të hënën në mesditë nga policia ish presidenti i Republikës, i cili e cilësoi ngjarjen si “rrëmbim në mënyrë banditeske”.

    Por ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi në rrjetet sociale se forca lëvizëse operacionale, e specializuar për ndalime sipas standarteve, gjatë zbatimit të vendimit të gjykatës ndeshi me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.

    SPAK-u detajoi të hënën në një njoftim publik se Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë. /VOA

  • Komunat më së pakti i zbatojnë rekomandimet e ZKA-së

    Komunat më së pakti i zbatojnë rekomandimet e ZKA-së

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Komunat as gjatë vitit 2023, vlerësohet se nuk bënë progres sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

    Bazuar në të dhënat e raportit vjetor e duke i krahasuar me ato të vitit paraprak, rekomandimet u zbatuan vetëm 39 %.

    “Sipas raportit vjetor të vitit 2023 vetëm 39 për qind e rekomandimeve të auditorit janë zbatuar. Kemi një masë prej 61 për qind të pazbatuar. Kjo është një rënie krahasuar me vitin 2022, kur kjo shkallë ka qenë në masë 46 për qind të zbatimit të rekomandimeve”, tha Ismet Kryeziu nga KDI.

    Mirëpo ndryshe nga komunat, sipas Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, qëndrojnë agjencitë e pavarura e niveli qendror.

    “Në nivelin qendror ka zbatueshmëri më të lartë. Ka zbatueshmëri të rekomandimeve edhe të ndërmarrjeve publike dhe tek agjencitë e pavarura, por ngecja është te niveli lokal. Mënyra siç është i rregulluar sistemi i menaxhimit të financave publike, ndarja e detyrave dhe strukturat dallojnë prej nivelit qendror nga ai lokal”, tha Spanca.

    Megjithatë, kryetarët e komunave nuk pajtohen me këtë.

    Sipas kryetarëve të Rahovecit e Kamenicës, progresi në çështjen e kontratave kolektive është një nga rekomandimet e ZKA-së, që e kanë zbatuar.

    “Jemi të vetëdijshëm se asnjë kryetar i komunave s’është nënshkrues i kontratave kolektive. S’është e ndershme, e ligjshme dhe njerëzore që të penalizohen komunat për shkak të një marrëveshje, e cila është dashur të gjendet një zgjidhje nga Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë”, tha kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

    “Pasojat e një marrëveshjeje mund të vijnë edhe më pas, siç është rasti i kontratës kolektive. Apo siç është rasti kur ne pas dhjetë viteve, marrim një vendim nga Gjykatat se një kontratë e lidhur nga komuna e Kamenicës është tash e jashtëligjshme. Atë pasojë e bart kryetari aktual dhe ajo pasojë identifikohet në raport të auditimit dhe e bartim atë imazhin, jo shumë të mirë të një qeverisje ku merr një opinion të kualifikuar”, tha kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimaj.

    Sipas raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, një ndër gjetjet e përsëritura ndër vite te komuna është keqmenaxhimi i parasë publike.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rama s’e zbaton rekomandimin që e dha vetë, kur ngec në trafik

    Rama s’e zbaton rekomandimin që e dha vetë, kur ngec në trafik

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Kolonë të veturave po thuajse në çfarëdo kohe mund të shohësh në Prishtinë.

    E për qytetarët që ngecin në trafik, kryetari Përparim Rama rekomandoi të dalin nga vetura ose të lexojnë libra.

    Por, kështu nuk bëri vetë ai, teksa erdhi të martën për t’i parë punimet në tunelin e “Kurrizit”.

    “Hahaha, jo nuk kam lexuar libër sepse rrugës deri këtu nuk ishte kolonë, nuk pata mundësi…”, tha Rama.

    Për rekomandimin që vetë e dha, nuk u përgjigj nëse e kishte njëmend apo jo.

    Por teksa u pyet se a është kjo zgjidhje në reduktimin e kolonave në kryeqytet, kryetari përmendi disa hapa që u bënë, për të cilët tha se ndonëse joplotësisht, patën sukses në lehtësimin e trafikut.

    “Kemi punuar tek unaza qendrore, kemi punuar edhe tek rruga A, kështu duke u munduar ta lehtësojmë trafikun…”, tha Rama.

    Ndërkaq, qytetarët e konsideruan tallje deklaratën e Ramës.

    Të njëjtin mendim ndan edhe opozita. Madje, qasjen e tij e cilëson arrogante.
    Sipas shefit të asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, gjendja në trafik është rënduar edhe më shumë prej kur Rama është në qeverisje.

    “Deklarimi i kryetarit është tallje, janë ka e vujnë qytetarët çdo ditë, ka mbyllur shumë rrugë pa analiza të fizibilitetit, ka blloku pa alternativa të tjera, andaj jemi në këtë pozicion”, tha Retkoceri.

    Në vitin 2022, kur Komuna e Prishtinës bëri testimet për rrjedhën e qarkullimit të veturave, kishte rezultuar se rreth 130 mijë vetura hyjnë në Prishtinë çdo ditë nga rajonet tjera.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Lidhja e parkut të Sllatinës me atë të Bardhit të Madh, larg përfundimit

    Lidhja e parkut të Sllatinës me atë të Bardhit të Madh, larg përfundimit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Mbi 200 mijë euro u ndanë, me qëllim që për 60 ditë këtë pamje ta merrte rruga që lidh disa fshatra të Fushë-Kosovës.

    Por kur ka kaluar një vit, në rrugën Bardh i Madh – Sllatinë e Vogël, projekti nuk është as afër përfundimit.

    Përveç një kilometri asfalt, rruga nuk ka shteg për ecje e as për biçikleta.

    Asamblisti i AAK-së, Hasan Ismajli, akuzon komunën për ndryshime në projekt.

    “Duke e pa që është një projekt i mirë, e që parasheh tri korsi, për vrapim e për ecje, por ka pasë devijim nga projekti, dhe është një rrugë që gjerësia është 3.60 dhe skajoret anëve, nuk e di pse janë ikë nga projekti”, tha Ismajli.

    Plani parashikonte që në rrugë të bëhej mihje e dheut deri në 70 cm e më pas shtrimi i saj me tri shtresa zhavorr.

    Por Auditori i Brendshëm në komunë, ka konstatuar se pas mihjes vetëm 30 nga 85 centimetra sa ishte paraparë, është me zhavorr.

    Për vonesën dhe për mosrealizimin e projektit siç ishte paraparë, ATV-ja tentoi të bisedojë me kryetarin e komunës, Burim Berisha, megjithatë, nga kabineti i tij përmes telefonit, i thanë televizionit se nuk merren me akuzat e opozitës komunale.
    Sido që të jetë, banorët e kësaj zone po kërkojnë që punimet të përfundojnë sa më parë.

    “Po del problem jo ky, jo ai, po shumë është ma mirë për neve me u kry me kohë. Me bujqësi, me qeto punë ka shpija e çdo gjë që kryhet me kohë ish kanë më mirë”, tha Ymer Jashanica, banor i Bardhit të Madh.

    Projekti në fjalë, kishte paraparë edhe krijimin e një pushimoreje gjatë shtegut për ecje. Megjithatë, asnjë e tillë deri më tani nuk është vendosur askund gjatë rrugës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Asnjë përtëritje e kontratave për punëtorët me pagë nën minimalen

    Asnjë përtëritje e kontratave për punëtorët me pagë nën minimalen

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Nga 1 nëntori i këtij viti asnjë punëtor në Kosovë nuk mund të ketë pagën më të ulët se 350 euro.

    Por, vendimi i Qeverisë që hyri në fuqi më 1 tetor, sipas Kryetarit të Sindikatës së Pavarur të punëtorëve të sektorit privat rrezikon të mos zbatohet.

    Sipas Jusuf Azemit, asnjë kompani nuk ka ftuar për diskutim apo edhe nënshkrim të kontratës së re punëtorët që kanë pagën nën minimale.

    “Nuk ka asnjë kompani që i ka ftuar për ndonjë ndryshim në kontratë, madje as Qeveria nuk i ka thirrë kompanitë publiko-private që me i subvencionu pjesën tjetër të parave”, tha Azemi.

    Por, ai paralajmëron se punëtorët që në muajin nëntor marrin pagë më të ulët se 350 euro, do ta ndërpresin punën dhe do t’iu drejtohen gjykatave.

    “Nuk mund këta punëtorë të presin më gjatë se 6 nëntor është data e fundit, pas kësaj ne do të vazhdojmë me padi, sepse kemi diçka që na takon me ligj”, tha Azemi.

    E njohës të fushës së drejtësisë janë të bindur se këto raste do të fitohen në gjykata, pasi thonë se kontratat ishte dashur të paktën të përtërihen para se vendimi të hyjë në fuqi.

    “Kontrata duhet të nënshkruhen më sa largu një ditë para se ligji të hyjë në fuqi, punëtorët kanë të drejtë plotësisht t’i bëjnë paditë dhe do ta fitojnë të drejtën e tyre”, tha Emrush Kastrati, avokat.

    Në fund të gushtit, Qeveria mori vendim që pagën minimale nga 264 euro bruto, ta bëjë 350 euro. Nga ky vendim u prekën më shumë se 10 mijë punëtorë në vend.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Papunësia në Kosovë, “lojë shifrash”

    Papunësia në Kosovë, “lojë shifrash”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Shifra të ndryshme janë prezantuar së fundi rreth shkallës së papunësisë në vend.

    Derisa në raportin e Bankës Botërore, thuhet se vetëm 37 për qind e fuqisë punëtore në Kosovë është e punësuar, sipas Qeverisë, papunësia ka rënë në 10.7 për qind.

    Të dyja këto institucione për bazë kanë marrë të dhëna të ndryshme, por të cilat sipas profesorit të ekonomisë, Medain Hashani, në rastin e Qeverisë janë të pasakta.

    “ASK-ja të gjitha të dhënat statistikore që i publikon nuk janë të sakta dhe kanë diskrepancë të madhe në raport me realitetin që është duke ndodhë, prandaj edhe institucionet prestigjioze në momentin kur i shohin të dhënat të papërditësuara, ata nuk iu besojnë këtyre të dhënave, prandaj ata e kanë gjetur rrugën më të mirë dhe tani i bëjnë të gjitha rezultatet vetë”, tha Hashani.

    Andaj të dhënat e Agjencisë së Statistikave të cilave edhe iu referohet Qeveria vlerësohet se nuk qëndrojnë.

    “Ato janë të dhëna që janë marrë në entin e punësimit nëpër regjione, sepse secili regjion e ka entin e punësimit dhe nuk d.t.th që të gjithë të papunët janë të lajmëruar në entin e punësimit, pra vetë raporti që 67 për qind dhe 10.7 për qind e raportit të qeverisë del se diku mbi 50 për qind e të aftëve për punë nuk janë fare të regjistruar në entin e punësimit”, tha Hashani.

    Por, në një përqindje të caktuar besohet se shifrat u keqkuptuan.

    “Sa u përket keqkuptimeve apo moskuptimeve në nivelin e duhur për 37 për qind të raportit të Bankës Botërore aty nuk e shpreh që është papunësia në Kosovë, por vetëm thotë se shfrytëzimi i fuqisë punëtore aktive në tregun e punës në Kosovë është 37 për qind”, tha Jakup Bellaqa, ekonomist.

    Një tjetër e dhënë e raportit të Bankës Botërore, të titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes” tregon se raporti më i ulët i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës është në Kosovë, vetëm 42.7 për qind.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kompensimi i viktimave, gjykata po i vlerëson pronat aktuale të Salih Mustafës

    Kompensimi i viktimave, gjykata po i vlerëson pronat aktuale të Salih Mustafës

    Përgatiti: Nora Luta

    Pas një viti e shtatë muajsh, urdhri i Gjykatës Speciale për kompensimin e tetë viktimave në rastin e Salih Mustafës, ende nuk është zbatuar.

    Por, Gjykata e ka udhëzuar Administratoren e saj që t’i vlerësojë pronat aktuale të Mustafës, duke marrë parasysh nevojat e familjes së tij, në mënyrë që të përdoren për kompensimin e viktimave.

    Trupi Gjykues në vendimin e tij kishte përmendur disa mundësi, përfshirë Kosovën nëse Mustafa nuk do të ishte në gjendje ta paguante shumën e plotë, në vlerë prej 207 mijë eurosh.

    “Gjykatësi i Vetëm lëshoi urdhra në lidhje me pronat e mundshme të z. Mustafa, të cilat do të përdoreshin për ekzekutimin e pjesshëm të urdhrit për zhdëmtim, sipas pagesave proporcionale për viktimat. Gjykatësi i Vetëm e udhëzoi Administratoren që, pasi të jenë marrë fondet, të konsultohet me Mbrojtësin e viktimave në lidhje me mënyrën më efikase të dorëzimit të fondeve të caktuara për secilën viktimë”, tha zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.

    Gjykatësi përgjegjës për t’u zbatuar urdhri sipas përgjigjes së Dhomave të Specializuara, ka theksuar se duhet të përcaktohet se deri në çfarë shume mund të paguajë vetë Mustafa, para se të dorëzohet ndonjë kërkesë në kuadër të Programit për kompensimin e viktimave të krimit në Kosovë.

    Megjithatë, nga Ministria e Drejtësisë kanë lënë të kuptohet se nuk do të ketë ndryshime ligjore rreth çështjes së kompensimit.

    “Ju informojmë se Ministria e Drejtësisë ka ofruar një përgjigje te Dhomat e Specializuar në lidhje me atë se si e rregullon legjislacioni i Republikës së Kosovës çështjen e kompensimit, duke përfshirë kriteret si dhe procedurën.
    Legjislacioni në fuqi nuk parasheh që të ketë ndonjë fond të veçantë në kuadër të Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të akuzuar dhe si rrjedhojë Ministria e Drejtësisë vepron vetëm në përputhje me përgjegjësitë dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Drejtësisë.

    Por, juristët konsiderojnë se ligjet në fuqi nuk po gjejnë zbatim në praktikë.

    Sipas Jasharit, shteti kosovar duhet të ketë për bazë standardin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Në shtator të këtij viti Salih Mustafës, i dënuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit, Gjykata e Apelit ia uli dënimin nga 22 në 15 vjet burgim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dita e dytë e intervistimit të Fadil Gecit në gjykatën speciale

    Dita e dytë e intervistimit të Fadil Gecit në gjykatën speciale

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Emri i tij më shumë se i kujtdo tjetër, përmendej nga dëshmitari i 96-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Fadil Geci, edhe në ditën e dytë të dëshmisë në Hagë.

    Pavarësisht pyetjeve të avokatit apo prokurorit, Geci, pareshtur pretendonte se udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, e shkroi Komunikatën 59 për vëllanë e tij Ganiun.

    “E kam ditë që Hashim Thaçi e ka shkru. Prej ditës së parë që e ka shkru, unë e kam ditë dhe i kam shku në shpi e i kam thanë ama përgjigjen për komunikatën 59”, tha Geci.

    Për këtë takim në shtëpinë e Thaçit në Burojë, avokati Luka Mishetiq, pati një pyetje.

    “A ka persona të tjerë që mund ta verifikojnë takimin tënd me babanë e thaçit në shtëpinë e tij?”, tha Mishetiq.

    “Ka qenë vëllai i Thaçit dhe dy persona tjerë që kanë vdekur…”, tha Geci.

    Geci, po ashtu, u pyet për një takim me Thaçin vite më vonë, për të cilin pretendon se ia ka puthur dorën.

    “Nuk kam pa kurrë në jetë asi rasti dhe kanë mendu që situata është aq e ashpër qysh kanë ba vetë dhe unë nuk kisha pa kurrë në jetë dhe nuk kisha pa kurrë as sot asi rasti. Kurrë s’ka ba vaki kush me ma puthë dorën. Femrat me ma puthë dorën ia kam mërzi e jo burrat”, tha Geci.

    Kjo përgjigje edhe ndërroi mimikën e ish-presidentit.

    Sidoqoftë, orët kalonin e pyetjet sërish çonin drejt deklarimeve për këtë komunikatë. Në vazhdim, prokurori e pyeti për vrasjen e komandantit Abedin Rexha-Sandokanit rast në të cilin ishte përfshirë vëllain i tij, Gani Geci.

    “Nuk ia vlen me folë për një rast të cilin e ka mbyllë mjekësia ligjore. Vëllai im nuk e ka qëllu, por ai ka vdekë. Këtë e ka vërtetu mjekësia ligjore”, tha Geci.

    Kur Geci insistonte vetëm te raporti i autopsisë, avokati Mishetiq ndryshoi pyetjen.

    “A mund ta konfirmoni se Komunikata 59 ndaj Gani Gecit është lëshuar për faktin se ai ka shtënë me armë në drejtim të Sandokanit që ishte komandant i UÇK-së?”, tha Mishetiq.

    Pas Fadil Gecit, në Gjykatën Speciale në procesin ndaj Thaçit e të tjerëve, së shpejti do të dëshmojë edhe Shukri Buja. Ish-ushtari i UÇK-së, më 20 tetor njoftoi se drejt Hagës ka udhëtuar pa dëshirën e tij.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: