ATV

Author: ATVLive

  • Përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit

    Përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët e betuar të legjislaturës së nëntë sot do të mblidhen në përpjekjen e 18-të për konstituimin e Kuvendit.

    Vazhdimi i seancës pritet të nisë nga ora 10:30.

    Të shtunën dështoi përpjekja e 17-të.

    Në seancën e 17 majit, formimi i Komisionit për votim të fshehtë, një hap vendimtar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, mori vetëm 53 vota për dhe një kundër, duke mos siguruar shumicën e nevojshme.

    Lëvizja Vetëvendosje ende po insiston në zgjedhjen e Albulena Haxhiut, për kryetare të Kuvendit, derisa partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë nuk duket se kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre.

    Mbetet të shihet se si do të shkojë vazhdimi i 18-të i seancës konstituive.

  • Meta mbetet jashtë Kuvendit, refuzon dorëheqjet për t’i hapur rrugën mandatit të tij

    Meta mbetet jashtë Kuvendit, refuzon dorëheqjet për t’i hapur rrugën mandatit të tij

    Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, ka reaguar për herë të parë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku mbeti jashtë Kuvendit të Shqipërisë, duke mos arritur të sigurojë një mandat deputeti, edhe pse garoi si pjesë e listës së hapur të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

    Nga qelia ku ndodhet i burgosur, Meta ka falënderuar publikisht rreth 8 mijë qytetarët që votuan për të, duke i cilësuar ata si “heronj”.

    “Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij. Për mua ata nuk janë votues por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme”, shkruan Meta.

    Në vijim të deklaratës së tij, Meta i është përgjigjur edhe zërave që kanë sugjeruar dorëheqjen e kandidatëve fitues të Partisë së Lirisë në Qarkun Tiranë, për t’i hapur rrugën hyrjes së tij në Kuvend.

    “Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë. Dua t’i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.”

    Ai ka vlerësuar gjithashtu përkushtimin e bashkëpunëtorëve të tij.

    “Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi, dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.”

  • Tifozët e Novi Pazarit në ndeshjen ndaj Cërvena Zvezdës: Kosova nuk është e juaja, është shqiptare

    Tifozët e Novi Pazarit në ndeshjen ndaj Cërvena Zvezdës: Kosova nuk është e juaja, është shqiptare

    Novi Pazari dhe Cërvena Zvezda luajtën një ndeshje dramatike që përfundoi me rezultat të barabartë 3:3, të shtunën në xhiron e parafundit të plejofit të Superligës së Serbisë.

    Zvezda tashmë e ka siguruar titullin kampion, ndërsa Novi Pazari vazhdon të shpresojë për një kualifikim historik në garat evropiane, gjë që mund ta arrijë vetëm me fitore në ndeshjen e fundit kundër OFK Beogradit, në udhëtim.

    Përballja në stadiumin e qytetit në Novi Pazar, e ndjekur nga rreth 9000 shikues, u karakterizua nga një atmosferë e tensionuar. Loja u ndërpre disa herë për shkak të hedhjes së mjeteve shpërthyese në fushë. Përveç tifozëve të zjarrtë vendas, të pranishëm ishin edhe mbështetës të Cërvena Zvezdës.

    Mediat serbe kanë raportuar për parulla dhe këngë që erdhën nga tifo-grupi boshnjak i Novi Pazarit, “Torcida Sanxhak”, që përshëndetën Kosovën si pjesë të Shqipërisë dhe u drejtuan drejtpërdrejt kundër tifozëve beogradas si “Delije” dhe “Grobari”. Sipas “sportal.rs”, kjo është cilësuar si një “provokim i turpshëm në zemër të Serbisë”.

    Kënga “E keni humbur Kosovën, ishte serbe, tani është shqiptare; dëgjoni Delije, dëgjoni Grobari, Kosova nuk do të kthehet” u këndua nga i gjithë stadiumi i Novi Pazarit. Si kundërpërgjigje, tifozët e Zvezdës brohoritën “Kosova është Serbi” dhe shfaqën flamurin serb të vendosur mbi hartën e Kosovës, duke shoqëruar gjithashtu thirrje për Ratko Mladiqin. Nga ana tjetër, tifozët vendas përmendën emrin e komandantit boshnjak Naser Oriq.

    Edhe media tjetër nacionaliste serbe “informer.rs” shkroi për “skandal” dhe përkrahje ndaj shqiptarëve, duke theksuar se një gjë e tillë do të zemëronte gjithë Serbinë.

    Tifozeria e Novi Pazarit ka një rivalitet të ashpër me tifozët e klubeve beogradase, dhe megjithëse janë më të paktë në numër, shpesh arrijnë të jenë në qendër të vëmendjes së mediave serbe.

  • Sulmet izraelite vrasin të paktën 100 persona në Gazë, negociatorët kërkojnë armëpushim

    Sulmet izraelite vrasin të paktën 100 persona në Gazë, negociatorët kërkojnë armëpushim

    Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 100 palestinezë në të gjithë Rripin e Gazës gjatë natës, thanë të dielën autoritetet lokale shëndetësore, ndërsa ndërmjetësit zhvilluan një raund të ri bisedimesh për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.

    Nuk pati ndonjë koment për këto sulme nga ushtria izraelite, e cila ka zgjeruar sulmet ndaj enklavës, duke vrarë qindra njerëz që nga e enjtja, në përgatitje për një ofensivë të re tokësore për të arritur “kontroll operacional” në pjesë të Gazës.

    “Kemi të paktën 100 dëshmorë që nga nata. Familje të tëra janë fshirë nga regjistri civil për shkak të bombardimeve izraelite”, tha për Reuters përmes telefonit zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, Khalil Al-Deqran.

    Izraeli ka bllokuar hyrjen e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe të karburantit në Gazë që nga fillimi i marsit për të ushtruar presion mbi Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – që të lirojë pengjet izraelite dhe ka miratuar plane që mund të përfshijnë marrjen nën kontroll të të gjithë Rripit të Gazës dhe ndihmave humanitare.

    Hamasi thotë se do të lirojë pengjet vetëm në këmbim të një armëpushimi izraelit.

    Ndërmjetësit Egjipti dhe Katari, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, filluan një raund të ri bisedimesh të tërthorta për armëpushim mes dy palëve të shtunën, por burime pranë negociatave i thanë Reutersit se nuk kishte ndonjë përparim.

    Sky Arabia dhe BBC raportuan gjatë natës se Hamasi kishte propozuar lirimin e rreth gjysmës së pengjeve izraelite në këmbim të një armëpushimi dymujor dhe lirimit të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.

    I kontaktuar nga Reuters, një zyrtar i Hamasit tha: “Qëndrimi i Izraelit mbetet i pandryshuar, ata duan lirimin e të burgosurve të tyre, pa u zotuar të përfundojnë luftën”.

    Duke e ndërlikuar potencialisht më tej procesin e armëpushimit, raporte në mediat izraelite dhe arabe thanë se lideri i Hamasit, Mohammed Sinwar, mund të jetë vrarë.

    Hamasi as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi lajmin. Ministria e Mbrojtjes së Izraelit nuk pati ndonjë koment.

    Në Izrael, Einav Zangauker, nëna e pengut të Hamasit, Matan Zangauker, tha se kryeministri Benjamin Netanyahu po refuzon të përfundojë luftën në këmbim të lirimit të pengjeve që kanë mbetur, për shkak të interesave të tij politike.

    “Qeveria izraelite ende këmbëngul në marrëveshje të pjesshme. Ata po na torturojnë qëllimisht. Sjellni fëmijët tanë mbrapsht, të gjithë 58!”, shkroi Zangauker në platformën sociale X.

  • Kthehet në rigjykim rasti në të cilin babë e bir ishin dënuar me 36 vjet burgim për vrasjen në Rahovec

    Kthehet në rigjykim rasti në të cilin babë e bir ishin dënuar me 36 vjet burgim për vrasjen në Rahovec

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin në të cilin babë e bir- Enver dhe Emir Sylka ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Gjakovë dhe ishin dënuar me 36 vjet burgim (së bashku) për vrasjen e N.V., në shtator të vitit 2023 në Rahovec.

    Themelorja në Gjakovë vendimin e kishte marrë më 16 shtator 2024, sipas të cilit Emir Sylka për “Vrasje të rëndë” është dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” me 1 vit burg. Ndaj tij, Gjykata ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 23 vitesh. Ndërsa, i akuzuari Enver Sylka për “Vrasje e rëndë në shtytje” është dënuar me 13 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Gjakovë për shkak të vendimit mbi dënimin, duke propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që të akuzuarve t’iu shqiptohet një dënim më i rëndë.

    Ankesë kishte parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Emir Sylka, avokati Besnik Berisha, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal. Kishte propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i Themelores të ndryshohet, dhe i akuzuari të lirohet nga akuza, ose të anulohet aktgjykimi i atakuar dhe çështja penale kundër të mbrojturit të tij të kthehet në rigjykim.

    Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Enver Sylka, avokatja Dafina Osmani, kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, duke i propozuar Gjykatës së Apelit që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i Themelores të ndryshohet, dhe i akuzuari Enver Sylka të lirohet nga akuza, ose të anulohet aktgjykimi i atakuar dhe çështja penale kundër tij t’i kthehet shkallës së parë në rigjykim.

    Përgjigje në ankesat e mbrojtjes ka parashtruar përfaqësuesja e autorizuar e palëve të dëmtuara, R.V dhe L.V, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, duke propozuar që ankesat e avokatëve Berisha dhe Osmani të refuzohen si të pabazuara, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë të vërtetohet.

    Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore dhe përgjigja në ankesë e palës së dëmtuar, kurse të refuzohen ato të mbrojtjes.

    Cilat janë gjetjet e Apelit?

    Gjykata e Apelit ka gjetur se ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve janë të bazuara dhe se aktgjykimi i ankimuar duhet të anulohet ngase është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij. Ndërsa, ankesa e Prokurorisë dhe përgjigja e përfaqësuesit të palës së dëmtuar tani për tani janë jolëndore.

    Sipas Apelit, Themelorja nuk ka paraqitur shkaqet dhe arsyet për çdo pikë të aktgjykimit, nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i merr si të provuara ose të paprovuara duke mos dhënë vlerësimin e provave.

    Kjo Gjykatë gjen se shkalla e parë ka dështuar të japë arsye për mosmiratimin e propozimeve të mbrojtjes.

    “…gjykata ka dështuar të jep arsye për mos miratimin e propozimeve të propozuara nga mbrojtja, propozime këto të cilat gjykata i ka refuzuar pa dhënë arsye të qarta dhe të bindshme, gjegjësisht nuk ka vendousr fare për disa propozime, ndërsa ato që janë dhënë, nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e lëndës, andaj aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që kanë kushtëzuar anulimin dhe kthimin e çështjes në rivendosje”, thuhet në vendim.

    Sipas Apelit, dy dispozitivët e aktgjykimit të Themelores janë të paqartë, të pakuptueshëm, të pangët dhe në kundërshtim me arsyetimin.

    Kolegji i Apelit ka vërejtur se gjykata e shkallës së parë, në arsyetimin e saj nuk ka dhënë arsye lidhur me faktet vendimtare, duke mos konstatuar se cilat fakte i ka vërtetuar e cilat nuk i ka vërtetuar, por vetëm ka paraqitur përmbajtjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe të dëmtuarve, mbrojtjen e të akuzuarve si dhe provat materiale, pa paraqitur një analizë të mirëfilltë të provave, e pastaj të nxjerrë konkludime të drejta e të bazuara në ato prova.

    “Kolegji rikujton se aktgjykimi është një Copy paste i procesverbaleve të shqyrtimit gjyqësor duke bërë përshkrimin e deklaratave pa mos dhënë një vlerësim të rrethanave dhe fakteve të vërtetuara apo të pavërtetuara”, thuhet në vendim.

    Kolegji i Apelit pajtohet me pretendimet e mbrojtjes se thelbësore për vërtetimin e drejtë të gjendjes faktike është video-incizimi nga kamera e sigurisë, ku është pasqyruar ngjarja, edhe pse e njëjta nuk ka zë dhe gjithashtu pajtohet se ishte një sulm i atëçastshëm, real dhe pikërisht pas sulmit me shkop të drurit i akuzuari Emir vërehet kur shtënë në drejtim të të dëmtuarve dhe Themelorja nuk është lëshuar aspak në trajtimin e kësaj çështeje.

    Andaj, Apeli vlerëson se edhe në këtë drejtim aktgjykimi është i mangët dhe shkalla e parë nuk ka dhënë asnjë arsyetim lidhur me pretendimin e mbrojtjes nëse i akuzuari Emir kishte vepruar në kuadër të mbrojtjes së nevojshme.

    Mbrojtësit e dy të akuzuarve kishin propozuar të dëgjohen si dëshmitarë dy hoxhallarë, po ashtu shikimin e vendit të ngjarjes dhe dërgimin e të pandehurit Emir për ekzaminim psikiatrik, dhe administrimin e provave. Por, thuhet se ishte pranuar vetëm propozimi për shikimin e vendit të ngjarjes. Edhe pala e dëmtuar kishte propozuar ekzaminim për të dëmtuarin- por ishte refuzuar.

    Apeli në vendim ka theksuar se nuk pajtohet me pikëpamjen e dhënë në aktvendimin për refuzimin e të gjitha propozimeve, fakte këto që mund të konsiderohen si thelbësore për bazueshmërinë e akuzës, për rrjedhojë të fajësisë gjegjësisht pafajësisë së të akuzuarve në rrethanat e çështjes konkrete, ngase refuzimi për ekzaminim psikiatrik thuhet që u bë se i pandehuri për asnjë moment nuk ka treguar shenja që ka çrregullime psikike, bazuar edhe në video-incizim.

    Aty thuhet se po ashtu trupi gjykues ka konsideruar se është e panevojshme që të dërgohet i pandehuri në IPFK, sepse pas kryerjes se veprës penale, në mënyrë krejtësisht të qetë i pandehuri Emir së bashku me të pandehurin Enver janë larguar nga vendi i ngjarjes, arsye këto që Apeli i ka konsideruar të pabazuara, ngase për tu trajtuar një person në gjendje të tronditjes mendore nuk duhet apriori të vuajë nga ndonjë sëmundje nervore.

    “…ndërsa sa i përket propozimit për refuzimin e dëgjimit të dëshmitarëve – hoxhallarëve edhe pse kolegji i kësaj gjykate pajtohet se relevanca se për qfarë do të dëshmonin ishte se do të vërtetonin se kishin kontest pronësore në mes të dy familjeve e që nuk i ka kontetsuar askush përfshirë edhe vet mbrojtja kur ka bërë propozimin për dëgjimin e tyre, por mbrojtja kishte bërë propozimin për dëgjimin e tyre lidhur me kanosjet të cilat ishin ndaj familjes Sylka, por gjithashtu mbrojtja kishte propozuar edhe prova materiale akuza dhe padi, për të cilat gjykata nuk ka vendosur fare lidhur me to”, thuhet në vendim.

    Andaj, Kolegji konsideron se është shkelur parimi i barazisë së palëve për shkak të refuzimeve të të gjitha propozimeve të mbrojtjes, duke privuar të akuzuarin nga mundësia për të paraqitur argumentet në mbrojtjen e tij në të njëjtat kushte si të Prokurorisë.

    Gjithnjë sipas Apelit, në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar nuk është dhënë arsyetim i qartë përkitazi me refuzimet në fjalë, respektivisht për propozimet e provave materiale nuk është dhënë asnjë arsyetim.

    As për armëmbajtje pa leje, shkalla e dytë thotë se Themelorja nuk ka dhënë arsyetim në aktgjykim lidhur me matjen e dënimit, ku gjykata ka detyrim që të arsyetojë rrethanat të cilat i ka vlerësuar me rastin e caktimit të dënimit, andaj edhe në këtë drejtim aktgjykimi i është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

    Apeli ka theksuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike, arsye këto për të cilat ky Kolegj ka vendosur qe rastin ta kthejë në rivendosje.

    Në fund, Apeli ka vlerësuar se Themelorja në rivendosje duhet të veprojë në harmoni me vërejtjet e theksuara me qëllim të eliminimit të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

    “Në rigjykim gjykata e shkallës së parë, duhet të veprojë në harmoni me vërejtjet e cekura si më lartë, ti eliminoj shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të procedojë edhe njëherë me të gjitha provat, të bëje shikimin e video incizimeve nga kamerat, sipas rrjedhës së procedurës të nxjerrën edhe prova të tjera të cilat janë me rëndësi për të vërtetuar drejtë gjendjen faktike, të epen arsye për të gjitha propozimet e refuzuara nga gjykata si dhe për të gjitha propozimet e propozuara, nga të gjitha provat dhe dëshmitë të vërtetojë saktë elementet e veprave penale, duke dhënë arsye edhe për faktet vendimtare dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerrë konkluzione të drejta dhe të ligjshme që vërtetojnë drejt gjendjen faktike”, thuhet në vendim.

    Ndaj të akuzuarve, Apeli vendosi t’iu vazhdohet masa e paraburgimit pasi që vlerësoi se edhe më tutje ekzistojnë bazat ligjore mbi bazën e të cilave i është caktuar dhe më pas vazhduar paraburgimi.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2024 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Emir Sylka akuzohej se më 19 shtator 2023, në Rahovec, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.V., dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

    Në aktakuzë thuhet se Emir Sylka ditën kritike ishte duke punuar në lokalin e tij, kur u telefonua nga babai i tij, i pandehuri Enver Sylka, i cili i tregoi lidhur me fjalosjen me të dëmtuarin L.V., dhe e ftoi të shkonte në pronën e tyre. I pandehuri Emir mori veturën e tij dhe shkoi me shpejtësi në vendin e lartpërmendur, ku së bashku me të pandehurin Enver shkuan drejt rrugës për te dera e të dëmtuarëve duke bërtitur “dilni jashtë”. Prapa tij ishte i pandehuri Enver dhe afër stallës dolën të dëmtuarit N.V., dhe L.V. Posa afrohen te dera e oborrit të tyre, i pandehuri Emir filloi të shante dhe bërtiste me fjalët “a po doni me fol tash a po jav q… nonen”. Në këto momente, i ndjeri N.V., mori një shkop druri dhe filloi sulmi.

    Sipas aktakuzës, në ato momente i pandehuri Enver i drejtohet të pandehurit Emir me fjalët “gjuj, gjuj”, dhe menjëherë i pandehuri Emir nxjerr nga brezi dhe shtie katër herë në drejtim të të dëmtuarve, duke e goditur N.V,. në pjesën e gjoksit, i cili për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u dërgua për trajtim në QKUK në Prishtinë dhe më 22 shtator 2023 ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërsa, të dëmtuarin L.V. e goditi në këmbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhe më pas dy të pandehurit me qetësi u futën në veturat e tyre dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë, Emir Sylka akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 i Kodit Penal.

    Gjithashtu, Emir Sylka ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, pasi kishte poseduar armën e tipit revole e prodhimit turk SUB Elite 9mm, me të cilën ka kryer veprën penale të lartcekur dhe e mbajti atë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa leje nga organet kompetente. Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Sylka akuzohej se më 19 shtator 2023, me dashje ka shtyrë djalin e tij, të pandehurin Emir Sylka, për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj të ndjerit N.V., si dhe duke vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

    Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur në pronën e tij me të dëmtuarin L.V., për këtë mosmarrëveshje disavjeçare ishte i njoftuar edhe i pandehuri Emir. Ashtu që, i pandehuri Enver e telefonoi djalin e tij, Emirin, duke i thënë se “erdh L.V. dhe më kërcënoi se ti nuk guxon me vazhdu me punu dhe ka ardhur edhe vëllai i tij N.V.”. I pandehuri Emir, i pajisur me armë, erdhi me shpejtësi me veturën e tij dhe shkoi në vendin e lartcekur.

    Për këtë, Enver Sylka akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në shtytje”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 32, paragrafi 1 të Kodit Penal.

  • Meloni çon në Tiranë dokumentin final të Marrëveshjes së Pensioneve, nis të zbatohet nga 1 qershori

    Meloni çon në Tiranë dokumentin final të Marrëveshjes së Pensioneve, nis të zbatohet nga 1 qershori

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se homologia e tij italiane, Giorgina Meloni ka çuar në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë.

    Sipas Ramës, nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë.

    “LAJM I MIRË dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian: Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • Lamine Yamal ka rinovuar kontratën me Barcelonën, pritet vetëm nënshkrimi

    Lamine Yamal ka rinovuar kontratën me Barcelonën, pritet vetëm nënshkrimi

    Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se talenti i ri katalanas, Lamine Yamal, ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës me klubin, duke theksuar se mbetet vetëm formalizimi përmes nënshkrimit, shkruan Gazeta Sinjali.

    “Rinovimi i Lamine është arritur, dhe e vetmja gjë që mungon është nënshkrimi formal”, deklaroi Laporta për mediat spanjolle.

    Ai shtoi se Yamal ka një lidhje të veçantë me ambientin në “Camp Nou” dhe shokët e skuadrës.

    “Yamal është një gjeni që kënaqet duke luajtur për Barcelonën. Ka miq në klub dhe është pjesë e një brezi me lidhje të fortë mes tyre”, u shpreh presidenti i klubit blaugrana.

  • Rusia lëshon 273 dronë në Ukrainë, sulmi më masiv që nga fillimi i luftës

    Rusia lëshon 273 dronë në Ukrainë, sulmi më masiv që nga fillimi i luftës

    Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh ajror ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, duke lëshuar 273 dronë gjatë natës, njoftoi mëngjesin e sotëm Forca Ajrore Ukrainase, shkruan Gazeta Sinjali.

    Sipas njoftimit, mbrojtja ajrore ukrainase arriti të kapë 88 nga dronët rusë. Sulmet kishin si objektiv rajonet e Kievit, Dnipropetrovskut dhe Donetskut. Më parë, sulmi më masiv ishte ai i nisur në prag të përvjetorit të tretë të luftës, kur u lëshuan 267 dronë, transmeton AP.

    Nga sulmet e fundit, një grua humbi jetën dhe tre persona u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një fabrikë në rajonin e Kievit, njoftoi kreu i administratës ushtarake të Kievit, Nikola Kalashnik.

    Në anën tjetër, Ministria Ruse e Mbrojtjes deklaroi se mbrojtja ajrore e saj rrëzoi shtatë dronë ukrainas gjatë natës dhe 14 të tjerë në orët e para të mëngjesit.

  • Presidenti i Shqipërisë takon në Vatikan Papa Leoni XIV pas ceremonisë së inagurimit

    Presidenti i Shqipërisë takon në Vatikan Papa Leoni XIV pas ceremonisë së inagurimit

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, udhëhoqi delegacionin shqiptar që mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leoni XIV në Vatikan, ku ishin të pranishëm liderë dhe personalitete të shumta nga mbarë bota.

    Gjatë qëndrimit në Selinë e Shenjtë, Presidenti Begaj zhvilloi një takim me Papa Leoni XIV, të cilit i përcolli urimet më të përzemërta për zgjedhjen si At i Shenjtë dhe udhëheqës i Kishës Katolike Romake.

    Në këtë takim, Presidenti përgëzoi Papën për misionin e tij në promovimin e paqes dhe ndërtimin e urave të dialogut mes popujve, në një botë të sfiduar nga konflikte dhe pasiguri. Ai vlerësoi udhëheqjen shpirtërore të Atit të Shenjtë si një zë që frymëzon shpresë, dhembshuri dhe unitet mes njerëzve.

    Presidenti Begaj theksoi gjithashtu se Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës fetare, ku toleranca, respekti dhe harmonia mes besimeve janë vlera të rrënjosura në shoqëri dhe trashëgimi e çmuar ndër breza.

    Në këtë vizitë zyrtare, Presidenti ishte i shoqëruar nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.

  • Kurti bëri homazhe në nder të Xhevdet Lecit, në 26-vjetorin e rënies së tij

    Kurti bëri homazhe në nder të Xhevdet Lecit, në 26-vjetorin e rënies së tij

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, si dhe me kolegë të tjerë nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, nderuan me homazhe Xhevdet Lecin, në 26-vjetorin e rënies heroike të tij.

    Në këtë përvjetor, kryeministri Kurti vlerësoi figurën dhe kontributin e Xhevdet Lecit, veçanërisht gjatë viteve ‘99, kur punoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

    “Xhevdet Leci gjatë viteve të ‘90-ta punoi ditë-natë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ishte edhe patriot, edhe humanist dhe në të njëjtën kohë zgjeronte, thellonte, ngriste rezistencën e popullit tonë, e cila fillimisht ishte paqësore e paarmatosur, e më pastaj edhe kryengritje e armatosur çlirimtare e udhëhequr nga UÇK-ja”, tha kryeministri.

    Ai theksoi se nëpërmjet figurave më të ndritshme të historisë sonë, siç është Xhevdet Leci, të cilët janë shëmbëlltyra dhe modeli më i mirë, të rinjtë duhet të mësojnë dhe të ndjekin rrugën e tyre, në mënyrë që historia të bëhet pjesë e vetëdijes sonë kolektive.

    Xhevdet Leci, veprimtar i çështjes kombëtare, ra heroikisht më 18 maj 1999 në mbrojtjen e popullatës së zhvendosur në Barilevë, duke u përballur me policinë serbe.