ATV

Author: ATVLive

  • Pronarët e 35 shtëpive në Pejë në hall me pronat

    Pronarët e 35 shtëpive në Pejë në hall me pronat

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Lagjja “Xhemajl Kada” u ndërtua nga vitet e 90-ta.

    Kështu, kjo pjesë periferike e Pejës, tash numëron mbi 60 shtëpi.

    Por, familjet brenda 35 prej tyre nuk po e dinë se a do ta presin dimrin në shtëpitë e tyre, meqë u është dhënë një urdhër t’i lëshojnë pronat.

    Lavdim Muriqi, pronar i njërës nga to, thotë se ky lajm u erdhi nga një person i panjohur, me arsyetimin se shtëpitë janë ndërtuar në tokën e tij.

    “Ka ardhë s’po donë me u marr vesh, po kërkon veç me lirua, bile ka thënë me ja pagu aq sa kemi qëndruar deri tash…”, tha Muriqi.

    Atëkohë, sa u ndërtuan shtëpitë, pronarët e tyre nuk e dinin se pronë e kujt është parcela. Ata thonë se themelin e tyre e nisën me mendimin se toka është e komunës, dhe se dikur do të kompensoheshin me ta. Por, sipas përfaqësuesit të lagjes, pavarësisht kësaj, një muaj kohë, sa i ‘u dha pronarëve t’i lëshojnë pronat, është e papranueshme.

    “E dimë që s’është në rregull as ashtu me i ndërtua po ne kemi mëndu që kemi me u marr vesh me komunë, se pas lufte dihet qysh kanë shkuar senet”, tha Mirsad Koliqi, kryetar i lagjes “Xhemajl Kada”.

    Banorët janë në gjendje të bëjnë kompensim financiar, nëse edhe dokumentacionet e parcelës mbajnë emrin e dikujt tjetër.

    “Po kërkojmë me ardhë e me klasifikua, jemi në gjendje me u përgjigj financiarisht, me e shti shtëpinë në hipotekë, nëse nuk i përgjigjem atëherë, le të ma marrin shtëpinë edhe atëherë nuk ankohem më askund hiç”, tha Ejup Shala, banor.

    Tash, halli i tyre është se ku do të qëndrojnë, pasi t’i lëshojnë shtëpitë.

    “Janë mbi 200 anëtarë shtëpie tash dimër ku donë me qëndru pse nuk e llogarisin këtë situatë…”, tha Koliqi.

    Andaj, për t’u dalë në ndihmë, banorët trokitën dyert e zyrtarëve komunal.

    “Kam qenë n ’komunë nuk na ka shikuar askush hiç”, tha Lavdim Muriqi, banor.

    Nga komuna e Pejës i thanë televizionit se kjo çështje është duke u shqyrtuar në Gjykatën Themelore në Pejë, dhe deri të përfundojë procesi, nuk mund të bëjnë asnjë hap tutje.

    Ndërkaq, nga Gjykata Themelore e Pejës, nuk kanë treguar se deri në cilën fazë ka shkuar lënda.

  • Parku i “Taukbahçes” pa mirëmbajtje

    Parku i “Taukbahçes” pa mirëmbajtje

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Gjatë ditës vizitohet nga mijëra qytetarë.

    Por, në mbrëmje ka më pak njerëz, ngase Parku i Taukbahçes nuk ka i tëri ndriçim.

    “Kishte me qenë mirë që këto dritat mu vendos, kur ka dritë shumë ma ndryshe është, me shumë të tërhek, për shembull kur është terr kështu dimrit sidomos është problem, mirë kishte me qenë Komuna, sepse në mbikëqyrje të komunës është ky park, me vendos qaty dritat por edhe me i vendos do kamera kishte me qenë mirë. Edhe për shkak të qenve është me mirë me pas shumë dritë normal, por në mbrëmje kur po dal po hezitoj për shkak të dritës me shumë”, thotë një qytetare.

    “Po sigurisht duhet organet kompetente me u marrë me këtë problem, këtu frekuentohet shumë shtegu për vrapim, për ecje, të moshuarit, të rinjtë, parku ka nevojë për mirëmbajtje pak me të mirë në aspektin teknik, puna e ndriçimit dhe gjëra të tjera, ndriçimi me u rregullu ka nevojë”, thotë një qytetar.

    Edhe pse në këtë park, viteve të fundit është investuar shumë, megjithatë sipas opozitës kërkohet më shumë punë në mirëmbajtje.

    “Ky park nuk mirëmbahet nga komuna e Prishtinës, për shkak që këtu kemi nevoja të ndryshme, ka mungesë të ndriçimit publik, shpeshherë këtu ndriçimi nuk punon po ashtu përveç ndriçimit publik, do të thotë gjithë ky park që shfrytëzohet prej shumë qytetarëve është vetëm një çezmë, një kru, që aty qytetarët munden të furnizohen me ujë të pijshëm. Po ashtu që këtu kemi probleme edhe me kundërmimin e erës që është si një lloj përroske që mundemi me quajt të vogël, që kundërmon një erë e rëndë për shkak të kanalizimit që derdhet”, tha Besart Krasniqi, asamblist i Vetëvendosjes.

    Por, Komuna thotë se ka zgjidhje për të gjitha këto telashe. Sipas zëdhënësit të Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, drejtoritë përkatëse kanë dalë në terren dhe kanë identifikuar problemet.

    Kemi marrë të gjitha ankesat prej qytetarëve direkt në terren, jemi afër nënshkrimit të kontratës për zgjerim të ndriçimit, të mirëmbajtjes veçse ku ka pasur nevojë kemi ndërhy, dhe po shpresoj se brenda muajit nëntor të përmbyllim pjesën e Taukbahçes. Qentë endacakë po kastrohen, sterilizohen, pritet shpejt mu përfundu strehimorja”, tha Lushaku.

    Kontrata për zgjerimin e ndriçimit në këtë park pritet të nënshkruhet ditëve në vazhdim.

  • Kritikohet udhëzimi administrativ për licencimin e psikologëve e të pedagogëve

    Kritikohet udhëzimi administrativ për licencimin e psikologëve e të pedagogëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Për afro 3 javë, Udhëzimi Administrativ mbi shërbimin pedagogjik-psikologjik në shkolla dhe licencimin e psikologëve e pedagogëve shkollorë do të jetë në platformën e diskutimeve publike.

    Derisa, Licencimi i tyre parashihet edhe me ligjin për profesione të rregulluara, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se për herë të parë po parashihet procedurat e licencimit dhe ri-licencimit.

    “Licencimi veçse është i rregulluar me ligjin për profesione të rregulluara, tash udhëzimi mund ta detajojë këtë punë, por më e rëndësishmja i përcakton disa dispozita, por unë rikujtoj nuk e kemi problemin në legjislacion, por në llogaridhënie dhe zbatim të tij”, tha Rinor Qehaja nga Instituti “ED GUARD”.

    Ndër të tjerash në udhëzim përcaktohen edhe kriteret për kandidatët për psikologë e pedagogë.

    Mirëpo, me disa prej pikave nuk po pajtohen psikologët.

    “Jep një monopol UP për psikolog shkollor zakonisht udhëzimet duhet me përcaktua shkallën e edukimit po jo ku me marrë atë shkallë të edukimit. Pastaj edhe te rregullimi i kompetencave dhe te komisioni licencues kishte përfaqësues nga MASHT-i, licencimi duhet të bëhet nga profesionistë të fushës e jo domosdoshmërisht bartës të institucioneve”, tha Naim Telaku, psikolog.

    Megjithatë, si problem nuk vlerësohet vetëm legjislacioni.

    “Problemi është te numri i psikologëve dhe mungesa e tyre në shkolla. Vëmendja duhet të jetë në rritje të numrit dhe rekrutimit të psikologëve në shkolla”, tha Qehaja.

    “Treguesi që në përgjithësi me shëndetin mendor nuk janë të rregulluara në nivel të kënaqshëm është një domosdoshmëri themelimi i odës së psikologëve që do të rregullonte mënyrën dhe do të mbikëqyrte edhe aplikimin për psikolog që vazhdimisht po bëhet ky profesion shumë më i rëndësishëm”, tha Telaku.

    Ndërkohë, MAShTI ditë më parë ka njoftuar se ka të ndarë buxhetin për më shumë se 500 pozita për psikologë dhe pedagogë, për çka ka bërë thirrje tek komunat që sa më parë të shpallin konkurset.

    Ndërkaq, udhëzimi administrativ do të jetë i hapur për komente deri më 12 nëntor 2024.

  • Kërkohet përsëritja e konkursit për drejtorin e ATK-së

    Kërkohet përsëritja e konkursit për drejtorin e ATK-së

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Janë bërë pothuajse 5 muaj prej kur Ministria e Financave mbylli konkursin për drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës.

    Mirëpo, pavarësisht kësaj ATK-ja vazhdon të jetë me ushtrues detyre të drejtorit.

    Derisa, afati ligjor për emërimin e drejtorit ka kaluar, Ministria e Financave vazhdon të mos kthejë përgjigje për këtë çështje, pavarësisht insistimit të ATV-së.

    Si pasojë e mosrespektimit të afateve ligjore, nënkryetari i Komisionit për Buxhet, kërkon që konkursi të përsëritet.

    Deputeti Mërgim Lushtaku thotë se qëllimshëm nuk është emëruar drejtori i ATK-së.

    Po ashtu, konkursi i para 5 muajve vlerësohet se nuk ka qenë transparent.

    Tash e 3 vjet, Administrata Tatimore e Kosovës udhëhiqet nga Ilir Murtezaj, me pozitë ushtrues detyre i drejtorit.

  • Fabrika e drurit në Skenderaj në pritje të makinerive, larg përfundimit

    Fabrika e drurit në Skenderaj në pritje të makinerive, larg përfundimit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Në këtë hapësirë në fshatin Polac të Skenderajt, që dikur ishte oborr i shkollës, deri më tani janë të vendosura vetëm këto konstrukte nga betoni.

    Këtu para dy vjetëve nisi ndërtimi i fabrikës së drurit, mirëpo ajo është larg përfundimit.

    Sipas ish-nënkryetarit Nuredin Lashtaku, toka iu dha në shfrytëzim grupeve të interesit, andaj edhe punimet kanë ngecur.

    “E kanë dhënë pronën me 0% interes të Komunës për 99 vjet. Tash e dy vjet vetëm do betona i kanë vendosë e fabrika nuk është askund. Kështu i përvetësojnë pronat për vete edhe për njerëz të interesit të ngushtë”, tha Lashtaku.

    Kryetari i Skenderajt e pranoi se ka zvarritje në punimet për ndërtimin e fabrikës që përveç përpunimit të drurit, ishte paraparë të prodhonte edhe parafabrikate të betonit.

    “Ka pak vonesa, ne kemi komunikuar edhe me kompaninë dhe na është thënë se është në pritje të makinerive dhe sapo të jenë gati do të fillojnë me punime”, tha kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

    Se është në pritje të makinerive, kompania “TehnoBurimi” i kishte thënë ATV-së qysh para 9 muajve. Ndërkohë, televizioni i drejtoi pyetje përsëri kompanisë të cilës iu dha toka në shfrytëzim, por nuk pati përgjigje.

    Sidoqoftë, kryetari Fadil Nura siguroi se nëse brenda një afati të arsyeshëm punimet nuk nisin, toka do t’i rikthehet përsëri komunës.

    “Nëse nuk përfundon brenda një viti punë dinamike, atëherë do ta shfuqizoj vendimin”, tha Nura.

    Investimet sipas zyrtarëve komunalë do të kapin vlerën e 4 milionë eurove, teksa në fabrikë do të punësohen rreth 100 banorë të fshatrave përreth.

  • Ashensorët në vende publike në Prishtinë jo funksional

    Ashensorët në vende publike në Prishtinë jo funksional

    Përgatiti: astriot Tahiri

    Më 14 gusht të vitit të kaluar, kryetari i Prishtinës së bashku me drejtorin e shërbimeve publike që në atë kohë ishte Ilirik Musliu, përuruan shkallët e njohura si shkallet e postës në lagjen “Dardania”.

    Megjithatë as pas më shumë se një viti, ashensori nuk u funksionalizua.

    Njëjtë i pa shfrytëzueshëm tash e një kohë të gjatë është edhe ashensori tek Nënkalimi në Bulevardi Bill Clinton.

    Nga Handikos, Afrim Maliqi, tha se më këto projekte u diskriminuan.

    Për problemin në dijeni janë edhe në komunë, veç se sipas tyre ai pritet të zgjidhet.

    Derisa premtohet nga komuna se do të hyjnë në funksion ashensorët në të dy rastet, në këto vende nuk është rregulluar hapësira që parasheh qasjen e personave me aftësi të kufizuara.

  • Drejtori i Komisionit Evropian: Kosova mund t’i përfitojë 883 milionë euro

    Drejtori i Komisionit Evropian: Kosova mund t’i përfitojë 883 milionë euro

    Gjatë së shtunës, shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, vizitoi Kosovën ku ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Një ditë më pas, vartësi i saj, drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ka përgëzuar Kosovën për Agjendën e Reformave.

    Koopman theksoi se vendi i vogël ballkanik mund të përfitojë 883 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    “Miratimi i Agjendës së Reformave për Kosovën do t’i lejojë asaj të zhbllokojë 883 milionë euro, për të sjellë përpara konvergjencën socio-ekonomike dhe për të zbatuar reformat e orientuara drejt BE-së”, ka shkruar Koopman.

  • Bajrami ironizon me ministrin Murati: Pas Fondit Sovran bëhet edhe Banka Zhvillimore, mbahuni fort

    Bajrami ironizon me ministrin Murati: Pas Fondit Sovran bëhet edhe Banka Zhvillimore, mbahuni fort

    Ministri i financave, Hekuran Murati, u lajmërua nga Uashingtoni duke pretenduar se “Banka Zhvillimore po bëhet”.

    Pasi që Murati e tha këtë nuk mungoi edhe ironia nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami.

    Ajo në rrjetin social në Facebook, tha se deri më datën 9 shkurt do të ndodhin shumë gjëra.

    Postimi i plotë i saj:

  • Kosova pranohet në elitën botërore të mjekësisë sportive

    Kosova pranohet në elitën botërore të mjekësisë sportive

    Kosova hyn fuqishëm në historinë ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e Federatës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS) si anëtare e rregullt. Ky vendim, u mor në mbledhjen e Këshillit të Delegatëve në Dubai të shtunën më 26 tetor.

    Përveç një abstenimi nga Gjeorgjia, të gjitha vendet e pranishme votuan unanimisht për anëtarësimin e Kosovës, duke pranuar me entuziazëm projektin e Asociacionit të Kosovës për Mjekësi Sportive (KASEM), një iniciativë që u themelua nën iniciativën e UBT-së.

    Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i pranishëm për të paraqitur prezantimin dhe për ta bërë këtë kërkesë historike. Ai falënderoi delegatët për kontributin e tyre në këtë proces dhe e vlerësoi Komitetin Ekzekutiv për pranimin e vendimit në Këshillin e Përgjithshëm të Delegatëve. Një falënderim i veçantë shkoi për Profesor Norbert Bachl, i cili ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për Kosovën në ndihmën e ndërtimit të strukturave të nevojshme për anëtarësim, si dhe Presidentin e FIMS, Prof. Fabio Pigozzi.

    Rektori Hajrizi theksoi se Kosova do të jetë një anëtare e angazhuar dhe e përgjegjshme, e gatshme për të kontribuar në zhvillimin e mjekësisë sportive në nivele të reja ndërkombëtare. Ky anëtarësim përfaqëson jo vetëm një sukses të madh për Kosovën, por edhe një mundësi për të promovuar dhe zhvilluar edhe më shumë mjekësinë sportive me standarde ndërkombëtare.

    Në këtë kontekst, Kosova përfundimisht po krijon një rrugë të re për sportistët dhe profesionistët e mjekësisë sportive, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme më të ndritur. Anëtarësimi në FIMS është një dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit të Kosovës për të avancuar këtë disiplinë në nivel botëror, duke u bërë një model frymëzues për vendet e tjera.

    Në këtë ngjarje të rëndësishme, përveç anëtarësimit, Rektori Hajrizi mori pjesë në Kongres, vizitoi panairin e teknologjisë në mjekësinë sportive dhe zhvilloi biseda me kompani për bashkëpunim me UBT dhe Kosovën. Rektori Hajrizi gjithashtu realizoi një sërë takimesh të ndryshme me delegatë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke përfshirë përfaqësues të komiteteve olimpike të botës.

    Gjatë vizitës në Universitetin e Dubait për Mjekësi, ai gjithashtu mori pjesë në një konferencë paralele për ortopedi dhe pati një takim me Prof. Filippo Parisi nga Italia, udhëheqës i Shoulder Academy, me të cilin do të vazhdojë bashkëpunimi për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

  • U vazhdohet ndalimi edhe 48 orë të dyshuarve për sulmin ndaj Muhaxherit, kërkohen 30 ditë paraburgim

    U vazhdohet ndalimi edhe 48 orë të dyshuarve për sulmin ndaj Muhaxherit, kërkohen 30 ditë paraburgim

    Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin fizik ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

    Prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, e cila tha se si bazë e kësaj kërkese është ndikimi te dëshmitarët, mundësia e përsëritjes së rastit dhe rreziku i arratisjes.

    “Prokuroria Themelore në Pejë në afatin e saj ligjor ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në tri fazat që janë paraparë në kodin e procedurës penale si është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitarë sepse në vendin ku ka ndodhë ka shumë dëshmitarë dhe ende një pjesë nuk janë intervistuar dhe pastaj ekziston edhe rreziku se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale për vetë faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe. Të dyshuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’”, ka thënë Nallbani Gacaferri.

    Ndërkaq, dy të dyshuarve Gjykata e Pejës ua ka vazhduar masën e ndalimit edhe për 48 orë. Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e kësaj gjykate Elzana Kastrati.

    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e 26 tetorit në Pejë.

    “Rreth orës 08:50 është sulmuar nga persona të dyshuar kryetari i Komunës së Pejës, i cili ka pësuar lëndime trupore”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.

    Ai ka thënë se me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh të së dielës ka njoftuar për sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke bërë të ditur se ende nuk dihen motivet e sulmit.