ATV

Author: ATVLive

  • Mbi 1 mijë divorce brenda tetë muajve, tradhtia shkak kryesor

    Mbi 1 mijë divorce brenda tetë muajve, tradhtia shkak kryesor

    Mbi një mijë qifte u divorcuan brenda tetë muajve në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë muajit gusht afro 140 qifte vendosën t’i ndajnë rrugët e tyre. Derisa psikologët dhe sociologët po konsiderojnë se shkak kryesor i këtij fenomeni në rritje është tradhtia në mes bashkëshortëve. Ndërkaq, është rritur numri i partnerëve që kërkojnë këshillime psikologjike përpara divorcit.

    Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli vlerëson shqetësues faktin e rritjes së numrit të rasteve të divorcit.

    Ai potencon se mungesa e komunikimit, shkaqet ekonomike dhe tensionet familjare, janë disa nga faktorët që po shtyjnë qiftet drejt këtij vendimi, pas tradhtisë.

    Përveç kësaj, psikologu Havolli thekson se ngritje ka shënuar edhe numri i qifteve të divorcuara me fëmijë.

    Sociologu Genc Xërxa ndër faktorë të tjerë përmend edhe infertilitetin si shkak i shkurorëzimit mes partnerëve në Kosovë.

    Xërxa vlerëson se vetëdijesimi dhe emancipimi i njerëzve ka ndikuar në marrjen më të lehtë të vendimit për ndarje.

    Po ashtu, edhe drejtoresha e Shoqatës për Prindër të Ndarë, Arjeta Gashi potencon se përveç tradhtisë, dhuna psiqike dhe fizike përmenden ndër faktorët kryesor nga rastet që paraqiten në këtë shoqatë.

    Ndërkaq, Gashi potencon se problematika e strehimit, mospagesa e alimentacioni, stigmatizimi janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballen prindërit vetushqyes.

    Ndër të tjera, Gashi tregon se pjesë e organizatës “Prindër të ndarë”, janë rreth 360 gra dhe vetëm 5 burra, pasi siç thotë ajo këta të fundit nuk paraqiten për shkak të krenarisë.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga muaji janar deri në gusht të këtij viti, janë shënuar 1 mijë e 103 divorce. Vetëm në muajin gusht numri i ndarjeve është 136, derisa prin Prizreni me 15 raste dhe Gjilani me 14.

    Ndërkaq, në një raport të ASK-së, thuhet se gjatë tërë vitit 2023 janë shkurorëzuar mbi 2 mijë qifte, derisa Prizreni dominon me rreth 200 raste.

  • AKK: Kontrata kolektive i kushtoi komunave më shumë se 122 milionë euro

    AKK: Kontrata kolektive i kushtoi komunave më shumë se 122 milionë euro

    Favorizimi nga niveli qendror i komunave me kryetarë nga partia në pushtet duke marrë më shumë mjete financiare për kokë banori, dëmet nga kontrata kolektive e tash edhe ligji aktual për ngritjen e tatimit në pronë, janë disa nga problemet kryesore me të cilat po përballen komunat e Kosovës.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për KosovaPress se përgjatë këtyre viteve komunat padrejtësisht janë dëmtuar me më shumë se 120 milionë euro për kontratën kolektive, mjete të cilat kanë qenë të parapara për investime kapitale.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave thotë se nga viti i ardhshëm për pronat komerciale do të ketë ngritje enorme të faturave, e cila do të jetë një barrë jashtëzakonisht e madhe për bizneset dhe është ngritur si shqetësim ndaj Qeverisë.

    Ibrahimi kërkon themelimin e grantit të katërt për investime kapitale dhe grantit specifik për shërbime, të cilët janë të paraparë me projektligjin për financa lokale, pasi favorizimi i komunave të drejtuara nga LVV-ja ka ndikuar që ato të përfitojnë më shumë mjete financiare sesa komuna tjera për kokë banori.

    “Jo i tërë buxheti i Kosovës ndahet për kokë banori në komunat e Kosovës. Kemi grantin e përgjithshëm që është një grant specifik. Kemi dhe dy grante të tjera për arsim dhe shëndetësi. Synimi jonë është që niveli qendror ta themelojë edhe grantin e katërt për investime kapitale, i cili është paraparë me projektligjin për financa lokale, por është edhe granti specifik për shërbime. Kryetarët e komunave nga LVV-ja, kanë marrë më shumë mjete financiare për kokë banori dhe këto mjete financiare vijnë nga ministritë e linjës”, është shprehur Ibrahimi.

    Sipas kreut të AKK-së, ka me qindra projekte të komunave, të cilat nuk përkrahen me buxhet nga Qeveria e Kosovës.

  • Gërxhaliu: Qeveria e Kosovës godet edhe me një barrë të re tatimore biznesin kosovar

    Gërxhaliu: Qeveria e Kosovës godet edhe me një barrë të re tatimore biznesin kosovar

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një postim në rrjetin social të tij në Facebook, ka shkruajtur se nga janari i vitit 2025 Qeveria do t’i trefishojë tatimin mbi prona sipas tij duke vendosur një barrë të re mbi shpatullat e bizneseve kosovare, përcjell EO.

    Ai tha se ligji i ri për tatimin në pronë sjell rritje të konsiderueshme për pronat komerciale dhe ato bujqësore duke kërcënuar rëndë sektorin privat.

    Gërxhaliu tha për tatimin në pronat komerciale sipas tij pritet të rritet deri në 200%, kjo rritje sipas tij e pa precedentë që do të krijojë vështirësi të mëdha për shumë qytetar dhe biznese.

  • Tri raste të dhunës në familje në raportin 24 orësh, dy të dyshuar dërgohen në mbajtje

    Tri raste të dhunës në familje në raportin 24 orësh, dy të dyshuar dërgohen në mbajtje

    Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit.

    Në Prishtinë, djali dyshohet se e ka kanosur nënën e tij.

    “DHUNË NË FAMILJE- Prishtinë / 26.10.2024 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje me viktimën-nënën e tij kosovare, të njëjtën e ka kanosur. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari është dërguar për trajtim e shërim të mëtutjeshëm.”

    Edhe në Klinë, një djalë e ka kanosur nënën e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes.

    “DHUNË NË FAMILJE- Klinë / 24.10.2024 – 19:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti për shkak të një mosmarrëveshje ka kanosur e fyer viktimën kosovare-nënën e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

    Ndërkaq në Istof një person është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.

    “Istog / 26.10.2024 – 21:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti në gjendje të dehur, e ka fyer e ofenduar dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës-bashkëshortes së tij kosovare duke e goditur me grushte, ndërsa djali i tyre ka ndërhy për t’i larguar, por i dyshuari duke i kërcënuar të dy i kishte larguar nga shtëpia. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

  • Kamioni godet stacionin e autobusëve në Izrael, dhjetëra të lënduar

    Kamioni godet stacionin e autobusëve në Izrael, dhjetëra të lënduar

    Dhjetëra persona raportohet të jenë lënduar pasi një kamion goditi një stacion autobusi pranë një baze ushtarake izraelite në atë që dyshohet të jetë një sulm i qëllimshëm.

    Të paktën gjashtë persona janë në gjendje të rëndë dhe të tjerë mbeten të bllokuar nën rrënojat në vendin e ngjarjes në Glilot, në veri të Tel Avivit.

    Policia thotë se rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim.

    Por raportet lokale thonë se civilë të armatosur në zonë qëlluan dhe “neutralizuan” shoferin e kamionit pasi ai u përplas qëllimisht në njerëz, raporton BBC.

    Kanalet televizive izraelite treguan se policia kishte rrethuar zonën ndërsa personeli i urgjencës ndihmoi të plagosurit dhe një helikopter fluturoi sipër.

  • Sot derbi mes Arsenalit dhe Liverpulit, formacionet e mundshme

    Sot derbi mes Arsenalit dhe Liverpulit, formacionet e mundshme

    Sot zhvillohet një nga derbit më të zjarrtë në Premierligë.

    Arsenali do të jetë nikoqire e Liverpulit, ndeshje e cila zhvillohet në ”Emirates Stadium”, më fillim nga ora 17:00.

    Liverpul aktualisht është në vendin e dytë me 21 pikë, dy më pak se Manchester City, ndërsa Arsenali është e katërta me 17 pikë.

    Skuadrat kanë bërë përgatitjet finale, dersia këto pritet të jenë formacionet e mundshme.

    Arsenal: Raya; Timber, White, Gabriel, Zinchenko; Merino, Partey, Rice; Saka, Havertz, Martinelli.

    Liverpool: Kelleher; Alexander-Arnold, Konate, Van Dijk, Robertson; Mac Allister, Gravenberch; Salah, Szoboszlai, Diaz; Nunez.

  • Mbërrin sot anija me mbetje të rrezikshme, protestë në Portin e Durrësit

    Mbërrin sot anija me mbetje të rrezikshme, protestë në Portin e Durrësit

    Një grup aktivistësh të shoqërisë civile me mbështetjen edhe të Partisë Demokratike po protestojnë kundër rikthimit të lëndëve toksike në Portin e Durrësit. Në një deklaratë për mediat ambientalisti Sazan Guri dhe se këto mbetje të cilat po kthehen sërish në Shqipëri, nuk janë toksike apo industriale, por janë shumë të rrezikshme, raporton A2.

    “Vapori i madh po kthehet me mbetje që në dukjen e parë ishin mbetje industriale, që mund të përdoreshin për qëllime të tjera. Por tani fakti që këto mbetje bënë një transport dhe ndaluan dhe u gjurmuan nga ambientalistët dhe u cilësuan si të papranueshme për destinacionin që kishin Tajlandën unë dyshoj që kemi të bëjmë me mbetje as toksike dhe as industriale, por shumë të rrezikshme”, u shpreh Guri.

    Në një njoftim të mëhershëm Partia Demokratike tha se protesta e sotme kundër mbetjeve të rrezikshme “synon sensibilizimin e opinionit publik dhe sigurimin e një procesi transparent për mbetjet e rrezikshme që kërcënojnë jetën dhe mjedisin tonë”.

    Alarmi për tranportine mbetjeve toksike, ndezi debatin mes opozitës dhe qeverisë, ndërsa A2 raporton se Prokuroria e Durrësit nisi në 21 gusht hetimet mbi çështjen e transportit të dhjetëra kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se kanë dalë nga territori shqiptar drejt Tajlandës.

    Prokuroria njoftoi se hetimet kanë nisur për tri akuza, “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Shpërdorimi i detyrës” e “Transportimi i mbetjeve”.

  • Mesazhi i Ramës në New York: Të shtyjmë Shqipërinë në kilometrin e fundit drejt BE-së

    Mesazhi i Ramës në New York: Të shtyjmë Shqipërinë në kilometrin e fundit drejt BE-së

    Kryeministri shqiptar dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale një përmbledhje nga fjalimi i një dite më parë në Neë York, ku kërkoi votën e diasporës.

    Duke shprehur ambicien që Shqipëria të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030, Rama kërkoi mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët pritet të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

    “Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm, por është akoma një progres në rrezik, nëse të gjithë së bashku nuk e shtyjmë përpara në këtë kilometër të fundit për ta bërë atë anëtare në Bashkimin Europian.
    Një nga arsyet e suksesit tuaj mesa kam kuptuar unë, është që shqiptarët këtu kanë ndihmuar shqiptarët, që kush ka ardhur para, kanë ndihmuar ata që kanë ardhur më pas”.

    “Dhe prandaj diaspora sot, shqiptarët jashtë atdheut sot duhet të luajnë për Shqipërinë atë rol që kanë luajtur për shqiptarët këtu dhe duhet të bëhen garantë me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje që Shqipëria nuk kthehet më mbrapa. Prandaj kam ardhur këtu, për t’ju kërkuar që ta vazhdojmë dhe ta përmbushim së bashku këtë mision të nisur një dekadë më parë, për ta ngjitur Shqipërinë në majën e 2030, duke e bërë të pakthyeshme rrugën e Europës dhe duke e bërë për shtetin tonë, flamurin tonë, atë që çdo shqiptar si ju, në Amerikë apo Europë ka bërë për veten e vetë, për familjen e vetë, për të ardhmen e fëmijëve të vetë, duke u bërë pjesë krenare, e pandashme e bashkësisë, që sot jeton dhe punon këtu në Amerikë apo matanë oqeanit, në Europë“, u shpreh ai, shkruan Tch.

  • SPAK zbardh transaksionet, trajtimet mjekësore të familjes Meta në Austri kushtuan 18 mijë euro

    SPAK zbardh transaksionet, trajtimet mjekësore të familjes Meta në Austri kushtuan 18 mijë euro

    Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion listohen trajtimet mjekësore të ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit, në Austri.

    Sipas SPAK, ndërhyrjet me kosto të larta, ata nuk i kanë deklaruar.

    Pjesë nga dosja hetimore:

    Hetimet në lidhje me veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dite nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Në funksion të hetimit lidhur me objektin e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri dhe shtetasit Idajet Beqiri, u bë verifikimi i pretendimeve të kallëzuesve, se këta shtetas kanë fshehur shpenzimet lidhur me trajtimet mjekësore dhe estetike që kanë kryer në klinika jashtë vendit dhe konkretisht: SIGUR

    Në përgjigje të letërporosisë, me shkresën nr. Ref: 2022-0.899.988 datë 15 Dhjetor 2022, Prokuroria Vjenës ka përcjellë dokumentacion me të dhënat si vijon:

    Në bisedën e datës 9 Nëntor 2014 që Monika Kryemadhi ka zhvilluar me Mirza Alibegajn nëpërmjet aplikacionit Whatsapp, i kërkon Mirzës që të presë biletën e avionit për Ilir Metën vajte për ditën e martë që nga verifikimi në kalendar është data 11 Nëntor 2014 dhe kthimi në datën 16 Nëntor 2014. Monika Kryemadhi ka shkruajtur “Po bëja edhe Ilirit me linjën tuaj… Edhe vajtjen të martën në drekë në orën 3…. Beja ti te gjithën aty ku e ke bere ti qe te jeni bashke”. Mirza ka bërë blerjen e biletës për Ilir Metaj dhe i ka dërguar Monikës foton e biletës duke i shkruajtur “bileta u mbyll”. Bileta është blerë në agjencinë Odisea Travel & Tours.

    Nga këqyrja e sistemit TIMS për hyrjet dhe daljet e Ilir Metës dhe Mirza Alibegaj rezultoi se Iliri ka dalë nga Shqipëria në datën 11 Nëntor 2014, duke udhëtuar me linjën Austrian Airlines, dhe është kthyer në datën 16 Nëntor 2014 me Austrian Airlines. Mirza Alibegaj ka dalë në datën 09 Nëntor 2014 dhe ka hyrë në Shqipëri në datën 16 Nëntor 2014, duke udhëtuar me të njëjtën linjë Austrian Airlines.

    Me shkresën Nr. 3143 Prot. datë 10 Tetor 2022 i është kërkuar autoriteteve gjyqësore- austriake, të dhënat dhe dokumentacionin shëndetësor që lidhet me pacientët Ilir Metaj (Meta), Monika Kryemadhi, Bora Metaj, Besar Metaj dhe Era Metaj, të dhënat për dokumentacionin financiar duke përfshirë fatura shpenzimi, mandate arkëtimi, mandate bankare, identifikim të numrave të llogarive bankare nga ku janë bërë transfertat, informacion mbi mbajtësin e llogarive bankare, etj. Këto të dhëna u kërkuan të merren pranë klinikës private “Golldenes Kreuz”dhe në spitalin shtetëror të Vjenës.

    Nga verifikimi i llogarive bankare që Monika Kryemadhi ka në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, nuk rezulton asnjë pagesë në vlerën 7.984 Euro në vitin 2014. Iu kërkua autoriteteve gjyqësore te Republikës së Austrisë informacion mbi shpenzimet financiare te kryer në qendrën (llixhën) Lanserhof nga Monika Kryemadhi, Ilir Metaj etj. gjatë periudhës 21 Mars 2013-16 Maj 2013, ndërkohë që një pjesë e shpenzimeve me shumë mbi 300 mijë lekë duhet të deklaroheshin si zë më vete.

    Nga këqyrja e aktit të ekspertimit Nr. 260, datë 21 Dhjetor 2013, rezultoi se në 6 Tetor 2014, zyra e rezervimit të qendrës Lanserhof i ka kërkuar Monika Kryemadhit nëpërmjet email- it, që të bëjë parapagim për rezervimin dhe bashkëlidhur email-it i ka dërguar të dhëna për llogarinë bankare të Lanserhof. Këto të dhëna, Monika Kryemadhi po atë ditë ia ka dërguar Mirza Alibegaj në adresën mirza.alibegaj@ lespot.al. Në datën 27 Tetor 2014, në bisedën e zhvilluar midis Monika Kryemadhit dhe Mirza Alibegaj, Monika i ka dërguar Mirzës email-in që Bianca Bücher nga qendra e trajtimit mjekësor Lanserhof i ka dërguar, ku ndër të tjera i shkruan: – E dashur Monika, konfirmojmë marrjen prej llogarisë tënde bankare të shumës prej 7,984 Euro për katër persona ku ju keni rezervuar dy javë nga 2 Nëntor deri në 16 Nëntor dhe tre personat e tjerë nga data 9 Nëntor deri në 16 Nëntor.

    Nga bisedat e zhvilluara nga Monika Kryemadhi si dhe nga fotot e dërguara tek Thodhori Çami, rezulton se Monika ka kryer trajtime mjekësore në Lanserhof prej datës 02 Nëntor 2014 deri në 16 Nëntor 2014. Në emailin e datës 06 Tetor 2014, që Monika Kryemadhi i ka dërguar Reservierung Lans, nga ku rezulton se Monika Kryemadhi do të qëndrojë 2 javë në Lanserhof, Ilir Metaj do të qëndronte 1 javë, Theodhori Çami do të qëndronte 1 javë dhe Mirza Alibegaj do të qëndronte 1 javë.

    Pacienti Bora Metaj… ka paguar cash në datën 22 Mars 2013, shumën prej 8.114 Euro nga të cilat 6.000 Euro parapagim.

    Pacienti Ilir Metaj me nr. pacienti 1061023, ka qenë i shtruar në klinikën Konfraternitat nga data 21 Mars 2013 deri në datën 25 Mars 2013 dhe për trajtimin mjekësor që ka marrë, ka paguar cash në datën 22 Mars 2013, shumën prej 7.341 Euro nga të cilat 6.000 Euro parapagim.

    Pacienti Monika Kryemadhi me nr. pacienti 1061070, ka qenë e shtruar në klinikën Konfraternitat nga data 22 Mars 2013 deri në datën 22 Mars 2013, dhe për trajtimin mjekësor që ka marrë, ka paguar shumën prej 1.474 Euro. Pagesa nuk jep detaje për mënyrën se si është kryer.

    Pacienti Monika Kryemadhi me nr. pacienti 1061070, ka qenë e shtruar në klinikën Konfraternitat nga data 16 Maj 2013 deri në datën 16 Maj 2013 dhe për trajtimin mjekësor që ka marrë, ka paguar cash në datën 16 Maj 2013, shumën prej 500 Euro. Pagesa është bërë me karte krediti Maestro A 000000004306 me nr. xXXX XXXX XXXX xxx2 288 001 121, SVC201 (1), IIN 67027.

    Nga shqyrtimi i deklaratave periodike/vjetore të shtetasve Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi për vitin 2013 rezulton se janë deklaruar pakësim i gjendjes cash me 10.000 Euro dhe pakësim i gjendjes së llogarisë së pagës në vlerën 243.000 lekë. Në rubrikën shpenzime të deklarueshme nuk kanë deklaruar shpenzime mjekësore në vlerën 17.429 Euro të shpenzuara

    Në përgjigje të letërporosisë është informuar se për periudhën 28 Korrik 2013 -15 Tetor 2023, Ilir Metaj, Monika Kryemadhi dhe Bora Metaj kanë qëndruar në Lanserhof gjithsej 8 (tetë) herë. Sipas dokumenteve të qëndrimit, pagesave për rezervim dhe pagesave për trajtimin, rezultoi se këta shtetas kanë shpenzuar për qëndrimin e tyre në këtë resort, shumën prej 98.677 Euro e ndarë sipas viteve si më poshtë:

    1. Monika Kryemadhi ka qëndruar në Lanserhof nga data 28 Korrik 2013 deri në datën 04 Gusht 2013, në dhomën nr. 62, ka paguar gjithsej 7.258 Euro nga të cilat 4.000 Euro me transfertë bankare të datës 18 Korrik 2013 (llog. 119835 e Monikes) dhe shumën 3.258 Euro me para në dorë.

    2. Monika Kryemadhi ka qëndruar në Lanserhof nga data 2 Nëntor 2014 deri në datën 16 Nëntor 2014, në dhomën nr. 91 dhe në datën 15 Nëntor 2014 ka paguar gjithsej 10.375 Euro me para në dorë. Ilir Metaj ka qëndruar në Lanserhof prej datës 9 Nëntor 2014 deri në datën 16 Nëntor 2014, në dhomën 91, ka paguar shumën 7.984 Euro me transfertë bankare të paguara nga Mirza Alibegaj në datën 16 Tetor 2014, në drejtim të llogarisë Nr. AT773600000001042399. (Nga këqyrja e datës 12 Shkurt 2024, që iu bë transfertave bankare të kryera nga klientë të Credins Bank, rezulton se në datën 15 Tetor 2014, Mirza Alibegaj mbajtëse e llogarisë nr. 622064 ka urdhëruar transferimin e shumës 8.000 Euro në drejtim të llogarisë Nr. AT773600000001042399, Lanserhof).

    3. Monika Kryemadhi ka qëndruar në Lanserhof nga data 26 Korrik 2015 deri në datën 08 Gusht 2015, në dhomën nr. 23 dhe në datën 7 Gusht 2015 ka paguar gjithsej 13.244 Euro, nga të cilat 6.000 Euro jane paguar me transfertë bankare nga Fatime Kryemadhi (Ilog. 624312 Fatime) dhe 7.244 Euro me para në dorë. Bora Metaj ka qëndruar në Lanserhof nga à data 26 Korrik 2015 deri në datën 02 Gusht 2015, në dhomën nr. 23, dhe në datën 1 Gusht 2015 ka paguar 3.509 Euro, me para në dorë. Ilir Metaj ka qëndruar në Lanserhof nga data 02 Gusht 2015 deri në datën 08 Gusht 2015, në dhomën nr. 23 dhe në datën 7 Gusht 2015 ka paguar gjithsej 4.359 Euro, me para në dorë.

    4. Monika Kryemadhi ka qëndruar në Lanserhof nga data 11 Janar 2017 deri në datën 21 Janar 2017, në dhomën nr. 342 dhe ka paguar gjithsej 13.133 Euro, nga të cilat 1.250 Euro janë paguar në datën 28 Dhjetor 2016 me transfertë bankare nga Monika (Ilog. 119835 e Monikes) dhe 10.238 Euro janë paguar në datën 19 Janar 2017, me para në dorë.

    5. Monika Kryemadhi ka qëndruar në Lanserhof nga data 15 Tetor 2023 deri në datën 27 Tetor 2023, në dhomën nr. 84 dhe ka paguar gjithsej 19.881 Euro, me transfertë bankare. Ilir Metaj ka qëndruar në Lanserhof nga data 15 Tetor 2023 deri në datën 27 Tetor 2023, në dhomën nr. 84 dhe ka paguar gjithsej 18.934 Euro, me transfertë bankare nga karta Visa. Top Channel

  • Aksident me fatalitet në Malishevë, vetura godet një person që ishte në karrocë

    Aksident me fatalitet në Malishevë, vetura godet një person që ishte në karrocë

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur në Banjë të Malishevës, ku një veturë ka goditur karrocën e invalidit, ku për pasojë ka humbur jetën viktima mashkull kosovar.

    Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 16:50 dhe se është arrestuar shoferi i veturës.

    “Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet se ka goditur karrocën e invalidit me të cilën ishte duke lëvizur në rrugë me zhavorr viktima mashkull kosovar. Si pasojë viktima dyshohet se ka mbetur pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti në proces hetimor.