ATV

Author: ATVLive

  • Von Cramon: Nuk duhet të lejojmë një përfaqësues të Putinit të flasë për BE-në

    Von Cramon: Nuk duhet të lejojmë një përfaqësues të Putinit të flasë për BE-në

    Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon duke komentuar zgjedhjet në Gjeorgji, ku partia në pushtet “Ëndrra gjeorgjiane” mori 55% të votave nga pothuajse 100% të votave të numëruara.

    Ajo ka thënë se Orban nuk lejohet të veprojë në emër të shteteve të tjera anëtare të BE-së në Gjeorgji.

    “A e ka bërë dikush diku të qartë këtë publikisht?”, ka shkruar ajo në X.

    Viola von Cramon në reagimin e parë e ka quajtur “shaka” dhe “jashtë realitetit” deklaratën e shefit të BE-së Josep Borrell dhe Komisionit Evropian mbi zgjedhjet në Gjeorgji, ku partia në pushtet “Ëndrra gjeorgjiane” mori 55% të votave nga pothuajse 100% të votave të numëruara.

    Von Cramon në një postim në X tha se deklarata e përbashkët e lëshuar sot për media nga shefi i BE-së dhe KE-ja, nuk ka të bëjë me realitetin dhe nuk është e dobishme për popullin e Gjeorgjisë.

    Ajo ka akuzuar BE-në se me qëndrimin e tij se zgjedhjet kishin qenë mirë të organizuara, tradhton demokracinë, shtetin ligjor dhe besimin ndaj vetë Bashkimit Evropian.

    “Ne nuk mund t’i njohim ato zgjedhje. Kjo duhet të ketë qenë fjalia e parë!”, shkruan raportuesja von Cramon.

    Në deklaratën e përbashkët e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell dhe Komisionit Evropian për zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji thuhet se ato ishin të rregullta dhe mirë të organizuara.

    “Sipas gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të udhëhequr nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), “dita e zgjedhjeve në përgjithësi ishte proceduralisht e mirorganizuar dhe e administruar në mënyrë të rregullt, por e karakterizuar nga një mjedis i tensionuar, me kompromise të shpeshta në fshehtësinë e votës dhe disa mospërputhje procedurale, si dhe raporte për frikësim dhe presion mbi votuesit që ndikuan negativisht në besimin e publikut në proces. Raportet për presion mbi votuesit, veçanërisht mbi punonjësit e sektorit publik, mbetën të përhapura gjatë fushatës. Kjo, së bashku me gjurmimin e gjerë të votuesve në ditën e zgjedhjeve, ngriti shqetësime në lidhje me aftësinë e disa votuesve për të votuar pa frikën e ndëshkimit,” thuhet në deklaratë.

    Për më tepër, vëzhguesit e zgjedhjeve raportojnë një fushë loje të pabarabartë, një fushatë përçarëse në atmosferë të polarizuar dhe shqetësime të rëndësishme mbi ndikimin e ndryshimeve të fundit legjislative në këtë proces zgjedhor.

    Në deklaratën e përbashkët i bëhet thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Gjeorgjisë dhe autoriteteve të tjera përkatëse që të përmbushin detyrën e tyre për të hetuar dhe gjykuar me shpejtësi, transparente dhe në mënyrë të pavarur parregullsitë zgjedhore dhe pretendimet për to.

  • ​388 vjet nga themelimi i Universitetit Harvard

    ​388 vjet nga themelimi i Universitetit Harvard

    Universiteti i Harvardit njihet si një ndër universitetet më prestigjioze në botë, e pikërisht sot, ky universitet shënon 388-vjetorin e themelimit.

    I themeluar para gati afro katër shekujsh në Kembrixh, Harvardi është institucioni i parë amerikan i arsimit të lartë, që u themelua nga teologu protestant John Harvard.

    Meqë themeluesi ishte teolog, në fillim qëllimi i këtij institucioni ishte edukimi dhe arsimimi i klerikëve. Në fillim ky institucion arsimor mbante emrin Kolegj, por në vitin 1639 e mori emrin Harvard, në nderim të themeluesit të tij i cili një pjesë të pasurisë dhe bibliotekën e tij të pasur ia fali këtij universiteti.

    Kurse në vitin 1879 u themelua edhe kolegji për vajza, që u quajt edhe si “Ankes i Harvardit”.

    E ndër shqiptarët e parë që studiuan në Harvard, konsiderohen të jenë Fan Noli e Kostandin Tashko.

    Ndërsa sot, në këtë universitet studiojnë mijëra studentë nga e gjithë bota në studimet themelore, master e doktoratë. Aktualisht, Harvardi bën pjesë në një nga tetë universitetet prestigjioze të Ivy Leauge. /KP/

  • Nëntë ditë nga zgjedhjet: Trump tubim në Manhatan, Harris në Filadelfia

    Nëntë ditë nga zgjedhjet: Trump tubim në Manhatan, Harris në Filadelfia

    Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump ka mbajtur një tubim në kompleksin shumë-funksional “Madison Square Garden” të Nju Jorkut, një aktivitet i rëndësishëm në një shtet që për herë të fundit ka mbështetur një president republikan në 1984.

    Kurse kundërshtarja e tij, nënpresidentja Kamala Harris ndodhet në Filadelfia, qyteti më i madh i Pensilvanisë dhe një bastion i demokratëve që ata duan ta fitojnë me patjetër.

    Duke folur në Kishën e Dhembshurisë së Krishterë të dielën në mëngjes, Harris nuk e përmendi Trumpin me emër por tha se: “Në këtë moment ne përballemi me një pyetje reale: Në çfarë lloj vendi duam të jetojmë?”.

    Në Manhatan të Nju Jorkut, Trump do të mbështesë kandidatët lokalë për kongresin.

    Trump, një personazh i famshëm i Nju Jorkut për dekada, do të përdorë aktivitetin që mbahet në vendin ikonik, të njohur për ndeshjet e basketbollit të skuadrës së “Knicks-ve” dhe koncertet e Billy Joel, për të theksuar se pse republikanët duhet të fitojnë zgjedhjet.

    Sondazhet tregojnë se Trump dhe Harris janë kokë më kokë në shtetet e fushëbetejës, pak më shumë se një javë deri në ditën e zgjedhjeve, më 5 nëntor.

  • Kryeministri Kurti uron fituesit e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës: Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës

    Kryeministri Kurti uron fituesit e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës: Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës

    Kryeministri Albin Kurti, e ka triumfuesin Endrit Krasniqi, si dhe të gjithë fituesit tjerë të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK.

    Kryeministri Kurti duke falënderuar edhe jurinë profesionale ka thënë se ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës.

    Postimi i plotë:

    Në popull thuhet se çdo i dyti person në Kosovë dëshiron të bëhet këngëtar, dhe ashtu është, sepse Kosovës i këndon zemra! Urime për një tjetër edicion impozant të Festivalit të Këngës në RTK, i cili po vazhdon traditën e nisur nga “Akordet e Kosovës” në shekullin e 20-të, tani me një format të ri dhe energji të re. Përgëzime për Endrit Krasniqin, fituesin e trofeut “Diamanti Blu” me këngën “Flas me gjethen,” dhe suksese të mëtejshme për Greta Azizin, që fitoi çmimin e dytë me “Verës,” dhe Dea Stricën me çmimin e tretë për “N’Shqipni.”

    Po ashtu, suksese për Besmir Shishkon, që mori çmimin e Pallatit të Rinisë dhe të kryeqytetit me “Unë ajo,” dhe Arnitë Kastratin, fituesen e çmimit të orkestrës për “Blla blla.” Një falënderim për Orkestrën e Festivalit dhe jurinë e respektuar – Minire Fetahun, Jane Sugarman, Ardianë Pajazitin, Valbona Selimllarin dhe Blerta Zeqirin – për vlerësimin dhe përkushtimin e tyre. Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës!

  • Largimet nga VV-ja rrezikojnë shumicën parlamentare: Sfida të reja për Qeverinë Kurti në Kuvend

    Largimet nga VV-ja rrezikojnë shumicën parlamentare: Sfida të reja për Qeverinë Kurti në Kuvend

    Ndonëse brenda Kuvendit iu kanë mbetur 53 deputetë, nga Lëvizja Vetëvendosja këmbëngulin se akoma e kanë shumicën brenda Kuvendit, por që kohët e fundit thonë se kanë pasur problem me kuorumin për shkak të angazhimeve që deputetët kanë jashtë vendit.

    Në listën prej 120 emrave, çdo i dyti kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje është bërë deputet, statistikë e pa arritur në historinë e Kosovës.

    Gati katër vjet pas, gjërat kanë ndryshuar. Drita Millaku, Eman Rrahmani, Visar Korenica, Doarsa Kica-Xhelili, Haki Abazi e Fatmir Humolli janë 6 deputetë të larguar, duke e lënë Vetëvendosjen me 53 deputetë në Kuvend.

    Krahas largimeve janë shtuar edhe rastet kur kryeparlamentari Kojnufca i fton deputetët të shpërndahen me këtë fjali.

    Megjithatë deputetë të partisë në qeverisje insistojnë se akoma e kanë shumicën në parlament, por duke llogaritur edhe në mbështetjen e deputetëve nga komunitetet.

    Deputetja Fitore Pacolli thotë se kohëve të fundit problem kanë qenë angazhimet e deputetëve jashtë shtetit.

    “Ne po bëjmë përpjekje që ditëve në vijim të mbajmë një mbledhje të Kuvendit ku do të kemi shumicën e deputetëve, të kalojmë të gjitha ligjet që i kemi në rend të ditës, dhe pastaj do të përgatitemi për ligjet e tjera”, ka thënë për Tv Dukagjinin Fitore Pacolli – deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Me arsyetimin e Pacollit nuk pajtohet, Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    “Po shihet që edhe kjo javë tashmë është me mungesë të seancës që ne besojmë për shkak të mungesës së votave, në seancë plenare nuk do të ketë një seancë të tillë”, ka thënë Naim Jakaj – hulumtues i lartë në IKD.

    Çështje tjetër në të cilën Pacolli llogaritë në ndihëmn e të tjerëve është votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo thotë se llogarisin në vullnetin e opozitës e cila sipas saj duhet ta ndjekë shembullin e Vetëvendosjes sa ishte në opozitë.

    “Është e turpshme të arrijmë një marrëveshje ndërkombëtare me një shtet evropian dhe pastaj të mos arrijmë ta kalojmë në Kuvend, për shkak të inateve që mbanë opozita, me neve”, ka thënë Fitore Pacolli – deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Optimizmin, Pacolli e përforcon edhe për votimin e buxhetit për vitin 2024, i cili pret të votohet pa asnjë problem. E për këtë sfidë Jakaj, çelësin e suksesit thotë se e ka opozita në duar.

    “Shumica parlamentare ka përdorur arrogancën në vitet e kaluara, në ndërkohë tashmë këtë vit do të jetë përballë një sfidë për të cilën besojmë që tashmë do të kërkojë edhe votën e opozitës, por për ta kërkuar votën e opozitës, një shumicë parlamentare e tillë siç është e Lëvizjes Vetëvendosje, që për pak numra nuk do të mund ta kalojë projektligjin, atëherë do të duhej që të dialogojë dhe të komunikojë e të negocioj në mënyrë transparente që një projektligj të kalojë me kushtëzimin që ndoshta opozitës t’i miratohet ndonjë projektligj tjetër”, ka thënë Naim Jakaj – hulumtues i lartë në IKD.

    Sipas të dhënave të IKD-së, Qeveria e ka realizuar vetëm 29% të projektligjeve të planifikuar për këtë vit, nga 119 janë miratuar 35 projektligje.

  • Vitet kur ndaloheshin pijet alkoolike në SHBA

    Vitet kur ndaloheshin pijet alkoolike në SHBA

    Më 28 tetor 1919, presidenti Woodrow Wilson, i vuri veton projektligjit Volkstead, që kërkonte ndalimin me ligj në Shtetet e Bashkuara të pijeve alkoolike.

    Presidenti Wilson i vuri veton këtij projektligji sepse mendonte që amerikanët nuk favorizonin Amendamentin e 18-të, i cili ndalonte pijet alkoolike. Por Dhoma e Përfaqësuesve e rrëzoi veton presidenciale brenda dy orësh. Të njëjtën gjë bëri të nesërmen edhe Senati. Ligji Volkstead jepte përkufizime dhe caktonte gjoba për shkeljen e Amendamentit të 18-të të Kushtetutës, që ndalonte prodhimin, shitjen apo transportimin e pijeve alkoolike në Shtetet e Bashkuara.
    Ligji Volkstead përcaktonte si pije alkoolike ato që përmbanin më shumë se 5 për mijë alkool për njësi volumi. Ata që kundërshtonin ndalimin e pijeve alkoolike vinin në dukje efektin demoralizues të ligjit, të cilin e shkelnin rregullisht qytetarë të nderuar.

    Ata thanë se tregtia shumë fitimprurëse e pijeve të paligjshme ushqente rritjen e krimit të organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve publikë. Më 5 dhjetor 1933 u ratifikua amendamenti i 21-të i kushtetutës, i cili zhvlerësonte Amendamentin e 18-të dhe i bënte përsëri të ligjshme pijet alkoolike në Shtetet e Bashkuara.

  • Drejtori i Emergjencës: Një i lënduar nga arma e ftohtë po trajtohet, ka gjendje stabile

    Drejtori i Emergjencës: Një i lënduar nga arma e ftohtë po trajtohet, ka gjendje stabile

    Dyshohet se një person ka mbetur i vdekur pasi është therur me thikë disa herë afër stacionit të trenit në Prishtinë.

    Raportohet se personi që theri vëllanë në Prishtinë, është duke u trajtuar në QKUK.

    Në lidhje me këtë ngjarje ka dhënë detaje Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla,ku njoftoi se gjendja e tij aktualisht është stabile.

    “Një i lënduar me armë të ftohtë është duke u trajtuar në Qendrën Emergjente, për momentin janë duke iu kryer ekzaminimet e duhura. Gjendja është stabile”, është shprehur ai.

  • Dinari vazhdon kundërligjshëm të qarkullojë në komunat në veri të vendit

    Dinari vazhdon kundërligjshëm të qarkullojë në komunat në veri të vendit

    Dinari po vazhdon edhe më tej të qarkullojë lirshëm në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

    Ndonëse përdorimi i kësaj valute është i kundërligjshëm, në veri të vendit pagesat po kryhen edhe me dinarë. Kjo po ndodh, pavarësisht faktit se Banka Qendrore e Kosovës në muajin maj e kishte përmbyllur periudhën tremujore transitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme.

    Kundërligjshëm dinari po vazhdon të qarkullojë në komunat në veri të vendit.

    Për t’u siguruar se pagesat po kryhen në dinar, RTK ka provuar në disa dyqane në veri të vendit që të kryej pagesa me këtë valutë. Shitësit nuk kanë hezituar që të pranojnë dinar e as që kthimin e parave ta bëjnë në këtë valutë.

    “Unë dinarin më së shumti e përdori edhe pse pensionin e Kosovës e marrë në euro, tani na kanë rritur pak, 120 euro”, tha në qytetar.

    Disa banorë të tjerë hezituan të flisnin. Ndërsa, pati edhe prej atyre që u ankuan se po detyrohen që të shkojnë në Rashkë për t’i marrë pensionet.

    Përveç komunave veriore, dinari po qarkullon lirshëm edhe në Graçanicë.

  • Në këto vende është kategorikisht e ndaluar të festosh Halloween

    Në këto vende është kategorikisht e ndaluar të festosh Halloween

    Halloween është një fjalë që vjen nga Mbretëria e Bashkuar. I referohet shprehjes “All Hallows’ Eve” ose “All Saints’ Eve”, të cilën tradita katolike e feston më 1 Nëntor, Ditën e të Gjithë Shenjtorëve, si një nderim për familjen dhe miqtë që nuk janë më me ne, shkruan A2 CNN.

    Me globalizimin, ky emër është transformuar për të marrë formën e tij aktuale, që njihet në mbarë botën në një mënyrë të thjeshtë, Halloween. Kjo festë shenjon fundin e sezonit të korrjes dhe fillimin e dimrit.

    Nata e 31 tetorit ka filluar të konsiderohet një festë me kostume jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rritur. Korrja është diçka që nuk festohet më si më parë, puna në fusha është gjithnjë e më e largët nga realiteti i pothuajse të gjithëve.

    Por, ka disa vende që nuk e lejojnë këtë festë. Që nga viti 2011, festa e Halloween-it është ndaluar plotësisht në Uzbekistan me një dekret presidencial për arsye fetare, pasi në atë shtet thonë se kjo traditë lartëson djallin dhe konsiderohet një festë ideologjikisht e pasaktë.

    Ka edhe një rajon në Francë ku edhe është i ndaluar Halloween, por vetëm pjesërisht. Në Vendargues nuk lejohet të veshësh një kostum kllouni. E gjitha është për shkak të një vale krimesh që përdorën këtë maskim për të sulmuar qytetarët.

    Në Kinë, Halloween-i ndalohet vetëm në metro. Atje nuk mund të vishet një kostum në metronë e Pekinit. Arsyeja është se grimi ose veshja e frikshme mund të krijojë panik tek njerëzit dhe të shkaktojë trazira.

    Në Japoni, edhe pse Halloween-i ka fituar njëfarë popullariteti në këtë vend vitet e fundit, veçanërisht në qytetet e mëdha si Tokio, nuk është një festë tradicionale dhe nuk festohet gjerësisht. E njëjta gjë ndodh në Korenë e Jugut, Izrael, Letoni, Kroaci, Rusi apo Egjipt. Për arsye fetare është e ndaluar në Marok, Arabinë Saudite, Iran, Papua Guinenë e Re dhe Samoa.

  • Rënie e inkasimit të të hyrave të KPMM-së

    Rënie e inkasimit të të hyrave të KPMM-së

    Shuma që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, inkasoi nga janari deri në shtator, kap një vlerë prej më shumë se 21.2 milionë eurosh.

    KPMM planifikon që deri në fund të vitit, të gjeneroj 29.5 milionë euro, në total.

    Renta minerare që paguajnë kompanitë e licencuara në Kosovë, është burimi kryesor i të hyrave, për rregullatorin e sektorit minerar.

    Prej kësaj pagese, KPMM inkasoi rreth 20.5 milionë euro, për nëntë muaj.

    ATV ka siguruar qasje në raportet vjetore, jo-publike për vitet 2022 dhe 2023, derisa ka vërejtur se të hyrat e gjeneruara nga renta minerare, kanë trend të rënies.

    Në vitin 2022, rregullatori inkasoi afro 29.9 milionë euro, pikërisht nga pagesat e rentës.

    Në vitin pasues, KPMM fitoi më shumë se 26.7 milionë euro, prej kësaj kategorie.

    Prej fundit të vitit 2022 deri në maj të këtij viti, KPMM e pati të pamundur shqyrtimin e aplikimeve të kompanive për licencë, meqë nuk kishte bord aktiv.

    Daut Fazlija, është në pritje të shqyrtimit të aplikimit për licencë për kompaninë e tij, që nga marsi i vitit 2022. Në baza vjetore, ai pagoi 150 mijë euro për rentë minerare.

    “Për rentë minerare kemi paguar 150 mijë euro në vit, vetëm rentë, më pas edhe TVSH-ja është e trefishuar”, tha Fazlija.

    Burime brenda KPMM-së i thanë ATV-së, se edhe me zgjedhjen e bordit të ri të përbërë nga tre anëtarë, qindra aplikacione kanë mbetur pa u shqyrtuar.

    Sipas ligjit për Miniera dhe Minerale, kompanive nuk iu lejohet operimi pa licencë dhe rrjedhimisht kur nuk ka eksploatim, nuk ka pagesë për rentë minerare.

    Ndërkaq, ndërmarrja “Trepça”, sipas raportit të KPMM-së, nuk paguan fare për rentë minerare dhe vazhdon të trajtohet me prioritet për tu pajisur me licencë. /atvlive.tv