ATV

Author: ATVLive

  • ​GLPS: Kosova s’ka arritur të shënojë ndonjë progres të theksueshëm në Raportin e Progresin

    ​GLPS: Kosova s’ka arritur të shënojë ndonjë progres të theksueshëm në Raportin e Progresin

    Kosova s’ka arritur të shënojë ndonjë progres të theksueshëm në Raportin e Progresit për vitin 2024, thonë në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Dy ditë pas publikimit të raportit për vendin nga Komisioni Evropian, në GLPS, thanë se në bazë të të gjeturave shihet se Kosova ka shënuar progres vetëm në dy kapituj dhe gjithsej katër fusha.

    Hulumtuesja në GLPS, Dea Fetiu, në konferencë për medie të premten, tha se Kosova ka shënuar progres në kapitullin 24, që ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë si dhe kapitulli 19 ku flitet për politikat sociale dhe punësimin.

    “Për vitin 2024, Raporti i Progresit shënon se Kosova s’ka arritur të shënojë ndonjë progres të mjaftueshëm dhe që do të konsiderohej si thelbësor për ecjen përpara në integrimin në BE. Po ashtu duhet të theksohet se ky është raport i parë që vjen për Kosovën, derisa Kosova është në masa të përkohshme nga BE-ja dhe kur ka marrëdhënie pak të tensionuar me këtë organizatë. Këtë vit, Kosova ka shënuar progres në gjithsej dy kapituj. Në kapitullin 24 që ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, si dhe kapitullin 19 për politikat sociale dhe punësimin. Po ashtu, Kosova ka shënuar progres të mirë në gjithsej katër fusha, përderisa njëfarë progresi është shënuar në 11 fusha, progres i limtuar në 17 fusha, ndërsa dy fusha kanë mbetur pa progres fare. Një e gjetur tjetër interesante është se 18 fusha në total nga 35 sosh janë vlerësuar si tërësisht të njëjta me vitin 2023”, tha ajo.

    Ajo përmendi edhe Ligjin për zyrtarët publik, që sipas saj është në kundërshtim me parimet e SIGMA-s dhe degradon funksionimin e shërbimit.

    “GLPS sheh se Ligji për zyrtarët publik është në kundërshtim me parimet e SIGM-s dhe degradon funksionimin e shërbimi civil në Kosovë. Ky ligj në mënyrën si është draftuar tani cenon thellë konkurrencën, e cila është shtylla kryesore e meritokraci dhe nuk ofron mundësi të qëndrueshme për zhvillim të karrierës…Në anën tjetër raporti vëren mungesën e emërimit të pozitave të larta menaxhuese dhe shpreh shqetësimin e tij për pozita të larta që udhëheqin me ushtrues detyre. GLPS ka vërejtur se 27 pozita të nivelit të lartë drejtues për momentin janë duke u ushtruar me ushtrues detyre”, shtoi ajo.

    Krahas këtyre, ajo shtoi nevojën për zbatim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./KP/

  • Kurti takohet me Parmelin: Në katër vitet e fundit, investimeve e huaja direkte nga Zvicra janë rritur për 170%

    Kurti takohet me Parmelin: Në katër vitet e fundit, investimeve e huaja direkte nga Zvicra janë rritur për 170%

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me Këshilltarin Federal të Zvicrës dhe Kryesuesin e Departamentit për Çështje Ekonomike të Arsimit dhe Hulumtimit, Guy Parmelin.

    Bëhet e ditur se Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës dhe theksoi rëndësinë e thellimit edhe më tej të marrëdhënieve mes dy vendeve, teksa tha se diaspora kosovare shërben si urë lidhëse dhe faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit të ngushtë mes Kosovës e Zvicrës.

    “ Shtoi se bashkëpunimi ynë ekonomik dhe tregtar po shtohet çdo vit, gjersa niveli i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte nga Zvicra në Kosovë në katër vitet e fundit është rritur për rreth 170%”.

    “Ndërkaq, nënvizoi edhe rritjen e eksporteve nga Kosova drejt Zvicrës, ku në të njëjtën periudhë kohore, eksportet janë gati dyfishuar dhe përfshijnë një shumëllojshmëri produktesh si metale, produkte minerale, ushqime, plastikë, gomë, makineri, pajisje, materiale elektrike dhe tekstile. Zvicra është tashmë destinacioni i pestë më i madh për mallrat e Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverise.

    Më tej, në takim bëhet e ditur se u theksua fakti që Kosova ka arritur Marrëveshje për Tregti të Lirë me vendet anëtare të EFTA-s, ku u tha se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me vendet e EFTA-s.

  • Haradinaj takon ambasadorin amerikan, konfirmon angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Haradinaj takon ambasadorin amerikan, konfirmon angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-E30, zhvilloi një takim me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë.

    Siç bën të ditur zyra për media e AAK-së, gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, me fokus të veçantë në përpjekjet për anëtarësim direkt në NATO.

    “Plani aksional për anëtarësim në NATO mbetet objektivi ynë strategjik, si perspektiva e vetme për të siguruar paqe dhe siguri afatgjatë për vendin dhe rajonin tonë,” deklaroi Haradinaj pas takimit.

    Gjatë bisedës, Haradinaj shprehu mirënjohje të thellë ndaj ambasadorit dhe Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. “E sigurova ambasadorin Hovenier se do të angazhohemi që aktivitetet tona politike të jenë të përqendruara në këtë synim të përbashkët,” shtoi kandidati për kryeministër, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë në rrugën drejt NATO-s.

  • Deklarohet fajtor i akuzuari se e kanosi gazetarin Vehbi Kajtazin duke i thënë se do të lyejë me benzinë

    Deklarohet fajtor i akuzuari se e kanosi gazetarin Vehbi Kajtazin duke i thënë se do të lyejë me benzinë

    I akuzuari Driton Dobruna është deklaruar të premten fajtor se ka kanosur gazetarin Vehbi Kajtazi.

    Në seancën e shqyrtimit fillestar, Dobruna e ka pranuar fajësinë se përmes mediave sociale e ka kanosur pronarin e portalit “Paparaci”.

    “Fajtor, po”, ka deklaruar Dobruna, të premten, në seancën ku ka marrë pjesë edhe i dëmtuari Kajtazi dhe prokurori Paulin Pashku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    I dëmtuari Kajtazi e ka mbështetur deklarimin e prokurorit të shtetit dhe ka kërkuar që me rastin e dënimit të jepet mësim gjithë atyre që kanë prirje t’i pengojnë e sulmojnë gazetarët.

    Kajtazi ka thënë se i akuzuari kishte planifikuar në detaje se si do ta kryente veprën penale.

    “Përgjatë këtyre 20 viteve si gazetar, kam marr kërcënime të ndryshme përfshirë edhe sulme fizike, por rrallëherë më ka rënë të lexoj diçka më trishtuese, më planifikuese në detaje se si dikush përgatitet për kryerjen e një vepre penale, mes tjerash, aty thotë se do ta shesë shtëpinë për ta kryer veprën penale, pra për të më djegur me benzinë”, ka thënë Kajtazi.

    “Ndërkohë, në llogarinë e tij në Fb, e ka shtëpinë në shitje, pra e ka deklaruar se po e shet shtëpinë. Nuk kam se si ta shoh ndryshe, përveç një planifikimi në detaje për ta kryer këtë vepër, andaj kërkoj nga gjykata, që me rastin e shpalljes së dënimit se gazetarët në Kosovë sulmohen vazhdimisht, kërcënohen vazhdimisht, pengohen në punën e tyre, ju duhet t’ju jepni mësim të gjithë atyre që kanë prirje të tilla që të mos na pengojnë në punën tonë”, ka thënë Kajtazi, në seancë.

    I akuzuari Dobruna është me profesion avokat derisa ka thënë se nuk ka marrë punë në profesionin e tij deri në momentin kur ta fitojë pafajësinë.

    “Ju premtoj se i dëmtuari nuk ka asnjë rrezik nga unë”, ka deklaruar Dobruna.

    Sipas aktakuzës, Dobruna ndër të tjera i kishte shkruar Kajtazit se: “Do të lyej me benzinë, ne të dy do të takohemi, e unë e ti së bashku në ferr”.

    Dobruna ishte arrestuar pas raportimit të kanosjes derisa i ishte caktuar edhe masa e paraburgimit më 11 tetor 2024.

    Ndërkohë, AGK-ja kishte kërkuar reagim të organeve të drejtësisë për Dobrunën dhe gjithë ata që kërcënojnë gazetarët.

  • Aksident me fatalitet në Kllokot të Vitisë, ndërron jetë pasagjeri

    Aksident me fatalitet në Kllokot të Vitisë, ndërron jetë pasagjeri

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur në Kllokot të Vitisë pak pas mesnatës.

    Si pasojë bëhet e ditur se pasagjeri i mjetit si rezultat i plagëve të marra ka ndërruar jetë në vendngjarje.

    Rastin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    “Ju njoftoj se me datën 01.11 2024 rreth orës 01:15 ka ndodhur një vetaksident trafiku në aksin rrugor Kllokot-Viti. Dyshohet se ngasësi i automjetit me targa vendore humbe kontrollin mbi automjetin, dalë jashtë rrugës dhe rrotulliset. Si pasojë pasagjeri i mjetit nga lëndimet e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku. Po ashtu drejtuesi i mjetit pëson lëndime trupore për të cilat është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Gjilan”, u shpreh ai.

    Ai bëri me dije se trupi i pajetë i viktimës me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion ndërsa vozitësi do të dërgohet ne mbajtje.

  • PDK-ja nesër në 18:00 e mban Konventën për Bedri Hamzën kryeministër

    PDK-ja nesër në 18:00 e mban Konventën për Bedri Hamzën kryeministër

    Nesër pasdite Partia Demokratike e Kosovës do ta mbajë Konventën “për Bedri Hamzën kryeministër”.

    PDK-ja njoftoi se konventa do të mbahet në orën 18:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

    Konventa pritet të zgjasë deri në një orë.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kjo konventë “nuk është vetëm e PDK-së, por e secilit qytetar i cili dëshiron ta rikthejë Kosovën në drejtimin e duhur”.

  • Leposaviq: Arrestohet një person, i gjenden disa armë pa leje

    Leposaviq: Arrestohet një person, i gjenden disa armë pa leje

    Policia e Kosovës, në Leposaviq arrestuar një person nën dyshimin se posedon disa armë pa leje.

    Në komunikatë bëhet e ditur se ai fillimisht në një fshat të Leposaviqit ishte vërejtur me një pushkë gjuetie me municion.

    “Nën dyshimin e bazuar se personi i dyshuar R.M., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar) posedon edhe armë tjera, është kontrolluar shtëpia e tij. Gjatë kontrollit janë gjetur edhe: një armë gjysmë- automatike, një pushkë 8.75mm, një pushkë ajrore, fishekë kalibrash të ndryshëm, disa thika e një xhaketë me pajisje tjera ushtarake”, tha tutje policia.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48-orë, bëhet e ditur në komunikatë.

  • Qeveria e Kosovës i ndanë para Kamenicës e Vitisë, për pagat e tetorit

    Qeveria e Kosovës i ndanë para Kamenicës e Vitisë, për pagat e tetorit

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike në të cilën ka aprovuar ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve Paga dhe Shtesa për komunat Kamenicë dhe Viti, për muajin tetor 2024.

    Ky vendim vjen pak javë pasi punonjësve të komunës së Vitisë nuk u ishin ekzektuar pagat të gjithë unonjësve publikë në Viti.

    Kjo pasi që Ministria e Financave kishte thënë se komuna në fjalë nuk kishte korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator.

  • Kriza e ekonomisë gjermane: Kush blen sot Volkswagen?

    Kriza e ekonomisë gjermane: Kush blen sot Volkswagen?

    VW gjendet në krizë dhe tani po pret rezultatet e negociatave. Fitimet po bien, kërcënon mundësia e pushimit nga puna të punëtorëve. Çfarë po bën politika?

    Termi “Zeitenwende” (pika e kthesës) është aktualisht në trend. Ai u përdor nga kancelari federal Olaf Scholz për të përshkruar sfidat e reja të politikës së sigurisë, me të cilat u përball Gjermaniapas sulmit rus në Ukrainë. Por sot përdoret gjithashtu në kontekste të tjera. Politika ekonomike dhe Volkswagen është një shembull i jashtëzakonshëm i sfidave aktuale.

    Industria gjermane e automjeteve është në telashe për shkak të humbjes në rritje të rëndësisë së motorëve me djegie në tregjet kryesore (SHBA, Kinë, Evropë) dhe kalimit në prodhimin e makinave elektrike.

    Elektromobiliteti po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Studimi i fundit i firmës konsulente PricewaterhouseCoopers (PwC) thotë se numri i regjistrimeve të automjeteve me bateri (BEV) do të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme. Vëzhguesit e tregut nga Frankfurti tregojnë se cilat modele janë aktualisht të suksesshme e cilat jo. Nga perspektiva gjermane, kjo është shqetësuese: Modeli Y i Teslës është deri tani makina më e shitur në tregjet kryesore. Modelet e VW janë shumë prapa.

    Elektromobiliteti eliminon vendet e punës

    Frank Schwope nga Universiteti i Ndërmarrjeve të Mesme në Hannover beson se kjo është një nga arsyet e problemeve të prodhuesit më të madh gjerman të makinave, Volkswagen. I pyetur nga DW, eksperti i makinave thotë se këtu luajnë një rol të rëndësishëm “ndryshimet e mëdha që kanë ardhur nga konkurrentët kinezë”. Sipas VW, këto ndryshime po çojnë në një rënie të madhe të fitimeve: në tremujorin e tretë të 2024, fitimet kanë qenë rreth 64 për qind më të ulëta se një vit më parë.

    Si përgjigje, koncerni planifikon të kursejë kryesisht në kostot e punës. Një ulje prej dhjetë për qind e pagave do të sillte 800 milionë nga kursimet e planifikuara prej katër miliardë eurosh. Përveç kësaj, sipas këshillit të punëtorëve, VW planifikon të mbyllë tre fabrika dhe të shkurtojë dhjetëra mijëra vende pune.

    Në Belgjikë, Audi, e cila është pjesë e koncernit VW, po ndërmerr hapa konkretë dhe planifikon të ndalojë prodhimin e makinave elektrike në Bruksel në fund të shkurtit – rreth 3.000 njerëz janë të punësuar atje. Kështu i tha agjencisë AFP të martën (29 tetor) një përfaqësues i sindikatës belge CNE.

    Se sa e rëndë është situata, konfirmoi në të njëjtën ditë presidentja e Shoqatës së Industrisë së Automjeteve Gjermane (VDA), Hildegard Müller. Sipas saj, kalimi në lëvizjen elektrike do të kushtojë 140.000 vende pune shtesë në industrinë gjermane të automobilave gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Që nga viti 2019, rreth 46.000 vende pune janë shkurtuar tashmë. “Transformimi i industrisë sonë është një detyrë e madhe,” i tha ajo Reuters, duke shtuar: “Është thelbësore që politika të mbështesë këto ndryshime”.

    Politikanët dhe VW

    Thirrja tek “politika” është gjithnjë e zëshme kur kompanitë kërkojnë kushte më të favorshme për të bërë biznes. Në rastin e Volkswagen-it, kjo thirrje ka një peshë të veçantë sepse në këtë krizë është e përfshirë edhe politika.

    Volkswagen është themeluar në vitin 1938 si një ndërmarrje shtetërore dhe kurrë nuk është pavarësuar tërësisht, as pas humbjes së Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore dhe rifillimit të prodhimit. Kryeministri i Saksonisë së Poshtme, ku ndodhet selia në qytetin Wolfsburg, është anëtar i bordit mbikëqyrës të këtij koncerni.

    Kryeministri Stephan Weil (Partia Socialdemokrate) gjendet në një rol të dyfishtë – ai kërkon “zgjidhje alternative” dhe kërkon që politika të kontribuojë më shumë, për shembull me futjen e stimujve të rinj për blerjen e makinave elektrike dhe lehtësime të tjera nga BE.

    Në nivel federal, asgjë nuk është bërë deri më tani për të ndryshuar kushtet e kornizës ekonomike, thotë drejtori i Zyrës së institutit amerikan gjerman Marshall Fund, në Berlin, Sudha David-Wilp. Në një intervistë për DW shton se vështirësitë ekonomike të Gjermanisë kërkojnë reforma të guximshme dhe të dhimbshme, por të nevojshme.

    “Vitet nën udhëheqjen e zonjës Merkel ishin mjaft komode për Gjermaninë. Vendi kaloi edhe pandeminë COVID-19. Por tani nevojiten reforma”, saktësoi David-Wilp. Por partitë tradicionale kanë frikë nga rritja e populistëve, dhe ky është një problem serioz.

    Për Volkswagen, situata ndërlikohet edhe më tje nga fakti se politika e Berlinit nuk ndjek një kurs të qëndrueshëm në promovimin e makinave elektrike. Partitë qeveritare SPD, të Gjelbrit dhe FDP nuk kanë një politikë të përbashkët të menaxhmentit të VW-së.

    Kriza e përgjithshme ekonomike

    Por kriza në Volkswagen është vetëm një pjesë e një krize shumë më të gjerë. Ish-presidenti i institutit, Ifo Hans-Werner Sinn beson se “Volkswagen është vetëm viktimë e e-mobilitetit, kufizimit të motorëve me djegie në BE dhe kostove të larta të energjisë në Gjermani”.

    Edhe Franziska Palmas, ekonomiste në kompaninë londineze Capital Economics, thotë për DW se “VW është simptomatike e krizës më të gjerë të industrisë gjermane, që shihet nga rënia e prodhimit prej rreth dhjetë për qind në korrik, në krahasim me fillimin e vitit 2023.

    “Volkswagen është një simbol i suksesit të ekonomisë gjermane në 90 vite” tha Carsten Brzeski për DW. Por tani VW simbolizon një krizë: “Problemet e VW duhet të jenë një thirrje zgjimi përfundimtar për politikanët gjermanë për ta bërë vendin më tërheqës për investime”.

  • Ekipi i Kosovës largohet nga Valencia pas katër ditësh bllokimi

    Ekipi i Kosovës largohet nga Valencia pas katër ditësh bllokimi

    Ekipi i Kosovës, i cili ishte pjesëmarrës në FIA Motorsport Games “Valencia 2024″, është nisur nga Valencia në orën 7:30 të mëngjesit të së premtes, pas katër ditësh i bllokuar në këtë qytet për shkak të përmbytjeve shkatërruese që goditën rajonin të martën.

    Deri tani, largimi nga Valencia ka qenë i pamundur, pasi qyteti ka qenë plotësisht i bllokuar dhe linjat e transportit urban dhe ndërurban kanë qenë jashtë funksionit. Aeroporti dhe linjat tokësore ishin të bllokuara, ndërsa raportohet se rreth 200 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur.

    Ekipit kosovar i është dashur të gjejë rrugë alternative për t’u kthyer, duke fluturuar përmes destinacioneve të ndryshme, si Vjena, Stambolli, Tirana dhe Shkupi.